Connect with us

Kolumna

Ambiguiteti moral i Luçiferit

Published

on

A ekziston ndonjë pushtet, ndonjë hero antipushtet, ndonjë “figurë perëndie” që mund të na tregojë se ku është kufiri midis të drejtave të shqiptarëve dhe të drejtave të maqedonasëve që janë identike si tonat! Para së gjithash, ky kufi nuk mund të gjendet nëse mungojnë njohurit mbi të drejtat e individit dhe të etnosit të tij. Ky sens për njohuri të tilla zvetënohet në çastin kur brenda qenies së luftëtarit për më shumë të drejtat futet Asjevi “me përmasa të Luçiferit”

Shkruan: Avni HALIMI

Pikat e larta e të fortifikuara prej nga, zakonisht, si në pëllëmbë të dorës shihen vendbanimet e dendur, vizitorëve gjithnjë ua ngacmojnë lakminë, atë dëshirë egoiste, e cila, shikuar nga këndi psikologjik, do të mund të quhej “fortesë e karakterit të vërtetë” e ngritur nën hijen e personalitetit të çdo individi. Në të tilla pika, turistët, udhëtarët e rastit, ata që ngjiten duke u përgjakur stepeve e duke rrokullisur ndonjë gurë drejt lumit ku mund të ketë zënë fill të mbarë jeta, sakaq i përshkon një ndjenjë e triumfalistit, pastaj një ndjenjë e perandorit, e shpëtimtarit të miletit nga e keqja. Nën këtë persiatje impresioniste, shpërthejnë pastaj ato ëndërra që janë emblemë e atyre karaktereve të ndrydhur nën peshën e frikës së brumosur jo me parime por me dobësi morale. Njëri turist do të shajë Zot e gurë që nuk është mbret i fortesës. Tjetri turist vetëtimthi do ta ndjejë veten si hajn i pakapshëm nga xhandarmëria dhe i rrethuar nga bashkëveprimtarët e vet të cilëve do t’u jepte përqindje nga thesari i vjedhur. Turisti i tretë do të fillojë ta lakmojë fortesën si një vend ku do të ngjesheshin të gjitha idetë revolucionariste, planet e sulmeve dhe projektet për ardhmëri. Gjithnjë të ndodhur përballë apo brenda fortesave shprehet një dëshirë që është e përbashkët për të gjithë soditësit “e rastit”! Të gjithë do të kishin dashur të ishin pronarë të fortesës me rend e rregulla, me parime e kode, me kanune e ligje që do të siguronin mirëqenie ekskluzivisht për mbretin dhe oborrin e tij. Vështruar nën thjerrën morale, këtu në të gjitha rastet kemi të bëjmë me lakminë e pushtimit, qoftë me të mirë, me kryengritje apo edhe me luftë.

Pse bëhen revolucionet

Lajtmotive të kësaj natyre hasen në letërsitë e shumë popujve, personazhet e këtyre kredove janë bërë frymëzim për shumë shkrimtarë botërorë. Pa dyshim, karaktere të këtillë, të transformuara nga qeniet psikosociale në qenie politike, në krijimtarinë e mëvonshme janë zbritur nga malet dhe fortesat, në rrafsh, në vende të hapura dhe në vende urbane, aty ku ndërthurja e intrigave është shumë më dinamike ndërsa zbërthimi i tyre është pothuajse i pamundshëm. Një karakter të tillë kishte edhe një figurë që këtu do ta përdorim si hero metaforik të cilin Encensbergeri në eseun e vet e quan “personazhi me përmasa të Luçiferit”! Jevgeni Filipoviç Asjevi! Figura më kontraverze ruse e njohur që nga themelimi i Partisë Revolucionare Ruse më vitin 1900.
Georgi Plehanov, themelues i shkollës markiste, ishte mbrojtës i paepur i mendimit se të gjithë revoluciont bëhen ose “rastësisht” ose me “komplote”. Dhe këto revolucione në esencë të synimit kanë marrjen e pushtetit. Nën motivin e një “synimi human”, në emër të lirisë e të të drejtave më të mëdha, në fakt synohet pushteti. Frytet e para të “revolucionit” gjithnjë mbrohen nga soji i heroit Asjev!
Në eseun e vet Shpirtërat engjëllorë të terrorit, Encensbergeri shkruan se Asjevi fillimisht ishte shef operativ i Organizatës Luftarake nga e cila doli Partia Socialiste Revolucionare e Rusisë. Gati asnjë nga revolucionaristët nuk e dinin se Asjevi që nga viti 1892 ishte i rekrutuar si bashkëpunëtor i policisë cariste. Ishte kohë kur bolshevikët (“shumica”) po rrezikohej nga veprimet politike nacionaliste të menshevikëve (“pakicës”). Asjevi, si prijës i një formacioni luftarak, kishte bindur partinë e vet se do të bashkëpunonte me policinë me qëllim që ta spiunonte qeverinë, ndërkohë që qeverisë i ofronte informacione të plota e të shumta rreth revolucionaristëve. Pra, duke “i shërbyer” Organizatës, në fakt vepronte në dobi të qeverisë me qëllim që sa më shumë ta shkatërronte Organizatën. Ambiguiteti moral ishte arma më e fortë e tij që po e mbante në fronin partiak. Carit i shërbente duke e tradhëtuar Organizatën e vet deri në shkatërrim, ndërkohë që i kënaqte edhe miqtë e vet me infoemacione që u sillte nga “armiqtë”, qeveria.
Pse Asjevi e kishte synim shkatërrimin e Organizatës! A ishte i stërlodhur nga veprimi “në ilegalitet”. A frikësohej se një ditë kur do të bëhej kryeqeveritar do të mund të eliminohej pikërisht nga revolucionaristët e vet? A i ishte kthyer lojalitetit absolut përballë Carit i cili, në shenjë falënderimi ia shpaloste të gjitha sekretet? Jo, përmasat e Luçiferit te Asjevi kufizoheshin me synimet e tij të dyfishta: të dobësohej sa më shumë Qeveria me qëllim që të shtohej nevoja qeveritare për angazhimin e tij deri në nivelin e shpëtimtarit dhe, meqë e ndjente vdekjen si nga qeveritarët ashtu edhe prej shokëve të vet, punonte në drejtim të shkatërrimit të Organizatës me qëllim që, kontributi i tij prej lideri të vërtetë një ditë të ngritej në nivele të legjendës. Veprimi politiko-skizmatik i tij bazohej në konceptin raskolnian. Sa më shumë “raskol”, përçarje, sa më shumë të atomizohej qeveria dhe Organizata, aq më tepër do ta ndjente veten Zot i tyre (Niçe thoshte se kjo është ajo shpalosje e vullnetit të pakufijshëm për pushtet). Asajevi ishte i bindur se është reformist i sistemit totalitar; mendonte se është ai të cilit i lejohet të bëjë gjithçka, madje, nën këtë inercion veprimi, kreu sërë atentatesh, duke likuiduar njerëz të mëdhenj por edhe bashkëluftëtarë të tij prej të cilëve shihte rrezik!

“Zoti” që e sfidon edhe vdekjenë

Kësisoj, sot, ky personazh kaq satanik, mund të haset pothuajse në të gjitha shoqëritë e botës, duke bërë një jetë si dyftyrësh. Haset sidomos në ato shoqëri multietnike si dhe në ato që janë në përpjekje e sipër për të ngritur sisteme shoqërore postkonfliktuale. Madje, fatkeqësisht dalin eksluzivisht nga revolucionaristët, të cilët, duke u kyqur në pushtet, me qëllim të dëshmimit të pafajësimit për përmbytje të sistemit, me qëllim të dëshmimit të lojalitetit të paluhatshëm, nisin e nga rradhët e veta nxjerrin Asjeva! Kjo metamorfozë etike haset në ato shoqëri ku bolshevizmi edhe përkundër përjetimit të revolucionit mbetet edhe më tej të qeverisë me vendin. Ndërsa në ato shoqëri ku në qeverisje vijnë revolucionaristët ndërkohë që bolshevikët nënshtrohen, figura e Asjevit del me po të njëjtat përmasa dhe me po të njëjtin ambiguitet synimi. Synohet të disiplinohet anëtarësia madje deri në shkatërrim total të organizatës, me qëllim që frika të mbjellet ndër popull dhe për pasojë të lind figura autokrate që nuk ka nevojë për organizata por për skllevër.
Së këndejmi, janë plotësisht në të drejtë antropologët kur vlerësojnë se kalimi i një pushteti nga duart e autokratëve në duart e revlucionaristëve nuk sjell asgjë në favor të lirisë. Sepse, konflikti në mes ithtarëve të autorkacisë dhe revolucionaristëve kurrë nuk mund të përfundojë, ndonëse mund të ndjehet heshtja e përkohëshme e konflikteve në mes të dy palëve. Benxhamen Konstani, përmes disa pyetjeve, me të drejtë ngrit një dilemë shumë të madhe që kërkon reflektim reala. Ai pyet: ku është ndryshimi për individin nëse shtypet nga një diktator, nga një monark, nga pushteti i popullit apo nga një grumbull ligjesh jo humane. Pa dyshim, të gjitha pushtetet e ngritura nga revolucionet, nën synimin e krijimit të harmonisë shoqërore, gjithnjë e mendojnë shtypjen sa më të madhe të individit, atrifizimin total të idesë së tij se në pushtet mund të vihet me revolucion! Është ndjenja e firikës së rënies “me hile” nga pushteti. Prandaj ngadal merret pushteti duke u thyer fuëqishëm të gjthë revolucionaristët. Me këtë akt asjevistët dëshirojnë ta ngushëllojnë veten se janë mbi gjithçka, janë vetë “zoti” që i bëjnë sfidë edhe vdekjes.
As eseisti Encensberger dhe as teoricientët e politikës nuk arritën ta deshifronin deri në fund misterin e veprimit të Asajevit. As sjelljet e tij, as qëllimi i jetës së tij, por as të gjitha veprimet e tij nuk kishin pasur objektiva të shpjegushëm politikisht. Ai, thjesht, përkufizohet si “qenie me përmasa të Luçiferit”.

Kufiri midis dy të drejtave identike

Asnjë shoqëri, pra, as shoqëria jonë nuk është imune nga qeniet e këtilla. Ata i vërejmë gjithkund dhe, nën aoreolën e revolucionit, seç na duken si tipa karizmatikë që mbajnë vulën e të shenjtit kombëtar. Për këtë shkak dhe kurrë nuk futen në laboratoriumin e zbërthimeve të elementeve të tyre njerëzore. Mbeten të “shenjtë” sepse nuk kanë asgjë të lexueshme nga njerëzorja! Në fakt, vetëm pasi t’ju lexohen qëllimet dhe veprimet satanike tek atëherë mund të kuptohet ndonjë gjë nga realiteti i tyre njerëzor. Cili është ai realitet? Të jetuarit për pushtet, shkelje mbi sistemin e vlerave të kodifikuara më parë, me pretekst të ngritjes së vlerave të reja, pavarësisht se ato, pa një bazë paraprake mund të pezullojnë në ajër si fluska dëbore që sapo të prekin tokën shkrihen. Asjevat e sotshëm shëmbëllejnë në subjekte të humbur të cilët, duke mos arritur që diku pas derës t’i gjejnë kordinatat e vendit të vet, jo vetëm që e degjenerojnë dhe e kriminalizojnë shoqërinë por edhe, gjithnjë e më shumë, i shtresojnë motivet e një promiskuiteti dhe të një konflikti brenda kruzhokut të tyre. Si rrjedhojë e kësaj, liria nis e bëhet diçka e urrejtur. Në vend të respektimit ndaj aktit revolucionarist, nis e shprehet nostalgjia për të kaluarën e errët. Në robëri kërkohet mbrojtja nga Asjevi i dehur nga liria.
Historia dëshmon se, gjithnjë pas revolucioneve në pushtet vijnë revolucionaristët. Në fakt, vetë masa e akumuluar e vullnetit për pushtet, shkakton konfliktin për marrje të pushtetit. Pasi të merret pushteti, prijësi i lufëtëtarëve për “më shumë të drejta” që garantohen nga pozita e të qenurit pushtet, zgjëron kufijtë e të ushtruarit të pushtetit, pa hetuar se rrëshqet drejt totalitarizmit. Liria dhe të drejtat e individëve dozohen gjithnjë sipas dëshirës dhe vullnetit të pushtetit. Secili pushtet ngritet dhe funksionon mbi themelet e kufirit në mes të mundshmes dhe të pamundshmes, reales dhe ireales. Vërtet a ekziston ndonjë pushtet, ndonjë hero antipushtet, ndonjë “figurë perëndie” që mund të na tregojë se ku është kufiri midis të drejtave të shqiptarëve dhe të drejtave të maqedonasëve që janë identike si tonat! Para së gjithash, ky kufi nuk mund të gjendet nëse mungojnë njohurit mbi të drejtat e individit dhe të etnosit të tij. Ky sens për njohuri të tilla zvetënohet në çastin kur brenda qenies së luftëtarit për më shumë të drejtat futet Asjevi me përmasa të Luçiferit.
Në kohën e Asjevit, caristët kishin përdorur shumë shpesh shprehjen popullore “Në secilin rus të gërvishur del një moskovit”! Ndërsa revolucionaristët kishin përdorur shprehjen e tyre “Në secilin revolucionarist të gërvishur del një Asjev”! A mund të jetë morali i këtyre frazave shprehja “Në secilin popull të gërvishur del robëria”?

Continue Reading

Kolumna

Jemi të gënjyer!

Published

on

Nuk di sa herë e kemi parë triumfatorin e rrejshëm, ministrin Osmani, të dalë e të thotë me bindje e gojën plot se po marrim datë dhe përherë kemi dështuar nga paaftësia diplomatike e tyre. Bullgaria arriti të imponojë seriozitet dhe, siç thotë populli në anekdotë, t’ia lërë këmbët e arushës në dorë Maqedonisë së Veriut.

Shkruan Vjollcë BERISHA

Nuk duhet parë vetëm si diçka që aksidentalisht shkon keq, diçka që lidhet me orën e historisë. Është thjesht dështim i diplomacisë sonë. Nuk mjafton të jetosh në aeroplan e të bësh foto besimplote për ta integruar vendin në Bashkimin Evropian.

Cila është masa me të cilën mund të matet në këtë orë suksesi i një ministri për Punë të jashtme nëse jo me mundësinë e tij për ta integruar vendin në Unionin Evropian?! Me se tjetër mund të lëvdohet diplomacia “jonë” shterpe?

Po ato intervistat gojëplota me data të rrejshme?

Jemi gënjyer keq.

Votat merren në emër premtimesh që nuk realizohen. Nuk di sa herë e kemi parë triumfatorin e rrejshëm, ministrin Osmani, të dalë e të thotë me bindje e gojën plot se po marrim datë dhe përherë kemi dështuar nga paaftësia diplomatike e tyre. Bullgaria arriti të imponojë seriozitet dhe, siç thotë populli në anekdotë, t’ia lërë këmbët e arushës në dorë Maqedonisë së Veriut.

Populli ndjehet i gënjyer. Rrugë tjetër s’ka. Dielli për ne lind nga perëndon. Ky përcaktim është qenësor për shqiptarët.
BDI e ka minuar pafundësisht këtë rrugë me mbytjen e shtetit të së drejtës, me institucione të korruptuara deri në dhëmb, me moszgjidhje të proceseve të montuara, me drejtësi selektive që i shërben vetëm pushtetit e kultit të Partisë, me arsim asht e lëkurë, me kulturë që po shfytyrohet pa kujdesin e detyrueshëm institucional, me zgjedhje të manipuluara, e me të gjitha elementët që jo vetëm e shembin rrugën e integrimit, por edhe na bëjnë qesharakë e të pamjaftueshëm në sytë e botës.

Mosmarrja e datës nuk është pafatësi, është PAAFTËSI diplomatike, dështim dhe mbi të gjitha gënjeshtër.
Është një borxh që ia kanë popullit që e gënjyen në dritë të diellit se do ta integrojnë aty ku natyrshëm e ka vendin. Nuk duhej të nguteshin me premtime.

Pesha e fjalës është e rëndë. Medoemos e zë përfundi cilindo që turret ta thotë pa përgjegjësi dhe pa skuqje.

Jemi të gënjyer.

Continue Reading

Kolumna

Shaqir Fetai e humbi kontrollin! E humbi…

Published

on

Me Shaqir Fetain gjithçka rrjedh egër, çdo proces është ilegal dhe në interes të huaj, sepse, vetë Shaqir Fetai është interesi i huaj, ilegalisht i instaluar në krye të BFI-së me qëllim që gjithçka të rrjedhë egër, trishtueshëm, me synime shkatërrimtare! Këtë e dinë, fatkeqësisht, edhe myftinjtë e sotit, të cilët me lezet po ia mbajnë iso-n Shaqir Fetait në punët e tij të fëlliqta.

Nga Valbon Osmani

Për herë të parë në historikun e BFI-së kemi të organizuar haxh të egër, ilegal, fatkeqësisht në emër të Institucionit! Nuk është respektuar asnjë rregullativë e BFI-së, nuk është përfillur asnjë organ dhe nuk janë sjellë kurrfarë vendimesh nga organi më i lartë kolektiv, nga Rijaseti! Haxhin e “organizon” Shaqir Fetai me “myhybët” e vet të inspiruar nga rrëfimet legjendare të “Bagdatski llopovit”!

Shaqir Fetai dëshmoi se, jo që nuk di të funksionojë sipas rregullave të organeve kolektive, jo se nuk e di Kushtetutën e BFI-së, jo që nuk e njeh praktikën e organizimit institucional të këtij obligimi fetar, por, thjesht, e ka shumë të qartë se po i vie fundi, prandaj, të shfrytëzohet rasti dhe të përmbush orekset e veta aqcsavi jepet mundësia, natyrisht pa u përfshirë këtu organet kolektive apo trupat ndihmëse. Ky manipulim kurrë nuk do t’i falet Shaqr Fetait, një ditë ai do të përgjigjet edhe penalisht për këtë anashkalim që ia bën organit kolektiv në punën me të cilën e obligon madje vetë Kushtetuta e BFI-së! Thjesht, Shaqir Fetai vetë pret dhe vetë qep!
Për ta zbutur paksa këtë kritikë që e lakuriqëson tërësisht organizimin e egër të haxhit të sivjemë, Shaqir Fetai, i tmerruar nga ajo se u zbulua për hajninë e madhe, nisë me manipulimet e veta. Paska thirrur myftinjtë për konsultime para nisjes së haxhit! Pra, nuk thotë se e tuboi RIJASETIN, por, i tuboi myftinjtë si dhe drejtorët e institucioneve dhe sektoreve, me qëllim që të konsultohet! Të gjithë këta organe përbëjnë Rijasetin i cili tubohet për të sjellë vendime, për të propozuar më të mirën para miratimit të çfarëdo vendimi!

Çka ka këtu për t’u konsultuar? Ka formuar vetë komisionin, i ka caktuar vetë udhëheqësit e haxhit si dhe të haxhilerëve, ka caktuar vetë çmimin dhe, në fund, hajde mos të më ngelë kopili në dorë! I fton myftinitë për manipulim! Nuk mund të ketë konsultime në prag të nisjes së haxhilerëve, sepse, nuk ka çka i këshillon dhe as çka i konsulton myftinjtë Shaqir Fetai, i cili as që ia ka haberin e organizimit të këtij obligimi islam, as që ka organizuar ndonjëherë dhe as që di se si shkojnë punët rreth haxhit. Ai di vetëm të përfitoj nga haxhi.

Shaqir Fetai veten e llogaritë “pushtet” (edhe atë, maqedonas), nuk ia ka ngenë askujt, nuk e bën hesap as Kushtetutën e BFI-së, as Organet kolektive të BFI-së, sjell vendime autokrate dhe, në fund t’i njollosë që të gjithë. Prandaj, i fton myftinjtë, tallet me myftinjtë dhe, në fund, llogari do të kërkojë edhe prej tyre! Llogari për ç’gjë as që dinë se çfarë ka ndodhur, sepse kanë qenë tërësisht të përjashtar nga procesi!
Ndoshta edhe e meritojnë këtë përbuzje dhe këtë tallje të gjithë myftinjtë! Përjashtohen nga procesi ndërsa pak para nisjes për në haxh, tubohen dhe “konsultohen”! Sa vlenë konsultimi i tyre, këshillat apo këshillimet pasi gjithçka që ka dashur ka vendosur vetë Shaqir Fetai!

Për herë të parë përjashtohet Rijaseti nga ky organizim, për herë të parë përjashtohen myftinjtë dhe organet e tjera nga ky proces por që, në llogaridhënie përfshihen edhe ata! Kështu mendon Shaqir Fetai dhe kësaj ia arrinë! Myftinjtë nuk bëhen hesap në këtë organizim, ndërsa nëse plasin aferat e vjedhjes dhe të korrupsionit, atëherë, të gjithë mund ta hanë por jo dhe Shaqir Fetai!
Shaqir Fetai qenka takuar edhe me udhëheqës dhe me mjekë të haxhit? Edhe ky është aktivitet i egër, sepse, dikush ata emra, ata propozime, numrin e tyre, është dashur ta miratojë në ndonjë mbledhje të Rijasetit! As ky hap nuk është hedhur! Gjithçka në ilegalitet dhe, sipas dëshirës dhe propozimeve të Shaqir Fetait! Një ekip prej nja 80 personave të përzgjedhur nga instalacioni i pushtetit maqedonas në krye të BFI-së!

Të gjithë këtyreve haxhi u paguhet nga BFI-ja! Kush e solli këtë vendim?
Të gjithë këtyreve u paguhet dhe mëditje? Kush e solli dhe kush e miratoi vendimin për lartësinë e mëditjeve?
Të gjithë këta mund të kenë edhe shpërblime dhe benificione ekstra? Kush e solli këtë vendim dhe cila do të jetë ajo shumë e përfitimeve ekstra?

Kujt i duhen këto shërbime, nëse jo ekskluzivisht Shaqir Fetait! Sepse ai dëshiron që vjedhjen t’ia kryejnë sa më shumë persona dhe, që të gjithë ata të kontribuojnë për t’ia reaziluar dëshirat meskine dhe të poshtra Shaqir Fetait! Rreth 500 mij euro do të jenë shpenzimet të cilat do t’ua mbulojë BFI-ja, respektivisht, shumë kjo që do të nxirret nga çmimi i haxhit të sivjemë. Pra, të gjithë haxhilerët e sivjemë kanë paguar çmim kaq të larë, sepse, ekipi i Shaqir Fetait është i madh dhe i pangopshëm shpenzimet e të cilëve përfshihen në këtë çmim të sivjemë të haxhit! Pra, “ekipin ndihmës dhe mjekësor” nuk e paguan bashkësia “fetare” e Shaqir Fetait, por, e paguajnë të gjithë haxhilerët e sivjemë!

Me Shaqir Fetain gjithçka rrjedh egër, çdo proces është ilegal dhe në interes të huaj, sepse, vetë Shaqir Fetai është interesi i huaj, ilegalisht i instaluar në krye të BFI-së me qëllim që gjithçka të rrjedhë egër, trishtueshëm, me synime shkatërrimtare! Këtë e dinë, fatkeqësisht, edhe myftinjtë e sotit, të cilët me lezet po ia mbajnë iso-n Shaqir Fetait në punët e tij të fëlliqta.

Continue Reading

Kolumna

Hani pini e rrëmbeni

Published

on

By

HANI PINI E RRËMBENI

Shkruan Agron Shaqiri

Revoltën time të sotme po e filloj me disa fjalë të Michel Foucault:

Krimineli është një njeri që shkel paktin, që e shkel herë pas here, kurdo që i nevojitet ose dëshiron, kur ia lyp interesi, kur në një çast dhune a verbërie mbizotëron motivi i interesit vetjak, pavarësisht përllogaritjes racionale më elementare. Krimineli është një despot i përkohshëm, një despot i momentit përmes verbërisë, fantazisë, pasionit etj.

Njerëz, çmimi i përcaktuar nga KRRE-ja për naftën ka arritur deri më 107,5 denarë. Çmimi më i lartë i naftës në vendin më të varfër të rajonit e më tej. Çdo ditë vonesë nënkupton shtrenjtim më shumë të derivateve dhe më pas, çdo masë e marë nuk do të ketë asnjë efekt lehtësues për qytetarët. Ata presin që çmimi të shkojë në 150 denarë dhe pastaj ta ulin në 120 denarë për litër. Kjo nuk është ulje, por plaçkitje dhe mashtrim i qytetarëve. Dhe thonë se ne, pra populli, pas disa muajve do të themi se ky çmim është në rregull, ata harrojnë se Qeveria dhe KRRE-ja janë institucione publike në mbrojtje të qytetarëve, e jo institucione në shërbim të vetëm një karteli sekret mes oligarkëve dhe miqve të tyre.

Sipas INSTAT-it, edhe çmimet tjera kanë pësuar rritje të ndjeshme për ekonomitë tona familjare. Sot qytetarët e Maqedonisë së Veriut hanë më pak dhe shpenzojnë më shumë.

Inflacioni është më i larti në tre dekadat e fundit.

Ndëkohë kriza po na i falimenton biznese e vogla, po na I falimenton edhe fermerët e vegjël, kryeministri dhe qeveria po presin rebalancin e buxhetit që të intrevenojnë me masa antikrizë, po deri në seancën përfundimtare duhet të zhvatemi deri në denarin e fundit.

Kriza me gjasë do të thellohet edhe më tej.

Nëse ne nuk dalim bashkërisht në rrugë, jetesa do të bëhet më e papërballueshme, kurse oligarkët dhe qeveria do të na marrin edhe monedhat e voëlëva dhe të fundit kemi në xhep.

Ne nuk mund ta lemë jetën tonë në mëshirën e një qeverie që u shërben deri në perversitet interesave të një grushti oligarkësh në kurriz të qytetarëve.

Sabotimi i institucioneve publike nga ata që paguhen për t’i mbojtur është cenim i shumicës së qytetarëve dhe tregues se vala shkatërrimtare rrezikon seriozisht vendin.

Njësoj po veprohet edhe me spitalet, shkollat, aeroportet dhe rrugët e Maqedonisë së Veriut. Ata që vodhën të djeshmen e prindërve tanë dhe të tashmen tonë, duan të vjedhin edhe të nesërmen e fëmijëve tanë.
Edhe sa do të durojmë?!

Continue Reading

Aktuale