Connect with us

Kolumna

Nxënësi, prindi, shoqëria dhe shteti

Published

on

Nga Mustafë Krasniqi

Fjala e mësimdhënësit Mustafë Krasniq e mbajtur në Konferencën e përbashkët të institucioneve të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës me mësimdhënësit shqiptarë në mërgatë

Fillimisht temën po e nis me thënien e(Piazhe Griande). “Qëllimi kryesor i arsimimit është që të krijojë njerëz që janë të aftë të bëjnë gjëra të reja, jo thjesht ta përsërisin atë që kanë bërë brezat e tjerë…”

Gjuha ka vlerë të madhe dhe shumë të rëndësishme, pa të cilën nuk kultivohet as kultura dhe as qenësia e një populli. Kështu, kultura lidhet ngushtësisht me qenësinë e një populli i cili ndodhet në atdhe dhe mërgim . Andaj, kur flasim për gjuhën dhe vlerat e saj, ne do të ndalemi te një dukuri shqetësuese, që e hasim te mërgata jonë shqiptare, konkretisht te fëmijët mërgimtarë, te të cilët e folmja e tyre në gjuhën shqipe, jo vetëm që ka filluar të zbehet, po dita-ditës po vjen duke u shuar dëshira për ta mbajtur gjallë ndjeshmërinë e të shprehurit në gjuhën e nënës. Ndaj duke parë mirëfilli këtë fenomen duhet të mbajë përgjegjësi: shteti, shoqëria, sidomos prindi, i cili shpesh gjendet në hamendje përballë dy realiteteve:

– Brezi i dytë, në përpjekje për t’u integruar me kulturën vendase, bëhet më i pa interesuar për gjuhën e origjinës!

– Në anën tjetër injorimi, duke menduar se gjuha shqipe nuk iu hyn në punë, apo se atë e dinë mjaft, ka krijuar një mendim a bindje shumë të gabuar se gjuha e origjinës po i pengon fëmijët në përvetësimin e gjuhës së vendit, në të cilin jetojnë .

Të dy këto pohime nuk qëndrojnë, sepse njohja e gjuhës amtare është një vlerë më tepër për fëmijët, pasi ata, kështu, arrijnë suksese edhe më të mëdha. Megjithatë, duhet ta pranojmë një fakt se në mesin e shoqërisë, prindërit e mërguar, pa dashje i ngatërrojnë këto dy koncepte, të cilat jo vetëm që bëhen pengesë për fëmijët a nxënësit të mos e vijojnë shkollën shqipe, por kështu humbet shumëçka shqiptare. Në këtë gjendje arrihet pasi ata nuk janë të informuar si duhet, prandaj edhe botëkuptimi i tyre është i gabuar dhe kështu ata bien në ndikimin e atyre që thonë: «Gjuha amtare, pra shqipja, nuk i duhet fëmijës tim, ngaqë është e tepërt.» Kështu ata justifikojnë atë, se fëmijët e tyre e njohin mjaftueshëm gjuhën shqipe dhe nuk kanë nevojë të shkojnë në mësimin plotësues.

Pra, për këtë arsye raporti i mirë i shtetit, shoqërisë dhe i prindit është shumë i nevojshëm, duke mbajtur marrëdhënie shumë më bashkëpunuese, sepse kështu fëmijët do të jenë shumë më të nxitur për ta njohur identitetin, trashëgiminë, kulturën dhe gjuhën e tyre, prandaj ata me vullnet do të shkonin edhe në shkollën shqipe. Në këtë rast mësimdhënësi dhe prindi do të ishin çelës kryesor, pas rolit të shtetit dhe shoqërisë. Përpos kësaj kemi edhe një fenomen shqetësues që ndodhë në familjet tona shqiptare, ku gjejmë fëmijë, të cilët komunikojnë vetëm në gjuhën vendore, apo fëmijë të cilët fare pak e flasin shqipen, po edhe nëse e flasin, atë e përziejnë shumë me gjuhën e vendit, ku jetojnë.

Roli i shtetit dhe i shoqërisë në vetëdijesimin e prindit për ta sjellë fëmijën në mësimin e gjuhës shqipe

Ky shqetësim nuk duhet të jetë vetëm i atyre që përpiqen me forca vullnetare, për ta mbajtur gjallë mësimin në gjuhën amtare. Në këtë rrugëtim ka pasur edhe pengesa të qëllimta, qoftë të natyrës individuale, apo përpjekjeve tjera, të cilat kanë ndikuar të mos rritej numri i nxënësve, mbase diku – diku dhe të largohen nga procesi mësimor. Prandaj, për këtë arsye shteti duhet ta ketë një përkujdesje të veçantë, që ta shndërrojë vullnetarizmin në përgjegjësi institucionale e të nxjerr praktika studimore, duke u mbështetur në vizionin dhe misionin e saj.

Konkretisht duke e trajtuar si shtyllë kryesore me përgjegjësi institucionale e duke i ikur formalitetit me arsyetimin se: “Ne, në kuadër të shtetit, po bëjmë të mjaftueshmen, duke ju furnizuar me libra falas, apo me mbajtjen e ndonjë seminari.” Kjo, gjithsesi është në të mirë të nxënësit dhe mësimdhënësit, por nuk është çështje themelore. Ajo që është, në radhë të parë, e rëndësishme ka të bëjë me vetëdijesimin e prindit që nxënësit t’i sjellin në shkollë! Nëse nxënësin nuk e kemi në shkollë ç’ rëndësi ka dhurimi i librave, duke mos dashur të futem në pjesën e asaj se a janë të përshtatshme ato dhe sa është pyetur mërgimtari me aftësi profesionale? Konkretisht duke bashkëpunuar mirëfilli me Këshillin Koordinues, duke e përfillur profesionalizmin dhe strategjinë e tij, arrihen suksese të mëdha në ngritjen e vetëdijes së prindit, që gjuha amtare, pra shqipja duhet të flitet dhe shkruhet. Ajo duhet të flitet e shkruhet edhe për këto arsye:

-Gjuhën amtare fëmijët tanë nuk e kanë të pranishme nëpër institucione, sidomos në ato shkollore e kulturore.

– Fëmija, që e njeh mirë gjuhën amtare, do të jetë edhe më i mirë në gjuhën e shtetit, ku jeton.

–Fëmija në vend të huaj, duke e njohur traditën, historinë dhe kulturën e origjinës, do të dijë të jetë i suksesshëm edhe në kulturat tjera, meqë ai tanimë e ka një përgatitje më shumë se të tjerët.

Nëse ne kemi arritur t’i bindim prindërit, patjetër se fëmijët do të kenë vullnet për të qenë pjesë e shkollës shqipe, kuptohet nëse institucionet tona (Shqipëri, Kosovë, Iliridë) i japin përgjegjësi institucionale këtij Këshilli, në këtë rast KKAD-në, i cili në gjirin e tij ka kuadro shkencore e profesioniste, kështu jo vetëm që do të kemi rritje të numrit, po edhe kualitet të mësimdhënësve dhe strategji në përfshirjen e pjesëmarrësve të tjerë, siç mund të jenë shoqatat dhe bizneset.

Por, ajo që e lëndon mërgimtarin, konkretisht veprimtarin e devotshëm, që me vite të tëra ka derdhur mund e djersë në çështjen e mësimit plotësues, sikur është injoruar nga institucionet, zëri i të cilit nuk është përfillur edhe pas paralajmërimeve se fëmijët mërgimtarë, brezi i dytë ka filluar ta belbëzojë gjuhën amtare kurse brezi i tretë mund dhe ta harrojë në tërësi. Nga këto të dhëna shqetësuese, që i janë ofruar institucionit përkatës, janë përgjigjur vetëm me vizita dhe premtime, duke mos nisur ndonjë punë konkrete, prej së cilës do të kishte suksese, së pari, duke u rritur numri i nxënësve, meqë kjo është puna më rëndësishme. Në anën tjetër nuk ka, të paktën as ndonjë vlerësim, a mirënjohje, për veprimtarë, të cilët janë përpjekur për ruajtjen e gjuhës shqipe te fëmijët mërgimtarë.

Kur flasim për shtetin, shoqërinë, në këtë drejtim komuniteti shqiptar, kudo në botë, ka një perspektivë individuale dhe kjo është shumë lavdërueshme, prej nga shtet e atdheut tonë përfitojnë, të paktën krenari morale. Por, kur flasim për shkollën shqipe kjo sikur nuk zgjon ndonjë interes të veçantë. Jo pse mungon dëshira, por sepse mungon strategjia. Shpesh edhe injorimi del në pah, me thënien: “Ne kemi shtetin dhe shteti duhet të kujdeset për shkollën e mësimdhënësit e diasporës.” Kurse vullnetarizmit i ka ikur ngjyra dhe vetë ky pohim bëhet justifikim i asaj, nëse përmes shtetit nuk krijohen rrethanat për të pasur besimin te bashkëkombësit, suksesi jo vetëm që do të jetë i mangët, por dhe ky numër simbolik nxënësish në shkollë do të shkojë drejt rënies.

Prindi mësuesi dhe nxënësi

Prindi,- Kur flasim për këtë fenomen, se si duhet t’i nxisim prindërit që fëmijët t’i sjellin në shkollë, duhet t’i kemi parasysh këto rrethana:

Nivelin e prindit, informacionin e duhur dhe bindja se shteti e mbështet zyrtarisht procesin mësimor.

Nëse prindi informohet mirë dhe e sheh si një obligim moral, i nxitur edhe nga shteti, ai patjetër se do të jetë shumë më i gatshëm të kryejë detyrimin ndaj fëmijëve të tij për t’i çuar në shkollën shqipe.

Mësues-i/ja, kur të dalë para nxënësve, të jetë i/e afërt me nxënës dhe t’i përfitojë ata shpirtërisht, me urtësi e të gjejë shkas për t’i motivuar, që ata të ndihen të vullnetshëm dhe të vijnë me gjithë dëshirë në shkollë. Kjo bëhet, nëse mësimdhënës-i/ja, tregon një barsoletë, përrallë, pikë humori e pse jo, me dy tri vargje të një kënge. Kështu t’ia fillojë mësimit, duke mos e rënduar nxënësin me materiale të shumta shkollore se ka mundësi të mërzitet.

Mësimdhënësi në kohën kur sheh, se nxënësit nuk kanë kujdes dhe janë shpërqendruar duhet të gjejë forma për ta rikthyer vëmendjen e tyre në mësim, me metodat e lartpërmendura.

Ta shkruajë në tabele një pyetje motivuese ose edhe vizatojë, apo të bëjë një lojë fjalësh p.sh.:

Ta marrim një sekuencë nga përralla: “Gjeli, qeni dhe dhelpra”

Ç’ i tha dhelpra gjelit?
Përmes kësaj pyetje shohim në aspektin logjik se si nxënësi e krijon dhe e shkruan fjalinë. Në këtë lojë logjike e fusim edhe aktrimin, qoftë në lexim, apo dhe në interpretim.

Nxënës-i/ja, që në ditën e parë duhet të fitojë bindjen e mirë, për mësimdhënës-in/en, kështu në orën tjetër do të vijë me dëshirë, njëkohësisht mësimdhënës-i/ja, bëhet shkak i një bisede të mirë edhe në familjen e nxënësit.

Nëse arrin që nxënësi më dëshirë t’ia shpjegojë prindit, mësimin, apo ligjërimin e mësues-it/es. në shtëpi, që këtu shihet arritja e mësimdhënës-it/es.

Shteti duhet të jetë promotor kryesor, përmes planeve, të ministrive përkatëse të tij, të jetë bashkëpunues me prindin dhe mësimdhënësin për ta arritur qëllimin, që nxënësi të jetë pjesë e mësimit plotësues.

Në fakt vijimi i fëmijëve shqiptarë në mësimin plotësues arrin vetëm një numër simbolik, e nëse shteti, shoqëria, prindi dhe mësimdhënësi nuk bashkëpunojnë në këtë drejtim, në të ardhmen e afërt do të përballemi me harrimin e gjuhës amtare te brezi i tretë i fëmijëve mërgimtarë.

Njëkohësisht shteti ta përkrah unifikimin diasporës shqiptare, për shkollën shqipe dhe ta parandalojë një artikulim të rrezikshëm, që heshtur po qarkullon, se gjoja në këtë drejtim nuk ka pajtueshmëri mes institucioneve të dy shteteve tona, prandaj kështu zëri i fuqishëm i ministrive përkatëse, këtë artikulim të rrezikshëm mund ta parandalojë. Mërgata shqiptare është një dhe duhet të jetë e unifikuar, me qëllim që së bashku të arrijmë rezultate sa më të mira edhe për përfshirjen sa më të madhe të fëmijëve shqiptarë në shkollat shqipe të diasporës.

Continue Reading

Kolumna

A kanë zemër dhe ndërgjegje Rama e Meta!

Published

on

By

A kanë zemër dhe ndërgjegje Rama e Meta!

Naser Pajaziti

Sot ditë zie në Maqedoninë e Veriut, Kosovë e Bullgari, ndërsa në Shqipëri ditë e zakonshme.

Në Nenin 8 të Kushtetutës së Shqipërisë thuhet: Republika e Shqipërisë mbron dhe kujdeset për të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj.

Por, çka se ky nen?!

Kot fare për Edi Ramën e Ilir Metën!

Për ta gjithçka mori fund me një postim rutinor ngushëllimesh sikur edhe kryeministrat e tjerë botëror.

Terkun nuk e prishën as televizionet me programaciomet e tyre. Dramat, përçyrrjet në BB dhe alivanosja e Fifit po duken më interesante se një tragjedi fatale ku humbën jetën 46 bashkëkombas, mes tyre 12 fëmijë.

Pse ky mosinteresim apo edhe injorim, kur shohim se shtetet fqinje kanë strategji dhe plane speciale për bashkëkombasit e saj jashtë kufijve. Pse kjo molisje kombëtare pikërisht nga qendra e shtetit shqiptar.

Continue Reading

Kolumna

Kauza dhe tradhtia

Published

on

By

Kauza dhe tradhtia

Politika bazohet mbi racionalen dhe të mendueshmen kurse raportet njerëzore mbi ndjeshmërinë dhe empatinë reciproke. Si shoqëri duhet përpjekur parreshtur që të mbajmë gjallë empatinë si mundësi për ta shpëtuar dashurinë dhe njerëzoren, kurse kritikën dhe arsyen si instrumente për ta emancipuar politikën dhe politikbërjen varësisht paradigmës politike

Nga Latif MUSTAFA

Ditët që kaluam ishin dramatike për shtetin dhe shoqërinë. E si mos të jenë dramatike për një shoqëri e cila e ka të lidhur fatin e vet me buxhetin e shtetit resursi i “vetëm”i mbijetesës. Nëse do të ishim një shtet dhe shoqëri ku shteti nuk do të ishte punëdhënësi më i madh, por sektori privat do të ishte determinuesi i mirëqenies ekonomike dhe sociale, kritika dhe vetëdija qytetare, për më tepër, fatin e tij qytetari do ta lidhte me shkathtësitë e tija intelektuale dhe teknike dhe jo me servilizmin, mllefin dhe besimin e verbër në raport me mbijetesën e tij. Kështu ndodh edhe tek ne.Njerëzia dalëngadalë përmes entropisë dhe regresit po i ofrohet nivelit të gjendjes natyrore ku njeriu për njeriun po bëhet ujk, sipas thënies së Hobsit homo hominis lupus est në kuptimin që shoqëria në fillimet e saja ishte në gjendje natyrore lufte dhe gjithandej mbretëronte kaosi.

Një imazh të tillë përplasjeje e krijuan mediet sociale paçka se në rrjete, grupet të cilat bëjnë zhurmë janë zakonisht militantët partiak, ata të cilët interesin e tyre e kanë ngushtë të lidhur me partinë, gjegjësisht, ata të cilët militantizmin ideor e ndërlidhin me interesat ditore partiake. Pa harruar që kemi një grup militantësh ideor, të rrallë në vetvete, por që kanë një maturi dhe vetëdije të lartë politike dhe veç se në momente kruciale bëjnë avokimin e çështjeve të caktuara të politikave të mëdha dhe afatgjate. Përtej kësaj, bazuar në vetë nocionin zhurmë, pra ata nuk janë zëra të sinkronizuar racional të cilët manifestojnë një etikë të lartë komunikimi dhe diskutimi por betejat e tyre, “kritikat” e tyre janë sëmbime, hakërrime të ngufatura në një sipërfaqe muri dhe shfryrje dufi e mllefi personal të akumuluar nga fenomente të ndryshme sociale.

Akumulime të tilla shfrenuese dhe skizofrenike zakonisht shpërfaqen tek individë të cilët fshihen prapa një nocioni autodisfatist të keqkuptuar dhe keqinterpretuar siç është termi kauzë e që në gjuhën shqipe e njohim me sinonimin çështje. Nocioni apo shënjimi politik për lëvizjet e mëdha politike është kauzë që në vete ngërthen njëfarë lloj autoriteti moral që nënkupton se ajo ka gjithë legjitimitetin e një “elite” politike që avokon për këtë kauzë. Gjithkush dhe gjithçka jashtë kauze është e shitur dhe tradhti. Normalisht, që e gjithë kjo histeri ka një pasplan të ndërtimit dhe akumulimit historik, gjegjësisht, historiografisë enveriste e cila e projektonte dhe kishte krijuar një leksik të ri politik bazuar në narracionin historik brenda binomit tradhtar-patriot. Të gjithë disidentët dhe kritikët e regjimit ishin të shitur dhe tradhtarë ngaqë ata ishin edhe kundër interesave të popullit. Figurat historike nga të cilët frymëzoheshin këto disidentë dhe kritikë njashtu ishin të shënjuar si tradhtarë, kolabracionistë dhe të shitur tek “armiku i huaj”. Kjo lloj terminologjie politike preku edhe shqiptarët jashtë Shqipërisë, në Kosovë dhe Maqedoni, qoftë përmes librave të historisë qoftë përmes kinematografisë së Shqipërisë enveriste ku gjithçka kundër partisë, ishte edhe kundër popullit. Kundërshtarët e popullit ishin të shitur dhe armiqtë të saj. Ata meritonin çdo lloj persekutimi, linçimi dhe internimi.

Gjuha prodhon realitet. Gjuha shpërfaq mendësi. Gjuha definon kufijtë e mendimit. Ajo shpërfaq edhe traumat, botën fiktive dhe të pavetëdijshme. Gjuha të tradhton. Analizat krejt sipërfaqësore të diskursit politik që eksponentëve të rëndësishëm politik shpjegon ndërtimin e tyre politik. Mendësia dhe pasplani ideologjik i ndërtimit politik të partive të tranzicionit trashëgoi shumë nga mendësia monocentriste e sistemeve socialiste. Nga kjo trashëguan edhe lëvizjet fetare të cilat sot veprojnë në trojet tona, me ç’rast ngrehina e tyre ideologjike edhe pse ndërtohet nga parimet e selektuara të kodeksit fetar, diskursi politik i tyre përkon me diskursin e socializmit arab i cili ishte një produkt dhe miksim i vulgarizimit stalinist dhe nacionalizmit arab. Nocionet si kauza, tradhtia, armiqtë e popullit, të shiturit dhe të ngjashme janë tipike diskurse dhe narrative të sistemeve autoritare dhe diktatoriale dhe që është vështirë për të vendosur demarkacionin shpjegues se çfarë është disidencë, çfarë është mendim ndryshe dhe çfarë është një qëndrim i mirëfilltë politik e partiak.

Militantëve të interesave ditore të cilët burim të vetëm financiar e kanë partinë mbase u falet sepse frika është më e fortë se çdo mendim racional dhe në momente frike njeriu habitet edhe nga vetja e lëre më nga të tjerët. Yryshi dhe turrja e tyre për të “kryqëzuar” gjithkënd që mendon ndryshe shpërfaq një lloj hipokrizie të lartë e cila nuk është gjë tjetër veçse akumulim i traumave sociale që ushqehen e mbarështrohen si diskurs opozitar e që në fakt janë veç shkarje me nuanca psikotike. Kurse eksponentët politik, kur ata, në vend të termit “interes publik” përdorin termin “kauzë”, në vend të frazës “rrugëtim tjetër politik” e përdorin përcaktorin pezhorativ “i shitur” në vend të frazës “shpërdorim të interesit qytetar” e përdorin nocionin “tradhtar”, kjo nënkupton se prapavija dhe ngrehina mendimore e këtyre eksponentëve, që për fat të keq janë shumë, akoma jeton dhe ushqehet me terminologjinë e shekullit XIX dhe XX, epokën e përplasjeve të mëdha ideologjike dhe politike. Për më tepër termin tradhti e komentojnë nga prizmi shtypës me vokacion dhe mendësi seksiste me çrast politikës i japin ngjyrim gruaje dhe e identifikojnë me seksin dhe marrëdhëniet ndër gjinore, ku tradhtia ndërlidhet me gjininë femërore dhe kurvërinë dhe si e tillë politika mbetet një “kurvë” dhe ato që “tradhtojnë” janë “kurva” politike. Brenda kësaj nënvetëdijeje ideologjike enveriste, fshihet edhe një lloj perversiteti seksist.

Më e rënda nga këto është persekutimi moral që i bëhet tjetrit në saje të një superioriteti të vetëshpallur moral të subjektit politik. Moralizimi, gjegjësisht, kritika për mungesë morali është nga kritikat më të rrepta dhe me pasoja të rënda shoqërore duke marrë parasysh faktin se jetojmë në shoqëri të ngushtë dhe njerëzit njihen me njëri tjetrin. Ky lloj persekutimi rrezikon t’i dekonstruktoj raportet tona shoqërore duke i shpier ato drejt një situate fiktive politike me çrast raportet farefisnore, shpirtërore dhe vëllazërore marrin kuptin dhe bëhen të njëmendta veç nëse janë brenda kornizës së sentimentit të çmendur politik. Në anën tjetër, partia politike, asnjëherë nuk mban kriterin e vërtetësie së gjërave dhe ajo vepron mbi interesat e përkohshme të grupeve të interesit dhe rrallë përfaqësojnë ndonjë interes të përgjithshëm publik.

Rrjedhimisht, kauza apo çështja asnjëherë nuk është partiake, por është fenomen i lëvizjeve shoqërore. Lëvizje kjo, qoftë edhe e ndërtuar përmes leksikut dhe aparatit përkatës ideologjik, ajo nuk mund të jetë partiake e cila kërkon votën qytetare për përfaqësim dhe delegim të pushtetit nga populli tek përfaqësuesi. Partia është grupim e cila synon përmes programit dhe apelit politik të kërkojë shtrirjen sa më të madhe të përfaqësimit të interesave publike brenda parlamentit dhe në qeverisjen e ardhshme qoftë lokale, qoftë qendrore. Kauza apo çështja ka të bëjë me lëvizjet historike të cilat, bazuar nga vetë nocioni çështje kanë të bëjnë me qenësinë dhe vazhdimësinë historike të një subjektiviteti i cili e vullneton shpërfaqjen në histori dhe vendos për veten. Çështja është rrugëtim i gjatë dhe idealistik. Në të kundërtën, brenda sistemeve demokratike ku ne operojmë me të vërteta të përkohshme, interesi publik është nocioni i duhur demokratik dhe i artikuluar racionalisht larg çdo emocioni, e cila për bazë e ka interesin e përgjithshëm publik si interes i universalizuar individual përbri raporteve me qytetin dhe shtetin. Politika bazohet mbi racionalen dhe të mendueshmen kurse raportet njerëzore mbi ndjeshmërinë dhe empatinë reciproke. Si shoqëri duhet përpjekur parreshtur që të mbajmë gjallë empatinë si mundësi për ta shpëtuar dashurinë dhe njerëzoren, kurse kritikën dhe arsyen si instrumente për ta emancipuar politikën dhe politikbërjen varësisht paradigmës politike.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)

Continue Reading

Kolumna

Mehmeti: Shqiptarët e Maqedonisë ndërtuan sistem piramidal të vlerave të rrejshme

Published

on

Shkruan: Kim Mehmeti

Ngjarjet e fundit rreth (mos)rrëzimit të qeverisë së Maqedonisë, më së miri tregojnë se gjitha partitë shqiptare, cila më shumë e cila më pakë, ‘din e iman’, parim e moral, ideologji e ideal…, kanë interesat personale të drejtuesve të tyre, interesa që realizohen vetëm me ardhjen me çdo kusht në pushtet.

Dhe gabon ai që beson se populli nuk e dinë këtë të vërtetë. Duke e ditur këtë, zgjedhësit e këtushëm shqiptarë, veprojnë sipas mendësisë se nga gjitha të këqijat, më së miri të del ta zgjedhësh ‘nënën’ e gjitha fatkeqësive, pra BDI’në, partin të cilës, gjatë këtyre dy dekadave sa ka qenë pjesë e gjitha qeverive, ia ke mësuar ‘sportelet’ dhe ia njeh ‘banditët’ partiak ku bëhet pagesa për proceset gjyqësore, për punësime, për lejet e ndërtimit, për blerjen e tokave shtetërore…

Më në fund, gjatë këtyre viteve sa drejtuesit e BDI-së merren me politika euro-atlantike, ajo realizoi diçka shumë të vlefshme për qarqet politike e policore maqedonase: e kriminalizoi shoqërinë e këtushme shqiptare, ndërtoi sistem piramidalë të vlerave të rrejshme, me çka u lartësua autoriteti i profesorëve që shesin nota, i mjekëve që e njohin vetëm ‘protokollin’ e thellësisë së xhepit, e gjykatësve që i nënshtrohet vetëm ligjit të euros dhe dollarit…!

Dhe si e tillë, BDI-ja u bë partner i pazëvendësueshme për partitë maqedonase. Pra, partitë opozitare shqiptare mund të bëheshin e të bëhen pjesë e qeverisë, vetëm nëse i shërbejnë kësaj partie. Dhe ato e dinë se gjatë zgjedhjeve, nuk kanë përballë vetes vetëm BDI-në, por edhe gjitha qarqet politike e policore maqedonase, e për çka pjesë të fajit kemi edhe të gjithë ne ‘patriotët’ tjerë, që i matim të tjerët, por kurrë nuk e peshojmë vetveten.

Andaj kurrë mos e besoni se ndonjë parti shqiptare vullnetarisht e ka braktisur koalicionin qeveritar, apo se e ka lënë pushtetin për arsye parimore. Këtë mos ua besoni as këtyre ‘besatarëve’ që u bënë deputet me votat e LSDM’së, sepse partitë tjera shqiptare, bëhen pjesë e qeverisë, vetëm sa për t’i mbuluar gjurmët ‘patriotike’ të burrështetasve të BDI’së!

Kështu që, edhe tani, kur flitet për partitë opozitare që do mund t’i bashkëngjiteshin qeverisë së tanishme të Maqedonisë, duhet thënë qartë e shqip: do bëhet parti qeveritare ajo që me kohë e ka vizituar Reçicën e Vogël, ku ka treguar sa e ka ‘çmimin’ dhe ku është betuar se me devotshmëri do i shërbejë BDI’së.

Duke u nisur nga kjo që u tha më lartë, artikullshkruesi vë bast publik se partia që tani do bëhet pjesë e qeverisë LSDM-BDI, do përfundojë me një autobus votuesish dhe do bëhet anëtare e ‘klubit’ të mjeranëve me zemër në Bruksel, që vetëkidnapohen në Shkup, klub i drejtuar nga ‘tregtari’ më i moçëm për shitblerje politikanësh shqiptarë – nga kryetari i partisë pa anëtarë, i PDSH’së, i cili deri dje, ua shante unazat ‘lindorëve’, e sot, Maqedoninë e mbron nga ndikimi ruso-turk?!

Continue Reading

Aktuale