Connect with us

Lajme

Ja pse Bosnja nuk po nënshkruan marrëveshje me Bashkësinë Islame

Published

on

Që nga viti 2009, Bashkësia Islame në Bosnje dhe Hercegovinë po pret që të nënshkruajë një marrëveshje me shtetin.

Kjo çështje ka ngecur në Presidencën trepalëshe të Bosnje dhe Hercegovinës. Ajo vihet në rend dite në mënyrë periodike, mirëpo ende nuk ka rritur të marrë dritën e gjelbër.

Edhe më 18 tetor të këtij viti, kjo çështje ishte në rend dite të mbledhjes së Presidencës së këtij vendi, por anëtarët e saj nuk arritën pajtim për shkak të kundërshtimit të anëtarit, Millorad Dodik.

Përveç rregullimit të çështjeve ligjore dhe fetare, marrëveshja do të duhej të zgjidhte edhe çështjet e marrëdhënieve midis dy autoriteteve. Gjithashtu ajo adreson edhe çështjet që nuk mbulohen nga Ligji për liritë fetare në Bosnje dhe Hercegovinë, siç është ndjekja penale e zyrtarëve të Bashkësisë Islame ose e drejta për ditë pushimi të pjesëtarëve të bashkësive fetare.

Bashkësia Islame thotë se me këtë marrëveshje në planin afatgjatë do të shmangej çdo keqkuptim.

Kronologjia e përpjekjeve për arritjen e marrëveshjes
Në vitin 2009, Bashkësia Islame e Bosnje dhe Hercegovinës i paraqiti Presidencës së këtij vendi një iniciativë për të nënshkruar një marrëveshje me shtetin.

Nisma pasoi nënshkrimin e një marrëveshjeje në vitin 2006 nga Kisha Katolike, përkatësisht Selia e Shenjtë. Një vit më vonë, Marrëveshja Themelore me shtetin u nënshkrua edhe nga Kisha Ortodokse Serbe (KOS).

Këto marrëveshje janë nënshkruar në bazë të Ligjit për liritë fetare i vitit 2004 që rregullon lirinë e fesë dhe statusin ligjor të kishave dhe bashkësive fetare.

Neni 15 i ligjit përcakton se çështjet me interes të përbashkët për Bosnje dhe Hercegovinën, nga një ose më shumë kisha dhe bashkësi fetare, mund të rregullohen me një marrëveshje mes Presidencës, Këshillit të Ministrave, qeverive të entiteteve dhe kishave, ose bashkësive fetare.

Një ekip i Këshillit të Ministrave dhe përfaqësuesit e Bashkësisë Islame kanë punuar për dy vjet në përgatitjen e projekt-marrëveshjes para se ajo t’i dërgohet Presidencës.

Bashkësia Islame thotë se propozimi pasoi dy marrëveshjet e mëparshme të bashkësive fetare (Kishës Katolike dhe asaj Ortodokse) me Bosnje dhe Hercegovinën dhe ndryshonte vetëm aty ku ishte e nevojshme për të përmbushur specifikat që e dallojnë Islamin nga dy fetë e tjera.

Në vitin 2015, Këshilli i Ministrave miratoi propozimin dhe ai iu dorëzua Presidencës për miratim.

Gjatë vitit 2018, anëtari i atëhershëm i Presidencës, Bakir Izetbegoviq propozoi që kjo çështje të jetë në rendin e ditës, por dy anëtarët e tjerë, Dragan Çoviq dhe Mlladen Ivaniq, e kundërshtuan atë.

Mustafa Përlaça, këshilltar i kreut të Bashkësisë Islame të Bosnje dhe Hercegovinës, Husein Kavazoviq, tha se atëbotë përgjigjja e këtyre dy anëtarëve të Presidencës ishte se dy bashkësitë e tjera fetare ishin kundër nënshkrimit të marrëveshjes.

“Por, kur ne iu drejtuam me shkrim komuniteteve fetare, ata u përgjigjën se nuk kishin asgjë kundër nënshkrimit të një marrëveshjeje të ngjashme me Bashkësinë Islame, siç e kishin bërë edhe ata me shtetin”, shpjegon Përlaça.

Pse është e “diskutueshme” kjo marrëveshje?
Nga Bashkësia Islame thonë se menjëherë pas zgjedhjes së tre anëtarëve të rinj të Presidencës, ata iu drejtuan sërish këtij institucioni për t’ia kujtuar se statusi i kësaj bashkësie fetare në Bosnje mbetet i pazgjidhur.

Deri në takimin e 18 tetorit të Presidencës, nuk ka pasur një përgjigje.

“Megjithatë, ne do të insistojmë në këtë, kjo çështje duhet të zgjidhet”, thotë Përlaça.

Zhelko Komshiq, anëtar i Presidencës, tha më 18 tetor se kjo ishte vendosur në rend të ditës sepse ai besonte se çështja duhej zgjidhur.

“Këto janë çështje të ndjeshme. Pra, sipas meje dhe Xhaferoviqit (Shefik Xhaferoviq, anëtar i Presidencës), kjo është një kontratë, siç thonë juristët ‘sui generis’, një lloj kontrate e veçantë e cila nuk është identike me kontratën me Vatikanin dhe Kishën Ortodokse Serbe. E veçantë është sepse ato dy marrëveshje kanë karakter ndërkombëtar, pasi selia e Kishës Katolike është në Vatikan, ndërsa e asaj Ortodokse në Serbi. Në anën tjetër, selia e Bashkësisë Islame është në Sarajevë”, ka thënë Komshiq.

Ai tregoi se Millorad Dodik e kundërshtoi propozimin pikërisht sepse marrëveshja nuk është identike me dy bashkësitë e tjera fetare.

“Është e ndryshme po aq sa Islami është i ndryshëm në manifestimin e tij në raport me ortodoksët dhe katolikët. Kisha Ortodokse dhe ajo Katolike janë kisha të krishtera dhe kanë një mënyrë shumë të ngjashme të manifestimit, ndryshe nga Bashkësia fetare Islame, e cila ka rregulla tjera”, tha Komshiq.

Anëtari i Presidencës, Millorad Dodik, pas seancës tha se nuk i përkrah procedurat për miratimin e marrëveshjes ndërmjet Bashkësisë Islame dhe Bosnje dhe Hercegovinës.

Ai beson se përmes saj “besimtarëve të një bashkësie fetare u jepen të drejta më të mëdha se të tjerëve”.

“Unë nuk jam kundër raporteve ndërmjet Bosnje dhe Hercegovinës dhe Bashkësisë Islame, por është e papranueshme ndryshimi i procedurës për miratimin e një marrëveshjeje të tillë”, tha Dodik.

“Shjegimi i Komshiqit dhe Xhaferoviqit është i papranueshëm. Duket se pas 15 vjetësh e zbuluan se Bashkësia Islame është vendase ndërsa Kisha Ortodokse Serbe dhe Vatikani janë subjekte të huaja”.

“Ata duan të thonë se serbët dhe kroatët, ortodoksët dhe katolikët janë të huaj këtu, dhe se i vetmi faktor vendas këtu është Islami. Dhe ata kërkuan që ajo të miratohej nga Presidenca, jo nga Asambleja Parlamentare e Bosnje dhe Hercegovinës dhe kjo është e papranueshme”, shtoi Dodik.

Ligjet e Bosnje dhe Hercegovinës parashohin që marrëveshjet ndërkombëtare, siç janë ato me Kishën Katolike dhe atë Ortodokse, të nënshkruhen nga Presidenca.

Bashkësia Islame thotë se pavarësisht faktit se e ka selinë në Sarajevë, dëshirojnë që të kenë të njëjtin status, pra që të nënshkruajnë marrëveshje me Presidencën.

Anëtari i presidencës trepalëshe, Zhelko Komshiq, tha se marrëveshja me Bashkësinë Islame nuk i nënshtrohet procedurës me të cilën lidhen dhe marrëveshje ndërkombëtare me ato subjekte që kanë një “element të të huajve”.

“Njëri mendim është se nuk duhet të kalojë përmes procedurës së ratifikimit, sepse ju në fakt nuk keni një bazë ligjore për ratifikim në këtë rast”, shpjegoi Komshiq.

Marrëveshjet ndërkombëtare në Bosnje dhe Hercegovinë duhet të ratifikohen nga Këshilli i Ministrave dhe Parlamenti.

Çfarë do të ndryshonte marrëveshja?
Një nga çështjet më të diskutueshme në marrëveshje është çështja e shkuarjes në xhuma (falja ditën e premte nga ana e myslimanëve).

Millorad Dodik tha se është e papranueshme që myslimanëve t’iu mundësohet pushimi nga puna në kohën e faljes së xhumasë sepse kjo, sipas tij, do të ishte diskriminim. Nga ana tjetër, Komshiq tha se besimtarëve myslimanë këtë ua obligon feja.

“Ne nuk jemi ata që do ta çaktivizojmë atë të drejtë. Pra, është e jona të pranojmë atë që është një manifestim i fesë, siç e pranojmë kur bëhet fjalë për Kishën Ortodokse dhe Katolike, ky është detyrimi ynë. Pra, ky është mendimi im”, u shpreh Komshiq.

Këshilltari i Bashkësisë Islame, Mustafa Përlaça thotë:

“Nuk duam që punëdhënësit apo dikush të dëmtohet nga kjo, nëse ka vullnet kjo mund të diskutohet dhe të gjendet një zgjidhje”.

Marrëveshja do të vendoste rregullat për të drejtat e krijimit të organizatave humanitare, shkollave fetare në të gjitha nivelet dhe për ndërtimin e xhamive.

Në bazë të marrëveshjes, shteti do t’i garantonte Bashkësisë Islame ndër të tjera edhe këto:

Lirinë e komunikimit me bashkësitë e tjera islame.
Lirinë e kryerjes së misionit fetar dhe shërbimeve fetare.
Paprekshmërinë e pronës, objekteve zyrtare dhe objekteve fetare.
Lirinë e posedimit, shtypjes, botimit dhe shpërndarjes së librave, gazetave, revistave dhe materialeve audiovizive.
Të drejtën për të krijuar një stacion radioteleviziv.
Lirinë e shfaqjes së simboleve.
Kompetencat për të standardizuar, akredituar dhe certifikuar cilësinë e ushqimit hallall.
Marrëveshja gjithashtu do të rregullonte edhe garancitë e lirisë së fesë për kohën e lirë për të kryer iftar gjatë muajit të agjërimit, të drejtën e largimit nga puna për kryerjen e haxhit, ritin e kurbanit, synetinë, namazin, zgjedhjen e ushqimit dhe veshjen.

Përlaça thotë për Radion Evropa e Lirë se përmes kësaj marrëveshjeje do të mund të zgjidhej në planin afatgjatë edhe çështja e mbajtjes së shamisë në Forcat e Armatosura apo institucionet gjyqësore.

“Në Islam mbajtja e shamisë për gratë është një detyrim dhe jo një tipar. Shteti duhet të jetë i detyruar të sigurojë që njerëzit të shfaqin dhe të zbatojnë rregullat fetare”, thotë ai.

Megjithatë, sipas tij, marrëveshja nuk e përmend, për shembull, rregullin që lidhet me mbulimin e fytyrës, pra veshjen e nikabit.

Përveç kësaj, marrëveshja do të ndihmonte që në planin afatgjatë të rregullohej problemi i strukturave paralele fetare, pasi përmes saj do të përcaktohej qartë se kush dhe në çfarë mënyre mund të ndërtojë xhami, por edhe kush është autoriteti fetar islam në Bosnje dhe Hercegovinë.

Dokumenti parasheh që çështja e edukimit fetar dhe mësimit të Islamit të jetë përgjegjësi vetëm e Bashkësisë Islame, e cila përmes kësaj do ta kishte më të lehtë të bënte kontrollin e përhapjes së mësimeve radikale dhe interpretimeve të ndryshme të islamit.

“Ndarja dhe pastaj bashkëpunimi mes autoritetit politik dhe atij fetar është një tendencë kryesore në shtetet moderne. Marrëveshjet apo traktatet tregojnë gjithashtu se shteti dhe komunitetet fetare bien dakord për të punuar drejt të mirës së përbashkët”, thotë Fikret Karçiq, profesor në Fakultetin Juridik dhe të Studimeve Islame në Universitetin e Sarajevës.

Çfarë rregullojnë marrëveshjet me Kishën Katolike dhe atë Ortodokse?
Negociatat midis Selisë së Shenjtë dhe Bosnje e Hercegovinës zgjatën për katër vjet derisa u nënshkrua Marrëveshja Themelore më 2006. Traktati rregullon çështjet e pavarësisë së Kishës, por edhe çështje praktike që lidhen me kryerjen e obligimeve fetare, pastaj festave dhe të drejtën për ditë pushimi nga puna.

Marrëveshjet rregullojnë edhe çështjen e të drejtës së fshehtësisë së rrëfimit, si dhe mënyrat e zgjedhjes së peshkopit, por edhe pasurisë së kishave.

Çështje tjera që rregullohen janë edhe ato të edukimit fetar dhe zgjedhjen e mësuesve fetarë.

Kontrata me Kishën Ortodokse Serbe është e ngjashme me atë të Kishës Katolike.

Kur bëhet fjalë për komunitetin hebre në Bosnje dhe Hercegovinë, ende nuk ka marrëveshje me shtetin dhe ky komunitet nuk e ka kërkuar deri më tani një të tillë.

Continue Reading

Kosovë

Vendosi reklamën mbi muralin e Nexhmije Pagarushës, gjobitet biznesi në Prishtinë

Published

on

By

Një biznes në Prishtinë vendosi reklamën e tij mbi muralin e bilbilit të muzikës, Nexhmije Pagarushës, që u ‘rijetësua’ para tri javësh nga artistët e ‘Mural Fest Kosova’.

Menjëherë pas kësaj, gjatë ditës së sotme kanë ndërhyrë Inspektorati i Komunës së Prishtinës dhe Policia, për ta larguar reklamën.

Drejtori i Inspekcionit në Prishtinë, Adonis Tahiri, ka njoftuar se pas heqjes së reklamës pala është dënuar me një gjobë prej 400 eurosh.

“Reklama u hoq dhe pala u dënua! Uroj që të ngritët vetëdija e secilit, e të mos përsëriten më raste të tilla!”, ka shkruar Tahiri në një postim në Facebook.

Kujtojmë që murali i Nexhmije Pagarushës u vendos në fillimi të nëntorit, në një objekt në rrugën “Qazim Hoxha”, në Prishtinë. /abcnews.al

Continue Reading

Lajme

Skandaloze: Ministri shqiptar “hakmerret” ndaj ish kandidatit për kryetarë komune, e largon nga puna! (Dokument)

Published

on

By

Skandaloze: Ministri shqiptar “hakmerret” ndaj ish kandidatit për kryetarë komune, e largon nga puna! (Dokument)

BDI nëpërmjet ushtarëve partiakë, konkretisht, Ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi ka bërë shkelje të rëndë ligjore kur ka vendosur t’a largojë nga puna, ish kandidatin për kryetar të Komunës së Zhelinës, Mahir Ziberin.

Telashet për ish kandidatin e ASH-së, kishin nisur që nga dita kur z. Ziberi shpalli kandidaturën e tij për të parin e Komunës së Zhelinës, kandidaturë kjo që nuk ju kishte pëlqyer jo vetëm strukturave lokale të BDI-së, në Zhelinë, por edhe strukturave më të larta partiake.

BDI si duket, rëndë i ka përjetuar humbjet e veta në këto zgjedhje, jo vetëm në dy komunat me të mëdhaja Tetovë e Gostivar, po edhe humbja në Zhelinë, ku kandidati kësaj partie edhe pse si humbës i para katër vjetëve, humbi sërish edhe në këto zgjedhje me një rezultat të ngushtë. Kjo humbje, me sa duket i është bërë halë në sy, BDI-së, dhe si faj kryesor të kësaj humbje, padyshim që i faturohet Mahir Ziberit, sepse ishte pikërisht kandidatura e tij që ia pa mundësoj kandidatit të BDI-së, Fatmir Izairit fitoren nga rrethi i parë. Për më tepër duke marrë parasysh edhe faktin se në rrethin e dytë, falë edhe ndihmës që Aleanca për Shqiptarët i dha kundër kandidatit të BDI-së, ka irrituar tejmase krerët e BDI-së, gjë që për pasojë në shenjë hakmarrje kanë pushuar nga puna Mahir Ziberin, administrator publik për më shumë se një dekadë në Ministrinë e Ekonomisë.

Edhe pse zyrtarisht, nuk ka pasur kurfar paralajmërimi për ndërprerjen e marrëdhënies së punës, z. Ziberi para paralajmërim i ishte ndërprerë rroga, po për shkak të procesit zgjedhor respektivisht heshtjes zgjedhore që përkonte me datën e pagesës së rrogës me insistimin e vetë Mahir Ziberit, kjo ngjarje nuk u alarmua.

Mirëpo ajo çfarë bie në sy, se vendimi për ndërprerjen e marrëdhënies së punës nga vetë ministri Bekteshi është nënshkruar më datë 16 nëntor, por qëllimshëm nuk i u është kumtuar në të njëjtën ditë dhe me sa duket kanë pritur një kohë më të përshtatshme, apo ndonjë ngjarje tjetër, si puna e tragjedisë së autobusit në Bullgari, për ta mbuluar turpin që të kalojë në hije, të një ngjarjeje tjetër.

Nga Aleanca për Shqiptarët akoma nuk janë prononcuar për rastin në fjalë, ndërsa ish kandidati Mahir Ziberi, ditëve në vijim, është duke përgatitur procedurë ligjore ankimimi kundër këtij vendimi skandaloz të militanti partiak të veshur me petkun e pushtetit.
/fol.mk

Continue Reading

Kosovë

Sveçla: Vrasësit i jap ultimatum të dorëzohet, po koordinohemi edhe me AKI për rastin e Gllogjanit

Published

on

By

Sveçla: Vrasësit i jap ultimatum të dorëzohet, po koordinohemi edhe me AKI për rastin e Gllogjanit

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla i ka dhënë ultimatum vrasësit të tre personave në Gllogjan të Deçanit që të dorëzohet sa më shpejtë në Polici.

Sveçla në një konferencë për media tha se kanë vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet që të zbulojnë këtë rast, transmeton Telegrafi.

“Me të marrë lajmin jam kthyer në Kosovë dhe jam nisur drejt Deçanit për të takuar gjithë strukturat policore, por edhe prokurorët e rastit dhe për të shprehur gatishmërinë tonë që të vëmë në funksion gjithë kapacitetet e shtetit në zbulimin e këtij rasti, dhe lehtësimin e dhimbjeve për familjarët. Dua të bëjë ftesë të gjithë qytetarëve që për çfardo informacioni t’i drejtohen Policisë dhe rasti të zgjidhet sa më parë”, deklaroi ai, përcjell Telegrafi.

Ministri tha se Policia është duke u dakorduar edhe me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës.

“Tashmë kemi informacione të ndryshme, të cilat policia nën direktivat e prokurorisë është duke i trajtuar. Janë dukë u trajtuar disa pista. Po ashtu, i bëj ultimatum vrasësit të dorëzohet, për shkak se për çdo ditë ai rëndon të tjerët, kushdo që ndihmon vrasësit implikohet me vepër penale. Sa më parë që dorëzohet aq më mirë për rrethin e tij. Unë mund të garantoj se jemi të vendosur që kapacitetet tona shtetërorë janë në dispozicion të zbulimit të rastit. Policia po koordinohet edhe me AKI”, u shpreh ai.

Ndryshe, mbrëmë rreth orës 19:00 është sulmuar me armë zjarri një autobus në Gllogjan të Deçanit, ku të vrarë kanë mbetur tre persona, shoferi dhe dy nxënës.

Autori i krimit ka qenë i maskuar, ndërkohë Policia është në kërkim të tij.

Policia përmes raportit 24 orësh, ka njoftuar se autobusi është sulmuar me armë zjarri që është AK-47. /Telegrafi/

Continue Reading

Aktuale