Connect with us

Kolumna

Pse nuk duhet legalizuar përdorimi i marihuanës për qejf?

Published

on

Maqedonia e Veriut nuk është as Holandë e as Çeki që legalizimi i marihuanës të jetë një shtytje për ekonominë. Nëse shihet anarkia e mosrespektimit të ligjit kundër thithjes së duhanit në hapësira të mbyllura, mund vetëm të paramendohet se çka mund të sjellë lejimi i thithjes së marihuanës.

Autor: Xhelal Neziri

Kryeministri Zoran Zaev ka paralajmëruar legalizimin e marihuanës edhe për përdorim rekreativ. Para katër viteve u legalizua për përdorim mjekësor pasi besohej se mund të ndihmojë në kurimin e disa sëmundjeve. Tash si arsye përmendet zhvillimi i turizmit.

“Ideja është të japim një mundësi në vendet turistike, përfshirë Shkupin, kafenetë ekzistuese dhe ato të reja, duke respektuar standarde të caktuara – ventilimi, prova e origjinës së marihuanës, etj., për të mundësuar konsumimin e marihuanës brenda tyre”, ka deklaruar Zaev për DW.

Ndërkohë që blloku opozitar i përbërë nga VMRO-DPMNE dhe ASH/AAA deri tash nuk ka qenë i zëshëm kundër këtij qëllimi të kryeministrit, partitë shqiptare në qeveri – BDI, BESA dhe PDSH thonë se nuk kanë qëndrim për këtë çështje. Fitohet përshtypja se kush zëshëm e kush në heshtje e shtyjnë idenë e legalizimit të marihuanës për përdorim rekreativ, apo popullorçe thënë – për pikën e qejfit.

Deri më tash qeveria nuk ka dalë me të dhëna statistikore që do të ndihmonin ekspertët të ndërtojnë një qëndrim të bazuar pro ose kundër. Ekspertët e shëndetësisë nuk janë dëgjuar të shpjegojnë efektet negative të marihuanës. Policia nuk ka të dhëna për lidhjen e marihuanës me rastet e shkeljeve të ligjit, krimit apo të aksidenteve në komunikacion.

Në momentin kur bëhen përpjekje globale për ngritjen e vetëdijes për dëmin nga thithja e duhanit, ka shumë shtete në botë që kanë lejuar përdorimin e kanabisit dhe drogave të lehta për rekreacion. Por, statistika i ka demantuar keq.

Studimet kanë treguar se marihuana për përdorim rekreativ ka shumë efekte të dëmshme shëndetësore. Është drogë që krijon varësi me efekte anësore në shëndetin mendor, trurin dhe sistemin e frymëmarrjes. Numrat kanë konfirmuar se ngarja e makinës në gjendje të dehur me marihuanë rrit shumë rrezikun e aksidenteve fatale në komunikacion. Sipas evidencave, përplasjet fatale të automjeteve që përfshijnë ngrahës të dehur me marihuanë janë trefishuar gjatë dekadës së kaluar. Ka pasur një rritje deri në 6 përqind të numrit të aksidenteve në autostradë në shtetet ku është legalizuar përdorimi rekreativ i marihuanës.

Në Maqedoninë e Veriut numri i aksidenteve fatale është i lartë edhe pa legalizimin e marihuanës. Sipas të dhënave statistikore të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në 10 vitet e fundit, në aksidente të trafikut mesatarisht kanë vdekur 157 persona në vit. Liderë sipas numrit të njerëzve të vdekur në aksidentet e trafikut në Evropë janë Rumania dhe Bullgaria me 9.5 persona të vdekur për 100 mijë banorë. Nëse numri prej 157 rasteve të vdekjes pjestohet me 2 milionë banorët e vendit del se kemi 7.9 persona të vdekur për 100 mijë banorë. Por, regjistrimi i fundit në Maqedoninë e Veriut ishte 18 vjet më parë dhe, sipas vlerësimeve, në vend banojnë rreth 1.7 milionë banorë. Nëse numrin e aksidenteve fatale e pjestojmë me këtë numër, atëherë Maqedonia e Veriut ngrihet në shoqërinë e Rumanisë dhe Bullgarisë me 9.3 persona të vdekur në vit për 100 mijë banorë. Vetëm për krahasim, mesatarja e BE-së është 4.9 vdekje në vit në aksidente trafiku, Gjermania ka 3.9, Danimarka 3.2, Britania e madhe 3.1 dhe Suedia 2.5 raste të vdekjes.

Parashtrohet pyetja: pse atëherë qeveria kërkon ta legalizojë marihuanën për përdorim qejfi? Turizmi mund të jetë një arsye, por jo e vetmja. Legalizimi i biznesit të marihuanës për qëllime mjekësore në vitin 2016 tërhoqi shumë investime, midis të cilave edhe kompani të lidhura me familjen e kryeministrit Zaev.

Por, nuk shkoi ashtu siç planifikohej. Qeveria priste që prodhimet e marihuanës, si vaji i kanabisit, të arrijnë të kenë një qarkullim prej 100 milionë euro vit. Megjithatë, llogaritë përfundimtare për vitin 2018 tregojnë se njëzet kompanitë e licencuara po investojnë shumë më tepër sesa fitojnë deri më tani. Vitin e kaluar, ata raportuan shpenzime prej 3.3 milionë euro, duke fituar vetëm 300,000 euro.

Tregu i brendshëm nuk ka kapacitet për të absorbuar prodhimin. BE më shumë është e interesuar për lulet e thata të marihuanës, por kjo nuk është e lejuar me ligj. Deri më tani, ligji lejon vetëm vajrat, ekstraktet dhe tinkturat, të cilat, sipas kërkesës, përbëjnë vetëm 30 përqind të tregut. 70 përqind e tjerë janë sytha të bimës, të cilat mund të thithen si duhan.

Sidoqoftë, zgjerimi i tregut vendor për prodhuesit e marihuanës është një gabim i madh që do të ketë pasoja rëndë të riparueshme. Maqedonia e Veriut nuk është as Holandë e as Çeki që legalizimi i marihuanës të jetë një shtytje për ekonominë. Nëse shihet anarkia e mosrespektimit të ligjit kundër thithjes së duhanit në hapësira të mbyllura, mund vetëm të paramendohet se çka mund të sjellë lejimi i thithjes së marihuanës.

Continue Reading

Kolumna

Arbër Xhaferi ishte shumë më i mençur se politikanët maqedonas

Published

on

By

Roland Gjoni

Me pak vonese nje perkujtim per nder te Arben Xhaferrit me te cilin rastesisht kemi ditelindjen e njejte. E kam takuar dy here ne Prishtine dhe do kisha dashur te bisedoja me gjate per shume tema. Pervec se ishte i dashur dhe mendimtar origjinal kishte edhe guxim ta thoshte cka mendon.

Pas vdekjes se tij, nga 2015 kur po bisedoja ne Shkup me nje nga keshilltaret politik te ish Presidentit Cervenkovski e pyeta se cili ishte politikani me afte i shqiptareve ne Maqedoni. A u pergjigj pa dileme “Arben Xhaferri per arsye se ai me dije e guxim e ndryshoi diskursin politik te shqiptareve ne Maqedoni duke thyer pergjithmone stereotipet mbizoteruese per shqiptaret. Dhe shtoi “Nuk ishte vetem me i mencuri nga shqiptaret por ishte shume hapa para politikaneve maqedonas ne mendime.”

Respekte!

Continue Reading

Kolumna

Çfarë kërkojnë dhe çka u ndalohet shqiptarëve në Maqedoninë Veriore?

Published

on

By

Shkruan Abdulla Mehmeti

Analizë në vigjilje të regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë Veriore

1. Asnjë pushtet okupator apo diktatorial, asnjë ideologji reaksionare në botë nuk e ka trajtuar ndonjë popull autokton të një vendi si përqindje dhe shumë numerike, siç i ka trajtuar shqiptarët pushteti i Maqedonisë Veriore nga viti 2001 e deri më sot.

2. Kjo formë e diskriminimit të shqiptarëve nuk ndalet vetëm te mohimi i përkatësisë etnike por edhe i gjuhës shqipe, e cila trajtohet me ligje dhe kushtetutë si gjuhë të cilën e flasin qytetarët e vendit, të cilët përbëjnë mbi 20%, jo si gjuhë amtare që ka emër dhe i takon një populli me histori, kulturë dhe identitet të veçantë.

3. Faktori politik shqiptar, i cili i përfaqëson shqiptarët në pushtet nga viti 2001 e deri më sot, bazë mbështetëse dhe platformë të veten për garantimin e të drejtave të shqiptarëve dhe barazinë e tyre në këtë shtet e konsideron Marrëveshjen kornizë të Ohrit, e shqiptarët i trajton si pakicë kombëtare ndërsa gjuhën shqipe si gjuhë e një grupi të qytetarëve pa identitet, të cilët përbëjnë mbi 20% të popullsisë dhe që flasin një gjuhë tjetër të ndryshme nga gjuha zyrtare maqedonas, prandaj, regjistrimi real i popullsisë nuk i konvenon kësaj strukture politike, e cila e humb primatin në skenën politike, me shkuarjen në histori të këtij realiteti të rrejshëm siç e ka paraqitur Marrëveshje e Ohrit dhe mbështetësit e saj. Çfarëdo rezultati nga regjistrimi i ardhshëm i popullsisë në Maqedoninë Veriore, i cili do të ishte afër 20-25% do të ishte i pranueshëm edhe për faktori politik shqiptar në pushtet, ndërsa çdo rezultat ndryshe, që mund t’i nxjerrë shqiptarët qoftë edhe me një banor më tepër se 30%, do të jetë debakël dhe devalvim i kësaj politike të derisotme që ka ndjekur klasa politike shqiptare në këtë shtet. Në këtë pikëpamje, këto struktura politike të shqiptarëve janë në frymë të njëjtë me atë të pushtetit, që shqiptarët të trajtohen edhe më tej si pakicë dhe të sundohen më lehtë.

4. Pavarësisht nga presioni ndërkombëtare dhe kushtëzimi për anëtarësimin e vendit në BE, si edhe nga opinioni i brendshëm, secila palë për llogaritë e veta, as pushteti aktual në Maqedoninë Veriore nuk është i gatshëm ta paraqesë numrin real të popullsisë dhe përkatësinë etnike të banorëve të këtij shteti.

5. Beteja për numra dhe përqindje e shqiptarëve në Maqedoninë Veriore, e imponuar nga pushteti dhe klasa politike e korruptuar, është betejë për barazi qytetare, liri dhe të drejta kombëtare të mohuara.

NËN KTHETRAT E DISKRIMINIMIT POLITIK, KUSHTETUES DHE LIGJOR PËRMES NUMRAVE DHE PËRQINDJES

Më në fund, pushteti në Maqedoninë Veriore ka vendosur seriozisht ta realizojë operacionin e madh statistikor për regjistrimin e popullsisë, me miratimin e ligjit përkatës nga parlamenti, që pritet të zhvillohet nga 1-20 prill të këtij viti.

Se çfarë regjistrimi mund të realizohet nga institucionet e pushtetit aktual është shumë e qartë. Për bindjen tonë, në stilin “As me shehër, as me Barilevë”, siç thotë shprehja popullore, që domethënë, në radhë të parë të përmbushen detyrimet ndërkombëtare të shtetit (vetëm Somalia dhe Maqedonia nuk kanë bërë regjistrim të popullsisë më tepër se 10 vitet e fundit), pse këtë e kërkon edhe BE për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e këtij vendi, t’i përmbushin deri diku edhe kërkesat e faktorit politik shqiptar, por, të mos bëhet një regjistrim real sa të “cenohen” interesat e pushtetit, sidomos të opozitës nacional-shoviniste, e cila më lehtë i pranon të gjitha rreziqet mbi shtetin, se sa të bëhet i ditur numri i saktë i banorëve sipas përkatësisë etnike, sidomos numri i shqiptarëve.

Disa parti politike, të fryra nga nacional-shovinizmi, si edhe disa qarqe politike dhe intelektuale, abece të tyre për mbijetesë e kanë manipulimin e opinionit, për të mbijetuar edhe më tej në skenën politike, duke e ushqyer anëtarësinë, simpatizuesit dhe përkrahësit e tyre me të “vërtetën” e tyre, siç e kanë mësuar nga të parët komunistë jugosllavë, të stërmbushur me urrejtje ndaj shqiptarëve.

Këto parti dhe qarqe intelektuale nuk lënë rast dhe mundësi pa përmendur se, shqiptarët në Maqedoninë Veriore nuk përbëjnë as 20% të banorëve, por nga 11-17%, që domethënë, sa kanë dëshirë ata, për t’i mbajtur më lehtë nën kontroll dhe sundim shqiptarët vendës, për t’ua përcaktuar masën e të drejtave dhe lirive të tyre, për t’ua planifikuar zhvillimin e sotëm dhe perspektivën në të ardhmen, me dëshirën më të madhe për asimilimin ose shpërnguljen e tyre sa më tepër në botën e jashtme, siç e kanë bërë deri më sot, por edhe realizimin e ëndrrave të tyre raciste, siç i shprehin pa ndalur nëpër protesta, me afishe dhe slogane të tipit: “Shqiptari i mirë, shqiptari i vdekur”, “Vdekje për shqiptarët”, “Dhoma gazi për shqiptarët” etj. Kjo mendësi egërsirash nuk është e panjohur për opinionin e brendshëm dhe të jashtëm, por pak është e studiuar nga faktori politik shqiptar vendës, fatkeqësisht!

A duhet të bëhet politikë me numrin e banorëve? Sigurisht që jo, sikur të jetonim në një shtet demokratik, me liri të garantuara, barazi të mbrojtur nga ligji, kushtetuta dhe pushteti, si për shembull, në shtetet e Skandinavisë, në Kanada apo Australi, por në rrethanat ballkanike, ku ende pushtetet dhe skena politike vlon nga urrejtja, shovinizmi dhe shfryrjet raciste e disa popujve ndaj popujve të tjerë, jo vetëm që nuk heq dorë politika nga ndërhyrja në këto çështje, mbajtja nën kontroll e politikave demografike dhe mbi regjistrimin e popullsisë, por gjithçka varet nga niveli i demokratizimit të saj dhe i pjekurisë së shoqërisë në vend. Më saktë, asnjëfarë ndryshimi esencial dhe ndërgjegje demokratike nuk shohin qytetarët në pushtetin aktual, te pjesa më e madhe e faktorit politik dhe në mediet e vendit.

Pa dashur ta rëndojmë gjendjen mendore të qytetarëve shqiptarë dhe të tjerëve në lidhje me procesin e regjistrimit të popullsisë, që pritet të realizohet gjatë këtij viti, për shkak të gjendje së tyre të rënduar ekonomike dhe shëndetësore nga pandemia aktuale, me këtë rast do të mjaftonte të përmendim vetëm disa teza të paraqitura gjatë kohës së fundit, nga gazetarë, analistë, politikanë dhe medie, të cilat kryesisht i bien telit të pushtetit, që të gjendet një “kompromis në heshtje” në lidhje me këtë çështje, më saktë, të realizohet një regjistrim nga i cili do të mbeteshin të kënaqur shumica, por, mashtrimi, falsifikimi dhe politika demografike diskriminuese ndaj shqiptarëve nuk do të merrnin fund as kësaj radhe.

Këta faktorë që përmendëm, ka kohë që kanë filluar me fushatën e tyre “ndërmjetësuese”, ku dëshiron të del edhe pushteti me rezultatet e regjistrimit të ardhshëm të popullsisë. Në këtë rast, numri i banorëve shqiptarë nuk do të arrinte (lejohej) të jetë mbi 27-28%. Nëse i keni ndjekur deklaratat e disa politikanëve dhe pushtetarëve shqiptarë gjatë ditëve të fundit, ky përfundim mund të nxirret shumë lehtë.

Sidoqoftë, është tepër naive të konsiderohen si indikatorë me rëndësi, numri i pasaportave të dhëna shqiptarëve (mbi 30%), përderisa të gjithë banorët shqiptarë nuk janë të pajisur dhe as kanë nevojë për t’u pajisur me pasaporta, që këto të dhëna të konsiderohen relevante për numrin e saktë të banorëve shqiptarë në këtë shtet. Edhe numri i nxënëseve shqiptarë të përfshirë në shkollat fillore me mësim në gjuhën shqipe (mbi 32%) nuk është një tregues aq i saktë, përderisa jo të gjithë nxënësit shqiptarë mësojnë në shkollat fillore me mësim në gjuhën shqipe, në këtë vend. Deklaratat publike mbi këto teza janë dhënë nga dy ish-ministra shqiptarë nga radhët e partisë në pushtet, i Punëve të Brendshme dhe i Arsimit dhe Shkencës.

Të dhënat më të besueshme dhe relevante për numrin e banorëve shqiptarë janë numri dhe përqindja e fëmijëve të lindur nga prindër me përkatësi etnike shqiptare, siç janë publikuar edhe të dhëna zyrtare nga vetë institucionet e shtetit (Enti Shtetëror i Statistikës), nga del se, mesatarisht ky numër gjatë tri dekadave të fundit asnjëherë nuk ka qenë më i ulët se 35%. Me këtë rast duhet të përmendet edhe fakti se, nga prindër që përkohësisht janë në botën e jashtme, lindin çdo vit nga 3500-5000 fëmijë shqiptarë me prejardhje nga Maqedonia Veriore, që përbëjnë jo më pak se 1/3 e numrit të përgjithshëm të fëmijëve shqiptarë të lindur çdo vit në vend dhe në mërgatë.

Çfarë regjistrimi mund të presin shqiptarët nga një pushtet i cili nuk publikon asnjëherë të dhëna të sakta për numrin e banorëve të shpërngulur gjatë viteve të fundit, për numrin e fëmijëve të lindur në botën e jashtme, prindërit e të cilëve nuk do të kenë mundësi të regjistrohen kësaj radhe në rubrikën e banorëve rezidentë të shtetit?!

Nuk ka ide më johumane, primitive dhe shoviniste, se sa manipulimi me numrin e banorëve të një shteti, i cili ende përpëlitet për mbijetesë në skenën politike ndërkombëtare, por deklaratat e tipit të shovinistëve siç i dëgjojnë shqiptarët gati çdo ditë nga analistë, politikanë dhe medie në gjuhën maqedonase, të cilat pushtetit nuk i bëjnë përshtypje, janë kulmi i kësaj egërsie dhe marrëzie, prandaj, asgjë nuk mund të paraqesë befasi nga pushteti i këtij vendi edhe në të ardhmen, për aq më tepër kur edhe përfaqësues të partive politike shqiptare në pushtet deklarojnë se, numri i shqiptarëve nuk mund të del më pak se 25%, përkatësisht 20%, sa e ka përcaktuar Marrëveshja kornizë e Ohrit, e cila tani është edhe pjesë e Preambulës, bërthamës politike të Kushtetutës aktuale dhe e konceptit të shtetit njëkombës të Maqedonisë Veriore.

(23 janar 2021)

Continue Reading

Kolumna

Alarmohet Beogradi, serbët po shuhen në Maqedoni, shqiptarët po rriten!

Published

on

By

Nga Ismet AZIZI

Kryetitujt më të shpeshtë të shkrimeve apo analizave në mediat serbe janë: “Do të jemi pakicë kombëtare në Serbi”; “Në Serbi janë zbrazur 1600 fshatra”; “Nataliteti më i ulët në Evropë”; “Serbët zhduken brenda 500 viteve”?! “Populli serb ngadalë vdes për shkak të mortajës së bardhë, Beograd: Katër varrime një pagëzim”, “Çdo e katërta femër serbe nuk është nënë”; “Çdo tre vjet nga një komunë më pak” etj.

Në realitet nataliteti është padyshim breng e madhe për Serbinë, pasi që brenda çdo viti zhduket nga një qytet. Thënë ndryshe, Serbia brenda çdo viti, zvogëlohet për 60 mijë banorë. Kjo është Murtaja e Bardhë që është duke e ndryshuar strukturën demografike të Ballkanit.

Kohëve të fundit mediat serbe i kanë kushtuar rëndësi edhe lëvizjes së popullsisë në Maqedoni. Prandaj, në mediat serbe vërehen edhe titujt: “Shqiptarët me natalitet ‘pushtojnë’ Maqedoninë”.

Enti statistikor i Maqedonisë ka konfirmuar paralajmërimet e demografëve maqedonas. Për herë të parë pas 65 viteve, vitin e kaluar maqedonasit “ranë” nën nivelin e 50 për qind të lindjeve.

Paralajmërimet, tashmë të njohura të demografëve në Maqedoni, bëjnë me dije se maqedonasit janë “në rrugë” që të bëhen pakicë në shtetin amë. Këto janë argumentet e reja të treguesve të Entit Shtetëror të Statistikave në Shkup. Për herë të parë, që nga viti 1948, kur është bërë regjistrimi i popullsisë për herë të parë si njësi në vete, vitin e kaluar maqedonasit etnikë “kanë rënë” nën nivelin e 50 për qind të lindjeve. Në Maqedoni janë lindur 11.603 maqedonas, 7.488 shqiptarë, 1,080 turq, 1,226 romë…
Në të njëjtin vit kanë vdekur 14.213 maqedonas. Sipas statiscientëve, bëhet me dije se ka tremijë vdekje më shumë se lindje. Vitin e kaluar, sipas treguesve të njejtë, kanë vdekur 3230 shqiptarë, që është përgjysmë më pak nga shifra 7488 të lindur. Dihet se zyrtarisht shqiptarët ende konsiderohen pakicë në Maqedoni.

Të dhënat statistikore nga tremujori i parë i këtij viti konfirmojnë se natalitet më të lartë kanë komunat me pjesëmarrje më të madhe apo që dominohen nga shqiptarët, siq janë: Tetova, Kumanova, Struga dhe komuna e Çairit në Shkup, Saraj, Orizare, Aeroport, Studeniçan, Bogovinë, etj.

Në anën tjetër, nivel më të ulët të natalitetit kanë komunat e Manastirit, Prilepit, Velesit, Koçanit, Ohrit, Kërçovës, Demir Hisarit, Bosilovës dhe komunat e Shkupit siç janë: Karposhi, Kisela Voda, të banuara kryesisht me maqedonas.

Në Maqedoni, nga viti 2002, kryesisht për shkak të konfliktit politik mes udhëheqësve maqedonas dhe shqiptarë etnikë në qeveri, nuk është bërë regjistrimi i popullsisë.

Përpjekjet e fundit të vitit 2011, pas disa shtyrjeve, dështoi para se të përfundoj. Opozita në Maqedoni ka vlerësuar se vetëm Maqedonia dhe Somalia nuk kanë arritur të regjistrojnë popullsinë më shumë se 10 vjet, duke sugjeruar se ky duhet të jetë shkaku për reagim të OKB-së.

Deri sa të bëhet regjistrimi i popullsisë, të dhënat aktuale statistikore mbi popullsinë në Maqedoni mbeten ato të vitit 2002, me të cilën vendi ka 2.022.547 banorë. Nga ky numër, edhe pse në mënyrë të vazhdueshme maqedonasit janë në rënie, ende zyrtarisht konsiderohet se janë shumicë me – 1,297 000 ose 64.2 për qind, ndërsa shqiptarët 509,083 ose 25.2 qind.

Brengë e madhe e Serbisë është fakti se numri i serbëve në Maqedoni është gjithnjë e më i vogël.

Lakorja e diagramit, e cila paraqet numrin e serbëve në Maqedoni, sipas demografëve, tregon rënie krahasuese të regjistrimit të popullsisë në Maqedoni. Në vitin 1994, regjistrimi ka treguar se në Maqedoni kanë jetuar 40.228, ose 2.1 për qind e numrit të përgjithshëm të popullsisë. Ndërsa vitin 2002, në këtë shtet kanë jetuar 35 936 serb që përbën vetëm 1, 7 % të popullsisë së përgjithshme të Maqedonisë. Kështu paraqitet kjo çështje në të përditshmen beogradase Vecernje Novosti.

Shkalla e shtimit natyror në Serbi në vitin 2011 ishte pozitive vetëm në shtatë komuna: në Komunën Beogradit – Grocka, Novi Sad, Sjenicë, Novi Pazar, Tutin, Bujanoc dhe Preshevë.

Serbia gjatë vitit 2011 ka regjistruar shtim negativ të popullsisë për minus 5.2 për qind, ndërsa popullsia e saj është zvogëluar për 32 683 në krahasim me vitin paraprak.

Sipas të dhënave të Entit të statistikave, nataliteti ishte 9 promilë, ndërsa shkalla e mortalitetit 14.2 promilë. Vlerësohet se numri i popullsisë në Serbisë në vitin 2011 ishte 7.258.753. Popullsia, në krahasim me vitin e kaluar, ka rënë me 0.5 pikë të indeksit.

Në të njëjtën periudhë, numri i lindjeve të gjalla ka rënë nga 68.304 në 65.598. Numri i vdekjeve ka rënë diç, dhe në vitin 2011 shkonte deri në 102.935, ndërsa në vitin 2010, kishin vdekur 103.211 persona.
Problemi kryesor i shoqërisë serbe është ai i plakjes së popullsisë dhe zhdukja e fshatrave, qyteteve dhe qytezave të vogla.
Mosha mesatare e popullsisë në Serbi është 41 vjeç, e cila radhitet në grupin e popujve të vjetër.

Sikur mos të ishin komunat shqiptare në Maqedoni ato të Sanxhakut (Tutini, Sjenica e N. Pazari) dhe të Kosovës Lindore (Presheva e Bujanoci), të cilat pothuajse janë të vetmet komuna që kanë shtim pozitiv, atëherë ku kishin me qenë Serbia dhe Maqedonia?

Continue Reading

Aktuale