Lajme
Mbledhje e përbashkët qeveritare e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë në Sofje


Shkup, 25 janar 2022 (MIA) – Qeveritë e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, kryesuar nga kryeministrat Dimitar Kovaçevski dhe Kiril Petkov sot në rezidencën “Bojana” në Sofje do të mbajnë mbledhje të përbashkët në të cilën, mes tjerash, është paraparë edhe nënshkrimi i disa dokumenteve bilaterale.
Mbledhja e përbashkët pason pas vizitës zyrtare javën e kaluar të kryeministrit bullgar Petkov në Shkup, kur u dakordua formimi i grupeve të punës nga të dyja anët të cilat duhet të punojnë intensivisht për tejkalimin e moskuptimeve dhe intensifikimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Shkupi dhe Sofja paraprakisht i formuan grupet e punës – ekonomi, tregti dhe inovacione, për infrastrukturë, transport dhe ndërlidhje, për integrim evropian dhe politika të gjelbra dhe për kulturë, shkencë dhe arsim.
Bashkëkryesuesit e grupit të parë nga ana e Maqedonisë së Veriut janë zëvendëskryeministri i obliguar për Çështje Evropiane, Koordinim me Politikat Ekonomike dhe Investimet, Fatmir Bytyqi, ministri i Financave, Fatmir Besimi dhe ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. Nga ana bullgare me këtë grupë do të bashkëkryesojnë zëvendëskryeministrja për ekonomi dhe industri dhe ministre e ekonomisë Kornelija Ninova, zëvendëskryeministri për eurofonde dhe ministër i Financave, Asen Vasilev dhe ministri për Inovacione dhe Rritje, Daniel Lorer.
Me grupin e dytë nga ana e Maqedonisë së Veriut do të bashkëkryesojnë ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski, ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Goran Milevski dhe ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Admirim Aliti, ndërsa nga ana bullgare do të marrin pjesë zëvendëskryeministri për Zhvillim rajonal dhe Punë Publike dhe ministër për zhvillim rajonal dhe Punë Publike Grozdan Karaxhov, ministri për Transport dhe Lidhje Nikollaj Sabev dhe ministri për Energjetikë Aleksandar Nokollov.
Bashkëkryesues të grupit të tretë nga ana e Maqedonisë së Veriut janë zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, zëvendëskryeministrja për Politikat e Qeverisjes së Mirë, Sllavica Gërkovska dhe ministri i mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini. Nga ana bullgare me këtë grupë do të bashkëkryesojnë zëvendëskryeministri për Politika Klimatike dhe Ministër për Mjedis Jetësor dhe Ujëra, Borisllav Sandov, zëvendëskryeministrja për Qeverisje Efikase Kalina Konstantinova dhe ministrja e Drejtësisë Nadezhda Jordanova.
Me grupin e katërt të punës nga ana e Maqedonisë së Veriut do të kryesojnë zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi, ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska-Stojçevska dhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, ndërsa nga ana bullgare, ministri i Arsimit dhe Shkencës Nikollaj Denkov, ministri i Kulturës Atanas Atanasov, ministri i Turizmit Hristo Prodanov dhe ministri për Rini dhe Sport Radostin Vasilev.
Në grupet e punës do të bëjnë pjesë edhe përfaqësues nga ministritë e resorit dhe institucionet, ndërsa bashkëkryesuesit do të ndërrohen në pajtim me tematikën, e cila do të vihet në rend dite të takimeve.
Kryeministrat paralajmëronin pesë grupe të punës, i pesti është ai për historinë, por dy qeveritë nuk formuan grup të posaçëm të punës, ndërsa sipas asaj që thanë Kovaçevski dhe Petkov në konferencën për shtyp në Shkup, këtë fushë e mbulon Komisioni i përzier i Maqedonisë së veriut dhe Bullgarisë për çështje historike dhe arsimore, por nuk saktësuan nëse do të mbetet të punojë në formatin e tanishëm.
Kovaçevski dhe Petkov sot do të kenë fjalim hyrës para fillimit të takimeve të grupeve të punës, pas çka do të realizojnë takim tet-a-tet, ndërsa katër grupet e punës do të kenë takime paralele.
Pas përfundimit të takimeve është paraparë nënshkrimi i disa marrëveshjeve bilaterale. Memorandum për mirëkuptim dhe bashkëpunim në sferën e bujqësisë, shkencave agrare, rajonet fshatare dhe ekonomia pyjore, e cila do të nënshkruhet nga ministrat e Bujqësisë të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, Ljupço Nikollovski dhe Ivan Ivanov. Ministrat e Ekonomisë të të dy vendeve, Kreshnik Bekteshi dhe Daniel Lorer do të nënshkruajnë Memorandum mirëkuptimi mes IANMSP dhe Agjencisë për nxitje të sipërmarrësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ministrat e Transportit dhe Lidhjeve Bllagoj Boçvarski dhe Nikollaj Sabev, ndërkaq do të nënshkruajnë Memorandum mirëkuptimi për liberalizim të mallrave për dhe nga vende të treta, Memorandum për zhvillim të ndërlidhjes hekurudhore Shkup-Sofje, përmes formimit të grupit të përbashkët të punës, me qëllim të përshpejtimit të ndërtimit të korridorit hekurudhor 8 dhe Nismës për vendosje të linjës ajrore Sofje – Shkup.
Korridorin 8 nga ana jonë, gjegjësisht rrugën e shpejtë Rankovc- Kriva Pallankë, korsinë e tretë drejtë Deve Bairit dhe rehabilitimin e tërësishëm të rrugës ekzistuese duhet t’i përfundojmë kah mesi i vitit 2023 me çka do të kemi Korridorin 8 tërësisht të rikostruktuar, nga Shkupi deri në kufirin me Bullgarinë. Ky do të jetë investim prej 100 milionë euro, njoftoi ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski në lajmet në televizionin Kanal 5.
Ai paralajmëroi se mënyra e re e bashkëpunimit do ta përshpejtojë edhe dinamikën e hekurudhës drejtë Bullgarisë, si dhe se së shpejti do të vendoset linjë ajrore me Sofjen.
“Në takimin e dy grupeve të punës do t’i hapim edhe çështjet për linjën e re ajrore, për procedurat që duhet të përfundojnë dhe gjithsesi për përfitimet ekonomike dhe përfshirjen e disa kompanive ajrore. Ajo është një procedurë më e madhe, por duam që shpejtë ta zgjidhim dhe sa më shpejtë që është e mundur të hapet kjo linjë ajrore”, theksoi ministri Boçvarski.
Dy kryeministrat sot pas përfundimit të takimeve të grupeve të punës dhe nënshkrimit të marrëveshjeve bilaterale do të mbajnë konferencë të përbashkët për shtyp.
Kovaçevbski e kryeson delegacionin qeveritar për vizitë në Sofje, në përbërje të të cili janë zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për sistem politik dhe marrëdhënie mes bashkësive, Artan Grubi, zëvendëskryeministri i angazhuar për çështje ekonomike dhe koordinim të resorëve ekonomik, Fatmir Bytyqi, zëvendëskryeministrja e angazhuar për politika të sundimit të mirë, Sllavica Gërkovska, shefi i diplomacisë, Bujar Osmani, ministri i Financave, Fatmir Besimi dhe ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Në delegacion janë edhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Lupço Nikollovski, i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri, i Vetëqeverisjes Lokale, Goran Milevski, e Kulturës Bisera Kostadinovska – Stojçevska, i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski, i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini dhe ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Admirim Aliti.
Kovaçevski dje me nderimet më të larta shtetërore u prit në sheshin “Aleksandar Nevski” në Sofje, ndërkaq më pas dy kryeministrat vendosën lule para Përmendores së ushtarit të panjohur dhe të vëllezërve të shenjtë Cirili e Metodi.
Kryeministrat Kovaçevski dhe Petkov morën pjesë edhe në hapjen e qendrës për shtyp të Agjencisë Informative Mediatike – MIA në Sofje, ku vlerësuan se, kjo qendër për shtyp dhe qendra e BTA-së në Shkup e hapur gjashtë ditë më parë, paraqesin hap të rëndësishëm të avancimit të bashkëpunimit të përgjithshëm mes dy vendeve.
Kryeministri Kovaçevski në fjalimin në hapje theksoi se është kënaqësi kur diçka punohet dhe kur kjo jep rezultate.
“Nuk është e rëndësishme vetëm ajo që kemi qendra për shtyp të dy agjencive shtetërore kryesore të lajmeve, por që është më e rëndësishme është që do të ketë agjenci që do t’i ndajnë informacionet, të cilat janë të besueshme dhe të cilat do t’i reflektojnë marrëdhëniet e mira midis dy shteteve”, shtoi Kovaçevski.
Kryeministri bullgar Petkov në fjalim potencoi se gëzohet që me Kovaçevskin e kanë vetëm takimin e dytë, ndërsa veç më kanë filluar rezultatet nga qasja e re e bashkëpunimit.
“Që tani e tutje do të jetë kësisoj. Çdo javë presim rezultate reale, konstruktive”, theksoi Petkov, duke shtuar se edhe MIA edhe BTA do të duhet ta japin kontributin e tyre drejt përforcimit të këtij bashkëpunimi.
Në hapje morën pjesë drejtorët e MIA-s dhe BTA-së, Dragan Antonovski dhe Kirill Vëllçev, njofton raportuesi i MIA-s nga Sofja.
Në fjalim gjatë hapjes, Antonovski theksoi se MIA publikon informacione në tri gjuhë – në gjuhën maqedonase, shqipe dhe angleze dhe ka bashkëpunim të shkëlqyer me të gjitha agjencitë rajonale, ndërsa me BTA-në gjithashtu dakordoi edhe marrëveshje për shkëmbimin e informacioneve, të cilat publikohen në të njëjtën kohë në formë burimore, si informacion i verifikuar, i shpejtë dhe i saktë dhe si “kontribut i yni në përballjen me lajmet e rrejshme”.
Në kuadër të vizitës zyrtare të delegacionit qeveritar të Maqedonisë së Veriut në Sofje, ministrat e Punëve të Jashtme, Teodora Gençovska dhe Bujar Osmani u takuan dje ku shprehën kënaqësi nga intensifikimin e dialogut në javët e fundit.
Gjatë takimit u shqyrtua gjendja aktuale e dialogut politik dhe marrëdhënieve dypalëshe, duke përfshirë edhe zbatimin e Marrëveshjes për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim të vitit 2017. U diskutua gjithashtu për përgjigjen e dorëzuar në dhjetor të viti 2021 nga Maqedonia e Veriut ndaj propozimeve nga Bullgaria për paketën e çështjeve politike të ashtuquajtur “5 + 1”.
Gjatë vizitës së Petkovit në Shkup, ajo për të cilën dy kryeministrat arritën të dakordohen është përdorimi i emrit të shkurtë Maqedonia e Veriut, njejtë si edhe Republika e Maqedonisë së Veriut, që ishte një nga kërkesat në udhërrëfyesin pesë plus një. Por, siç theksoi presidenti Stevo Pendarovski kohë më parë në intervistë për TV 24 qasja e re në bashkëpunim do të thotë edhe metodologji e re për punë, kështu që de fakto tashmë nuk ka plan 5+1, i cili doli pas, siç tha, Propozimit të dështuar të Lisbonës dhe ai është jashtë tryezës.
Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria në periudhën që vjen, ndërkaq në suaza të dinamikës së re të bashkëpunimit, të cilën e paralajmëruan dy kryeministrat Kovaçevski dhe Petkov, duhet përmes takimeve të grupeve të punës t’i afrojnë pozicionet në disa sfera, të fokusohen në atë që është praktikisht e realizueshme, me qëllim që të hapet rruga për zgjidhjen e çështjeve më të vështira dhe përfundimisht tejkalimit të kontestit dhe zhbllokimit të fillimit të konferencës së parë ndërqeveritare të Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian.
Lajme
Edhe në sondazhin e ri Taravari shumë pranë Ahmetit
Lideri i ASH-së, Arben Taravari sërish i afrohet me popullaritet atij të BDI-së, Ali Ahmeti. Në sondazhin e fundit realizuar nga Instituti për Politika Publike (IPP) “Arbën Xhaferi”, Taravari është katër përqind pas Ahmetit.
“Sondazhi i IPP Arbën Xhaferi i realizuar ekskluzivisht me shqiptarë në Maqedoninë e Veriut tregon se kur bëhet fjalë për opinionin publik për liderët partiakë, Ali Ahmeti (BDI) është më i popullarizuari, me besueshmëri neto prej zero (neutrale) dhe 49.7% të opinioneve pozitive. Arben Taravari (ASh) qëndron afër si i dyti, me besueshmëri neto prej -9.4 dhe 45% të opinioneve pozitive”, thuhet në sondazhin e relaizuar nga IPP “Arbën Xhaferi”.
Pas Ahmetit dhe Taravarit radhitet Izet Mexhi, si figure politike e popullarizuar te shqiptarët edhe pse nuk është kryetar partie. Pas Mexhitit janë Kasami i Besës dhe lideri i Alternativës, Gashi radhitet i fundit.
“Pas tensioneve të brendshme në BDI, Izet Mexhiti, lideri i fraksionit brenda BDI-së i njohur si “Grupi i Zjarrit” është lideri i tretë partiak më i popullarizuar me besueshmëri neto prej -28.8% dhe 35.3% të opinioneve pozitive. Bilall Kasami (Lëvizja Besa) renditet i katërti, me besueshmëri neto prej -43% dhe 28.2% të opinioneve pozitive. Lideri partiak me përkrahjen më të vogël popullore është Afrim Gashi (Alternativa), me besueshmëri neto prej -74.6% dhe vetëm 12.4% të opinioneve pozitive”, thuhet më tej në sondazhin e relaizuar nga IPP “Arbën Xhaferi”.
30.8% e shqiptarëve kanë thënë se do të votonin për BDI-në nëse zgjedhjet parlamentare do mbaheshin nesër. ASh renditet e dyta me 14.9%, e ndjekur nga Lëvizja Besa me 9.6%. Alternativa do të merrte vetëm 2% të votave, ndërsa PDSH është fare afër zeros (0.3%). Ndër partitë maqedone, 1.6% e shqiptarëve do të votonin për LSDM-në dhe vetëm 0.1% për VMRO-DPMNE-në.
“Interesante është se në mesin e atyre që kanë thënë se do të votonin për BDI-në, një e treta prej tyre (31.7%) do të zgjidhnin të votonin për “Grupin e Zjarrit” në rast se ky fraksion do të kandidonte si i pavarur nga BDI-ja. Kjo do të ndikonte seriozisht në skenën politike shqiptare, duke ulur përqindjen e votave të BDI-së në 19.5%, ndërsa “Grupi i Zjarrit” do të renditej si forca e katërt politike me 9.3%”, qendron në sondazhin e relaizuar nga IPP “Arbën Xhaferi”.
Sondazhi është realizuar me 1,000 të anketuar të moshës 18 vjeç e lart ku pjesëmarrësit janë anketuar ndërmjet 15 dhe 21 marsit përmes intervistave telefonike. Hulumtimi është kryer duke përdorur metodologjinë e përzgjedhjes rastësore, duke siguruar një përfaqësim gjithëpërfshirës të popullatës shqiptare në Maqedoninë e Veriut, bazuar në karakteristikat demografike si gjinia, mosha, arsimi, si dhe njësia zgjedhore dhe komuna ku ata jetojnë. Margjina e gabimit është 3.1 pikë, me një nivel besimi 95 për qind.
Lajme
Taravari: Me anëtarësimin në NATO, Maqedonia e Veriut është bërë shtet i sigurt
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari, thotë se me anëtarësimin në NATO, Maqedonia e Veriut është shtet i sigurt dhe larg çdo rreziku të sovranitetit dhe integritetit.
Në Facebook ai shkruan se RMV si anëtare e NATO-s jep kontributin e saj për çdo vend në të cilin duhet të sigurohet paqja botërore.
“Më 27 mars të vitit 2020, Republika e Maqedonisë së Veriut u bë anëtare më e re në NATO. Nga ky moment RMV, si pjesë e Aleancës më të fuqishme Veriatlantike, është shtet i sigurtë dhe larg çdo rreziku të sovranitetit dhe integritetit të vendit. RMV, si anëtare e NATO-s, jep kontributin e saj për çdo vend në të cilin duhet të sigurohet paqja botërore. Agresioni rus kundër Ukrainës duke rrezikuar sigurinë globale, edhe njëherë dëshmoi se duke qenë pjesë e NATO-s, qytetarët tanë dhe vendi janë të mbrojtur nga ana e aleancës së shteteve më të fuqishme në botë”.
“Aleanca për Shqiptarët kishte fatin që të kontribuojë në procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO. ASh me dinamikë dhe seriozitet të njëjtë do të japë kontributin politik dhe programor në përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në BE së bashku me sfidat e ndryshimeve kushtetuese që janë parakusht dhe objektiv parësor i anëtarësimit të vendit në BE”, ka shkruar Taravari me rastin e 3 vjetorit të anëtarësimit të RMV-së në NATO.
Lajme
Anëtarë te Besës nga Gostivari kalojnë në ASH
Katër anëtarë nga Lëvizja BESA nga Gostivari, sonte kanë kaluar në ASH. Kjo është dëshmuar përmes një fotografie të publikuar në rrjetet sociale ku ata shihen bashkë me kryetarin e ASH, Arben Taravari ku i shoqëron edhe kryetari i Degës së ASH-së në Gostivar, Gazmend Abdija.
Fotografia të cilën e ka publikuar Abdija mbanë shkrimin “Aleanca për Shqiptarët çdo ditë po forocohet”.
Ky kalim kalim i katërshes, e cila ka qenë në krye të BESËS në Gostivar, është festuar me një kafe të përbashkët.
Ndryshe, jo zyrtarisht ditëve në vazhdim pritet edhe anëtarë dhe simpatizantë të tjerë nga Lëvizja Besa në Gostivar të kalojnë në ASH.
-
Lajmet kryesore1 year ago
Mediat në Shqipëri: Kastriot Rexhepi është shantazhuar me video materiale nga grupi i Izet Mexhitit
-
Bota1 year ago
Nuk u intereson kush është përballë tyre, shihni pamjet se si ukrainasit i ndalin në rrugë rusët
-
Lajme2 years ago
Lidhjet e Trajko Veljanovskit me rastin M0nstга? – Avokati maqedonas flet për pazaret ndër tavolinë dhe fshehje provash
-
Kosovë1 year ago
Dalin detaje të reja për vrasjen e trefishtë në Gllogjan
-
Komente2 years ago
Mos e bëfsh pikën e hajrit o Albin Kurti
-
Lajme2 years ago
Gazetari shqiptar “e zuri mat” Vuçiqin – Cila ishte pyetja që e ngushtoi presidentin sërb?
-
Lajme2 years ago
Shek Hallaçi i Grupit të Kumanovës, nga Buгgu i Idгizovës publikon videon me një porosi
-
Lajme1 year ago
Anketa më re: Struga, Tetova dhe Çairi do të drejtohen nga Opozita Shqiptare