Connect with us

Kolumna

Lufta anti-korrupsion: nevoja e ndryshimit të paradigmës

Published

on

Tendenca për t’u involvuar në korrupsion, buron natyrisht kur interesi personal vihet para atij shoqëror, gjë që është shumë natyrale dhe përderisa masat anti-korrupsion nuk e adresojnë këtë element ata asnjëherë nuk do të jenë të mjaftueshme apo të plota për t’a shfarosur korrupsionin si fenomen. E çka saktësisht do të duhej bërë, pra? Përgjigja nuk është e thjeshtë e as e drejtpërdrejtë

Nga Omer AJDINI

Korrupsioni sot e kësaj dite mbetet një ndër fenomenet më destruktive shoqërore, i cili definohet si “sjellje e pandershme ose mashtruese nga ata që janë në pushtet, zakonisht në formë ryshfeti.”; pra, përfshinë shumë më shumë sesa dhënie/marrje parash dhe involvon ata që kanë një lloj pushteti. Korrupsioni si i tillë është fenomen i shfrenuar: Banka Botërore parasheh se diku 1 trilion dollarë paguhen në korrupsion çdo vit, përderisa siç e pamë nga raporti i sivjetmë i Transparency International diku 85% e popullatës botërore jetojnë në shtete me shkallë të lartë të korrupsionit.

Matësi më kredibil i nivelit të korrupsionit deri tani mbetet raporti vjetor që publikohet nga Transparency International (TI) i cili matë perceptimin që kanë njerëzit mbi nivelin e korrupsionit. Në raportin e fundit për vitin 2019, ku shtetet rangohen nga 0 (shumë i korruptuar) deri në 100 (i pastër nga korrupsioni), dy të tretat e 180 shteteve shënojnë rezultat nën 50, ndërsa mesatarja është 43. Shtetet më të pastërta janë Danimarka dhe Zelanda e Re (87/100), ndërsa më të korruptuarat janë Sudani Jugor (12/100) dhe Somalia (9/100). Pesë shtete të Ballkanit janë nën mesataren (43): Serbia, Bosnja, Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria. Po Maqedonia e Veriut? Situata tek ne nuk është mirë dhe po bëhet edhe më keq. Në vitin 2018 ne kishim rezultat 37/100 ndërsa në vitin 2019 kemi rënë në 35/100 apo nga vendi i 93 në vendin e 106, vend të cilin e ndajmë me shtetet si Mongolina e Nepali. Pra, ne jemi në nivel shqetësues të korrupsionit.

PSE NDODH KORRUPSIONI?

Një grup studiuesish nga Universiteti i Harvardit i prirë nga Michael Muthukrishna në një studim të publikuar në 2017 e shpjegojnë sjelljen e korruptuar nga prizmi i biologjisë evolucionare. Ata e ndajnë bashkëpunimin njerëzorë në dy shkallë kompetitive me njëra tjetrën: shkalla e ulët-ku bëjnë pjesë lidhjet tona me njerëzit që i njohim dhe me të cilët kemi lidhje të drejtpërdrejta, p.sh. familja, shokët, etj.; dhe bashkëpunim në shkallë të lartë-ku bëjnë pjesë bashkëqytetarët e rëndomtë me të cilët na lidh vetëm fakti që i ndajmë institucionet e njëjta politike, ekonomike e shoqërore. E korrupsioni ndodh nga shkaku që këto dy nivele të kooperimit janë në konkurrencë të vazhdueshme, dhe sepse si njerëz jemi natyrisht të prirur t’i favorizojmë lidhjet që bien në shkallën e bashkëpunimit të ulët qoftë për arsye emocionale apo sepse me një favor të bërë një shoku presim një tjetër në këmbim. Pra, kur bashkëpunimi në nivel të ulët bie ndesh me bashkëpunimin i cili duhet të ndodhë në nivel të lartë atëherë ndodh korrupsioni, p.sh. kur Kreshnik Bekteshi punëson motrën e tij në MEPSO në shkallën e ulët të bashkëpunimit ai është thjeshtë një vëlla i mrekullueshëm që kujdeset për motrën e tij, mirëpo kjo sjellje është nepotike në shkallë të lartë të bashkëpunimit sepse mund të ketë privuar dikë më meritor/e nga puna në fjalë. Siç shihet, nuk ka asgjë jo-natyrale në sjelljen korruptive; përkundrazi, korrupsioni është një sjellje shumë natyrale mirëpo tejet destruktive.

PASOJAT?

Çmimin e korrupsionit ndoshta më së shumti e paguan zhvillimi ekonomik i një vendi. Studimet tregojnë që korrupsioni ndikon në shpenzime më të mëdha publike, të ardhura më të ulëta për shtetin, shpenzime më të ulëta në sferat e rëndësishme siç janë shëndetësia dhe arsimi, dhe kualitet më i ulët i infrastrukturës publike. Për më shumë, sipas hulumtuesit Johann Graf Lambsdorff, çdo ngritje me 1 pikë të korrupsionit në shkallë prej 0 (shumë i korruptuar) deri në 10 (i pastër) e zvogëlon produktivitetin e Bruto Produktit Vendor (BPV) me 4% dhe të ardhurat vjetore kapitale me 0.5 të BPV. Mirëpo nga pasojat më të mëdha siç duket i vuajnë Investimet e Huaja Direkte (IHD). Studimet tregojnë që kompanitë e shteteve më të pastra nga korrupsioni kanë shumë pak disponim që të investojnë në vendet ku korrupsioni është i lartë meqë kjo ua rritë çmimin e investimeve (sipas disa studimeve prej 5 deri në 50%) dhe i bën ato investime jo të leverdishme duke nënkuptuar shpesh nevojën që t’i thyejnë rregullat etike që ata kan me çka rrezikojnë rrënim të imazhit publik. Vendet që kanë pasur kontroll të duhur mbi korrupsionin, si për shembull Singapori, në një periudhë të shkurtër kanë tërhequr investime masive të huaja duke transformuar kështu ekonomitë e tyre, ndërsa dështimi i vendeve si Maqedonia e Veriut, në anën tjetër, veçse e vërtetojnë tezën që korrupsioni e vret zhvillimin ekonomik.

Korrupsioni poashtu shkatërron demokracinë. Në raportin e TI asnjë shtet me demokraci të plotë nuk ka rezultat më poshtë se 50, ndërsa shumë pak shtete autokratike shënojnë rezultat mbi 50, ndërsa ngritja dhe forcimi i populistëve dhe autoritarëve lidhen ngushtë me nivelin e korrupsionit. Ashtu siç shihet pra niveli i lartë i korrupsionit lidhet ngushtë me nivelin e ulët të demokracisë, ndërsa kjo shkakton një rreth vicioz në të cilin institucionet e shkatërruara nga korrupsioni nuk kanë kapacitete ta luftojnë korrupsionin dhe shtrydhin liritë dhe të drejtat e qytetarëve të cilët pastaj janë të pafuqishëm t’i mbajnë pushtetarët e korruptuar në kontroll dhe balancë. Për shembull, ish funksionarët e BDI-së nuk vuajnë burg edhepse janë të dënuar për manipulime të proceseve zgjedhore ngaqë gjykatat korruptohen, ndërsa mobilizimin masiv popullor e bën të vështirë korrupsioni në forma të ndryshme gjatë fushatave zgjedhore me çka blihet vullneti popullor dhe shuhet revolta qytetare. E kjo është jo më pak se vdekje e demokracisë!

Përveç pasojave makroekonomike dhe shkatërrimit të demokracisë, korrupsioni e vështirëson jetën e qytetarëve më vulnerabël. Polici që nuk të mbron, mjekët që nuk shërojnë pa ryshfet, gjykatësit që kërkojnë të holla janë vetëm disa nga pasojat me të cilat ballafaqohemi çdo ditë, të cilat më së shumti i rëndojnë ata që janë ekonomikisht më të dobët dhe politikisht të margjinalizuar. Rezultati: dëshpërim dhe migrim!

PO ZGJIDHJA?

Shpesh thuhet që transparenca është zgjidhja, megjithatë ka një problem. Edhepse e domosdoshme, transparenca nuk është e mjaftueshme. Hulumtimet tregojnë se më shumë transparencë jo domosdoshmërisht nënkupton më pak korrupsion, sepse në vendet ku korrupsioni është normë, më shumë transparencë thjeshtë nënkupton që i bëhet e ditur njerëzve se çfarë janë duke bërë të tjerët dhe “sa janë çmimet në treg”. Pa një paradigmë normative me çka do të paragjykohej dhe përçmohej ajo sjellje transparenca thjeshtë u tregohet njerëzve sa ryshfet duhet të paguajnë ata për të arritur diçka. E dyta, në shtetet në zhvillim si RMV masat antikorrupsion rëndom reduktohen në ligje dhe komisione anti-korrupsion nga politikanët për ta hequr barrën nga vetja, siç është rasti i Zv. Kryeministrit për (anti) korrupsion në qeverinë aktuale. Institucionet/postet e tilla jodomosdoshmërisht e adresojnë problemin në esencë. Në një shtet ku “cash is king” ligjet thyhen e njerëzit blihen, pra masat anti-korrupsion thjeshtë mbeten “peshkaqen pa dhëmbë” siç është rasti i këtij Zv. Kryeministrit.

Tendenca për t’u involvuar në korrupsion, ashtu siç e thamë edhe më lartë, buron natyrisht kur interesi personal vihet para atij shoqëror, gjë që është shumë natyrale dhe përderisa masat anti-korrupsion nuk e adresojnë këtë element ata asnjëherë nuk do të jenë të mjaftueshme apo të plota për t’a shfarosur korrupsionin si fenomen. E çka saktësisht do të duhej bërë, pra? Përgjigja nuk është e thjeshtë e as e drejtpërdrejtë. Çdo raport që lexon mbi luftën kundër korrupsionit flet për fuqizim të institucioneve, mirëpo pa incentivat/shtysat e nevojshme kjo vështirë që do të ndodhte ndonjëherë. Mendimi im është se lufta efektive afatgjate mbi korrupsionin domosdoshmërisht duhet të involvoj ndryshimin e paradigmës, ku para “ndërtimit të institucionit” ne ndërtojmë individin. Pa e lënë anash ngritjen e transparencës, forcimin e institucioneve anti-korrupsion, etj., ne si shoqëri do të duhet të fillojmë që t’i lidhim idealet tona me sjellje anti-korruptive në mënyrë që ta rrisim gatishmërinë tonë për sakrificë, pra për t’i dhënë prioritet bashkëpunimit në shkallë të lartë me shoqërinë karshi bashkëpunimit të nivelit të ulët.

Në një botë ku ajo do të ndodhte, të qenurit shqiptar, besimtar, profesor, politikan do të kishin si element konstituiv/postulat të atij identiteti të qenurit i pakorruptuar/i pa korruptueshëm. Barra për fillimin e kësaj lufte normative bie jovetëm mbi shtetin po edhe mbi çdo institucion tjetër shoqëror, megjithatë një nder gjërat urgjente dhe konkrete që do të duhej bërë është të rritet cilësia e arsimit duke i rritur investimet në edukim (niveli i të cilave është i lidhur negativisht me nivelin e korrupsionit), departizimit të arsimit dhe inkorporimi i mësimit normativ mbi korrupsionin. Kështu do të fillonte ngadalë lufta normative dhe e përjetshme anti-korrupsion, pa të cilën ne do të vazhdojmë të kemi heronj luftërash që transformohen në hajdutë paslufte, politikan të mençur por kusarë, mjek profesionist por ryshfetxhinj, shumë polic e pak drejtësi dhe ne do të vazhdojmë të mbetemi përjetësisht “në zhvillim”.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)

Continue Reading

Kolumna

Ra ky regjistrim dhe u panë shqiptarët në mërgim

Published

on

By

Sipas Bankës Botërore, në dhjetë vitet e fundit janë shpërngulur mbi 500 mijë qytetarë, nga të cilët një e treta kanë arsimim të lartë. Nuk ka ditë që për shkak të Covidit 19 të mos lexojmë lajme për ndonjë person, që ka humbur jetën, ndërsa një pjesë e madhe varrosen në Perëndim! Nuk ka më keq, që njerëzit, të cilët ëndrrat e tyre i kanë parë në vendlindje dhe në të nuk kanë mundësi as të varrosen. Kësaj i thonë tragjedi e dyfishtë.

Shkruan: Sefer TAHIRI, Shkup

Regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut u shty në shtator! Ka shumë këndvështrime se pse ndodhi shtyrja e procesit të numërimit të popullsisë, ndër të cilat dominon teza se regjistrimi u ndërpre për shkak të hovit të madh që ndërmori mërgata shqiptare. Deri në fund të prillit numri i qytetarëve të regjistruar, që ekzistencën e sigurojnë në vendet e Perëndimit dhe SHBA-së është 200 mijë persona. Shumica prej tyre janë shqiptarë.

Një e katërta e popullsisë jashtë Maqedonisë së Veriut

Ky entuziazëm i madh i mërgatës shqiptare është ambivalent. Në njërën anë lë hapësirë për të qenë të lumtur, se megjithatë mërgata nuk i ka shkëputur rrënjët me vendlindjen, me shqiptarët e këtushëm, dhe pavarësisht se nuk ka ndonjë privilegj për veten, merr pjesë aktivisht në këtë proces. Krejt kjo bëhet me vullnetin e lirë të mërgimtarëve, të cilët e kuptuan me kohë se të regjistrohesh do të thotë garantim i numrit të përafërt të pranisë demografike të shqiptarëve. Kjo ka vlerë jo vetëm simbolike, për të dëshmuar se shqiptarët nuk janë shumicë në Maqedoninë e Veriut, por janë shumë në numër dhe rrjedhimisht edhe të drejtat e tyre kolektive që gjenerohen nga Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut dhe normat ligjore, duhet të jetësohen në pajtim me përqindjen reale të shqiptarëve! Statistika demografike reflektohet sidomos në segmentin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të Marrëveshjes së Ohrit, gjë që fare mirë mund të përkufizohet që nga emërtimi i këtij parimi kushtetues, që vlen në shoqëritë shumetnike dhe shumëkulturore.

Ky numër i jashtëzakonshëm i shqiptarëve të regjistruar, jo vetëm që nuk mund të na bëjë të lumtur dhe euforikë, pavarësisht se është proces pozitiv, por duhet ta bëjë të ndalemi për pak kohë dhe të mendojmë ose të rishqyrtojmë se pse kaq shumë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut sytë i kanë drejt Perëndimit, që shihet si Eldorado, e që shpesh është edhe zhgënjim.

Sipas Bankës Botërore, në dhjetë vitet e fundit janë shpërngulur mbi 500 mijë qytetarë, që do të thotë një e katërta e popullsisë. Nga ata, dy të treta kanë aftësi pune, ndërsa një e treta e qytetarëve ka përgatitje të lartë arsimore, kryesisht në fushën e teknologjisë informatike. Nga 24 shtetet e Europës Lindore, Maqedonia e Veriut, së bashku me Armeninë, Moldavinë dhe Bosnjën e Hercegovinën, bën pjesë në grupin e shteteve, nga të cilat evidentohet migrim i kuadrit me arsim sipëror. Statistika tregon qartë se çdo i treti qytetar, që e braktis Maqedoninë e Veriut, është me arsimim sipëror! Ndërkaq, 80 për qind e studentëve të fakulteteve pohojnë se pas diplomimit planifikojnë të largohen nga vendi. Të prirë që ardhmërinë e tyre ta shohin në Europë ose edhe më larg, sidomos janë ata që studiojnë shkenca natyrore ose teknike-teknologjike.

Natyrisht, në kohën kur bota është shndërruar në “fshat global”, lëvizja e lirë e njerëzve është procesi më i natyrshëm, por çështja është se pse tek shqiptarët ndodh në përmasa kaq të mëdha. Ngjashëm është gjendja edhe me Shqipërinë dhe Kosovën, nga të cilat migrojnë qindra mijëra shqiptarë.

Mungesa e shpresës shkakton eksod të madh

Nuk po i trajtojmë pasojat që i shkakton “migrimi i trurit” ndaj ekonomisë, tregut të punës, qëndrueshmërisë së sistemit pensional dhe shëndetësor, por më tepër po fokusohemi tek çështja se pse kaq shumë shqiptarë nuk shohin perspektivë në vendlindjen e tyre.

Nuk ka ditë, që për shkak të Covidit 19 të mos lexojmë lajme për ndonjë person, që ka humbur jetën, ndërsa një pjesë e madhe varrosen në Perëndim! Nuk ka më keq, që njerëzit, të cilët ëndrrat e tyre i kanë parë në vendlindje dhe në të nuk kanë mundësi as të varrosen. Kësaj i thonë tragjedi e dyfishtë. Një jetë e kaluar larg familjes, larg fushave e maleve të vendlindjes dhe në fund t’i japësh fund jetës në ndonjë shtet europian ose në Amerikë e Australi.

Pse ndodh ky fenomen? Kryesore është mungesa e shpresës, e cila siç thonë “vdes e fundit”, por fatkeqësisht tek një pjesë e qytetarëve, sidomos të rinj, tashmë është inekzistente. Mungesa e shpresës është pasojë e faktit që sistemi juridik nuk arrin të sigurojë shtet të së drejtës. Në anën tjetër, çdo ditë ballafaqohemi me skandale qeveritare për korrupsion dhe krim të organizuar, në të cilat janë të përfshirë edhe zyrtarë të lartë qeveritarë. I fundit është ish sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Dragi Rashkovski, i cili me rrogë prej 1 mijë euro ka blerë veturë të tipit xhip që kushton 74 mijë euro, ndërsa në fshatin Pobozhje kishte planifikuar ndërtimin e haciendës që kushton 400 mijë euro. Ai përfundoi në paraburgim në burgun e Shutkës. Xhipin nuk e kishte deklaruar në Komisionin e Antikorrupsionit, ndërsa haciendën e kishte regjistruar në emrin e dy fëmijëve të tij, të cilët janë të mitur.

Asnjë i ri nuk mund të motivohet në një vend, në të cilin libreza partiake është vizë për punësim. Kriteri i avancimit në shkallët e administratës shtetërore dhe publike nuk është as përvoja profesionale, ekspertiza, kompetenca, arsimimi, shkathtësitë komunikative e organizative, aftësitë menaxheriale, por është një dhe i vetëm – ai partiak-ideologjik.

Ne jetojmë në një ambient politik, në të cilin, për shembull, një ditë para zgjedhjes, pas marrëveshjeve partiake, dihen kandidatët që zgjidhen në pozitat e prokurorëve publikë ose edhe funksione tjera. Kur kjo ndodh, nuk mund të pritet nga një i ri me diplomë, e mbi të gjitha me dije të avancuar dhe cilësi të përdëftuara, të presë “mëshirën” e ndonjë kryetari të degës së partive në pushtet, kryesisht Bashkimit Demokratik për Integrim, që ta fusë në listën e punësimeve. Para se ta presë këtë mëshirim politik, një i ri i tillë vendos të drejtohet në Aeroportin e Shkupit ose në stacionet e autobusëve, të cilët edhe pse është kohë e koronës nuk ndalojnë së barturi shqiptarë drejt Europës.

Dy episode tragjike mbi mërgimin

Për fund, po rrëfej dy episode personale që ndërlidhen me mërgimin e të rinjve.

Në stacionin e autobusëve në Tetovë, dy prindër e përcillnin djalin e tyre dhe duart u mbetën lart, edhe pse autobusi, që me siguri ishte nisur drejt ndonjë vendi europian, nuk dukej më në hapësirë. Një fotografi që shkakton dhimbje, por edhe shqetësim se pse shqiptari gjithmonë, si në tregimet e Esad Mekulit, duhet të sigurojë bukën e gojës me “sharrë në krah”!

Në një mesditë në fshatin tim të lindjes – Radushë, i cili njihet si fshat i kurbetit, takova tre persona të moshuar, të cilët jetën e tyre e kanë kaluar në Gjermani. Të pashmangshme ishin rrëfimet e tyre për jetën e rëndë në tokën e huaj. Njëri nga ta, një burrë rreth të 70-tave tek rrëfente tha: “Kurbeti ka qenë i vështirë, pasi çdoherë kur shkoja nga shtëpia, e lija pas nënën time me duart e varura në parmak, duke qarë me lot”. Të gjithë, edhe pse 4 veta në tavolinë, nuk folëm gjë disa minuta!

Heshtja ndonjëherë flet më shumë se fjala!

Continue Reading

Kolumna

Për inat të Shaqir Fetait na vdektë “djali”

Published

on

By

Myftinia e Tetovës, mbarë myslimanëve të vendit, ua hoqi të gjitha dilemat, mëdyshjet për sa i përket fitrit dhe zeqatit se ku duhet të jepen! Nëse ua japin këtyre të BFI-së, myftinive, dihet se ku përfundojnë: në ahengje e në iftare të përbashkëta! Të tjerëve – Zoti nuk ua ka shkruar të kënaqen ashtu si, bie fjala, hoxhallarëve të Tetovës, Shkupit, Gostivarit, Kërçovës, Dibrës, Kumanovës, Strugës…

Shkruan: Jasir Jashari

Jo njëherë është thënë se këta të BFI-së, me në krye instalacionin e pushtetit, Shaqir Fetain, çdo aktivitet, gjithçka që thonë e që veprojnë, e kanë vetëm farsë. E kanë vetëm sa për të mashtruar pushtet e milet, vetëm për ta vërtetuar atë tezë pezhorative, atë ofendim e sharje se, më dallaverxhinjë, më të pabesë se hoxhallarët nuk ka! Si duket, misioni i Shaqir Fetait me bandën e vet është pikërisht etiketimi i hoxhallarëve me këtë nofkë! Të mos harrojmë se ky mision dikur shte i UDB-së! Dhe ja ku po e ringjallin neo-udbashët!

Thonë se, po lavdërohen nga struktura të ndryshme se po kontribojnë shumë në tejkalimin e situatës pandemike duke i respektuar të gjitha masat e kërkuara nga OBSH, nga organizatat shëndetësore evropiane, nga qeveritë e nga institucionet relevante shëndetësore të vendit. Si mund të lavdërohen kur Shaqir Fetai dhe banda e tij që në start i thyen të gjitha rregullat, duke mos përjetuar kurrfarë gjobe institucionale përkatëse, ngjashëm si qytetarët e shkretë! Një kohë, kur Shaqir Fetai ishte në fazën e pubertetit të vonshëm, sa nuk eksitohej publikisht nga urimet dhe përshëndetjet nga turma njerzish që i futeshin në kabinet. Pastaj, u lodhën me turma të vogla, ia krisën me nga 100 të ftuar njëherazi në kabinet, siç ishte puna me hoxhallarët e Tetovës që ia solli Qani Nesimi, pasi që ky e hëngër qepën që ia serviri Shaqir Fetai. Po, vetëm aty ku nuk duhet, vetëm aty ku janë shumë pranë mëkatit, aty “i respektojnë”, për shembull, mbyllja e xhamive, falja në distancë, humbja e kuptimit të safit, mbajtja e xhematit nga një orë gjatë xhumasë duke shitur hoxhallarët “intelegjencë” sa të gjeldetit, gjatë hutbeve të cilat nuk dinë t’i përcjellin sa më shkurtë!

Pajtohemi të mos falen teravitë, për shkak të distancës, por nuk pajtohemi të mos e hamë iftarin bashkarisht, sepse, në tufë frymëzohemi për të hëngër sa më shumë dhe për të bërë gara se kush po ha më shumë!

Atë që e bëri Myftinia e Tetovës, nuk e bën kush! Në prag të apeleve demagogjike e hipokrite, për tubimin e fitrit në buxhetin e Medresesë, del Myftinia e Tetovës dhe u tregon të gjithëve se ku shkojnë ato fitra, se si shpenzohen duke u palluar në iftare të përbashkët! Në një “odë” të grumbulluar të gjithë imamët, nëpunësit e ndryshëm të kësaj Myftinie si dhe profesorë të dikurshëm e të tanishëm të Medresesë, mblidhen për një iftar të përbashkët, me propozim të nikoqirit, Myftiut të diskutueshëm, Qani Nesimit. Shtrohet pyetja: kush e pagoi këtë iftar, kush i mbuloi shpenzimet! Nëse ishte donacion, a nuk pati kurrfarë shansi që të ridestinohet ky donacion! Natyrisht që e kanë mbuluar nga arka e Myftinisë, e cila çdo vit mbushet me fitra e zeqat, me kontribute vullnetare e me rjepje të myslimanëve të këtij territori!

Pastaj, vërshuan komentet! Njëri kishte pyetur: o ju gurmaza të Myftinisë, a nuk bëri që me ato pare t’i rregulloni varrezat, shenjat e rametlinjëve janë thyer e janë rrëzuar përdhe!
Tjetri kishte thënë: “MYFTINIA E TETOVËS U SHTROI IFTAR TË GJITHË SKAMNORËVE, JETIMËVE, PLEQËVE PA PËRKUJDESJE, TË VARFËRVE DHE NEVOJTARËVE TË TJERË” – ky do të ishte titull shumë i qëlluar dhe shumë motivues, që do ta prekte çdo mysliman në vend, që do ta bënte borxhli çdo mysliman që t’i përgjigjet apeleve të Myftinisë! Kështu siç lexuam “Myftinia e Tetovës shtron iftar për të gjithë imamët e Tetovës”, është titull tepër dëshpërues dhe iritues, është aksion për ta sabotuar qëllimisht mbledhjen e fitrit për Medrese, sepse u tregua se për çka shpenzohen!

Tjetri e vë në pikëpyetje sinqeritetin e hoxhallarëve për të dëshmuar unitet në mesin e tyre! Në çka unitet? Në haram? Kujt deshtën që t’ia demonstrojnë këtë unitet? Jetimëve? Fukarenjëve? Të ngratëve? Hallexhinjëve që me lotë në sy e presin iftarin ngase nuk kanë se çka të shtrojnë në sofër? Apo fëmijëve që me sy të mjerë presin nëse dikush do t’ua zgjasë ndonjë denarë për sadaka!

Një nga diaspora shkruan: “Sot, gjermanët, 6 milion konsumatorët e birrave, e anuluan festën e tyre të birrës, sepse, pandemia ndrydhë çdo qejf e çdo dëshirë. Vetëm hoxhallarët e Tetovës i motivon që të bëjnë gara me të varfërit se kush do të hajë më shumë, kush do të hajë ifatar më të begatë!

Turp, turp, turp. O pasha të Madhin Zot, turp e haram! Si nuk i shkoi në mend Myftiut “filantropist”, Qani Nesimit, si nuk i shkoi në mend hipokritit, Shaqir Fetait, që, të urdhërohen të gjithë imamlerët dhe nëpunësit e tjerë të Myftinisë së Tetovës që të shkojnë në mesin e familjeve më të varfëra dhe më në nevojë, secili të gjejë nga një familje të tillë, t’ua shtrojë një iftar dhe, të çelin bashkarisht iftarin, ta ndjejnë gëzimin e të varfërit, ta ndjejnë atë ushtimë të zorrës së tharë nga uria, në fund, bashkarisht ta bënin aminin e darkës. Në të njëjtin moment, mbi 100 lutje, nga i njëjti ambient i mjerë, t’i drejtohen Allahut Mëshirëplotë, që të ketë sa më pakë lotë, mjerim e trishtim fukarallëku në mesin e myslimanëve tanë! Pa dyshim, këto do të ishin lutje që do të përcilleshin me lotë, sepse, trishtimi ta ndrydhë shpirtin, dhemb, trishton, lutjet do të ishin më të prekshme!

Nga fotoja e iftarit të përbashkët me hoxhallarët e Tetovës, në ngritjen e duarve për aminin e darkës, shihet se si të gjithë shikohen në mes vete dhe sikur dëshirojnë ta pyesin njëri-tjetrin: a u ngope, a ta kojti, a u pallove mirë. E bëmë mirë, për inat të Shaqir Fetait. Do të na shkruhet sevap ky gjest! “Sevape” plotë, po vinë tufa-tufa, por, myslimanët po ikin, jo nga feja, ruana Zot, por, po ikin nga hoxhallarët hipokritë, mynafikë, demagogë, të pasinqertë e shumë të rrezikshëm. E ky “bereqet” është i bollshëm, biles po tepron, po rrjedh kanaleve të ujërave të zeza!

Continue Reading

Kolumna

Qeveria Rama sot është qeveri anti-Kurti

Published

on

By

Qeveria Rama sot është qeveri anti-Kurti

Nga Çim Peka

‘Sot, Shqipëria fitoi! Sot, Shqiptarët janë mirë. Kujdesu për Shqipërinë, vlla, dhe mos harro që t’kujdesesh edhe për Kosovën. Kur ti kujdesesh për Kosovën, ti kujdesesh edhe për shqiptarët’

Ky ishte amaneti që Hashim Thaçi i dërgoi Edi Ramës nga qelia në Hagë, me rastin e sigurimit të mandatit të tretë nga ky i fundit. Unë kam përshtypjen se Thaçi akoma dhe sot nuk e di që i ka dërguar një letër të tillë Ramës. Por kjo pak rëndësi ka.

Ajo që Rama na tregon me këtë letër është se sot më shumë se kurrë, ai pretendon të shndërrohet në liderin e shqiptarëve kudo në rajon. Që megalomania e tij është në nivele klinike kjo nuk është çudi, se ky është Rama. Por që ky të pretendojë të marrë rolin e liderit të Kosovës dhe të flasë në emër të saj, kur Kosova ka Kryeministrin dhe Presidentin e saj, kjo pastaj tejkalon megalomaninë.

Kjo shndërrohet në diçka të rrezikshme për Kosovën.

Albin Kurti dhe Edi Rama sot janë në pole të kundërta dhe në marrëdhënie e dobëta personale, pikërisht sepse ky i fundit do të bëhet Zot në shtëpinë e tjetrit. Dhe jo vetëm të bëhet Zot në shtëpi, por dhe t’i shesë oborrin fqinjit verior. Që Rama të uzurpojë këtë rol dhe të minojë pozitën e Kurtit sigurisht i duhet ndihmë dhe nga Kosova. Nga njerëz të afert të tij dhe të Thaçit. Askush nuk mund ta luajë këtë rol më mirë se Vlora Çitaku. Njeriu më i afërt i Thaçit dhe mike personale e familjes Rama, ajo pritet të emërohet Ministre e Jashtme në Kabinetin Rama 3.

‘Mund t’i citosh, të mos jesh dakord me ta, apo t’i shash, por gjëja që nuk mund të bësh, është t’i injorosh ata…sepse ata i ndryshojnë gjerat’.

Ata që janë aq të çmendur sa të mendojnë se mund të ndryshojnë botën, janë pikërisht ata të cilët e bejnë këtë’.

Kjo shkon për Edi Ramën’, thotë Vlora Çitaku në një postim të saj në Twitter.

Bashkëpunimi i saj disavjeçar me Thaçin në PDK në 2011 e katapultoi në postin e Ministres për Integrime Europiane. Gjatë kësaj periudhe ajo kishte për këshilltare të veten edhe Linda Ramën, bashkëshorten e Kryeministrit aktual, rekrutuar nëpërmjet programit CBF (Capacity Building Framework), finacuar nga UNDP, disa qeveri europiane dhe Soros.

Nepotizmi nga zyrtarët kosovarë bëri që financuesit e këtij programi ta mbyllnin atë vite më vonë. Në vitin 2015, Thaçi e emëron ambasadore në Uashington, post që e mbajti deri para pak kohe. Mandati i saj si ambasadore e Kosovës në Uashington përkoi me iniciativën dhe planin e treshes Vuçiç-Thaçi-Rama për arritjen e një marrëveshje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë, i cili parashikonte dhe ndarjen e Kosovës.

E pozicionuar midis Thaçit dhe Ramës, ajo luajti rol qendror si interlokutorja e tyre me Uashingtonin, ku u shquajt veçanërisht raporti i saj i ngushtë me ish-këshilltarin për Sigurinë Kombëtare të presidentit Donald Trump. John Bolton, jo vetëm që ishte pika kyçe e lobit serb në Uashington, por edhe promotor i ndarjes së Kosovës.

Në fillim të vitit 2020, Albin Kurti, kryeministër i sapozgjedhur i Kosovës paralajmëroi shkarkimin e Çitakut nga posti i ambasadores, pas bllofit të kësaj të fundit me njohjen e Kosovës nga shteti i Xhamajkës. Pasi ajo kishte njoftuar në rrugë zyrtare krerët e shtetit të Kosovës, se Xhamajka kishte njohur Kosoven, kjo e fundit vetëm një ditë më pas e mohoi të kishte njohur Kosovën.

Në kohën kur nëpër Europë dhe Komision Europian qarkullojnë disa të ashtëquajtura ‘Non-Papers’ duke e rinxjerrë edhe një herë në skenë planin për ndarjen e Kosovës, emërimi i Çitakut nga ana e Ramës si Ministre e Jashtme e Shqipërisë, nuk është thjesht një emërim nepotik, por amaneti i vërtetë i Thaçit dhe ‘futje gishtash në sy’ për Kryeministrin Kurti.

Në përpjekjen e Ramës për të sfumuar Kurtin dhe për të marrë rolin e liderit kombëtar, emërimi i saj duket të jetë vetëm hapi i parë për të krijuar në Tiranë një shtet paralel të Kosovës.

Ndoshta bash për këtë Ramës po i tolerohet vjedhja industriale e mandatit të tretë dhe po shantazhohet fituesi real i ketyre zgjedhjeve, që t’i pranojë ato.

Continue Reading

Aktuale