Connect with us

Kolumna

Maqedonia e Veriut dhe nacionalizmi antikombëtar

Published

on

Shkruan Agron Shaqiri

Në kohërat e reja, në komunikimet dhe tendencat moderne krijohen disa forma të reja shoqërimi dhe veprimi, sipas linjave të reja ndarëse me matricat mendore të trashëguara. Rritja e luftës së kulturave, korrektësia politike dhe “epidemia e fundit e kulturës” krijojnë një mjedis në dukje të favorshëm për shtypjen e formave të ashpra të shoqërimit, siç është nacionalizmi, por nga ana tjetër krijojnë hapësirë për ngritjen e formave të reja, moderne të nacionalizmit me paketime tjera e në përputhje me interesin politik, me tendencat sociologjike dhe me interesat ekonomike, e gjitha kjo pëmes formave dominuese të shprehjes së re të nacionalizmit e që diktohen nga dy shkolla të mendimit dhe veprimit të sublimuar, modeli evropian dhe modeli sovjetiko-amerikan. Sigurisht, ekziston edhe modeli kinez, i cili është i bazuar në konfucianizëm, por ai është ende i parëndësishëm dhe mungon në vendin tonë.

Modeli evropian i nacionalizmit synon të sfidojë supozimet mbizotëruese të studimeve nacionaliste , duke dëshmuar se antikombëtarizmi pasmodern jo vetëm që nuk e përjashton atë, por është pjesë integrale e nacionalizmit thelbësor.(Josip Kesic dhe Jan Willem Dujvendak “Nacionalizmi antikombëtarist ; Paradoksi i identitetit kombëtar holandez”)

Ky studim deri më tani është përmbledhja më e saktë e formave të reja të nacionalizmit bazuar në frymën e antikombëtarizmit si një mendim dhe motiv i vjetëruar dhe i kompromentuar për veprim, duke u bazuar në përvojat holandeze me ksenofobinë, shovinizmin etj. Studimi është interesant dhe vizionar sepse duke rishikuar përvojën hollandeze si “Pacient Zero” ai mund të ndjekë zhvillimin, evolucionin dhe vendosjen e tij në një prirje të re pan-evropiane të nacionalizmit antikombëtar, format e veprimit të të cilit tashmë janë të pranishme në mjedisin tonë përmes ndikimeve të ndryshe.

Tendenca e antikombëtarizmit nacionalist holandez përbëhet nga tre aspekte: konstruktivizmit, lajt-nacionalizmit dhe esencializmit.

Konstruktivizmi nënkupton kundërshtimin në mënyrë aktive të nocioneve fikse të vendit dhe zëvendësimin e tyre me një përzierje të koncepteve subjektive dhe procedurale të çështjes kombëtare, d.m.th. refuzimi i racës dhe karakterit dhe zëvendësimi i tyre nga imazhi dhe identifikimi, në të njëjtën kohë refuzimi i nacionalizmit banal dhe zëvendësimi i tij me “identitet të butë” dhe “internacionalizëm abstrakt”.

Lajt-nacionalizmi nënkupton refuzimin e lidhjeve emocionale, shoviniste, serioze me kombin dhe pranimin e një lidhjeje vetë-relativuese, sipërfaqësore, ironike me të(kombin), duke ndërtuar një qasje të re paralele ndaj nacionalizmit antikombëtar, që përcillet përmes kritikave të identitetit kombëtar dhe këshillimeve paralele se si të jesh kombëtar.

Esencializmi nënkupton pranimin e karakteristikave të caktuara si zakonisht të trashëguara, tipare tranzistore që përbëjnë identitetin, duke ofruar një model sesi të jesh një liberal i krahut të majtë pa qenë antikombëtar dhe si të jesh kombëtar pa u futur në antikombëtarizëm.

Lidhja midis këtyre tre modeleve synon të hedhë poshtë “nacionalizmin e keq” dhe ta zëvendësojë atë me “nacionalizëm të mirë” bazuar në një sens të “karakteristikave tipike”.

Përkthyer në kontekstin tonë të brendshëm, këto forma të antikombëtarizmit nacionalist tashmë janë të pranishme përmes përpjekjeve për të paraqitur karaktere të caktuara, këtu e kam fjalën për Zoran Zaevin dhe Ali Ahmetin, të cilët si modernistë gjoja kanë tejkaluar çdo formë atavistike të nacionalizmit. Një formë e zëvendësuar nga qasja e re e antikombëtarizmit “të dobët, procedurial dhe plural”, por me një sens të thellë identik.

Në marrëdhëniet ndëretnike, kjo nënkupton marrjen e imazhit të një antikombëtarizmi duke mohuar në dukje motivin etnik dhe format tradicionale të nacionalizmit. Por në të njëjtën kohë, forma e re e nacionalizmit diktohet nga forma të “të civilizuara, joetnike” të komunikimit dhe debateve publike mbi përgjegjësinë qytetare, planifikimin urban, ekologjinë, etj. Teksa, zemar etnike fshihet pas etikës, qytetarisë dhe e ndërtuar mbi konceptin themelor të frymës nacionaliste në dukje dhe në mënyrë deklarative. Një qasje e tillë synon të zëvendësojë anversionin “en block ndaj palës tjetër (etnike) duke detyruar individualizimin shembullor të sjelljeve negative dhe ekeseve. Ky është trend në rritje i antikombëtarizmit në vendin tonë, të motivuar dhe frymëzuar nga nacionalistët, i modeluar sipas tendencave evropiane post-nacionaliste.

Ndërkaq qasja nacionaliste sovjetiko-amerikane ndaj antikombëtarizmit është më e lehtë për t’u kuptuar dhe zbuluar për shkak të përvojave tona nga e kaluara. Në kontrast me bazën evropiane, kulturore dhe kombëtare të antikombëtarizmit të rremë, modeli sovjetiko-Amerikan është diktuar në mënyrë propagandistike, i demostruar fizikisht dhe i kontrolluar socio-ekonomikisht, si një kopje perandorake e përvojave etnike, racore, kulturore të shoqërive multikulturore, nëpër institucionet kombëtare monolitike, kryesisht racore-fetare.

Në përplasjen midis qasjes së parfumosur evropiane dhe qasjes së llakosur sipërfaqësisht sovjetiko-amerikane, nuk ka shumë vend për rigjallërimin dhe rivendosjen e formave autentike të bashkimit antikombëtar dhe përshtatjes së tyre me tendencat moderne.

Përpjekja e fundit, ajo e momentit shoqëror të diktuar social, e ndërtuar në periudhën 2012-16, i uzurpuar brutalisht dhe përpjekjet e tanishme për të krijuar “një Frankenstein të ri” të bashkëjetesës etno-politike, e cila do të paraqitej si një “shembull i ndritshëm për fqinjët”,si duket janë të kota. Megjithëse, ne jemi akoma me të vërtetë një shembull për fqinjët. Pikërisht “suksesi i verbuar” i Maqedonisë së Veriut në këto tre vjet është shkak i anemisë sonë, por edhe të shoqërive në rajon, të depresionuara nga marrëzia e shoqërizimit, kur në fund të protestave pason një raund tjetër dhe një turne tjetër i instalimeve të nacionalistëve të bindur, antikombëtaristë e kërminj kriminogjen të diplomatëve.

Përplasja e dukshme midis rrymave kundërshtare evropiane dhe amerikane të antikombëtarizmit nacionalist nuk ka arritur ende një moment në rajon. Në atë përplasje midis Evropës qytetare, kulturore dhe Amerikës religjioze, siguria e imitimit të antikombëtarizmit nuk ka shumë hapësirë për manovrim në Ballkan.

Kompromentimi i shtetit si institucion, shembja e integrimeve dhe kolapsi i “reformave” ekonomike e lënë institucionin e etnikumit si një të keqe të domosdoshme e bashkë me të edhe nacionalizmin tradicional si një “fije kashte” ekzistenciale për të shpëtuar nga rreziqet reale ose të imagjinuara. Por në vend që të neveritemi nga ai kërcënim i vërtetë, ia vlen të pyesim ndonjëherë veten nëse në të – si në çdo të keqe – a mund të gjendet ndonjë gjë e mirë?

Në të vërtetë, pjesa më e madhe e përbuzjes dhe antagonizmit të brendshëm ndaj nacionalizmit bazohet në përhapjen e luftërave të përgjakshme në ish Jugosllavi, në politikat e Slobodan Miloseviçit, ku kemi një përzierje të thjeshtë të termave shovinizëm dhe nacionalizëm. Fatkeqësisht, janë SH.B.A dhe BE që për dekada, përmes logjikës se “nacionalistët bëjnë punë më të mirë” dhe arrogancës së tyre në kundërshtimin e forcave autentike liberale antikomuniste vendase, çimentuan mbizotërimin e shovinizmit etnik elitaro-proletar dhe shkatërruan strukturën liberale të klasës së mesme.

Liberalët tani duhet të gjejnë brenda vetes momentin e tyre nacionalist, të kuptojnë notën e virtytshme dhe të refuzojnë agresionin shovinist. Ndërkaq nacionalistët, të futur në narcizëm homogjen, tashmë janë të paaftë të kuptojnë se çdo luftë çlirimtare është gjenezë e liberalit, dhe për këtë arsye nuk do ta shohin dritën e ditës për sa kohë që frymëzohen nga asgjësimi i tjetrit. Nacionalizmi i tyre është një kafaz përkujtimor i egërsisë së mbijetesës së “kafshëve” nga vitet ’90-ta. E megjithatë, për të gjithë kuptimin e përmbysur të fjalëve dhe zvogëlimin e kundërshtimit ndaj kundërveprimit, oportunizmit dhe kundërshtimit, ndoshta vetë lidhja midis liberalit dhe nacionalistit mund të jetë një hap përtej hipnozës aktuale të shoqërisë. Por për ëtë duhet nxituar, përpara se kjo mundësi të reduktohet në një debat kafeneje.

Continue Reading

Kolumna

Ta ruajmë atë që na bën të veçantë!

Published

on

By

Shënime në mbrojtje të liqenit të Ohrit dhe brigjeve të Strugës

Shkruan, Aziz POLLOZHANI

,,Nuk ka një tjetër si Struga,,- kështu janë mburrur struganët kur ata të Ohrit me krenari u thonin ,,Oria si floria,, në gjuhën shqipe. Ndonëse e thënë me rimë në gjuhën maqedonase, ky përkufizim me të vërtetë ka bazën e vet në vlerat natyrore, kulturore dhe në pasurinë e saj me resurset tjera që Struga i posedon. Mbase këtë ,,krekosje,, mund ta kenë dëgjuar edhe njerëz të famshëm nga bota të cilët e vizituan Strugën dhe e konfirmuan atë në veprat e tyre. Ndër ta, pas Evlia Çelebiut, më të njohurit ishin poeti dhe piktori anglez Edvard Lir (Edward Lear) që e prezantoi Strugën dhe Ohrin në pikturat e tij në mesin e shekullit nëntëmbëdhjetë dhe më vonë arkitekti i famshëm Le Korbuzie ( Le Corbusier) i cili skicoi një shtëpi tipike të Strugës të botuar në njërën nga librat e shumtë të tij me titullin “Shtëpi shqiptare në Strugë”.

Po ç’e bën Strugën të veçantë?

Në Strugë, “Liqeni i prrashëm” i Lasgushit derdhet në Drinin e Zi i cili çan malet e shumta duke i marrë dhe duke i sjell ngjalat e Luan Starovës bashkë me mitin mbi to që Strugën e bëri edhe më të dashur dhe më të njohur në botë. Në atë lartësi mbidetare prej rreth 700 m në një ambient të vogël gjeografik ku katër stinët lë njëra tjetrën saktësisht sipas kalendarit që e mësonim në shkollë. Aty është pishina më i madh i ujit, kësaj vlere të paçmuar dhe aq të nevojshme, aty janë edhe malet me pasuri të shumta me minerale dhe me pyje ku pushimi bëhet edhe në dimër. Te ura e Drinit të Zi mbahet Festivali botëror ,,Mbrëmjet e poezisë” që çdo vjet mbledh pendat më të mira botërore. Te ura tjetër çdo verë “ Jehon kënga” nga shoqëritë artistike të rajonit.

Struga dhe Ohri ishin ndër vendet më aktive në fazën e rilindjes kombëtare shqiptare. Prej këtu jo rastësisht ishin pesë nënshkrues të aktit të Pavarësisë në Kuvendin e Vlorës, po aq edhe në Kongresin e alfabetit në Manastir. Kishte përfaqësues edhe në Lidhjen e Pejës, në Kongresin e Lushnjës etj. Struga ishte edhe vendi që kultivoi rilindjen kombëtare maqedonase. Aty lindën vëllezërit Milladinov, aty lindi dhe krijoi edhe Vlado Malevski që e shkroi tekstin e himnit maqedonase dhe që foli i pari në gjuhën shqipe në Radio Shkupi. Në Strugë është muzeu më i vjetër dhe më i pasuri në rajon ,,Dr. Nikola Nezlobinski,, që e themeloi ky ,,belogardejc,, i ardhur nga Rusia, që fatkeqësisht shumë pak njihet .

Sot me të drejtë Struga dhe bregliqeni i saj janë “deti ynë”, janë destinacioni më i lakmuar turistik gjatë verës për shumë qytetarë dhe në veçanti për shqiptarët e rajonit dhe për diasporën tonë që për shumë vite u larguan për të siguruar bukën e gojës kurse tani lirisht mund të thuhet se ato janë vlera jonë kombëtare që me ardhjen e tyre në sezonin e verës mbajnë gjallë këtë rajon për gjatë gjithë vitit.

Por një ky vend me kaq resurse natyrore , kulturore, dhe përparësi ekologjike si u bë që ta kemi për çdo ditë të jetë në lajmet kryesore në kontekst negativ dhe të arrijë në shqetësimin maksimal të UNESCO-s për mosrespektim të atyre normave që atë e bën të marrë “status të mbrojtur”, që e mbështet dhe afirmon atë në botë, që zgjeron mundësitë për rritjen e mirëqenies së popullatës që aty jeton.

Si erdhi puna deri këtu?

Nuk është e lehtë për ti dhënë përgjigje kësaj pyetje. Shtjellimi i kësaj situate është shumë komplekse sepse shkaqet e një situate të tillë nuk janë aq të thjeshta sa duken dhe kuptohet që edhe nuk mund të zgjidhen brenda natës.

Pa dashur të bëhem pjesë e debatit mediatik, shpesh të njëanshme për këtë çështje, nuk ka se si të mos shqetësojë qasja e disa mediave, dhe jo rrallë edhe e disa institucioneve që me ose pa dashje, këtij problemi i qasen në mënyrë sipërfaqësore dhe të njëanshme. Sipërfaqësore janë ato qasje që e simplifikojnë çështjen duke kërkuar zbatimin e kërkesave të UNESCO duke mos analizuar më thellë shkaktarët e një gjendjeje të tillë. Pakujdesia për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore dhe relativizimi i standardeve edhe më parë të njohura të UNESCO-s nuk është shfaqje vetëm e viteve të fundit kur kjo eskaloi për shkak të Raportit të kësaj organizate.

Qytetarët, si të Ohrit, po ashtu edhe të Strugës, kanë shprehur indinjatë për degradimin e vazhdueshëm të këtyre vlerave tani e shumë vite më parë. Përgjegjësit e këtij degradimi janë autoritetet lokale dhe qendrore të tanishme por edhe të shumë viteve më parë. Legalizimi periodik sipas nevojave elektorale i ndërtimeve jolegale, mungesa e një koncepti të qëndrueshëm zhvillimor të rajonit, dhe mospërmbajtja edhe ndaj atyre ekzistuese, sado të paqëndrueshme janë, detyrimisht do të na binin në këtë situatë.

Kompetencat “e paqarta” mes autoriteteve lokale dhe atyre qendrore në këtë fushë, që ende po shfrytëzohen për ti hedhur përgjegjësinë njëri tjetrit, dhe trajtimi i jo-barabartë në investimet infrastrukturore në pjesë përbërëse të këtij rajoni po ashtu kanë etabluar një situatë ku tanimë duket e natyrshme që bregliqeni i Ohrit dhe vetë qyteti i Ohrit të jenë më të zhvilluara, më atraktive dhe në dukje më “të civilizuara” . Nga ana tjetër, Bregliqeni i Prespës dhe ai i Strugës të duken si “normale” ashtu sikurse janë- në gjendje të palakmueshme. Kjo narrative e bazuar në paragjykime si dhe në politika të dëmshme dominon dalëngadalë edhe në raportimin e mediave kur Raporti i UNESCO kryesisht trajtohet si detyrim i qytetit të Ohrit duke mos përmendur vendet tjera, duke krijuar përshtypjen se “ato tani më janë një vend pa shpresë”.

Kjo qasje është e rrezikshme dhe e dhimbshme për mendimin tim. Në shikim të parë, nga disa faktor që me vetëdije e kanë keqpërdorur “mirëkuptimin institucional” kjo narrativë është narrativë e ikjes nga përgjegjësia dhe në rastin më të mirë edhe brerje e ndërgjegjes . Por edhe sikur të ndodh kështu, që është e pabesueshme, atëherë do të përsëritej një padrejtësi historike e cila në emër të “tolerancës ndaj traditës” në fakt ka pasur për qëllim që të ndajë popullatën shqiptarë nga rrjedhat civilizuese dhe të ,,arsyetojë,, “prapambetjen” tonë jo si rrjedhojë e injorimit institucional por si konsekuencë e natyrshme bazuar në traditën ose fenë tonë- kështu rrjedh argumenti. Ne duhet kuptuar që edhe standardet e UNESCO-s si Organizatë e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë janë instrument për avancimin e këtyre veprimtarive, dhe promovojnë norma civilizuese te të gjithë popujt e botës. Ne nuk ka se si të jemi të ndryshëm nga të tjerët dhe nuk ka pse mos të kultivojmë të njëjtat vlera përparimtare dhe progresive, dhe rrjedhimisht nuk kemi se si të sillemi ndryshe ndaj promotorëve të këtyre vlerave.

Nëse pranojmë që shkaqet dhe përgjegjësitë për këtë gjendje janë komplekse dhe të më shumë gjeneratave dhe institucioneve, jam i sigurt që ajo çka i takon vetëm kësaj gjenerate të autoriteteve lokale dhe qendrore si dhe shoqërisë civile është përgjegjësia për të mos lejojnë që të përsëriten të njëjtat kuazi-arsye të pabarazisë së dukshme. Ata duhet të krijojnë dhe ofrojnë një model të ri të zhvillimit rajonal dhe lokal që do të jetë në përputhje me kërkesat e reja si dhe me trendet e reja sociale dhe ekonomike. Ky model i ri po ashtu do duhej të merrte parasysh krijimin e një raporti të ri mes zgjedhësve dhe të zgjedhurve të cilët do të bindnin njëri tjetrin për domosdoshmërinë e një të ardhme më të mirë bazuar në ligjshmëri. Jam i sigurt që me qytetarët e Strugës mund të lidhet një kontratë e tillë shoqërore.

Cilat janë hapat që duhet të ndërmerren?

Struga dhe Ohri janë vendet më atraktive turistike në vendin tonë i cili nuk ka dalje në det. Duke qënë se ky bregliqen atraktiv është destinacioni më i kërkuar kuptohet që duhet menduar për krijimin e kapaciteteve përkatëse për akomodimin e kërkesave në këtë kontekst të ri.

Rrethanë e dytë objektive ka të bëjë me strukturën demografike të rrethit. Komuna e Strugës sot i ka mbi 70 mijë banorë dhe vetëm 20 përqind e kësaj popullate banon në qytet. Pra, kemi të bëjmë me një komunë rurale që nën rrethana të reja synon të urbanizohet, kështu që presioni për ambiente banimi (banesa kolektive dhe shtëpi) natyrisht që është tejet i madh. Në këtë kontekst edhe kërkesat për hapësira atraktive pranë liqenit për të siguruar vend për objekte ekonomike turistike (hotele dhe restorante) po ashtu është i madh. Kjo kërkesë është e mirëseardhur dhe përveç që angazhon kapitalin e njerëzve dhe rrit zhvillimin ekonomik, është edhe një mundësi për punësim të rinisë dhe ndalimin e migrimeve. Përmirësimi i infrastrukturës do të absorbonte edhe kërkesat në rritje të banorëve matanë liqenit, nga Shqipëria, që duan të kenë banesa pushimi edhe në Strugë.

Diversifikimi i veprimtarive dhe shtrirja e veprimtarisë turistike edhe jashtë sezonit të verës duke pasuruar jetën me potencial shumë të pasur kulturor do të rriste aktivitetin ekonomik dhe do të ndikonte në ripërtrirjen intensive të bujqësisë dhe blegtorisë e cila tani është reduktuar dukshëm për fat të keq. Por në të njëjtën kohë, edhe ky diversifikim dhe akomodim i mundësive kërkon krijim, mirëmbajtje dhe respektim standardesh, sidomos në mbrojtje të pasurive natyrore. Nuk mund të lejohet që ndërtimi i atraksioneve turistike të bëhet në dëm të po atyre pasurive që e bëjnë këtë qytet të veçantë dhe turizmin (lexo mirëqenien) e mundshëm. Thënë shkurt, me një bregliqen të pashëndetshëm nuk mund të ketë turizëm të shëndoshë. Politika, në kuptimin e gjerë të fjalës duhet që të krijojë këto standarde dhe ti fuqizojë ato, duke u mbështetur në shënimet dhe vërejtjet e UNESCO-s si bazë e shëndoshë. Një liqe që lidh kaq shumë kontekste, kulturë dhe kujtime kolektive nuk mund të mbrohet nga një front, por duhet të reflektojë nevojat, mundësitë dhe kulturat e ndërlidhura, që nuk nënkupton vetëm Ohrin dhe Strugën me rrethinë por dhe shtrirjen e bashkëpunimit përtej kufirit.

Le të jetë kjo kërkesë e UNESCO si shkas për një rikonceptim të ri të zhvillimit tonë social dhe ekonomik mbi parime të reja dhe tejkalimin e paragjykimeve institucionale që origjinojnë në kontekste që nuk përputhen me realitetin. Jam i sigurt se kështu do të përmbushen edhe kërkesat dhe nevojat edhe të qytetarëve dhe sidomos të diasporës tonë e cila tani është e kultivuar me norma dhe standarde të reja. Së fundmi, kjo është mënyra për të ruajtur dhe mirëmbajtur një pasuri që për shumë nga ne, pa marrë parasysh se a jemi rritur buzë liqenit apo e shijojmë freskinë e tij hera herës, mban në vete ndërlidhje historish dhe kujtimesh kolektive dhe individuale që nuk duhet ti lëmë të humbasin.

Continue Reading

Kolumna

Arti i sotëm krijohet me plehra

Published

on

By

Arti i sotëm krijohet me plehra

Ilir Muharremi, kritik i artit
Arti kultivon idenë e bukurisë që pushton çdo shekull. Ideja krijohet në ribërje të llogarisë së vet artistit, pra artisti e ribën botën për llogari të veten.

“Fantazia e artistit është realitet më i bukur se realiteti i rëndomtë”, shkruan Ashi.

Pra, artisti heq pluhurin e shtëpive të plurosura. Bukuria daton që në Greqinë e vjetër sidomos te skulpturat të cilat ishin ambicioze dhe ngulmuan në fiksimin e tri dimensioneve të figurës së njeriut, mirëpo prapë se prapë figura e njeriut ishte e pakapshme dhe mund të thuhet nga kjo rrëmujë e gjesteve, skulptura greke përjetësoi unitetin e stilit të saj.

Edhe sot në këtë kohë të artit skulptura nuk imiton fytyrën e njeriut, por e stilizon.

“Dashnori i frustruar nga dashuria, më në fund do të mund të sillet përreth korave greke për të vënë dorën mbi atë që në trupin dhe në fytyrën e femrës i mbijeton këtij degradimi”, shkruan Albert Camus.

Bukuria e Greqisë në sferën e artit ende rruan shprehje domëthënëse të afshit të trupit dhe vërtitjen e pafund të qëndrimeve. Marx-i i pyetur dhe i zhytur në këtë bukuri greke përgjigjet: “Kjo bukuri shpreh fëmijërinë naive të një bote dhe se në mes të luftërave të të rriturve, ne kemi nostalgji për këtë fëmijëri”.

Atëherë, pyetja që duhet drejtuar Marx-it është se pse kryevprat e renesancës italiane, arti kinez, arti barok, impresionizmi, ekspresionizmi, fovizimi, kubizimi, surrealizmi, hiperrealizmi, ende edhe sot mund të jenë të bukura për ne? S’ka shumë rëndësi! Vlerën dhe rëndësinë më shumë ja ngritin artet e sotme, arte që krijohen nga plehrat, hekurat, këpucët, të cilat prapë i kthehen teknikave tradicionale pra si: karbon, laps, penë, perspektivë, hije.

Arti i sotëm a ka arsyje për të ekzistuar dhe kundër kujt proteston? Në vitet e shekullit XX, kur situata historike i krijonte artistit iluzionin se mund ta kthente artin në një instrument lufte dhe transformimi të shoqërisë, avangarda kishte arsye për të ekzistuar. Veprat e artit shërbenin si mjet kapërcimi dhe thyerje e rregullave ekzistuese të artit dhe shoqërisë njëkohësisht. Sot, mediat dhe galeritë përtypin menjëherë diçka të re duke i kthyer në vepra arti si: kafshë të ngordhura, ose kafshë të gjallë të futura nëpër hapësira të Galerive, thjesht i malltretojnë këto shpirtra që i bëjne rob të sundimit të artit të shekullit XXI.

Pra konceptualizmi i cili redukton veprën në një ide, e ngritë idenë e artit në kocnept dhe vepër, tashmë është i skaduar. Ata ngritin pyejte përmes veprave dhe nxitin debat në publikë. Përveç që ata ekspozojnë karrige kafshë të ngordhura ose të gjalla cili është ai emocioni estetik si qëllim kryesor i veprës artistike? Artin e shohin si diçka të jashtme e jo të brendshme.

Publiku është lodhur nga plehrat, kafshët, mbetjet, nëpër Galeri, tashmë nuk çan më kokën sepse po i beson një muskuli të ri të artit, pra kthimit të veprave të artit nga artistët të cilët pikturojnë forma me përmsa të fëmijëve. Arti i pafajshëm i fëmijëve. Ky lloj arti tashmë po veçohet.

Edhe Transavanguardia e Akile Bonito-Oliva është tejkaluar. Arti i cili kërkon kthimin tek cilësitë tradicionale të veprës së artit: universaliteti, nevoja, autenticiteti, cilësi që i gjejmë të gjitha tek Transavanguardia.
Pse arti i artistëve që pikturojnë si fëmijët ka më shumë vlerë se çdo lloj arti nëpër histori të artit?

Çdo shkarravinë, vijë, formë, ngjyrë, jo e sakt mbas vlersimit kritik të një njeriu të pjekur, ka më shumë vlerë se sa një mollë, ose një vazo apo ndonjë portret i pikturuar nga një i rritur. Arsyeja është se dora vepron mbas udhëzimit të brendshëm të ndjenjave, shqisave, ritmit të zemrës dhe mendjes.

Pra nuk është aq e rëndësishme tema sa janë lëvizjet e vijave dhe kombinimi i ngjyrave të fëmijëve. Aty gjejmë pafajsinë, sinqeritetin, anën e bardh shpirtërore, tamam pjekurinë e një artisti i cili kthehet përmes mendimit të kthimit në fëmijërinë e tij naive të kompletuar nga fantazia dhe forma.

Krijohet ajo çiltërsia, ngrohtësia, monologu, dialogu me personazhet fiktive, por edhe reale që lindin nga imagjinata e femijëve. Ngrohtësia e shpirtit me tela me gjemba, ose janë si trandafilë pa thera.

“Çdo fëmijë është artist. Çështja që ai të mbetet i tillë edhe kur të rritet”, shkruan Pablo Pikaso.

Arti i fëmijërisë është arti më i vlefshëm i të gjitha kohërave.

Continue Reading

Kolumna

Samiti Biden-Putin, befasues apo i shumëpritur?

Published

on

By

Instituti Ndërkombëtar për Lindjen e Mesme dhe Studimet e Ballkanit (IFIMES)[1] në Lubjanë, Slloveni, rregullisht analizon zhvillimet në Lindjen e Mesme, Ballkanin dhe në botë. Ambasadori Arben Cici është një diplomat, studiues, profesor dhe aktualisht këshilltar diplomatik i Presidentit të Shqipërisë. Në tekstin e tij me titull “Samiti Biden-Putin, befasues apo i shumëpritur” a i shkruan për situatën aktuale në marrëdhëniet SHBA-Rusi para takimit të parë të Biden-it me Putin që prej marrjes së detyrës.

● Ambasadori Arben Cici

 
Samiti Biden-Putin, befasues apo i shumëpritur

Shtëpia e Bardhë ka përgatiur me shumë kujdes udhëtimin e parë ndërkombëtar të Presidentit Joe Biden, që kur ai i zgjodh President i 47-të i ShBA-së. Vizita e parë e tij është në Evropë, ku klima mikpritëse duket se, përshumë arsye,është më pozitive, por edhe më sfiduese, pavarësisht pritshmërisë në rritje, se ajo ndaj paraardhësit të tij, ish Presidentit Donald Trump. Gjithsesi kjo agjendë do të jetë jo vetëm e ngjeshur, por edhe e nxehtë, si një përplasje gjeopolitike Samitesh në Evropë. Ajo filloi me Takimin e G-7, vazhdon më 11-13 qershor në Mbretërinë e Bashkuar, mandej me Samitin e NATO-s në Belgjikë, më 14 qershor, dhe përmbyllet me Takimin e nivelit të lartë me Presidentin rus Vladimir Putin. 

Rusia nuk merr pjesë as në takimet e G-7 dhe as në NATO. Ajo u pezullua nga ajo që ishte atëherë G-8 në 2014 pas aneksimit të Krimesë dhe në mënyrë të ngjashme, NATO pezulloi të gjithë bashkëpunimin me Rusinë në përgjigje të “veprimeve të saj agresive” në Ukrainë.

Takimi i parë i nivelit të lartë midis Presidentit amerikan dhe Presidentit rus, i cili do të zhvillohetmë 16 qershor në Gjenevë, u konfirmua njëkohësisht si nga Shtëpia e Bardhë ashtu edhe nga Kremlini. Ata lëshuan deklarata të shkurtra pa demonstruar një pritshmëri të lartëtë kësaj ngjarje, deri diku e papritur, nisur nga marrëdhëniet e tensionuara midis këtyre dy fuqive bërthamore. 

“…Udhëheqësit do të diskutojnë gamën e plotë të çështjeve të ngutshme, ndërsa ne kërkojmë të rikthejmë parashikueshmërinë dhe stabilitetin në marrëdhëniet SHBA-Rusi”, u nënvizua në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë mbi organizimin e këtij samiti.

Vetëm pak javë pas zgjedhjes President, Biden kishte pohuar në fjalën e tij para nëpunësve të Departamentit të Shtetit se ai do të kishte një qasje rrënjësisht të ndryshme ndaj Rusisë sesa paraardhësi i tij, Trump. 

“Ne synojmë të diskutojmë gjendjen dhe perspektivat e zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve Ruso-Amerikane, problemet e stabilitetit strategjik, si dhe çështje aktuale në agjendën ndërkombëtare, duke përfshirë ndërveprimin në luftën kundër pandemisë së koronavirusit dhe zgjidhjen e konflikteve rajonale”, deklaroi njëkohësish Kremlini zyrtar. 

Konteksti i vizitës:

Do të jetë takimi i parë i Biden me Putin që nga marrja e detyrës por jo i pari mes tyre, duke përfshirë edhe një takim të vitit 2011, i cili mbahet mend për shkëmbim batutash aspak miqësore mes tyre.

Ky samit vjen gati tre vjet pas takimit të Putinit me Trump (dhe të vetmit mes tyre) dhe zyrtarët e sotëm amerikanë pohojnë se takimi i Presidentit rus me Biden do të duhet të jetë ndryshe nga ai i korrikut 2018, gjatë të cilit Trump doli në krah të Putinit dhe hodhi hapur poshtë zbulimin e ShBA-së për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet 2016. 

Rusia, si “kërcënimi më i madh” për sigurinë e ShBA-së dhe aleancat e saj dhe raportet komode të ish Presidentin Trump me Putin, ishin një nga armët forta të kalit të betejës së Biden për në Shtëpinë e Bardhë për të zhvlerësuar figurën e kandidatit të tij kundështar, jo më larg se nëntorin e kaluar. 

Muajin e kaluar, administrata amerikane njoftoi se po dëbonte 10 diplomatë rusë dhe po sanksiononte dhjetëra kompani dhe individë rusë në përgjigje të akuzave të cështjes Solar Winds dhe ndërhyrjeve ruse në zgjedhjet presidenciale në ShBA. 

Edhe intervistat e muajve të fundit të të dy udhëheqësve, të shoqëruara me akuza për njeri-tjetrin, i ashpërsuan marrëdhëniet mes këtyre dy fuqive, të trazuara si asnjëherë tjetër, si pasojë e të cilave për herë të parë mbas 20 vitesh, Rusia thirri në Moskë ambasadorin rus në Uashington.

Megjithatë, çështjet madhore globale të ditëve të sotme dhe mosmarrëveshjet thellësisht të mprehta që shtrohen për zgjidhje sot mes ShBA-së dhe Rusisëdhe jo vetëm, i detyruan këta dy udhëheqës të hedhin mbrapa të kaluarën, edhe shumë të afërt, të raporteve jo shumë miqësore dhe të shigjetimeve të hidhura mediatike mes tyre, deri disa javë më parë.

“…Ne nuk takohemi me njerëz vetëm kur biem dakord. Në fakt është e rëndësishme të takohemi me udhëheqësit kur kemi një sërë mosmarrëveshjesh, siç po bëjmë me udhëheqësit rusë, ” nënvizoi sekretare e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, duke ju përgjigjur kështu edhe kritikëve të organizimit të këtij samiti të rëndësishëm. 

Çështjet e mundshme për diskutim: 
 
Rendi i ditës ende nuk është bërë publik por, sipas njoftimeve herëpashershme të Shtëpisë së Bardhe dhe Kremlinit,një sërë çështjesh të mprehta, në dinamikë dhe ndryshim të përditshëm, do të shtrohen për diskutim gjatë këtij samiti të madh. 

Me rendin e ditës janë ngarkuar këshilltari për sigurinë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Jake Sullivan dhe homologu i tij rus, Nikolai Patrushev, një rend dite, shtyllat dhe fryma e të cilit janë hedhur në takimin e 19 majit të Sekretarit të Shtetit të ShBA-së Antony Blinken me Ministrin e Jashtëm rus Sergey Lavrov. U shpreh publikisht gatishmëria për të hedhur ne tryeze të gjitha çështjet e mundshme për diskutim, pavarësisht në se arrihet marrëveshje apo jo.

“Unë ia bëra të qartë Presidentit Putin, në një mënyrë shumë të ndryshme nga paraardhësi im, se ditët kur Shteteve të Bashkuarastepeshin përballë veprimeve agresive të Rusisë – ndërhyrja në zgjedhjet tona, sulmet kibernetike, helmimi i qytetarëve të saj – kanë mbaruar,” pohoi Biden, i cili më 13 prill zhvilloi bisedën e parë telefonike me Putinin, bisedë që sipas komenteve dhe fjalëve të korridoreve diplomatike ishte “një shkëmbim i parë i tensionuar”.

Gjithsesi, nga njoftimi i Shtëpisë së Bardhë nënkuptohen se temat që do të mund të diskutohen janë të mprehta, të nxehta, zgjidhja e të cilave kërkon mund, vëmendje, vendosmëri, përgjegjësi, mençuri e shpirt kompromisi, për të mirën dhe interesat e të dy vendeve dhe të botës mbarë.

Ndaj, kur Presidenti Joe Biden do të takohet me homologun rus Vladimir Putin më 16 qershor, ai do të jetë një nga samitet më të ndjekur të vitit. 

“… Ata diskutuan një numër çështjesh rajonale dhe globale, duke përfshirë qëllimin e Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë për të ndjekur një dialog strategjik të qendrueshëm mbi kontrollin e armëve dhe çështje të reja të sigurisë, të bazuara në zgjerimin e “Traktatit të Ri START”. Presidenti Biden gjithashtu e bëri të qartë se Shtetet e Bashkuara do të veprojnë në mënyrë të vendosur në mbrojtje të interesave të tyre kombëtarë në përgjigje të veprimeve të tilla të Rusisë, si ndërhyrjet kibernetike dhe ndërhyrjet në zgjedhje. Presidenti Biden theksoi angazhimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara ndaj sovranitetit dhe integritetin territorial të Ukrainës. Presidenti shprehu shqetësimet tona në lidhje me ndërtimin e papritur ushtarak rus në Krimenë e pushtuar dhe në kufijtë e Ukrainës dhe i bëri thirrje Rusisë të ulë tensionet. Presidenti Biden riafirmoi qëllimin e tij për të ndërtuar një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të parashikueshme me Rusinë në përputhje me interesat e SHBA dhe propozoi një samiti në një vend të tretë në muajt e ardhshëm për të diskutuar gamën e plotë të çështjeve me të cilat përballen Shtetet e Bashkuara dhe Rusia”, thuhet në njoftimin zyrtar të Shtëpisë së Bardhe të datës 13 prill. 

Në vitin 2014, Rusia aneksoi në mënyrë të njëanshme Krimenë, një gadishull të rëndësishëm në Detin e Zi ku ndodhet qendra e një baze të marinës ruse, duke pësuar një dënim ndërkombëtar dhe sanksione. Pavarësisht kësaj Rusia qendroi në pozitën e saj duke paralajmëruar Shtetet e Bashkuara kundër dërgimit të anijeve luftarake në Detin e Zi dhe duke u kërkuar forcave amerikane që të qëndrojnë larg “për të mirën e tyre”.

Agjencitë e inteligjencës amerikane kanë arritur në përfundimin se Rusia ndërhyri në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 dhe se ajo qëndronte pas sulmeve kibernetike (vitin e kaluar) ndaj kompanive amerikane dhe sistemeve të softuerit. 

Shtëpia e Bardhë zyrtarisht ka bërë me dije se vitin e kaluar, spiunët rusë sabotuan një pjesë të vogël të kodit kompjuterik të fshehur në një pjesë të njohur të softuerit të quajtur “SolarWinds”, i cili u përhap në 18,000 rrjete kompjuterike qeveritare dhe private. Hakerat hynë në skedarët dixhitalë të departamenteve të ShBA-së, të Drejtësisë, të Shtetit, të Thesarit, të Energjisë dhe Tregtisë dhe u mundën të kërkonin në komunikimet e nivelit të lartë, duke rrezikuar dosjet e gjykatës dhe informacionin bërthamor. 

Administrata e Biden njoftoi sanksionet në mars kundër disa zyrtarëve të lartë rusë të nivelit të mesëm, së bashku me më shumë se një duzinë biznesesh dhe entesh të tjera, për shkak edhe të sulmit gati fatal të liderit të opozitës ruse, Alexey Navalny, me agjentin-nervor Novichok dhe burgimin e tij në gusht të vitit 2020. Sipas qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, shërbimi sekret rus përdori të njëjtin agjent-nervor për helmimin në vitin 2018 të ish-spiunit sovjetik Sergei Skripal dhe vajzës së tij në qytetin britanik Salisbury. 

Janë ngritur publikisht dyshime se agjentë rusë paguajnë Talibanët për të sulmuar trupat amerikane në Afganistan, të cilat janë në fazën e rikthimit të tyre në atdhe dhe Presidenti Biden ka një ndjeshmëri të lartë për sigurinë e jetën e trupave amerikanë. 

Rusia nga ana e saj ka mohuar në vazhdimësi të gjitha këto akuza prandaj duket se nuk do të jetë një samit i lehtë. Numri i çështjeve të shumta për të cilat këto dy fuqi kanë kohë që debatojnë e përplasen me njëra tjetrën janë pjesë e shqetësimit jo vetëm dypalësh por edhe global. 

Rezultati i bashkëpunimit të suksesshëm të këtyre dy shteteve, marrja e masave reciprokisht të koordinuara në betejën kundër pandemisë Covid -19 dhe pasojave shkatërruese ekonomike, shëndetësore e sociale, si dhe debati përmbajtësor mbi çështjet e ndryshimit të klimës, mirëpriten nga gjithë bashkësia ndërkombëtare. 

Pavarësisht kompleksitetit të cështjeve dhe qëndrimeve jashtëzakonisht kundërshtuese, fusha të tilla bashkëpunimi si beteja kundër Covid-19, ndryshimi i klimës, përcaktimi i “rregullave të lojës” për spiunazh edhe kibernetik dhe minimizimi i ndikimit destabilizues të tërheqjes së ShBA-së nga Afganistani, ofrojnë shpresë dhe mundësi për marrëveshje dhe bashkëpunim. 

Ka shumë gjasa që gjatë këtij samiti të diskutohet edhe cështja e debatueshme e ndërtimit të tubacionit të gazit natyror të Nord Stream 2, e cila shkaktoi konflikt, deri në propozime sanksionesh ndaj Gjermanisë, një nga aleatet amerikane më të rëndësishmeevropiane. Zyrtarë të lartë amerikanë këmbëngulin se tubacioni kërcënon sigurinë evropiane të energjisë, rrit ndikimin e Rusisë dhe paraqet rreziqe për Ukrainën dhe Poloninë duke krijuar anashkalimin e të dy vendeve. 

Nga ana tjetër, në reagimin e saj, Kancelarja gjermane Angela Merkel mirëpriti lajmin e samitit duke komentuar: “Diplomacia ka një shans vetëm nëse flisni me njëri-tjetrin.”
 
Përse Gjeneva? 

Nuk është aspak rastësi zgjedhja e këtij vendi tëveçantë për këtë samit të rëndësishëm. 

Presidenti Joe Biden propozoi që samiti me Presidentin rus Vladimir Putin të zhvillohet në një vend të tretë, në mënyrë që të palët dy mos kenë kushtëzime dhe të mund të diskutojnë një “gamë të plotë çështjesh”. 

Gjeneva, ky qytet i pasur, shumë i qetë, në brigjet e Liqenit të Gjenevës,ofron pamje mahnitëse të majës “Mont-Blanc, majës më të lartë në Evropën Perëndimore, përben më së miri një sfond intrigues për samitin. 

Gjeneva është qendër e rëndësishme e institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare shumëpalëshe dhe zemra e asnjanësisë së Zvicrës.

Ky qytet u bë udhëkryqi kryesor i diplomacisë dhe intrigave në vitet e pasluftës përgjatë Luftës së Ftohtë dhe kryqëzimi ku diplomacia e bllokut Lindor të mbizotëruar nga Sovjetikët takohej lirshëm me Perëndimin kapitalist të stilit Amerikan. 

Gjeneva bëri sidomos histori kur më 19-20 nëntor të vitit 1985, Presidenti amerikan Ronald Reagan u takua për herë të parë me Presidentin sovjetik Mikhail Gorbachev, një samit i konsideruar shumë i rëndësishëm për thyerjen e akullit midis Lindjes dhe Perëndimit dhe nxitjen e marrëdhënieve më miqësore midis dy udhëheqësve përgjatë mandatit të tyre presidencial. 

Së fundmi kjo gjetje e administratës Biden kërkon të ringjallë reputacionin e qytetit si një qendër për diplomacinë ndërkombëtare, duke u distancuar nga administrata Trump, e cila kryesisht shmangu institucionet e saj globaliste si Organizata Botërore e Tregtisë dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, organizata në të cilat administrata Biden është ri-angazhuar me seriozitet.

Rëndësia e Samitit: 

Duke pasur parasysh tensionet e fundit, qëndrimet shumë të larguara të palëve dhe klimën e përgjithshme dypalëshe dyshuese, ka pak besim se samiti mund të arrijë rezultate mahnitëse. 
 
Por përpjekja për rivendosjen e dialogut dhe komunikimit me qëllim arritjen e “parashikueshmërisë dhe stabilitetit” në marrëdhëniet me Rusinëështë një objektiv ambicioz dhe i guximshëm i administratës Biden. 

Edhe nëse nuk do të arrihet një përparim i dukshëm nëdakordësimin mbi çështjet e nxehta që do të mund të diskutohet, të dy palët do ta kenë të ligjshëm pretendimin se kanë bërë përpjekje me mirëbesim për të përmirësuar marrëdhëniet mes tyre e për pasojë krijimin e një klime ndryshe në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Ky takim do të japë një mesazh të rëndësishëm në situatën e përgjithshme konfliktuale, do të kontribuojë në uljen e tensioneve nëpërmjet vendosjes së linjave të hapura të komunikimit mes Washingtonit dhe Moskës për çështje të rëndësishme të sigurisë botërore me interes për Rusinë dhe ShBA-në, veçanërisht në debatin mbi kontrollin e armëve bërthamore. 

Megjithatë, të gjitha bien dakord për një fakt: Befasues apo i shumëpritur, ky samit do të jetë ngjarja diplomatike më e ndjekur në nivel global. 

# https://president.al/en/arben-cici-keshilltar-diplomatik/

Rreth Autorit:
Ambasadori Arben Cici ka një karrierë të gjatë diplomatike; ai është studiues dhe analist në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, veçanërisht në çështjet e rajonit, autor i librave dhe shumë artikujve të botuar në Shqipëri dhe jashtë saj. Ai po jep mësim në Universitetin e Tiranës dhe në Universitetin Mesdhetar lëndën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë. Ai është aktualisht këshilltar diplomatik i Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Ljubljana/Tiranë, 12 qershor 2021

Continue Reading

Aktuale