Connect with us

Intervista

Osmani: Të pranohet propozimi i BDl-së për njësitë zgjedhore

Published

on

Osmani për MIA-n: Thirrje drejtuar të gjitha partive politike që ta pranojnë amendamentin e BDl-së për njësitë zgjedhore

Shkup, 8 shkurt 2020 (MIA) – Miratimi i Kodit zgjedhor është jashtëzakonisht i rëndësishëm për rregullsinë e procesit zgjedhor edhe atë nga më shumë aspekte. Së pari për shkak se duhet të implementohen rekomandimet e OSBE ODIHR-së, ndërsa kjo na është veçanërisht e rëndësishme tani në prag të samiteve evropiane, por së dyti edhe për shkak se për herë të parë po hyjmë në një mënyrë të re të financimit të fushatave zgjedhore, ku shumë çështje duhet të rregullohen.

Këtë sot në intervistën për MIA-n e deklaroi zëvendëskryeministri përgjegjës për çështje evropiane Bujar Osmani, lidhur me kërkesën e BDl-së për balancimin e detajuar të njësive zgjedhore.

– Për të gjitha këto çështje arritëm konsensus mes partive politike. Një çështje që është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe nga e cila varet ligjshmëria e procesit zgjedhor është dallimi në numrin e votuesve në njësitë e ndryshme zgjedhore, bëri të ditur Osmani.

Fitohet përshtypje se BDl-ja e bllokon Kodin zgjedhor në Kuvend, kërkoni balancimin e njësive zgjedhore. A mund të jepni një sqarim?

– Miratimi i Kodit zgjedhor është jashtëzakonisht i rëndësishëm për rregullsinë e procesit zgjedhor edhe atë prej më shumë aspekteve. Së pari për shkak se duhet të implementohen rekomandimet e OSBE ODIHR-së, ndërsa kjo na është veçanërisht e rëndësishme tani në prag të samiteve evropiane, por së dyti edhe për shkak se për herë të parë po hyjmë në një mënyrë të re të financimit të fushatave zgjedhore, ku shumë çështje duhet të rregullohen. Për të gjitha këto çështje arritëm konsensus mes partive politike. Një çështje që është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe nga e cila varet ligjshmëria e procesit zgjedhor është dallimi në numrin e votuesve në njësitë e ndryshme zgjedhore.

Disa ditë më parë KSHZ-ja dhe kryetari i dërguan letër Ministrisë së Drejtësisë, duke bërë të ditur se për herë të parë në katër njësi zgjedhore kemi devijim prej mbi 5 për qind, gjë që është jashtë kufizimeve ligjore, edhe atë dallimi mes NJZ-së së gjashtë dhe NJZ-së së tretë është rreth 40 mijë vota, me çka i bën votuesit të pabarabartë, gjegjësisht vota e tyre nuk është me peshë të njëjtë gjatë zgjedhjes së tyre. Edhe kjo është arsyeja dhe është e vërtetë se BDl-ja e frenon në këtë moment në Kuvend Kodin Zgjedhor për arsye se nuk duam që ta marrim përsipër përgjegjësinë për paligjshmërinë e këtij procesi zgjedhor. Ka paralajmërime se njerëzit mund të dorëzojnë edhe parashtresë në Gjykatën Kushtetuese për paligjshmëri të procesit zgjedhor dhe kjo ta ndërlikojë në mënyrë plotësuese jo vetëm procesin zgjedhor, por edhe situatën politike në përgjithësi.

Prandaj, propozuam zhvendosje të sakta dhe të matura mirë të kalkuluar të vendvotimeve nga njëra NJZ në tjetrën në mënyrë që të gjitha NJZ-të të bien nën limitin zgjedhor prej 5 për qind. U bëjmë thirrje partive politike që ta pranojnë këtë amendament të BDl-së meqë qëllimi i këtij amendamenti është vetëm ligjshmëria e procesit dhe mundësimin e barabarësisë në peshën e votës së secilit qytetar në cilëndo NJZ. Shpresoj se partitë politike do të reflektojnë ndaj kësaj nevojë dhe nuk do të lejojnë rrezikimin e procesit të paligjshëm zgjedhor, që mund ta vështirësojë në mënyrë plotësuese situatën politike në vend.

KSHZ-ja reagoi tashmë. Në këtë mënyrë doni ta rregulloni gjithë këtë situatë me njësitë zgjedhore, jo përmes Ministrisë së Drejtësisë, por me ndryshim amendamentesh?

– Propozimi është i deputetëve. Në grupet e punës e propozuam amendamentin tonë, ky është amendamenti 51, i cili ka të bëjë me nenin 175 të Kodit aktual zgjedhor në të cilin do të trajtohen këto zhvendosje të njësive zgjedhore nga njëra NJZ në tjetrën. Presim që partitë politike ta pranojnë këtë amendament që të mund të nënshkruajmë edhe ne Kodin zgjedhor dhe të shkojë të votohet me konsensus. Ligji mund të votohet që sot, kryetari i Kuvendit do të thërriste seancë të veçantë të Kuvendit në çdo moment kur do të arrihet konsensus për këtë çështje. Ditët janë të shkurtra, kemi edhe tri ditë pune duke përfshirë edhe ditën e sotme që të mund të arrijmë konsensus. Mendoj se duhet doemos të sigurojmë ligjshmëri të procesit. Cilado çështje tjetër në një proces të paligjshëm do të vihet në pikëpyetje.

Sipas njohurive Tuaja, a ka vullnet për konsensus?

– Tani për tani disa parti politike konsiderojnë se është tepër vonë që të hyhet në kalkulime të tilla, të tjerët i bëjnë kalkulimet. Mirëpo, kjo nuk është çështje e vullnetit politik. Kjo është çështje e respektimit të ligjit – nëse do të hyjmë me vetëdije në një proces në të cilin në katër prej gjithsej gjashtë njësive zgjedhore shkelet Kodi Zgjedhor.

Për Ligjin për prokurori publike kryeparlamentari Talat Xhaferi doli me qëndrimin se nëse miratohet qëndrim i harmonizuar deri në orën 23 më 12 shkurt, mund të vihet në seancë parlamentare. A keni njohuri nëse ka vullnet te VMRO-DPMNE-ja që të harmonizohet ky ligj ose do të shkohet me kërkesë të shumicës prej dy të tretave?

– E dini se esenca e ligjit për prokurori publike është zgjidhur me faktin që PP-ja e merr përsipër punën e PSP-së. Mirëpo, megjithatë, forma e këtij ligji, nevoja për miratim më shumë ka mbetur në perceptimin e disa vendeve anëtare si kriter i rëndësishëm për miratimin e vendimit për fillimin e bisedimeve përkundër faktit që them se çështjet substanciale të Ligjit janë trajtuar tashmë në mënyrë të ndryshme. Lëndët janë marrë përsipër, arkivi, të punësuarit. Mirëpo, për shkak se edhe perceptimi është i rëndësishëm në politikë, prandaj bëjmë përpjekje të gjejmë konsensus dhe të miratojmë ligjin. Konsensusi është i rëndësishëm meqë do të dërgonim porosi se kur ka të bëjë me luftimin e korrupsionit të gjitha partitë politike jemi “për”. Sigurisht ka edhe tentime për të siguruar 80 deputetë jashtë qëndrimeve partiake, gjegjësisht të shihet qëndrimi i deputetëve, kështu që ka edhe tre ditë për ta bërë këtë tentim dhe të shihet nëse ka 80 deputetë që do të sigurohen për Ligjin për prokurori publike.

 

Continue Reading

Intervista

Deputeti suedez tregon tri arsyet pse nuk po liberalizohen vizat për Kosovën: Ja çka duhet të bëjë Qeveria e re

Published

on

Deputeti në Parlamentin e Suedisë nga Partia Demokristiane Magnus Jacobsson, ka folur për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ai ka theksuar se problemi kryesor për hezitimin e Francës dhe Holandës në këtë çështje, është korrupsioni në Kosovë.

Deputeti, i cili disa herë ka thirrur interpelanca rreth liberalizimit të vizave për Kosovën, ka treguar edhe hapat që duhet t’i bëjë qeveria e Kosovës për të arritur këtë synim.

Jacobsson ka folur edhe për marrëveshjen finale me Serbinë, duke thënë se kjo e fundit do ta njohë Kosovën si një shtet të pavarur, nëse të dyja vendet arrijnë marrëdhënie më të mira përmes tregtisë.

Deputeti suedez ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të negociojë me disa vende në Ballkan për anëtarësimin e Kosovës në BE. Ai ka kërkuar nga BE-ja që ta ndihmojë Kosovën për gjetjen e personave që ende figurojnë të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.

Jacobsson ka treguar edhe arsyen se pse i kishte nominuar për Çmimin Nobel për Paqe Qeverinë e Kosovës, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe atë të Serbisë, për marrëveshjen e 4 shtatorit në Uashington.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Qe një kohë të gjatë keni ngritur zërin me kërkesën për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës? Pse nuk po ndodhë një gjë e tillë?

Magnus Jacobsson: Unë mendoj se ka disa arsye të ndryshme për këtë. Disa tregojnë problemin e korrupsionit në Kosovë, i cili është një çështje që duhet ta adresojnë qeveria e Kosovës, bizneset dhe qytetarët e Kosovës. Arsye tjetër është ndoshta që vendet individuale në BE kanë fushat e tyre që gjithashtu dëshirojnë rritjen e autonomisë dhe pavarësisë, gjë që i bën këto vende më hezituese për të lehtësuar Kosovën bazuar në vlerësimet e tyre politike. Ka edhe nga ata që shqetësohen se udhëtimi pa viza do të rezultojë që “të gjithë” të rinjtë që largohen nga Kosova.

“Bota sot”: Çka duhet të bëjë Kosova që t’i bind shtetet që po e kundërshtojnë liberalizimin (Francën dhe Holandën)?

Magnus Jacobsson: Vështirë të përgjigjem pasi realisht nuk ndjek debatin e brendshëm midis Francës dhe Holandës. Por në përgjithësi, mendoj se Kosova duhet të punojë në disa strategji. Njëra është forcimi i institucioneve ligjore në Kosovë në mënyrë që të luftohet korrupsioni. Unë besoj se ne duhet të vazhdojmë të punojmë me Shtetet e Bashkuara, e cila ka treguar se është një mik i një Kosove të lirë, se ajo duhet të vazhdojë të punojë me vendet e ndryshme të Bashkimit Evropian, dhe edhe nëse është e dhimbshme, ajo duhet të gradualisht të përmirësojë marrëdhëniet me Serbinë. Mbi këtë bazë, ndër të tjera, unë nominova marrëveshjen tregtare midis Kosovës dhe Serbisë për Çmimin Nobel për Paqe.

“Bota sot”: Ju personalisht çka do të bëni në këtë drejtim?

Magnus Jacobsson: Është gjithmonë e vështirë të japësh këshilla për vendet e tjera, por gruaja ime vjen nga Estonia dhe ata kanë bërë disa gjëra vërtet të mira që e kanë bërë zhvillimin e tyre pozitiv.

– Forcimi i policisë dhe luftimi i korrupsionit

– Investoni te të rinjtë përmes një sistemi të mirë arsimor

– Lehtësoni sipërmarrjen në mënyrë që të krijohen më shumë vende pune

– Krijoni një sistem taksash që perceptohet si i drejtë dhe ku njerëzit pranojnë dhe paguajnë taksat e tyre

Besoni se kjo është pjesë e asaj që çdo vend i ri duhet të bëjë. Atëherë ju duhen punë dhe të ardhura për shtetin nëse dëshironi ta bëni një vend të funksionojë.

“Bota sot”: Keni paralajmëruar se mund të ketë rritje të ndikimit rus dhe turk në Ballkan. Si mund të shmanget një gjë e tillë?

Magnus Jacobsson: Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të përfshihen në Ballkan dhe unë besoj se Bashkimi Evropian duhet të rrisë interesin e tij për Ballkanin. Ballkani është pjesë e Evropës dhe për këtë arsye ne në Evropë duhet të sigurojmë që Ballkani të bëhet një pjesë e integruar mirë e BE-së dhe pjesës tjetër të Evropës. Tregtia e lirë dhe forma të tjera të bashkëpunimit dhe fakti që Ballkani është anëtar i BE-së në planin afatgjatë është ajo që unë besoj se është mënyra më e mirë për të zhvilluar Ballkanin me kalimin e kohës.

“Bota sot”: Ju keni nominuar për Çmimin Nobel për Paqe qeverinë e SHBA-së, të Kosovës dhe të Serbisë, pas arritjes së marrëveshjes më 4 shtator në Uashington. A do ta fitojnë ato këtë çmim?

Magnus Jacobsson: Fatkeqësisht, nuk mendoj kështu pasi kjo është perceptuar si e ndjeshme. Por duke bërë këtë nominim, unë i kam treguar botës së jashtme se gjëra pozitive po ndodhin në Ballkan. Nëse Kosova dhe Serbia arrijnë marrëdhënie më të mira përmes tregtisë dhe kontakteve të zgjeruara, unë shpresoj se në planin afatgjatë kjo do të çojë që Serbia ta njohë Kosovën si një shtet të pavarur, gjë që do ta bëjë më të lehtë integrimin e Kosovës në BE. Besoj se ishte mirë që Shtetet e Bashkuara morën këtë iniciativë dhe besoj se Bashkimi Evropian duhet të bëjë më shumë për të siguruar paqen dhe zhvillimin ekonomik, jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë Ballkanin.

“Bota sot”: Si mund të arrihet marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë, përderisa presidenti serb Aleksandar Vuçiq po e kundërshton njohjen e Kosovës?

Magnus Jacobsson: Nuk e di. Sidoqoftë, të gjitha marrëveshjet duhet të negociohen ndërmjet palëve, të cilat për arsye të ndryshme nuk pajtohen. Lufta ishte e tmerrshme, mijëra njerëz vdiqën dhe u abuzuan. Ky është një fakt, por sado i vështirë të jetë, ne si politikanë duhet të përpiqemi të punojmë për të ardhmen.

Unë besoj se BE mund të kontribuojë, për shembull, duke negociuar me disa vende në Ballkan në të njëjtën kohë për një anëtarësim në BE dhe duke e lidhur anëtarësimin me njohjen e sovranitetit të njëri-tjetrit dhe duke ndihmuar në gjetjen e trupave të vdekur që nuk janë gjetur ende. Gjithkush ka të drejtë të shkojë te varri dhe të vajtojë të dashurit e tij.

“Bota sot”: Në bazë të rezultatit të zgjedhjeve, Kosova do të ketë tani një qeverisje me politikanë krejtësisht tjerë nga ata që ishin deri tani në pushtet. Cilat duhet të jenë prioritetet e qeverisë së re të Kosovës?

Magnus Jacobsson: Unë përmbahem nga komentimi mbi politikën e brendshme të Kosovës. Pavarësisht kësaj, qeverisë së re të Kosovës, i uroj fatin më të mirë dhe do të vazhdoj të përpiqem të shtoj nevojën për udhëtime pa viza dhe një punë më aktive të BE-së në Kosovë dhe Ballkan.

“Bota sot”: A mendoni se po menaxhohet mirë situata me Koronavirusin në Kosovë dhe më gjerë?

Magnus Jacobsson: Unë nuk jam i informuar sa duhet për mënyrën se si Kosova e ka trajtuar situatën, por në përgjithësi është e vështirë për ne si politikanë të gjykojmë nëse kemi bërë gjënë e duhur apo gjënë e gabuar. Virusi na ka prekur të gjithëve dhe ne duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin në mënyrë që përfundimisht të kthehemi në një jetë normale.

Continue Reading

Intervista

Intervistë e Bekim Qokut për shtypin bullgar – Shqiptarët e Maqedonisë ndjehen të ofenduar nga indiferenca dhe plogështia e shtetit amë, Shqipërisë!

Published

on

By

Intervistë me Bekim Qokun, enkas për Obshtestvo.net

I nderuar z. Qoku, a mund të na tregoni më shumë për skandalin me librat mësimorë në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe pse shqiptarët ndihen të ofenduar?

Ta nisim nga fundi. Deri sot e kësaj dite nuk është vënë askush para përgjegjësisë për të pavërtetat shkencore deri në nivel fyerjesh që i gjejmë nëpër librat shkollorë për popullin shqiptar që përndryshe përbën mbi 30% të popullsisë së Maqedonisë së Veriut, dhe që asimetrikisht ka qenë tejet korrekt dhe i drejtë ndaj popullit maqedonas. Nuk ka ndodhur asnjë kërkim falje, nuk është shkarkuar askush, nuk ka pasur asnjë protestë masive, nuk janë djegur publikisht këto lloj librash. Shkurt, nuk pati fatkeqësisht asnjë skandal. Ja njëri ofendim.

Por ne si shqiptarë jemi të ofenduar edhe më shumë me impotencën politike të klasës tonë politike që tani mban tërë ato poste të rëndësishme nëpër institucionet shtetërore, jemi të ofenduar nga kryetari shqiptar i kuvendit, nga 30 deputetët shqiptarë, nga 1/3 e kabinetit qeveritar, etj. Jemi të ofenduar e të zemëruar sidomos nga niveli i ulët e shterp i elitës sonë të njomë e të plakur intelektuale dhe kulturore. Aq më tepër kur ajo deklarohet se vjen nga tre universitete publike dhe disa private. Jemi të fyer nga anëtarët shqiptarë të Akademisë së shkencave dhe arteve, nga mijëra mësues e profesorë, pedagogë e doktorë shkencash, nga gazetarë të 4 a 5 televizioneve kombëtare e plot lokale, nga studiues institutesh kërkimore, nga opozita shqiptare që i dërgon letër ministres së arsimit duke e lutur ta heqë librin me fyerje nga qarkullimi, por pa cekur asnjë veprim apo pasojë në rast se kjo nuk i përgjigjet pozitivisht lutjes së opozitës. Siç e shihni, fyerjet ndaj nesh janë një radhë e gjatë.

Ne ndjehemi të ofenduar veçanërisht nga indiferenca dhe plogështia e shtetit amë, Republikës së Shqipërisë, sepse ajo e ka për detyrë kushtetuese dhe morale e kombëtare të bëhet gardiane e pjesëtarëve të kombit të saj kudo ku ata janë pre e sulmeve, propagandave apo fyerjeve nga ana e institucioneve zyrtare të një shteti të huaj. Për shtrembërimet shkencore dhe fyerjet në drejtim të bullgarëve nga institucionet e MV flet zëshëm vetë Sofia zyrtare, KM Borisov, ministria e PJ Zaharieva apo z. Karakatçov si ministër i mbrojtjes dhe jo qytetarët e thjeshtë. Dhe kjo i bën nder shtetit dhe kombit bullgar.

Maqedonasit kanë vuajtur gjithmonë nga kompleksi i origjinës. Këtë gjendje psikologjike nuk mund të mos e vësh re kur psiko-analizon shtatoret e shën Kirilit dhe Metodit apo të shën Klimentit e të tjera dhe shikon se si këmbët e tyre janë bërë në formë të rrënjëve që lëshohen teposhtë piedestalit. Këtë kompleks që u shkakton një boshllëk identiteti ato e kompensojnë me inxhinierungun e realiteteve stereotipike të Tjetrit, të dehumanizimit të shqiptarit të prapambetur, të zbritur nga mali, ardhacak, shqiptarit jo autentik, apo bullgarit fashist e me fizik të deformuar etj. Vetëdija maqedonase i ka lënë vendin kompleksit maqedonas. Në vend të polisit, qytezës, ata kanë projektuar një shesh të madh xhirimi, një Cinecittà të emërtuar Skopje 2014.

Sipas Jush, cilat janë masat e nevojshme për zgjidhjen e këtij problemi dhe a kanë partitë shqiptare strategji të qarta në këtë drejtim?

Nëse duam t’u shkojmë deri në fund dhe t’i kuptojmë botëkuptimet politike, historike dhe kulturore të klasës politike dhe elitës intelektuale dhe artistike të maqedonasve të kohës, nuk mund të anashkalojmë ndikimin që kanë ushtruar mbi ta kurrikulat dhe librat shkollorë të dekadave të fundit. Pra nëse duam të racionalizojmë simpatitë dhe epjen kulturore ndaj popullit serb dhe paragjykimet dhe urrejtjen që po shpërfaqet ndaj bullgarëve dhe sidomos ndaj shqiptarëve, duhet patjetër që të shpjegojmë indoktrinimin didaktik dhe sistematik që buron nga sistemi arsimor. Klasa politike, të udhëhequra nga Gruevski dhe Zaevi, janë pjellë e hegjemonisë kulturore serbomadhe. Ajo është produkt dhe njëkohësisht ricikluese të këtyre mendësive serbofile nga njëra anë, dhe antibullgare dhe antishqiptare nga ana tjetër, dhe që do të nxisin vazhdimisht kriza të thella politike në vend. Maqedonia e Veriut, përmes sjelljes së elitës së saj politike na shtyn pa reshtur të mendojmë se ajo është mbetja e vetme e projektit jugosllav. Sa më shumë që politikat zyrtare imagjinojnë identitetin e tyre, aq më shumë lënda e kësaj imagjinate është fyerje, aq më shumë është ndjekëse e politikës së Beogradit, aq më shumë ajo prodhon racizëm ndaj përbërësve të tjerë etnikë të këtij shteti.

Për fat të keq, kundër kësaj klase politike, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, të asnjë instancë politike dhe akademike, për aq sa kam dijeni, nuk kanë strategji dhe as alternativë, aq më pak ndonjë vizion të qartë, jo vetëm lidhur me problemin në fjalë, por për asnjë çështje madhore që ka të bëjë me ta në kuadër të vendit apo rajonit. Dhe ekuilibri i brishtë mes heshtjes afatgjatë të shqiptarëve dhe racizmit këmbëngulës të elitës maqedonase, krijon një situatë që nuk i ngjan aspak stabilitetit.

Sidoqoftë, nëse ka vullnet të mirë, problemi i kësaj natyre zgjidhet shpejt e me pak mund. Bota njeh praktika të eksperimentuara tanimë për harmonizimin e librave shkollorë duke ngritur komisione të përbashkëta. Kësi komisionesh janë ngritur ta zëmë midis Gjermanisë dhe Izraelit, apo Gjermanisë dhe Polonisë për përpilimin e historisë, gjeografisë, etj. Një komision i tillë këtu mund të formësohej midis Institutit të historisë të Universitetit Kiril dhe Metodij dhe Katedrës së historisë e Universitetit të Tetovës, apo edhe Institutit të trashëgimisë shpirtërore e kulturore të shqiptarëve, të cilët do të ishin hallka e fundit e procesit të botimit të një libri shkollor. Në këtë mënyrë ne do të kishim një adresë të saktë të përgjegjësve kompetentë.

Në MV veprojnë aktualisht komisione të tilla binacionale midis MV dhe Greqisë, ndonëse në MV nuk jeton asnjë grek, që harmonizojnë përmbajtjen e librit shkollor. Kjo tregon se me një shtet të konceptuar në mënyrë të tillë nga zyrtarët e vet maqedonas, sjellja zemërgjerë nuk bën asnjë punë dhe nuk ka asnjë vlerë.

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut duhet të bëhet regjistrimi i popullsisë në pranverë, por refuzimi i ndryshimeve të ligjit për shtetësi, me të cilat duhej të lehtësohej mënyra e marrjes së shtetësisë, a përjashton shumë qytetarë prej këtij procesi?

Çka thamë më sipër dëfton edhe faktin se shteti i Maqedonisë së Veriut lëngon nga mungesa e kohezionit social. Përbërja etnike e vendit nuk korrespondon me rendin unitar kushtetues. Mbijetesa e këtij shteti kësisoj, do të varet gjithmonë nga dominimi i theksuar i njërës etni mbi tjetrën. Ky dominim manifestohet përmes numrave. Ne shqiptarët quhemi populli që flet gjuhën mbi 20% që është e ndryshme nga ajo maqedonase. Pra politika maqedonase veriore i ka vënë një prag sasior ekzistencës demografike të shqiptarëve. Dua të them, se klasa (etnia) dominuese nuk do të ndërmarrë asnjë ndryshim të kornizës ligjore që do të kërcënonte këtë raport asimetrik. Për pasojë, Maqedonia e Veriut e ka vetëpërcaktuar natyrën si shtet që mbijeton dhe mbahet në këmbë mbi themelet e pabarazisë dhe padrejtësive sociale.

Në këtë aspekt duhen përmendur privilegjet që gëzon komuniteti sërb që përbën realisht 0.5% të popullsisë dhe në kushtetutë ka statusin e bashkësisë njësoj si shqiptarët që janë mbi 30%. Kësaj pakice të privilegjuar, KM Zaev i premtoi së fundmi që serbishtja do të futet si gjuhë zgjedhore nëpër shkollat e vendit, njësoj siç është premtuar për shqipen. Nga ana tjetër, nëse në 20 vitet e fundit janë dhënë rreth 100 mijë pasaporta bullgare për qytetarët e MV, dhe nëse supozojmë se çdo posedues ka të paktën një familjar, sot, në MV duhet të jetojnë rreth 10% bullgarë. Këta qytetarë nuk do të kenë grafën e tyre në formularët e regjistrimit. Serbët me 0.5% po. Pra politika e elitës maqedono-veriore ka dhe mundësinë të projektojë mbi përbërësit etnikë të shtetit të MV-së hierarkinë raciale.

Në javët e fundit flitet për rënien e koalicionit qeverisës dhe për zgjedhje të parakohshme në Maqedoninë e Veriut. A ka gjasa që kjo të ndodhë?

Nga viti 2006 asnjë qeveri nuk ka pasur asnjë mandat të plotë katër vjeçar. Nga ajo që u tha më sipër, këtij shteti i mungon bazamenti dhe premisa për të pasur një stabilitet politik afatgjatë. Qeveritë do të jenë gjithmonë të brishta dhe do të përpiqen të garantojnë dhe reflektojnë vetëm interesat e grupeve të ngushta klanore dhe oligarkike, por kurrë të shtetit dhe popullit në mungesë të Maqedonisë së Veriut. Aktualisht, nuk duket në horizont që dikush do të ketë vullnetin dhe guximin për ndryshime pozitive, andaj vështirë se priten ditë më të mira. Nuk mund të pritet pra shumë prej një shteti që pakëson dhe denigron pothuaj gjysmën e popullsisë së vet.

A mendoni se fitorja e Lëvizjes “Vetëvendosje” mund të sjellë ndryshime edhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut?

Një nga pasojat e rënda që kanë vuajtur shqiptarët në regjimin komunist jugusllav (lexo serb) ka qenë eliminimi i elitës shqiptare politike, intelektuale dhe ekonomike. Elita që u ngrit rishtas pas luftës në Kosovë ka qenë shumë agresive, e dhunshme dhe tejet abuzive me pasurinë kombëtare. Lëvizja Vetëvendosje! (LV) është një lëvizje politike e përbërë kryesisht nga brezi i millenials, pra vajza e djem të këtij mileniumi. Dhe ta tërheqësh këtë brez të smartphonëve aktivisht në politikë, duhet të jesh vërtet shumë i mirë dhe joshës.

LV jep shpresë sepse arriti të përmbysë me mjete demokratike (që është diçka jashtëzakonisht e guximshme) këtë elitë politike të përbërë nga komandantë lufte dhe funksionarë të vjetër të Jugosllavisë që ishte varur si me kanxha pas pushtetit dhe po i thithte gjithë energjitë pozitive vendit. Ky triumf i saj sot shërben si një storie suksesi që frymëzon jo vetëm të rinjtë shqiptarë të MV, por edhe më gjerë. LV ka treguar se ka vullnet dhe vizion jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin. Albin Kurti, lideri i saj, në shumë raste ka vënë theksin dhe ka favorizuar aleancat e reja ballkanike midis shqiptarëve, bullgarëve dhe kroatëve në Ballkan dhe Gjermanisë në Evropë.

LV ka fituar fuqishëm edhe në rrafshin ideologjik. Ajo nuk fitoi as me populizëm e as me ndonjë ndjenjë shovine ndaj regjimit të korruptuar, por me program social-demokrat të thelluar. Fitorja e saj ka patur një jehonë shumë pozitive në Evropë.

Tjetra, LV ka kundërshtuar vazhdimisht projektin të quajtur Minischengen, ku bën pjesë Serbia, Shqipëria e Edi Ramës dhe Maqedonia e Veriut. Ky është një projekt i Vuçiqit dhe i hartuar vetëm për interesat e Serbisë. Përfshirja e M. së Veriut në këtë projekt u bë vetëm për ta larguar atë nga sfera e ndikimit Bullgar dhe për ta afruar me Serbinë. Ky është një gabim i pafalshëm i Edi Ramës, që u kushton shumë shqiptarëve. Le ta them pak ndryshe: Me lidhjen e tij të fuqishme me Vuçiqin, Edi Rama kërkon të dobësojë rolin e Kosovës në rajon. Me anë të lidhjes me Zaevin, kërkon të fusë mes Maqedonisë dhe Bullgarisë një vakum që mbushet me ndikimin ruso-serb. Me anë të Minishengenit, marrëveshja Vuçiq-Rama kërkon të shtyjë edhe me larg prej Ballkanit Bashkimin Evropian. Ndaj kësaj politike duhet të krijohet një bashkëpunim i pjekur mes vendeve që nuk kërkojnë të krijohen kuti të errëta brenda Ballkanit.

Në këtë aspekt, vlerësoj se shteti Bullgar te Lëvizja Vetëvendosje do të gjejë një partner bashkëpunimi të kthjellët dhe serioz.

Faleminderit shumë!

Continue Reading

Intervista

Gazetarët në vijën e parë të frontit kundër pandemisë, të mbeten të guximshëm me fjalët, e të kujdesshëm me shoqërimet

Published

on

Gazetarët në vijën e parë të frontit kundër pandemisë, të mbeten të guximshëm me fjalët, e të kujdesshëm me shoqërimet

Një gazetar pozitiv ndaj virusit korona, katër gazetarë nga Kanal 5 në vetizolim, televizioni pohon se janë ndërmarrë të gjitha masat për mbrojtje, politikanët solidarizohen me gazetarët. Ky është epilogu nga dita e djeshme kur sërish u hap çështja e profesionit të gazetarëve dhe sa është e vlerësuar ajo në këto kushte të jashtëzakonshme të punës, kur rekomandimet janë të qëndrohet në shtëpi dhe sa është e mundshme të kufizohet lëvizja jashtë në mënyrë që të parandalohet përhapja e virusit korona.

Por, ndonëse në periudhën e kaluar janë shprehur angazhime publike nga politikanët se do të qëndrojnë prapa gazetarëve dhe se janë në vijat e para të frontit shtrohet pyetja se sa janë ata të sigurt në kushte të pandemisë së Kovid-19, duke marrë parasysh faktin se puna e tyre është në terren, punëtorët mediatik dalin në terren për t’i informuar qytetarët për gjithë atë që po ndodhë në vendin e tyre.

Në këtë temë biseduam me kryetarin e Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Mlladen Çadikovski dhe me njeriun e parë të Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve dhe Punëtorëve Mediatik, Zvezdan Georgievski.

– Ishte çështja kohe se kur do të ndodhë të ketë ndonjë të sëmurë nga pala e gazetarëve te ne, meqë kjo tashmë ka ndodhur në disa redaksi jashtë vendit. Krahas gjithë atij personeli mjekësor dhe policëve, ishte për t’u pritur se gazetarët nuk do të mbeten imunë ndaj pandemisë globale. Të gjithë jemi në komunikim të përditshëm edhe me njerëz në terren, por edhe në redaksitë. Nuk ka siguri 100 për qind, meqë ky armik është i tejdukshëm, por kjo nuk do të thotë se nuk duhet t’i ndërmarrim të gjitha masat e mundshme, thekson Çadikovski për MIA-n.

Njeriu i parë i SHGM-së shprehet se ata që mund të punojnë nga shtëpia, duhet ta bëjnë këtë, ato redaksi që mund t’i lejojnë vetes punë në grupe, duhet doemos ta bëjnë këtë.

– Maskat dhe dorëzat janë vetëm një pjesë e mbrojtjes, por jo e mjaftueshme, nëse nuk jemi të vetëdijshëm se duhet doemos të zvogëlohet shoqërimi dhe të shndërrohet në shoqërim nga distanca, shton Çadikovski.

SHGM-ja përgatiti doracak special për raportim etik dhe siguri gjatë punës, për të cilin insiston që të respektohet. Çadikovski informon se doracaku si doracak i vetëm gjithëpërfshirës është përkthyer në anglisht dhe shqip, ndërsa është dërguar edhe në Federatën Evropiane të Gazetarëve, që ua shpërndau të gjitha anëtareve të saj në Evropë si doracak praktik për përballje me redaksitë e gazetarëve në kushte të pandemisë.

– Kjo flet për seriozitetin me të cilin i jemi qasur projektit. Ja edhe nga Këshilli i Evropës nga Kievi, kërkuan leje për përkthimin e doracakut dhe përdorimin e tij. Gjithsesi, që të jemi të mbrojtur mjaftueshëm duhet të gjithë t’u përmbahemi udhëzimeve, jo vetëm gazetarët, por edhe kompanitë në të cilat punojmë. Shumica i pranojnë këto vërejtje, shton Çadikovski.

Georgievski thekson se punëtorët mediatik janë aq të sigurt sa, në kuadër të mundësive të tyre, do të sigurojnë vetë.

SGPM-ja, përkujton Georgievski kërkoi nga Qeveria dhe nga Shtabi i krizës redaksive dhe mediave t’u sigurojë në mënyrë të organizuar dhe sistemore mbrojtje përkatëse (dorëza, maska, mjete dezinfektimi… ), por, siç shton, menaxherët e gjendjes së krizës kanë mbetur të shurdhër ndaj këtyre kërkesave.

– Ajo që na mbetet neve është që të bëjmë thirrje dhe të shpresojmë se e gjithë puna do të kalojë me dëm gjithnjë e më të vogël. SGPM-ja rregullisht i publikon dhe ripublikon rekomandimet për mbrojtjen e gazetarëve që i miratoi Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IJF) dhe të cilët mund të gjenden në sajtin tonë www.sssnm.org.mk Ja, shfrytëzoj edhe këtë rast që t’i lus kolegët që t’i ndjekin në mënyrë rigoroze këto rekomandime, thekson njeriu i parë i SGPM-së.

Të shqyrtohet mundësia që gazetarët të testohen më shpesh

Pas lajmit për testin pozitiv ndaj virusit korona të kryeredaktorit përgjegjës të televizionit Kanal 5, Goce Mihajllovski u paraqit brengosje në mesin e gazetarëve, kush me kë ka komunikuar, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dje në konferencën për gazetarë e qetësonte situatën, tha se tashmë janë identifikuar kontaktet, janë bërë intervista, një pjesë do të bëhen sot.

Edhe katër kolegë të Mihajllovskit, për shkak të kontaktit, janë vendosur në vetizolim. Televizioni, përkundër sfidës me të cilën përballet, vazhdon të informojë.

Çadikovski në bisedën për MIA-n i dëshiroi Mihajllovskit shërim më të shpejtë dhe shfaqi shpresë se epidemiologët e kanë bërë mirë punën dhe se nuk do të lejohet zgjerim i mëtejshëm i virusit.

– Dëshiroj që Goce të shërohet më shpejtë dhe t’u kthehet detyrave të tij profesionale. Jam i vetëdijshëm për brengosjen në mesin e gazetarëve dhe kolegëve, veçanërisht tani në Kanal 5, por mbetet të shpresojmë se epidemiologët e kanë bërë mirë detyrën e tyre dhe se nuk do të lejohet përhapje e mëtejshme e virusit. Nuk ka tjetër, duhet doemos të jenë të guximshëm, shprehet ai.

Megjithatë, për shkak të rrezikut të profesionit të gazetarëve konsideron se duhet të shqyrtohet mundësia që punëtorët mediatik të jenë të testuar më shpesh.

– Nga ana tjetër, duke marrë parasysh ekspozimin e gazetarëve dhe mundësitë për të qenë të infektuar, a duhet të jenë të testuar më shpesh veçanërisht ato raste për të cilat ka informacione se kanë pasur kontakte me njerëz që bartin virusin. Nuk mund të jenë të gjithë të barabartë para ligjit, por Zaevi dhe Mickovski të jenë më të barabartë se tjerët. Pyetni kolegët nga Kanal 5 të cilët tani janë në vetizolim, çfarë do t’ju thonë… Nëse duhet menjëherë, menjëherë të testohen, në mënyrë që të qetësohet tensioni në këtë profesion. E di se testi nuk është garanci, por nuk ishte garanci as te liderët e partive, por  e bënë atë, theksoi Çadikovski.

Shprehet se profesioni mediatik është tani i brengosur dhe sërish i përsëriti thirrjet për distancë më të fuqishme sociale, por njëherësh edhe të mos harrohet se në këto kohëra puna themelore e mediave është të raportojnë dhe informojnë në mënyrë profesional dhe etike, por edhe të mos i kursejnë politikanët nëse këta të fundit gabojnë.

– Është e vërtetë se është gjendje e jashtëzakonshme, por kjo nuk do të thotë se në gjendje të jashtëzakonshme gjithçka është e lejuar ose se ajo duhet të kufizojë lirinë e fjalës. Prandaj themi, guximshëm me fjalët, kujdes me shoqërimet, theksoi Çadikovski për MIA-n.

Gazetarët t’i lajmërojnë të gjitha rastet e mbrojtjes joadekuate të shëndetit të tyre

Në adresë të SGPM-së mbërrijnë ankesa nga gazetarë dhe punëtorë mediatik se nuk u është siguruar mbrojtje përkatëse gjatë punës në kushte të pandemisë.

– Konsiderojmë se ka lëshime serioze në këtë fushë dhe njëherësh i inkurajojmë gazetarët që të na i lajmërojnë të gjitha rastet e mbrojtjes joadekuate të shëndetit të tyre. Njëherësh i inkurajojmë përmes organizatave tona sindikale që të ushtrojnë presion të fuqishëm ndaj punëdhënësve që t’u mundësohen kushte përkatëse për punë. Ose, në rast se nuk janë të lidhur në mënyrë sindikale, rekomandojmë që të vetorganizohen dhe të ushtrojnë presion të fuqishëm në drejtim të zgjidhjes së këtyre problemeve, shprehet Georgievski për MIA-n.

Çadikovski, nga ana tjetër, thekson se në Maqedoni jemi mësuar me situata se gjërat e këqija i ndodhin dikujt tjetër. Si rezultat, shton ai, është e mundshme të ekzistojë edhe vetëdije e pamjaftueshme për problemin, po edhe papërgjegjësi, së paku në fillim, por tani gjërat shkojnë për së mbari.

– Pjesa më e madhe e redaksive dhe kolegët janë të kënaqur me mënyrën në të cilën kompanitë e tyre i janë qasur problemit. Ankesa të caktuara kishin nga ana e kolegëve, për ta tashmë është folur me përfaqësuesit e kompanive dhe kjo duhet të tejkalohet në periudhën e ardhshme, shton Çadikovski.

SHGM-ja paralajmëroi ndihmë për mediat në pajisje, mjete për dezinfektim, maska, dorëza, ndërsa çështja se deri ku është e gjithë kjo punë dhe nëse në fakt nuk ka vonesë me ndihmën, Çadikovski thekson se kanë arritur që në bashkëpunim me OSBE-në të organizojnë 150 pako me çfarëdo lloji të pajisjes, që së shpejti do t’u shpërndahet redaksive.

– Kjo do të thotë se mbi 100 redaksi, për televizionet dhe radiot kombëtare, por edhe ato rajonale dhe lokale, për portalet që kanë zyrat e tyre, do të jenë të pajisura tërësisht, me dhjetëra lloje të artikujve që do të thonë shumë, veçanërisht në periudhën kur pandemia do të arrijë pikun e saj. Mendoj se do të mbërrijnë me kohë, për të gjithë ata që u lajmëruan në shpalljen tonë. Ishte një operacion i madh dhe tërë organizimi kërkonte kujdes, sërish për shkaqe sigurie, theksoi Çadikovski për MIA-n.

Është vërejtur ulje e numrit të storieve hulumtuese prej fillimit të krizës së koronës

Në vijën e parë të frontit në përballjen me Kovid-19 janë personat mjekësor, policia, ARM-ja dhe kjo është e padyshimtë, përmenden edhe gazetarët, por megjithatë mbetet përshtypja se kjo është disi deklarative. Shtrohet pyetja se sa në fakt është i vlerësuar në mënyrë të drejtë profesioni i gazetarëve në këto momente të krizës.

Çadikovski për MIA-n thekson se konferencat për media nuk janë burimi i vetëm i informimit dhe vëren se ka ulje të storieve hulumtuese prej fillimit të krizës.

– Në gishta mund të numërohen storiet hulumtuese prej fillimit të krizës së koronës. Ishin disa dhe menjëherë gazetarët ishin të bombarduar me kërcënime dhe padi prej qendrave të caktuara të fuqisë. Ky është një tentim për censurë, prandaj edhe reaguam si SHGM me mbështetje për kolegët. Kam ndjenjën se politikanët i përmendin gazetarët në kontekst të mirë, vetëm kur duan t’u vardisen. Në fakt, shumica konsiderojnë se jemi një e keqe e domosdoshme. Nuk na duhet vlerësimi i tyre. Na duhet gjykimi i opinionit, dhe pas përfundimit të kësaj krize, të thotë se e kemi ushtruar mirë detyrën, e jo vetëm në mënyrë deklarative. Gazetarët duhet doemos të mbeten të vetëdijshëm se storiet hulumtuese janë kyçe, thekson Çadikovski.

Thekson se në këto momente të krizës në fakt është treguar rëndësia e rrjeteve korrespondente, diçka që SHGM-ja tenton ta nxjerrë në sipërfaqe tashmë një kohë të caktuar.

– Dhe ajo që tani do të doja veçanërisht ta theksoj është fakti për të cilin shumë jemi angazhuar në periudhën e kaluar – rrjeti i korrespondentëve. U tregua se korrespondentët në gjendje të këtillë, të përballur me një sfidë të këtillë globale, janë shumë të rëndësishëm për mediat. Ata e luajtën rolin e tyre kryesor. Pikërisht edhe për këtë, duhet doemos të kenë vendin e tyre të merituar në redaksitë e gazetarëve, shprehet Çadikovski për MIA-n.

Ulja e pagave të gazetarëve në kohë të pandemisë është ekuivalente me uljen e të ardhurave të punëtorëve mediatik

Sipas njeriut të parë të SGPM-së, Georgievski, Qeveria nuk ka ofruar kushte korrekte për punë të punëtorëve mediatik, ndonëse ata janë në vijat e para të frontit në përballjen me pandeminë.

– Qeveria, ndonëse flet në mënyrë deklarative për mbrojtjen e vendeve të punës dhe të punësuarve, fitohet përshtypje se shumë më tepër i mbron punëdhënësit. Gjatë miratimit të masave konsultohen thuajse vetëm me odat dhe ekonomistët, ndërsa sindikatat dhe shoqatat esnafe janë tërësisht të margjinalizuara. Sa u përket medieve, tashmë i kemi përjashtimet e para në portalet, ndërsa fatkeqësisht paralajmërohen edhe të tjera. Në këtë kontekst, SGPM-ja dhe disa organizata simotra, përgatitë, siç quhet kjo tani në mënyrë të popullarizuar, një set të masave, gjegjësisht kërkesave drejtuar Qeverisë për mbrojtje më të madhe të të punësuarve, veçanërisht të atyre që veprojnë në hapësirën mediatike, shprehet Georgievski për MIA-n.

Në kontekst të masave qeveritare me të cilat në gjendjen e jashtëzakonshme nuk vlejnë marrëveshjet kolektive, por edhe ndihma e paralajmëruar në shumë të pagës minimale për profesionin mediatik, Georgievski thekson se në këto kushte ndoshta nuk është cenuar mbijetesa e medieve, por është cenuar mbijetesa e gazetarëve.

– Pa marrë parasysh marrëveshjet kolektive, ulja e pagave të gazetarëve në çfarëdo forme (paga minimale, marrje të shtesave dhe ngjashëm) nuk është opsion dhe kjo duhet t’u jetë e qartë të gjithëve. Nëse ulen pagat e gazetarëve gjatë pandemisë është krejtësisht njëjtë sikur tani t’u ulen pagat mjekëve dhe personelit mjekësor. Ndërsa kjo nuk vjen parasysh!, porositë Georgievski në bisedën për MIA-n.

Ana Cvetkovska

Continue Reading

Aktuale