Connect with us

Bota

Zvicra heq shtetësinë për ‘sjellje të padrejtë dhe mashtruese’

Published

on

Zvicra heq shtetësinë për ‘sjellje të padrejtë dhe mashtruese’

Një gruaje që fitoi një pasaportë zvicerane përmes martesës i është hequr shtetësia pasi u divorcua

E martuar në vitin 2010 me një burrë zviceran, 15 vjet më i madh se ajo, një grua marokene u natyralizua përmes procesit të lehtësuar në vitin 2015, por u nda nga i shoqi vetëm disa muaj më vonë.

Sapo çifti u divorcua në vitin 2017, gruaja u martua përsëri në Liban, duke ngritur dyshime tek autoritetet zvicerane për motivet e fshehta pas martesës së saj në Zvicër. Sipas raportimeve të mediave të hënën, “pasi hetimet për rrethanat e ndarjes së çiftit” dhe konkludimit se gruaja u martua shprehimisht për të marrë një pasaportë zvicerane, Sekretariati Shtetëror për Migracionin (SEM) revokoi natyralizimin e saj, përcjell albinfo.ch.

Ajo e apeloi vendimin, fillimisht në një gjykatë administrative dhe më pas në autoritetin më të lartë gjyqësor të Zvicrës, Gjykatën Federale. Të dy kanë mbështetur vendimin e SEM.

“SEM mund të anulojë natyralizimin e lehtësuar të marrë nga deklarata të rreme ose nga fshehja e fakteve thelbësore”, vendosi gjykatësi federal, duke shtuar se gruaja e mori nënshtetësinë e saj përmes “sjelljes së pabesë dhe mashtruese”.

Edhe pse kjo mund të duket si një dukuri e rrallë, në fakt nuk është kështu. Mesatarisht, SEM anulon afër 50 natyralizime çdo vit pas një divorci. Por, ka edhe rrethana të tjera kur qeveria mund t’i heqë dikujt shtetësinë zvicerane.

Siç raportoi The Local më herët, më 2022, “shtetasve të dyfishtë mund t’u hiqet shtetësia zvicerane nëse sjellja e tyre është seriozisht e dëmshme për interesat ose reputacionin e Zvicrës”, përcjell tutje albinfo.ch.

Një shembull se kur mund të ndërmerret një hap kaq drastik dhe i pakthyeshëm është rasti i njerëzve të dënuar për krime lufte, terrorizëm ose tradhti. Midis viteve 1940 dhe 1947, 80 shtetasve zviceranë iu hoq shtetësia për shkak se bashkëpunonin me nazistët.

Kohët e fundit, në vitin 2019, një shtetas i dyfishtë turko-zviceran humbi shtetësinë e tij zvicerane pasi u dënua nga Gjykata Penale Federale për të qenë anëtar i Shtetit Islamik (ISIS).

Rasti i fundit i tillë, në vitin 2020, ka të bëjë me një grua e cila ka lindur dhe është rritur në Gjenevë, por ka edhe pasaportë franceze përveç asaj zvicerane. Ajo mori dy vajzat e saj të vogla për të jetuar në enklavën e ISIS në Siri pa dijeninë e baballarëve të tyre përkatës.

Në të dyja këto raste, autoritetet ua hoqën shtetësinë, duke i ndaluar kthimin në Zvicër dhe ndoshta duke paraqitur një kërcënim për sigurinë brenda vendit. Cilado qoftë arsyeja e heqjes së shtetësisë, kjo mund të bëhet vetëm nëse personi ka një shtetësi të dytë. Përndryshe, Zvicra do të krijonte persona pa shtetësi, një akt i ndaluar nga ligji ndërkombëtar. Dhe ndërsa në disa raste shtetësia mund të rikthehet, ju nuk mund ta ktheni atë nëse natyralizimi juaj është anuluar ose nëse ju është hequr shtetësia, për arsyet e përmendura më sipër.

Continue Reading

Bota

Faqet e TikTok reklamojnë kalimin ilegal në Angli: Hajde se u ul çmimi

Published

on

By

Faqet e TikTok reklamojnë kalimin ilegal në Angli: Hajde se u ul çmimi

Mediat britanike prej ditësh po i kushtojnë një rëndësi të veçantë trafikut të emigrantëve ilegalë nga La Manshi, i cili kohët e fundit ka marrë përmasa të mëdha, me tentativa të shtuara për të hyrë ilegalisht në vend.

Kësaj here, media kanë zbuluar dhjetëra faqe TikTok, një pjesë e të cilave shqiptare, të cilat haptazi ftojnë qytetarët që të guxojnë për të përmbushur ëndrrën e tyre për të emigruar në Britaninë e Madhe.

“Francezët nuk do t’ju ndalojnë”, shkruhet në një prej tyre. Ndërsa një tjetër tregon vendin ku bëhet nisja, orarin, madje njofton dhe ulje të çmimit për sezonin e verës.

Shifrat e fundit tregojnë se shqiptarët tashmë përbëjnë 40 për qind të hyrjeve ilegale nga Franca veriore, me gomone dhe varka të vogla që prej 12 korrikut, duke eklipsuar të gjitha kombësitë e tjera, duke përfshirë afganët, iranianët, irakenët dhe sirianë.

Reklamat e mediave sociale ofrojnë çmime të volitshme për kalime të kanalit nga 3,500 paund deri në 5,000.

Mes të tjerash në llogaritë e TikTok jepen dhe këshilla se si qytetari që ka hyrë ilegalisht në vend mund të përdorë sistemin për të kërkuar azil.

Një trafikant i rrëfeu disa kohë më parë një gazetari të maskuar që kontaktonte me të se ‘Francezët nuk do t’ju ndalojnë. Përkundrazi, ata do t’ju shoqërojnë të sigurt derisa të arrini në kufirin ujor të Mbretërisë së Bashkuar’

Më pas ai i tha gazetarit të kontaktonte një avokat pas mbërritjes në Britani i cili do të ndihmonte për të sajuar një ‘histori të mirë’ për azilin. /A2 CNN/

Continue Reading

Bota

Motra e 28-vjeçares që u hodh nga kati i 6-të në Nju Jork: E vrau Florindi bashkë me fëmijën që do të lindte pas disa muajsh

Published

on

By

Motra e 28-vjeçares që u hodh nga kati i 6-të në Nju Jork: E vrau Florindi bashkë me fëmijën që do të lindte pas disa muajsh

Një dëshmi e rëndë vjen pas ngjarjes tragjike dy ditë më parë në Bronx, Nju Jork ku humbën jetën 35-vjeçari shqiptar Florind Belliu dhe bashkëshortja e tij 28 vjeçe Ornela Belliu, duke lënë pas dy fëmijë të mitur.

Ngjarja ishte mister dhe për hetuesit, të cilët po hetonin si në pistën e vetëvrasjes, ashtu dhe në atë të vrasjes. Kjo pasi burrë e grua ranë nga kati i 6 i pallatit ku jetonin. Por sot motra e 28-vjeçares, gruas së aktorit Belliu akuzon këtë të fundit për vrasjen e saj dhe të fëmijës që do të vinte në jetë pas pak muajsh.

Ajo tregon se Florindi vuante nga çrregullimet mendore dhe ishte shtruar dhe në klinikë psikiatrike në Nju Jork.

“E kam shumë të vështirë të flas në këto momente, pasi unë motra e Ornelës dhe e gjithë familja jonë jemi tejet të pikëlluar nga humbja e parakohshme e motrës sonë të dashur, por nuk mund të rri pa i shkruar dy fjalë për motrën time, për engjëllin tonë, që e donte aq shumë jetën, që rrezatonte mirësi dhe e donte i gjithë komuniteti në zonën ku jetonte në Nju Jork.

Vë re me keqardhje që të gjithë portalet janë mbushur me fjalë të ndjera për humbjen e jetës së Florind Belliut, personit që vrau jo vetëm motrën tonë, por edhe fëmijën që do të lindte pas disa muajsh dhe asnjë fjalë keqardhjeje nuk kanë denjuar të shkruajnë për motrën tonë, e cila punonte dhe rriste pothuajse e vetme dy fëmijë të mitur, pasi ai që i mori jetën në mënyrën më makabre kishte kohë, vite që vuante nga çrregullime mendore, kishte kohë që ia kishte bërë jetën të vështirë motrës sonë, por Ornela ishte aq e mirë dhe e dhimbsur saqë shkonte e vizitonte çdo ditë në klinikën psikiatrike ku ishte i izoluar atë që do t’i merrte jetën në mënyrën më kriminale…i dërgonte ushqim siç dëshironte Flori, saqë punonjësit e klinikës e kishin pagëzuar Ornelën ‘engjëll’, pasi ishte e vetmja që shkonte çdo ditë në klinikë…Mjekët e klinikës në Nju Jork e kishin paralajmëruar Ornelën që bashkëshorti i saj kishte ende probleme…”, shkruan ndër të tjera motra e 28-vjeçares.

Continue Reading

Bota

SHBA, 1 miliard dollarë ndihma të tjera ushtarake për Ukrainën

Published

on

By

SHBA, 1 miliard dollarë ndihma të tjera ushtarake për Ukrainën

Administrata e Presidentit Biden njoftoi të hënën 1 miliard dollarë ndihmë të re ushtarake për Ukrainën, duke thënë se kjo do të jetë dërgesa më e madhe deri më tani e raketave, municioneve dhe armëve të tjera që do të dërgohet direkt nga depot e Departamentit të Mbrojtjes tek forcat ukrainase.

Premtimi i Shteteve të Bashkuara për një dërgesë të re masive të armëve vjen pasi analistët paralajmëruan se Rusia po lëvizte trupat dhe pajisjet në drejtim të qyteteve që ndodhen në portet jugore për të shmangur një kundërofensivë të forcave ukrainase.

Ndihma përfshin raketa shtesë për Sistemet e Raketave të Artilerisë me Lëvizshmëri të Lartë, “HIMARS”, si dhe mijëra municione të tjera artilerie, sisteme mortajash, raketahedhës “Javelins” dhe pajisje të tjera. Komandantët ushtarakë dhe zyrtarë të tjerë amerikanë thonë se “HIMARS” dhe sistemet e tjera të artilerisë kanë qenë vendimtare në luftën e vazhdueshme të Ukrainës për të ndalur përparimin e Rusisë.

Njoftimi i fundit e çon ndihmën totale ushtarake të administratës së Presidentit Biden për Ukrainën në rreth 9 miliardë dollarë që kur trupat ruse filluan sulmin në fund të shkurtit.

“Në çdo fazë të këtij konflikti, ne kemi qenë të përqëndruar në përmbushjen e nevojave të forcave ukrainase, në varësi të kushteve në fushën e betejës”, tha Colin Kahl, nënsekretar i mbrojtjes për politikat, në njoftimin e ndihmës së re ushtarake për Ukrainën.

Deri më tani, ndihma më e madhe ushtarake për Kievin ishte njoftuar më 15 qershor dhe përfshinte rreth 1 miliard dollarë. Por kjo ndihmë përfshinte 350 milionë dollarë të autorizuar nga presidenti dhe 650 milionë dollarë të tjera që ishin në kuadër të Iniciativës së Ndihmës në fushën e Sigurisë për Ukrainën.

Ndërkohë, Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar njoftoi të hënën se Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë 4.5 miliardë dollarë shtesë për të mbështetur nevojat buxhetore të qeverisë së Ukrainës.

Financimi, i koordinuar me Departamentin amerikan të Thesarit përmes Bankës Botërore, do t’i shkojë qeverisë së Ukrainës në këste, duke filluar me një shumë prej 3 miliardë dollarësh që do të ndahet në gusht, tha Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar.

Në katër muajt e fundit të luftës, Rusia është përqendruar në pushtimin e rajonit Donbasit në Ukrainën lindore, ku separatistët prorusë kanë kontrolluar dy zona, republika të vetëshpallura, në tetë vitet e fundit. Forcat ruse kanë bërë përparime graduale në këtë rajon ndërsa kanë vazhduar sulmet me raketa për të kufizuar lëvizjet e luftëtarëve ukrainas në zona të tjera të vendit./VOA

Continue Reading

Aktuale