Connect with us

Lajmet kryesore

Domethënia e “shqiponjës dykrenore” të Flamurit Kombëtar Shqiptar

Published

on

Flamuri i Shqipërisë përveç që është shumë i vjetër vlerësohet si njëri ndër më të bukurit në mbarë botën.Por, cila është domethënia e këtij flamuri, e ngjyrave kuq e zi, e shqiponjës dykrenore?Përgjigje në këto pyetje jep historiani Muhamet Mala.

Profesori Mala ka thënë për gazetën “Zëri” se përdorimi i shqiponjës si simbol në jetën politike por edhe atë fetare, i ka fillet qysh herët në histori. Sipas tij, shqiponja në vete ngërthen shumë elemente fisnike, çka e ka bërë atë simbol të adhuruar.“Qysh herët në histori është përdorur shqiponja në jetën politike e fetare, tek kjo e fundit tek besimet pagane. Shqiponja në vete ngërthente shumë elemente fisnike. Ajo paraqiste krenarinë, lirinë e forcën. Në kohët antike madje thuhet se Zeusi ushqehej me qumështin e dhisë së Amalfit që ia sillte shqiponja, dmth ishte ushqyese e zotërove… Mendohet se shqiponja ka qenë shpend, totem i adhurimit edhe në mitologjinë e Zeusit, e kjo edhe pse ka të bëjë me mitologjinë greke, lidhet edhe me sfondin pellazg. Shqiponjën e përdor edhe Pirroja e Epirit, madje në një rast kur korr një fitore në Itali luftëtarët i drejtohen me nofkën ‘shqiponjë’ ndërsa ai ia kthen: ‘Unë jam shqiponjë, por ju jeni krahët e mi’. Prandaj, ai e përdorte shqiponjën si simbol të madhështisë së tij. Shqiponjën e hasim edhe në Perandorinë Romake e atë Bizantinë. Falë namit të tyre, besohet se është përhapur edhe tek popujt e tjerë”, ka deklaruar Malaj.Sipas profesorit universitar, Skënderbeu e mori këtë simbol duke aluduar në Pirron dhe rëndësinë simbolike të shqiponjës.

“Shqiponjën e gjejmë edhe tek shteti i parë i Arbërit në vitet 1199-1216, kur pushtetin e ka Dinastia e Progonit me Gjinin dhe Dhimitrin. Ata ishin të vetëdijshëm për kontinuitetin historik dhe tentoni t’i përdornin simbolet që kishin krijuar një lloj tradite. Traditën e vazhdoi edhe shteti i Skënderbeut me shqiponjën e cila ishte stemë e Kastriotëve. Por, unë nuk mendoj që Skënderbeu atë e mori sepse ishte bizantine, sepse në ato vite Bizanti ishte në rënie e sipër. Ai e mori atë duke aluduar në Pirron dhe rëndësinë simbolikë të Shqiponjës. Përdorimi i saj nuk është i rastësishëm, por vazhdimësi e përdorimit të saj nga figura historike shqiptare. Përveçse strateg, Skënderbeu ishte edhe njeri i dijshëm”, deklaron Mala.Versione të ndryshme nga historianë e studiues jepen edhe për simbolikën dykrenore të shqiponjës me dy koka.

“Disa mendojnë se simbolizon lindjen dhe perëndimin, përkatësisht shikimin kah lindja dhe perëndimi. Mirëpo atë e kanë edhe popuj të tjerë. Në kuptimin simbolik e etnografik, simbolizon forcën e kontrollin nga të gjitha anët, mbajtjen nën kontroll të tërë hapësirës e shikimin. Pra, si shqiponjë dominuese që dominon nga të dy anët e ja japin edhe një forcë më të madhe mendore. Kështu e krijon edhe një simetri dhe duket më bukur. Por nuk ka shpjegim 100 % të saktë.”, ka deklaruar Mala.Sipas tij, ndërrimi i formës së shqiponjës në flamur gjatë viteve nuk nënkupton diçka që duhet theksuar, por kjo më shumë është bërë për arsye stilistike.“Ju mund ta shihni se shqiponjën e ka simbol edhe policia. Por, shqiponja e cila simbolizon kombin shqiptar, pavarësisht se e ka ndryshuar formën, nuk e ka ndryshuar bërthamën apo esencën. Kjo mendoj se është bërë më shumë për arsye stilistike të cilat janë bërë në mënyrë institucionale e ligjore, që të duket më mirë. Bazike është ngjyra dhe përmbajtja”, është shprehur historiani.Sa i përket ngjyrave të flamurit, Mala thotë se nuk ka ndonjë shpjegim të veçantë përveç asaj që e kuqja paraqet gjakun dhe e zeza, ngjyrën e shqiponjës. Por ai e jep edhe një shpjegim tjetër.“Mos të dalim përtej rrafshit shkencor ku thuhet se e kuqja paraqet gjakun dhe e zeza-ngjyrën e shqiponjës. Por, duhet theksuar se e kuqja dhe e zeza përputhen dhe krijojnë kontrast të bukur, në aspektin artistik. Në aspektin historik, nuk ka shpjegim”, ka përfunduar ai.

Continue Reading

Lajme

Cili deputet aktual ka qënë i dënuar për përdhunim?! (VIDEO)

Published

on

Deputeti i VMRO-DPMNE’së, Antonio Milloshoski ditë më parë nga foltorja e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut zbuloi një fakt tronditës lidhur me njërin prej kolegëve të tij deputetë. Teksa diskutohej për Ligjin për mbrojtjen e grave nga dhuna, Milloshoski përveç mbështetjes për ligjin, propozoi që në të ardhmen si dispozitë ligjore të vendoset që asnjë deputet, kryetar komune, ministër apo funksionar tjetër i lartë, të mos zgjidhet nëse më parë ka kryer vepër penale “dhunë ndaj grave”. Kjo për faktin se sipas tij, brenda Kuvendit të Maqedonisë ka një deputet, i cili më herët ka qënë i dënuar për “përdhunim”, përcjell in7.

“Mes nesh kemi një koleg deputet që ka kryer përdhunim ndaj një gruaje. Për atë ka qënë i dënuar, por megjithatë ushtron funksion të rëndësishëm”, tha mes tjerash Milloshoski.

Por se cili mund të jetë ky deputet, Milloshoski nuk dha detaje, madje këmbënguli që të mos e tregojë identitetin e tij për arsye se, siç tha ai, nuk dëshiron të ngjallë kujtime të këqija tek viktima./in7.tv/

Continue Reading

Bota

Merkel dhe Biden flasin në telefon – Ja çfarë vendosi kacelarja gjermane

Published

on

Kancelarja Merkel dhe Presidenti Biden telefonuan për herë të parë. Radha e telefonatave të Presidentit Biden tërhoqi vëmendjen në Gjermani.

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel e ka ftuar Presidentin amerikan, Joe Biden për një vizitë në Gjermani, sapo këtë ta lejojë situata e pandemisë. Ftesën e bëri të ditur zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert, pas një telefonate të hënën të kancelares gjermane me Presidentin e ri të SHBA.

Sipas qeverisë gjermane, Merkeli i transmetoi Presidentit Biden se Gjermania është e gatshme që për të përballuar detyrat ndërkombëtare të marrë përsipër përgjegjësi, së bashku me partnerët evropianë dhe transatlantikë. Tema të tjera të bisedës u fokusuan në politikën e jashtme, kryesisht në gjendjen në Afganistan dhe në Iran, si dhe në politikën tregtare dhe ndaj klimës. Merkeli përshëndeti edhe vendimin që SHBA do të kthehen në Marrëveshjen e Klimës së Parisit.

SHBA: Kina, Rusia dhe Ballkani Perëndimor – prioritete të përbashkëta

Qeveria e SHBA bëri të ditur në një deklaratë se Bideni i përcolli Merkelit dëshirën e tij për t’i forcuar marrëdhëniet midis Gjermanisë dhe SHBA. Bideni shprehu synimin e tij për ta rigjallëruar aleancën transatlantike, në këtë kuadër edhe marrëdhëniet me NATO-n dhe me BE.

Partneritetin transatlantik Presidenti Biden e quajti “gur themeli i sigurisë sonë kolektive dhe vlerave të përbashkëta demokratike”. Merkel dhe Biden ranë dakord më tej edhe për rëndësinë e bashkëpunimit global.

Në deklaratën e qeverisë amerikane thuhet se liderët ranë dakord që të bashkëpunojnë për prioritete të përbashkëta të politikës së jashtme, si Afganistani, Kina, Irani, Rusia, Ukraina dhe Ballkani Perëndimor.

Vëzhguesve në mediat gjermane u tërheq vëmendjen fakti që telefonata e Presidentit Biden me kancelaren Merkel u zhvillua pasi ai kishte telefonuar të shtunën me kryeministrin britanik, Boris Johnson dhe të dielën me Presidentin francez, Emmanuel Macron.

Radha e telefonatave të Bidenit ngre pyetje

I pyetur se a duhet parë si shenjë jo pozitive për marrëdhëniet dypalëshe kjo radhë telefonatash, ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas u shpreh: “Mund ta shikojmë si të tillë, por nuk jemi të detyruar ta shohim si të tillë. Besoj se për ne ka rëndësi thelbësore, se me cilat tema përballemi. Dhe këtu unë kam shumë besim se ndodhemi para shansesh të mëdha dhe se varet nga ne, se çfarë do të bëjmë me to.”

Pas sjelljes shokuese për shumë vëzhgues të ish-Presidentit Trump me Gjermaninë, i cili e kishte Gjermaninë shënjestër të preferuar për çështje nga më të ndryshmet, që nga tepricat në buxhet e deri në shpenzimet ushtarake të Gjermanisë, ndërrimi i administratës në Uashington u prit në Berlin me kënaqësi.

Por që në krye, politikanët gjermanë paralajmëruan se çështje të caktuara do të vazhdojnë të mbeten për diskutim me SHBA.

Në konferencën e shtypit që mbajti të enjten (21.01.) kancelarja Merkel tha se është e natyrshme që Gjermania dhe SHBA të mos jenë të të njëjtit mendim për çdo gjë.

“Mos mendoni se që prej nesër do të jetë vetëm harmoni midis nesh”. “Do të ketë edhe diskutime, si t’i bëjmë më mirë gjërat për vendet tona”.

Kancelarja gjermane kujtoi faktin se “Joe Biden përfaqëson interesat e SHBA, kurse unë përfaqësoj interesat e RFGJ”. Në këtë kuadër Merkeli tha se ishte ndeshur me Bidenin kur ai ishte zëvendëspresident për kuptimin e shitjes së disa lloje armësh Ukrainës.

Merkel: Edhe SHBA kanë blerë naftë nga Rusia

E pyetur për sanksionet amerikane për gazsjellësin Nordstream 2, kancelarja Merkel kujtoi faktin se edhe SHBA kanë blerë naftë nga Rusia.

Kancelarja gjermane theksoi se “nuk kishte ndryshuar” qëndrim për Nord Stream 2, “në kuptimin që të them se projekti nuk duhet të ekzistojë”.

Bundeskanzlerin Angela Merkel telefoniert

Por ajo tha se dëshironte të diskutonte gjerësisht me SHBA marrëdhëniet energjetike të Evropës me Rusinë. Për këtë duhej vendosur “gjithçka në tryezë”.

“Ne duhet të flasim për atë se cilat marrëdhënie ekonomike me Rusinë në sektorin e gazit janë të pranueshme dhe cilat nuk janë,” tha Merkel. “Ne duhet të flasim se a nuk do të kemi më tregti me Rusinë në fushën e gazit, ose cili nivel i varësisë është i tolerueshëm”, tha kancelarja Merkel.

Kina dhe marrëveshja e investimeve me BE

Marrëdhëniet me Kinën janë fusha tjetër e përplasjes midis BE dhe SHBA. Për marrëveshjen për investimet reciproke mes BE dhe Kinës këmbënguli veçanërisht Gjermania, gjatë Presidencës në BE. Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA, Jake Sullivan i bëri thirrje BE të mendohej dy herë para se ta nënshkruajë marrëveshjen me Kinën. Sipas medieve gjermane, bashkëpunëtorët e Bidenit qenë përpjekur ta pengonin arritjen e kësaj marrëveshjeje.

Uashingtoni dhe Berlini presin nga njëri-tjetri

Radha e telefonatave të Presidentit Biden mund të shihet si veprim taktik, për ta nxitur Berlinin të përparojë në fushat ku është shprehur i gatshëm, ose për t’u afruar me qëndrimet amerikane.

Në telefonatën me Macronin, Bideni e quajti Francën “aleatin më të vjetër”. Por kjo nuk do të thotë se Uashingtoni nuk e di se cila është fuqia e madhe e BE, prej së cilës formësohen vendimet në Bashkimin Evropian. Rrethana që ministri i ri i Jashtëm i SHBA, Anthony Blinken ka studiuar dhe punuar në Paris në rininë e tij mund të nxisë afëri me Francën, por ka pak gjasa ta bëjë administratën Biden që për Evropën të trokasë në radhë të parë në Paris: kjo vetëm do ta ndërlikonte komunikimin me Evropën.

Sipas një sondazhi të Institutit Gallup, vetëm 6 përqind e gjermanëve kishin në fund të vitit 2020 mendim pozitiv për performancën e udhëheqjes amerikane. Kaq pak SHBA i vlerësonte vetëm Irani. Kjo shpjegohet me shmangien e vazhdueshme nga normat diplomatike ndaj Gjermanisë të administratës së Trumpit. Administrata Biden ka në këtë drejtim potencial përmirësimi./DW/

Continue Reading

Lajme

Nata kur Maqedonia e Veriut pësoi sulmin më të madh kibernetik

Published

on

By

Natën e 15 korrikut 2020, qytetarët e Maqedonisë së Veriut mezi prisnin rezultatet paraprake të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura atë ditë. Menjëherë pasi u mbyllën qendrat e votimit, faqja e internetit e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve u rrëzua. Fillimisht ajo ngjarje u besua të ishte një problem i vogël teknik.

Në orët e ardhshme, rezultatet e zgjedhjeve nuk u gjetën askund në faqen e internetit, ndërsa komisioni u detyrua të njoftojë manualisht përditësimet më të fundit në një kanal të improvizuar në YouTube. Dhe gjërat nuk u përmirësuan në orët e vona të natës.

Atë natë, vendi pësoi sulmin më të madh kibernetik në historinë e tij. Uebsajti i komisionit zgjedhor mbeti i bllokuar edhe gjatë ditëve që pasuan, duke u rikuperuar nga një sulm i fortë i formës së mohimit të shërbimit (DDoS) në shkallë të plotë, që paralizoi funksionet e tij, teksa mijëra adresa IP shënjestruan sajtin.

Muaj më vonë, hetimi i autoriteteve mbi këtë çështje, nuk ka dhënë ende ndonjë të dhënëse kush mund të fshihet pas atij sulmi. Ndërsa autoritetet pretenduan se sulmi kibernetik nuk pati ndonjë pasojë serioze në procesin zgjedhor dhe vetë rezultatet, ai arriti të nxjerrë në pah se sa të brishta janë sistemet e IT të institucioneve qeveritare në vend.

Disa javë më vonë, hakerat shënjestruan disa ministri, duke dëshmuar sërish nevojën urgjente për masa më të mira të sigurisë kibernetike. Mungesa e ekspertizës midis stafit, burimet e pamjaftueshme financiare, dhe neglizhenca e përgjithshme e zyrtarëve kur është fjala për mbrojtjen kibernetike, janë ndër çështjet kryesore që shqetësojnë institucionet shtetërore në të gjithë rajonin.

Por nuk është vetëm Maqedonia e Veriut. Shumë vende të tjera në rajon, nuk po bëjnë sa duhet për të pasur sisteme të forta të mbrojtjes kibernetike. Dhe në shumicën e rasteve, individët provojnë të jenë hallka më e dobët, pasi nuk janë të trajnuar se si të mbrohen nga sulme të tilla.

Gjatë viteve të fundit, vendet anëtare të NATO-s në të gjithë rajonin janë goditur rëndë nga sulme të ndryshme kibernetike. Në vitin 2019, Bullgaria pësoi vjedhjen më të madhe të të dhënave personale në rajon, kur u godit nga hakerat Agjencia e saj Kombëtare e të Ardhurave.

Të dhënat personale të më shumë se 5 milionë bullgarëve janë tashmë të ekspozuara, dhe baza e të dhënave është shpërndarë në forume të ndryshme të hakerave. Autoritetet akuzuan për sulmin një ekspert bullgar të sigurisë kibernetike, edhe pse motivet e aktit të tij mbetën të paqarta.

Ai sulm ilustroi se sa të dobëta ishin praktikat e sigurisë kibernetike në institucionet e qeverisë bullgare. Teksa vendi vlon nga tensionet politike pasi është në prag të zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen nëmars, sulmi kibernetik ndaj Agjencisë Kombëtare të të Ardhurave mund të shërbejë si një paralajmërim për atë që mund të ndodhë më tej.

Përveç sulmeve në formën ransomware, sulmet DDoS dhe malware janë disa nga mjetet më të zakonshme që hakerat kanë përdorur për të synuar institucionet shtetërore. Në shumicën e rasteve, dëmi që mund të shkaktojnë këto lloj sulmesh mund të jetë shumë i kushtueshëm.

“DDoS janë një nga sulmet më të zakonshme të hakerave, për faktin se ato janë relativisht të thjeshta dhe të lira për t’u kryer, krahasuar me llojet e tjera të sulmeve”-thotë Ljubica Pendaroska, eksperte e mbrojtjes së të dhënave dhe privatësisë.

“Por dëmi i mundshëm që mund të shkaktojnë ato mund të jetë shumë i madh, në miliona euro të humbura, sisteme të kompromentuara, mosbesim ndaj institucioneve, vjedhje të të dhënave, dhe gjëra të ngjashme”- shton ajo.

Ndërkohë motivet e sulmeve kibernetike mund të ndryshojnë. Për disa, siç është rasti me sulmet ransomware, përfitimet mund të jenë thjesht financiare. Ndërkohë të tjerat,mund të kenë qëllime më keqdashëse. Mali i Zi, anëtar i NATO-s që nga viti viti 2017 dhe një aspirant për t`u anëtarësuar në BE, mbajti zgjedhjet parlamentare në fund të muajit gusht.

Nga frika e një hakmarrjeje pas përpjekjes së dështuar të grushtit të shtetit në vitin 2016, i mbështetur nga Rusia, autoritetet malazeze patën takime të shpeshta me ekspertë të sigurisë kibernetike nga Shtetet e Bashkuara.

Misioni synoi t’i përgatiste zyrtarët për çdo përpjekje të mundshme të hakerave rusë, që mund të synonin proceset zgjedhore. Sidoqoftë, siç e tregoi një sulm rus i kohëve të fundit ndaj agjencive qeveritare të SHBA-së, kjo detyrë mund të mos jetë një detyrë aq e lehtë.

Por edhe nëse vetë qeveria amerikane mbetet e pambrojtur, Uashingtoni është një fuqi kibernetike që mund të ndihmojë vendet më të vogla. Agjenci të ndryshme amerikane mund të ndihmojnë Bullgarinë, Rumaninë, Maqedoninë e Veriut dhe partnerë të tjerë të SHBA-së në rajon, dhe ato e kanë bërë këtë gjënë shumë raste.

Në Ballkan, një rajon i njohur për paqëndrueshmërinë e tij politike dhe ekonomike, sulmet kibernetike ndaj institucioneve shtetërore, mund të përdoren për të ushqyer tensionet midis shumë vendeve që kanë mosmarrëveshje të vazhdueshme, dhe që mund të kenë pasoja politike dhe ekonomike.

Kohët e fundit, kryeqyteti rumun i Bukureshtit fitoi garën për të pritur qendrën e re kërkimore të BE-së për sigurinë kibernetike, e cila synon të ndihmojë në luftën kundër hakerave privatë dhe atyre të sponsorizuar nga shtete të ndryshme. Pasja e një institucioni të këtij kalibri në rajon, do të tregonte një angazhim të fortë për ndërtimin e kapaciteteve efikase për të penguar sulmet kibernetike.

Nga ana tjetër, NATO pohon se zotëron të gjitha kapacitetet e saj të sigurisë kibernetike në dispozicion për vendet anëtare, veçanërisht kur ka kërcënime që synojnë procese të ndryshme demokratike. Gjithsesi, sulmet e shumta ndaj institucioneve të ndryshme shtetërore në vendet anëtare gjatë viteve të fundit, sugjerojnë se aleanca duhet të bëjë më shumë për t’iu kundërvënë kërcënimeve të tilla. / “Foreign Policy”/ Bota.al

Continue Reading

Aktuale