Connect with us

Bota

Loja e të dërguarve specialë: A po e marrin më seriozisht Ballkanin, Amerika dhe BE

Published

on

Nikola Burazer/ European Western Balkans

Duket se ka një inflacion të të dërguarve specialë ose të përfaqësuesve specialë për Ballkanin Perëndimor, pasi aktorët perëndimorë caktuan ose njoftuan caktimin e disa zyrtarëve të tillë. Ndërsa disa argumentojnë se veprime të tilla janë të mirëseardhura dhe se tregojnë angazhim më serioz të BE dhe ShBA për rajonin, arsyet e krijimit të këtyre pozicioneve nuk janë ende plotësisht të qarta, siç nuk është as efekti i emërimeve të tilla.

Së pari ishte Matthew Palmer, Zv/Ndihmës Sekretar i Shtetit i ShBA, i cili u caktua nga Departamenti i Shtetit si përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor. Pastaj u ngrit pyetja nëse BE do të ketë gjithashtu të dërguarin e saj të veçantë për rajonin, siç disa kanë argumentuar gjatë verës. Por doli që ShBA. do të ketë një të dërguar të veçantë shtesë, pasi Richard Grenell, ambasadori aktual amerikan në Gjermani, u emërua si “i dërguari special presidencial për Serbinë dhe negociatat e paqes në Kosovë” nga presidenti Donald Trump.

Momenti për emërime të tilla duket i përshtatshëm. Komisioni i ri Europian do të plotësohet deri në fund të vitit, dhe ka pikëpyetje serioze mbi të ardhmen e zgjerimit të BE-së, të dëshmuar nga mungesa e konsensusit midis shteteve anëtare për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Për më tepër, pasi qeveria e re do të vendoset në Kosovë pas fitores së opozitës, procesi i normalizimit gjithashtu pritet të rifillojë pas një pushimi një vjeçar qëkur Kosova futi tarifa 100% për mallrat nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina.

Sidoqoftë, ka pyetje të ndryshme për të cilat duhen përgjigje. Së pari, pse i duhet ShBA një i dërguar special për dialogun Serbi-Kosovë, kur i dërguari special për të gjithë rajonin u emërua vetëm muajin e kaluar? Së dyti, a mund të presim një të dërguar special të BE-së, siç shumë kërkojnë? Dhe së treti, a vërtetojnë këto emërime një angazhim më serioz perëndimor ndaj Ballkanit Perëndimor?

Pse i duhen Amerikës dy të dërguar specialë?

Emërimi i Matthew Palmer, Zv/ Ndihmës Sekretari i Shtetit i ShBA, si përfaqësues i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, u pa nga shumë si dëshmi se Shtetet e Bashkuara tani janë të vendosura për të filluar dialogun Beograd-Prishtinë.

Si një diplomat me përvojë me lidhje profesionale dhe personale me rajonin, Matthew Palmer ishte një zgjedhje e kuptueshme për një pozicion të tillë. Sidoqoftë, Palmer mbeti në pozicionin e tij të Zv/Ndihmës Sekretarit, i cili në mënyrë të paracaktuar mbulon Ballkanin Perëndimor, dhe nuk ishte plotësisht e qartë se nga vjen nevoja për ta caktuar atë si një përfaqësues “special”.

Shumë vëzhgues u shqetësuan më tej nga emërimi i Richard Grenell, ambasadori aktual i ShBA në Gjermani, si i dërguari i posaçëm presidencial i Donald Trump për negociatat e paqes Serbi-Kosovë. Jo vetëm që Grenell është mjaft i papërvojë në rajon dhe në dialogun Beograd-Prishtinë, por ka qenë një figurë e diskutueshme në Gjermani, duke tensionuar marrëdhëniet midis dy vendeve me deklaratat e tij në lidhje me mbështetjen e ekstremit të djathtë në Europë.

Ivan Vejvoda, bashkëpunëtor i përhershëm në Institutin e Shkencave Humane në Vjenë, tha në intervistën e tij për EWB se ndërsa emërimi i Matthew Palmer ishte i mirëseardhur për shkak të njohurive të tij për rajonin, emërimi i ambasadorit Richard Grenell erdhi si një surprizë.

“Ne mund të kemi një numër interpretimesh. A po bëhet një ndarje e punës, polic i mirë, polic i keq? Ndoshta, po dhe ndoshta jo”, thotë Vejvoda, duke shtuar se vizita e ambasadorit Grenell tregon se “Shtetet e Bashkuara nuk duan të humbasin kohë”.

Michael Carpenter, Drejtor i Lartë i Qendrës Penn Biden për Diplomaci dhe Angazhim Global dhe ish këshilltar i politikës së jashtme për zv/Presidentin e ShBA, Joe Biden, pretendon se nuk është e qartë për të “çfarë kualifikimesh ka Richard Grenell për të shërbyer si ndërmjetës i dialogut Beograd-Prishtinë”.

“Ai duket se nuk ka ndonjë përvojë të rëndësishme për këtë rol, përveçse është një mik personal i Donald Trump, dhe emërimi i tij uzurpon rolin e luajtur deri më tani nga Matthew Palmer”, tha Carpenter për EWB.

Ish-zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit është gjithashtu pesimist për rezultatet e kësaj lëvizje diplomatike nga presidenti Trump.

“Sidomos tani, pas shpalosjes së diplomacisë mashtruese të Gordon Sondland, nuk shoh se si mund të vijë ndonjë gjë e mirë nga ky emërim”, përfundoi Carpenter.

Vizita e parë e Grenellit në rajon në të vërtetë nuk u pa se kishte një ndikim pozitiv, pasi takimi i tij me presidentin serb Aleksandar Vučić u raportua si shumë i pakëndshëm. Ose kjo është të paktën mesazhi që u dërgua nga zyra e presidentit serb.

Vetë Matthew Palmer kohët e fundit deklaroi se ai dhe Grenell kanë një qëllim të njëjtë, të rifillojnë dialogun Beograd-Prishtinë dhe “të ndihmojnë palët të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin”.

Sipas Palmer, të dy diplomatët janë në komunikim të përditshëm dhe ndajnë një strategji të përbashkët për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Sidoqoftë, Palmer sqaroi më tej rolin e Grenell në qasjen diplomatike të SHBA ndaj këtij problemi.

“Unë e di se ambasadori Grenell është veçanërisht i interesuar të identifikojë stimujt tregtarë, të biznesit dhe ekonomikë që mund të përdoren për të krijuar përparim në frontin politik”, tha Palmer.

Kjo është në përputhje me deklaratën zyrtare të ambasadës amerikane në Berlin pas vizitës së Grenell në rajon, ku thuhej se “ishte bindja e fortë e administratës Trump që zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të punës për të rinjtë dhe rritja e mundësive të tregtisë janë një pjesë kryesore të sigurimit të një paqeje të qëndrueshme”.

Vetë Palmer vizitoi rajonin në fillim të nëntorit, duke dërguar një mesazh të mbështetjes së ShBA për fillimin e dialogut Beograd-Prishtinë dhe rikthimin e besueshmërisë së procesit të zgjerimit të BE-së, e rrezikuar së fundmi nga mungesa e vendimit për hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Këtë herë vizita u paraqit në një dritë jashtëzakonisht pozitive, veçanërisht nga presidenti serb.

A ka nevojë BE për një të dërguar të posaçëm?

Pasi lajmet për emërimin e Palmerit shpërthyen në fund të gushtit, shumë vëzhgues prisnin që BE të ndiqte tragën dhe të emëronte përfaqësuesin e saj të veçantë për Ballkanin Perëndimor, ose të paktën për dialogun Beograd-Prishtinë, në të cilin nuk shihej përparim prej një kohe të gjatë.

Që më parë kishte pasur diskutime në lidhje me përfitimet e emërimit të një përfaqësuesi të posaçëm të BE për dialogun, të cilat u bënë edhe më relevante pasi Ministri i Jashtëm spanjoll Josep Borrell u emërua si Përfaqësuesi i Lartë i ardhshëm. Duke ardhur nga ndoshta më i fuqishmi në mesin e 5 mosnjohësve të BE-së për pavarësinë e Kosovës, Borrell u konsiderua si një person i gabuar për të çuar përpara dialogun.

Sidoqoftë, ka zyrtarë të ndryshëm të lartë të BE-së të cilët pritet të merren me Ballkanin Perëndimor. Këta janë kryesisht Komisioneri i Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, pozitë e mbajtur më parë nga Federica Mogherini, dhe Komisioneri për Zgjerim, i mbajtur nga Johannes Hahn. Parlamenti Europian emëron përfaqësues të përhershëm për vendet e veçanta, si dhe bashkë-kryetarët e Komisioneve Parlamentare të Stabilizim-Asociimit për secilin nga ‘kandidatët’ e Ballkanit Perëndimor.

Prandaj, pyetja shtrohet pse BE-ja ka nevojë për një përfaqësues të veçantë dhe kujt do t’i përgjigjet.

Ivan Vejvoda beson se caktimi i një të dërguari special të BE-së dërgon një mesazh se “duhet të ketë një efikasitet më të madh dhe jo vetëm takime të pafundme ku ka vetëm hapa të vegjël për çështjet shumë të rëndësishme”.

Sipas tij, të kesh një person që është shumë më i përkushtuar ndaj rajonit sesa Përfaqësuesi i Lartë mund të ndihmojë procesin e zgjerimit të BE-së.

“Duhet të jetë dikush që, proverbialisht, zgjohet çdo mëngjes dhe mendon për këtë çështje. Josep Borrell do të ketë një tërësi çështjesh për të cilat duhet të mendojë, nga Kina në Iran deri në Shtetet e Bashkuara, dhe kështu që unë mendoj se ka pasur një përfundim se është më mirë të kesh një të dërguar me të cilin do të punonte ngushtë dhe kështu mbase përparimi dhe lëvizja për gjetjen e një kompromisi më efikas”, tha Vejvoda në një intervistë për EWB.

Nga ana tjetër, Srđan Cvijić, Analist i Lartë i Politikave në Institutin Europian të Politikave të Hapura dhe anëtar i Grupit Këshillimor të Politikave të Ballkanit në Europë (BiEPAG), nuk beson se kopjimi i Funksionit të Përfaqësuesit të Lartë do të ishte i dobishëm.

“Në dëgjimoren e tij në Parlamentin Europian, Josep Borrell tregoi vendosmëri për ta udhëhequr vetë këtë portofol. Siç deklaroi z. Borrell, Ballkani Perëndimor do të jetë përparësia kryesore e politikës së jashtme të BE-së gjatë mandatit të tij që tregon se ai do t’i kushtojë shumë kohë dhe energji dosjes së tij”, thotë Cvijiv për EWB.

Sipas tij, “BE duhet të shmangë dërgimin e mesazheve kontradiktore për homologët e tyre në BP, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje të ndjeshme siç është dialogu Serbi-Kosovë.”

Cvijić nuk beson se fakti që Borrell vjen nga një vend i cili nuk e njeh pavarësinë e Kosovës do të thotë që të kesh një përfaqësues special për dialog do të ishte një mundësi më e mirë.

“Z. Borrell do të ishte në krye të çështjes, kështu që nëse nuk i besojmë aftësisë së tij për ekstrapolimin e tij nga politika spanjolle për Kosovën, ajo që do të kishim në rastin më të mirë do të qenë porositë kontradiktore nga BE në rajon. Ne e kishim këtë ngërç në periudhën e mëparshme (në veçanti në dosjen Serbi-Kosovë) dhe ishte jashtëzakonisht e padobishme.”

Sipas Cvijić, deklarata e Borrellit gjatë seancës dëgjimore se udhëtimi i parë i tij për politikën e jashtme do të jetë në Prishtinë “jep siguri se ai do të jetë në gjendje të përfaqësojë në mënyrë efektive BE-në si një e tërë në këtë çështje.”

Duke iu përgjigjur pyetjes se kujt do t’i përgjigjeshin përfaqësuesit specialë, Cvijić beson se nuk ka mundësi tjetër përveç se ai ose ajo do të ishte në varësi të drejtpërdrejtë të Përfaqësuesit të Lartë.

“Përfaqësuesit Specialë të Bashkimit Europian janë emisarë të Bashkimit Europian me detyra specifike jashtë vendit. Ata janë direkt në varësi të HR / VP. Sinqerisht nuk shoh një mundësi tjetër. Teorikisht, një Përfaqësues Special për Ballkanin Perëndimor mund t’i përgjigjet drejtpërdrejt Presidentit të Komisionit Europian, por unë nuk mendoj se kjo është shumë e mundshme”, përfundon Cvijić.

Emërimi i të dërguarve – sinjal se Perëndimi po e rrit stekën në Ballkanin Perëndimor?

Mungesa e vendimit për hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë nga Këshilli Europian bëri që shumë të vënë në dyshim besueshmërinë e procesit të pranimit në BE dhe angazhimin e shteteve anëtare drejt zgjerimit. Kjo shkon në kundërshtim me mesazhin e dërguar nga Komisioni i ri Europian dhe logjika e emërimit të emisarëve specialë nga ShBA dhe BE.

Në fakt, të dy zyrtarët amerikanë dhe përfaqësuesit e KE e kanë etiketuar këtë vendim si një “gabim historik” dhe u kanë bërë thirrje vendeve anëtare të rishikojnë vendimin e tyre dhe tërë qasjen e tyre të paqartë ndaj Ballkanit Perëndimor. Nëse ka ndonjë përçarje të mirëfilltë midis vendeve anëtare dhe midis tyre dhe Komisionit mbetet për t’u parë.

Ivan Vejvoda beson se Komisioni i ri do ta vendos Ballkanin Perëndimor lart në listën e përparësive, dhe se madje edhe vendet anëtare janë mbështetëse të zgjerimit si të tillë.

“Eshtë e rëndësishme dhe relevante të përsërisni se është një shumicë e madhe e vendeve anëtare të BE-së që mbështesin anëtarësimin në BE të Ballkanit Perëndimor. Unë do të thoja që të gjitha vendet janë mbështetëse, por disa janë shumë të kujdesshëm dhe po e tërheqin frenin e dorës në dinamikën e zgjerimit”, thotë Vejvoda.

Kristof Bender, nënkryetar i Iniciativës Europiane të Stabilitetit (ESI), beson se një qasje e re është urgjentisht e nevojshme, por është e rëndësishme të dish motivimin prapa emërimit të përfaqësuesve specialë.

“Emisarët specialë mund të bëjnë ndryshime kur e kanë të qartë se çfarë duhet të bëjnë. Të kesh emisarë për Ballkanin vetëm sepse gjërat nuk po të shkojnë mirë, nuk do të ndryshojë gjë. Nëse ideja është trysnia për ndryshim të kufijve, siç bënë ShBA në vitin 2018, atëherë një i dërguar i tillë do të ishte i dëmshëm “, thotë Bender për EWB.

Sipas tij, skepticizmi në lidhje me zgjerimin e BE-së nuk do të zhduket shpejt, dhe zgjidhja më e mirë tani do të ishte një “synim i besueshëm i përkohshëm që të gjithë vendet anëtare të BE mund të mbështesin dhe që është vërtet i dobishëm për BP: duke u ofruar të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor një proces të bazuar në merita që çon në anëtarësim në tregun e përbashkët të BE-së”.

“BE do të duhet të përcaktojë të njëjtat kritere të qarta për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, pavarësisht nga statusi i tyre zyrtar në procesin e pranimit, të vlerësojë kriteret në mënyrë rigoroze, të drejtë dhe të rregullt për të gjitha vendet, dhe pastaj t’i lejojë ata që plotësojnë kriteret të bashkohen në tregun e përbashkët. Kjo do t’i lejonte të gjitha vendet të ndjekin reforma të dobishme, të përparojnë në meritë dhe të shkojnë më pranë anëtarësimit në BE, duke shmangur të gjitha ato bllokime dhe veto që ekzistojnë aktualisht në çdo hap zyrtar”, përfundon Bender.

Me marrjen e detyrës së Komisionit të ri deri në fund të vitit, së shpejti do të dimë më shumë për rolin e të dërguarit të posaçëm të BE, dhe gjithashtu nëse vendet anëtare do të rikonfirmojnë angazhimin e tyre për zgjerimin e BE-së. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara dhe të dërguarit e tyre të sapoemëruar janë shumë aktivë dhe mbështetës të një përfundimi të tillë. Nëse të gjithë ata “luajnë për të njëjtin ekip” dhe nëse emërimi i tyre do të thotë me të vërtetë se Perëndimi tani po e merr më seriozisht Ballkanin Perëndimor, mbetet për tu parë.

Përktheu dhe përshtati: A.Shaqiri in7.tv

Continue Reading

Bota

Emiratet e Bashkuara, ‘parajsa’ e mafias shqiptare komandojnë gjithçka nga Dubai

Published

on

Kriminologu dhe njëherësh juristi italian ka rrëfyer se si mafia shqiptare dhe ajo italiane kanë gjetur parajsën në Emiratet e Bashkuara Arabe. Në një intervistë për Rai News Vincenzo Musacchio* thekson se vendet si Dubai janë shndërruar në pikën më strategjike të trafikantëve të drogës të cilët kontrollojnë gjithçka që andej dhe madje investojnë në këtë vend, ku vetë drejtësia arabe është neglizhente në këtë drejtim, por edhe mungesa e marrëveshjes së ekstradimit është një problem më vete.

Nga Shqipëria janë të paktën 6 persona, mes tyre 2 të kërkuar nga SPAK, të cilët strehohen në Dubai. Numri i të kërkuarve në këtë vend me identitete të ndryshuara, është mbi 20.

Intervista:

Profesor, a është e vërtetë që krimi i organizuar ndërkombëtar i investon të ardhurat e tij të paligjshme në Emiratet e Bashkuara Arabe?

Të dhënat dhe studimet aktuale konfirmojnë se në Emiratet e Bashkuara Arabe, shumë organizata kriminale bëjnë biznes dhe investojnë në ekonominë e tyre legale. Në Emiratet e Bashkuara Arabe nuk njihet krimi i organizuar vendas, por aty gjallojnë mafiozët italianë, gjë e cila është vërtetuar nga arrestimet e shumta të ‘Ndranghetistëve dhe Camorras. Aty veprojnë grupe mafioze afgane, indiane, pakistaneze, turke, nigeriane dhe shqiptare. Të gjitha këto organizata pastrojnë paratë e pista dhe depërtojnë në ekonominë e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Ku e investojnë kapitalin e tyre?

Dobësia kryesore e këtij vendi është tregu i pasurive të paluajtshme. Dubai, për shembull, është bërë strategjik për krimin e organizuar global. Aty mafia arrin të pastrojë paratë e pista duke i investuar, me shumë pak kufizime, në sektorin e ndërtimit. Kësaj i shtohet edhe mundësia e madhe e krijimit të kompanive “offshore” brenda enklavës ekonomike të sipërmarrëse të vendit arab.

A i lehtësojnë këto kompani mafiozët në qëllimin e tyre kriminal?

Patjetër qe po. Emiratet përfaqësojnë sot një nga vendet kryesore të investimeve ekonomike dhe financiare në nivel ndërkombëtar. Pavarësisht reformave të bëra për të frenuar këto fenomene kriminale, në Emiratet e Bashkuara Arabe është ende e mundur të hapen kompani guaska të afta të fshehin identitetin e pronarëve të vërtetë si dhe ka zona të tregtisë së lirë ku investimet janë të mundshme duke përdorur këtë lloj kompanie.

Pse mafiet investojnë dhe riciklojnë paratë në Emiratet e Bashkuara Arabe?

Sepse Emiratet e Bashkuara Arabe garantojnë fshehtësinë, besueshmërinë dhe mungesën e kontrolleve. Kjo është një ftesë gati bujare për mafiozët nga e gjithë bota. As nuk duhet të harrojmë se midis parajsave të ndryshme fiskale që ekzistojnë, është ajo që Shtetet e Bashkuara. Emiratet e Bashkuara Arabe konsiderohet si një aleat strategjik ushtarak dhe një mburojë kundër terrorizmit në Lindjen e Mesme. Prandaj, shumë pak guxojnë të ushtrojnë mbi këtë komb ato presione që janë ushtruar në Zvicër apo ishujt Cayman apo edhe në parajsa të tjera fiskale që garantonin kapitalin e fshehur dhe sekretin bankar.

Mund të na jepni një shembull se si funksionojnë klanet mafioze?

Projekti i Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit i Qendrës për Studime të Avancuara të Mbrojtjes (CADS), ka verifikuar se si në Dubai është e mundur të blihen prona me vlerë miliona euro pa formalitete të veçanta tatimore dhe ligjore. Aty ka prona me një vlerë prej rreth tridhjetë milionë eurosh që mbahen direkt nga kompanitë, të cilat shpeshherë nuk u atribuohen pronarëve të vërtetë. Të dhënat do të dilnin në shesh nëse hetojmë transferimin e pasurive të paluajtshme. Mafiet që përdorin këto kompani guaskë shpesh fshehin të ardhurat kriminale duke falsifikuar gjithashtu dokumentet e kontabilitetit.

A është e vërtetë që ka shumë kriminelë italianë në këto vende?

Raporti i fundit gjashtëmujor i DIA-s (Departamenti i Hetimit Anti-Mafia 2021) konfirmon se Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në veçanti Dubai dhe Abu Dhabi vazhdojnë të tërheqin jo vetëm kapital shumë të rëndësishëm për aktivitetet e pastrimit të parave, por edhe praninë e rrezikshme të elementëve të rëndësishëm të krimit të organizuar italian. Mafiet shfrytëzojnë çështjet kritike të vazhdueshme në lidhje me marrëdhëniet e bashkëpunimit hetimor dhe gjyqësor me Italinë. Dubai është gjithashtu një strehë e madhe për të kërkuarit nga drejtësia. Në Emirate, trafikantët e dyshuar të drogës të Camorras, Gaetano Schettino dhe Raffaele Imperiale janë arrestuar. Aty ndodhet edhe kunati i ish-liderit të An Gianfranco Fini, Giancarlo Tulliani, i akuzuar për pastrim parash, sipërmarrësi Alberico Cetti Serbelloni, i akuzuar për evazion fiskal. Është edhe ish-deputeti i Reggio Amedeo Matacena, i dënuar përfundimisht për bashkëpunim me ‘Ndranghetan’.

Pse ka ende probleme të bashkëpunimit gjyqësor ndërmjet Italisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe?

Prej shumë vitesh çështja e marrëveshjeve të ekstradimit me Emiratet e Bashkuara Arabe ka qenë në tryezën e Ministrisë së Drejtësisë. Një nga të paktët që këmbënguli për vënien në fuqi të traktatit ishte Mario Michele Giarrusso ish M5S, duke i kërkuar disa herë Presidentit që të kalonte sa më shpejt të ishte e mundur dispozitën për ekstradimin. Deri më sot, gjithçka duket se ka mbetur në letër por ata që e njohin mirë se si funksionon drejtësia arabe në ato vende nuk kanë frikë pasi e dinë që do të vijojnë të qëndrojnë në kërkim. Rastet e vetme për të cilat drejtësia e Emirateve kryen ekstradimet janë vetëm në rastet e vrasjeve apo masakrave. Shoqatat kriminale të tipit mafioz nuk janë marrë realisht në konsideratë nga gjyqtarët arabë deri më tani.

Çfarë thotë konkretisht kjo marrëveshje e nënshkruar mes dy vendeve?

Një gjë e zakonshme për këtë lloj rregullimi. Ai angazhon palët që parashikojnë të dorëzojnë të arratisurit nga njëri-tjetri që ndodhen në territoret e tyre përkatëse, të fillojnë një procedim penal (ekstradim procedural) ose të lejojnë ekzekutimin e një dënimi përfundimtar (ekstradim ekzekutiv) dhe me mundësinë e ekstradimit të të arratisurve dhe të kërkuarve. personat me urdhër arresti për krime të rënda që lidhen me trafikun e drogës dhe krimin e organizuar që gjejnë vend mosndëshkimi në Emiratet.

Si mund të korrigjohet kjo mangësi?

Nëse do të donim të ishim të sinqertë, marrëveshjet e ekstradimit do të ekzistonin tashmë prej disa kohësh dhe do ratifikoheshin që me Konventën e Palermos të vitit 2001. Prandaj problemi nuk është formal, por i zbatimit praktik. Një marrëveshje mes dy shteteve mund të ekzistojë në letër, por në fakt nuk mund të zbatohet kurrë, e aq më tepër të respektohet. Është thelbësore të mbështetemi në bashkëpunimin besnik të autoriteteve shtetërore të përfshira në kryerjen e një sërë aktivitetesh: identifikimi dhe grumbullimi i provave, marrja e dokumenteve, identifikimi dhe mbrojtja e çdo dëshmitari, dhe arrestimi i të akuzuarve. E gjithë kjo parashikon një vullnet konkret për bashkëpunim që deri më sot duket se nuk ekziston mes dy shteteve.

Disa thonë se Matteo Messina Denaro do të ishte në Dubai, si mendoni?

Denaro do të ishte në krye të “Cosa Nostra”-s. Ai mbrohet nga bashkëqytetarët e tij. Ai do të arrestohet si të gjithë paraardhësit e tij kur ta tradhtojnë bashkëpunëtorët e tij ose kushdo që e mbron sot dhe e fsheh atë. Të mos harrojmë që Totò Riina kur jetonte në Mazzara del Vallo shkonte i qetë në plazh çdo ditë. Ai u arrestua kur krahu kriminal i afërt me Bernardo Provenzanon vendosi ta çonte para drejtësisë.

* Vincenzo Musacchio, kriminolog, jurist dhe bashkëpunëtor në Institutin Rutgers për Studimet Anti-Korrupsion (RIACS) në Neëark (SHBA). Studiues në Shkollën e Lartë të Studimeve Strategjike mbi Krimin e Organizuar të Institutit Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara në Londër.

Continue Reading

Bota

Britania heq kufizimet anti-COVID-19

Published

on

Britania e Madhe duke filluar nga sot ka hequr masat kundër koronavirusit të ri (COVID-19), përveç izolimit në rast infektimi, transmeton Anadolu Agency.

Në njoftimin nga Ministria e Shëndetësisë thuhet se i është dhënë fund “masave të planit B” që u vendosën në vend më 8 dhjetor në kuadër të luftës kundër llojit Omicron falë “suksesit të madh të programit të vaksinimit”.

Sipas kësaj, përdorimi i detyrueshëm i dokumenteve që tregojnë statusin e COVID-19, e njohur si pasaporta e vaksinimit, ka përfunduar. Por vendet si klubet e natës dhe teatrot do të mund të vazhdojnë me zbatimin vullnetarisht.

Gjithashtu është hequr edhe detyrimi për të mbajtur maskë, por u rekomandua vazhdimi i mbajtjes së maskave në turma me njerëz dhe vende të mbyllura.

Nga ana tjetër, izolimi në rast infektimi do të vazhdojë.

“Përderisa mësojmë të jetojmë me COVID, duhet të shohim qartë se ky virus nuk do të largohet”, tha ministri i Shëndetësisë, Sajid Javid, duke kërkuar të vaksinohen të gjithë ata që nuk janë vaksinuar.

Continue Reading

Bota

Në Afganistan, prindërit shesin fëmijët dhe veshkat për të ushqyer familjet e uritura

Published

on

Pas tërheqjes së forcave perëndimore nga Afganistani vitin e kaluar, regjimi taliban mori pushtetin, ndërkohë që vendi po përballet me një varfëri ekstreme.

Sipas mediave të huaja, disa prindër po shesin veshkat e tyre, në mënyrë që të marrin shuma monetare për të ushqyer familjet e tyre.

Mësohet se tre vëllezër dhe dy motrat e tyre shitën organet e tyre për rreth dy mijë euro për të ushqyer familjet e tyre.

Ndërkohë javë më parë mediat kanë raportuar se prindërit kanë shitur dhe fëmijët e tyre për shkak të kushteve ekstreme të varfërisë.

Ndërkohë nga ana tjetër mjekët kanë thënë se nuk kanë as mjete spitalore për pacientët të cilët i nënshtrohen operimeve të tilla.

Continue Reading

Aktuale