Connect with us

Bota

SHBA, 1 miliard dollarë ndihma të tjera ushtarake për Ukrainën

Published

on

SHBA, 1 miliard dollarë ndihma të tjera ushtarake për Ukrainën

Administrata e Presidentit Biden njoftoi të hënën 1 miliard dollarë ndihmë të re ushtarake për Ukrainën, duke thënë se kjo do të jetë dërgesa më e madhe deri më tani e raketave, municioneve dhe armëve të tjera që do të dërgohet direkt nga depot e Departamentit të Mbrojtjes tek forcat ukrainase.

Premtimi i Shteteve të Bashkuara për një dërgesë të re masive të armëve vjen pasi analistët paralajmëruan se Rusia po lëvizte trupat dhe pajisjet në drejtim të qyteteve që ndodhen në portet jugore për të shmangur një kundërofensivë të forcave ukrainase.

Ndihma përfshin raketa shtesë për Sistemet e Raketave të Artilerisë me Lëvizshmëri të Lartë, “HIMARS”, si dhe mijëra municione të tjera artilerie, sisteme mortajash, raketahedhës “Javelins” dhe pajisje të tjera. Komandantët ushtarakë dhe zyrtarë të tjerë amerikanë thonë se “HIMARS” dhe sistemet e tjera të artilerisë kanë qenë vendimtare në luftën e vazhdueshme të Ukrainës për të ndalur përparimin e Rusisë.

Njoftimi i fundit e çon ndihmën totale ushtarake të administratës së Presidentit Biden për Ukrainën në rreth 9 miliardë dollarë që kur trupat ruse filluan sulmin në fund të shkurtit.

“Në çdo fazë të këtij konflikti, ne kemi qenë të përqëndruar në përmbushjen e nevojave të forcave ukrainase, në varësi të kushteve në fushën e betejës”, tha Colin Kahl, nënsekretar i mbrojtjes për politikat, në njoftimin e ndihmës së re ushtarake për Ukrainën.

Deri më tani, ndihma më e madhe ushtarake për Kievin ishte njoftuar më 15 qershor dhe përfshinte rreth 1 miliard dollarë. Por kjo ndihmë përfshinte 350 milionë dollarë të autorizuar nga presidenti dhe 650 milionë dollarë të tjera që ishin në kuadër të Iniciativës së Ndihmës në fushën e Sigurisë për Ukrainën.

Ndërkohë, Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar njoftoi të hënën se Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë 4.5 miliardë dollarë shtesë për të mbështetur nevojat buxhetore të qeverisë së Ukrainës.

Financimi, i koordinuar me Departamentin amerikan të Thesarit përmes Bankës Botërore, do t’i shkojë qeverisë së Ukrainës në këste, duke filluar me një shumë prej 3 miliardë dollarësh që do të ndahet në gusht, tha Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar.

Në katër muajt e fundit të luftës, Rusia është përqendruar në pushtimin e rajonit Donbasit në Ukrainën lindore, ku separatistët prorusë kanë kontrolluar dy zona, republika të vetëshpallura, në tetë vitet e fundit. Forcat ruse kanë bërë përparime graduale në këtë rajon ndërsa kanë vazhduar sulmet me raketa për të kufizuar lëvizjet e luftëtarëve ukrainas në zona të tjera të vendit./VOA

Continue Reading

Bota

Uragani, black out në mbarë Kubën: Florida përgatitet për përmbytje katastrofike!

Published

on

By

Uragani, black out në mbarë Kubën: Florida përgatitet për përmbytje katastrofike!

Kuba ka mbetur e gjitha pa energji elektrike pas goditjes nga Uragani Ian, që preku tokën në perëndim të ishullit e po lë pas një vazhdë shkatërrimesh në rrugën e tij.

Sistemi energjetik u shemb i teri, pohuan zyrtarë vendas, sipas të cilëve njëri prej termocentraleve kryesore nuk ka qenë e mundur të kthehej në funksion.

Dy persona raportohet se të kenë humbur jetën e një numër i madh ndërtesash, në mbarë vendin, janë shkatërruar. Uragani i kategorisë së tretë, me erëra që arrijnë shpejtësinë prej 195 kilometrash në orë, tani është nisur drejt Floridës, në Shtetet e Bashkuara, banorët e të cilës janë paralajmëruar për rrezikun e “përmbytjeve katastrofike”.

Kreu i autoritetit për energji elektrike në Kubë pohoi në televizionin shtetëror se 11 milionë persona janë pa energji, ndërsa pronari i kompanisë së njohur të cigareve Finca Robaina, postoi fotografi në rrjetet sociale të cilat tregonin shkallën tmerruese të dëmeve. “Është gati apokaliptike”, shkruante Hirochi Robaina.

Meteorologët kanë paralajmëruar se disa rajone të Kubës mund të përballen me 30 centimetra shi për shkak të Uraganit Ian. Presidenti Miguel Diaz Canel, vizitoi personalisht disa nga zonat e prekura, ku i premtoi qytetarëve se do të marrin ndihmë nga shteti.

Teksa largohet nga Kuba, stuhia ka marrë edhe më shumë forcë në Gjirin e Meksikës, sipas Qendrës Kombëtare të Uraganëve në SHBA, e cila paralajmëron se kur të godasë Floridën, Ian mund të kthehet në stuhi të kategorisë së katërt me erëra të fuqishme, çka detyroi guvernatorin e saj Ron DeSantis të urdhërojë aktivizimin e 5.000 trupave të Gardës Kombëtare.

Continue Reading

Bota

NATO, mesazh Putinit: Lufta bërthamore nuk ka fitues, do të kesh pasoja të rënda

Published

on

By

NATO, mesazh Putinit: Lufta bërthamore nuk ka fitues, do të kesh pasoja të rënda

Përdorimi i armëve bërthamore nga Rusia është i papranueshëm dhe do të ketë pasoja të rënda. Ky është paralajmërimi që vjen për Vladimir Putin nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Rusia duhet ta dijë se lufta bërthamore nuk fitohet dot dhe nuk duhet të luftohet kurrë. Nuk po them që mundësia e përdorimit të armëve bërthamore është e lartë, por po them që kur shohim vazhdimisht këtë lloj retorike bërthamore nga Rusia, nga Presidenti Putin, duhet ta marrim seriozisht dhe për këtë arsye po i përcjellim mesazhin e qartë që do të ketë pasoja të rënda për Rusinë dhe që nuk duhet të zhvillohet kurrë një luftë bërthamore”, tha norvegjezi.

Reagimi erdhi pas deklaratave të së martës për përdorim të armëve bërthamore me rreze të shkurtër, të bëra nga ish-presidenti dhe ish-kryeministri rus, Dimitry Medvedev, i cili si një aleat i ngushtë i Putinit, mban postin e nënkryetarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Rusi.

Sipas analistëve, gatishmëria për përdorimin e këtyre armëve, e cila po shprehet thuajse përditë nga pala ruse, bëhet për të zmbrapsur Ukrainën dhe Perëndimin, pasi ushtria e Kievit ka fituar terren të konsiderueshëm në lindje, ku edhe po zhvillohen betejat më të mëdha.

Continue Reading

Bota

Princi Salman emërohet kryeministër i Arabisë Saudite

Published

on

By

Princi Salman emërohet kryeministër i Arabisë Saudite

Princi i fuqishëm i kurorës në Arabinë Saudite, Mohammed bin Salman, është emëruar kryeministër i shtetit, një pozitë që tradicionalisht i takon mbretit. Princi Mohammed, i cili ka vite që konsiderohet udhëheqës de facto i shtetit, ka shërbyer më parë si zëvendëskryeministër nën Mbretin Salman, si dhe si ministër i Mbrojtjes.

Pozitën e ministrit të Mbrojtjes e ka marrë tani vëllai i tij i vogël, Khalid bin Salman, i cili më parë ka qenë zëvendësministër i Mbrojtjes.

Ministritë tjera të rëndësishme, përfshirë atë të Jashtme dhe të Energjisë, vazhdojnë të kenë udhëheqësit e njëjtë, sipas një dekreti të Mbretit të Salman, që është publikuar nga agjencia zyrtare e Arabisë Saudite.

Princi Mohammed, i cili ka mbushur 37 vjet këtë muaj, është i pari në linjë për të marrë pozitën e mbretit. Ai është bërë ministër i Mbrojtjes më 2015, një hap i madh drejt konsolidimit të pushtetit.

Arabia Saudite nuk deklarohet publikisht rreth spekulimeve për shëndetin e Mbretit Salman, 86-vjeçar. Ai ka udhëhequr Arabinë Saudite – shtetin lider në botë për eksporte të naftës – prej vitit 2015.

Më 2017, ai ka hedhur poshtë raportimet se planifikon të abdikojë fronin ashtu që Princi Mohammed të marrë pushtetin. Mbreti Salman është shtruar dy herë në spital këtë vit. /REL/

Continue Reading

Aktuale