Connect with us

Kolumna

Ustallarët e opinionit publik në Maqedoni si sihirbazët në kohën e profetit Musa

Published

on

Shkruan Emir RN Hamzai:

Ustallarët e opinionit publik në Maqedoni si sihirbazët në kohën e profetit Musa

“Pse duhet kritikuar edhe opozita”, keshtu e ka nisur sot kolumnen e radhes Sefer Selimi, duke theksuar faktin që “20 vite me radhë janë duke dremitur jashtë pushtetit”?! Eshtë pikërisht ajo kur një plak sheh filma me efekte speciale dhe shprehet “sikur të mos jetë e vërtetë do jetë rrenë e madhe”! Seferi është shume ‘’kompetent’’ ne analizimin e gjerave kur bëhet fjalë për opozitën, me kulturë debati dhe fare pak e bën këtë për partinë shqiptare në pushtet. Në këtë kolumne, si duket pa e diktuar, ai ka shkarë në pistën e atyre qe e kanë për detyrë ta thonë atë qe e thonë. Kjo tezë do të qëndronte nëse kjo i dedikohet PDSH-së dhe nëse ajo parti do ishte në opozite, pasi vetëm ajo parti e përmbush faktorin për ta kritikuar (apostrofuar), 20 vite opozitë e BDI-së! Asnjë parti tjetër, në të vërtetë asnjë organizim tjetër politik nuk e përmbush këtë që theksohet.

Por pse apostrofohet kjo?

E pash që edhe Arben Ratkoceri i kishte ngritur lapidar shkrimit të Selimit në profilin e tij në Facebook. Natyrisht, Ratkoceri e ka për detyrë, normë pune, por Seferi nuk duhet ta ketë. Por kur ndërton situatën me të gjitha rrethanat, të duhen elemente siç janë protagonisti dhe antagonisti, kështu ndërtohet edhe situata ku ndër-veprojnë këta dy protagonist. Nëse protagonisti është 20 vite në pushtet, kjo nuk ndodh shkaku i antagonistit të dobët, por shkaqet janë të shumta, në veçanti kapja e shoqërisë në të gjitha dimensionet dhe logjika e etabluar NUK ESHTE ME RENDESI KUSH, SI DHE PER KE VOTON, E RENDESISHME ESHTE KUSH I NUMERON VOTAT! Keshtu ishte stalinizmi, kishte krijuar tërë atë makineri të pushtetit dhe normalisht numërimin e votës e bën pushteti dhe për rrjedhojë dihet se në favor të kujt numëron ai sistem. Në fund të fundit dikush mund të thotë se ndryshimi i pushtetit bëhet me votë, por vota nuk është çdoherë akt racional, këtë e thotë edhe Rexhep Qosja kur fliste (para 7-8 vitesh) për arsyet pse LVV nuk mund të fitonte pushtetin, sepse klani PRONTO kishte krijuar numëratorin, prandaj vota nuk kishte se si ta nxirrte të parën LVV.

E dimë se nevoja për themelimin e LRPDSH doli pikërisht nga ajo që Seferi e thotë, ‘’12 vite opozitarizëm klientalist te PDSH në raport me BDI-në’’. Pra, një numër i konsiderueshëm i anëtarëve të PDSH e detektuan, apo thënë më mirë e ndjen këtë qe e thotë Seferi, se kjo mënyrë e të bërit opozitë është diçka e kurdisur (klientaliste). Pra, bëjmë se gjoja jemi opozitë, por në të vërtetë jemi vërtetim dialektik i domosdoshmërisë së BDI-së për të qenë në pushtet. Makiaveli këtë e quan ‘’OPOZITE E PAGUAR’’, e cila vetëm dëshmon domosdoshmërinë e mos ndryshimit te pozitës.

Tendenca për të dalë nga kjo gjendje amullie, apo amorfe (formimi i LRPDSH dhe BESA) shkaktoi shqetësim tek pozita dhe menjëherë i morën masat që të instalojnë ‘’kuajt e Trojës’’ brenda këtyre strukturave, për të parandaluar që kjo logjikë apo sistem i të menduarit mos të përhapet tek populli. Pasoi ndarja e BESA-s, në dy taborë dhe ngritja e LRPDSH në ASH. Instalimi i ‘’kuajve të Trojës’’ është proces që vazhdon ende, sepse ata kuaj janë “luftëtarët” e ndryshimit brenda këtyre strukturave.

Kuptohet qe luftëtarët e vijës së parë të frontit për të mbrojtur pushtetin (establishmentin) janë media, gazetarët dhe analistët, kuptohet të blerë në treg me çmim te majmë. Analistët e pa|||varur, janë malli më i mirë në treg, sepse analistët (me nder qofshi, analiste vetem mos u thënshim) janë çdo natë në mediume dhe ata bëjnë projektin e hipnozës (mbajtjen e popullatës në gjumë dimëror), ku popullata mbahet në gjendje hibernimi (gjumë dimëror) nga prezantimi i realitetit se: gjendja nuk është e mire, por nëse vjen opozita në pushtet do jetë edhe më keq, sepse ata janë më të këqij. Kemi parasysh dimensioni ‘’antipatriotik i AA’’, me përkrahjen e fesë (e asgjë për fe nuk kanë bërë), Erdoganit, panosmanizmit, xhemijetit, etj. Ndërsa te ASH mundohen të gjejnë pikërisht atë që nuk e ka, duke spikatur mungesë te theksuar të patriotizmit apo me klishen se ‘’Ka stilin e komunikimit politik si Menduh Thaçi’’, e kur ky dimension i nacionalizmit dominon te ASH, atëherë cilësohet si populizëm! E kurrë mesi nuk iu gjetë as Selës e as partive tjera opozitare.

Kjo është ajo që ne e shohim nga establishmenti në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni, ku për çudi edhe gazetarët janë në të njëjtin rrjet, ndoshta edhe pagesat i kanë të përafërta, se interes tjetër nuk ka, a mos vallë këta e bëjnë se kanë bindje politike, pff! Seferi tek ne u paraqit me përgatitje impresive analitike dhe ai është perfekt target, sepse ai e ka titullin “I pavarur” dhe kur e thotë ai, më kollaj e besojnë. Dhe ja, qëllimi arrihet disi. Asnjë medium (përveç Alsat M në dimension të inatit personal me Teatrin Shqiptar) nuk i trajton dhe analizon dukuritë shoqërore që janë derivat i keqqeverisjes së BDI. Por e spikasin që edhe për këtë fajin e ka opozita, pse nuk i rrezon nga pushteti. Seferi bën një gabim bazik të bërjes së opinioneve në politikë. Ai shkruan se opozita duhet të vërtetojë korrupsionin. Një huqjemadhe amatoreske. Nese dikush nuk e ka të qartë se çfarë funksioni ka opozita, eshte mire t’u kthehet teorive politike. Nuk është detyrë e opozitës të vërtetojë korrupsionin, por detyrë e saj është të problematizojë dukuritë, fenomenet politike apo t’i problematizojë ato e jo të vërtetojë diçka.

Çdo kund në botë e në veçanti në SHBA kemi taborët politike, ekonomike dhe industriale, kuptohet kjo është edhe në mediume. Kemi CNN dhe FOX. Është shumë normale që FOX ta quaj Bajdenin komunist, sepse nuk dëshironin që të zgjidhet, ashtu si CNN që kritikonte Trampin. Por te ne, këtë e bëjnë mediumet që vetë quhen të pavarur. Analistat e pavarur, qe janë të shitur te establishmenti dhe dhe luftojnë çdo ide apo diçka qe mundësisht mund të dëmtoj establishmentin, që do të thotë se ata do i largoj nga grazhdi! Do të ishte më e ndershme, që të deklarohen si mediume Pro establishment, e jo si mediume që quhen të pavarura. E qe në të vërtetë janë fytyra me e fëlliqur e pushtetit që qëndron aty vetëm shkaku i mundësive qe i ka, para se gjithash materiale. Duke u nisur nga fakti që dashuria nuk blihet, ndërsa sexi po, duket qarte që ata kane këmbyer diçka te tyren personale me kundërvlerë materiale. Pra, shtrohet pyetja; cilën opozitë e kritikon Seferi e cila për 20 vjet po dremit jashtë pushtetit?! Me siguri do kërkohet logjikë duke thënë se shumica e eksponentëve te opozitës së sotme kane qenë në partinë opozitare që ka dremit jashtë pushtetit. Po, por pikërisht ata eksponent nuk e pranuan atë gjumë dimëror dhe ndërmorën veprime që e dëshmojnë të kundërtën e asaj që thuhet në tekstin e tij. Përderisa në kohën e profetit Musa kishim më shumë magjistarë apo sihirbazë, në kohën e sotme i kemi mediumet, gazetarët që bëjnë sehire në opinionin publik, me të vetmin qëllim për të instaluar ‘’blur effect’’ që masa të ketë bindjen se e keqja nuk është te pushteti, por oponenca ndaj pushtetit. Keni parasysh se magjistarët në atë kohë bashkëpunonin me Faraonin, por këta gazetarët dhe opinionistet e Maqedonisë, kë mbrojnë?!

Për ta mbyllur, sapo dolën rezultatet e VV ne Kosove, pasoi panik te establishmetit i Kosovës, dhe menjëherë opinionistet në Maqedoni, dolën si skifterë neper mediume duke qetësuar popullin (duke vazhduar gjendjen e hibernimit) se ajo gjë nuk ka gjasa te ndodh tek ne, sepse tek ne nuk ka VV, nuk ka Albin Kurti, nuk ka mase kritike për opozitarizem alla Vetëvendosje. Kuptohet duke lavdëruar Albin Kurtin, (te cilin do e kishin pjekur ne zgarrë nëse do kishin mundësi) me tipare mbinjerëzore. Vetëm e vetëm për te vazhduar gjendjen e hibernimit, se nuk ka këtu njeri te tille.

Por, historia na mëson, ne veçanti Shekspiri. Magbethi thotë se sipas profecisë, për derisa nuk lëviz mali, atë askush nuk e rrëzon nga froni. Dhe vetëm një njeri qe nuk është i lindur (me lindje natyrore) mund ta vret atë. Ai vazhdon te mbretëroj (siç bëjnë anal-istet te ne), i qete. Deri sa vjen lajmi qe MALI VERTETE KA FILLUAR TE LEVIZE, DHE AI QE DO IA MERR FRONIN NUK KA ARDHE NE KETE BOTE ME LINDJE NORMALE, POR ME PRERJE CEZARIANE. Natyrisht opozita ka shumë gjëra për ta kritikuar, por jo për ‘’dremitjen’’ që i ngjitet. Opozita jam unë, opozitë duhet të jesh edhe ti, Sefer, ai tjetri, e ky tjetri. Opozitë duhet të jemi të gjithë për atë të keqe që ka ndodhur, sidomos periudhën e pasluftës.

Ne, do të presim, sepse mali ka filluar të lëviz (NDYSHIMI NE KOSOVE), duhet vetëm të del ai që e përmbush kushtin e dytë sipas Magbethit!

Emir H ||| zevendes opinionist i pavarur

Continue Reading

Kolumna

A kanë zemër dhe ndërgjegje Rama e Meta!

Published

on

By

A kanë zemër dhe ndërgjegje Rama e Meta!

Naser Pajaziti

Sot ditë zie në Maqedoninë e Veriut, Kosovë e Bullgari, ndërsa në Shqipëri ditë e zakonshme.

Në Nenin 8 të Kushtetutës së Shqipërisë thuhet: Republika e Shqipërisë mbron dhe kujdeset për të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj.

Por, çka se ky nen?!

Kot fare për Edi Ramën e Ilir Metën!

Për ta gjithçka mori fund me një postim rutinor ngushëllimesh sikur edhe kryeministrat e tjerë botëror.

Terkun nuk e prishën as televizionet me programaciomet e tyre. Dramat, përçyrrjet në BB dhe alivanosja e Fifit po duken më interesante se një tragjedi fatale ku humbën jetën 46 bashkëkombas, mes tyre 12 fëmijë.

Pse ky mosinteresim apo edhe injorim, kur shohim se shtetet fqinje kanë strategji dhe plane speciale për bashkëkombasit e saj jashtë kufijve. Pse kjo molisje kombëtare pikërisht nga qendra e shtetit shqiptar.

Continue Reading

Kolumna

Kauza dhe tradhtia

Published

on

By

Kauza dhe tradhtia

Politika bazohet mbi racionalen dhe të mendueshmen kurse raportet njerëzore mbi ndjeshmërinë dhe empatinë reciproke. Si shoqëri duhet përpjekur parreshtur që të mbajmë gjallë empatinë si mundësi për ta shpëtuar dashurinë dhe njerëzoren, kurse kritikën dhe arsyen si instrumente për ta emancipuar politikën dhe politikbërjen varësisht paradigmës politike

Nga Latif MUSTAFA

Ditët që kaluam ishin dramatike për shtetin dhe shoqërinë. E si mos të jenë dramatike për një shoqëri e cila e ka të lidhur fatin e vet me buxhetin e shtetit resursi i “vetëm”i mbijetesës. Nëse do të ishim një shtet dhe shoqëri ku shteti nuk do të ishte punëdhënësi më i madh, por sektori privat do të ishte determinuesi i mirëqenies ekonomike dhe sociale, kritika dhe vetëdija qytetare, për më tepër, fatin e tij qytetari do ta lidhte me shkathtësitë e tija intelektuale dhe teknike dhe jo me servilizmin, mllefin dhe besimin e verbër në raport me mbijetesën e tij. Kështu ndodh edhe tek ne.Njerëzia dalëngadalë përmes entropisë dhe regresit po i ofrohet nivelit të gjendjes natyrore ku njeriu për njeriun po bëhet ujk, sipas thënies së Hobsit homo hominis lupus est në kuptimin që shoqëria në fillimet e saja ishte në gjendje natyrore lufte dhe gjithandej mbretëronte kaosi.

Një imazh të tillë përplasjeje e krijuan mediet sociale paçka se në rrjete, grupet të cilat bëjnë zhurmë janë zakonisht militantët partiak, ata të cilët interesin e tyre e kanë ngushtë të lidhur me partinë, gjegjësisht, ata të cilët militantizmin ideor e ndërlidhin me interesat ditore partiake. Pa harruar që kemi një grup militantësh ideor, të rrallë në vetvete, por që kanë një maturi dhe vetëdije të lartë politike dhe veç se në momente kruciale bëjnë avokimin e çështjeve të caktuara të politikave të mëdha dhe afatgjate. Përtej kësaj, bazuar në vetë nocionin zhurmë, pra ata nuk janë zëra të sinkronizuar racional të cilët manifestojnë një etikë të lartë komunikimi dhe diskutimi por betejat e tyre, “kritikat” e tyre janë sëmbime, hakërrime të ngufatura në një sipërfaqe muri dhe shfryrje dufi e mllefi personal të akumuluar nga fenomente të ndryshme sociale.

Akumulime të tilla shfrenuese dhe skizofrenike zakonisht shpërfaqen tek individë të cilët fshihen prapa një nocioni autodisfatist të keqkuptuar dhe keqinterpretuar siç është termi kauzë e që në gjuhën shqipe e njohim me sinonimin çështje. Nocioni apo shënjimi politik për lëvizjet e mëdha politike është kauzë që në vete ngërthen njëfarë lloj autoriteti moral që nënkupton se ajo ka gjithë legjitimitetin e një “elite” politike që avokon për këtë kauzë. Gjithkush dhe gjithçka jashtë kauze është e shitur dhe tradhti. Normalisht, që e gjithë kjo histeri ka një pasplan të ndërtimit dhe akumulimit historik, gjegjësisht, historiografisë enveriste e cila e projektonte dhe kishte krijuar një leksik të ri politik bazuar në narracionin historik brenda binomit tradhtar-patriot. Të gjithë disidentët dhe kritikët e regjimit ishin të shitur dhe tradhtarë ngaqë ata ishin edhe kundër interesave të popullit. Figurat historike nga të cilët frymëzoheshin këto disidentë dhe kritikë njashtu ishin të shënjuar si tradhtarë, kolabracionistë dhe të shitur tek “armiku i huaj”. Kjo lloj terminologjie politike preku edhe shqiptarët jashtë Shqipërisë, në Kosovë dhe Maqedoni, qoftë përmes librave të historisë qoftë përmes kinematografisë së Shqipërisë enveriste ku gjithçka kundër partisë, ishte edhe kundër popullit. Kundërshtarët e popullit ishin të shitur dhe armiqtë të saj. Ata meritonin çdo lloj persekutimi, linçimi dhe internimi.

Gjuha prodhon realitet. Gjuha shpërfaq mendësi. Gjuha definon kufijtë e mendimit. Ajo shpërfaq edhe traumat, botën fiktive dhe të pavetëdijshme. Gjuha të tradhton. Analizat krejt sipërfaqësore të diskursit politik që eksponentëve të rëndësishëm politik shpjegon ndërtimin e tyre politik. Mendësia dhe pasplani ideologjik i ndërtimit politik të partive të tranzicionit trashëgoi shumë nga mendësia monocentriste e sistemeve socialiste. Nga kjo trashëguan edhe lëvizjet fetare të cilat sot veprojnë në trojet tona, me ç’rast ngrehina e tyre ideologjike edhe pse ndërtohet nga parimet e selektuara të kodeksit fetar, diskursi politik i tyre përkon me diskursin e socializmit arab i cili ishte një produkt dhe miksim i vulgarizimit stalinist dhe nacionalizmit arab. Nocionet si kauza, tradhtia, armiqtë e popullit, të shiturit dhe të ngjashme janë tipike diskurse dhe narrative të sistemeve autoritare dhe diktatoriale dhe që është vështirë për të vendosur demarkacionin shpjegues se çfarë është disidencë, çfarë është mendim ndryshe dhe çfarë është një qëndrim i mirëfilltë politik e partiak.

Militantëve të interesave ditore të cilët burim të vetëm financiar e kanë partinë mbase u falet sepse frika është më e fortë se çdo mendim racional dhe në momente frike njeriu habitet edhe nga vetja e lëre më nga të tjerët. Yryshi dhe turrja e tyre për të “kryqëzuar” gjithkënd që mendon ndryshe shpërfaq një lloj hipokrizie të lartë e cila nuk është gjë tjetër veçse akumulim i traumave sociale që ushqehen e mbarështrohen si diskurs opozitar e që në fakt janë veç shkarje me nuanca psikotike. Kurse eksponentët politik, kur ata, në vend të termit “interes publik” përdorin termin “kauzë”, në vend të frazës “rrugëtim tjetër politik” e përdorin përcaktorin pezhorativ “i shitur” në vend të frazës “shpërdorim të interesit qytetar” e përdorin nocionin “tradhtar”, kjo nënkupton se prapavija dhe ngrehina mendimore e këtyre eksponentëve, që për fat të keq janë shumë, akoma jeton dhe ushqehet me terminologjinë e shekullit XIX dhe XX, epokën e përplasjeve të mëdha ideologjike dhe politike. Për më tepër termin tradhti e komentojnë nga prizmi shtypës me vokacion dhe mendësi seksiste me çrast politikës i japin ngjyrim gruaje dhe e identifikojnë me seksin dhe marrëdhëniet ndër gjinore, ku tradhtia ndërlidhet me gjininë femërore dhe kurvërinë dhe si e tillë politika mbetet një “kurvë” dhe ato që “tradhtojnë” janë “kurva” politike. Brenda kësaj nënvetëdijeje ideologjike enveriste, fshihet edhe një lloj perversiteti seksist.

Më e rënda nga këto është persekutimi moral që i bëhet tjetrit në saje të një superioriteti të vetëshpallur moral të subjektit politik. Moralizimi, gjegjësisht, kritika për mungesë morali është nga kritikat më të rrepta dhe me pasoja të rënda shoqërore duke marrë parasysh faktin se jetojmë në shoqëri të ngushtë dhe njerëzit njihen me njëri tjetrin. Ky lloj persekutimi rrezikon t’i dekonstruktoj raportet tona shoqërore duke i shpier ato drejt një situate fiktive politike me çrast raportet farefisnore, shpirtërore dhe vëllazërore marrin kuptin dhe bëhen të njëmendta veç nëse janë brenda kornizës së sentimentit të çmendur politik. Në anën tjetër, partia politike, asnjëherë nuk mban kriterin e vërtetësie së gjërave dhe ajo vepron mbi interesat e përkohshme të grupeve të interesit dhe rrallë përfaqësojnë ndonjë interes të përgjithshëm publik.

Rrjedhimisht, kauza apo çështja asnjëherë nuk është partiake, por është fenomen i lëvizjeve shoqërore. Lëvizje kjo, qoftë edhe e ndërtuar përmes leksikut dhe aparatit përkatës ideologjik, ajo nuk mund të jetë partiake e cila kërkon votën qytetare për përfaqësim dhe delegim të pushtetit nga populli tek përfaqësuesi. Partia është grupim e cila synon përmes programit dhe apelit politik të kërkojë shtrirjen sa më të madhe të përfaqësimit të interesave publike brenda parlamentit dhe në qeverisjen e ardhshme qoftë lokale, qoftë qendrore. Kauza apo çështja ka të bëjë me lëvizjet historike të cilat, bazuar nga vetë nocioni çështje kanë të bëjnë me qenësinë dhe vazhdimësinë historike të një subjektiviteti i cili e vullneton shpërfaqjen në histori dhe vendos për veten. Çështja është rrugëtim i gjatë dhe idealistik. Në të kundërtën, brenda sistemeve demokratike ku ne operojmë me të vërteta të përkohshme, interesi publik është nocioni i duhur demokratik dhe i artikuluar racionalisht larg çdo emocioni, e cila për bazë e ka interesin e përgjithshëm publik si interes i universalizuar individual përbri raporteve me qytetin dhe shtetin. Politika bazohet mbi racionalen dhe të mendueshmen kurse raportet njerëzore mbi ndjeshmërinë dhe empatinë reciproke. Si shoqëri duhet përpjekur parreshtur që të mbajmë gjallë empatinë si mundësi për ta shpëtuar dashurinë dhe njerëzoren, kurse kritikën dhe arsyen si instrumente për ta emancipuar politikën dhe politikbërjen varësisht paradigmës politike.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)

Continue Reading

Kolumna

Mehmeti: Shqiptarët e Maqedonisë ndërtuan sistem piramidal të vlerave të rrejshme

Published

on

Shkruan: Kim Mehmeti

Ngjarjet e fundit rreth (mos)rrëzimit të qeverisë së Maqedonisë, më së miri tregojnë se gjitha partitë shqiptare, cila më shumë e cila më pakë, ‘din e iman’, parim e moral, ideologji e ideal…, kanë interesat personale të drejtuesve të tyre, interesa që realizohen vetëm me ardhjen me çdo kusht në pushtet.

Dhe gabon ai që beson se populli nuk e dinë këtë të vërtetë. Duke e ditur këtë, zgjedhësit e këtushëm shqiptarë, veprojnë sipas mendësisë se nga gjitha të këqijat, më së miri të del ta zgjedhësh ‘nënën’ e gjitha fatkeqësive, pra BDI’në, partin të cilës, gjatë këtyre dy dekadave sa ka qenë pjesë e gjitha qeverive, ia ke mësuar ‘sportelet’ dhe ia njeh ‘banditët’ partiak ku bëhet pagesa për proceset gjyqësore, për punësime, për lejet e ndërtimit, për blerjen e tokave shtetërore…

Më në fund, gjatë këtyre viteve sa drejtuesit e BDI-së merren me politika euro-atlantike, ajo realizoi diçka shumë të vlefshme për qarqet politike e policore maqedonase: e kriminalizoi shoqërinë e këtushme shqiptare, ndërtoi sistem piramidalë të vlerave të rrejshme, me çka u lartësua autoriteti i profesorëve që shesin nota, i mjekëve që e njohin vetëm ‘protokollin’ e thellësisë së xhepit, e gjykatësve që i nënshtrohet vetëm ligjit të euros dhe dollarit…!

Dhe si e tillë, BDI-ja u bë partner i pazëvendësueshme për partitë maqedonase. Pra, partitë opozitare shqiptare mund të bëheshin e të bëhen pjesë e qeverisë, vetëm nëse i shërbejnë kësaj partie. Dhe ato e dinë se gjatë zgjedhjeve, nuk kanë përballë vetes vetëm BDI-në, por edhe gjitha qarqet politike e policore maqedonase, e për çka pjesë të fajit kemi edhe të gjithë ne ‘patriotët’ tjerë, që i matim të tjerët, por kurrë nuk e peshojmë vetveten.

Andaj kurrë mos e besoni se ndonjë parti shqiptare vullnetarisht e ka braktisur koalicionin qeveritar, apo se e ka lënë pushtetin për arsye parimore. Këtë mos ua besoni as këtyre ‘besatarëve’ që u bënë deputet me votat e LSDM’së, sepse partitë tjera shqiptare, bëhen pjesë e qeverisë, vetëm sa për t’i mbuluar gjurmët ‘patriotike’ të burrështetasve të BDI’së!

Kështu që, edhe tani, kur flitet për partitë opozitare që do mund t’i bashkëngjiteshin qeverisë së tanishme të Maqedonisë, duhet thënë qartë e shqip: do bëhet parti qeveritare ajo që me kohë e ka vizituar Reçicën e Vogël, ku ka treguar sa e ka ‘çmimin’ dhe ku është betuar se me devotshmëri do i shërbejë BDI’së.

Duke u nisur nga kjo që u tha më lartë, artikullshkruesi vë bast publik se partia që tani do bëhet pjesë e qeverisë LSDM-BDI, do përfundojë me një autobus votuesish dhe do bëhet anëtare e ‘klubit’ të mjeranëve me zemër në Bruksel, që vetëkidnapohen në Shkup, klub i drejtuar nga ‘tregtari’ më i moçëm për shitblerje politikanësh shqiptarë – nga kryetari i partisë pa anëtarë, i PDSH’së, i cili deri dje, ua shante unazat ‘lindorëve’, e sot, Maqedoninë e mbron nga ndikimi ruso-turk?!

Continue Reading

Aktuale