Connect with us

Teknologji

Robot që lexojnë trurin dhe rroba që dëgjojnë? Ja si do të duket teknologjia në të ardhmen

Published

on

E ardhmja po vjen, madje më shpejt se sa mund ta mendoni. Teknologjitë që për momentin janë në zhvillim e sipër, do ta ndryshojnë mënyrën se si jetojmë, mënyrën si kujdesemi për trupin tonë, dhe do të na ndihmojnë të shmangim katastrofën për shkak të ndryshimeve klimatike.

Pavarësisht nëse ju pëlqen apo jo, teknologjia po përmirësohet me shpejtësi, duke ofruar risi të reja dhe projekte revolucionare. Disa nga mendjet më të mprehta janë duke krijuar një pjesë tjetër të teknologjisë së ardhshme, e cila do ta ndryshojë plotësisht mënyrën se si e jetojmë jetën tonë.

Mund të duket sikur përparimi shkencor është i qëndrueshëm. Por gjysmë shekullin e fundit, ne kemi përjetuar një periudhë të përmirësimeve teknologjike të jashtëzakonshme. Aktualisht po ndodhin risi të tjera që janë frymëzuar direkt nga ajo që deri dje quhej fantashkencë. Ja cilat janë disa prej tyre:

Gjenerimi i imazheve përmes Inteligjencës Artificiale

Ndërsa Inteligjenca Artificiale vazhdon t’i kryejë punët po aq mirë sa edhe njerëzit, asaj i është shtuar një industri e re: bota e artit. Studiuesit në kompaninë “OpenAI”, kanë krijuar një softuer që është në gjendje të krijojë imazhe sipas kërkesave të formuluara nga njeriu.

Mjafton të shkruani “një qen me një kapele kauboji që këndon nën shi”, dhe do të keni një mori imazhesh krejtësisht origjinale që i përshtaten atij përshkrimi. Madje, mund të zgjidhni se në çfarë stili të artit do të realizohet kërkesa juaj.

Megjithatë, kjo teknologji nuk është e përsosur dhe ka ende probleme, si për shembull kur japim kërkesa të paqarta për dizajnimin e personazheve vizatimorë. Kjo teknologji e njohur si Dall-E është versioni i dytë pas atij të parë, dhe ekipi që merret me të planifikon të vazhdojë ta zhvillojë më tej.

Në të ardhmen, ne mund ta shohim këtë teknologji të përdorur për të krijuar ekspozita arti. Po ashtu ajo mund të përdoret nga kompanitë për të bërë ilustrime të shpejta, origjinale apo sigurisht, për të revolucionarizuar mënyrën se si krijojmë meme në internet.

Robotë që lexojnë trurin e njeriut

Nuk është më një libër i fantashkencës. Përdorimi i teknologjisë së leximit të trurit është përmirësuar jashtëzakonisht shumë vitet e fundit. Një nga përdorimet më interesante dhe praktike që kemi parë të testuar deri më tani vjen nga studiuesit e “Institutit Federal Zviceran të Teknologjisë” në Lozanë (EPFL).

Falë një algoritmi të mësimit të makinerisë, një krahu robotik dhe një pajisje ndërvepruese tru-kompjuter, këta studiues kanë arritur të krijojnë një mjet për pacientët tetraplegjikë (ata që nuk mund të lëvizin pjesën e sipërme ose të poshtme të trupit) për të ndërvepruar me botën.

Gjatë testeve, krahu robotik kryente detyra të thjeshta si lëvizja rreth një pengese. Më pas, algoritmi do të interpretojë sinjalet nga truri duke përdorur një pajisje EEG për të përcaktuar automatikisht se kur krahu bën një lëvizje që truri e konsideronte të pasaktë, për shembull duke lëvizur shumë afër pengesës ose duke ecur shumë shpejt.

Me kalimin e kohës, algoritmi mund t’i përshtatet preferencave individuale dhe sinjaleve të trurit. Në të ardhmen, kjo mund të çojë në krijimin e karrigeve me rrota të kontrolluara nga truri apo një makineri ndihmëse për pacientët tetraplegjikë.

Kockat e printuara në 3D

Printimi 3D është një industri që premton gjithçka, nga ndërtimi i lirë i shtëpive, deri tek armatura e fortë e përballueshme në aspektin ekonomik. Por një nga përdorimet më interesante të teknologjisë është ndërtimi i kockave të printuara 3D.

Kompania “Ossiform” është e specializuar në printimin 3D për qëllime mjekësore, duke krijuar zëvendësime specifike për zëvendësimin e kockave të ndryshme tek pacientët, nëpërmjet fosfatit të trikalciumit, një material me veti të ngjashme me kockat e njeriut. Përdorimi i këtyre kockave të printuara 3D është çuditërisht i lehtë. Një spital mund të kryejë një skaner MRI, që më pas dërgohet tek “Ossiform”, i cili krijon një model 3D të implantit specifik për pacientin që i nevojitet. Kirurgu e pranon dizajnin dhe më pas, pasi të jetë printuar, kocka mund të përdoret në kirurgji.

E veçantë tek këto kocka të printuara 3D, është fakti se për shkak të përdorimit të fosfatit trikalcium, trupi do të rimodelojë impiantet. Kjo do të thotë se ato do të mundësojnë rivendosjen e plotë të funksionit që kishte kocka që do të zëvendësohet.

Holograme shumë realiste

Hologramet mbushnin dikur librat dhe filmat fantastiko-shkencorë. Sot megjithëse ekziston, mbetet një gjë e vështirë për t’u përdorur nga të gjithë. Gjithsesi, një teknologji e mundshme që mund ta ndryshojë këtë quhet “holobricks”. E zhvilluar nga studiuesit e “Universitetit të Kembrixhit” dhe “Disney Research”, holobricks janë një mënyrë për të bashkuar holograme

të shumta për të prodhuar një imazh 3D të madh dhe pa probleme.

Problemi me shumicën e hologrameve të sotme, është sasia e të dhënave që kërkojnë të përdorin, sidomos në një shkallë të gjerë. Një ekran i rregullt HD për një imazh 2D kërkon rreth 3 GB në sekondë për t’u gjeneruar. Një hologram me madhësi dhe rezolucion të ngjashëm do të ishte më afër 3 Terrabajt (TB) për sekondë, që është një sasi e madhe të dhënash.

Për ta shmangur problemin, holobrick sigurojnë seksione individuale të një imazhi të madh holografik, duke e reduktuar shumë sasinë e të dhënave të nevojshme. Kjo përfundimisht mund të çojë në përdorimin e hologrameve për argëtimin e përditshëm të konsumatorëve si filmat, lojërat dhe ekranet dixhitale.

Rroba që mund të dëgjojnë

Teknologjia e veshjes ka bërë hapa të mëdhenj me kalimin e viteve, duke i shtuar funksione të reja aksesorëve dhe rrobat që veshim çdo ditë. Një rrugë premtuese përfshin prodhimin e rrobave që dëgjojnë. Studiuesit në “Massachusetts Institute of Technology” (MIT) kanë krijuar një pëlhurë, e cila është në gjendje të dallojë një rrahje zemre, duartrokitje apo edhe tinguj shumë të dobët.

Ekipi pretendon se ajo mund të përdoret në teknologjinë e prodhimit të rrobave për të verbrit. Po ashtu mund të përdoret në ndërtesa për të zbuluar çarje apo tendosje, apo edhe në prodhimin e rrjetave të peshkut për të zbuluar zhurmën që bën peshku nën ujë. Për momentin, materiali i përdorur është i trashë dhe është një punë ende në progres. Por shkencëtarët shpresojnë ta hedhin në treg për përdorim nga konsumatorët gjatë viteve të ardhshme./ Bota.al

Continue Reading

Teknologji

Robotët që po marrin vëmendje me shërbimin ndaj klientëve

Published

on

Robotët “kanë” marr në kontroll një qendër të bowlingut në Clearwater të Floridas, të paktën zonën e ushqimit të qendrës së “Bowling Maples Lanes Countryside”.

Roboti Bella po merr vëmendjen e vizitorëve të cilët ajo i shërben në mënyrë kreative. Bella është një robot shërbyes, i cili është dizajnuar për shërbim të ushqimit për vizitorët e qendrës dhe për t’u kënduar atyre.

“Sapo e kemi marrë Bellan. Ajo është fantastike. Është një robot që shërben ushqimin dhe që gjithashtu u jap vizitorëve një eksperiencë të mirë përderisa ata e vizitojnë këtë qendër, të cilëve edhe u a uron ditëlindjen duke kënduar. Thjesht ajo është fantastike”, tha për Fox 13 Megan Briody, menaxhere kryesore e kësaj qendre bowlingu.

Fëmijët janë ata të cilëve veçanërisht u pëlqen ndërveprimi me BellaBot, teksa prindërit e tyre shiheshin duke i nxjerrë telefonat për të bërë fotografi dhe video.

“Më pëlqen roboti për shkak se tani punëtorëve nuk u nevojitet që të shërbejnë picat”, tha Bailee Estep, një fëmijë të cilit i pëlqen ndërveprimi me BellaBot-in.

Continue Reading

Teknologji

Njeriu që humbi më shumë para në historinë njerëzore nga kriptovalutat

Published

on

By

Njeriu që humbi më shumë para në historinë njerëzore nga kriptovalutat

Ka dhjetëra raste të njerëzve që bëjnë pasuri të mëdha duke investuar në kriptovaluta dhe tani i humbasin ato. Shtatë investitorët më të fortë të kriptove në botë humbën, për të qenë të saktë, 144 miliardë dollarë në vetëm pak javë. Por bie në sy ai i “bosit” të shkëmbimit më të madh të kriptove në botë, Changpeng Zhao.

Biznesmeni 44-vjeçar kinezo-kanadez, i njohur ndërkombëtarisht si CZ, tashmë është zyrtarisht njeriu që ka humbur më shumë para në historinë njerëzore. Ai deri më tani ka humbur rreth 87 miliardë dollarë – rreth 10% të pasurisë së tij.

Kohët po ndryshojnë shpejt. Zhao, i cili zotëron 90% të Binance, pa pasurinë e tij të rritet në mënyrë eksponenciale, në mes të tregut të kohës së lulëzimit të manisë së kriptomonedhës . Shkëmbimi arriti 34.1 trilion dollarë në tregtimin e kriptove vitin e kaluar, ndërsa këtë vit arriti rreth 5 miliardë dollarë në ditë, deri në rënie.

Më pas, në vitin 2021, kur pasuria e Zhaos u vlerësua në pak më pak se 100 miliardë dollarë, u zemërua kur deklaroi se “Të varfërit thonë gjëra të këqija për Binance”. Por tani që pasuria e tij është zvogëluar në më pak se 10.2 miliardë dollarë, ai thotë “Unë jam ende i varfër”.

Biznesmeni, i cili ka lindur në Kinë dhe është rritur në Kanada – por është banor i përhershëm i Singaporit – ka deklaruar se 100% e aseteve të tij likuide vendosen në kriptovaluta. Kjo ishte ajo që nuk i shkoi mirë. Nga investimi i tij në Luna, rreth 11 miliardë dollarë, nuk ka mbetur asgjë, ndërsa humbjet më të mëdha i ka nga bitcoin. Në 134 ditë, Zhao humbi rreth 10 për qind të pasurisë së tij – megjithëse disa thonë se nuk është më 10.2 miliardë dollarë, por është tkurrur në 1.5 miliardë dollarë.

Ai, në Twitter, shpjegon se ky është “një cikël tjetër” dhe se i ka kaluar sërish këto, edhe dy herë të tjera, duke parë që pasuria e tij tkurret gjatë tregut të kriptomonedhave dhe më pas të rritet sërish. Por, pavarësisht se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, është shkruar në histori si njeriu që ka humbur më shumë para. Ajo tejkaloi rekordin negativ të themeluesit të Softbank japonez Masayoshi Son, i cili gjatë flluskës dotcom, kishte humbur 77 miliardë dollarë brenda natës. Kur kapitalizimi i tregut të Softbank ra nga 200 miliardë dollarë në 2.5 miliardë dollarë (ai humbi 98%), pasuria e tij u tkurr nga 78 miliardë dollarë në “vetëm” 1.1.

Miliarderët e tjerë

Sigurisht, Zhao nuk është i vetmi kripto – miliarder që humbi një pasuri me rënien e kriptove. Janë me dhjetëra të tjera. Një shembull i tillë është shembulli i themeluesit dhe aksionerit kryesor të Coinbase, Brian Armstrong. Ndërsa kompania e tij pushoi 18 për qind të fuqisë punëtore për t’i bërë ballë “kripto-dimrit” , pasuria e Armstrong ra 84 për qind nga 13.7 miliardë dollarë në 2.1 miliardë dollarë.

Continue Reading

Teknologji

Tani Instagrami do të verifikojë moshën e përdoruesve përmes këtyre metodave

Published

on

Instagram po eksploron mënyra të reja që adoleshentët të verifikojnë moshën e tyre dhe të respektojnë rregullat e platformës.

Aplikacioni po teston video selfie me softuerin e analizës së fytyrës si një metodë e re e verifikimit të moshës. Disa përdorues në Instagram përpiqen ta anashkalojnë rregullin e moshës mbi 13 vjeç, duke modifikuar datën e lindjes për t’i bërë ata të duken mbi 18 vjeç.

Por adoleshentëve do t’u jepen tani tre mënyra për të verifikuar moshën: të ngarkojnë ID-në, t’u kërkojnë tre përdoruesve të rritur ta konfirmojnë moshën e tyre ose të bëjnë një video selfie.

Meta thotë se shpreson se metodat e reja do të sigurojnë që adoleshentët të kenë një “përvojë të përshtatshme për moshën” në Instagram.

Gjiganti i teknologjisë është përballur më parë me kritika për sigurinë e adoleshentëve dhe fëmijëve në platformat e tij.

Prindërve dhe kujdestarëve të përdoruesve adoleshentë të Instagramit iu dhanë mjete shtesë për të mbikëqyrur përvojën e fëmijës së tyre në Instagram në fillim të këtij muaji. Ata tani mund të vendosin kufij kohorë dhe të shikojnë detajet e çdo raportimi që fëmija i tyre bën në platformë.

Continue Reading

Aktuale