Connect with us

Kolumna

Jugosllavia apo EU-goslavia

Published

on

Shkruan, Agim NESHO

Nacionalistët e rinj serbë asnjëherë nuk pranojnë të tërhiqen. Ndryshimi i Administratës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe zgjedhja e Presidentit të ri Biden duket se është pritur me trishtim në Beograd. Ata luftuan deri në fund duke përkrahur hapur rizgjedhjen e Presidentit Trump, duke shtyrë fort komunitetin serbo-amerikan të përkrahte Trump. Në këtë drejtim i ndihmoi edhe militanti Grenell, përfaqësuesi Special i Presidentit Trump për marrëveshjen Kosovë-Serbi, i cili hapur në takimin e Pitsburgut me komunitetin serb ju tha: ‘mendoni nëse fiton Biden çfarë do të thotë kjo për serbët’.

Presidenti i zgjedhur Biden është një nga figurat më të skalitura të politikës amerikane: vizionar, elokuent, mbështetës i paepur i demokracisë dhe mbrojtës i të drejtave të njeriut kudo në botë. Si njohës i thellë i artit të politikës së jashtme dhe diplomacisë ai ka dhënë një kontribut të shquar për paqen dhe stabilitetin në botë. Ai ishte një nga arkitektët e paqes në ish-Jugosllavi duke mbrojtur pa rezerva ndërhyrjen e Perëndimit kundër regjimit kriminal të Millosheviçit për të ndaluar gjenocidin ndaj shqiptarëve. Ai nuk është kundër serbëve, por duke luftuar për të mbrojtur parimet dhe vlerat bazë të shoqërisë së lirë u bë heroi i shqiptarëve. Fitorja e tij në zgjedhjet presidenciale ishte një fitore historike jo vetëm për SHBA por dhe për të gjithë botën e qytetëruar. Parimet e tij të politikës së jashtme si: forcimi i demokracisë në botë; forcimi i aleancave sidomos me Bashkimin Europian, për të drejtuar rendin liberal botëror; tregtia e lirë duke patur parasysh kushtet e ndryshimeve klimatike; si dhe forcimi i multilateralizmit dhe globalizmit, sidomos kjo e fundit në mbrojtje të interesave të klasës së mesme, janë parimet bazë që do të rikthejmë normalitetin në politikën e jashtme të SHBA-së dhe në botë. Sigurisht ky vizion do të sjellë dhe reagime regresive të shumë fuqive botërore, të cilat kanë kohë që punojnë për rritjen e influencave të tyre, në skema të rrezikshme gjeopolitike duke mos patur parasysh paqen dhe stabilitetin. E tillë eshtë edhe reagimi i Serbisë.

Reagimi i parë negativ për të bërë presion ndaj administratës së re është deklarata e Presidentit Vucic që hiqte paralelen e zgjidhjes së cështjes së Kosovës me konfliktin e ngrirë të Nagorno-Karabakh, duke mbrojtur tezën serbo-ruse për konfliktet e ngrirë dhe barazuar Kosovën me një të tillë. Në fakt Kosova, gjatë një procesi të gjatë legjitim, shtetformues nën mbikëqyrjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, sot është shteti më i ri europian dhe përbën një realitet të pakthyeshëm për botën, përveç nacionalistëve serbë që kërkojnë ndryshim.

Por çfarë kërkon Beogradi sot në një realitet të ri, të rikthimit të normalitetit dhe rregullsi në marrëdhëniet ndërkombëtare? Këtë e shpjegon pararendësi i ideologjisë serbo-madhe Timothy Less në një artikull të 23 Nëntor-it 2020 në OpenDemocracy. Autori duket se nuk është vetëm një studiues i çështjeve ballkanike, por edhe një përkrahës i flaktë i rikthimit të rolit të Beogradit si forca dominuese në Ballkanin Perëndimor. Në artikullin e tij të parë në Foreign Affairs në Dhjetor 2016, ai hedh idenë e rindarjes së Ballkanit në linja të pastra etnike për të krijuar një stabilitet në rajon, ku shtetet e reja multi-etnike kanë dështuar. Ky artikull qëndon në bazën e inisiativës së liderëve ballkanikë Vucic-Thaci-Rama për zgjidhje të reja gjeopolitike në Ballkan me ndryshimin e kufijve, aventurë që u dënua me forcë nga shtetet kryesore të BE-së në Samitin e Berlinit 2019 si një skenar destabilizues. Artikulli i fundit kërkon kompromis me Beogradin për një zgjidhje të re ballkanike.

Artikulli ka disa teza që mbështesin zgjidhjen e re, që për ironinë e faktit qëndron në projektin e mini-shengenit.

Teza e parë: Administrata Biden duhet të veprojë për Ballkanin Perëndimor atje ku e ka lënë Administrata Trump, pra në nevojën e një zgjidhje të re kompromisi dhe jo atje ku ka qëndruar për një kohë të gjatë politika amerikane për Ballkanin gjatë kohës së Klinton, Obamës dhe G. Ë. Bush. Konsensusi i Ëashington-it duhet të ndryshojë. Me pak fjalë, çështja e Kosovës nuk është një çështje e mbyllur por duhet të negociohet, tashmë që Serbia po kthehet si një fuqi ballkanike.

Teza e dytë: Ballkani ka nevojë për stabilitet dhe administrata e re Amerikane nuk duhet të ketë prioritet funksionimin e demokracisë, por ‘të përkrahë liderët ballkanikë të cilët janë njerëzit e saj’. Me pak fjalë, përkrahni liderët autoritarë si Vuçiç, Rama, etj., se ata e kanë në dorë ta mbajnë Ballkanin Perëndimor larg influencave të fuqive të tjera botërore si Rusia, Kina, Turqia. Autori e shpreh hapur këtë ide.

Teza e tretë: Lëreni Serbinë të bëhet fuqia dominuese në rajon. Meqënëse ndryshimi i kufijve u hodh poshtë, gjë që do t’i siguronte Serbisë krijimin e Serbisë së Madhe, lëreni Serbinë të ushtrojë dominimin e saj ekonomik nëpërmjet mini-Shengenit. Autori insiston që kjo formulë e zhvillimit ekonomik, që me insistimin e Grenell (pasi influencoi Vuçiç) u vendos në marrëveshjen e Ëashingtonit shtator 2020, është formula më e mirë e kompromisit që Beogradi të mos ngrejë ‘pretendime’ ndaj Kosovës. Ai shpreh mendimin se ky kompromis qëndron në linjat e BE-së, që ky rajon të mos shkojë nga Lindja por të mbetet pjesë e perspektivës europiane, që përkon me interesat e Francës si euro-skeptike për ta mbajtur Ballkanin edhe larg edhe nën kontroll. Autori shkon deri aty sa mini-Shengenin e shikon si iniciativë vetëm me një qendër, atë të Beogradit, dhe me strukturë të njëjtë me Jugosllavinë, por me një emër më bashkëkohor: EU-goslavia (sllavët e Europës).

Në vend të konkluzionit

Në gjithë zhvillimet e fundit ne shikojmë se faktori Shqiptar në Ballkan është gjithmonë e më shumë i margjinalizuar. Nuk dimë apo nuk duam, delirantë apo të mashtruar! Një gjë është e qartë se mungon një strategji për çështjen kombëtare dhe politika e jashtme mbetet pronë e kryeministrave të radhës. Vitet e fundit kemi përjetuar një dështim total të politikës së jashtme të qeverisë Rama. Na u tha që projekti Serbo-Rus për ndryshimin e kufijve ishte një oportunitet që mund të na vinte një herë në 30 vjet. Dështuam apo u manipuluam nga Vuçiç?! Na u tha që mini-shengen ishte një inisiativë europiane e propozuar nga Rama, por po del që është thelbi i projektit për dominimin serb në Ballkan. Edhe kur liderët kosovarë reagojnë, i shajmë ata në krah të Vucic-it. Edhe në Kosovë kur dalin dy burra shteti dhe vendosin paritet me Serbinë, si Haradinaj dhe Kurti, ne më shpejt besojmë presionet e Grenell sesa interesat Shqiptare. A do të vazhdojë politika Shqiptare të bëjë gabimet historike si në kohën e lëvizjeve nacionaliste ballkanike për shtetformim të shekullit 19-të, që në vend të krijimit të shtetit justifikonim ekzistencën brenda Perandorisë Osmane, apo në kohën e Princit Vid që në vend t’i bashkoheshim Europës u bëmë pjesë e lëvizjes së Haxhi Qamilit?!

Nuk po bëj shpjegime se sa të ngjashëm mund të jenë Edi Rama me Dum Babën, por sot ndërgjegjja kombëtare Shqiptare e kupton që e ardhmja e kombit Shqiptar nuk kalon nga Beogradi apo projektet sllavo-otomane. Problemi i ndryshimit të elitës politike drejtuese në Shqipëri është një çështje jetike për të ardhmen e vendit. Fitorja e opozitës së bashkuar është një detyrim patriotik. Edhe në Kosovë kërkohet ndryshim. Kthimi i Presidentit Biden është një shans i dytë për shqiptarët por ne duhet të bëjmë detyrat tona.

 

Continue Reading

Kolumna

Alarmohet Beogradi, serbët po shuhen në Maqedoni, shqiptarët po rriten!

Published

on

By

Nga Ismet AZIZI

Kryetitujt më të shpeshtë të shkrimeve apo analizave në mediat serbe janë: “Do të jemi pakicë kombëtare në Serbi”; “Në Serbi janë zbrazur 1600 fshatra”; “Nataliteti më i ulët në Evropë”; “Serbët zhduken brenda 500 viteve”?! “Populli serb ngadalë vdes për shkak të mortajës së bardhë, Beograd: Katër varrime një pagëzim”, “Çdo e katërta femër serbe nuk është nënë”; “Çdo tre vjet nga një komunë më pak” etj.

Në realitet nataliteti është padyshim breng e madhe për Serbinë, pasi që brenda çdo viti zhduket nga një qytet. Thënë ndryshe, Serbia brenda çdo viti, zvogëlohet për 60 mijë banorë. Kjo është Murtaja e Bardhë që është duke e ndryshuar strukturën demografike të Ballkanit.

Kohëve të fundit mediat serbe i kanë kushtuar rëndësi edhe lëvizjes së popullsisë në Maqedoni. Prandaj, në mediat serbe vërehen edhe titujt: “Shqiptarët me natalitet ‘pushtojnë’ Maqedoninë”.

Enti statistikor i Maqedonisë ka konfirmuar paralajmërimet e demografëve maqedonas. Për herë të parë pas 65 viteve, vitin e kaluar maqedonasit “ranë” nën nivelin e 50 për qind të lindjeve.

Paralajmërimet, tashmë të njohura të demografëve në Maqedoni, bëjnë me dije se maqedonasit janë “në rrugë” që të bëhen pakicë në shtetin amë. Këto janë argumentet e reja të treguesve të Entit Shtetëror të Statistikave në Shkup. Për herë të parë, që nga viti 1948, kur është bërë regjistrimi i popullsisë për herë të parë si njësi në vete, vitin e kaluar maqedonasit etnikë “kanë rënë” nën nivelin e 50 për qind të lindjeve. Në Maqedoni janë lindur 11.603 maqedonas, 7.488 shqiptarë, 1,080 turq, 1,226 romë…
Në të njëjtin vit kanë vdekur 14.213 maqedonas. Sipas statiscientëve, bëhet me dije se ka tremijë vdekje më shumë se lindje. Vitin e kaluar, sipas treguesve të njejtë, kanë vdekur 3230 shqiptarë, që është përgjysmë më pak nga shifra 7488 të lindur. Dihet se zyrtarisht shqiptarët ende konsiderohen pakicë në Maqedoni.

Të dhënat statistikore nga tremujori i parë i këtij viti konfirmojnë se natalitet më të lartë kanë komunat me pjesëmarrje më të madhe apo që dominohen nga shqiptarët, siq janë: Tetova, Kumanova, Struga dhe komuna e Çairit në Shkup, Saraj, Orizare, Aeroport, Studeniçan, Bogovinë, etj.

Në anën tjetër, nivel më të ulët të natalitetit kanë komunat e Manastirit, Prilepit, Velesit, Koçanit, Ohrit, Kërçovës, Demir Hisarit, Bosilovës dhe komunat e Shkupit siç janë: Karposhi, Kisela Voda, të banuara kryesisht me maqedonas.

Në Maqedoni, nga viti 2002, kryesisht për shkak të konfliktit politik mes udhëheqësve maqedonas dhe shqiptarë etnikë në qeveri, nuk është bërë regjistrimi i popullsisë.

Përpjekjet e fundit të vitit 2011, pas disa shtyrjeve, dështoi para se të përfundoj. Opozita në Maqedoni ka vlerësuar se vetëm Maqedonia dhe Somalia nuk kanë arritur të regjistrojnë popullsinë më shumë se 10 vjet, duke sugjeruar se ky duhet të jetë shkaku për reagim të OKB-së.

Deri sa të bëhet regjistrimi i popullsisë, të dhënat aktuale statistikore mbi popullsinë në Maqedoni mbeten ato të vitit 2002, me të cilën vendi ka 2.022.547 banorë. Nga ky numër, edhe pse në mënyrë të vazhdueshme maqedonasit janë në rënie, ende zyrtarisht konsiderohet se janë shumicë me – 1,297 000 ose 64.2 për qind, ndërsa shqiptarët 509,083 ose 25.2 qind.

Brengë e madhe e Serbisë është fakti se numri i serbëve në Maqedoni është gjithnjë e më i vogël.

Lakorja e diagramit, e cila paraqet numrin e serbëve në Maqedoni, sipas demografëve, tregon rënie krahasuese të regjistrimit të popullsisë në Maqedoni. Në vitin 1994, regjistrimi ka treguar se në Maqedoni kanë jetuar 40.228, ose 2.1 për qind e numrit të përgjithshëm të popullsisë. Ndërsa vitin 2002, në këtë shtet kanë jetuar 35 936 serb që përbën vetëm 1, 7 % të popullsisë së përgjithshme të Maqedonisë. Kështu paraqitet kjo çështje në të përditshmen beogradase Vecernje Novosti.

Shkalla e shtimit natyror në Serbi në vitin 2011 ishte pozitive vetëm në shtatë komuna: në Komunën Beogradit – Grocka, Novi Sad, Sjenicë, Novi Pazar, Tutin, Bujanoc dhe Preshevë.

Serbia gjatë vitit 2011 ka regjistruar shtim negativ të popullsisë për minus 5.2 për qind, ndërsa popullsia e saj është zvogëluar për 32 683 në krahasim me vitin paraprak.

Sipas të dhënave të Entit të statistikave, nataliteti ishte 9 promilë, ndërsa shkalla e mortalitetit 14.2 promilë. Vlerësohet se numri i popullsisë në Serbisë në vitin 2011 ishte 7.258.753. Popullsia, në krahasim me vitin e kaluar, ka rënë me 0.5 pikë të indeksit.

Në të njëjtën periudhë, numri i lindjeve të gjalla ka rënë nga 68.304 në 65.598. Numri i vdekjeve ka rënë diç, dhe në vitin 2011 shkonte deri në 102.935, ndërsa në vitin 2010, kishin vdekur 103.211 persona.
Problemi kryesor i shoqërisë serbe është ai i plakjes së popullsisë dhe zhdukja e fshatrave, qyteteve dhe qytezave të vogla.
Mosha mesatare e popullsisë në Serbi është 41 vjeç, e cila radhitet në grupin e popujve të vjetër.

Sikur mos të ishin komunat shqiptare në Maqedoni ato të Sanxhakut (Tutini, Sjenica e N. Pazari) dhe të Kosovës Lindore (Presheva e Bujanoci), të cilat pothuajse janë të vetmet komuna që kanë shtim pozitiv, atëherë ku kishin me qenë Serbia dhe Maqedonia?

Continue Reading

Kolumna

Të gjithë kapitalin tim politik e investoj në Bankën Popullore Kurti

Published

on

By

Status në Facebook i veprimtarit të çështjes kombëtare, Shpëtim Pollozhani

FITIMI 8-10% në vit!

Ivestimi i garantuar!

Përfitimi u takon gjeneratave të ardhshme!
Kosovës do ti këthehet dinjiteti!

Bota do ta shohë se në Kosovë paska njerëz që janë kundër krim politikës!

Në Kosovë nuk do të ketë tendera, privatizime kriminale, zhvatje, koncesione dhe privilegje korruptiv!

Pas 14 shkurtit do të kemi një Kosove të dinjitetshme!

I ftoj të gjithë miqtë e mij anembanë Kosovës e botës ti japin fund poshtërimit të Kosovës martire!

Lavdi dëshmorëve të kombit dhe UÇK!

Continue Reading

Kolumna

Ç’lojë po luan binomi “Vjosa-Albin”

Published

on

By

“Këtij binomi që keni para jush i përket e ardhmja”, i tha gazetarëve Albin Kurti, pasi nënshkroi në krah të Vjosa Osmanit koalicionin e përbashkët për zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit.

Ajo çka prezantuan këtë të enjte, lideri i Vetëvendosjes dhe bartësja e listës së një grupi të larguarish nga e djathta rugoviste, u paketua me mantelin e një ambicieje shumë më të madhe sesa sfida e elektorale që kishin përpara.

Dy njerëzit më të votuar në sfidën e 6 tetorit 2019 shpallën dy synime. i pari arritja e një shumice të cilësuar dhe e dyta sigurimin e postit të presidentit përpos atij të kryeministrit.

Pikërisht për këtë, gjatë konferencës së shtypit, Albin Kurti ngulmoi pothuajse në çdo fjali se zgjedhjet e 14 shkurtit ishin një referendum për ndryshimin e fytyrës së shtetit dhe la disa herë të kuptohet se qytetarët e kishin presidenten e vet (megjithëse aktualisht në detyrë) të cilën, gara elektorale, do të shërbente vetëm për ta rikonfirmuar.

Natyrisht, lideri i Vetëvendosjes i detyrohet moralisht qëndrimeve të Vjosës. Mënyra se si ajo ruajti të pakorruptuar frymën e ndryshimit që qytetarët kërkuan në zgjedhjet e shkuara, papërkulshmëria që tregoi ndaj pleqve pazarxhinj të LDK-së, karta e besueshmërisë që i shtoi kredos, se qeveria Kurti u rrëzua nga një kastë e kapsve të shtetit në kundërshtim me vullnetin popullor, nuk ishin pak.

Por sado e mbarsur me moral të jetë mirnjohja, vijësjellja dhe hierarkia e vlerave të Vetëvendosjes, në zgjedhjen politike për të propozuar Vjsosa Osmani si presidente të ardhsme të Kosovës ka edhe synime të ftohta taktike.

Kushdo e di se ky është një mision teorikisht i pamundur. Që kuvendi i ardhshëm të zgjedhë kreun e ri të shtetit, ai duhet të krijojë një shumicë të cilësuar prej 81 deputetësh. Kjo nuk ka ngjarë kurrë më parë në shtetin e pavarur dhe për këtë gjithmonë janë kërkuar marëveshje politike.

Madje deri më sot, në Kosovë, përveç të ndjerit Ibrahim Rugova që vazhdoi të korrte rezultate plebishitare edhe pas luftës, asnjëra nga partitë nuk ka arritur kurë të fitojë në zgjedhje as shumicën e thjeshtë.

Atëherë përse Albini me Vjosën po reken të kapërcejnë ylberin duke synuar të marrin, me një garë të vetme edhe postin e kryeministrit edhe atë të presidentit? Pse ata kanë shpallur se do të kërkojnë të fitojnë 3/5 e deputetëve të parlamentit të ri që duhen për arritjen e këtyre objektivave.

Një përgjigje e kësaj dilem mund të gjendet në slloganin e famshëm të studentëve protestues të majit ’68 në Francë: “bëhuni realistë, ëndërroni të pamundurën”.

Aleatët e sapo pagëzuar, me synimet që shpallën duken ftohtësisht realistë. Ata janë të ndërgjegjshëm se nuk do arrijnë dot mbi 80 mandate. Ata e dinë se Vjosa nuk do të mund të bëhet presidente vetëm me votat e koalicionit që sapo themeloi.

Por duke shpallur këtë objektiv të pamundur ata arrijnë një efekt psikologjik. Ata bëjnë mbizotëruese idenë se loja tashmë ka përfunduar dhe “binomi të cilit i pëket e ardhmja” e ka të fituar shumicën e thjeshtë. Vetëm kështu ata mund të entuzjasmojnë të vetët dhe të demoralizojnë kundërshtarët duke arritur atë që është synimi real, krijimi i një shumice të thjeshtë, të aftë për të qeverisur vendin pa pengesa.

©Lapsi.al

Continue Reading

Aktuale