Connect with us

Lajme

Kriza e punonjësve: Tregu i shqiptar i punës, i paaftë të mbajë emigrantët nga Afrika

Published

on

Tregu shqiptar i punës nuk po rezulton aq atraktiv siç mendohej në fillim para pandemisë, kur nisi tendenca e kontraktimit të punonjësve nga Afrika, sipas Ermal Jaurit, i cili zotëron një agjenci që punëson të huaj në Shqipëri.

Zoti Jauri tha se, që kur erdhën afrikanët e parë e deri më tani, tregu shqiptar i punës shfaqi problematika të thella në drejtim të informalitetit, kontratave të punës, burokracive dhe trafikut të paligjshëm. Pavarësisht ndryshimit të ligjit për punësimin e të huajve ka sërish burokraci nga zyrat e punës për regjistrimin e tyre. Disa ndërmarrje që kanë punësuar të huaj, gjatë kësaj kohe nuk janë treguar korrekte me kontratat dhe kushtet e tjera, duke krijuar një imazh jo të mirë të vendit ndaj punonjësve të huaj.

Shumë kompani i përdorën kontratat e punësimit për arsye trafikimi. Duke qenë se Shqipëria është një vend europian, shumë afër vendeve të zhvilluara, punonjësit afrikanë që ofrohen për punë Shqipëri, e përdorin këtë mundësi për të emigruar pas pak muajsh në një vend më të zhvilluar europian.

Shumë biznese shqiptarë panë si zgjidhje për të zëvendësuar forcën punëtore që emigroi me punonjës nga Afrika. Agjencitë e punësimit nisën “importin” e organizuar të punonjësve nga vendet e Azisë dhe Afrikës, mirëpo historia dyvjeçare e këtij fenomeni tregoi se tregu i shqiptar i punës nuk është i denjë as për punonjësit afrikanë.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, është skeptik për zëvendësimin e forcës së punës. Ai shprehet se bizneset shqiptare kanë pasur humbje historikisht të larta për shkak të mangësive në kompetenca të punonjësve shqiptarë. Për shembull, për shkak të mungesës së inxhinierëve të mirë dhe mekanikëve, një fabrike mund t’i krijohen mijëra euro humbje për neglizhencë.

Ndaj furnizimi me punonjës nga vende që nuk paraqesin kualifikim dhe kompetenca, në vend që të përmirësojë produktivitetin, rrezikon ta cenojë më tej. Jaka tha se, emigracioni në mënyrë të organizuar duhet të ishte bërë mbi studim paraprak, ku të përcaktoheshin qartë nevojat për fuqi punëtore, sipas sektorëve dhe më pas të përzgjidheshin vendet me aftësi më të mira në këto fusha.

Paga mesatare neto në Shqipëri përllogaritet 323 euro në muaj, sipas të dhënave të vitit 2019, referuar nga “Numbeo”. Pas Shqipërisë vjen Bangladeshi me 301 euro në muaj, Armenia 300 euro në muaj dhe Irani me 296 euro në muaj. Ndërsa me diferencë nga paga mesatare e Shqipërisë paraqiten Sri Lanka me 232 euro në muaj; Nepali, 182 euro; Nigeria, 175 euro; Siria, 86 euro etj.

Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa, thotë se kjo mënyrë zëvendësimi e fuqisë punëtore nuk e zgjidh problemin, madje produktiviteti mund të cenohet. Historia e emigracionit nuk njeh praktika, ku vendet e varfra të emigrojnë në vende të varfra, shtoi më tej ai.

Rritet vëmendja ndaj kapitalit human

Duke qenë se Shqipëria ka ende një popullsi relativisht të re në moshë dhe një histori të shkurtër në ekonominë e tregut, nuk ka shfaqur vëmendjen duhur ndaj kapitalit human dhe mirëmbajtjes së tij. Shumica e bizneseve të mesme dhe të mëdha në vend nuk u kishin kushtuar rëndësi departamenteve të burimeve njerëzore. Vitet e fundit dhe sidomos pas pandemisë, fabrikat, jo shumë të mëdha, po krijojnë njësi të posaçme të burimeve njerëzore.

Zyrat e burimeve njerëzore po marrin rolin e qendrave të vogla të trajnimit brenda stafeve dhe gjithashtu ofrojnë stimuj për punonjësit, si udhëtimet, organizime që kanë pak kosto por nxisin stimujt për punonjësit. Alban Zusi, vitin e fundit, ka investuar në këtë drejtim. Tashmë në fabrikën e tij ka një drejtori të posaçme për burimet njerëzore, e cila merret me menaxhimin e punonjësve dhe rezultatet e para janë mbresëlënëse. Konkurrenca e egër për punonjës po shton stimujt për punonjësit.

Për shembull, shumë fabrika fasoni në Tiranë po shtojnë një vakt ushqim për punonjësit. Disa të tjera po ofrojnë shërbimin e transportit falas, aktivitete dhe qendra ditore për fëmijët e punonjësve, shpërblime dhe karrierë për më të dalluarit. Megjithëse pjesa më e madhe e bizneseve po kuptojnë peshën e kapitalit human, ende kanë shumë hapësirë për t’u përmirësuar në këtë drejtim, sidomos në drejtim të pagave dhe sigurimeve shoqërore.

Një anketë e “Deloitte” me mbi 1000 të rinj në Shqipëri të diplomuar me arsim të lartë, poshtë moshës 30 vjeç, që u publikua së fundmi, tregon se paga e ulët nuk është vlerësuar si aspekti parësor nga pjesëmarrësit në vrojtim për ndryshimin e punëdhënësit. 47.4% e tyre janë përgjigjur se mosvlerësimi i punës së tyre është komponenti kryesor, i cili do t’i orientonte ata drejt marrjes së një vendimi për të ndryshuar punëdhënës.

17.6% e të rinjve të arsimuar u shprehën se pamjaftueshmëria e mundësive për zhvillim dhe rritje profesionale do t’i orientonte ata drejt kërkimit të varianteve të tjera dhe 11.9% e konsiderojnë atmosferën e keqe dhe marrëdhëniet jo të mira në punë si shkaktarët kryesorë që çon në prishjen e marrëdhënies së punës.

Të gjithë këto elemente tërheqin vëmendjen për rëndësinë që duhet t’u kushtojnë bizneset në vend sistemit të vlerësimit të performancës së punonjësve dhe lidhjen e saj me skemat e shpërblimit dhe shtegun në karrierë, rekomandon vrojtimi.

Continue Reading

Lajme

Kontrabandë me lopë nga Maqedonia Veriore, ka të arrestuar

Published

on

By

Kontrabandë me lopë nga Maqedonia Veriore, ka të arrestuar

Policia e Kosovës njofton se ka arrestuar dy persona në Kaçanik, pasi të njëjtit dyshohet se kanë kontrabanduar lopë, nga Maqedonia e Veriut në Kosovë.

Sipas njoftimit, njësitet policore në koordinim me prokurorin dhe me Gjyqtarin e Procedurës Paraprake (GjPP) gjatë bastisjes në dy lokacione kanë gjetur 5 krerë lopë të cilat dyshohet se janë kontrabanduar.

Me urdhër të prokurorit kafshët janë konfiskuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe Dogana e Kosovës, ndërsa të dyshuarit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.Rasti ka ndodhur dje rreth orës 22:00 në Glloboqicë të komunës së Kaçanikut.

Continue Reading

Kosovë

Kosova vazhdon të jetë vendi i vetëm në Evropë qytetarët e së cilës nuk gëzojnë të drejtën për lëvizje të lirë.

Published

on

By

Kosova vazhdon të jetë vendi i vetëm në Evropë qytetarët e së cilës nuk gëzojnë të drejtën për lëvizje të lirë.

Edhe pas 10 vjet prej kur ka filluar dialogu për liberalizimin e vizave, Kosova vazhdon të jetë e izoluar ndonëse Komisioni Evropian vite më parë rekomandoi liberalizimin e vizave pasi shteti ka përmbushur kriteret. Franca dhe Holanda janë dy vendet skeptike për liberalizimin e vizave, ndërsa Franca nga janari i 2022-së për gjashtë muaj mban presidencën e radhës të BE-së

Në një postim në Facebook, instituti Epik shkruan se më 19 janar 2012, Kosova dhe BE-ja kanë filluar dialogun për liberalizimin e vizave.

“Sot bëhen 10 vite që nga lansimi i dialogut”, thuhet më tej, shkruan Telegrafi.

Në infografikë, EPIK ka krahasuar kohëzgjatjen e procesit të liberalizimit të vizave të Kosovës me vende të tjera të rajonit dhe më gjerë.

Nga infografikë shihet se Kosova është vendi i vetëm që procesi i liberalizimit të ketë zgjatur kaq shumë.

Procesi i liberalizimit të vizave nga fillimi i dialogut për Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ukrainën ka zgjatur nga katër vite, për Shqipërinë dhe Bosnjën tri vite.

Ndërkaq, nga dy vite ka zgjatur për Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë.

Megjithatë, disa nga njohësit e çështjeve të integrimeve evropiane, deklarojnë se Kosova mund të ketë liberalizim të vizave gjatë vitit 2022, pasi Franca ka marrë kryesimin e radhës së Këshillit të Bashkimit Evropian.

Profesori i së drejtës ndërkombëtare Afrim Hoti, në një deklaratë për Telegrafin kishte thënë se mund të ketë lëvizje pozitive sa i përket vizave gjatë vitit 2022.

“Në kuptimin procedural nuk ka ndonjë diferencë të madhe, sepse sikur Franca edhe vendet e tjera kanë të njëjtin pozicion, udhëheqin presidencën e këshillit. Ndërsa, duke pasur parasysh specifikat që ka prezantuar Franca, deri më tash është e besueshme që mund të ketë lëvizje pozitive në atë drejtim. Sepse Franca dihet që deri tani ka qenë penguese e këtij procesi bashkë me ndonjë vend, jo të ndonjë rëndësie të madhe politike”, është shprehur ai.
Mendim ndryshe sa i përket çështjes së liberalizmit të vizave ka profesori i të Drejtës Evropiane, Avni Mazreku.

Mazreku ka thënë se nuk pret që Franca të fus në agjendë çështjen e liberalizmit të vizave, së paku në 6 muajt e parë të vitit 2022.

“Dihet që agjenda e Bashkimit Evropian përcaktohet nga trojka e Bashkimit Evropian, ashtu quhet pra, që nënkupton nga shteti që aktualisht e ka presidencën e radhës së BE-së. Franca është një nga shtetet më decidive të themi në përcaktimin e agjendës së BE-së, përkatësisht të Këshillit Evropian, për temat që do të trajtohen. Mund të konsiderohet po ashtu që këtë vit Franca futet në zgjedhje presidenciale dhe normalisht presidenti aktual Emmanuel Macron (është njëri nga kandidatët potencialë për tu rizgjedhur si president) të marrë parasysh që politika e kufijve të hapur nuk është temë popullore. Nuk pres që Franca do ta forcojë idenë e futjes në agjendë të çështjes së liberalizimit të vizave për së paku në gjashtëmujorin e parë të këtij viti”, potencoi ai.

Mazreku thotë se derisa Franca të përfundojë zgjedhjet presidenciale i afrohemi edhe fundit të kryesimit të saj në BE.

Continue Reading

Lajme

Më ftohtë në Hanet e Mavrovës, më shumë borë në Kodrën e Diellit

Published

on

By

Shkup, 19 janar 2022 (MIA) – Më ftohtë në mëngjes në shtet është në Hanet e Mavrovës, ku në orën 07:00 janë matur -12 gradë, si dhe Kodrën e Diellit -11, Berovë -10, Kriva Pallankë – 9. Në Pretor, Manastir dhe Krushevë temperaturat është ulur 8 gradë nën zero, -7 në Tetovë, -6 në Ohër dhe Prilep, -5 në Strumicë dhe Vinicë, -4 në Shkup-Petrovec, -2 në Shtip dhe Demir Kapi, -1 në Shkup – Zajçev Rid dhe 2 gradë në Gjevgjeli.

Në Kodrën e Diellit 32 centimetra borë, në Hanet e Mavrovës 15, shtatë në Krushevë, dhe në Gjurishtë dhe Pozharane pesë centimetra.

Nga mëngjesi në disa pjesë të rajonit të Shkupit fryn erë mesatare, ndërsa në Shtip era e mëngjesit të sotëm arrin shpejtësinë herë pas here deri në 40 kilometra në orë.

DPHM paralajmëroi se paradite do të jetë ftohtë, ndërsa gjatë ditës me diell me vranësira të vogla lokale që pasdite do të zvogëlohen. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare veriperëndimore, më e theksuar në drejtim të Povardarit. Temperatura maksimale do të arrijë nga 2 deri në 9 gradë.

Në Shkup moti do të jetë me diell dhe paradite ftohtë me erë të dobët deri në mesatare veriore. Temperatura maksimale do të arrijë 7 gradë.

Deri nesër pasdite moti do të jetë stabil dhe i thatë, me temperatura më të ulëta në mëngjes. Valë e lagësht dhe e ftohtë me reshje të borës do të përhapet nga perëndimi në orët e mbrëmjes dhe gjatë natës. Për shkak të temperaturave të ulëta do të ketë ngrica. Të premten gjatë ditës reshjet do të përfundojnë. Reshje më të dendura do të ketë në pjesët perëndimore ku kudo do të ketë borë, ndërsa në zonat malore do të ketë rritje. Shtresë më të vogël të borës do të formohet edhe në pjesët tjera, përveç në pjesën e ulët të Luginës së Vardarit.

Continue Reading

Aktuale