Connect with us

Intervista

Intervistë e Bekim Qokut për shtypin bullgar – Shqiptarët e Maqedonisë ndjehen të ofenduar nga indiferenca dhe plogështia e shtetit amë, Shqipërisë!

Published

on

Intervistë me Bekim Qokun, enkas për Obshtestvo.net

I nderuar z. Qoku, a mund të na tregoni më shumë për skandalin me librat mësimorë në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe pse shqiptarët ndihen të ofenduar?

Ta nisim nga fundi. Deri sot e kësaj dite nuk është vënë askush para përgjegjësisë për të pavërtetat shkencore deri në nivel fyerjesh që i gjejmë nëpër librat shkollorë për popullin shqiptar që përndryshe përbën mbi 30% të popullsisë së Maqedonisë së Veriut, dhe që asimetrikisht ka qenë tejet korrekt dhe i drejtë ndaj popullit maqedonas. Nuk ka ndodhur asnjë kërkim falje, nuk është shkarkuar askush, nuk ka pasur asnjë protestë masive, nuk janë djegur publikisht këto lloj librash. Shkurt, nuk pati fatkeqësisht asnjë skandal. Ja njëri ofendim.

Por ne si shqiptarë jemi të ofenduar edhe më shumë me impotencën politike të klasës tonë politike që tani mban tërë ato poste të rëndësishme nëpër institucionet shtetërore, jemi të ofenduar nga kryetari shqiptar i kuvendit, nga 30 deputetët shqiptarë, nga 1/3 e kabinetit qeveritar, etj. Jemi të ofenduar e të zemëruar sidomos nga niveli i ulët e shterp i elitës sonë të njomë e të plakur intelektuale dhe kulturore. Aq më tepër kur ajo deklarohet se vjen nga tre universitete publike dhe disa private. Jemi të fyer nga anëtarët shqiptarë të Akademisë së shkencave dhe arteve, nga mijëra mësues e profesorë, pedagogë e doktorë shkencash, nga gazetarë të 4 a 5 televizioneve kombëtare e plot lokale, nga studiues institutesh kërkimore, nga opozita shqiptare që i dërgon letër ministres së arsimit duke e lutur ta heqë librin me fyerje nga qarkullimi, por pa cekur asnjë veprim apo pasojë në rast se kjo nuk i përgjigjet pozitivisht lutjes së opozitës. Siç e shihni, fyerjet ndaj nesh janë një radhë e gjatë.

Ne ndjehemi të ofenduar veçanërisht nga indiferenca dhe plogështia e shtetit amë, Republikës së Shqipërisë, sepse ajo e ka për detyrë kushtetuese dhe morale e kombëtare të bëhet gardiane e pjesëtarëve të kombit të saj kudo ku ata janë pre e sulmeve, propagandave apo fyerjeve nga ana e institucioneve zyrtare të një shteti të huaj. Për shtrembërimet shkencore dhe fyerjet në drejtim të bullgarëve nga institucionet e MV flet zëshëm vetë Sofia zyrtare, KM Borisov, ministria e PJ Zaharieva apo z. Karakatçov si ministër i mbrojtjes dhe jo qytetarët e thjeshtë. Dhe kjo i bën nder shtetit dhe kombit bullgar.

Maqedonasit kanë vuajtur gjithmonë nga kompleksi i origjinës. Këtë gjendje psikologjike nuk mund të mos e vësh re kur psiko-analizon shtatoret e shën Kirilit dhe Metodit apo të shën Klimentit e të tjera dhe shikon se si këmbët e tyre janë bërë në formë të rrënjëve që lëshohen teposhtë piedestalit. Këtë kompleks që u shkakton një boshllëk identiteti ato e kompensojnë me inxhinierungun e realiteteve stereotipike të Tjetrit, të dehumanizimit të shqiptarit të prapambetur, të zbritur nga mali, ardhacak, shqiptarit jo autentik, apo bullgarit fashist e me fizik të deformuar etj. Vetëdija maqedonase i ka lënë vendin kompleksit maqedonas. Në vend të polisit, qytezës, ata kanë projektuar një shesh të madh xhirimi, një Cinecittà të emërtuar Skopje 2014.

Sipas Jush, cilat janë masat e nevojshme për zgjidhjen e këtij problemi dhe a kanë partitë shqiptare strategji të qarta në këtë drejtim?

Nëse duam t’u shkojmë deri në fund dhe t’i kuptojmë botëkuptimet politike, historike dhe kulturore të klasës politike dhe elitës intelektuale dhe artistike të maqedonasve të kohës, nuk mund të anashkalojmë ndikimin që kanë ushtruar mbi ta kurrikulat dhe librat shkollorë të dekadave të fundit. Pra nëse duam të racionalizojmë simpatitë dhe epjen kulturore ndaj popullit serb dhe paragjykimet dhe urrejtjen që po shpërfaqet ndaj bullgarëve dhe sidomos ndaj shqiptarëve, duhet patjetër që të shpjegojmë indoktrinimin didaktik dhe sistematik që buron nga sistemi arsimor. Klasa politike, të udhëhequra nga Gruevski dhe Zaevi, janë pjellë e hegjemonisë kulturore serbomadhe. Ajo është produkt dhe njëkohësisht ricikluese të këtyre mendësive serbofile nga njëra anë, dhe antibullgare dhe antishqiptare nga ana tjetër, dhe që do të nxisin vazhdimisht kriza të thella politike në vend. Maqedonia e Veriut, përmes sjelljes së elitës së saj politike na shtyn pa reshtur të mendojmë se ajo është mbetja e vetme e projektit jugosllav. Sa më shumë që politikat zyrtare imagjinojnë identitetin e tyre, aq më shumë lënda e kësaj imagjinate është fyerje, aq më shumë është ndjekëse e politikës së Beogradit, aq më shumë ajo prodhon racizëm ndaj përbërësve të tjerë etnikë të këtij shteti.

Për fat të keq, kundër kësaj klase politike, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, të asnjë instancë politike dhe akademike, për aq sa kam dijeni, nuk kanë strategji dhe as alternativë, aq më pak ndonjë vizion të qartë, jo vetëm lidhur me problemin në fjalë, por për asnjë çështje madhore që ka të bëjë me ta në kuadër të vendit apo rajonit. Dhe ekuilibri i brishtë mes heshtjes afatgjatë të shqiptarëve dhe racizmit këmbëngulës të elitës maqedonase, krijon një situatë që nuk i ngjan aspak stabilitetit.

Sidoqoftë, nëse ka vullnet të mirë, problemi i kësaj natyre zgjidhet shpejt e me pak mund. Bota njeh praktika të eksperimentuara tanimë për harmonizimin e librave shkollorë duke ngritur komisione të përbashkëta. Kësi komisionesh janë ngritur ta zëmë midis Gjermanisë dhe Izraelit, apo Gjermanisë dhe Polonisë për përpilimin e historisë, gjeografisë, etj. Një komision i tillë këtu mund të formësohej midis Institutit të historisë të Universitetit Kiril dhe Metodij dhe Katedrës së historisë e Universitetit të Tetovës, apo edhe Institutit të trashëgimisë shpirtërore e kulturore të shqiptarëve, të cilët do të ishin hallka e fundit e procesit të botimit të një libri shkollor. Në këtë mënyrë ne do të kishim një adresë të saktë të përgjegjësve kompetentë.

Në MV veprojnë aktualisht komisione të tilla binacionale midis MV dhe Greqisë, ndonëse në MV nuk jeton asnjë grek, që harmonizojnë përmbajtjen e librit shkollor. Kjo tregon se me një shtet të konceptuar në mënyrë të tillë nga zyrtarët e vet maqedonas, sjellja zemërgjerë nuk bën asnjë punë dhe nuk ka asnjë vlerë.

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut duhet të bëhet regjistrimi i popullsisë në pranverë, por refuzimi i ndryshimeve të ligjit për shtetësi, me të cilat duhej të lehtësohej mënyra e marrjes së shtetësisë, a përjashton shumë qytetarë prej këtij procesi?

Çka thamë më sipër dëfton edhe faktin se shteti i Maqedonisë së Veriut lëngon nga mungesa e kohezionit social. Përbërja etnike e vendit nuk korrespondon me rendin unitar kushtetues. Mbijetesa e këtij shteti kësisoj, do të varet gjithmonë nga dominimi i theksuar i njërës etni mbi tjetrën. Ky dominim manifestohet përmes numrave. Ne shqiptarët quhemi populli që flet gjuhën mbi 20% që është e ndryshme nga ajo maqedonase. Pra politika maqedonase veriore i ka vënë një prag sasior ekzistencës demografike të shqiptarëve. Dua të them, se klasa (etnia) dominuese nuk do të ndërmarrë asnjë ndryshim të kornizës ligjore që do të kërcënonte këtë raport asimetrik. Për pasojë, Maqedonia e Veriut e ka vetëpërcaktuar natyrën si shtet që mbijeton dhe mbahet në këmbë mbi themelet e pabarazisë dhe padrejtësive sociale.

Në këtë aspekt duhen përmendur privilegjet që gëzon komuniteti sërb që përbën realisht 0.5% të popullsisë dhe në kushtetutë ka statusin e bashkësisë njësoj si shqiptarët që janë mbi 30%. Kësaj pakice të privilegjuar, KM Zaev i premtoi së fundmi që serbishtja do të futet si gjuhë zgjedhore nëpër shkollat e vendit, njësoj siç është premtuar për shqipen. Nga ana tjetër, nëse në 20 vitet e fundit janë dhënë rreth 100 mijë pasaporta bullgare për qytetarët e MV, dhe nëse supozojmë se çdo posedues ka të paktën një familjar, sot, në MV duhet të jetojnë rreth 10% bullgarë. Këta qytetarë nuk do të kenë grafën e tyre në formularët e regjistrimit. Serbët me 0.5% po. Pra politika e elitës maqedono-veriore ka dhe mundësinë të projektojë mbi përbërësit etnikë të shtetit të MV-së hierarkinë raciale.

Në javët e fundit flitet për rënien e koalicionit qeverisës dhe për zgjedhje të parakohshme në Maqedoninë e Veriut. A ka gjasa që kjo të ndodhë?

Nga viti 2006 asnjë qeveri nuk ka pasur asnjë mandat të plotë katër vjeçar. Nga ajo që u tha më sipër, këtij shteti i mungon bazamenti dhe premisa për të pasur një stabilitet politik afatgjatë. Qeveritë do të jenë gjithmonë të brishta dhe do të përpiqen të garantojnë dhe reflektojnë vetëm interesat e grupeve të ngushta klanore dhe oligarkike, por kurrë të shtetit dhe popullit në mungesë të Maqedonisë së Veriut. Aktualisht, nuk duket në horizont që dikush do të ketë vullnetin dhe guximin për ndryshime pozitive, andaj vështirë se priten ditë më të mira. Nuk mund të pritet pra shumë prej një shteti që pakëson dhe denigron pothuaj gjysmën e popullsisë së vet.

A mendoni se fitorja e Lëvizjes “Vetëvendosje” mund të sjellë ndryshime edhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut?

Një nga pasojat e rënda që kanë vuajtur shqiptarët në regjimin komunist jugusllav (lexo serb) ka qenë eliminimi i elitës shqiptare politike, intelektuale dhe ekonomike. Elita që u ngrit rishtas pas luftës në Kosovë ka qenë shumë agresive, e dhunshme dhe tejet abuzive me pasurinë kombëtare. Lëvizja Vetëvendosje! (LV) është një lëvizje politike e përbërë kryesisht nga brezi i millenials, pra vajza e djem të këtij mileniumi. Dhe ta tërheqësh këtë brez të smartphonëve aktivisht në politikë, duhet të jesh vërtet shumë i mirë dhe joshës.

LV jep shpresë sepse arriti të përmbysë me mjete demokratike (që është diçka jashtëzakonisht e guximshme) këtë elitë politike të përbërë nga komandantë lufte dhe funksionarë të vjetër të Jugosllavisë që ishte varur si me kanxha pas pushtetit dhe po i thithte gjithë energjitë pozitive vendit. Ky triumf i saj sot shërben si një storie suksesi që frymëzon jo vetëm të rinjtë shqiptarë të MV, por edhe më gjerë. LV ka treguar se ka vullnet dhe vizion jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin. Albin Kurti, lideri i saj, në shumë raste ka vënë theksin dhe ka favorizuar aleancat e reja ballkanike midis shqiptarëve, bullgarëve dhe kroatëve në Ballkan dhe Gjermanisë në Evropë.

LV ka fituar fuqishëm edhe në rrafshin ideologjik. Ajo nuk fitoi as me populizëm e as me ndonjë ndjenjë shovine ndaj regjimit të korruptuar, por me program social-demokrat të thelluar. Fitorja e saj ka patur një jehonë shumë pozitive në Evropë.

Tjetra, LV ka kundërshtuar vazhdimisht projektin të quajtur Minischengen, ku bën pjesë Serbia, Shqipëria e Edi Ramës dhe Maqedonia e Veriut. Ky është një projekt i Vuçiqit dhe i hartuar vetëm për interesat e Serbisë. Përfshirja e M. së Veriut në këtë projekt u bë vetëm për ta larguar atë nga sfera e ndikimit Bullgar dhe për ta afruar me Serbinë. Ky është një gabim i pafalshëm i Edi Ramës, që u kushton shumë shqiptarëve. Le ta them pak ndryshe: Me lidhjen e tij të fuqishme me Vuçiqin, Edi Rama kërkon të dobësojë rolin e Kosovës në rajon. Me anë të lidhjes me Zaevin, kërkon të fusë mes Maqedonisë dhe Bullgarisë një vakum që mbushet me ndikimin ruso-serb. Me anë të Minishengenit, marrëveshja Vuçiq-Rama kërkon të shtyjë edhe me larg prej Ballkanit Bashkimin Evropian. Ndaj kësaj politike duhet të krijohet një bashkëpunim i pjekur mes vendeve që nuk kërkojnë të krijohen kuti të errëta brenda Ballkanit.

Në këtë aspekt, vlerësoj se shteti Bullgar te Lëvizja Vetëvendosje do të gjejë një partner bashkëpunimi të kthjellët dhe serioz.

Faleminderit shumë!

Continue Reading

Intervista

Taravari: Incidentet e protestave i provokuan grupet e tifozëve të organizuar nga Artan Grubi

Published

on

Kryetari i Komunës së Gostivarit dhe nënkryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, në një intervistë për “Focus” pohon se incidentet e ndodhura në njërën nga protestat, kur njëri prej anëtarëve të partisë së tyre nxori armën dhe qëlloi në ajër, protestuesit u provokuan nga grupet e tifozëve të Shkupit, të cilat menaxhoheshin nga Artan Grubi nga partneri i koalicionit qeveritar, BDI, përcjell in7

FOKUSI: Në njërën prej protestave kundër propozimit francez, ju si parti ishit në qendër të vëmendjes. Çfarë ndodhi mbrëmjen kur bashkëpartiaku juaj qëlloi me armë në drejtim të masës së protestuesve?

TARAVARI: Pra, ne nuk jemi aspak aktivë në protesta. Nuk jemi as për protestat. Kush do mund të protestojë, kush nuk do, nuk ka pse. Ne vetëm disa herë kemi thënë se jemi kundër gjuhës së urrejtjes. Fjala vjen, në një nga pesë mbrëmjet e protestuara, ajo ngjarje fatkeqe ka ndodhur përballë Mavrovkës.

FOKUSI: Çfarë ndodhi në të vërtetë?

TARAVARI: Informacionet e fundit më thonë se këtu janë të përfshirë direkt BDI dhe LSDM. Unë personalisht nuk i kisha parë videot deri para disa ditësh, por pasi i shqyrtova me kujdes, pashë se mbi urë disa aktivistë të afërt me BDI-në dhe Artan Grubin gjuanin me gurë.

FOKUSI: Janë tifoz grupe?

TARAVARI: Po tifozët e Shkupit. Praktikisht e provokuan gjithë situatën.

FOKUS: Doni të thoni se është e gjitha e inskenuar?

TARAVARI: Sigurisht. Megjithatë, ka një pjesë tjetër të historisë. Një natë më parë, më saktë në mbrëmjen e 5 korrikut, u sulmua hoteli i njeriut që qëlloi me armë, gjë që nuk e justifikoj aspak. Pra, përdorimi i armëve në situata të tilla nuk ka asnjë justifikim. Mirëpo, regjistrimet tregojnë se edhe policia ishte totalisht pasive, ndaj qëllimi ka qenë të krijohet ajo që Bujar Osmani kishte paralajmëruar pesë-gjashtë ditë më parë. Mirë që perfundoi pa pasoja./in7.tv/

* Intervistën e plotë në gjuhën maqedone mund ta gjeni në këtë link.

Continue Reading

Intervista

Hofreiter: Rajoni dhe Evropa më të forta me anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE

Published

on

Në intervistën për DW, kryetari i Komiteti të BE-së në Bundestagun gjerman, Anton Hofreiter, shpjegon pse duhet të përshpejtohet procesi i zgjerimit të Unionit.

Deutsche Welle: Disa politikanë shqiptarë kanë qenë së fundmi tek ju për të kërkuar mbështetjen e Gjermanisë për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Si mund t’i bindni skeptikët në BE që të heqin dorë nga qëndrimi i bllokues?

Anton Hofreiter: Është e rëndësishme që në këto kohë të vështira të sigurohemi që Bashkimi Evropian të bëhet më i fortë dhe më i qëndrueshëm dhe që e gjithë Evropa të bëhet më e fortë dhe më e qëndrueshme. Për këtë është e rëndësishme që perspektiva e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut të bëhet shumë, shumë e qartë. Kjo është arsyeja pse unë dua që ky proces më në fund të fillojë dhe të çelen negociatat. Kam shumë shpresë se kjo do të jetë e mundur pas zgjedhjeve në Francë dhe mendoj se është e domosdoshme. Kam përshtypjen se ka filluar të kuptohet edhe në BE se rajoni dhe Europa do të bëhen më të qëndrueshme dhe më të forta, nëse Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut anëtarësohen në Bashkimin Evropian.Deutsche Welle:Vitin e kaluar, fillimi i bisedimeve për anëtarësim me këto vende dështoi jo më për shkak të Francës, por për shkak të Bullgarisë. Të paktën ky ishte shpjegimi zyrtar. Së fundmi, kryeministri i Shqipërisë njoftoi se do të aplikonte për të ashtuquajturin “decoupling”, pra, shkëputjen nga Maqedonia e Veriut. A do te ishte e mundur kjo?

Anton Hofreiter:E mundur është, por pyetja është se sa kuptim ka. Kur Shqipëria u nda nga bisedimet me Malin e Zi në atë kohë, kjo nuk pati efekt të mirë. Në Bullgari tani kemi një qeveri të re dhe jam optimist se kjo qeveri do të arrijë ta heqë veton.Deutsche Welle: Cilat janë argumentet tuaja që flasin për një përshpejtim të procesit?

Anton Hofreiter: Së pari, disponimi i fortë pro-evropian që mbizotëron në këto vende flet në favor të tyre. Pastaj, është mirë për vetë vendet nëse vazhdojnë me reformat dhe përparojnë me integrimin në Bashkimin Evropian. Dhe së dyti, është në të mirë të Bashkimit Evropian, sidomos tani përballë sfidave për t’u zgjeruar dhe për të anëtarësuar vende të tjera, se vende si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë shumë për të ofruar: kanë njerëz interesantë, kanë një rajon me potencial tejet të madh, për shembull në sektorin e energjive të rinovueshme, dhe kësisoj është një situatë win-win për të gjitha palët.

Deutsche Welle: Tani edhe Ukraina po kërkon të hyjë në BE. A ka gjasa që Ukraina, ose një vend tjetër më i rrezikuar nga lufta, të anëtarësohet në BE përpara vendeve të Ballkanit Perëndimor që kanë statusin e kandidatit?

Anton Hofreiter: Nuk mendoj se kjo është e gjasshme. Por në funksion të luftës shfarosëse në Ukrainë, na duhet të kujdesemi shumë edhe për Ukrainën dhe të mos harrojmë Moldavinë dhe Gjeorgjinë. Sfidat janë të mëdha. Por besoj se mund të zotërohen, nëse BE-ja qëndron e bashkuar, nëse BE-ja nuk mendon vetëm për anëtarët e BE-së, por edhe për shtetet evropiane dhe Shqipëria është padyshim një prej tyre.

Continue Reading

Intervista

Artina Qazimi – deputetja më e re në parlamentin e RMV-së: Të rinjtë duhet të kenë më shumë ambicje për politika institucionale

Published

on

Artina Qazimi nga fshati Dobërdoll – Komuna e Vrapçishtit, e lindur më 13.04.1997 në Qytetin e Gostivarit. Shkollën fillore e ka kryer në fshatin Dobërdoll SHF “Sali Lisi”. Shkollën e mesme të Mjekësisë dhe studimet në Universitetin e Tetovës – Dega Fizioterapi. Ajo për Nistori flet për sfidat e saj si deputete, ndikimin në politikat për të rinjtë dhe ndryshimin për të cilin përpiqet në parlamentin e RMV-së. Ajo njëherit është edhe deputetja më e re në këtë legjislaturë.

Nistori: Cili është ndryshimi i vetëm që dëshironi të shihni në vendin tuaj?

Artina Qazimi: Në vendin tonë ka nevojë për shumë ndryshime, mendoj se një ndër nevojat e rëndësishme është që të punohet në përmirësimin afatgjatë të pozitës ekonomike të qytatarëve në vend. Shpesh përballen me të ardhura të ulëta, papunësi të lartë, kontrata jo adekuate të punës, veçanërisht të rinjtë kanë një pozicion të palakmueshëm dhe të kufizuar financiarë, i cili duhet të përmirësohet me një qasje serioze politike.

Nistori: Sa ndihmon puna juaj si deputete për të sjell ndryshime pozitive?

Artina Qazimi: Qëllimi im dhe i grupit tonë parlamentar çdoherë është sesi të sjellim ndryshime pozitive, nëpërmjet ligjeve, votimit të ligjeve që janë në interesave të qytetarëve. Synim tjetër që e kam veçuar edhe tek Klubi për Çështje dhe Politika Rinore është që të vendosim kontakte me të rinjtë që janë të rëndësishme për ta. Vizitat e tilla do të krijojnë raporte, të cilat do të përcaktojnë hapat e ardhshëm se çfarë mund të bëhet për përmirësimin e situatës.

Nistori: Pse është e rëndësishme të përfshihen më shumë të rinj në parlament?

Artina Qazimi: Duket qartazi që të rinjtë kërkojnë involvim dhe përfshirje më të madhe, mirëpo hapësira u është uzurpuar dhe ato ndihen të pafuqishëm që të thyejnë barrierat dhe të sigurojnë përfaqësim më lë lartë dhe adekuat. Pra kjo është gjendja politike e të rinjve, e cila duket që shpjegon edhe faktin pse shumica e të rinjve nuk ndihen të përfaqësuar dhe e ndjejnë politikën dhe politikanët si diçka të largët dhe të huaj, e jo si sferë dhe njerëz me të cilët duhet bashkëpunuar që të rritet mirëqenia. E kjo është pra ndër arsyet më të rëndësishme pse sot më shumë se gjysma e të rinjve të intervistuar nga UNICF janë të pakënaqur me sistemin e edukimit, respektivisht me lidhjen e aftësive të cilat kërkohen në tregun e punës me kurrikulat të cilat mësohen nëpër shkolla, apo pse më shumë se 50% e të rinjve janë të papunë, e 25 e tyre janë në kategorinë e të rinjve të cilët nuk janë as në punë, as në shkollim dhe as në trajnim. Prandaj edhe nuk është e çuditshme që më shumë se gjysma e të rinjve kanë plane që në dy vitet e ardhshme të migrojnë nga Maqedonia e Veriut, sepse lëre që nuk kanë mirëqenie të mirë, por u ka munguar afërsia me institucionet të cilat do të duhej ta rrisnin mirëqenien dhe lumturinë e të rinjve këtu tek ne.

Nistori: Cili është roli i të rinjve në parlament dhe cila është kerkesa juaj konkrete që keni bërë për të rinjtë në parlament?

Artina Qazimi: Për shkak të situatës me pandeminë që ballafaqohemi, kam kërkuar së bashku me deputetët e rinj të bëjmë vizita të qendrave lokale, edhe pse ka një numër të vogël qendra rinore, por ngritja e tyre është përgjegjësi e çdo pushteti lokal. Për të parë përvojat nga funksionimi i qendrave ekzistuese rinore, do të kemi takime në terren në disa prej qendrave.

Nistori: A është mosha barrierë për t’u bërë deputete në RMV?

Artina Qazimi: Mua më gëzon fakti që jemi aktualisht 12 deputetë nën moshën 35 vjeçare dhe se mendoj që mosha nuk pengon për tu bërë deputete ose çfarë do qoftë në institucionet shtetërore. Masat për qytetarët e rinj pothuajse mungojnë plotësisht në fushën e integrimit europian, si dhe pjesëmarrjen e të rinjve në proceset e vendimmarrjes dhe në punën e institucioneve.

Nistori: Sa është sfiduese për një grua që të merr postin e deputetit?

Artina Qazimi: Gratë në politikë janë ende në sfidën e nënpërfaqësimit. Nga ana tjetër vazhdon të qëndrojë temë dite lufta brenda të njëjtës gjini, dhe gjithmonë kjo dobësi përdoret për interesa të ngushta politike të burrave. Gjithsesi, jam e bindur se ka një rritje cilësore në debatin mes grave dhe burrave në politikë dhe se zëri i gruas në Parlament ka filluar të dëgjohet falë performancës profesionale të grave deputete!

Nistori: Si deputetja më e re në parlamentin e RMV-së cili është mesazhi juaj?

Artina Qazimi: Unë si deputetja më e re në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut mbetem e hapur për çdo bashkëpunim dhe iniciativë në këtë drejtim. Dyert e Parlamentit mbeten të hapura jo vetëm për të dëgjuar brengat e të rinjve, por për çdo ide dhe iniciativë e cila do të mundësonte rritjen e mirëqenies së të rinjve në Maqedoninë e Veriut, mirëqenie e cila për momentin mungon dhe do të duhej urgjent të ngrihej. /Nistori/

Continue Reading

Aktuale