Connect with us

Shqipëri

Shkrimi i rrallë i vitit 1267 për “Tërmetin apokaliptik që ka shkatërruar Durrësin”,

Published

on

Një tërmet i rëndë shkatërroi Durrësin në vitin 1267. Për këtë ngjarje apokaliptike, albanologu i ndjerë Robert Elsie na ka lënë pas një rrëfim interesant. Bëhet fjalë për rrëfimin e historianit dhe studiuesit George Pachymeres, i lindur në vitin 1242 dhe i vdekur rreth vitit 1310. Ai lindi në Nikea dhe mbajti detyra të larta në Kostandinopojë.

Libri i tij “Historia” flet për periudhën e sundimit të Mikael Paleologut VIII dhe Androniku II. Ai përbën burimin kryesor për periudhën. Në të është edhe një përshkrim prekës i tërmetit të tmerrshëm që goditi qytetin e Durrësit.

Historiani francez Alain Sucellier e daton këtë ngjarje tragjike në korrik të vitit 1267

Pas disa kohësh, një ngjarje e rëndë dhe e përlotshme ndodhi në Durrës. Gjatë muajit korrik, disa zhurma të pazakonta bënin që toka të dridhej vazhdimisht, zhurma që normalisht do t’i quanim rënkime. Ato po i paraprinin diçkaje të tmerrshme që do ndodhte.

Një ditë, zhurma ishte më e vazhdueshme dhe më e fuqishme se herët e kaluara. Frika që kaploi njerëzit bëri që ata të shkonin dhe të gjenin strehim jashtë qytetit, pasi kishin frikë se gjërat do përkeqësoheshin.

Nata ra mbi rënkimin e një ditë më parë dhe bashkë me të nisi një tërmet i fortë, më i dhunshëm se çdo gjë tjetër në kujtesën e gjallë. Nuk ishte, siç mund ta përshkruajnë disa, një dridhje e tokës në formën e një lëkundjeje, por një lëvizje e tillë kaq e fortë, sa dukej sikur i gjithë qyteti u kthye me kokë poshtë dhe u përplas fuqishëm në tokë.

Shtëpitë dhe godinat e larta nuk rezistuan për një sekondë, duke u rrënuar e duke varrosur brenda banorët. Ata nuk kishin kohë të shpëtonin sepse godinat ishin ndërtuar pranë njëra-tjetrës. Në të vërtetë, kishte më shumë shans që të mbijetonin ata që qëndronin brenda shtëpive sesa ata që dilnin nga shtëpitë që ishin kursyer pjesërisht nga shembja.

Asnjë nga ndërtesat nuk mbijetoi e paprekur. Ato u rrëzuan mbi njëra-tjetrën dhe çdo godinë që kishte rastisur të rezistonte ndaj fatit të shkatërrimit, ishte prishur nga rrëzimi i të tjerave.

Katastrofa ishte e papritur dhe e jashtëzakonshme për të lejuar që dikush të mbijetonte duke u arratisur. Për shumë njerëz, ishte si një ëndërr: ata nuk e zbuluan kurrë se në çfarë ngjarje u zhdukën. Fëmijë të vegjël dhe bebe, që nuk e kuptonin se çfarë kishte ndodhur, u varrosën nën rrënoja.

Zhurma e fortë dhe tmerri ishin të atilla, sa të mbijetuarit që e gjetën veten përballë dallgëve të rritura ndjeshëm në det, imagjinuan se ky nuk ishte vetëm fillimi i agonisë, por në të vërtetë fundi i botës.

Për shkak se qyteti ishte buzë detit dhe tërmeti i tmerrshëm kishte ndodhur kaq papritmas, ata që e gjetën veten jashtë, dhe që ishin zhurdhuar praktikisht, u përballën ashtu siç ishin me një trullosje të tillë nga shpërthimi i shtëpive njëra pas tjetrës, sa nuk mund të parashikonin asgjë tjetër veçse se ky ishte shkatërrimi i tërë universit.

Tërmeti zgjati për aq kohë sa asgjë nuk mbeti në këmbë. Gjithçka brenda qytetit ishte shembur dhe banorët ishin mbytur, me përjashtimin e vetëm të akropolit, që qëndronte i fortë dhe i mbijetoi tërmetit.

Kur agoi dita, banorët e zonave përreth nxituan menjëherë në qytet dhe nisën të gërmojnë, duke përdorur gjithçka që mund të merrnin në duar: sfurqet, kazma dhe çdo mjet pune që gjenin.

Nga të katër anët, ata nisën të gërmojnë, duke u përpjekur sigurisht që të shpëtonin çdo viktimë të pafat që mund të ishte ende gjallë, por ç’është më tepër, në përpjekje edhe për të shtënë në dorë çdo lloj pasurie që mund të nxirrnin nga brenda rrënojave.

Siç ndodhi, bashkë me të rriturit vdiqën dhe trashëgimtarët dhe nuk ishte askush që të pretendonte pronën. Kështu, pas disa ditësh, pasi kishin marrë flori dhe gjëra të tjera që kishin gjetur, shqiptarët rreth e rrotull Durrësit e braktisën këtë qytet të lashtë në vetminë e tij, një qytet tashmë i panjohshëm, i cili numërohej mes qyteteve ekzistues jo prej ekzistencës së tij, por thjeshtë prej emrit.

Peshkopi i tij, Niketas, që kish qenë aty gjithë kohës, mbijetoi, ndonëse në të gjithë trupin tashmë kishte plagë të fatkeqësisë. Përballë një katastrofe të tillë, që askush nuk do të kish menduar ndonjëherë se ishte e mundur, atë e kapi paniku dhe ia mbathi, duke e lënë metropolin të privuar jo vetëm nga personi i tij, por edhe nga banorët, shkëlqimin e ndërtesave dhe gjallërinë e dikurshme. /syri.info

Continue Reading

Bota

Patenta shqiptare do të njihet edhe në Arabinë Saudite

Published

on

By

Patenta shqiptare do të njihet edhe në Arabinë Saudite

Shqipëria ka arritur një marrëveshje me Arabinë Saudite për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit.

Këtë e ka njoftuar Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Duke nisur që pas një muaji shoferët shqiptarë do munden të lëvizin me automjete edhe në Arabinë Saudite.

Njoftimi i plotë:

Përmbyllen procedurat e marrëveshjes për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Arabisë Saudite.

Pas përfundimit të procedurave të brendshme ligjore fillimisht nga pala jonë, Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Arabisë Saudite ka njoftuar përfundimin e procedurave të brendshme ligjore edhe nga pala e tyre.

Marrëveshja, e cila hyn në fuqi 30 ditë pas përfundimit të procedurave, do të lehtësojë lëvizjen reciproke të qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve të dy vendeve tona, përmes përdorimit të patentave, si dhe konvertimin e tyre.

Continue Reading

Bota

Motra e 28-vjeçares që u hodh nga kati i 6-të në Nju Jork: E vrau Florindi bashkë me fëmijën që do të lindte pas disa muajsh

Published

on

By

Motra e 28-vjeçares që u hodh nga kati i 6-të në Nju Jork: E vrau Florindi bashkë me fëmijën që do të lindte pas disa muajsh

Një dëshmi e rëndë vjen pas ngjarjes tragjike dy ditë më parë në Bronx, Nju Jork ku humbën jetën 35-vjeçari shqiptar Florind Belliu dhe bashkëshortja e tij 28 vjeçe Ornela Belliu, duke lënë pas dy fëmijë të mitur.

Ngjarja ishte mister dhe për hetuesit, të cilët po hetonin si në pistën e vetëvrasjes, ashtu dhe në atë të vrasjes. Kjo pasi burrë e grua ranë nga kati i 6 i pallatit ku jetonin. Por sot motra e 28-vjeçares, gruas së aktorit Belliu akuzon këtë të fundit për vrasjen e saj dhe të fëmijës që do të vinte në jetë pas pak muajsh.

Ajo tregon se Florindi vuante nga çrregullimet mendore dhe ishte shtruar dhe në klinikë psikiatrike në Nju Jork.

“E kam shumë të vështirë të flas në këto momente, pasi unë motra e Ornelës dhe e gjithë familja jonë jemi tejet të pikëlluar nga humbja e parakohshme e motrës sonë të dashur, por nuk mund të rri pa i shkruar dy fjalë për motrën time, për engjëllin tonë, që e donte aq shumë jetën, që rrezatonte mirësi dhe e donte i gjithë komuniteti në zonën ku jetonte në Nju Jork.

Vë re me keqardhje që të gjithë portalet janë mbushur me fjalë të ndjera për humbjen e jetës së Florind Belliut, personit që vrau jo vetëm motrën tonë, por edhe fëmijën që do të lindte pas disa muajsh dhe asnjë fjalë keqardhjeje nuk kanë denjuar të shkruajnë për motrën tonë, e cila punonte dhe rriste pothuajse e vetme dy fëmijë të mitur, pasi ai që i mori jetën në mënyrën më makabre kishte kohë, vite që vuante nga çrregullime mendore, kishte kohë që ia kishte bërë jetën të vështirë motrës sonë, por Ornela ishte aq e mirë dhe e dhimbsur saqë shkonte e vizitonte çdo ditë në klinikën psikiatrike ku ishte i izoluar atë që do t’i merrte jetën në mënyrën më kriminale…i dërgonte ushqim siç dëshironte Flori, saqë punonjësit e klinikës e kishin pagëzuar Ornelën ‘engjëll’, pasi ishte e vetmja që shkonte çdo ditë në klinikë…Mjekët e klinikës në Nju Jork e kishin paralajmëruar Ornelën që bashkëshorti i saj kishte ende probleme…”, shkruan ndër të tjera motra e 28-vjeçares.

Continue Reading

Lajme

FBI zbarkon në Tiranë, kjo është arsyeja

Published

on

By

FBI zbarkon në Tiranë, kjo është arsyeja

Një grup i FBI është dislokuar në Tiranë për të mbështetur hetimet për zbulimin e autorësisë së sulmit kibernetik ndaj sistemit të shërbimeve online në Shqipëri.

Lajmi është bërë i ditur nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë vizitës në Qendrën e Kontrollit Teknik të Automjeteve Vlorë.

“Kemi një dislokim të FBI në Tiranë për të ndjekur gjithë procesin. Dhe duhet të ketë një investigim të thellë të këtij sulmi kibernetik, pasi sot lufta më shumë se kurrë zhvillohet ne energji dhe në fushën kibernetike”, tha Balluku.

Sipas saj, këto janë të gjitha fenomenet e zhvillimit teknologjik të botës, por edhe Shqipëria nuk përjashtohet nga këto sulme.

“Ndaj ne po marrim të gjitha masat. Mbështetja që kemi nga partnerët, nga aleatët dhe sidomos siç thashë ky investigim i thellë që po bëhet nga FBI dhe agjencitë e tjera të inteligjencës, do të na japin të gjitha të dhënat, si ka ndodhur sulmi, nga ka ardhur, megjithëse një pjesë e tyre sot janë zbardhur”, tha ajo, duke mos dhënë më shumë detaje, transmeton Atsh.

Ndryshe, Shqipëria muajin e kaluar ka qenë cak i një sulmi kibernetik, për të cilin kryeministri Edi Rama tha se është kryer nga një shtet tjetër, duke mos i përmendur emrin.

Sulmi më i madh kibernetik në historinë e Shqipërisë paralizoi të gjitha faqet qeveritare, përfshirë platformën e shërbimeve online e-Albania, përmes së cilës qytetarët pajisen me shumicën e dokumenteve.

Rama pati deklaruar se në momentin që do të kenë prova të mjaftueshme, Qeveria do të ndërmarrë hapa konkretë diplomatikë.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) njoftoi se sulmi nisi si një sulm tipik në të cilin hakerët u përpoqën të godasin sistemet kritike, duke synuar t’i bënin ato jofunksionale.

Continue Reading

Aktuale