Kosovë
Kompanitë “online” po i dëmtojnë bizneset e regjistruara në Kosovë


Kompanitë “online” po i dëmtojnë bizneset e regjistruara në Kosovë
Ekonomia joformale është sfida kryesore, me të cilën përballet një kompani për prodhimin e produkteve natyrale higjienike në Kosovë.
Themeluesja e saj, Arbërore Riza, thotë se produkte të ngjashme, gati me të njëjtin emër, qarkullojnë po ashtu në treg.
Kjo, sipas saj, ka shkaktuar konfuzion te klientët, por edhe dëme financiare për kompaninë që udhëheq.
Në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, kompania e Rizës është regjistruar në vitin 2018.
Sipas Rizës, kjo është kompania e parë e regjistruar me këtë markë.
“Gjatë pandemisë [COVID-19], pamë kompani me emër shumë të ngjashëm, ndryshim vetëm me një shkronjë. Dhe njerëzit, duke menduar se jemi ne, kanë filluar të marrin produkte të tjera [prej saj]. Me sa e di, kompania tjetër nuk funksionon si biznes; punon në kushte shtëpie… Kjo ka sjellë dëme të mëdha financiare, njëkohësisht është dëmtuar edhe emri kompanisë”, thotë Riza.
Kompania, për të cilën Riza pretendon se i ka bërë konkurrencë joligjore, nuk figuron e regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë, por është aktive në rrjetet sociale me shitje online.
Radio Evropa e Lirë e ka kontaktuar këtë biznes, por ai nuk i është përgjigjur.
Ekonomia joligjore apo “e fshehtë”, përfshin aktivitete, si: shmangie nga tatimi, mungesë regjistrimi, mosfiskalizim, kontrabandim i mallrave, e të tjera.
Në raportin e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të publikuar më 11 janar, thuhet se “niveli i lartë i ekonomisë joligjore në Kosovë ndikon negativisht në konkurrencën, kushtet e punës dhe madhësinë e firmës, duke kufizuar rritjen ekonomike”.
Kjo konkurrencë dëmton dhe dekurajon bizneset e formalizuara, thotë për Radion Evropa e Lirë Arian Zeka, shef ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane të Kosovës.
“Është me rëndësi që bizneset ta kuptojnë se kanë rol të rëndësishëm në luftimin e ekonomisë joformale, rrjedhimisht krijimin e kushteve të barabarta për veten e tyre, sidomos tatimpaguesit e rregullt. Të gjitha bizneset duhet t’i njoftojnë organet përgjegjëse të shtetit për ndonjë aktivitet ilegal ekonomik, që ndodh qoftë brenda sektorit të tyre, ose në ekonominë e përgjithshme të vendit”, thekson Zeka.
Sipas tij, ekonomia joligjore dëmton jo vetëm bizneset, por edhe buxhetin e shtetit.
Për këtë nevojitet angazhim më serioz nga Administrata Tatimore e Kosovës, duke i fuqizuar aktivitetet e brendshme të kontrollit tatimor, në mënyrë që të klasifikohen sektorët, ku mund të ketë shmangie më të madhe të tatimeve, thotë ai.
“Aktivitetet joformale ekonomike janë shumëdimensionale, natyrisht që ndikojnë me më pak të hyra në buxhetin e Kosovës edhe ashtu shumë të vogël. Kjo pamundëson edhe përmirësimin e shërbimeve publike dhe vonon realizimin e projekteve kapitale të vendit”, thotë Zeka për Radion Evropa e Lirë.
Drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, thotë se angazhimi kundër ekonomisë joligjore nuk mungon. Ai beson se ka një ulje të shkallës se ekonomisë joformale, por, siç thotë, jo në nivel të kënaqshëm.
“Në kompetencat tona kemi dy vegla; njëra përmes ngritjes vullnetare që të përmbushen obligime tatimore, dhe në anën tjetër përmes veglës së kontrollit dhe vlerësimit tatimor. Përmes këtyre veprimeve identifikojmë fillimisht rreziqet tatimore, pastaj edhe shmangien tatimore. Nëse i referohemi [vitit] 2021, atëherë rezulton se kemi identifikuar mbi 60 milionë euro të shmangies tatimore”, thotë Murtezaj për Radion Evropa e Lirë.
Në raportet ndërkombëtare vazhdimisht theksohet se ekonomia joligjore në Kosovë përbën më shumë se 30 për qind të Bruto Produktit Vendor(BPV), që, përkthyer në shifra, është rreth 1.8 miliard euro në vit.
Kosova nuk ka ndonjë mekanizëm që e mat nivelin e ekonomisë joligjore.
Me qëllim të luftimit të këtij aktiviteti, Qeveria e Kosovës, në programin e saj për vitet 2021-2025, ka thënë se do t’i fuqizojë kapacitetet e inspektorëve tatimorë, aftësitë hetimore, inteligjencën dhe koordinimin më të mirë ndërmjet institucioneve përgjegjëse për parandalimin dhe ndalimin e punës së padeklaruar.
Për të mbrojtur emrin e kompanisë dhe produktet e saj, Arbërore Riza është pajisur me markën tregtare.
“Tashmë kemi mbrojtur markën tregtare, emrin e kompanisë dhe logon tonë. Së shpejti do të ndërmarrim masa përmes rrugëve ligjore, për shkak të dëmit që i është bërë kompanisë sonë”, thotë Riza.
Marka e regjistruar tregtare i ofron mbrojtje ligjore pronarit të kompanisë, duke i siguruar të drejtën ekskluzive për ta përdorur atë, me qëllim identifikimin e mallrave ose shërbimeve, apo ta autorizojë dikë tjetër për ta përdorur atë në këmbim të pagesës.
Mbrojtja e markës tregtare zbatohet nga gjykata, e cila ka kompetencë për t’i bllokuar shkeljet e markave tregtare.
Kosovë
Ja pse Albin Kurti iu iku sot mediave, e la të vetëm Dimitar Kovaçevskin


Ja pse Albin Kurti iu iku sot mediave, e la të vetëm Dimitar Kovaçevskin
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ishte paraparë që te dale sot në konferencë për media bashkë me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, mirëpo kjo nuk ndodhi, shkruan Alsat.
Kurti, iu shmang mediave duke marrë kështu menjëherë rrugën për në Prizren, derisa pritej që kjo të ishte paraqitja e tij e parë para mediave pas zhvillimeve të mbrëmshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kurti mbrëmë në orët e vona të natës, vendosi ta shtyjë për 48 orë vendimin për gjobat ndaj targave në komunat e Kosovës me shumice serbe, e kjo erdhi pas kërkesës së SHBA-së.
Kujtojmë se dje takimi Kurti-Vuciq përfundoi pa marrëveshje. /Alsat.mk
Kosovë
Kalon propozimi për liberalizimin e vizave në janar të vitit 2024


Kalon propozimi për liberalizimin e vizave në janar të vitit 2024
Përfaqësues të vendeve anëtare të BE-së u pajtuan me propozimin që liberalizimi i vizave për Kosovën të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024.
Radio Evropa e Lirë merr vesh se pajtimi u arrit në një takim të këshilltarëve për viza të martën në Bruksel.
Kjo datë ishte kërkesë e Spanjës – njërit prej pesë vendeve të BE-së që nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës.
Paraprakisht, Republika Çeke – e cila aktualisht udhëheq presidencën gjashtëmujore të BE-së – kërkoi që liberalizimi i vizave për Kosovën të fuqizohet më 1 dhjetor të vitit 2023.
Por, ky propozim nuk kaloi në një takim të grupit punues të BE-së për vizat, që u mbajt javën e kaluar, pasi Spanja e më pas edhe Sllovakia dhe Suedia paraqitën vërejtje dhe kërkuan, siç thanë, sqarime shtesë. Arsyet e tyre nuk u bënë të qarta.
Sipas propozimit të miratuar të martën, “hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të nisë në kohën kur të jetë funksional sistemi i udhëtimit ETIAS, por jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024”.
Miratimi i këtij propozimi do të jetë në rend dite në takimin e ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së, që do të mbahet të mërkurën.
Liberalizimi i vizave do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë lirshëm në atë që njihet si zona Schengen, e që përbëhet prej 26 shtetesh evropiane.
Për të arritur deri këtu, Kosovës i duhet t’i kalojë edhe disa shkallë:
Diplomatë të BE-së thonë se kalimi i propozimit është një gjë pozitive, sepse ekziston një datë konkrete për hyrjen në fuqi të liberalizimit të vizave.
Sipas tyre, nëse ETIAS bëhet funksional sipas pritjeve, përkatësisht në nëntor të vitit të ardhshëm, liberalizimi i vizave mund të hyjë në fuqi edhe më herët, më 1 nëntor, 2023.
Lidhja me sistemin ETIAS
ETIAS është një sistem digjital që synon të bëjë evidentimin e vizitorëve që hyjnë prej jashtë BE-së në zonën Schengen.
Ky sistem është dashur të nisë së funksionuari në vitin 2022, por data është shtyrë disa herë dhe tani si afat përmendet nëntori i vitit 2023.
Në një takim të grupit punues për viza të Këshillit të BE-së, të mbajtur më 13 tetor, zyrtarët francezë propozuan që liberalizimi i vizave për Kosovën të lidhet pikërisht me funksionalizimin e ETIAS-it.
Republika Çeke doli më pas me propozimin që hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave të lidhej me funksionalizimin e ETIAS-it, por njëherësh të caktohej edhe data e fuqizimit të vendimit: “jo më vonë se 1 dhjetori i vitit 2023”.
Me kërkesën e Spanjës, kjo datë u shty për 1 janar të vitit 2024.
Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen.
Kjo, me gjithë faktin se Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018, ka konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por kanë qenë disa vende anëtare që vazhdimisht kanë shprehur rezerva.
Kosovë
Albin Kurti nesër në Shkup, takohet me Kovaçevskin


Albin Kurti nesër në Shkup, takohet me Kovaçevskin
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti nesër do të qëndroj për vizitë zyrtare në Shkup. Gjatë qëndrimit të tij në Shkup, Kurti do të pritet nga kryeministri Dimitar Kovaçevski.
Ndërkohë që për në ora 11:00 është paraparë edhe një konferencë e përbashkët e dy kryeministrave. /Alsat.mk
-
Lajmet kryesore1 year ago
Mediat në Shqipëri: Kastriot Rexhepi është shantazhuar me video materiale nga grupi i Izet Mexhitit
-
Bota1 year ago
Nuk u intereson kush është përballë tyre, shihni pamjet se si ukrainasit i ndalin në rrugë rusët
-
Lajme2 years ago
Lidhjet e Trajko Veljanovskit me rastin M0nstга? – Avokati maqedonas flet për pazaret ndër tavolinë dhe fshehje provash
-
Kosovë1 year ago
Dalin detaje të reja për vrasjen e trefishtë në Gllogjan
-
Komente2 years ago
Mos e bëfsh pikën e hajrit o Albin Kurti
-
Lajme2 years ago
Gazetari shqiptar “e zuri mat” Vuçiqin – Cila ishte pyetja që e ngushtoi presidentin sërb?
-
Lajme2 years ago
Shek Hallaçi i Grupit të Kumanovës, nga Buгgu i Idгizovës publikon videon me një porosi
-
Lajme1 year ago
Anketa më re: Struga, Tetova dhe Çairi do të drejtohen nga Opozita Shqiptare