Connect with us

Bota

BE rrezikon të vdesë nëse nuk vepron

Published

on

Presidenti francez Emmanuel Macron iu është përgjigjur dje disa pyetjeve të dërguara nga gazetat italiane Stampa, La Repubblica dhe Corriere della Sera në intervistën e tij të parë me mediat e huaja që nga fillimi i urgjencës shëndetësore. “Franca është përkrah Italisë, Europa pushoi së qeni egoiste”, ka thënë shefi i Elizesë, në përgjigjet e tij, që të plota i gjeni në vijim.

Me Giuseppe Conten, ju kërkuat nga Këshilli Evropian të enjten të krijonte një Eurobond për të frenuar këtë krizë epokale. Gjermania dhe Hollanda ngurojnë. A ekziston rreziku i shpërbërjes së eurozonës dhe Bashkimit Evropian?

“Me Conten, Pedro Sánchez dhe gjashtë krerë të tjerë të shteteve dhe qeverive, i drejtuam Këshillit Evropian, një letër ku dërguam një mesazh të qartë: ne nuk do ta kapërcejmë këtë krizë pa solidaritet të fortë evropian, si nga ana e shëndetit ashtu edhe e buxhetit.

Mjetet vijnë më vonë por ne duhet të jemi të vendosur: duhet një rritje e borxhit, cilido qoftë emri i tij, ose një rritje në buxhetin e BE për mbështetje të vërtetë për vendet më të prekura nga kriza.

Të enjten, dhjetë vende të Eurozonës, që përfaqësojnë 60% të PBB-së së saj, e mbështetën këtë ide. Kjo është hera e parë! Të tjerë, përfshirë Gjermaninë, shprehën ngurrimin e tyre. Por ne nuk do ta braktisim këtë betejë. Nëse Evropa nuk vepron ajo do vdesë. Momenti është historik: Franca do të luftojë për një Evropë solidariteti, sovraniteti dhe ardhmërie”.

Sa e lartë mund të jetë fatura, a keni një shifër?

“Nuk dua të përqendrohem në shifra. Forca e Mario Draghi kur tha “gjithçka që mundemi” në 2012, qëndron pikërisht në faktin se ai nuk dha shifra, por një sinjal veprimi të vendosur dhe të pakufizuar.

Në këtë krizë ekonomike, Evropa mori dy vendime shumë të forta e të shpejta: në nivelin monetar, Banka Qendrore Evropiane vendosi një program mbështetës masiv, të pashembullt; nga ana buxhetore, ne kemi thënë që do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme dhe kemi filluar ta zbatojmë atë në secilin prej vendeve tona.

Ajo që mungon tani është një shenjë e qartë e veprimit të koordinuar dhe mbështetës. Unë dua që kjo zgjedhje e solidaritetit të bëhet plotësisht. Ne nuk mundëm ta arrinim këtë moment historik gjatë krizës financiare; sot ne duhet ta bëjmë këtë”.

Mario Draghi rekomandoi që qeveritë evropiane të reagojnë fuqishëm edhe individualisht, pavarësisht rritjes së borxhit publik. A e pranoni ju këtë?

“E kam lexuar me shumë interes shkrimin e z.Draghi botuar këtë javë. Unë e ndaj të njëjtin mendim pasi ai thotë saktësisht këtë: qeveritë kombëtare duhet të veprojnë pa kufij dhe solidariteti evropian duhet të bëjë pjesën e vet.

Ai gjithashtu thotë se Evropa ka të gjitha burimet për ta bërë këtë: një sistem të qëndrueshëm financiar dhe një shërbim publik cilësor. Çështja që shtrohet është gatishmëria e tij për të vepruar, për ta bërë atë së bashku dhe sa më shpejt: kjo është arsyeja pse unë dhe Giuseppe Conte në veçanti po e bëjmë këtë betejë”.

Në përgjithësi, si e vlerësoni punën e Christine Lagarde, e cila është kritikuar?

“Unë e aprovoj dhe e mbështes. Vendimet e 19 Marsit ishin të guximshme dhe të domosdoshme. Ku do të ishim sot, nëse BQE nuk do të kishte vepruar me aq shumë forcë? Kjo tregon gjithashtu se kur Evropa përdor institucionet e saj të forta dhe mjetet e duhura, ne të gjithë dalim fitues”.

Më 6 mars, ju shkuat në teatrin Antoine në Paris me gruan tuaj dhe u dërguat francezëve mesazhin se “jeta vazhdoi”. Ndërkohë në Itali raportoheshin 4636 raste të infeksionit dhe 197 vdekje. Pse i injoruat shenjat paralajmëruese nga Italia?

“Nuk i kemi injoruar absolutisht ato. Unë jam përballur me këtë krizë me seriozitet që nga fillimi, kur ajo shpërtheu në Kinë. Në secilën fazë unë ndoqa tre parime thelbësore: të bazoja vendimet në këshillat shkencore, ti adaptoja ata me ecurinë e krizës dhe të merrja masa proporcionale.

Italia na ka paraprirë në këtë krizë dhe ne kemi qenë në gjendje të nxjerrim mësime për veten tonë. Mësuam nga përvojat e dhimbshme e vendit tuaj dhe nga vendimet kurajoze të marra nga qeveria juaj: ndërkohë shumë shtete evropiane i konsideruan këto kufizime si të tepruara”.

Ju keni thënë vazhdimisht se Evropa qëndroi larg nga Italia në krizën e migrantëve. Por Italia, vendi më i prekur nga epidemia, u ndie e braktisur edhe një herë nga partnerët e saj. Pse një vend fqinj dhe mik si Franca nuk dërgoi ndihmë e para?

“Unë përsëris atë që thashë: Evropa nuk ka qenë në përpjesëtim me krizat e mëparshme dhe unë gjithashtu marr pjesërisht përgjegjësinë për Francën. Por tani Franca është në anën e Italisë: kjo është arsyeja pse unë shkova në Napoli më 27 shkurt, pavarësisht rritjes së epidemisë. Ne kemi propozuar shtretër në spitale në Jug të Francës dhe kemi dërguar materiale mjekësore”.

Italia ka pranuar ndihmën e regjimeve autoritare si Kina, Rusia dhe Kuba. A nuk mendoni se është një simbol tronditës?

“Ka shumë komente për ndihmën kineze ose ruse. Po pse nuk themi se Franca dhe Gjermania kanë dërguar dy milion maska dhe dhjetëra mijëra veshje mjekësore në Itali? Ne nuk duhet të ndikohemi nga ato që thonë konkurrentët.

Duhet gjithashtu të themi se, nga ana tjetër, evropianët shpëtuan Kinën në fillim të epidemisë, duke dërguar më shumë se 50 tonë materiale.

Evropa duhet të jetë krenare dhe të ndjehet e fortë. Por duhet të shkojë shumë më tej. Disa vende sillen sikur Italia ose Spanja janë përgjegjëse për epideminë: përkundrazi, ata janë viktimat e para dhe virusi nuk do të kursejë askënd. Unë nuk e dua një Evropë egoiste dhe të ndarë”.

Shtetet anëtare të BE-së nuk janë koordinuar në masat për të kufizuar pandeminë. Ju rekomandoni tani një qasje të përbashkët për heqjen e masave të izolimit, duke thënë se mungesa e kordinimit rrezikon që virusit të rikthehet përsëri?

“Absolutisht po, ne tani duhet të parashikojmë dhe koordinojmë masat për të dalë nga kriza shëndetësore. Sigurisht, ata do të duhet të përshtaten për secilin vend: ne nuk do t’u kërkojmë italianëve apo francezëve, të cilët kanë kaluar masat kufizuese përpara vendeve të tjera evropiane, të qëndrojnë të mbërthyer në pritje të të tjerëve. Por nëse nuk koordinohemi përveç problemit politik do kemi dhe një problem shëndetësor.”

Shumë qytetarë në Francë e Itali pyesin nëse do kemi përsëri në të ardhmen një zonë evropiane pa kufij, pra a do jetë qarkullimi si më parë. Çfarë mendoni për këtë?

“Sa i përket kufijve të brendshëm të Bashkimit Evropian, si ai që kemi me Italinë, ne kemi zgjedhur të mos i mbyllim ato, sepse jeta jonë personale dhe profesionale dhe ekonomitë tona janë të integruara.

Ne duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur për të ndaluar përhapjen e virusit, por gjithmonë duke vepruar si evropianë. Unë e di që italianët dhe francezët ndajnë këtë betejë dhe këtë shpresë për Evropën. Dhe dua të ritheksoj miqësinë time me popullin italian që po tregon shumë guxim në këtë moment të vështirë”. /La Stampa /Përgatiti: Mapo.al/

Continue Reading
Advertisement

Bota

SHBA – Kanoset vala e katërt e epidemisë për shkak të mutacioneve të reja të koronavirusit

Published

on

Përhapja e shumë mutacioneve ngjitëse të koronavirusit kanoset të shkaktojë “valë të katërt potenciale të rasteve” në SHBA, paralajmëroi drejtoresha e Qendrës amerikane për kontroll dhe parandalim të sëmundjeve (CDC), Roshel Valenski.

Valenski shprehu brengë për shkak të dhënave të reja për numrin e të sëmurëve nga Kovid-19, duke theksuar se javën e kaluar në nivel ditor janë evidentuar rreth 70.000 raste të reja, që, siç theksoi, është shifër shumë e madhe.

Në periudhën e njëjtë në ditë janë regjistruar nga 2.000 raste të vdekjes, shtoi ajo.

Valenski paralajmëroi se SHBA-ja, me nivel aq të lartë të rasteve dhe mutacione të reja të virusit të cilat përhapen, mund ta humbë përparësinë e rëndë të fituar në luftën kundër koronavirusit.

“Këto mutacione paraqesin kërcënim shumë real për popullin tonë dhe përparimin që e arritëm”, tha Valenski.

Për momentin na rrethojnë disa mutacione të ndryshme të Kovid-19, por ekspertët shëndetësor janë veçanërisht të brengosur për shkak të disa prej tyre, siç janë ato në Britani të Madhe, Republikën Jugoafrikane dhe Brazil, të cilat supozohet se janë më infektuese.

CDC parashikon se lloji shumë i infektuar i B.1.1.7, për herë të parë i zbuluar në Britani të Madhe, do të bëhet dominues në SHBA këtë muaj.

Valenski vlerësoi se SHBA-ja ka mundësi ta ndalë valën e katërt potenciale të rasteve në vend.

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në SHBA deri tani janë regjistruar mbi 28 milion të infektuar dhe 500.000 raste të vdekjes nga koronavirusi.

Continue Reading

Bota

Donaldi dhe Melania Trampi janë vaksinuar në janar

Published

on

Ish-presidenti amerikan Donald Tramp dhe bashkëshortja e tij Melania janë vaksinuar kundër virusit korona në janar, derisa ende kanë qenë në Shtëpinë e Bardhë, kuptojnë mediat lokale nga burime të sigurta.

Për dallim nga Xho Bajdeni, i cili u vaksinua më 21 dhjetor, që u transmetua drejtpërdrejt në televizion, disa javë para se të vijë në pushtet, Trampi asnjëherë publikisht nuk tregoi se është vaksinuar.

“Presidenti Tramp dhe zonja e parë u vaksinuan në Shtëpinë e Bardhë në janar”, ka deklaruar për mediat lokale një burim i afërt me ish-presidentin, pa theksuar detaje të tjera.

Donald Trampi, të dielën në fjalimin e tij të parë pas largimit nga Shtëpia e Bardhë, deklaroi se “të gjithë duhet të vaksinohen”

Continue Reading

Bota

BE do miratojë ‘COVID-pasaportat’/ Ja kur hyn në fuqi

Published

on

By

Komisioni Evropian paralajmëroi se gjatë muajt mars do të miratojë propozimin legjislativ për atë që tashmë është emërtuar si “COVID-pasaportë”, e që në BE e quajnë “certifikatë e vaksinimit” kundër koronavirusit.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Eric Mamer, tha se për të filluar zbatimin në praktikë të këtyre vërtetimeve për vaksinim, do të duhen së paku tre muaj.

Ideja është që personat e vaksinuar do të kenë një “certifikatë të vaksinimit” në formën elektronike dhe kjo do t’ua lehtësojë udhëtimet.

BE, deri tash, ka këmbëngulur se fjala është për “certifikata” që do të përdoren vetëm për “çështje shëndetësore”, e jo si “dokumente udhëtimi”.

Megjithatë, Komisioni Evropian tani pranon se qëllimi është të lehtësohet udhëtimi në kohën kur po bëhen përpjekje për rimëkëmbje ekonomike, sidomos në sektorin e udhëtimeve dhe turizmit.

Mamer, i pyetur se a do të jenë këto vërtetime për vaksinim vetëm për përdorime në sistemin shëndetësor apo edhe për udhëtime, tha se ato “në bazë të gjendjes shëndetësore, do të lehtësojnë udhëtimin”.

Komisioni Evropian, megjithatë, nuk ka fuqi të vendosë për këtë çështje, por vetëm të propozojë.

Pastaj, vendet anëtare, së bashku apo secila në mënyrë individuale, mund të vendosin se si t’i përdorin këto vërtetime./ REL/

Continue Reading

Aktuale