Connect with us

Kolumna

RMV, blerja e punimeve të diplomës dhe masterit – janë të njohur shitësit, nuk ka kush t’i dënojë apo parandalojë

Published

on

Mbi 13.413 shpallje për shit-blerje të tezave të magjistraturës dhe baçelorit janë aktive aktualisht në një nga faqet që merret me tregti në Maqedoninë e Veriut, çmimet dallojnë varësisht prej kërkesës, edhe atë deri në 500 euro, e në qoftë se je me fat, magjistër i shkencave mund të bëhesh për vetëm 150 euro. Asnjë nga këto mijëra shpallje nuk i ka rënë në sy inspektorëve të Arsimit në vend, një gjë e tillë nuk rregullohet as me ligjet pozitive në vend ndërkaq shoqëria civile dhe njohësit e Arsimit, alarmojnë se kjo situatë mund të na çoje deri në degradimin total të arsimit në vend, shkruan Portalb.mk.

Korrupsion akademik, treg jo i ligjshëm që merret me shit blerje, mashtrim akademik, dhe shumë vepra tjera janë sinonim i problematikës të cilën e kemi hulumtuar tash disa muaj, e që pikërisht ka të bëje me shit-blerjen e tezave të baçelorit dhe magjistraturës nga ana e disa studentëve dhe tani më të diplomuarve, të cilët, këtë punë tanimë e bëjnë me orar të plotë për shkak se fitimet, nuk janë të vogla ndërkaq askush nuk po ua zë rrugën e ti ndaloj në kryerjen e kësaj vepre.

Në botën e tregut është një parim nga më kryesorit, i cili thotë se kur kërkesa është e lartë, edhe oferta duhet të jetë e tillë, ndërkaq ofertat për blerje të punimeve të diplomës nuk janë aspak të vogla, madje ky “produkt” mund të gjendet fare lehtë, me disa klikime në faqet e internetit të cilat merren kryesisht me shit-blerjen e gjësendeve.

Çfarë thonë shitësit e punimeve diplomike?
Me kusht që të ngelet anonim, Portalb.mk arriti të kontaktoje me një nga personat që ishte i kyçur në këtë treg ilegal të shit blerjes të punimeve të diplomës, pranoi të na informoje më shumë në lidhje me punën që ai me një grup tjetër studentësh bëjnë.

“Ka 4 vite që e bëj këtë punë së bashku me një grup tjetër studentësh, punojmë si grup dhe secili prej nesh e ka fakultetin e vet që e mbron, dikush në ekonomi, dikush në marketin apo fakultete tjera siç është psikologjia, gazetaria e kështu me radhë. Marrë parasysh se kjo punë kërkon shumë mund, nuk jemi të kënaqur nga profiti, nuk mund të thuhet se fitojmë shumë” tha njëri nga shitësit e punimeve të diplomës.

“Nuk e di a janë të njoftuar profesorët apo anëtarët e komisionit për këtë. Megjithatë, ata duhet ta kuptojnë se jetojmë në një shoqëri të shpejtë ku nuk na lehet hapësirë gjithçka të punojmë vetë” shtoi ai.

Përveç çmimeve, në asgjë tjetër nuk dallonin shitësit e tezave të magjistraturës, të njëjtit pohuan se “profesorëve nuk ju intereson a ke punuar vetë temën, ata vetëm dëshirojnë të ju heqin prej fytyre”.

A janë të njoftuar Universitetet e pollogut për këtë fenomen?
Universitetet në Maqedoninë e Veriut në rregulloret e tyre nuk e kanë të paraparë këtë vepër si mashtrim akademik të veçante, edhe pse në këtë rregullore dënohet plagjiatura, nuk parashihet prezantimi i punës së dikujt tjetër si tënden.

Deklaratë nga Universiteti i Evropës Juglindore me seli në Tetovë dhe Shkup.

“Lidhur me fenomenin e shitblerjes së punimeve të magjistraturës, në UEJL, zyrtarisht nuk kemi asnjë informacion nga institucionet përkatëse, të cilët janë krijuar për të mbikëqyrur cilësinë e mësimdhënies dhe dokumentacionit të kualifikimeve në arsimin e lartë dhe në këtë rast përgjegjës është Inspektorati i Arsimit i RMV-së. Nëse ky fenomen vërtetohet zyrtarisht, mendojmë se duhet të alarmohen të gjitha institucionet që e ndjekin cilësinë e arsimit të lartë në Maqedoninë e Veriut. Universitetet duhet t’i denoncojnë rastet e tilla, kurse institucionet shtetërore të ndërmarrin masat konkrete për parandalimin e këtij fenomeni mjaft të dëmshëm për arsimin dhe shoqërinë në përgjithësi” thanë nga Universiteti i Evropës Juglindore, duke potencuar se në Universitetin e tyre, nuk ka pasur asnjë rast të tillë.

Deklaratë nga Universiteti “Nëna Tereza” me seli në Shkup.

“Po jemi të vetëdijshëm se ky fenomen ekziston, sepse i njejti është bërë publik në faqet për shitblerje por edhe në rrjetet sociale. Mendojmë se meqë lajmërimet për këtë punë të pandershme po propagohen publikisht në faqe me adresë të njohur duhet që para organeve kompetente të paraqiten këto lloj inkriminime dhe promovimi i faqeve të tilla promovuse të ndalohet, respektivisht kushdo që e bën të dënohet nga organet kompetente. Nuk mund ta kuptojmë se si deri më tani nuk është reaguar në vijë zyrtare, kur shqetësimi tani më është i një niveli të lartë me rrezikshmëri publike” deklaruan nga Universiteti “Nëna Tereza” me seli në Shkup.

Edhe pse tentuam disa herë, nga Universiteti i Tetovës nuk deshën të japin qëndrimin e tyre në lidhje me këtë temë.

Ku qëndron faji?
Edhe pse ky mashtrim akademik ekziston tash disa vite, shumë profesorë vazhdojnë të mbajnë sytë mbyllur dhe të mos e kuptojnë kur studentët e tyre realisht nuk janë autorë të asaj që prezantojnë. Për këtë, inspektori shumëvjear i Arsimit, Predrag Ilieski thotë se faji qëndron te profesorët.

“Sa i përket shfaqjes së kësaj dukurie, mendoj se mund të anashkalohet në qoftë se vendoset një sistem elektronik i verifikimin e dijes së studentëve gjatë studimeve, si dhe verifikimi i profesionalizmit dhe i asaj se sa kompetent janë para punësimit të të njëjtëve, sidomos në qoftë se të njëjtit punësohet në institucionet e sistemit. Unë personalisht nuk kam pasur përvojë të tillë përmes inspektimit të tezave të magjistraturës” deklaroi për Portalb.mk Predrag Ilieski, inspektor.

Disa profesorë mentorojnë 10 studentë në vit, të tjerët 0
Ndërkaq, një ndër arsyet se pse profesorët jo gjithmonë, për të mos thënë asnjëherë, i dallojnë studentët kur temat të cilat ata i prezantojnë nuk janë punë e tyre, është se disa profesorë përkundër punëve të tjera në Universitet, gjatë 1 viti mentorojnë deri në 10 studentë kurse kolegët e tyre, nga 1 studentë apo aspak.

Kjo ndarje e pa drejtë e cila mund të sjelle deri në diplomimin e studentëve në formë jo meritore, për shkak të kohës së kufizuar të profesorit që të merret personalisht me studentin, shihet qartë në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tetovës.

Portalb.mk arriti të siguroje listën e profesorëve që kanë mentoru studentët në Fakultetin Juridik dhe Ekonomik të Universitetit të Tetovës.

Ndarja në formë jo proporcionale e numrit të studentëve të cilët do ti mentorojnë profesorët gjatë një viti vërehet qartë edhe në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tetovës, për gjatë tre viteve të fundit, një profesor ka mentoruar gjithsej 16 studentë, ndërkaq pjesa më e madhe e kolegëve të tij nuk kanë mentoruar asnjë apo vetëm 1.

Ilir Memedi nga Byroja Për Zhvillim të Arsimit konfirmoi ekzistencën e këtij fenomeni, ai potencoi se ka të bëje me cilësië e arsimit, në secilin nivel.

“Do isha jo i sinqertë të them se nuk jam i njoftuar ose se një gjë e tillë nuk ekziston. Me keqardhje nuk mund të jap shembuj konkret ose përvoja konkrete në këtë drejtim ndërkaq se ekziston një dukuri e tillë është më shumë se e dukshme aq më tepër kur shohim se si në raste të caktuara “vërviten “ tema të njëjta të punuara disa herë dhe të miklosura në titujt e tezave duke i ndryshuar ato dhe vetëm ato dmth titujt. E gjithë kjo ndonëse bëhet e mundur që në përzgjedhje të tezës në të cilën dosido duhet të jetë faktor vetë mentori I kandidatit ( e ka detyrim profesional). Në këso raste student- kandidati lihet i lirë të përzgjedh temën dhe si rrjedhojë ai fillon të notojë për të gjetur “peshkun e nxënë” gatshëm” theksoi Ilir Memedi nga Byroja për Zhvillim të Arsimit.

Ai shtoi se “Ky fenomen vjen si pasojë e asaj çka ju servohet studentëve nga ciklet paraprake. Për fat të keq kjo dukuni brumoset shumë më herët në nivele paraprake arsimore siç është ai i mesëm dhe niveli i ciklit të parë. Në programet studimore respektivisht kriteret për vlerësimin e të arriturave veç tjerash janë të parashtruara edhe realizimi i punimeve seminarike dhe ai përfundimtarë – punim diplome. Punimet seminarike në të shumtën e rasteve jepen krejt formalisht dhe të dedikuara që studentët të “ orientohen” lehtazi ti gjejnë të gatshme dmth të punuara ose argatin e gatshëm për t’I punuar ato kundrejt një shpërblimi.E kundërta e këtij veprimi do I aftësonte studentët që në këtë drejtim mos të vareshin nga “ndihma” anësore por me vetëbesim ta realizoninkëtë fazë e cila sigurisht do Ju shërbente si një përvojë për të sfiduar detyrat profesionale në tërrë karierën e tyre. Momenti i përzgjedhjes së tyre e deri tek prezentimi dhe së fundmi vlerësimi i tyre kryesisht e merr trajtën formale. Pikërisht vlerësimi formal i tyre e përligj edhe realizimin formal të tyre. Pra, studentët në këtë rast janë më pak të fajshëm. Gjithsesi një trjatim më serioz i kësaj procedure I jep përvojë dhe krijon aftësitë kreative dhe kritike të studentit që detyrat në vijim ti realizojë me përkushtim dhe së fundmi me qasje origjinale autentike. Pikërisht kjo formë e realizimit të seminareve e “udhëzon” studentin për detyrat e radhës dhe pse jo edhe për tezën e magjistraturës.

Dëmi që shkakton kjo dukuri është i pamatshëm në kontekstin e efekteve që prodhon ajo duke qenë se kjo dukuri bën të mundur përligjjen e një kuadri të pakompetencë i cili mëpastaj si i tillë do i shërbejë gjeneratave vijuese duke krijuar standarde “normale”. Në kontekstin e cilësisë kjo ndonëse është e provuar disa vjet me radhë sidomos në peshoret ndërkombëtare përmes rangimeve dhe testimeve Pissa Times etj. të cilat në fakt pasqyrojnë të arriturat e nxënësve dhe rrjedhimisht cilësinë e tërë procesit arsimorë në të cilin nuk përjashtohet hisja e kudarit menaxhues dhe atij mëimdhënës në institucionet përkatëse. Në tërë këtë proces sdo mend se vrapi për të siguruar numër të studentëve pa kritere adekuate shërben si katalizatorë për intensifikimin e kësaj kësaj dukurie në vazhdimësi” tha Ilir Memedi.

Nga Forumi Rinor Edukativ, të cilët kryesisht merren me problemet e Arsimit në RMV, konsiderojnë se ky fenomen është jashtëzakonisht shqetësues dhe mund të shkatërroje tërësisht perceptimin që të rinjtë kanë për arsimin e lartë.

“Jemi dëshmitarë të shumë grupeve të hapura dhe reklamave të paguara në rrjetet sociale që ofrojnë shkrime të punimeve akademike në tema dhe fusha të ndryshme, dhe në të njëjtën kohë institucionet kompetente nuk bëjnë pothuajse asgjë”, deklaruan nga Forumi Rinor Arsimor (FRA).

“Nëse parashtrojmë pyetjen se cilët aktorë duhet të fajësohen për këtë fenomen, atëherë do duhet të mendojmë më gjerë, duke filluar me institucionet arsimore nga vijnë kërkuesit e këtyre shërbimeve, por edhe mungesa e një komisioni efektiv, përdorimi i programeve dhe qasjeve për njohje të teksteve dhe zbulim të përmbajtjeve të “vjedhura”.

Kështu, përgjegjësia qëndron në shumë vende, tek studentët që blejnë punime akademike, tek ata që përgatisin punimet, por kryesisht tek profesorët dhe fakultetet që nuk kushtojnë vëmendje të mjaftueshme përcaktimit të pronësisë së punimeve akademike që vlerësojnë” thanë nga FRA.

Sipas tyre, “kjo dukuri mund të parandalohet nëpërmjet dy metodave, edhe atë 1) edukim dhe 2) angazhimi më i madh i institucioneve kompetente. Gjegjësisht, në aspektin e edukimit është e rëndësishme t’u shpjegohet studentëve pse krijimi personal i punës me shkrim është i rëndësishëm për suksesin e tyre akademik, por gjithashtu edhe në përgjithësi se cila është rëndësia e krijimit të punimeve në komunitetin akademik dhe si ndikon në zhvillimin e tyre profesional dhe personal.

Metoda e dytë është përmes angazhimit më të madh të institucioneve kompetente (MASh-i, Universitetet, Fakultetet) në “gjueti” të këtyre shërbimeve që u ofrohen studentëve dhe ndëshkim i shpejtë i plagjiaturave. Fatkeqësisht, derisa të vendoset një shembull ku plagjiatura është një krim që ndëshkohet dhe shkakton më shumë dëm sesa dobi, do të jetë një opsion që shumë studentë do të zgjedhin në vend që të përmbushin përgjegjësitë e tyre” thanë nga Forumi Rinor Arsimor.

Ndryshe, numri i studentëve të cilët shfaqin interes për të regjistruar ciklin e dytë dhe atyre të cilët diplomojnë është rritur dukshëm në Maqedoninë e Veriut, sipas Entit Shtetërorë për Statistika, në vitin 2009 kanë marrë titullin magjistër 412 persona ndërkaq në vitin 2019 gjithsej 1736 persona.

Përgatitja e kësaj storje hulumtuese mbështetet nga Nisma për demokraci në Ballkanin perëndimor, një program i Fondacionit Westminster për demokraci. Përmbajtja e kësaj storje hulumtuese nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet ose qëndrimet e Fondacionit Westminster për demokraci ose të Qeverisë Britanike.

Ardit Ramadani – PORTALB

Continue Reading

Kolumna

Të gjithë kapitalin tim politik e investoj në Bankën Popullore Kurti

Published

on

By

Status në Facebook i veprimtarit të çështjes kombëtare, Shpëtim Pollozhani

FITIMI 8-10% në vit!

Ivestimi i garantuar!

Përfitimi u takon gjeneratave të ardhshme!
Kosovës do ti këthehet dinjiteti!

Bota do ta shohë se në Kosovë paska njerëz që janë kundër krim politikës!

Në Kosovë nuk do të ketë tendera, privatizime kriminale, zhvatje, koncesione dhe privilegje korruptiv!

Pas 14 shkurtit do të kemi një Kosove të dinjitetshme!

I ftoj të gjithë miqtë e mij anembanë Kosovës e botës ti japin fund poshtërimit të Kosovës martire!

Lavdi dëshmorëve të kombit dhe UÇK!

Continue Reading

Kolumna

Ç’lojë po luan binomi “Vjosa-Albin”

Published

on

By

“Këtij binomi që keni para jush i përket e ardhmja”, i tha gazetarëve Albin Kurti, pasi nënshkroi në krah të Vjosa Osmanit koalicionin e përbashkët për zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit.

Ajo çka prezantuan këtë të enjte, lideri i Vetëvendosjes dhe bartësja e listës së një grupi të larguarish nga e djathta rugoviste, u paketua me mantelin e një ambicieje shumë më të madhe sesa sfida e elektorale që kishin përpara.

Dy njerëzit më të votuar në sfidën e 6 tetorit 2019 shpallën dy synime. i pari arritja e një shumice të cilësuar dhe e dyta sigurimin e postit të presidentit përpos atij të kryeministrit.

Pikërisht për këtë, gjatë konferencës së shtypit, Albin Kurti ngulmoi pothuajse në çdo fjali se zgjedhjet e 14 shkurtit ishin një referendum për ndryshimin e fytyrës së shtetit dhe la disa herë të kuptohet se qytetarët e kishin presidenten e vet (megjithëse aktualisht në detyrë) të cilën, gara elektorale, do të shërbente vetëm për ta rikonfirmuar.

Natyrisht, lideri i Vetëvendosjes i detyrohet moralisht qëndrimeve të Vjosës. Mënyra se si ajo ruajti të pakorruptuar frymën e ndryshimit që qytetarët kërkuan në zgjedhjet e shkuara, papërkulshmëria që tregoi ndaj pleqve pazarxhinj të LDK-së, karta e besueshmërisë që i shtoi kredos, se qeveria Kurti u rrëzua nga një kastë e kapsve të shtetit në kundërshtim me vullnetin popullor, nuk ishin pak.

Por sado e mbarsur me moral të jetë mirnjohja, vijësjellja dhe hierarkia e vlerave të Vetëvendosjes, në zgjedhjen politike për të propozuar Vjsosa Osmani si presidente të ardhsme të Kosovës ka edhe synime të ftohta taktike.

Kushdo e di se ky është një mision teorikisht i pamundur. Që kuvendi i ardhshëm të zgjedhë kreun e ri të shtetit, ai duhet të krijojë një shumicë të cilësuar prej 81 deputetësh. Kjo nuk ka ngjarë kurrë më parë në shtetin e pavarur dhe për këtë gjithmonë janë kërkuar marëveshje politike.

Madje deri më sot, në Kosovë, përveç të ndjerit Ibrahim Rugova që vazhdoi të korrte rezultate plebishitare edhe pas luftës, asnjëra nga partitë nuk ka arritur kurë të fitojë në zgjedhje as shumicën e thjeshtë.

Atëherë përse Albini me Vjosën po reken të kapërcejnë ylberin duke synuar të marrin, me një garë të vetme edhe postin e kryeministrit edhe atë të presidentit? Pse ata kanë shpallur se do të kërkojnë të fitojnë 3/5 e deputetëve të parlamentit të ri që duhen për arritjen e këtyre objektivave.

Një përgjigje e kësaj dilem mund të gjendet në slloganin e famshëm të studentëve protestues të majit ’68 në Francë: “bëhuni realistë, ëndërroni të pamundurën”.

Aleatët e sapo pagëzuar, me synimet që shpallën duken ftohtësisht realistë. Ata janë të ndërgjegjshëm se nuk do arrijnë dot mbi 80 mandate. Ata e dinë se Vjosa nuk do të mund të bëhet presidente vetëm me votat e koalicionit që sapo themeloi.

Por duke shpallur këtë objektiv të pamundur ata arrijnë një efekt psikologjik. Ata bëjnë mbizotëruese idenë se loja tashmë ka përfunduar dhe “binomi të cilit i pëket e ardhmja” e ka të fituar shumicën e thjeshtë. Vetëm kështu ata mund të entuzjasmojnë të vetët dhe të demoralizojnë kundërshtarët duke arritur atë që është synimi real, krijimi i një shumice të thjeshtë, të aftë për të qeverisur vendin pa pengesa.

©Lapsi.al

Continue Reading

Kolumna

Testi i sinqeritetit dhe fuqisë politike: ndryshimi i Ligjit për shtetësi!

Published

on

By

E mira e kësaj iniciative për ndryshim të Ligjit për Shtetësi është që përveç shpërfaqes së (mungesës së) sinqeritetit dhe fuqisë politike të partive shqiptare në këtë Qeveri, tregoi që ekzistojnë parti politike shqiptare të cilat ofrojnë zgjidhje konkrete për probleme reale dhe solli në diskurs publik dhe rend dite një problematikë e cila i tangon shumë bashkëqytetarë tanë të cilët edhepse janë pjesë integrale e këtij shteti, përjashtohen padrejtësisht nga të qenurit pjesë formale e tij

Nga Omer AJDINI

Ballkani njihet dhe dihet si vendi i paragjykimeve që etnitetet kanë ndaj njëra tjetrës, e jo rrallë këto paragjykime shndërrohen edhe në racizëm i cili manifestohet atëherë kur këto paragjykime bëhen pjesë të institucioneve shtetërore me çka qytetarët shpesh diskriminohen në baza etnike. E një rast shkollorë është Republika e Maqedonisë së Veriut (RMV), konkretisht ligji për shtetësi. Ky ligj, i cili është modifikuar disa herë, ka qenë jo vetëm rregullator i procedurave përmes së cilave njerëzit janë bërë shtetas të RMV-së, por në raport me shumë shqiptarë dhe etnitete tjera ky ligj ka luajtur rolin e gardianit përjashtues i cili ua ka pamundësuar me vite e dekada të tëra shumë prej tyre të bëhen juridikisht pjesë e shtetit në të cilin kanë jetuar me dekada të tëra, kanë familjet e tyre, paguajnë taksa, dhe ku me një fjalë përkasin dhe meritojnë të jenë qytetar formal.

Fatmirësisht sot derisa po flasim, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa veçmë kanë ndërmarrë hapa konkret për zgjidhjen e këtij problemi njëherë e përgjithmonë. Propozim Ligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Shtetësi i cili veçmë është në parlament, ndër të tjera, synon edhe të minimizojë hapësirën për keqpërdorim të ligjit e cila i është dhënë organeve të sigurisë të cilat me ligjin aktual duhet të japin aprovimin final që një person të marrë shtetësinë, e që në shumë raste pikërisht këto organe të sigurisë duke diskriminuar shqiptarët ua kanë mohuar të drejtën për shtetësi duke i cilësuar ato si “të rrezikshëm për sigurinë e shtetit” edhe pse ironikisht ata njerëz kanë vazhduar të jetojnë të lirë në RMV!

Problemi me shtetësitë siç duket pranohet si çështje që kërkon zgjidhje edhe nga Qeveria aktuale edhepse siç duket ky propozim për ndryshim dhe plotësim të ligjit i ka vënë në siklet partnerët e koalicionit. Lëvizja Besa dhe PDSH si të pafuqishme në këtë Qeveri, duket që presin të shohin se si do të reagojnë “më të mëdhenjtë” duke mos u deklaruar haptazi që janë pro apo kundër kësaj iniciative. Pra që në fillim këto dy parti veçmë nuk arritën të kalonin testin e fuqisë politike, dhe sinqerisht thënë nuk pritej të ishte ndryshe.

Në anën tjetër, kjo iniciativë për ndryshim të ligjit qartazi vë në test serioz vullnetin e LSDM-së për të ofruar zgjidhje për problemet me të cilat përballen shqiptarët dhe etnitetet tjera jo-maqedone. E para, fakti që kjo iniciativë vije nga opozita shqiptare dhe jo nga LSDM-ja është treguesi më i mirë që problematikat që tangojnë shqiptarët nuk radhiten lartë në prioritetet e LSDM-së. E dyta, rezervat që shfaqë LSDM-ja mbi iniciativën dhe tendencat për ta sabotuar atë përmes paralajmërimeve që do të përgatitet propozim ndryshim i ri për ligjin aktual tregon atë që veçmë shihet nga të gjithë: që LSDM retorikën e butë ndaj shqiptarëve e ka pasur për një apo dy cikle zgjedhore dhe jo indikator të reformimit të brendshëm ideologjik të saj.

Megjithatë ky propozim ndryshim i ligjit testin më të madh e paraqet për Bashkimin Demokratik për Integrim. Me këtë iniciativë Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa para se gjithash kanë vënë në dukje një neglizhencë të pashoqë të kësaj partie ndaj njëbrenge disa dekadëshe me të cilën janë përballur shumë shqiptarë edhepse kjo parti ka qeverisur për gati dy dekada. Përveç kësaj, kjo iniciativë po vë në test para se gjithash seriozitetin e BDI-së për të gjetur zgjidhje ligjore për shumë qytetarë të cilët mund të kenë shpresuar që qeveria e tanishme do t’ua zgjidhje problemin e shtetësisë. Mirëpo siç duket nga narrativa inkonsistente e funksionarëve të BDI-së, testi i seriozitetit dhe sinqeritetit politik me shumë gjasë mund të mos kalohet nga kjo parti meqë në vend të shprehjes së gatishmërisë për ta imponuar këtë iniciativë ndaj palës tjetër, kufizojnë përkrahjen e tyre vetëm në votat që do t’i kishin dhënë në parlament pro këtyre ndryshimeve. Kjo qartë dëshmon nivelin e sinqeritetit dhe përkushtimit të kësaj partie politike për t’i dhënë fund problemeve të shqiptarëve në këtë shtet!

E përveç testit të seriozitetit politik, kjo iniciativë ka vënë në test serioz edhe fuqinë politike të BDI-së në këtë koalicion qeveritar. Pranimi i nevojës për ndryshim të ligjit dhe gatishmëria e BDI-së për të votuar propozimet që janë sjellur nga Aleanca për shqiptarët dhe Alternativa logjikisht të bëjnë të mendosh që kjo parti i pranon këto propozime si të dobishme për shqiptarët dhe prandaj duke qenë pjesë e një koalicioni Qeveritarë do të duhej të bënte çmos që kjo iniciativë të kalonte. Pra, duke qenë pjesë e një koalicioni të brishtë qeveritarë, logjika e shëndoshë do të thoshte që BDI-ja (apo cilado parti shqiptare në qeveri) do të përdorte mekanizmin e kushtëzimit të cilin ja mundëson përbërja e brishtë e kësaj qeverie që ta detyrojë partnerin e saj qeveritar (LSDM-në) t’i votojë propozimet për ndryshim të ligjit. Mirëpo siç duket BDI nuk është e gatshme ta përdorë pozitën e saj dhe mekanizmin e kushtëzimit të cilin ja mundëson të qenurit në këtë qeveri për t’i ndihmuar qytetarët pa shtetësi, e kështu përveç prioriteteve të BDI-së, vihet në pah edhe fuqia reale politike e saj.

Sidoqoftë, e mira e kësaj iniciative për ndryshim të Ligjit për Shtetësi është që përveç shpërfaqes së (mungesës së) sinqeritetit dhe fuqisë politike të partive shqiptare në këtë Qeveri, tregoi që ekzistojnë parti politike shqiptare të cilat ofrojnë zgjidhje konkrete për probleme reale dhe solli në diskurs publik dhe rend dite një problematikë e cila i tangon shumë bashkëqytetarë tanë të cilët edhepse janë pjesë integrale e këtij shteti, përjashtohen padrejtësisht nga të qenurit pjesë formale e tij. E nëse edhe këtë herë nuk arrihet një zgjidhje e mirëfilltë për këtë kategori të qytetarëve, atëherë vërtetë ky shtet është ai që është “i rrezikshëm për qytetarët” dhe jo e kundërta!

Continue Reading

Aktuale