Connect with us

Lajme

Të rinjtë në Maqedoni të zhgënjyer me procesin eurointegrues

Published

on

Të rinjtë në Maqedoninë e Veriut kanë shumë pak besim tek autoritetet e vendit kur bëhet fjalë për zotimet që kanë marrë për sa i përket përmirësimit të standardit jetësor, realizimit të reformave në institucione, si dhe përshpejtimin e dinamikës së procesit të integrimeve.

Stefan Daneski, student në Fakultetin për Siguri në Shkup, thotë për Radion Evropa e Lirë se që i vogël e deri më tani që po shkel dekadën e tretë të jetës së tij, është lodhur së dëgjuari se do të bëhet mirë kur vendi të bëhet pjesë e familjes evropiane, ndërkaq thotë se nuk sheh as hapa më të vegjël për sa i përket përmirësimit të cilësisë së jetës.

“Ne duhet të punojmë që më pas të shohim perspektivën atje (vendet e Bashkimit Evropian). Për të hyrë në Bashkimin Evropian besoj se do të duhen edhe shumë vite, pasi ato, autoritetet e Brukselit, e shohin se çka po ndodh te ne, ku akoma është i pranishëm korrupsioni, sistemi gjyqësor mbetet jofunksional, punësimet bëhen mbi baza partiake. Deri kur duhet të pres të ndryshojnë gjërat? Që nga lindja i dëgjoj këto fraza se do bëhet mirë kur të bëhemi pjesë e BE-së”, thotë Daneski.

Nga ana tjetër, Arbër Kadriu, i cili drejton platformën e të rinjve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut thotë për Radion Evropa e Lirë se të rinjtë shprehen mosbesues se gjërat do të fillojnë të funksionojnë në bazë të standardeve evropiane përderisa ende mbetet mendësia e ish-regjimit komunist ku ai që është në krye mbetet i paprekur nga llogaridhënia.

“Çdo herë, me formimin e qeverive të reja theksohet se prioritet i kanë reformat. Ne i kemi ndryshuar disa qeveri, kemi nderuar disa kryeministra që nga pavarësia e shtetit e së këndejmi, po në realitet përballemi me mendësinë e ish-regjimit komunist të ish-Jugosllavisë. Për këtë shkak, ne fare nuk besojmë në ngritjen e standardit jetësor dhe nga të gjitha arsyetimet që i kemi pasur çdo i dyti ose e pakta çdo i treti i ri synon të largohet nga vendi për një jetë më të mirë, që nuk nënkupton vetëm pagën e sigurt, por sigurinë e funksionimit të drejtë të institucioneve. Sot më nuk shtrohet pyetja e mbijetesës, por sot të rinjtë largohen nga vendi për një karrierë më të mirë, për një jetë më të lumtur – kërkesa këto që nuk mund t’i përmbushin këtu”, shprehet Kadriu.

Ai shton se zhgënjimi më i madh i të rinjve mbetet çelësi partiak për çdo institucion të vendit dhe më e keqja, sipas tij, kjo dukuri mbetet më e shprehur në arsim.

“Faktikisht, ne nuk shohim aspak ndonjë strategji, apo përkrahje për të rinjtë nga ana e institucioneve. Përkundrazi akoma gjithnjë më i shprehur është nepotizmi, animi partiak i institucioneve në shkollat fillore, ato të mesme dhe në universitete”, thotë ai.

Ndërsa, për Stefan Daneskin e pakuptimtë mbetet të jetohet jeta e prindërve, e cila për tri dekada ka qenë e ndërtuar në shpresën se anëtarësimi i vendit do t’ua bëjë më të lehtë jetën.

Ai thotë se të rinjve u jepet pak hapësirë që të bëhen korrektorë të funksionimit të institucioneve.

“Shumë pak do të thosha shfrytëzohet potenciali që kanë të rinjtë. Pa e neglizhuar përvojën e më të moshuarve, të rinjtë veprojnë shumë më shpejt dhe shumë më shpejt arrijnë t’u përshtaten ndryshimeve për sa i përket funksionimit të institucioneve që kërkohet nga Bashkimi Evropian. Kjo duket se nuk kuptohet nga drejtuesit e shtetit”, thotë Daneski.

Ndërkaq, Vasko Naumovski, ish-zëvendëskryeministër, aktualisht ligjërues i Shkencave Politike në Universitetin e Shkupit, thotë për Radion Evropa e Lirë se angazhimi për të ndryshuar funksionimin e institucioneve mundëson që Maqedonia e Veriut të ofrojë kushte më të mira për vetë qytetarët e saj dhe jo vetëm plotësimin e kritereve që kërkohen nga Brukseli për anëtarësimin e vendit në familjen evropiane.

“Lufta kundër korrupsionit, sundimi i drejtësisë, reformat në administratë, mbrojtja e ambientit jetësor, etj, janë fusha që duhet të paraqesin prioritet për çdo qeveri dhe në këtë mënyrë ne të krijojmë kushte për një shoqëri konkurruese, e cila shumë lehtë do të inkorporohet në Bashkimin Evropian posa ne të bëhemi pjesë e kësaj familjeje. Por, para se të ndodhë kjo, këto angazhime krijojnë kushte për një cilësi më të mirë për vetë qytetarët, me këtë dhe për gjeneratat e reja që perspektivën ta shohin këtu”, thotë Naumovski.

Autoritetet në Maqedoninë e Veriut thonë se në çdo dikaster prioritet u jepet të rinjve. Por, të rinjtë thonë se kjo është pjesë e angazhimeve vetëm në letër pasi realisht ata nuk janë pjesë e zhvillimit të politikave shtetërore./REL/

Continue Reading

Lajme

Edhe në sondazhin e ri Taravari shumë pranë Ahmetit

Published

on

By

Lideri i ASH-së, Arben Taravari sërish i afrohet me popullaritet atij të BDI-së, Ali Ahmeti. Në sondazhin e fundit realizuar nga Instituti për Politika Publike (IPP) “Arbën Xhaferi”, Taravari është katër përqind pas Ahmetit.

Sondazhi i Institutit për Politika Publike Arbën Xhaferi për matjen e opinionit publik shqiptar në Maqedoninë e Veriut


“Sondazhi i IPP Arbën Xhaferi i realizuar ekskluzivisht me shqiptarë në Maqedoninë e Veriut tregon se kur bëhet fjalë për opinionin publik për liderët partiakë, Ali Ahmeti (BDI) është më i popullarizuari, me besueshmëri neto prej zero (neutrale) dhe 49.7% të opinioneve pozitive. Arben Taravari (ASh) qëndron afër si i dyti, me besueshmëri neto prej -9.4 dhe 45% të opinioneve pozitive”, thuhet në sondazhin e relaizuar nga IPP “Arbën Xhaferi”.
Pas Ahmetit dhe Taravarit radhitet Izet Mexhi, si figure politike e popullarizuar te shqiptarët edhe pse nuk është kryetar partie. Pas Mexhitit janë Kasami i Besës dhe lideri i Alternativës, Gashi radhitet i fundit.
“Pas tensioneve të brendshme në BDI, Izet Mexhiti, lideri i fraksionit brenda BDI-së i njohur si “Grupi i Zjarrit” është lideri i tretë partiak më i popullarizuar me besueshmëri neto prej -28.8% dhe 35.3% të opinioneve pozitive. Bilall Kasami (Lëvizja Besa) renditet i katërti, me besueshmëri neto prej -43% dhe 28.2% të opinioneve pozitive. Lideri partiak me përkrahjen më të vogël popullore është Afrim Gashi (Alternativa), me besueshmëri neto prej -74.6% dhe vetëm 12.4% të opinioneve pozitive”, thuhet më tej në sondazhin e relaizuar nga IPP “Arbën Xhaferi”.
30.8% e shqiptarëve kanë thënë se do të votonin për BDI-në nëse zgjedhjet parlamentare do mbaheshin nesër. ASh renditet e dyta me 14.9%, e ndjekur nga Lëvizja Besa me 9.6%. Alternativa do të merrte vetëm 2% të votave, ndërsa PDSH është fare afër zeros (0.3%). Ndër partitë maqedone, 1.6% e shqiptarëve do të votonin për LSDM-në dhe vetëm 0.1% për VMRO-DPMNE-në.

Sondazhi i Institutit për Politika Publike Arbën Xhaferi për matjen e opinionit publik shqiptar në Maqedoninë e Veriut


“Interesante është se në mesin e atyre që kanë thënë se do të votonin për BDI-në, një e treta prej tyre (31.7%) do të zgjidhnin të votonin për “Grupin e Zjarrit” në rast se ky fraksion do të kandidonte si i pavarur nga BDI-ja. Kjo do të ndikonte seriozisht në skenën politike shqiptare, duke ulur përqindjen e votave të BDI-së në 19.5%, ndërsa “Grupi i Zjarrit” do të renditej si forca e katërt politike me 9.3%”, qendron në sondazhin e relaizuar nga IPP “Arbën Xhaferi”.
Sondazhi është realizuar me 1,000 të anketuar të moshës 18 vjeç e lart ku pjesëmarrësit janë anketuar ndërmjet 15 dhe 21 marsit përmes intervistave telefonike. Hulumtimi është kryer duke përdorur metodologjinë e përzgjedhjes rastësore, duke siguruar një përfaqësim gjithëpërfshirës të popullatës shqiptare në Maqedoninë e Veriut, bazuar në karakteristikat demografike si gjinia, mosha, arsimi, si dhe njësia zgjedhore dhe komuna ku ata jetojnë. Margjina e gabimit është 3.1 pikë, me një nivel besimi 95 për qind.

Continue Reading

Lajme

Taravari: Me anëtarësimin në NATO, Maqedonia e Veriut është bërë shtet i sigurt

Published

on

By

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari, thotë se me anëtarësimin në NATO, Maqedonia e Veriut është shtet i sigurt dhe larg çdo rreziku të sovranitetit dhe integritetit.
Në Facebook ai shkruan se RMV si anëtare e NATO-s jep kontributin e saj për çdo vend në të cilin duhet të sigurohet paqja botërore.
“Më 27 mars të vitit 2020, Republika e Maqedonisë së Veriut u bë anëtare më e re në NATO. Nga ky moment RMV, si pjesë e Aleancës më të fuqishme Veriatlantike, është shtet i sigurtë dhe larg çdo rreziku të sovranitetit dhe integritetit të vendit. RMV, si anëtare e NATO-s, jep kontributin e saj për çdo vend në të cilin duhet të sigurohet paqja botërore. Agresioni rus kundër Ukrainës duke rrezikuar sigurinë globale, edhe njëherë dëshmoi se duke qenë pjesë e NATO-s, qytetarët tanë dhe vendi janë të mbrojtur nga ana e aleancës së shteteve më të fuqishme në botë”.
“Aleanca për Shqiptarët kishte fatin që të kontribuojë në procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO. ASh me dinamikë dhe seriozitet të njëjtë do të japë kontributin politik dhe programor në përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në BE së bashku me sfidat e ndryshimeve kushtetuese që janë parakusht dhe objektiv parësor i anëtarësimit të vendit në BE”, ka shkruar Taravari me rastin e 3 vjetorit të anëtarësimit të RMV-së në NATO.

Continue Reading

Lajme

Anëtarë te Besës nga Gostivari kalojnë në ASH

Published

on

By

Katër anëtarë nga Lëvizja BESA nga Gostivari, sonte kanë kaluar në ASH. Kjo është dëshmuar përmes një fotografie të publikuar në rrjetet sociale ku ata shihen bashkë me kryetarin e ASH, Arben Taravari ku i shoqëron edhe kryetari i Degës së ASH-së në Gostivar, Gazmend Abdija.
Fotografia të cilën e ka publikuar Abdija mbanë shkrimin “Aleanca për Shqiptarët çdo ditë po forocohet”.
Ky kalim kalim i katërshes, e cila ka qenë në krye të BESËS në Gostivar, është festuar me një kafe të përbashkët.
Ndryshe, jo zyrtarisht ditëve në vazhdim pritet edhe anëtarë dhe  simpatizantë të tjerë nga Lëvizja Besa në Gostivar të kalojnë në ASH.

Continue Reading

Aktuale