Connect with us

Kolumna

Misioni ynë: lufta për liri!

Published

on

Shkruan, Omer AJDINI

Liria është aq e rëndësishme, thotë Dostoyevsky, saqë Ademit nuk iu bë vonë të sakrifikonte parajsën për hir të ushtrimit të kësaj vlere aq fisnike njerëzore të dhënë nga Zoti e cila përbën bazën e dinjitetin tonë dhe na bën kaq të ndryshëm nga krijesat e tjera. Në përgjithësi liria përkufizohet si “të qenurit në gjendje të bësh atë që dëshiron pa pasur diçka ose dikë që të ndalon”. Kjo në teori njihet si liri “negative” e cila nënkupton mungesën e kufizimeve të jashtme për veprimet individuale ose kolektive, si për shembull, liria e shprehjes, liria e tubimit, liria e pjesëmarrjes politike, etj. Një lloj tjetër lirie shpesh njihet si liri “pozitive”, e cila në thelb i referohet asaj që një person është në gjendje të jetë ose të bëjë duke pasur parasysh rrethanat ekzistuese në të cilat ndodhet ajo/ai, dhe që kryesisht varet nga të ardhurat që njerëzit mund të kenë apo shërbimet publike që ofrohen, për shembull, të qenurit i lirë nga shtrëngimi i urisë, i lirë nga sëmundjet, i lirë nga injoranca, etj. Pra njerëzit jetojnë jo të lirë kryesisht nga varfëria, nga kufizimet e jashtme, ose nga mungesa e të mirave publike, dhe është bindja ime e thellë që tek ne shkalla e robërisë faktike është mjerisht e lartë.

Kufizimet më të dhimbshme e ndoshta më të shpeshta të lirisë së njeriut bëhen pikërisht nga pamundësia e jetësimit dhe ushtrimit të lirive që normativisht garantohen me ligj, e fajtor për këtë është varfëria. Varfëria është pra mungesa e faktorëve mundësues për realizimin e lirisë, e që në të vërtetë është vet robëria. Varfëria është multidimenzionale dhe përfshinë më shumë sesa mungesën e mjeteve financiare. Ajo manifestohet në forma të ndryshme, si për shembull uri ose ushqim i pamjaftueshëm, qasje e kufizuar në edukim, përjashtim social, si dhe mungesë e participimit në vendimmarrje. Varfëria financiare është ndër më të shpeshtat dhe është faktori kryesor që pamundëson realizimin e shumë lirive të tjera. Sipas Entit Shtetëror për Statistika tek ne ekzistojnë mbi 438,000 njerëz të cilët jetojnë në varfëri, ndërsa prej tyre 85,000 jetojnë me më pak se 40 denarë në ditë. Pra imagjinoni, gati gjysëm milioni njerëz mes nesh faktikisht jetojnë në një far forme të robërisë ngaqë nuk kanë mundësi t’i ushtrojnë shumë liri elementare, si për shembull të udhëtojnë diku, të lexojnë atë që duan, të ushqehen si duhet apo me atë që u pëlqen, edhepse këta njerëz (pu)shteti i konsideron si qenie të lira!

Varfëria fatkeqësisht nuk është kufizuesi i vetëm i lirisë në Maqedoninë e Veriut. Mungesa e shërbimeve (të mirëfillta) publike si për shembull sistem cilësor i edukimit, sistem i mirëfilltë i shëndetësisë, etj., bëjnë që qytetarët e Maqedonisë së Veriut të mbesin shpesh jo të lirë në shumë dimensione, si për shembull të lirë nga injoranca apo sëmundjet që i rëndojnë. Rezultatet e testit PISA e rangojnë sistemin tonë të edukimit si një ndër më të dobëtit në Europë, me çka 2/3 e nxënësve deri në moshën 15 vjeçare përfundojnë si analfabet funksional edhe përkundër faktit që kanë shpenzuar vite të tëra në sistem të edukimit. Pra një pjesë e konsiderueshme e jona mbesim jo të lirë nga injoranca duke mos e shijuar ndoshta asnjëherë shijen e lirisë të cilën e mundëson dija si pasojë e sistemit të degraduar të arsimit. E kjo po që është robëri!

Për fat të keq kufizimi i lirive tek ne nuk përfundon këtu. Kufizimi i lirive negative mbetet shqetësim real tek ne edhe përkundër faktit që pretendojmë se jemi shtet demokratik dhe aspirojmë të anëtarësohemi në Bashkimin Europian. Një numri të madh të bashkëqytetarëve tanë të cilët janë të punësuar në sektorin publik (po shpesh edhe në atë privat) u kufizohen një sërë lirish negative të cilat përbëjnë bazën e dinjitetit njerëzor. Për shembull, të jesh i punësuar në administratë shtetërore me automatizëm nënkupton mungesën e lirisë së shprehjes apo participimit politik për ndryshim të partisë në pushtet, ngaqë ekziston rreziku permanent që të përjashtohesh nga puna dhe të biesh në varfëri dhe robëri edhe me të thellë. Pra liria e shprehjes dhe ajo e participimit të lirë politik këmbehen me një vend pune, e gjithë kjo përderisa pushtetarët tanë thurin lavde për vetveten se gjoja ata janë gardian të lirisë sonë.

Për fund, ne duhet ta themi hapur që robëria sot është sa reale aq edhe shqetësuese, ndërsa progresin shoqëror dhe ekonomik duhet ta shohim në funksion të zgjerimit të lirisë dhe për të duhet të angazhohemi të gjithë. Fatkeqësisht, siç e thamë edhe më lartë, gjendja e një pjese të konsiderueshme të bashkëqytetarëve tanë sot është e barabartë me robëri faktike e shkaktuar qoftë nga varfëria dhe mungesa e të mirave publike, apo thjeshtë nga kufizimi direkt i disa lirive nga pushteti. Prandaj, detyrimi ynë kolektiv dhe misioni i njerëzve të mirë që e duan progresin shoqëror mbetet lufta për liri, e cila sot nënkupton dy gjëra: përpjeke për zhvillim të mirëfilltë ekonomik – me çka shumë njerëz do të çliroheshin nga robëria e shkaktuar nga varfëria; dhe qeverisje të mirë, e cila do të siguronte të mira të mirëfillta publike dhe e cila nuk do t’i robëronte/ç’njerëzonte qytetarët duke “ua dhënë” një vend pune dhe duke ua marrë liritë fundamentale njerëzore. Realizimi i këtyre dy elementeve, pra, është misioni i gjeneratës tonë, e realizimin e këtij misioni ja kemi borxh shoqërisë dhe fëmijëve tanë nëse duam që ata nesër të jetojnë të lirë!

 

Continue Reading

Kolumna

Alarmohet Beogradi, serbët po shuhen në Maqedoni, shqiptarët po rriten!

Published

on

By

Nga Ismet AZIZI

Kryetitujt më të shpeshtë të shkrimeve apo analizave në mediat serbe janë: “Do të jemi pakicë kombëtare në Serbi”; “Në Serbi janë zbrazur 1600 fshatra”; “Nataliteti më i ulët në Evropë”; “Serbët zhduken brenda 500 viteve”?! “Populli serb ngadalë vdes për shkak të mortajës së bardhë, Beograd: Katër varrime një pagëzim”, “Çdo e katërta femër serbe nuk është nënë”; “Çdo tre vjet nga një komunë më pak” etj.

Në realitet nataliteti është padyshim breng e madhe për Serbinë, pasi që brenda çdo viti zhduket nga një qytet. Thënë ndryshe, Serbia brenda çdo viti, zvogëlohet për 60 mijë banorë. Kjo është Murtaja e Bardhë që është duke e ndryshuar strukturën demografike të Ballkanit.

Kohëve të fundit mediat serbe i kanë kushtuar rëndësi edhe lëvizjes së popullsisë në Maqedoni. Prandaj, në mediat serbe vërehen edhe titujt: “Shqiptarët me natalitet ‘pushtojnë’ Maqedoninë”.

Enti statistikor i Maqedonisë ka konfirmuar paralajmërimet e demografëve maqedonas. Për herë të parë pas 65 viteve, vitin e kaluar maqedonasit “ranë” nën nivelin e 50 për qind të lindjeve.

Paralajmërimet, tashmë të njohura të demografëve në Maqedoni, bëjnë me dije se maqedonasit janë “në rrugë” që të bëhen pakicë në shtetin amë. Këto janë argumentet e reja të treguesve të Entit Shtetëror të Statistikave në Shkup. Për herë të parë, që nga viti 1948, kur është bërë regjistrimi i popullsisë për herë të parë si njësi në vete, vitin e kaluar maqedonasit etnikë “kanë rënë” nën nivelin e 50 për qind të lindjeve. Në Maqedoni janë lindur 11.603 maqedonas, 7.488 shqiptarë, 1,080 turq, 1,226 romë…
Në të njëjtin vit kanë vdekur 14.213 maqedonas. Sipas statiscientëve, bëhet me dije se ka tremijë vdekje më shumë se lindje. Vitin e kaluar, sipas treguesve të njejtë, kanë vdekur 3230 shqiptarë, që është përgjysmë më pak nga shifra 7488 të lindur. Dihet se zyrtarisht shqiptarët ende konsiderohen pakicë në Maqedoni.

Të dhënat statistikore nga tremujori i parë i këtij viti konfirmojnë se natalitet më të lartë kanë komunat me pjesëmarrje më të madhe apo që dominohen nga shqiptarët, siq janë: Tetova, Kumanova, Struga dhe komuna e Çairit në Shkup, Saraj, Orizare, Aeroport, Studeniçan, Bogovinë, etj.

Në anën tjetër, nivel më të ulët të natalitetit kanë komunat e Manastirit, Prilepit, Velesit, Koçanit, Ohrit, Kërçovës, Demir Hisarit, Bosilovës dhe komunat e Shkupit siç janë: Karposhi, Kisela Voda, të banuara kryesisht me maqedonas.

Në Maqedoni, nga viti 2002, kryesisht për shkak të konfliktit politik mes udhëheqësve maqedonas dhe shqiptarë etnikë në qeveri, nuk është bërë regjistrimi i popullsisë.

Përpjekjet e fundit të vitit 2011, pas disa shtyrjeve, dështoi para se të përfundoj. Opozita në Maqedoni ka vlerësuar se vetëm Maqedonia dhe Somalia nuk kanë arritur të regjistrojnë popullsinë më shumë se 10 vjet, duke sugjeruar se ky duhet të jetë shkaku për reagim të OKB-së.

Deri sa të bëhet regjistrimi i popullsisë, të dhënat aktuale statistikore mbi popullsinë në Maqedoni mbeten ato të vitit 2002, me të cilën vendi ka 2.022.547 banorë. Nga ky numër, edhe pse në mënyrë të vazhdueshme maqedonasit janë në rënie, ende zyrtarisht konsiderohet se janë shumicë me – 1,297 000 ose 64.2 për qind, ndërsa shqiptarët 509,083 ose 25.2 qind.

Brengë e madhe e Serbisë është fakti se numri i serbëve në Maqedoni është gjithnjë e më i vogël.

Lakorja e diagramit, e cila paraqet numrin e serbëve në Maqedoni, sipas demografëve, tregon rënie krahasuese të regjistrimit të popullsisë në Maqedoni. Në vitin 1994, regjistrimi ka treguar se në Maqedoni kanë jetuar 40.228, ose 2.1 për qind e numrit të përgjithshëm të popullsisë. Ndërsa vitin 2002, në këtë shtet kanë jetuar 35 936 serb që përbën vetëm 1, 7 % të popullsisë së përgjithshme të Maqedonisë. Kështu paraqitet kjo çështje në të përditshmen beogradase Vecernje Novosti.

Shkalla e shtimit natyror në Serbi në vitin 2011 ishte pozitive vetëm në shtatë komuna: në Komunën Beogradit – Grocka, Novi Sad, Sjenicë, Novi Pazar, Tutin, Bujanoc dhe Preshevë.

Serbia gjatë vitit 2011 ka regjistruar shtim negativ të popullsisë për minus 5.2 për qind, ndërsa popullsia e saj është zvogëluar për 32 683 në krahasim me vitin paraprak.

Sipas të dhënave të Entit të statistikave, nataliteti ishte 9 promilë, ndërsa shkalla e mortalitetit 14.2 promilë. Vlerësohet se numri i popullsisë në Serbisë në vitin 2011 ishte 7.258.753. Popullsia, në krahasim me vitin e kaluar, ka rënë me 0.5 pikë të indeksit.

Në të njëjtën periudhë, numri i lindjeve të gjalla ka rënë nga 68.304 në 65.598. Numri i vdekjeve ka rënë diç, dhe në vitin 2011 shkonte deri në 102.935, ndërsa në vitin 2010, kishin vdekur 103.211 persona.
Problemi kryesor i shoqërisë serbe është ai i plakjes së popullsisë dhe zhdukja e fshatrave, qyteteve dhe qytezave të vogla.
Mosha mesatare e popullsisë në Serbi është 41 vjeç, e cila radhitet në grupin e popujve të vjetër.

Sikur mos të ishin komunat shqiptare në Maqedoni ato të Sanxhakut (Tutini, Sjenica e N. Pazari) dhe të Kosovës Lindore (Presheva e Bujanoci), të cilat pothuajse janë të vetmet komuna që kanë shtim pozitiv, atëherë ku kishin me qenë Serbia dhe Maqedonia?

Continue Reading

Kolumna

Të gjithë kapitalin tim politik e investoj në Bankën Popullore Kurti

Published

on

By

Status në Facebook i veprimtarit të çështjes kombëtare, Shpëtim Pollozhani

FITIMI 8-10% në vit!

Ivestimi i garantuar!

Përfitimi u takon gjeneratave të ardhshme!
Kosovës do ti këthehet dinjiteti!

Bota do ta shohë se në Kosovë paska njerëz që janë kundër krim politikës!

Në Kosovë nuk do të ketë tendera, privatizime kriminale, zhvatje, koncesione dhe privilegje korruptiv!

Pas 14 shkurtit do të kemi një Kosove të dinjitetshme!

I ftoj të gjithë miqtë e mij anembanë Kosovës e botës ti japin fund poshtërimit të Kosovës martire!

Lavdi dëshmorëve të kombit dhe UÇK!

Continue Reading

Kolumna

Ç’lojë po luan binomi “Vjosa-Albin”

Published

on

By

“Këtij binomi që keni para jush i përket e ardhmja”, i tha gazetarëve Albin Kurti, pasi nënshkroi në krah të Vjosa Osmanit koalicionin e përbashkët për zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit.

Ajo çka prezantuan këtë të enjte, lideri i Vetëvendosjes dhe bartësja e listës së një grupi të larguarish nga e djathta rugoviste, u paketua me mantelin e një ambicieje shumë më të madhe sesa sfida e elektorale që kishin përpara.

Dy njerëzit më të votuar në sfidën e 6 tetorit 2019 shpallën dy synime. i pari arritja e një shumice të cilësuar dhe e dyta sigurimin e postit të presidentit përpos atij të kryeministrit.

Pikërisht për këtë, gjatë konferencës së shtypit, Albin Kurti ngulmoi pothuajse në çdo fjali se zgjedhjet e 14 shkurtit ishin një referendum për ndryshimin e fytyrës së shtetit dhe la disa herë të kuptohet se qytetarët e kishin presidenten e vet (megjithëse aktualisht në detyrë) të cilën, gara elektorale, do të shërbente vetëm për ta rikonfirmuar.

Natyrisht, lideri i Vetëvendosjes i detyrohet moralisht qëndrimeve të Vjosës. Mënyra se si ajo ruajti të pakorruptuar frymën e ndryshimit që qytetarët kërkuan në zgjedhjet e shkuara, papërkulshmëria që tregoi ndaj pleqve pazarxhinj të LDK-së, karta e besueshmërisë që i shtoi kredos, se qeveria Kurti u rrëzua nga një kastë e kapsve të shtetit në kundërshtim me vullnetin popullor, nuk ishin pak.

Por sado e mbarsur me moral të jetë mirnjohja, vijësjellja dhe hierarkia e vlerave të Vetëvendosjes, në zgjedhjen politike për të propozuar Vjsosa Osmani si presidente të ardhsme të Kosovës ka edhe synime të ftohta taktike.

Kushdo e di se ky është një mision teorikisht i pamundur. Që kuvendi i ardhshëm të zgjedhë kreun e ri të shtetit, ai duhet të krijojë një shumicë të cilësuar prej 81 deputetësh. Kjo nuk ka ngjarë kurrë më parë në shtetin e pavarur dhe për këtë gjithmonë janë kërkuar marëveshje politike.

Madje deri më sot, në Kosovë, përveç të ndjerit Ibrahim Rugova që vazhdoi të korrte rezultate plebishitare edhe pas luftës, asnjëra nga partitë nuk ka arritur kurë të fitojë në zgjedhje as shumicën e thjeshtë.

Atëherë përse Albini me Vjosën po reken të kapërcejnë ylberin duke synuar të marrin, me një garë të vetme edhe postin e kryeministrit edhe atë të presidentit? Pse ata kanë shpallur se do të kërkojnë të fitojnë 3/5 e deputetëve të parlamentit të ri që duhen për arritjen e këtyre objektivave.

Një përgjigje e kësaj dilem mund të gjendet në slloganin e famshëm të studentëve protestues të majit ’68 në Francë: “bëhuni realistë, ëndërroni të pamundurën”.

Aleatët e sapo pagëzuar, me synimet që shpallën duken ftohtësisht realistë. Ata janë të ndërgjegjshëm se nuk do arrijnë dot mbi 80 mandate. Ata e dinë se Vjosa nuk do të mund të bëhet presidente vetëm me votat e koalicionit që sapo themeloi.

Por duke shpallur këtë objektiv të pamundur ata arrijnë një efekt psikologjik. Ata bëjnë mbizotëruese idenë se loja tashmë ka përfunduar dhe “binomi të cilit i pëket e ardhmja” e ka të fituar shumicën e thjeshtë. Vetëm kështu ata mund të entuzjasmojnë të vetët dhe të demoralizojnë kundërshtarët duke arritur atë që është synimi real, krijimi i një shumice të thjeshtë, të aftë për të qeverisur vendin pa pengesa.

©Lapsi.al

Continue Reading

Aktuale