Connect with us

Kosovë

Pas Thaçit, Gjykata Speciale e ashpër me krerët e UÇK-së: Refuzon lirimin e të gjithëve

Published

on

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) përmes një shkrese drejtuar gjykatës ka kundërshtuar lirimin e Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit nga paraburgimi, ku ndër të tjera ka thënë se Policia e Kosovës nuk mund të zbatojë në mënyrë efektive kushtet e propozuara.

Sipas shkresës së ZPS-së, thuhet se klima e krijuar mirë e ndërhyrjes në procesin gjyqësor në Kosovë, e dokumentuar në mënyrë gjithëpërfshirëse më parë, nuk është një kujtim i lashtë historik.

“Kohët e fundit u shfaqën akuza se Agjencia Kosovare e Inteligjencës kishte dy agjentë të paraqitur si dëshmitarë për të dhënë dëshmi të fabrikuara që lidhnin kundërshtarët politikë të ish-presidentit Hashim Thaçi me organizatat terroriste”, thuhet në këtë shkresë.

Po ashtu, kjo Prokurori, në këtë shkresë ka bashkëngjitur edhe një fotografi të Abelard Tahirit, Shpend Maxhunit, Hashim Thaçit e Bedri Hamzës.

Tutje, thuhet se sjellja e liderëve të shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, përfshirë deklaratat e Faton Klinakut këtë verë dhe krimet e supozuara se janë kryer nga Gucati dhe Haradinaj, po ashtu tregojnë qartë se kjo klimë vazhdon.

Sipas ZPS-së, dëshmitarët nuk kanë nevojë të lëndohen fizikisht për t’u frikësuar; edhe perspektiva e lirimit të të akuzuarve në Kosovë krijon frikë dhe pasiguri te dëshmitarët në këtë rast.

Prokuroria ka pretenduar se kushtet e propozuara nuk janë të mjaftueshme dhe edhe sikur të ishin, Policia e Kosovës (PK) nuk mund t’i zbatojë ato në mënyrë efektive dhe se vijimi i paraburgimit të Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit mbetet i nevojshëm.

“Parashtresat e Policisë së Kosovës për zbatimin e kushteve të lirimit për personat e nivelit të të akuzuarve janë zbuluese. PK mohon çdo përgjegjësi për dështimet e profilit të lartë në lidhje me Remzi Shalën, Sami Lushtakun dhe Sabit Gecin, duke injoruar pikën se këto incidente tregojnë se figurat e nivelit të lartë kanë fuqinë për të mposhtur kushtet në Kosovë (pavarësisht agjencisë që i zbaton ato)”, thuhet tutje në këtë shkresë.

Tutje, prokuroria ka pretenduar se ka edhe raste të mëparshme të ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të PK-së në rrjedhën e drejtësisë.

“Si për shembull kur ata përkohësisht bllokuan zyrtarët e EULEX-it nga arrestimi i shefit të policisë së atëhershme të PK-së në Prizren, Nexhmi Krasniqi për krime të supozuara, krimet e supozuara në një vend paraburgimi të akuzuar në këtë rast”, thuhet në këtë shkresë.

Ata kanë thënë se ekzistenca e gjykatës dhe ZPS-së bazohet në realitetin se të akuzuarit e profilit të lartë të UÇK-së, si ata të akuzuar në këtë rast nuk do të mund të kishin një gjykim në Kosovë pa penguar drejtësinë.

“Në bazë të pozitave dhe përgjegjësive të tyre gjatë dhe pas luftës në Kosovë, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbeten me ndikim të jashtëzakonshëm. Lirimi i të akuzuarve në Kosovë është kërcënim ekzistencial për zhvillimin e drejtë dhe të shpejtë të kësaj çështjeje dhe kësaj gjykate”, thuhet në këtë shkresë.

Ndryshe, më 9 nëntor, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij me 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës së ngritur, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.

“Ndër anëtarët e tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët ishin Azem SYLA, Lahi BRAHIMAJ, Fatmir LIMAJ, Sylejman SELIMI, Rrustem MUSTAFA, Shukri BUJA, Latif GASHI dhe Sabit GECI, si dhe disa udhëheqës të tjerë politikë dhe ushtarakë të UÇK-së dhe QPK-së, ndër të cilët edhe anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm; ministra dhe zëvendësministra të QPK-së; komandantë të zonave të UÇK-së, zëvendëskomandantë të zonave dhe anëtarë të tjerë të shtabeve të komandave të zonave; komandantë të brigadave dhe njësiteve; komandantë dhe anëtarë të shërbimeve policore dhe të zbulimit të UÇK-së dhe QPK-së; ushtarë të tjerë të UÇK-së dhe zyrtarë të tjerë të QPK-së; si dhe të tjerë që vepronin në emër të UÇK-së dhe QPK-së (së bashku me Hashim THAÇIN, Kadri VESELIN, Rexhep SELIMIN dhe Jakup KRASNIQIN, bashkërisht, ‘anëtarët e NKP-së’). Të gjithë këta individë, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, kontribuan në arritjen e qëllimit të përbashkët. Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues.

Continue Reading

Kosovë

Kosova vazhdon të jetë vendi i vetëm në Evropë qytetarët e së cilës nuk gëzojnë të drejtën për lëvizje të lirë.

Published

on

By

Kosova vazhdon të jetë vendi i vetëm në Evropë qytetarët e së cilës nuk gëzojnë të drejtën për lëvizje të lirë.

Edhe pas 10 vjet prej kur ka filluar dialogu për liberalizimin e vizave, Kosova vazhdon të jetë e izoluar ndonëse Komisioni Evropian vite më parë rekomandoi liberalizimin e vizave pasi shteti ka përmbushur kriteret. Franca dhe Holanda janë dy vendet skeptike për liberalizimin e vizave, ndërsa Franca nga janari i 2022-së për gjashtë muaj mban presidencën e radhës të BE-së

Në një postim në Facebook, instituti Epik shkruan se më 19 janar 2012, Kosova dhe BE-ja kanë filluar dialogun për liberalizimin e vizave.

“Sot bëhen 10 vite që nga lansimi i dialogut”, thuhet më tej, shkruan Telegrafi.

Në infografikë, EPIK ka krahasuar kohëzgjatjen e procesit të liberalizimit të vizave të Kosovës me vende të tjera të rajonit dhe më gjerë.

Nga infografikë shihet se Kosova është vendi i vetëm që procesi i liberalizimit të ketë zgjatur kaq shumë.

Procesi i liberalizimit të vizave nga fillimi i dialogut për Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ukrainën ka zgjatur nga katër vite, për Shqipërinë dhe Bosnjën tri vite.

Ndërkaq, nga dy vite ka zgjatur për Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë.

Megjithatë, disa nga njohësit e çështjeve të integrimeve evropiane, deklarojnë se Kosova mund të ketë liberalizim të vizave gjatë vitit 2022, pasi Franca ka marrë kryesimin e radhës së Këshillit të Bashkimit Evropian.

Profesori i së drejtës ndërkombëtare Afrim Hoti, në një deklaratë për Telegrafin kishte thënë se mund të ketë lëvizje pozitive sa i përket vizave gjatë vitit 2022.

“Në kuptimin procedural nuk ka ndonjë diferencë të madhe, sepse sikur Franca edhe vendet e tjera kanë të njëjtin pozicion, udhëheqin presidencën e këshillit. Ndërsa, duke pasur parasysh specifikat që ka prezantuar Franca, deri më tash është e besueshme që mund të ketë lëvizje pozitive në atë drejtim. Sepse Franca dihet që deri tani ka qenë penguese e këtij procesi bashkë me ndonjë vend, jo të ndonjë rëndësie të madhe politike”, është shprehur ai.
Mendim ndryshe sa i përket çështjes së liberalizmit të vizave ka profesori i të Drejtës Evropiane, Avni Mazreku.

Mazreku ka thënë se nuk pret që Franca të fus në agjendë çështjen e liberalizmit të vizave, së paku në 6 muajt e parë të vitit 2022.

“Dihet që agjenda e Bashkimit Evropian përcaktohet nga trojka e Bashkimit Evropian, ashtu quhet pra, që nënkupton nga shteti që aktualisht e ka presidencën e radhës së BE-së. Franca është një nga shtetet më decidive të themi në përcaktimin e agjendës së BE-së, përkatësisht të Këshillit Evropian, për temat që do të trajtohen. Mund të konsiderohet po ashtu që këtë vit Franca futet në zgjedhje presidenciale dhe normalisht presidenti aktual Emmanuel Macron (është njëri nga kandidatët potencialë për tu rizgjedhur si president) të marrë parasysh që politika e kufijve të hapur nuk është temë popullore. Nuk pres që Franca do ta forcojë idenë e futjes në agjendë të çështjes së liberalizimit të vizave për së paku në gjashtëmujorin e parë të këtij viti”, potencoi ai.

Mazreku thotë se derisa Franca të përfundojë zgjedhjet presidenciale i afrohemi edhe fundit të kryesimit të saj në BE.

Continue Reading

Kosovë

Kliko këtu për ta llogaritur faturën e rrymës me tarifat e reja (Linku)

Published

on

By

Kliko këtu për ta llogaritur faturën e rrymës me tarifat e reja (Linku)

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë duke propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.

Gjatë ditës së djeshme, Qeveria e Kosovës ka miratuar rekomandimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike për disa kategori.

Sipas vendimit, shumicën e subvencionimit nga shteti praktikisht pritet ta përfitojnë bizneset, derisa energji elektrike pa rritje të çmimit do të paguajnë vetëm ato familje që arrijnë të mos shpenzojnë mbi 600 kwh në muaj, shkruan Reporteri.net.

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka publikuar edhe kalkulatorin për llogaritjen e faturës me tarifat e reja.

Në këtë link mund të ngarkoni të dhënat e faturës së fundit të energjisë elektrike dhe të llogarisni se sa do të jetë vlera e faturës me tarifat e reja.

Sipas propozimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, tarifat e reja të energjisë elektrike, nëse miratohen, do të fillojnë të aplikohen nga 1 shkurti.

Sipas raportit të ZRRE-së, këto tarifa do të jenë të aplikueshme deri më 31 mars të vitit 2023.

“Në një proces të ndarë të shqyrtimit të jashtëzakonshëm, të publikuar në ueb-faqen e ZRRE-së krahas këtij raporti, ZRRE ka vlerësuar se të Hyrat Maksimale të Lejuara që mbulojnë kostot e arsyeshme të shërbimit me energji elektrike janë €446.7 milionë. Kjo pjesë e raportit konsultativ ofron propozimin e ZRRE-së për nivelin e tarifave të energjisë elektirke që do të jenë të aplikueshme për periudhën 1 shkurt 2022-31 mars 2023 për të mbluar nivelin e kostove të arsyeshme…”, thuhet në raport.

Continue Reading

Kosovë

Dëshmitari Sopi: Forcat serbe nuk i kursyen as fëmijët, gratë e pleqtë (Video)

Published

on

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Prishtinë, Fatmir Sopi, ka qenë dëshmitari i 11-të me radhë, i cili ka dëshmuar në gjykimin ndaj Salih Mustafës.

Sopi në Hagë ka rrëfyer për ofensivën e 7 dhe 18 prillit, derisa ka shpalosur detaje nga ato që kanë ndodhur në fshatrat e Gollakut.

“Forcat serbe kanë granatuar me mjetet dhe teknologjinë që kanë poseduar nga të gjitha drejtimet, duke mos kursyer as civilët dhe as fëmijët, gratë dhe pleqtë, gjatë kësaj ofenzivive kanë ndodhur ngjarje të tmerrshme ku familje të tëra apo njerëz që kanë qenë në shtëpitë e tyre janë granatuar dhe janë djegur për së gjalli”, tha Sopi.

Ish-pjesëtari i UÇK-së ka folur edhe për njësinë BIA, të cilin e ka udhëhequr Salih Mustafa.

“Rolin më specifik të njësitit BIA më së miri e shpjegon vet përfaqësuesi i njësitit BIA, ndërsa unë sa kam mujt me kuptu ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sikur të gjitha njësitet e tjera në Zonën Operative të Llapit, Rolin e çdo ushtari dhe çdo njësi unë nuk mund ta di por e di se kanë punuar në bazë të urdhrave dhe në bazë të rrethanave të kohës që të japin kontributin e tyre të çmuar për çlirimin e vendit”, tha Sopi.

Dëshmitari Sopi ka thënë se zyrtarizimi i Brigadës 153, pjesë e së cilës ka qenë edhe ai, është bërë në shtëpinë e tij.

Është pyetur për shkollën në Zllash e për të cilën ka thënë se aty nuk ka qenë i vendosur shtabi i brigadës.

“Ndërtesa e shkollës ka shërbyer si qendër stërvitore mirëpo shtabi i brigadës e ka pasur aty komandantin e qendrës stërvitore e shumë kush e ka identifikuar se ajo ka shërbyer si shtab, por ka qenë një zyre e komandantit të stërvitjeve, e përgjegjësive që kanë qenë për stërvitje të cilët kanë pasur zyre dhe ka qenë kuzhina për ushtarët të cilët kanë qenë në stërvitje ndërsa në atë kuptimin me qenë i stacionuar shtabi për kohë të gjatë në shkollë nuk ka qenë i stacionuar, përkohësisht ne kemi qarkulluar andej”, tregoi Sopi.

Gjykimi i Salih Mustafës është i pari në Dhomat e Specializuara të Kosovës, derisa para Fatmir Sopit në këtë proces kanë dëshmuar edhe 10 dëshmitarë të tjerë.

Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij e sipas së cilit akuzohet për krime lufte.

VIDEO

Continue Reading

Aktuale