Connect with us

Kulturë

Nesër festohet “Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe” – Ç’u vendos në Kongresin e Manastirit në vitin 1908?

Published

on

Kongresi i Manastirit, Kongresi i unifikimit të një alfabeti të gjuhës shqipe është tubimi i dijetareve shqiptarë më 14 nëntor deri më 22 nëntor të vitit 1908 në Manastir, në qendrën e atëhershme të Vilajetit për përcaktimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Gjendja gjatë zhvillimit te letërsisë shqipe ishin hartuar disa alfabete të ndryshme. Një nga më të fundit ishte ai i krijuar në Stamboll dhe quhej Alfabeti i Stambollit. Mendimi zotërues ishte se shkronjat jolatine nuk ishin të përshtatshme për mbarësinë e shqipes bashkimit gjuhësor kombëtar. Për këtë arsye, shoqëria më aktive dhe e mirënjohur “Bashkimi” në Manastir, thirri Kongresin e Parë të Përgjithshëm për diskutimin e një alfabeti të njësuar. Një alfabet i njësuar do të ishte fillimi i letërsisë mbarë shqiptare. Prandaj më 14 nëntor 1908 në Manastir u mblodh Kongresi i Manastirit ose Kongresi i Alfabetit.

Në kongres ishin të pranishëm 160 delegatë, të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, si dhe nga komunitetet shqiptare në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Egjipt, Amerikë etj. Kryetar i Kongresit u zgjodh Gjergj Fishta. Sekretare e komisionit u zgjodh Parashqevi Qiriazi, mësuese e shkollës së vashave në Korçë. Nënkryetar u zgjodh Grigor Cilka, nga Korça si dhe 11 anëtarë të tjerë. Në atë Kongres merrnin pjesë shqiptare te fesë myslimane, katolike, ortodoksë, dhe protestantë, njerëz të ditur dhe të gjithë erdhën së bashku, për arritjen e një qëllimi të madh kombëtar.

Historia e Kongresit

Kumtesa e mbajtur nga prifti katolik Gjergj Fishta, nga Shkodra, preku të gjithë pjesëmarrësit, sa një hoxhë rendi ta përqafonte para të gjithëve. Kërkesa e kombëtaristëve shqiptarë ishte që gjuha shqipe të mos shkruhej as me shkronja arabe, as me shkronja greke, por me alfabetin latin, gjë që do nënkuptonte mosnënshtrim, qoftë ndaj otomanëve, qoftë ndaj grekëve. Kongresi vendosi me votë unanime të lërë mënjanë alfabetin e Stambollit, dhe ta shkruanin gjuhën shqipe vetëm me alfabetin latin me 36 shkronja i cili përdoret deri më ditët tona. Gjithashtu, u vendos që pas dy vjetësh të mbahej një Kongres i dytë në Janinë për të shqyrtuar problemet drejtshkrimore e letrare, si dhe për të bërë përpjekje për shkrirjen e dialekteve gegë dhe toskë në një gjuhë të njësuar shqipe. Duke qenë se para Kongresit të Manastirit, gjuha shqipe ishte shkruar me shkronja arabe, greke, sllave, apo përshtatjet e tyre, vendosmëria e delegatëve për t’i kthyer sytë nga perëndimi ishte haptazi një shpallje kulturore e pavarësisë, gjë që nuk kaloi pa u vënë re as nga qeveria turke e as nga kisha ortodokse greke dhe aleatët e tyre sllavë.

Dom Ndre Mjeda, i thuri vargjet, ndoshta më të bukura gjuhës shqipe në atë kohë :

Përmbî zâ, që lëshon bylbyli,

Gjuha shqipe m’shungullon,

Përmbi erë, qi nep zymbŷli,

pa ‘da zemrën ma ngushëllon.

Gegë e toskë, malësi, jallia,

jan nji komb, m’u ‘da s’duron,

fundë e majë nji âsht’ Shqipnia,

e nji gjuhë t’gjith na bashkon.

Në Manastir u hap dhe shtypshkronja, e cila financohej nga një grup tregtarësh atdhetarë myslimanë shqiptarë. Shtypshkronja e Manastirit shpejt u bë e njohur në të gjithë Shqipërinë si shpërndarëse e librave dhe gazetave në gjuhën shqipe. Në këtë punishte ishin të punësuar 17 vetë, të cilët punonin me një makinë të re elektrike, që vihej në lëvizje me dorë, për të shtypur gazetën e përjavshme Bashkimi i Kombit si dhe abetaret shqipe dhe tekstet shkollore.

Ndërkohë çështja e gjuhës shqipe shpesh bëhej shkas shpërthimin e dhunës së fanatikëve që sulmonin pa mëshirë përparimin e gjuhës shqipe. Babë Dudë Karbunara (1842-1917) i lindur në Berat, bashkëpunonte ngushtë me Kostandin Kristoforidhin. Babë Karbunara shumë herë filloi gjatë kremtimit të meshës të lexonte ungjillin në gjuhën shqipe dhe kështu i filluan kërcënimet e para nga eprorët klerikë ortodoksë dhe më 1895, fanatikët i dogjën të tërë shtëpinë. Prifti ortodoks kapedan Stathi Melani vraponte me librat shqip në gji dhe me pushkën në krah fshat më fshat në Shqipërinë e jugut për përhapjen e shkollës shqipe dhe kishën shqiptare. Veprimtaria e Atë Stath Melanit ra në sy të autoriteteve turke. Tri herë turku ia dogji shtëpinë dhe librat shqip, por Atë Melani nuk pyeti. Më 24 Dhjetor 1917 Atë Stathit i kishin zënë pritë banda e kusarëve të Josif Suropullos, të cilët e vranë duke i prerë kokën Atë Stath Melanit.

Petro Nini Luarasi (1865-1911) është një nga atdhetarët e shquar që punoi për përhapjen e gjuhës shqipe në rrethin e Korçës. Qe drejtor i shkollës së djemve në Korçë. Petro Nini Luarasi shkonte fshati në fshat për përhapjen e gjuhës shqipe. Më 20 shtator 1892, peshkopi i Kosturit Fillateri nxori një lajmërim me titull “Mallkimi i shkronjave shqipe”. Më 1909, qeveria turke mbylli të gjitha shkollat shqipe dhe dha urdhër të prerë të shuhen në zjarr të gjitha librat, dokumentet dhe letërsia shqipe. Gjendja politike në vend në atë kohë ishte kritike për të marrë flakë nga çasti në çast. Për atdhetarët shqiptarë u bë më se nuk do t’i realizonin dot kurrë qëllimet e tyre të larta pa hapur më parë shkollat shqipe për formimin e rinisë. Deri në atë kohë rinia shqiptare kishte qenë objekt i propagandës së huaj në shkollat e hapura nga qeveria turke dhe nga kisha greke. Megjithatë, gjatë punës për krijimin e sistemit të tyre shkollor, atdhetarët shqiptarë u ndeshën me tri probleme të mëdha, pengesa nga autoritetet turke dhe greke, mungesa e të hollave dhe mungesa e mësuesve të shkolluar.

Shuma të vogla por të dobishme të hollash ishin mbledhur aty-këtu brenda vendit, kurse ato më të mëdha kishin ardhur nga shoqëritë dhe klubet shqiptare në vendet e tjera. Mirëpo kishte fare pak mësues të shkolluar të gjuhës shqipe. Për të bërë ballë kësaj sfide arsimore, Klubi i Selanikut thirri Kongresin e Elbasanit, nga data 20 deri 27 gusht të 1909. Në këtë Kongres tetëditor, që kishte synim zhvillimin e lëvizjes arsimore anembanë vendit, erdhën delegatë nga 28 shoqëri e klube shqiptare. Në Kongres u vendos që të themelohet “Shkolla Normale në Elbasan” një shkollë gjashtëvjeçare për përgatitjen e mësuesve të rinj. Njerëz të mësuar në Universitetet e huaja Evropiane u gjetën dhe u caktuan për të formuar trupin pedagogjik.

Klubi i Manastirit u caktua si qendra për krijimin e një Federate të Klubeve Shqiptare në Shqipëri dhe në kurbet. Qëllimi i Klubeve ishte përhapja e gjuhës dhe arsimit shqip, pa u përzier me politikë. Klubi korçar “Përparimi” u caktua si qendra financiare, që do të administronte ndihmat dhe shtimin e shkollave të ditës dhe të natës. Përgjegjësia kryesore dhe preokupimi i madh ishte mbajtja e Shkollës Normale të Elbasanit. Kongresi i Elbasanit nxiti të gjithë shqiptarët të futnin gjuhën shqipe në shkollat e huaja, të përhapura anembanë Shqipërisë. Më 18 nëntor 1909 u bë thirrja haptazi, “Përmbajtjen e Shkollës Normale të Elbasanit duhen, para, para e më shumë para”. Nuk është e vështirë të përfytyrohet niveli i ulët i jetesës së njerëzve, që u bëhej një propozim i tillë! Mirëpo, me ose pa mjetet e përshtatshme, Shkolla Normale Elbasanit vazhdoi të përgatiste pionierët e arsimit për Shqipërinë që po rilindte. Drejtori i parë i Normales ishte, Luigj Gurakuqi. Vite më vonë kjo shkollë u pagëzua me emrin e tij. Shkolla Normale u hap më dhjetor të 1909, me 143 nxënës.

Shpërthimi i shqiptarizmit i kaloi të gjitha parashikimet e armiqve të gjuhës shqipe. Në atë kohë dolën në dritë rreth 90 gazeta dhe revista shqipe, që botoheshin në Shqipëri dhe në kolonitë shqiptare jashtë vendit. Xhonturqit me kryetarin e tyre Ferit pashën, të frikësuar nga ky shpërthim i shpejtë i arsimit shqip, reaguan ashpër, duke ndaluar shoqëritë, shkollat dhe botimet në shqip. Në Vlorë atdhetarët e ndershëm arrestoheshin dhe internoheshin, shkolla e Vlorës u mbyll, kurse drejtori i saj Loni Naçi u largua nga Shqipëria, nga frika e vrasjes. Në Gjirokastër pionieri i arsimit shqip kombëtar, Koto Hoxhi, u internua në kështjellën e Bosforit. Pandeli Sotiri, themelues i së parës shkollë shqipe në Korçë, u internua në Selanik. Xhonturqit i kishin vënë detyrë vetes për të rrjepur të gjallë të gjithë shqiptarët e ndershëm që punonin për përhapjen e gjuhës shqipe. Gjërat po shkonin keq më keq.

Dalja në pah e gjuhës shqipe, me shkronja latine, provokoi myslimanët injorantë e konservatorë. Ata protestuan se shqipja, ashtu si turqishtja, duhen shkruar vetëm me shkronja arabe dhe se preferenca e atdhetarëve shqiptarë për shkronja latine perëndimore ishte një përçmim për fenë myslimane. Njerëz të paditur dhe injorantë formuan me mbështetjen edhe të Qeverisë së Xhonturqëve në Stamboll shoqërinë Mahfeli me synimin për përçarjen e shqiptarëve dhe frenimin e arsimit në shqip. Në fund të vitit 1909, Qeveria turke ndaloi përdorimin e gjuhës shqipe me shkronja kombëtare, në të gjitha shkollat anembanë vendit. Gjithashtu, nxori një dekret, sipas të cilit gjuha shqipe do të shkruhet vetëm me shkronja arabe. Shoqëria reaksionare “Mahfeti” me mbështetjen e qeverisë turke, shtypi dhe shpërndau abetaret e para me germa arabe. Për këtë arsye, në shkurt të 1910, u mbajt në Elbasan një miting proteste, ku 7000 protestues ngritën zërin kundër përdorimit të shkronjave arabe për gjuhën shqipe. Po atë muaj protestat vazhduan në Korçë, Berat, ku mbi 15.000 vetë dogjën në qendër të qytetit abetaret shqiptare me germa arabe, të dërguara nga Stambolli.

Telegrame të shumta nga shoqëritë, shqiptare të Selanikut, Shkupit e Manastirit u shprehën në mbrojtje të alfabetit shqip. Në Shkodër, një grup myslimanësh u bënë gati të organizonin një manifestim në përkrahje të shkronjave arabe. Mirëpo ndërruan mëndje kur 60000 katolikë dhe myslimanë të ndershëm shqiptarë, nga Malësia e Madhe, organizuan ditë më parë një manifestim madhështor në përkrahje të shkronjave latine. Protesta të ngjashme u organizuan në Përmet, Kolonjë, Tepelenë, Frashër, Konicë etj. Por turqit nuk deshën t’ia dinin. Atëherë në mars të 1910 u thirr Kongresi i dytë i Manastirit. Aty u vendos që të vazhdojë përdorimi i alfabetit kombëtar me shkronja latine dhe protestat kundër vendimit të padrejtë të Qeverisë Turke.

Gazeta atdhetare “Shkreptima” e Kajros botoi një memorandum të hartuar nga kryengritësit që luftonin në malet e Shqipërisë. Në të theksohej se qëllimi i tyre nuk ishte për plaçkitur apo për të vrarë, por për të luftuar për ‘’lirinë e edukimit në gjuhën shqipe dhe me alfabetin kombëtar, lirinë për të hapur të gjitha shkollat shqipe të mbyllura nga qeveria turke dhe vënien në punë të shtypshkronjave, si dhe botimin e gazetave të ndaluara, lirimin e të burgosurve politikë. Dhe përfundonte me mesazhin: “E gjithë bota e qytetëruar dhe veçanërisht qeveria e perandorisë Otomane le ta dijë mirë se t ë gjithë shqiptarët, gegë e toskë, të krishterë e myslimanë, nuk do ta pushojnë luftën për këto tri kërkesa, derisa qeveria të na i garantojë ato me siguri”.

Edhe në këtë luftë, shkolla shqipe doli fitimtare. Me pak mjete dhe mësues, por me dëshirën në shpirt për dituri shkollore shqiptare, midis pengimeve, nga armiqtë e afërm dhe të largët, shkolla shqipe fitoi nga veriu e deri në jug të Shqipërisë dhe përgatiti breza të rinj atdhedashës. Megjithëse ky zhvillim kulturor ishte përfytyruar si jo i dhunshëm, shpejt ai u kthye në një zjarr të rrezikshëm. Që shqiptarët trima si Isa Boletini dhe burri i zoti Ismail Bej Qemal Vlora, do nxitonin hapat për të shpallur mëvetësinë e Shqipërisë më 28 nëntor të 1912 në Vlorë. Pas pak muajsh filloi Lufta Ballkanike dhe Manastiri e Shkupi, dy qytete historikisht të banuara nga shumica popullsi shqiptare, u pushtuan nga sllavët. Të gjitha dyqanet dhe librat shqip u dogjën dhe shumica e atdhetarëve shqiptar u therën nga serbët, disa u burgosën. Popullata myslimane shqiptare u detyrua të braktiste qytetin e Shkupit dhe të Manastirit, ato familje ortodokse shqiptare që mbetën aty, me kalimin e viteve dhe me dhunë u nënshtruan duke humbur dinjitetin e tyre shqiptar.

 

BURIMI

Continue Reading

Kulturë

Evropë apo Europë?

Published

on

By

Pse sot hasim dy trajta të kësaj fjale? Ku qëndron ngërçi, që kemi një dyzim të kësaj fjale? Në fakt, cilën duhet të marrim si trajtë të saktë? Merrni përgjigjen e duhur në këtë shkrim!

Kjo është një ndër ato fjalë apo çështje gjuhësore, që, me të drejtë, ka ngritur shumë diskutim te dashamirët e gjuhës shqipe dhe jo vetëm. “Kushtetuta jonë gjuhësore”, pra “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe” i vitit 1972, ka miratuar trajtën me “ev”, pra “Evropë”. Kjo trajtë i përgjigjet shqiptimit të greqishtes (Evropi) e, deri diku, edhe të turqishtes (Avrupa), si dhe të gjuhëve të tjera fqinje ballkanike (bullgarishtja, serbishtja etj.). Prandaj kjo trajtë fonetike “Evropë” u përhap në mbarë shqiptimin popullor. Mbi këtë bazë u pranua edhe në gjuhën e shkruar dhe kjo u pasqyrua te “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”. Por, ndërkohë, në gjuhën shqipe kanë hyrë shumë fjalë të reja me këtë temë, që sidomos në shkrim po përdoren me grupin “eu” dhe jo me “ev”. Sot shqiptojmë dhe shkruajmë: euro, euroatlantik, europarlamentar, eurodeputet, Euratomi, Euroazia, Eurovizion etj.

Pra, ngërçi për trajtimin e dyzuar të kësaj fjale lind, sepse:

a) së pari, në “Drejtshkrimin” dhe “Fjalorin e gjuhës shqipe” të Akademisë së Shkencave (2006) kemi trajtat me “ev”: Evropë, evropian, evropianizoj, evropianizim, evropianolindor, evropianoperëndimor. Mirëpo në po të njëjtin fjalor kemi me “eu” fjalët: euro, euroatlantik; Euroazi, eurodeputet, eurolindor, europarlamentar, europerëndimor, Eurovizion, eurokomunizëm etj. Te ky fjalor gjendjen 6 fjalë me temë me grupin “ev” dhe 13 fjalë të tjera më të reja, me po këtë temë, por në këtë rast me grupin “eu”.

b) së dyti, sot në shtyp, në dokumente zyrtare etj., janë mbizotëruese trajtat me “eu”, ashtu siç këto trajta janë mbizotëruese edhe në “Fjalorin” e Akademisë së Shkencave (pra kemi 13 fjalë me grupin “eu”). Praktika e shkrimit të fjalës Europë dhe e të gjitha fjalëve të tjera, ku ajo hyn si element përbërës, sot e ka zëvendësuar formën e vjetër greko-sllave me “ev” me formën e gjuhëve perëndimore me “eu”.

Edhe pse nuk është gabim të përdoren trajtat me grupin “ev”, derisa Drejtshkrimi i Gjuhës Shqipe të rishikohet, vetë zhvillimi dhe praktika e gjuhës shqipe sot për përdorimin e kësaj fjale kanë dhënë përgjigjen e vet, që duhet të jetë forma me “eu”. Pra, Europë, europian, europianizoj, europianizim, europianolindorët.

Përgatiti: Emil Lafe; Sevi Agolli

Continue Reading

Kulturë

Vitet kur shqiptarët sundonin Jerusalemin: U pritën si çlirimtarë, sollën barazi për të gjithë

Published

on

By

Bajram Peçi

Jerusalemi dhe shqiptarët, ç’lidhje mund të kenë mes tyre? Asnjë! Janë jo pak, por 1736 kilometra larg njëri-tjetrit.

Por… mos u nxitoni! Prisni aq sa të keni kohë të shfletoni historinë mijëravjeçare të qytetit të Davidit dhe Solomonit, të Jezu Krishtit dhe profetit Muhamed dhe do të shihni se Qyteti i Shenjtë ka qenë zotërim i shqiptarëve nga viti 1831 deri në vitin 1840.

Sulltani i perandorisë që shtrihej në tre kontinente, asaj Otomane, Mahmudi II, ndonëse me masakrën e 10 qershorit të vitit 1826 mendoi se do t’i jepte fund pushtetit të jeniçerëve, ku shqiptarët kishin pozitat sunduese, nuk mund ta parashikonte dot se një ditë, tetë vjet më pas, shqiptarët do të ishin përsëri kërcënimi më serioz i fronit dhe po të mos i kish ndalur Evropa, ushtria e Mehmet Aliut, këtij ushtari shqiptar, do të ishte futur triumfuese në Stamboll.

Kush ka lexuar libra biografiko-historikë mbi Napoleon Bonapartin, e ndesh atë pothuaj në shumicën e tyre, të shpjeguar në pak faqe dhe lidhet me ngjarjen në kështjellën e Xhafas (Jaffa), shumë afër Jerusalemit. Ishte periudha e fushatës në Egjipt, kohë kur, ngadhënjyese, ushtria prej 35 mijë luftëtarësh e Napoleonit, doli nga Kajro e Aleksandria dhe mori rrugën për pushtimin e “Tokave të shenjta”. Kapërceu lehtësisht e theu rezistencat e dobëta që hasi rrugës në Gaza, derisa ngeci para murit të një kështjelle, Xhafas, që as thyhej dhe as dorëzohej. Ishin nizamë shqiptarë ata që e mbronin. U premtoi jetën, por ata pas katër ditë luftimesh të përgjakshme në rrethim, kërkuan të merrnin dhe armët. Kështu u ra dakord, por, siç thonë historianët, pas një nate të tërë pa vënë gjumë në sy, Napoleon Bonaparti urdhëroi pushkatimin e të dorëzuarve, pothuaj të gjithë me origjinë shqiptare.

Sipas autorit të biografisë “Napoleoni”, shkrimtarit rus Evgeny Viktoroviq Tarle, të therur e vrarë mizorisht më 6 dhe 7 mars 1799 ishin 10 mijë. Burime të tjera përmendin herë 2,440 ushtarë, si Simon S. Montefiore, dhe herë 4,100 ushtarë. Vetëm “Enciklopedia e Historisë Botërore” e William L. Langar jep shifrën më të ulët – 1,200 ushtarë shqiptarë të eliminuar.

Më vonë, në ishullin e internimit Shën Helenë, Napoleoni shkroi: “…për të mbajtur në ruajtje një numër të konsiderueshëm të burgosurish, do të ishte e nevojshme që të shkëputeshin roje të mjaftueshme për ta, të cilat do të zvogëlonin rëndë rreshtat e ushtrisë së tij dhe në qoftë se ai do t’i kishte lejuar ata që të largohen si njerëz të lirë, ishte e arsyeshme që të besonte e të kish frikë se ata mund të rrisin radhët e trupave të Ahmed al- Jazzar”.

Kur vjen puna te Jerusalemi dhe tokat e tjera “të shenjta”, nuk ngelet për ne shqiptarët që të përmendemi si protagonistë. Mëtimet për sundimin e këtij qyteti kanë përfshirë gjithë perandoritë euro-aziatike, gjithë kombet më të mëdha, ata të cilët më pas edhe do ta shkruanin historinë. Interesat politike dhe fetare kanë bërë që për këtë qytet, kryeqytet i dy popujve, epiqendër e tre besimeve, të flitet e të shkruhet më tepër se për çdo qytet tjetër. Për praninë e shqiptarëve në këto territore, ka qenë i njohur vetëm një episod i rëndësisë historike, të cilën ia vlen ta përmendim paraprakisht.

Po ja ku, 30 vjet më vonë, shqiptarët shfaqen përsëri në këtë rajon si protagonistë. Përsëri si ushtarë, por tashmë me pushtetin e sunduesit të Egjiptit. Me këta nizamë shqiptarë, jeniçerë të tmerrshëm, Perandoria Otomane ia kish mundur ta shtrinte pushtetin e saj në tre kontinente. Një prej këtyre ushtarëve “otomanë”, sipas burimeve enciklopedike, shqiptar nga Kavalla, por me shumë gjasa nga Zëmblaku i Maliqit të Korçës, dy vjet pas ngjarjes së Xhafas, duke shfrytëzuar me trupat e tij shqiptare boshllëkun ushtarak e politik që ish krijuar me largimin e Napoleonit, kish filluar të shtrinte autoritetin e tij ushtarak. Në një natë të 1 marsit 1811 ia kish mbërritur t’i shfaroste gjithë krerët dhe elitën e luftëtarëve Mamlukë të ftuar në kështjellën e Kajros “për kremtimin e ditëlindjes së djalit” dhe kish vendosur regjimin ushtarak, të cilin, pasi sulltani e caktoi si valiun e Egjiptit, ai e shndërroi në sundim absolut të tij. Sundimi që zgjati më se 150 vjet, në historinë e Egjiptit njihet si periudha e “pushtimit shqiptar”.

Mehmet Aliu kishte kohë që u ishte larguar frikshëm ekspeditave ushtarake në Arabi e Greqi dhe arritjes së fitoreve për llogari të sulltan Selimit e Mahmudit II. Ekspeditën në Palestinë e Siri e filloi për llogari të tij. Kjo luftë në tekstet e historisë e ka marrë emrin “Lufta turko-egjiptiane”, por në të vërtetë trupat ushtarake të Mehmet Aliut përbëheshin nga shqiptarë. Pashai në kohërat e para të sundimit pati 6,000 trupa shqiptare, të cilat me kalimin e viteve i disafishoi. Justifikim për ekspeditën ishte një grindje me veliun Abdullah, pashën e Akrës, për strehimin e 6,000 fshatarëve egjiptianë, të larguar për t’u shpëtuar taksave. Mehmeti e pushtoi Palestinën dhe Sirinë me lehtësi. Rezistenca e vetme iu bë në qytetin port të Akrës, që përfundimisht u dorëzua më 27 maj të vitit 1832. Jerusalemi ishte pushtuar që në dhjetor të vitit 1831.

Pas rënies së Akrës, ushtria e Mehmet Aliut marshoi drejt Anadollit. Në betejën e Konyas, më 21 dhjetor 1832, i biri, Ibrahim pasha, shkatërroi ushtrinë osmane dhe para tyre nuk kishte tani asnjë pengesë ushtarake që të pengonin forcat e Ibrahimit për të marshuar përpara. Kur Mehmet Aliu shpalli qëllimin për largimin nga froni të sulltanit, Mahmud II, i alarmuar, pranoi ofertën e Rusisë për ndihmë ushtarake, gjë që nuk u pranua nga qeveritë britanike e franceze. Ata ndërhynë drejtpërdrejtë me trupa dhe diplomaci. Ndërmjetësuan një zgjidhje në maj 1833, e njohur si Konventa e Kutahias. Mehmet Aliu do të tërhiqte forcat e tij nga Anadolli në këmbim të Kretës; do të merrte të drejtën e sundimit të trashëguar në Egjipt e Arabi dhe Ibrahim Pasha do të emërohej vali i Sirisë. Ndërkohë, i biri i pashait prej kohësh ishte sistemuar me trupat e tij dhe jetonte në Jerusalem. Zot i ri i Jerusalemit ishte Ibrahim Kuqi.

“Zaptimi shqiptar 1830-‘40” quhet kreu 36 i pjesës së tetë, “Perandoria”, e jetëshkrimit “Jerusalemi”, ku historiani Simon Sebag Montefiore përshkruan hyrjen e shqiptarëve në qytetin e shenjtë. “…ushtria marshoi përmes qytetit si jerusalemas ‘të lumtur dhe të kënaqur’, duke festuar plot drita, kërcim dhe muzikë në rrugë. Për pesë ditë, myslimanët, grekët, françeskanët, armenët e, madje, edhe hebrenjtë qenë në qejf”. Po pse u gëzuan kaq shumë banorët e qytetit nga ardhja e shqiptarëve? Kishte më se 30 vjet që Jerusalemi shtypej nga Abdullah pasha, nipi i “Kasapit” me emrin Mustafa Mizori dhe Haim Fahri.

Me Ibrahimin si guvernator në Siri dhe Izrael, zotërimet që u përkisnin shqiptarëve morën formën e një perandorie. Ai i tronditi myslimanët e Jerusalemit kur zëvendësoi uljen në shiltetë e jastëkët me karrigen evropiane, por sidomos me pirjen e verës hapur, nga ai vetë dhe kushdo tjetër që tani ishte i lejuar. Biri i Mehmetit, që kish fituar nofkën “Kuqua” për shkak të mjekrës së tij të kuqërremtë, sa kohë ndenji në Jerusalem u kujdes të vendoste barazi para ligjit për tërë racat; lehtësoi shtypjen e hebrenjve e të krishterëve; ata mund të kalëronin rrugëve dhe të vishnin tesha që vishnin edhe myslimanët si dhe nuk duhej ta paguanin më taksën jizaya.

Jerusalemi kishte shekuj që ndodhej nën pushtimin turk dhe për herë të parë, nga këto reforma, po shijonin lirinë. Jerusalemi i zhytur thellë në kulturën lindore të jetesës, atë arabo-persiane, gjatë dhjetë vjetëve të sundimit shqiptar, filloi të shijojë lirinë dhe mënyrën evropiane të jetesës, atë mënyrë që kishte mbi 25 vjet që po kultivohej në Egjipt. Felahinët myslimanë nuk i përtypën dot format e reja të lirisë dhe u çuan në revoltë, e cila, nga vetë Mehmet Aliu dhe i biri, Ibrahimi, u shtyp, duke i dërrmuar rebelët dhe duke rimarrë Jerusalemin. Ibrahimi ftoi evropianët të vendosnin konsullatat në Jerusalem dhe për të parën herë që nga kryqëzatat, lejoi të binin kambanat e kishës.

“Shqiptarët”, shkruan Simon Sebag Montefiore, në veprën ‘Jerusalemi’, “qenë modernizues entuziast, që u duhej mbështetja evropiane, nëse donin të zaptonin perandorinë osmane. Ibrahimi lejoi pakicat të rindreqnin ndërtesat e tyre të shkatërruara; françeskanët rregulluan Shën Saviourin; hebrenjtë sefardë nisën rindërtimin e sinagogës ben Zakkai, një ndër katër sinagogat në lagjen hebreje; ashkenazët u rikthyen në sinagogën Hurva, të shkatërruar në vitin 1720”.

Në 1838-n, Mehmet Aliu njoftoi Britaninë dhe Francën se ai do të shpallte pavarësinë e Egjiptit, Sirisë dhe Palestinës nga Perandoria Osmane. Franca e përkrahte, por ishte Britania ajo që vendoste. Asaj i prishej status quo-ja e Perandorisë Osmane. Rusia kishte synimet e saj, në kuadër të Perandorisë Ruse. Në Stamboll, komandanti turk, Hafiz Pasha, e siguroi sulltanin Mahmud II se ai ishte në gjendje të mundte ushtrinë “egjiptiane” të shqiptarëve. Pasi mori pëlqimin, urdhëroi forcat e tij për të përparuar në kufirin sirian, sulmoi trupat e Ibrahimit dhe u shkatërrua në betejën e Netsibi, afër Urfa, më 24 qershor 1839.

Nga momenti në moment, Stambolli mund të binte në duart e Mehmet Aliut, por kjo gjë nuk u lejua. Mahmud II ndrroj jetë pothuajse menjëherë pas betejës dhe u pasua nga Abdylmexhidi 16-vjeçar. Fuqitë evropiane dhe Qeveria britanike ndërhynë energjikisht, duke rënë dakord me Austrinë, Prusinë dhe Rusinë të nënshkruajnë Konventën e Londrës. Konventa i afronte Mehmet Aliut sundimin e trashëguar të Egjiptit, si pjesë e Perandorisë Osmane, si detyrim për t’u tërhequr nga Siria, Jerusalemi, rajonet bregdetare e malin e Libanit. Mehmet Aliu fillimisht ngurroi, duke besuar se kishte mbështetjen e Francës, gjë që i kushtoi shumë se mbështetja franceze nuk arriti kurrë ndërsa forcat detare britanike lëvizën kundër Sirisë, Jerusalemit dhe Aleksandrisë; anijet austriake bllokuan deltën e Nilit dhe bombarduan Bejrutin. Mehmet Aliu ra dakord me kushtet e Konventës. Më 27 nëntor 1840 shqiptarët ishin larguar nga Jerusalemi e Palestina, toka që britanikët i mbajtën pas kësaj nën diktatin e tyre deri në fund të Luftës së Dytë Botërore. Ushtria e mundur u reduktua me vetëm 18 mijë trupa dhe Mehmet Aliut e pasardhësve të tij ju njoh e drejta të gëzojnë sundimin trashëgimor mbi Egjiptin dhe Sudanin, si mëkëmbës otomanë.

Gjurmët e këtyre ngjarjeve dhe ndikimi dhjetëvjeçar shqiptar në qytetin e Jerusalemit e territoret Siri-Palestinë, pothuajse nuk ekzistojnë në tekstet e tyre të historisë. Edhe kur përmenden, ato u atribuohen egjiptianëve, të cilët nga ana e tyre, janë kujdesur të shkulin e shuajnë çdo gjurmë të 150 vjetëve zotërim, me përjashtim të emrit të ishullit dhe lagjes më të shquar të Kajros, Zamalek. Ajo vazhdon të mbajë me pak ndryshim në shqiptim, emrin e fshatit shqiptar të origjinës të të madhit Mehmet Ali, Zëmblak, të cilin nuk ia kanë mundur ta ndërrojnë edhe pse nuk ia dinë origjinën. Andej nga mesi i shekullit XX, fytyra hyjnore e një princeshe shqiptare, Fevzia Fuat Ali, bijë e mbretit Fuad, motër e mbretit Faruk, grua e shahut të Iranit, Muhamed Reza Pahlavi, e shpallur nga Hollivudi si “Gruaja më e bukur në botë e të gjitha kohërave”, ishte i fundmi rast kur përmendej e flitej si princeshë shqiptare e jo egjiptiane. Ishte e fundit e famshme e asaj familjeje që la gjurmë të thella në europianizimin e Egjiptit dhe Jerusalemit, kohë që tani në islamin e saj kujtohet si ëndërr, “…na ishte njëherë!”. Me këtë princeshë mbyllet loja ëndërrimtare e jetës njerëzore shqiptare tej vatrës së saj. Kjo histori shqiptare e Jerusalemit dhe Egjiptit mbetet edhe sot në caqe të pastërtisë së një miti. Ata ishin të vetmit që nuk thanë asnjëherë se janë otomanë dhe kurrë nuk harruan të parathonë se janë shqiptarë.

Continue Reading

Kulturë

Oscars 2021 / Ja të gjithë fituesit e çmimeve

Published

on

Entoni Hopkins dhe Fransis Mekdormand – fitues të çmimeve Oskar për aktorët më të mirë

 

 Fransis Mekdormand e fitoi Oskarin e saj të tretë në ceremoninë e mbrëmshme në Los Angjelos të ndarjes së çmimeve Oskar, për rolin në filmin “Vendi I nomadëve” (Nomadland), me çka e konfirmoi reputacionin e saj si një nga aktoret më të mira të gjeneratës së vet. Me këtë iu bashkua aktorëve Meril Strip, Daniel Dej Luis dhe Xhek Nikollson, aktorëve të vetëm aktivë të cilët fituan tre çmime Oskar. Para tyre është vetëm e ndjera Ketrin Hepbern me katër çmime Oskar.

Aktori britanik, Antoni Hopkins mbrëmë e fitoi çmimin e tij të dytë Oskar për rolin në filmin “Babai”. Ky është çmimi I tij I dytë oskar pas pothuajse 30 viteve dhe katër nominimeve, pasi që në vitin 1992 u shpërblye për rolin e Hanibal Lektorit në filmin “Kur qengjat heshtin”.

Drama sociale “Vendi I nomadëve” (Nomadland), për jetën në kohë të recesionit në perëndimin amerikan, është shpallur filmi më I mirë në ceremoninë e mbrëmshme në Los Angjelos. Kinezja Kloi Zhao, për të cilën ky është vetëm filmi I tretë, është gruaja e dytë e shpërblyer për regji. Kandidatë për çmimin më të lartë të Akademisë amerikane të filmit këtë vit ishin edhe “The trial of the Chicago 7”, “Mank”, “Promising Young Woman”, “Minari”, “Judas and the Black Messiah”, “The Father” dhe “Sound of Metal”.

Filmi Soul I kompanisë Piksar (Pixar) e fitoi çmimin Oskar për filmin më të mirë të animuar. Ky është Oskari I 11-të për kompaninë Piksar në 20 vitet e fundit që nga ndarja e çmimit në këtë kategori.

Aktori britanik Daniel Kaluja e fitoi çmimin Oskar për rol dytësor, për rolin në filmin “Judas and the Black Messiah”. Aktori, I lindur në Londër nga prindër emigrantë nga Uganda, për rolin e aktivistit të ri për Panterën e Zezë, Fred Hampton, I cili u vra në vitin 1969 në Çikago, paraprakisht I fitoi edhe çmimet Globi I Artë, Çmimin e Shoqatës ë aktorëve dhe BAFTA britanike, Të nominuar të tjerë ishin Pol Rejsi (Sound of Metal), Lesli Odom Xhunior (Night in Miami) dhe Sasha Baron Koen (Trial of the Chicago 7). Aktorja nga Koreja e Jugut, Jun Ju-jung është fituese e çmimit Oskar për rolin dytësor femër në filmin Minari.. “My Octopus Teacher” nga regjisori nga Afrika e Jugut, Kreg Foster është shpallur dokumentari më I mire. Për çmimin ishin nominuar edhe “Collective”, “Crip Camp”, “The Mole Agent” dhe “Time”.

Lista e fituesve kryesorë në edicionin e 93-të të çmimeve Oskar nga Akademia amerikane për arte filmike, që u mbajt në Teatrin Dollbi dhe në lokacione të tjera në Los Angjelos.

– Filmi më I mirë: „Nomadland“

– Regjia më e mirë: Кloi Zhao, „Nomadland“

– Roli më I mire në kategorinë e meshkujve: Еntoni Hopkins (Тhe Father)

– Aktorja më e mirë: Fransis Mekdormand (Nomadland)

– Roli më i mire dytësor në kategorinë e meshkujve: Daniel Kaluja

– Roli më i mire dytësor në kategorinë e femrave: Јu Јung-јun

– Filmi më I mire I huaj: „Drunk“, Тоmas Vinterberg, Danimarkë

– Filmi më I mire dokumentar: „ Мy Octopus Teacher“

– Filmi më[ I mire I animuar: Soul – Сtudio Piksar

– Skenari më I mirë origjinal: „Promising Young Woman“

– Skenari më I mirë I adoptuar: „The Father“.

Continue Reading

Aktuale