Connect with us

Kolumna

Samiti Biden-Putin, befasues apo i shumëpritur?

Published

on

Instituti Ndërkombëtar për Lindjen e Mesme dhe Studimet e Ballkanit (IFIMES)[1] në Lubjanë, Slloveni, rregullisht analizon zhvillimet në Lindjen e Mesme, Ballkanin dhe në botë. Ambasadori Arben Cici është një diplomat, studiues, profesor dhe aktualisht këshilltar diplomatik i Presidentit të Shqipërisë. Në tekstin e tij me titull “Samiti Biden-Putin, befasues apo i shumëpritur” a i shkruan për situatën aktuale në marrëdhëniet SHBA-Rusi para takimit të parë të Biden-it me Putin që prej marrjes së detyrës.

● Ambasadori Arben Cici

 
Samiti Biden-Putin, befasues apo i shumëpritur

Shtëpia e Bardhë ka përgatiur me shumë kujdes udhëtimin e parë ndërkombëtar të Presidentit Joe Biden, që kur ai i zgjodh President i 47-të i ShBA-së. Vizita e parë e tij është në Evropë, ku klima mikpritëse duket se, përshumë arsye,është më pozitive, por edhe më sfiduese, pavarësisht pritshmërisë në rritje, se ajo ndaj paraardhësit të tij, ish Presidentit Donald Trump. Gjithsesi kjo agjendë do të jetë jo vetëm e ngjeshur, por edhe e nxehtë, si një përplasje gjeopolitike Samitesh në Evropë. Ajo filloi me Takimin e G-7, vazhdon më 11-13 qershor në Mbretërinë e Bashkuar, mandej me Samitin e NATO-s në Belgjikë, më 14 qershor, dhe përmbyllet me Takimin e nivelit të lartë me Presidentin rus Vladimir Putin. 

Rusia nuk merr pjesë as në takimet e G-7 dhe as në NATO. Ajo u pezullua nga ajo që ishte atëherë G-8 në 2014 pas aneksimit të Krimesë dhe në mënyrë të ngjashme, NATO pezulloi të gjithë bashkëpunimin me Rusinë në përgjigje të “veprimeve të saj agresive” në Ukrainë.

Takimi i parë i nivelit të lartë midis Presidentit amerikan dhe Presidentit rus, i cili do të zhvillohetmë 16 qershor në Gjenevë, u konfirmua njëkohësisht si nga Shtëpia e Bardhë ashtu edhe nga Kremlini. Ata lëshuan deklarata të shkurtra pa demonstruar një pritshmëri të lartëtë kësaj ngjarje, deri diku e papritur, nisur nga marrëdhëniet e tensionuara midis këtyre dy fuqive bërthamore. 

“…Udhëheqësit do të diskutojnë gamën e plotë të çështjeve të ngutshme, ndërsa ne kërkojmë të rikthejmë parashikueshmërinë dhe stabilitetin në marrëdhëniet SHBA-Rusi”, u nënvizua në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë mbi organizimin e këtij samiti.

Vetëm pak javë pas zgjedhjes President, Biden kishte pohuar në fjalën e tij para nëpunësve të Departamentit të Shtetit se ai do të kishte një qasje rrënjësisht të ndryshme ndaj Rusisë sesa paraardhësi i tij, Trump. 

“Ne synojmë të diskutojmë gjendjen dhe perspektivat e zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve Ruso-Amerikane, problemet e stabilitetit strategjik, si dhe çështje aktuale në agjendën ndërkombëtare, duke përfshirë ndërveprimin në luftën kundër pandemisë së koronavirusit dhe zgjidhjen e konflikteve rajonale”, deklaroi njëkohësish Kremlini zyrtar. 

Konteksti i vizitës:

Do të jetë takimi i parë i Biden me Putin që nga marrja e detyrës por jo i pari mes tyre, duke përfshirë edhe një takim të vitit 2011, i cili mbahet mend për shkëmbim batutash aspak miqësore mes tyre.

Ky samit vjen gati tre vjet pas takimit të Putinit me Trump (dhe të vetmit mes tyre) dhe zyrtarët e sotëm amerikanë pohojnë se takimi i Presidentit rus me Biden do të duhet të jetë ndryshe nga ai i korrikut 2018, gjatë të cilit Trump doli në krah të Putinit dhe hodhi hapur poshtë zbulimin e ShBA-së për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet 2016. 

Rusia, si “kërcënimi më i madh” për sigurinë e ShBA-së dhe aleancat e saj dhe raportet komode të ish Presidentin Trump me Putin, ishin një nga armët forta të kalit të betejës së Biden për në Shtëpinë e Bardhë për të zhvlerësuar figurën e kandidatit të tij kundështar, jo më larg se nëntorin e kaluar. 

Muajin e kaluar, administrata amerikane njoftoi se po dëbonte 10 diplomatë rusë dhe po sanksiononte dhjetëra kompani dhe individë rusë në përgjigje të akuzave të cështjes Solar Winds dhe ndërhyrjeve ruse në zgjedhjet presidenciale në ShBA. 

Edhe intervistat e muajve të fundit të të dy udhëheqësve, të shoqëruara me akuza për njeri-tjetrin, i ashpërsuan marrëdhëniet mes këtyre dy fuqive, të trazuara si asnjëherë tjetër, si pasojë e të cilave për herë të parë mbas 20 vitesh, Rusia thirri në Moskë ambasadorin rus në Uashington.

Megjithatë, çështjet madhore globale të ditëve të sotme dhe mosmarrëveshjet thellësisht të mprehta që shtrohen për zgjidhje sot mes ShBA-së dhe Rusisëdhe jo vetëm, i detyruan këta dy udhëheqës të hedhin mbrapa të kaluarën, edhe shumë të afërt, të raporteve jo shumë miqësore dhe të shigjetimeve të hidhura mediatike mes tyre, deri disa javë më parë.

“…Ne nuk takohemi me njerëz vetëm kur biem dakord. Në fakt është e rëndësishme të takohemi me udhëheqësit kur kemi një sërë mosmarrëveshjesh, siç po bëjmë me udhëheqësit rusë, ” nënvizoi sekretare e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, duke ju përgjigjur kështu edhe kritikëve të organizimit të këtij samiti të rëndësishëm. 

Çështjet e mundshme për diskutim: 
 
Rendi i ditës ende nuk është bërë publik por, sipas njoftimeve herëpashershme të Shtëpisë së Bardhe dhe Kremlinit,një sërë çështjesh të mprehta, në dinamikë dhe ndryshim të përditshëm, do të shtrohen për diskutim gjatë këtij samiti të madh. 

Me rendin e ditës janë ngarkuar këshilltari për sigurinë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Jake Sullivan dhe homologu i tij rus, Nikolai Patrushev, një rend dite, shtyllat dhe fryma e të cilit janë hedhur në takimin e 19 majit të Sekretarit të Shtetit të ShBA-së Antony Blinken me Ministrin e Jashtëm rus Sergey Lavrov. U shpreh publikisht gatishmëria për të hedhur ne tryeze të gjitha çështjet e mundshme për diskutim, pavarësisht në se arrihet marrëveshje apo jo.

“Unë ia bëra të qartë Presidentit Putin, në një mënyrë shumë të ndryshme nga paraardhësi im, se ditët kur Shteteve të Bashkuarastepeshin përballë veprimeve agresive të Rusisë – ndërhyrja në zgjedhjet tona, sulmet kibernetike, helmimi i qytetarëve të saj – kanë mbaruar,” pohoi Biden, i cili më 13 prill zhvilloi bisedën e parë telefonike me Putinin, bisedë që sipas komenteve dhe fjalëve të korridoreve diplomatike ishte “një shkëmbim i parë i tensionuar”.

Gjithsesi, nga njoftimi i Shtëpisë së Bardhë nënkuptohen se temat që do të mund të diskutohen janë të mprehta, të nxehta, zgjidhja e të cilave kërkon mund, vëmendje, vendosmëri, përgjegjësi, mençuri e shpirt kompromisi, për të mirën dhe interesat e të dy vendeve dhe të botës mbarë.

Ndaj, kur Presidenti Joe Biden do të takohet me homologun rus Vladimir Putin më 16 qershor, ai do të jetë një nga samitet më të ndjekur të vitit. 

“… Ata diskutuan një numër çështjesh rajonale dhe globale, duke përfshirë qëllimin e Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë për të ndjekur një dialog strategjik të qendrueshëm mbi kontrollin e armëve dhe çështje të reja të sigurisë, të bazuara në zgjerimin e “Traktatit të Ri START”. Presidenti Biden gjithashtu e bëri të qartë se Shtetet e Bashkuara do të veprojnë në mënyrë të vendosur në mbrojtje të interesave të tyre kombëtarë në përgjigje të veprimeve të tilla të Rusisë, si ndërhyrjet kibernetike dhe ndërhyrjet në zgjedhje. Presidenti Biden theksoi angazhimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara ndaj sovranitetit dhe integritetin territorial të Ukrainës. Presidenti shprehu shqetësimet tona në lidhje me ndërtimin e papritur ushtarak rus në Krimenë e pushtuar dhe në kufijtë e Ukrainës dhe i bëri thirrje Rusisë të ulë tensionet. Presidenti Biden riafirmoi qëllimin e tij për të ndërtuar një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të parashikueshme me Rusinë në përputhje me interesat e SHBA dhe propozoi një samiti në një vend të tretë në muajt e ardhshëm për të diskutuar gamën e plotë të çështjeve me të cilat përballen Shtetet e Bashkuara dhe Rusia”, thuhet në njoftimin zyrtar të Shtëpisë së Bardhe të datës 13 prill. 

Në vitin 2014, Rusia aneksoi në mënyrë të njëanshme Krimenë, një gadishull të rëndësishëm në Detin e Zi ku ndodhet qendra e një baze të marinës ruse, duke pësuar një dënim ndërkombëtar dhe sanksione. Pavarësisht kësaj Rusia qendroi në pozitën e saj duke paralajmëruar Shtetet e Bashkuara kundër dërgimit të anijeve luftarake në Detin e Zi dhe duke u kërkuar forcave amerikane që të qëndrojnë larg “për të mirën e tyre”.

Agjencitë e inteligjencës amerikane kanë arritur në përfundimin se Rusia ndërhyri në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 dhe se ajo qëndronte pas sulmeve kibernetike (vitin e kaluar) ndaj kompanive amerikane dhe sistemeve të softuerit. 

Shtëpia e Bardhë zyrtarisht ka bërë me dije se vitin e kaluar, spiunët rusë sabotuan një pjesë të vogël të kodit kompjuterik të fshehur në një pjesë të njohur të softuerit të quajtur “SolarWinds”, i cili u përhap në 18,000 rrjete kompjuterike qeveritare dhe private. Hakerat hynë në skedarët dixhitalë të departamenteve të ShBA-së, të Drejtësisë, të Shtetit, të Thesarit, të Energjisë dhe Tregtisë dhe u mundën të kërkonin në komunikimet e nivelit të lartë, duke rrezikuar dosjet e gjykatës dhe informacionin bërthamor. 

Administrata e Biden njoftoi sanksionet në mars kundër disa zyrtarëve të lartë rusë të nivelit të mesëm, së bashku me më shumë se një duzinë biznesesh dhe entesh të tjera, për shkak edhe të sulmit gati fatal të liderit të opozitës ruse, Alexey Navalny, me agjentin-nervor Novichok dhe burgimin e tij në gusht të vitit 2020. Sipas qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, shërbimi sekret rus përdori të njëjtin agjent-nervor për helmimin në vitin 2018 të ish-spiunit sovjetik Sergei Skripal dhe vajzës së tij në qytetin britanik Salisbury. 

Janë ngritur publikisht dyshime se agjentë rusë paguajnë Talibanët për të sulmuar trupat amerikane në Afganistan, të cilat janë në fazën e rikthimit të tyre në atdhe dhe Presidenti Biden ka një ndjeshmëri të lartë për sigurinë e jetën e trupave amerikanë. 

Rusia nga ana e saj ka mohuar në vazhdimësi të gjitha këto akuza prandaj duket se nuk do të jetë një samit i lehtë. Numri i çështjeve të shumta për të cilat këto dy fuqi kanë kohë që debatojnë e përplasen me njëra tjetrën janë pjesë e shqetësimit jo vetëm dypalësh por edhe global. 

Rezultati i bashkëpunimit të suksesshëm të këtyre dy shteteve, marrja e masave reciprokisht të koordinuara në betejën kundër pandemisë Covid -19 dhe pasojave shkatërruese ekonomike, shëndetësore e sociale, si dhe debati përmbajtësor mbi çështjet e ndryshimit të klimës, mirëpriten nga gjithë bashkësia ndërkombëtare. 

Pavarësisht kompleksitetit të cështjeve dhe qëndrimeve jashtëzakonisht kundërshtuese, fusha të tilla bashkëpunimi si beteja kundër Covid-19, ndryshimi i klimës, përcaktimi i “rregullave të lojës” për spiunazh edhe kibernetik dhe minimizimi i ndikimit destabilizues të tërheqjes së ShBA-së nga Afganistani, ofrojnë shpresë dhe mundësi për marrëveshje dhe bashkëpunim. 

Ka shumë gjasa që gjatë këtij samiti të diskutohet edhe cështja e debatueshme e ndërtimit të tubacionit të gazit natyror të Nord Stream 2, e cila shkaktoi konflikt, deri në propozime sanksionesh ndaj Gjermanisë, një nga aleatet amerikane më të rëndësishmeevropiane. Zyrtarë të lartë amerikanë këmbëngulin se tubacioni kërcënon sigurinë evropiane të energjisë, rrit ndikimin e Rusisë dhe paraqet rreziqe për Ukrainën dhe Poloninë duke krijuar anashkalimin e të dy vendeve. 

Nga ana tjetër, në reagimin e saj, Kancelarja gjermane Angela Merkel mirëpriti lajmin e samitit duke komentuar: “Diplomacia ka një shans vetëm nëse flisni me njëri-tjetrin.”
 
Përse Gjeneva? 

Nuk është aspak rastësi zgjedhja e këtij vendi tëveçantë për këtë samit të rëndësishëm. 

Presidenti Joe Biden propozoi që samiti me Presidentin rus Vladimir Putin të zhvillohet në një vend të tretë, në mënyrë që të palët dy mos kenë kushtëzime dhe të mund të diskutojnë një “gamë të plotë çështjesh”. 

Gjeneva, ky qytet i pasur, shumë i qetë, në brigjet e Liqenit të Gjenevës,ofron pamje mahnitëse të majës “Mont-Blanc, majës më të lartë në Evropën Perëndimore, përben më së miri një sfond intrigues për samitin. 

Gjeneva është qendër e rëndësishme e institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare shumëpalëshe dhe zemra e asnjanësisë së Zvicrës.

Ky qytet u bë udhëkryqi kryesor i diplomacisë dhe intrigave në vitet e pasluftës përgjatë Luftës së Ftohtë dhe kryqëzimi ku diplomacia e bllokut Lindor të mbizotëruar nga Sovjetikët takohej lirshëm me Perëndimin kapitalist të stilit Amerikan. 

Gjeneva bëri sidomos histori kur më 19-20 nëntor të vitit 1985, Presidenti amerikan Ronald Reagan u takua për herë të parë me Presidentin sovjetik Mikhail Gorbachev, një samit i konsideruar shumë i rëndësishëm për thyerjen e akullit midis Lindjes dhe Perëndimit dhe nxitjen e marrëdhënieve më miqësore midis dy udhëheqësve përgjatë mandatit të tyre presidencial. 

Së fundmi kjo gjetje e administratës Biden kërkon të ringjallë reputacionin e qytetit si një qendër për diplomacinë ndërkombëtare, duke u distancuar nga administrata Trump, e cila kryesisht shmangu institucionet e saj globaliste si Organizata Botërore e Tregtisë dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, organizata në të cilat administrata Biden është ri-angazhuar me seriozitet.

Rëndësia e Samitit: 

Duke pasur parasysh tensionet e fundit, qëndrimet shumë të larguara të palëve dhe klimën e përgjithshme dypalëshe dyshuese, ka pak besim se samiti mund të arrijë rezultate mahnitëse. 
 
Por përpjekja për rivendosjen e dialogut dhe komunikimit me qëllim arritjen e “parashikueshmërisë dhe stabilitetit” në marrëdhëniet me Rusinëështë një objektiv ambicioz dhe i guximshëm i administratës Biden. 

Edhe nëse nuk do të arrihet një përparim i dukshëm nëdakordësimin mbi çështjet e nxehta që do të mund të diskutohet, të dy palët do ta kenë të ligjshëm pretendimin se kanë bërë përpjekje me mirëbesim për të përmirësuar marrëdhëniet mes tyre e për pasojë krijimin e një klime ndryshe në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Ky takim do të japë një mesazh të rëndësishëm në situatën e përgjithshme konfliktuale, do të kontribuojë në uljen e tensioneve nëpërmjet vendosjes së linjave të hapura të komunikimit mes Washingtonit dhe Moskës për çështje të rëndësishme të sigurisë botërore me interes për Rusinë dhe ShBA-në, veçanërisht në debatin mbi kontrollin e armëve bërthamore. 

Megjithatë, të gjitha bien dakord për një fakt: Befasues apo i shumëpritur, ky samit do të jetë ngjarja diplomatike më e ndjekur në nivel global. 

# https://president.al/en/arben-cici-keshilltar-diplomatik/

Rreth Autorit:
Ambasadori Arben Cici ka një karrierë të gjatë diplomatike; ai është studiues dhe analist në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, veçanërisht në çështjet e rajonit, autor i librave dhe shumë artikujve të botuar në Shqipëri dhe jashtë saj. Ai po jep mësim në Universitetin e Tiranës dhe në Universitetin Mesdhetar lëndën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë. Ai është aktualisht këshilltar diplomatik i Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Ljubljana/Tiranë, 12 qershor 2021

Continue Reading

Kolumna

A kanë zemër dhe ndërgjegje Rama e Meta!

Published

on

By

A kanë zemër dhe ndërgjegje Rama e Meta!

Naser Pajaziti

Sot ditë zie në Maqedoninë e Veriut, Kosovë e Bullgari, ndërsa në Shqipëri ditë e zakonshme.

Në Nenin 8 të Kushtetutës së Shqipërisë thuhet: Republika e Shqipërisë mbron dhe kujdeset për të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj.

Por, çka se ky nen?!

Kot fare për Edi Ramën e Ilir Metën!

Për ta gjithçka mori fund me një postim rutinor ngushëllimesh sikur edhe kryeministrat e tjerë botëror.

Terkun nuk e prishën as televizionet me programaciomet e tyre. Dramat, përçyrrjet në BB dhe alivanosja e Fifit po duken më interesante se një tragjedi fatale ku humbën jetën 46 bashkëkombas, mes tyre 12 fëmijë.

Pse ky mosinteresim apo edhe injorim, kur shohim se shtetet fqinje kanë strategji dhe plane speciale për bashkëkombasit e saj jashtë kufijve. Pse kjo molisje kombëtare pikërisht nga qendra e shtetit shqiptar.

Continue Reading

Kolumna

Kauza dhe tradhtia

Published

on

By

Kauza dhe tradhtia

Politika bazohet mbi racionalen dhe të mendueshmen kurse raportet njerëzore mbi ndjeshmërinë dhe empatinë reciproke. Si shoqëri duhet përpjekur parreshtur që të mbajmë gjallë empatinë si mundësi për ta shpëtuar dashurinë dhe njerëzoren, kurse kritikën dhe arsyen si instrumente për ta emancipuar politikën dhe politikbërjen varësisht paradigmës politike

Nga Latif MUSTAFA

Ditët që kaluam ishin dramatike për shtetin dhe shoqërinë. E si mos të jenë dramatike për një shoqëri e cila e ka të lidhur fatin e vet me buxhetin e shtetit resursi i “vetëm”i mbijetesës. Nëse do të ishim një shtet dhe shoqëri ku shteti nuk do të ishte punëdhënësi më i madh, por sektori privat do të ishte determinuesi i mirëqenies ekonomike dhe sociale, kritika dhe vetëdija qytetare, për më tepër, fatin e tij qytetari do ta lidhte me shkathtësitë e tija intelektuale dhe teknike dhe jo me servilizmin, mllefin dhe besimin e verbër në raport me mbijetesën e tij. Kështu ndodh edhe tek ne.Njerëzia dalëngadalë përmes entropisë dhe regresit po i ofrohet nivelit të gjendjes natyrore ku njeriu për njeriun po bëhet ujk, sipas thënies së Hobsit homo hominis lupus est në kuptimin që shoqëria në fillimet e saja ishte në gjendje natyrore lufte dhe gjithandej mbretëronte kaosi.

Një imazh të tillë përplasjeje e krijuan mediet sociale paçka se në rrjete, grupet të cilat bëjnë zhurmë janë zakonisht militantët partiak, ata të cilët interesin e tyre e kanë ngushtë të lidhur me partinë, gjegjësisht, ata të cilët militantizmin ideor e ndërlidhin me interesat ditore partiake. Pa harruar që kemi një grup militantësh ideor, të rrallë në vetvete, por që kanë një maturi dhe vetëdije të lartë politike dhe veç se në momente kruciale bëjnë avokimin e çështjeve të caktuara të politikave të mëdha dhe afatgjate. Përtej kësaj, bazuar në vetë nocionin zhurmë, pra ata nuk janë zëra të sinkronizuar racional të cilët manifestojnë një etikë të lartë komunikimi dhe diskutimi por betejat e tyre, “kritikat” e tyre janë sëmbime, hakërrime të ngufatura në një sipërfaqe muri dhe shfryrje dufi e mllefi personal të akumuluar nga fenomente të ndryshme sociale.

Akumulime të tilla shfrenuese dhe skizofrenike zakonisht shpërfaqen tek individë të cilët fshihen prapa një nocioni autodisfatist të keqkuptuar dhe keqinterpretuar siç është termi kauzë e që në gjuhën shqipe e njohim me sinonimin çështje. Nocioni apo shënjimi politik për lëvizjet e mëdha politike është kauzë që në vete ngërthen njëfarë lloj autoriteti moral që nënkupton se ajo ka gjithë legjitimitetin e një “elite” politike që avokon për këtë kauzë. Gjithkush dhe gjithçka jashtë kauze është e shitur dhe tradhti. Normalisht, që e gjithë kjo histeri ka një pasplan të ndërtimit dhe akumulimit historik, gjegjësisht, historiografisë enveriste e cila e projektonte dhe kishte krijuar një leksik të ri politik bazuar në narracionin historik brenda binomit tradhtar-patriot. Të gjithë disidentët dhe kritikët e regjimit ishin të shitur dhe tradhtarë ngaqë ata ishin edhe kundër interesave të popullit. Figurat historike nga të cilët frymëzoheshin këto disidentë dhe kritikë njashtu ishin të shënjuar si tradhtarë, kolabracionistë dhe të shitur tek “armiku i huaj”. Kjo lloj terminologjie politike preku edhe shqiptarët jashtë Shqipërisë, në Kosovë dhe Maqedoni, qoftë përmes librave të historisë qoftë përmes kinematografisë së Shqipërisë enveriste ku gjithçka kundër partisë, ishte edhe kundër popullit. Kundërshtarët e popullit ishin të shitur dhe armiqtë të saj. Ata meritonin çdo lloj persekutimi, linçimi dhe internimi.

Gjuha prodhon realitet. Gjuha shpërfaq mendësi. Gjuha definon kufijtë e mendimit. Ajo shpërfaq edhe traumat, botën fiktive dhe të pavetëdijshme. Gjuha të tradhton. Analizat krejt sipërfaqësore të diskursit politik që eksponentëve të rëndësishëm politik shpjegon ndërtimin e tyre politik. Mendësia dhe pasplani ideologjik i ndërtimit politik të partive të tranzicionit trashëgoi shumë nga mendësia monocentriste e sistemeve socialiste. Nga kjo trashëguan edhe lëvizjet fetare të cilat sot veprojnë në trojet tona, me ç’rast ngrehina e tyre ideologjike edhe pse ndërtohet nga parimet e selektuara të kodeksit fetar, diskursi politik i tyre përkon me diskursin e socializmit arab i cili ishte një produkt dhe miksim i vulgarizimit stalinist dhe nacionalizmit arab. Nocionet si kauza, tradhtia, armiqtë e popullit, të shiturit dhe të ngjashme janë tipike diskurse dhe narrative të sistemeve autoritare dhe diktatoriale dhe që është vështirë për të vendosur demarkacionin shpjegues se çfarë është disidencë, çfarë është mendim ndryshe dhe çfarë është një qëndrim i mirëfilltë politik e partiak.

Militantëve të interesave ditore të cilët burim të vetëm financiar e kanë partinë mbase u falet sepse frika është më e fortë se çdo mendim racional dhe në momente frike njeriu habitet edhe nga vetja e lëre më nga të tjerët. Yryshi dhe turrja e tyre për të “kryqëzuar” gjithkënd që mendon ndryshe shpërfaq një lloj hipokrizie të lartë e cila nuk është gjë tjetër veçse akumulim i traumave sociale që ushqehen e mbarështrohen si diskurs opozitar e që në fakt janë veç shkarje me nuanca psikotike. Kurse eksponentët politik, kur ata, në vend të termit “interes publik” përdorin termin “kauzë”, në vend të frazës “rrugëtim tjetër politik” e përdorin përcaktorin pezhorativ “i shitur” në vend të frazës “shpërdorim të interesit qytetar” e përdorin nocionin “tradhtar”, kjo nënkupton se prapavija dhe ngrehina mendimore e këtyre eksponentëve, që për fat të keq janë shumë, akoma jeton dhe ushqehet me terminologjinë e shekullit XIX dhe XX, epokën e përplasjeve të mëdha ideologjike dhe politike. Për më tepër termin tradhti e komentojnë nga prizmi shtypës me vokacion dhe mendësi seksiste me çrast politikës i japin ngjyrim gruaje dhe e identifikojnë me seksin dhe marrëdhëniet ndër gjinore, ku tradhtia ndërlidhet me gjininë femërore dhe kurvërinë dhe si e tillë politika mbetet një “kurvë” dhe ato që “tradhtojnë” janë “kurva” politike. Brenda kësaj nënvetëdijeje ideologjike enveriste, fshihet edhe një lloj perversiteti seksist.

Më e rënda nga këto është persekutimi moral që i bëhet tjetrit në saje të një superioriteti të vetëshpallur moral të subjektit politik. Moralizimi, gjegjësisht, kritika për mungesë morali është nga kritikat më të rrepta dhe me pasoja të rënda shoqërore duke marrë parasysh faktin se jetojmë në shoqëri të ngushtë dhe njerëzit njihen me njëri tjetrin. Ky lloj persekutimi rrezikon t’i dekonstruktoj raportet tona shoqërore duke i shpier ato drejt një situate fiktive politike me çrast raportet farefisnore, shpirtërore dhe vëllazërore marrin kuptin dhe bëhen të njëmendta veç nëse janë brenda kornizës së sentimentit të çmendur politik. Në anën tjetër, partia politike, asnjëherë nuk mban kriterin e vërtetësie së gjërave dhe ajo vepron mbi interesat e përkohshme të grupeve të interesit dhe rrallë përfaqësojnë ndonjë interes të përgjithshëm publik.

Rrjedhimisht, kauza apo çështja asnjëherë nuk është partiake, por është fenomen i lëvizjeve shoqërore. Lëvizje kjo, qoftë edhe e ndërtuar përmes leksikut dhe aparatit përkatës ideologjik, ajo nuk mund të jetë partiake e cila kërkon votën qytetare për përfaqësim dhe delegim të pushtetit nga populli tek përfaqësuesi. Partia është grupim e cila synon përmes programit dhe apelit politik të kërkojë shtrirjen sa më të madhe të përfaqësimit të interesave publike brenda parlamentit dhe në qeverisjen e ardhshme qoftë lokale, qoftë qendrore. Kauza apo çështja ka të bëjë me lëvizjet historike të cilat, bazuar nga vetë nocioni çështje kanë të bëjnë me qenësinë dhe vazhdimësinë historike të një subjektiviteti i cili e vullneton shpërfaqjen në histori dhe vendos për veten. Çështja është rrugëtim i gjatë dhe idealistik. Në të kundërtën, brenda sistemeve demokratike ku ne operojmë me të vërteta të përkohshme, interesi publik është nocioni i duhur demokratik dhe i artikuluar racionalisht larg çdo emocioni, e cila për bazë e ka interesin e përgjithshëm publik si interes i universalizuar individual përbri raporteve me qytetin dhe shtetin. Politika bazohet mbi racionalen dhe të mendueshmen kurse raportet njerëzore mbi ndjeshmërinë dhe empatinë reciproke. Si shoqëri duhet përpjekur parreshtur që të mbajmë gjallë empatinë si mundësi për ta shpëtuar dashurinë dhe njerëzoren, kurse kritikën dhe arsyen si instrumente për ta emancipuar politikën dhe politikbërjen varësisht paradigmës politike.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)

Continue Reading

Kolumna

Mehmeti: Shqiptarët e Maqedonisë ndërtuan sistem piramidal të vlerave të rrejshme

Published

on

Shkruan: Kim Mehmeti

Ngjarjet e fundit rreth (mos)rrëzimit të qeverisë së Maqedonisë, më së miri tregojnë se gjitha partitë shqiptare, cila më shumë e cila më pakë, ‘din e iman’, parim e moral, ideologji e ideal…, kanë interesat personale të drejtuesve të tyre, interesa që realizohen vetëm me ardhjen me çdo kusht në pushtet.

Dhe gabon ai që beson se populli nuk e dinë këtë të vërtetë. Duke e ditur këtë, zgjedhësit e këtushëm shqiptarë, veprojnë sipas mendësisë se nga gjitha të këqijat, më së miri të del ta zgjedhësh ‘nënën’ e gjitha fatkeqësive, pra BDI’në, partin të cilës, gjatë këtyre dy dekadave sa ka qenë pjesë e gjitha qeverive, ia ke mësuar ‘sportelet’ dhe ia njeh ‘banditët’ partiak ku bëhet pagesa për proceset gjyqësore, për punësime, për lejet e ndërtimit, për blerjen e tokave shtetërore…

Më në fund, gjatë këtyre viteve sa drejtuesit e BDI-së merren me politika euro-atlantike, ajo realizoi diçka shumë të vlefshme për qarqet politike e policore maqedonase: e kriminalizoi shoqërinë e këtushme shqiptare, ndërtoi sistem piramidalë të vlerave të rrejshme, me çka u lartësua autoriteti i profesorëve që shesin nota, i mjekëve që e njohin vetëm ‘protokollin’ e thellësisë së xhepit, e gjykatësve që i nënshtrohet vetëm ligjit të euros dhe dollarit…!

Dhe si e tillë, BDI-ja u bë partner i pazëvendësueshme për partitë maqedonase. Pra, partitë opozitare shqiptare mund të bëheshin e të bëhen pjesë e qeverisë, vetëm nëse i shërbejnë kësaj partie. Dhe ato e dinë se gjatë zgjedhjeve, nuk kanë përballë vetes vetëm BDI-në, por edhe gjitha qarqet politike e policore maqedonase, e për çka pjesë të fajit kemi edhe të gjithë ne ‘patriotët’ tjerë, që i matim të tjerët, por kurrë nuk e peshojmë vetveten.

Andaj kurrë mos e besoni se ndonjë parti shqiptare vullnetarisht e ka braktisur koalicionin qeveritar, apo se e ka lënë pushtetin për arsye parimore. Këtë mos ua besoni as këtyre ‘besatarëve’ që u bënë deputet me votat e LSDM’së, sepse partitë tjera shqiptare, bëhen pjesë e qeverisë, vetëm sa për t’i mbuluar gjurmët ‘patriotike’ të burrështetasve të BDI’së!

Kështu që, edhe tani, kur flitet për partitë opozitare që do mund t’i bashkëngjiteshin qeverisë së tanishme të Maqedonisë, duhet thënë qartë e shqip: do bëhet parti qeveritare ajo që me kohë e ka vizituar Reçicën e Vogël, ku ka treguar sa e ka ‘çmimin’ dhe ku është betuar se me devotshmëri do i shërbejë BDI’së.

Duke u nisur nga kjo që u tha më lartë, artikullshkruesi vë bast publik se partia që tani do bëhet pjesë e qeverisë LSDM-BDI, do përfundojë me një autobus votuesish dhe do bëhet anëtare e ‘klubit’ të mjeranëve me zemër në Bruksel, që vetëkidnapohen në Shkup, klub i drejtuar nga ‘tregtari’ më i moçëm për shitblerje politikanësh shqiptarë – nga kryetari i partisë pa anëtarë, i PDSH’së, i cili deri dje, ua shante unazat ‘lindorëve’, e sot, Maqedoninë e mbron nga ndikimi ruso-turk?!

Continue Reading

Aktuale