Connect with us

Kolumna

Fis i kyçur në arkivolin e harresës

Published

on

Fis i kyçur në arkivolin e harresës

Pa i dedektuar defektet e shoqërisë, sikundër, pa i kqyrur plagët e trupit, nuk do të mund ta aplikojmë dhe ta përdorim kurën e saktë. Pa qenë të hapur e të sinqertë me vetëveten dhe me shoqërinë, nuk mund të dalim në fund të nderuar. Lumë ata që dalin “të nderuar në sy të Allahut,”69:33

Shkruan Afrim Tahiri

Këto ditë kam lexuar nja dy-tre shkrime nga autorë të nderuar e që i njoh mirë! Shkrimet e tyre reflektojnë zhgënjim, hidhërim, pezëm, mospajtim, revoltë, qortim, kundër institucionit hoxhë që e kemi me bollëk këtu në Maqedoninë e Veriut!

Pse ky qëndrim kaq nihilist në raport me hoxhallarët! Ku çalon problemi! A kuptohet drejtë nocioni hoxhë! Çka do të thotë hoxhë. Cilat janë obligimet dhe cilat janë detyrat konkrete të hoxhës! Pse sot nuk kemi hoxhë të kalibrit të Hoxhë Tahsinit, të Hoxhë Vokës, Hoxhë Vehbi Dibrës, Hoxhë Sherif Langu, Ibrahim Dalliu, Mulla Idriz Gjiani e një varg të tjerësh që lanë gjurmë si në historinë islame të trojeve tona ashtu edhe në historinë kombëtare! Dhe, kur ta mendoshë, të gjithë këta personalitete historik, këta intelektualë të devotshëm, dolën e vepruan në periudha më të rënda të historisë së popullit tonë.

Këta HOXHALLARË kishin vizion, këta personalitete e dinin se nuk e kishin mision vetëm të mësuarit e abdestit dhe të faljes së namazeve; këta burra të dheut kishin ideal; e dinin fort mirë që, të qenurit hoxhë, do të thotë të jeshë prijës i një safi, i një xhemati, i një katundi, i një lëvizje kombtare; e dinin fort mirë se, të qenurit hoxhë, do të thotë çuarje në vend të amanetit të Zotit; e kishin shumë të qartë se, të qenurit hoxhë, do të thotë të jeshë pararojë e pathyeshme e parimeve të fesë, zbatues i paluhatshëm i Ligjeve të Zotit, respektues i denjë i institucioneve fetare, luftëtar i pathyeshëm i idealeve kombëtare; ata ishin më se të bindur se, të qenurit hoxhë, do të thotë të mos jeshë shërbtor i armikut, do të thotë ta kultivoshë të mirën, dashurinë për fe e për atdhe, dhe ta luftoshë pa kompromis çdo kolaboracionist i cili pret kundërshpërblim avancimin në karrierë si dhe një grusht metalikësh të pistë.

A i kanë këto sifate hoxhallarët tanë sot, këtu, në Maqedoninë e Veriut! Nuk është mirë të gjeneralizohen! Ka, pa dyshim, madje shumë të mirë, shumë të dashur, shumë të respektuar por, fatkeqësisht, të ngulfatur e të djegur nga “kolegët” e tyre të diskutueshëm, nga ata që e kanë njollosur deri në turpësi këtë profesion kaq të shenjtë.

Vetëmse, gjithnjë ngelë i pakuptueshëm mosreagimi i tyre, ngelë e pakuptueshme heshtja e tyre, ngelë i pakuptueshëm rehatllëku i tyre karshi dukurive që kanë pllakosur mbi myslimanët tanë si dhe mbi islamin në këtë nënqiell, duke na çnderuar deri në palcë dhe, me këtë, duke na i mbyllur të gjitha shtigjet për të dalur të pastër e të ndershëm në sy të Allahut të Gjithëdishëm!

Për momentin, në ofensivë është një “komunitet” hoxhallarësh shumë akitivë si dhe një komunitet tjetër hoxhallarësh tepër pasivë të lidhur me pranga të shantazhit.

Njoh shumë, shumë, shumë “hoxhallarë” të sotshëm artificialë të çertifikuar nga një rus bodrumeve të nëntokës siriane! Njoh “hoxhallarë” të çertifikuar falls edhe nga një rus tjetër që bënte jetë katakombëve egjiptase! Ky lloj hoxhallarësh janë në ofenesivë, të trajnuar e që menaxhohen nga soji tjetër i “hoxhallarëve” të çertifikuar nëpër shërbime të llojit të UDB-së.

E gjatë është lista e këtyre “hoxhallarëve” të çertifikuar me diploma false e të kontrabanduar në mesin e xhematlinjëve tanë, të cilët, do të gjejnë rehatinë e vet shpirtërore vetëm pasi të çlirohen prej tyre, duke ua publikuar emrat, mbiemrat, veprimtarinë dhe “shkollat” prej nga kanë dalur! Mbase edhe së shpejti mund të botohet kjo listë e gjatë, vetëm për hirë të xhematlinjëve tanë të devotshëm. Sepse, nuk e meritojnë që të “drejtohen” prej hoxhallarëve të cilëve nuk po ia dalin t’ua gjejnë imanin! Ua kanë gjetur “shkollat”, ideologjitë, misionet, çertifikuesit kontrabandistë por, hala nuk o arrijnë t’ua gjejnë imanin! Po pyesin: bre, a kanë iman a jo!? Me shall po, me xhube po, me kravatë po, të bukur sa të duash, të “mençur” me bollëk, por, problem – si t’ua gjeshë imanin!

Fatkeqësisht, sot kemi edhe hoxhallarë të atillë që me vullnet janë kategorizuar secili ku ka gjetur interesin e vet meskin!

Kemi “hoxhallarë” të Aleancës e të Alternativës që paguhen nga Turqia por edhe nga Irani!

Kemi hoxhallarë të LSDM-së, BDI-së e të Besës që paguhen nga Arabia Saudite!

Kemi “hoxhallarë apartiakë” që paguhen nga Izraeli e nga Pakistani, nga Avganistani e nga Rusia që, përgjithësisht, janë logjistikë e “ushtrisë së djallit”!

Është i pamohueshëm fakti që, tërë ky aktivitet ushtrohet fshehurazi, është sekret publik pagesa e tyre nga këta qendra dhe, së këndejmi, është i pamohueshëm edhe fakti se, do t’i shërbeshë me patjetër atij që të paguan “fshehurazi”.

Të paguan UDB – UDB-së do t’i shërbeshë, pa dyshim! Nuk ka paga pa raportime mujore e vjetore për aktivitetet që i ke kryer e me të cilat ke qenë i ngarkuar! Një listë e hoxhallarëve të paguar nga Arabia Saudite, ka ekzistuar edhe në BFI dhe, ka qenë njeriu i caktuar që i ka mbledhur dhe që i ka dërguar në qendrat saudite raportet e këtyre hoxhallarëve për aktivitetet që i kanë kryer në përhapje të ideologjisë së atij që ka paguar!

Vetëm këto “digastere të ushtrisë së djallit” mundet që të urdhërojnë që, brenda natës të tubohen “këlyshët” e vetë dhe, të komplotojnë e të kryejnë puç të heshtur, duke ua garantuar paraprakisht heshtjen e të gjithë “hoxhallarëve” që jetojnë e veprojnë nën peshën e papërballueshme të shantazhit.

Deri te një mbledhje ka procedurë, ka përgatitje, ka faza, ka sërë elementesh që i japin peshë dhe legjitimitet atij takimi, asaj mbledhje. Me urgjencë e me një urdhër mund t’i tubojë vetëm shërbimi sekret, i cili, natyrisht, ka arsyen dhe strategjinë për atë mbledhje që do të rezultojë me komplot të sukseshëm.

Tani jemi në fazën kur po thirren dhe po urdhërohen hoxhallarët që të shkojnë te “reisi” dhe t’ia urojnë, t’i shprehin përkrahje, ngjashëm si Stanko Dragoviqi! Pra, hoxhallarët e depersonalizuar duhet të shkojnë e të rrëfehen te “kryepari” i tyre dhe të nisin të ndërtojnë një komunitet të ri – komunitetin e “të ndershmëve”, të pandershëm në sy të Allahut të Gjithëdishëm! Deri sa të binden hoxhallarët që të solidarizohen me misionin e “reisit”, ky ka se kë të ftojë dhe ta regjistrojë si “aktivitet të bujshëm”; do ta thërrasë dajën, kushëririn, axhën, nipin! Takimet familjare, takimet me nxënës, me studentë, me të punësuar, i regjistron publikisht, si aktivitete! Si ndryshe të preket fundi i turpit?

Askujt, asnjë hoxhe të ndershëm nuk i shkohet në atë “shtëpi” ku shkilet Kushtetuta, ku injorohen aktet normative, ku refuzohen parimet islame, ku tradhëtohet tradita dhe e kaluara, ku instalohen “gjeneral e oficirë të ushtrisë së djallit”, ku legalizohet hajnia, tradhëtia dhe shëmtia.

Hoxhallarët, si asnjë profesionist tjetë, kanë forcën, kurajon dhe vullnetin për t’i këputur prangat e shantazhit dhe, kur të vie ky çast, nuk ka digë që mund t’u dalë përballë; nuk ka shërbim sekret, pushtet e parti që mund t’i shantazhojë, t’i frikësojë, t’i heshtë. Për hoxhallarët, gjithnjë e mbi gjithëçka ka qenë feja dhe një popull i denjë për atë fe. Honxho bonxhot ngelin vetëm si fjalë goje, ngelin pa nam e nishan, fis i vdekur e i kyçur në arkivolin e harresës…

(Autori është drejtues i Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI të RMV-së)

Continue Reading
Advertisement

Kolumna

TEUTA, TETOVA, TETORI, TERRORI

Published

on

By

Shkruan Blendi Hodai:

TEUTA, TETOVA, TETORI, TERORRI.

Teuta Terrorizon Territorin e Tetovës, por Tetori do të jetë muaji i shpëtimit të Tetovës.

Tetova ka nevoja të shumta, Tetova ka mungesa të shumta e mungesën më të madhe Tetova e ka në Komunë. Nevojën më të madhe në Tetovë e ka Komuna. Për çka? Çka tjetër pos një udhëheqësie të mirëfilltë që gjitha nevojat e mungesat tjera do të ishin të minimizuara por mos të thënë të padukshme.

Tetovës sot më shumë se kurrë i nevojitet një kryetar Komune që është i pavarur dhe që do punojë për të mirën e qytetit.

Unë besoj në aksiomën e Spinozës se “Shteti dhe Komunat si institucione nuk kanë asnjë funksion tjetër, përveç se të jenë në shërbim të qytetarëve”. Në këtë frymë, një kryetar dhe udhëheqësi e pavarur, teknokratësh do duhet t’ju shërbejnë ekskluzivisht vetëm qytetarëve e jo klaneve partiake, hidromafias apo mafisë urbane.

Ps: në muajin tetor fillojnë studimet, e Tetova e ka provimin në lëndën „Çlirimi i Tetovës“. Unë shpresoj dhe dëshiroj që dëshprimi i qytetarëve të manifestohet me ndryshim për një Tetovë që i ka hije.

Continue Reading

Kolumna

Shqipëria është e jona deri në palcë, por a jemi ne të saj?

Published

on

By

Shkruan Bekim Qoku:

Edhe pak ditë deri në zgjedhjet e përgjithshme në mëdheun tonë të dashur e të vuajtur. Shqipëria është e jona, deri në palcë. Por a jemi edhe ne të saj?

Në një bisedë me një mikun tim këtu në Strugë, folëm për miqtë e farefisin, kolegët e të njohurit që kemi këtu e atje në Shqipëri me të drejtë vote për t’u kërkuar të mbështesin dhe në fund të votojnë tre kandidatët e LV në Tiranë, Gjirokastër dhe Lezhë. Efekti qe i menjëhershëm. Shumica e njerëzve që i kontaktuam, u zunë fillimisht krejt gafil nga kjo kërkesë. S’na ka bërë vaki, thanë, që ndonjë shqiptar nga jashtë shtetit të na kërkojë votën për aksh parti apo kandidat për deputet. Përveçse paksa të huton, kjo lutje e papritur të bën edhe t’i shkundësh mendimet dhe qëndrimet politike vetjake. Çfarë e shtyn një shqiptarin që personalisht nuk ka asnjë përfitimi personal, të favorizojë një subjekt politik në Republikën e Shqipërisë, gjë që s’ka ndodhur kurrë më parë. Kush qenkan këta politikanë që meritojnë vëmendjen dhe angazhimin edhe shqiptarëve jashtë kufirit.

Politikani është figurë publike, ai përfaqëson jo vetëm votuesit e tij, por të gjithë kombin. Politikani i zgjedhur dhe përfaqësues është shëmbëlltyra e popullit që e zgjedh si dhe e individit zgjedhës. Pra, ne tek politikani e shohim veten si në pasqyrë.

Andaj, fitores së LV, Albinit, Glaukut dhe Vjosës i janë gëzuar të gjithë shqiptarët anembanë, jo vetëm ata të Kosovës. Ne, që të gjithë, jemi ndjerë krenarë se më në fund po përfaqësohemi denjësisht si komb dhe si pjesëtarë të atij kombi. Nëse i besojmë maksimës se, Çdo popull ka ata politikanë, atë përfaqësi që e meriton, atëherë me tre figurat e sipërpërmendura, edhe ne si popull tak ta e shohim veten meritor, të ndershëm, të ditur, stoik, të pakorruptuar, të drejtë e të mirë, baras me popujt e përparuar e të civilizuar.

Por pse të ndalemi këtu. Në Shqipëri ne mund ta vazhdojmë përjetimin e kësaj ndjenje krenarie. Aty kandidojnë tre figura nga e njëjta serë, e po asaj fryme. Nëse dëshirojmë të jemi koherent me veten, pra të mos e bëjmë hipokritin, do të duhet që edhe atje të mbështesim Boiken Abazin, Iliaz Shehun dhe Kreshnik Merxhanin.

Në Kosovë ne shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kemi luajtur një rol shumë të madh në fitoren e kësaj fryme. Pa ne fitorja e LV, Albinit, Glaukut dhe Vjosës nuk do të merrte përmasën e referendumit, dhe për këtë jam plotësisht i bindur. Ne kemi marrë pjesë drejtpërdrejtë duke votuar me post dhe në vend, por edhe me aktivizëm politik të dendur në shumë aspekte.

Është substanciale të theksojmë, se ne nga MV politikën, as figurat politike në Kosovë nuk i kemi vështruar dhe trajtuar nga pozita e tifozit. Pra skenën politike atje nuk e kemi parë vetëm si skenë teatrale dhe spektakli, por si lëndë që mund ta bashkë-formësojmë me bashkë-pjesëmarrje në proces.

Këtë fuqi si ndikim ne mund të shtrijmë edhe në Shqipëri. Ne vazhdimisht po ankohemi për idiferencën totale të Tiranës zyrtare ndaj nesh si bashkëkombës.

Që Shqipëria zyrtare të na përfillë, ne duhet të dëshmojnë se jemi relevant, se angazhimi ynë luan rol të madh në fitoren dhe në disfatën e forcave politike të atjeshme. Ne duhet të demonstrojmë se jemi pjesë e një trupi të vetëm. Dhe një trup nuk mund të funksionojë në mënyrë të përsosur, kur pjesë të tij dalin jashtë funksionit. Po ne kemi kapacitete të mëdha vetjake, por të bashkuar bëhen gjigande. Asnjë komb nuk deklaron se është i vetëmjaftueshëm. Të gjithë kombet janë të ndërvarur me njëri-tjetrin. Nuk ka kuptim qëndrimi politikë se ne shqiptarët e MV mundemi pa ndërhyrjen e Tiranës apo Prishtinës. As Berlini zyrtarë nuk e pretendon këtë, se mundet vetë. Si: “Ne mundemi vetë.” Çfarë formule na qenka kjo?! Ne vërtetë se mundemi edhe vetë, por bashkë mundemi shumë më shumë.

Pra, që forcat politike vendimmarrëse të mos na trajtojnë si tifozë, të parëndësishëm, të largët, pa ndjerë ndaj nesh asnjë obligim dhe përgjegjësi, ne patjetër që duhet të jemi më proaktiv, me pjesëmarrje të drejtpërdrejtë, duke rënduar substancialisht sadopak në peshoren e fitores apo humbjes të subjekteve politike atje.

Qenia jonë duhet të kushtëzojë qenien e tyre.

Continue Reading

Kolumna

Si u falsifikua regjistrimi i popullsisë së vitit 1953 në Maqedoni

Published

on

By

Shkruan: Qerim LITA, SHKUP

Popullsia shqiptare nën pushtimin e Mbretërisë Jugosllave ishte e ndarë në tre njësi administrative ose, siç njiheshin asaj kohe, banovina: e Vardarit (që përfshinte pjesën më të madhe të tokave shqiptare), e Zetës dhe e Moravës. Numri i përgjithshëm i popullsisë shqiptare në këto tre banovina, sipas regjistrimit që ky pushtues e mbajti në vitin 1931, ishte rreth 505.000 banorë. Vetëm në territorin e sotëm të Maqedonisë së Veriut të deklaruar si shqiptarë pati gjithsej 136.293 banorë. Ky numër, sipas qarqeve, ishte si vijon: Qarku i Manastirit – 19.209; Qarku i Bregallnicës – 71; Qarku i Kumanovës – 25.097; Qarku i Ohrit – 11.447; Qarku i Shkupit – 32.035; Qarku i Tetovës – 48.399 dhe Qarku i Tikveshit – 34 banorë.

Continue Reading

Aktuale