Connect with us

Kosovë

Infektologët paralajmërojnë për rrezikun e përhapjes së variantit Omicron në Kosovë

Published

on

Infektologët paralajmërojnë për rrezikun e përhapjes së variantit Omicron në Kosovë

Varianti Delta

Kosova mund të rrezikohet nga përhapja e variantit të ri të koronavirusit, Omicron që ka prekur tashmë shumë vende të botës.

Kështu mendojnë infektologët që kanë bërë thirrje për vigjilencë sa i përket respektimit të masave mbrojtëse, sidomos pasi ende nuk dihet saktë shkalla e agresivitetit të këtij varianti të ri.

Infektologët po ashtu kanë thënë se institucionet duhet të vendosin masa të reja kundër COVID-19 duke pasur gjithmonë parasysh lëvizjet e virusit dhe situatën aktuale epidemiologjike.

Deri më tani, në Kosovë nuk është konfirmuar asnjë rast me variantin Omicron.

Më 26 nëntor, Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se Omicron, që fillimisht u identifikua në Afrikën e Jugut, ishte “variant shqetësues”.

Zyrtarët në Afrikën e Jugut kanë thënë se 90 për qind e rasteve të reja janë me variantin Omicron, që ka numër të madh të mutacioneve.

“Pacientët kryesisht ankohen për dhimbje trupi dhe lodhje dhe këto simptoma ne i kemi hasur te pacientët e rinj, jo te personat më në moshë”, ka deklaruar për BBC, Angelique Coetzee nga Shoqata e Mjekëve të Afrikës së Jugut.

Infektologu Sali Ahmeti tha për Radion Evropa e Lirë se periudha e festave të fundvitit rrit rrezikun për shfaqjen e rasteve me këtë variant të virusit edhe në Kosovë.

“Ky variant paraqet një kërcënim edhe për neve, sidomos tash afër festave të Vitit të Ri kur te ne munden të vijnë bashkëqytetarët tanë nga vende të ndryshme të botës”, tha ai.

Ahmeti u shpreh se edhe pse nuk dihet saktë shkalla e rrezikut nga varianti i ri i virusit, qytetarët dhe institucionet duhet të kontribuojnë në shmangien e përhapjes së tij.

“Ne duhet të jemi syhapur dhe vigjilentë. Duhet t’i përcjellim kërcënimet potenciale që mund t’i paraqesë ky virus”, tha ai.

Edhe infektologu, njëherësh drejtori i Shërbimit Klinik Spitalor dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK), Valbon Krasniqi, tha për Radion Evropa e Lirë se Kosova është e rrezikuar nga shpërndarja e variantit Omicron.

“Atë që e kemi parë në variantet e tjera, është jo e besueshme që ndonjë vend mundet të kursehet. Varet edhe sa do të ketë qarkullim të njerëzve”, tha ai.

Deri më tani, varianti Omicron është shpërndarë në shumë vende të botës, përfshirë edhe në Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani, Itali, Belgjikë, Danimarkë, Botsvanë, Izrael, Australi, Hong Kong dhe Çeki e të tjera.

Ministria e Shëndetësisë (MSH) në Kosovë më 27 nëntor bëri të ditur se gjatë një takimi të Komitetit për koordinim dhe vlerësim të situatës me pandeminë COVID-19, është diskutuar për variantin Omicron.

MSH-ja ka paralajmëruar se nga java që nis më 29 nëntor do të bëhet rishqyrtimi i masave në fuqi dhe do të marren masa të tjera “sipas nevojës dhe zhvillimeve lidhur me COVID-19”.

Kosova së fundmi ka shënuar rënie të rasteve me koronavirus. Gjatë shtatë ditëve të fundit, në vend janë regjistruar 78 raste.

Sipas masave që janë aktualisht në fuqi në Kosovë, mbajtja e maskës në ambiente të hapura dhe të mbyllura publike është obligative. Po ashtu, qytetarët duhet të tregojnë dëshminë e vaksinimit kundër koronavirusit apo të testit negativ për hyrje në qendra tregtare, restorante, bare dhe vende të tjera publike.

Gjithashtu, sipas masave në fuqi, secili person që hyn në Kosovë duhet të posedojë dëshmi për vaksinim të plotë, shërim nga COVID-19 apo një test negativ.

Megjithatë, shumë shpesh, sidomos në kohën e uljes së numrit të rasteve në Kosovë, vërehet një mungesë e respektimit të masave në fuqi.

Sipas Organizatës Botërore Shëndetësisë, testet aktuale PCR diagnostikuese për koronavirusin SARS-CoV-2 e detektojnë edhe variantin Omicron.

Përkujtojmë se testet për detektimin e variantit Delta të koronavirusit nuk kishte pasur mundësi të kryhen në Kosovë dhe kështu mostrat nga Kosova ishin dërguar në Berlin të Gjermanisë.

Çfarë është varianti Omicron dhe çka dihet deri më tani?

Varianti i koronavirusit, Omicron u vërejt për herë të parë në Afrikën e Jugut më 23 nëntor të vitit 2021.

Më 28 nëntor, Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se e kishte klasifikuar këtë variant si “shqetësues” për shkak të disa mutacioneve dhe mënyrës se si ato mund të kenë ndikim në sjelljen e virusit, si për shembull, se sa shpejt mund të shpërndahet apo shkallën e sëmundjes që shkakton.

Sa i përket transmetueshmërisë, OBSH-ja tha se ende është e paqartë nëse Omicron është më i transmetueshëm sesa variantet paraprake, përfshirë variantin Delta.

“Është rritur numri i personave që po infektohen në zonat e Afrikës së Jugut, që janë prekur nga ky variant, por studimet epidemiologjike janë duke u kryer, në mënyrë që më pas të mund të kuptojmë nëse rritja e rasteve është për shkak të Omicronit apo faktorëve të tjerë”, tha OBSH-ja.

OBSH-ja tha se është ende e paqartë nëse varianti Omicron shkakton sëmundje më të rëndë, krahasuar me variantet paraprake.

“Të dhënat paraprake sugjerojnë se ka rritje të hospitalizimeve në Afrikën e Jugut, por kjo mund të jetë edhe për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve sesa rezultat i infeksionit me Omicron”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, sa i përket simptomave, OBSH-ja tha se aktualisht nuk ka informacione që sugjerojnë se simptomat e lidhura me variantin e ri, Omicron janë të ndryshme nga ato që shkaktojnë variantet e tjera.

Vaksinat ekzistuese vazhdojnë të jenë efektive kundër sëmundjes së rëndë dhe vdekjes, tha OBSH-ja, duke theksuar se ende nuk ka të dhëna se cili është ndikimi që Omicron mund të ketë mbi vaksinat ekzistuese kundër koronavirusit.

“OBSH-ja po punon me partnerët teknikë për të kuptuar ndikimin potencial që ky variant ka në kundërmasat ekzistuese, përfshirë vaksinat. Vaksinat vazhdojnë të jenë mjete kritike për të zvogëluar sëmundjen e rëndë dhe vdekjen, përfshirë edhe infektimeve kundër variantit dominues, Delta”, tha OBSH-ja.

Megjithatë, OBSH-ja tha se sipas të dhënave të para, Omicroni rrit rrezikun e riifektimeve, pasi njerëzit që më herët e kanë pasur COVID-19 “mund të riinfektohen më lehtë me COVID-19”.

A janë të gjitha mutacionet e virusit të rrezikshme?

Para përhapjes së variantit Omicron nëpër botë, koronavirusi i ri që u shfaq për herë të parë në fund të vitit 2019, ka pësuar disa mutacione.

Në Kosovë në muajt e fundit ka pasur përhapje të variantit Delta dhe Delta Plus që janë vlerësuar variante me përhapje më të shpejtë dhe me pasoja më të mëdha në shëndet.

Infektologu Ahmeti tha se mutacionet e virusit do të vazhdojnë përderisa virusi vazhdon të jetë prezent.

Megjithatë, sipas tij, shqetësuese mbetet nëse mutacionet do të jenë rezistente ndaj imunitetit natyral të njerëzve apo imunitetit të krijuar nga vaksinat kundër koronavirusit.

“Është në hulumtim e sipër sjellja e tij ndaj imunitetit natyral dhe pas-vaksinal. Veçse kanë filluar hulumtimet e qëndrueshmërisë së këtij virusi në raportin e imunitetit pas-vaksinal”, tha infektologu Ahmeti.

Në Kosovë deri më tani janë vaksinuar me të dy dozat 761.003 qytetarë, përkatësisht mbi 40 për qind e popullsisë. Momentalisht mundësi vaksinimi kanë të gjithë personat mbi 12 vjeç.

Duke komentuar mutacionet e shpeshta dhe variantet e koronavirusit, infektologët kanë thënë se jo të gjithë variantet e reja të një virusi, që mund të shfaqen, janë më të rrezikshme se variantet paraprake.

“Mund të ketë variante më agresive apo më pak agresive”, tha për REL-in, Shemsedin Dreshaj, infektolog.

Dreshaj ka thënë se, megjithatë, variantin Omicron e sheh si të rrezikshëm dhe me potencial të shpërndarjes në Kosovë.

Disa shtete në botë veçse kanë filluar të marrin masa për të parandaluar përhapjen e këtij varianti të koronavirusit.

Më 27 nëntor, kryeministri britanik, Boris Johnson njoftoi se të gjithë personat që do të hyjnë në shtet duhet t’i nënshtrohen testit PCR për koronavirus dhe derisa të dalin negativë, duhet të vetizolohen. Po ashtu, të gjithë personat që janë raste kontakti të të infektuarve me Omicron, duhet të izolohen për dhjetë ditë.

Edhe shtetet e Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë vendosur kufizime në udhëtimet nga shtetet në jug të Afrikës, me qëllim që të frenojnë përhapjen e variantit Omicron./REL

Continue Reading

Kosovë

Kosova vazhdon të jetë vendi i vetëm në Evropë qytetarët e së cilës nuk gëzojnë të drejtën për lëvizje të lirë.

Published

on

By

Kosova vazhdon të jetë vendi i vetëm në Evropë qytetarët e së cilës nuk gëzojnë të drejtën për lëvizje të lirë.

Edhe pas 10 vjet prej kur ka filluar dialogu për liberalizimin e vizave, Kosova vazhdon të jetë e izoluar ndonëse Komisioni Evropian vite më parë rekomandoi liberalizimin e vizave pasi shteti ka përmbushur kriteret. Franca dhe Holanda janë dy vendet skeptike për liberalizimin e vizave, ndërsa Franca nga janari i 2022-së për gjashtë muaj mban presidencën e radhës të BE-së

Në një postim në Facebook, instituti Epik shkruan se më 19 janar 2012, Kosova dhe BE-ja kanë filluar dialogun për liberalizimin e vizave.

“Sot bëhen 10 vite që nga lansimi i dialogut”, thuhet më tej, shkruan Telegrafi.

Në infografikë, EPIK ka krahasuar kohëzgjatjen e procesit të liberalizimit të vizave të Kosovës me vende të tjera të rajonit dhe më gjerë.

Nga infografikë shihet se Kosova është vendi i vetëm që procesi i liberalizimit të ketë zgjatur kaq shumë.

Procesi i liberalizimit të vizave nga fillimi i dialogut për Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ukrainën ka zgjatur nga katër vite, për Shqipërinë dhe Bosnjën tri vite.

Ndërkaq, nga dy vite ka zgjatur për Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë.

Megjithatë, disa nga njohësit e çështjeve të integrimeve evropiane, deklarojnë se Kosova mund të ketë liberalizim të vizave gjatë vitit 2022, pasi Franca ka marrë kryesimin e radhës së Këshillit të Bashkimit Evropian.

Profesori i së drejtës ndërkombëtare Afrim Hoti, në një deklaratë për Telegrafin kishte thënë se mund të ketë lëvizje pozitive sa i përket vizave gjatë vitit 2022.

“Në kuptimin procedural nuk ka ndonjë diferencë të madhe, sepse sikur Franca edhe vendet e tjera kanë të njëjtin pozicion, udhëheqin presidencën e këshillit. Ndërsa, duke pasur parasysh specifikat që ka prezantuar Franca, deri më tash është e besueshme që mund të ketë lëvizje pozitive në atë drejtim. Sepse Franca dihet që deri tani ka qenë penguese e këtij procesi bashkë me ndonjë vend, jo të ndonjë rëndësie të madhe politike”, është shprehur ai.
Mendim ndryshe sa i përket çështjes së liberalizmit të vizave ka profesori i të Drejtës Evropiane, Avni Mazreku.

Mazreku ka thënë se nuk pret që Franca të fus në agjendë çështjen e liberalizmit të vizave, së paku në 6 muajt e parë të vitit 2022.

“Dihet që agjenda e Bashkimit Evropian përcaktohet nga trojka e Bashkimit Evropian, ashtu quhet pra, që nënkupton nga shteti që aktualisht e ka presidencën e radhës së BE-së. Franca është një nga shtetet më decidive të themi në përcaktimin e agjendës së BE-së, përkatësisht të Këshillit Evropian, për temat që do të trajtohen. Mund të konsiderohet po ashtu që këtë vit Franca futet në zgjedhje presidenciale dhe normalisht presidenti aktual Emmanuel Macron (është njëri nga kandidatët potencialë për tu rizgjedhur si president) të marrë parasysh që politika e kufijve të hapur nuk është temë popullore. Nuk pres që Franca do ta forcojë idenë e futjes në agjendë të çështjes së liberalizimit të vizave për së paku në gjashtëmujorin e parë të këtij viti”, potencoi ai.

Mazreku thotë se derisa Franca të përfundojë zgjedhjet presidenciale i afrohemi edhe fundit të kryesimit të saj në BE.

Continue Reading

Kosovë

Kliko këtu për ta llogaritur faturën e rrymës me tarifat e reja (Linku)

Published

on

By

Kliko këtu për ta llogaritur faturën e rrymës me tarifat e reja (Linku)

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë duke propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.

Gjatë ditës së djeshme, Qeveria e Kosovës ka miratuar rekomandimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike për disa kategori.

Sipas vendimit, shumicën e subvencionimit nga shteti praktikisht pritet ta përfitojnë bizneset, derisa energji elektrike pa rritje të çmimit do të paguajnë vetëm ato familje që arrijnë të mos shpenzojnë mbi 600 kwh në muaj, shkruan Reporteri.net.

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka publikuar edhe kalkulatorin për llogaritjen e faturës me tarifat e reja.

Në këtë link mund të ngarkoni të dhënat e faturës së fundit të energjisë elektrike dhe të llogarisni se sa do të jetë vlera e faturës me tarifat e reja.

Sipas propozimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, tarifat e reja të energjisë elektrike, nëse miratohen, do të fillojnë të aplikohen nga 1 shkurti.

Sipas raportit të ZRRE-së, këto tarifa do të jenë të aplikueshme deri më 31 mars të vitit 2023.

“Në një proces të ndarë të shqyrtimit të jashtëzakonshëm, të publikuar në ueb-faqen e ZRRE-së krahas këtij raporti, ZRRE ka vlerësuar se të Hyrat Maksimale të Lejuara që mbulojnë kostot e arsyeshme të shërbimit me energji elektrike janë €446.7 milionë. Kjo pjesë e raportit konsultativ ofron propozimin e ZRRE-së për nivelin e tarifave të energjisë elektirke që do të jenë të aplikueshme për periudhën 1 shkurt 2022-31 mars 2023 për të mbluar nivelin e kostove të arsyeshme…”, thuhet në raport.

Continue Reading

Kosovë

Dëshmitari Sopi: Forcat serbe nuk i kursyen as fëmijët, gratë e pleqtë (Video)

Published

on

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Prishtinë, Fatmir Sopi, ka qenë dëshmitari i 11-të me radhë, i cili ka dëshmuar në gjykimin ndaj Salih Mustafës.

Sopi në Hagë ka rrëfyer për ofensivën e 7 dhe 18 prillit, derisa ka shpalosur detaje nga ato që kanë ndodhur në fshatrat e Gollakut.

“Forcat serbe kanë granatuar me mjetet dhe teknologjinë që kanë poseduar nga të gjitha drejtimet, duke mos kursyer as civilët dhe as fëmijët, gratë dhe pleqtë, gjatë kësaj ofenzivive kanë ndodhur ngjarje të tmerrshme ku familje të tëra apo njerëz që kanë qenë në shtëpitë e tyre janë granatuar dhe janë djegur për së gjalli”, tha Sopi.

Ish-pjesëtari i UÇK-së ka folur edhe për njësinë BIA, të cilin e ka udhëhequr Salih Mustafa.

“Rolin më specifik të njësitit BIA më së miri e shpjegon vet përfaqësuesi i njësitit BIA, ndërsa unë sa kam mujt me kuptu ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sikur të gjitha njësitet e tjera në Zonën Operative të Llapit, Rolin e çdo ushtari dhe çdo njësi unë nuk mund ta di por e di se kanë punuar në bazë të urdhrave dhe në bazë të rrethanave të kohës që të japin kontributin e tyre të çmuar për çlirimin e vendit”, tha Sopi.

Dëshmitari Sopi ka thënë se zyrtarizimi i Brigadës 153, pjesë e së cilës ka qenë edhe ai, është bërë në shtëpinë e tij.

Është pyetur për shkollën në Zllash e për të cilën ka thënë se aty nuk ka qenë i vendosur shtabi i brigadës.

“Ndërtesa e shkollës ka shërbyer si qendër stërvitore mirëpo shtabi i brigadës e ka pasur aty komandantin e qendrës stërvitore e shumë kush e ka identifikuar se ajo ka shërbyer si shtab, por ka qenë një zyre e komandantit të stërvitjeve, e përgjegjësive që kanë qenë për stërvitje të cilët kanë pasur zyre dhe ka qenë kuzhina për ushtarët të cilët kanë qenë në stërvitje ndërsa në atë kuptimin me qenë i stacionuar shtabi për kohë të gjatë në shkollë nuk ka qenë i stacionuar, përkohësisht ne kemi qarkulluar andej”, tregoi Sopi.

Gjykimi i Salih Mustafës është i pari në Dhomat e Specializuara të Kosovës, derisa para Fatmir Sopit në këtë proces kanë dëshmuar edhe 10 dëshmitarë të tjerë.

Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij e sipas së cilit akuzohet për krime lufte.

VIDEO

Continue Reading

Aktuale