Connect with us

Kolumna

Kongresi i Manastirit bëri të qartë se të drejtat kombëtare, nuk mund të siguroheshin me armë në dorë

Published

on

PROF.DR. LULJETA ISAKU

“I pari shkëmb që duhet kapërxyer është i shkronjave. Kemi shkrojtur dhe thirrur aqë sa nukë na mbetet më fuqi të përsëritim ato që kemi thënë përmbi nevojën e zgjedhjes të një alfabeti kombëtar” shkruan gazeta “Kombi” e Bostonit më 28.XIII.1908 në artikullin ”Shkronjat shqip”.

Kongresi i Manastirit hyri në histori si “Kongresi i Abesë”, Kongresi i alfabetit. Ai mori vendime të rëndësishme në punë të shkrimit e të gjuhës shqipe. Historia e alfabetit tonë është histori e gjatë dhe e ndërlikuar. Kjo histori e pasur karakterizohet nga një vijë përpjekjesh për të ngritur gjuhën amtare në një gjuhë të përpunuar kulture. Botimet më të vjetra që njohim, janë shkruar me alfabet latin, si alfabet më i lashtë i përdorur për të shkruar gjuhën shqipe. Autorët tanë të vjetër duke nisur me Teodor Shkodranin e Buzukun, përdorën germat latine të plotësuara me disa shenja të veçanta, dhe me disa bashkime germash të thjeshta.
Kështu, gjer në pragun e Rilindjes, ne kemi vetëm alfabete të përdorur ne rrethe kulturore fetare të ndryshme. Shkrimi i shqipes karakterizohej nga mungesa e theksuar e njësisë, pasqyrim ky i gjendjes shoqërore-politike të popullit tonë. Ky përcaktim u bë nga kushtet historike të rendit feudal, të pushtimit të huaj dhe të përçarjes fetare.
Burimet e para të alfabetit të Manastirit duhet kërkuar në shekullin XIX në alfabetet e Dhimitër Kamardës e të Pashko Vasës. Nga fundi I po këtij shekulli ato janë preokupim I gazetës “Albania” të Brukselit (1896) e të “Shqipërisë së Bukureshtit (1897).
Në një frymë të re, në një plan panshqiptar e qartësisht kombëtar, shtroi çështjen e alfabetit ideologu i parë I Rilindjes sonë iluministi Naum Veqilharxhi (1797 -1859). Detyrë e parë sipas tij është që të shkruhet e të lëvrohet gjuha amtare, të përhapet arsimi shqip , të zhvillohet letërsia shqipe. Shqiptarët, sipas tij, nga gjendja e mjeruar e prapambetja, dhe nga rreziku i shkombëtarizimit do të shpëtojnë duke fituar kulturën në gjuhën amtare. Alfabeti i posaçëm që krijoi Naum Veqilharxhi, pa ndonjë lidhje me asnjë nga alfabetet e përdorura gjer atëherë, për të qenë i pranueshëm nga gjithë shqiptarët gjeti një pritje të mirë në disa vise të Shqipërisë dhe jashtë saj. Në këtë alfabet ai shkroi abetaren e parë të gjuhës sonë që me shumë mundime arriti ta botojë më 1844 e ta ribotojë në formë më të zgjëruar më 1845. Ky alfabet nuk u përdor në shkrimet e gjuhës shqipe te mëpastajme për arsye të ndjekjeve të Patrikanës e të qeverisë otomane.
Përpjekje të reja për caktimin e një alfabeti që të njihej e të pranohej nga të gjithë shqiptarët si alfabet kombëtar u bënë në dhjetëvjetëshin e shtatë të shekullit nëntëmbëdhjetë. Idetë e Veqilharxhit rimerren nga një grup shqiptarësh të Stambollit. Si punë paraprake dilte perpunimi I një alfabeti të përshtatshëm të përbashkët. Orvatje të njëpasnjëshme u bënë më 1867, 1869, 1871, 1872, 1877 duke vijuar për vite të tëra takime, shkëmbime mendimesh, mbledhje komisionesh. Në këtë veprimtari dallohen Konstandin Kristoforidhi, Pashko Vasa, Hasan Tahsini, Jani Vretua dhe Sami Frashëri. Në këto takime u zhvillua luftë e ashpër mendimesh duke u ndeshur pikëpamje të ndryshme. U hodh poshtë që në fillim mendimi I disa feudalëve, të mbështetur edhe nga Porta e Lartë, për të adoptuar me plotësime alfabetin arab, po ashtu edhe për ta shkruar shqipen thjesht me alfabetin e greqishtes. Duke qenë se asnjë alfabet nuk mjaftonte për të dhënë gjithë tingujt e shqipes, u shfaqën mendime të ndryshme për alfabetin që do të merrej si bazë për kriteret që do të ndiqeshin për plotësimin e tij e për mënyrat konkrete si do të zbatoheshin ato.
Më shumë përkrahës pati parimi I dhënjes së një tingulli vetëm me anë të një shkronje, përdorimi vetëm I shkronjave të thjeshta. Duke ndjekur këtë parim e duke mos mjaftuar asnjë alfabet për gjithë tingujt e shqipes, nuk mbetej veç se të plotësoheshin germat e njërit alfabet me të një tjetri, ose me germa të shoqëruara me shenja diakritike. Gjeti mbështetje parimi I parë. Këtë parim kishte ndjekur edhe Konsandin Kristoforidhi në përkthimet e librave fetare të tij, të botuara nga shoqëria biblike. Në versionin gegërisht u perdor alfabet latin I plotësuar me disa germa greke ndërsa në versionin toskërisht alfabeti grek I plotësuar me disa shkronja latine , duke shtënë në përdorim si në njerin, ashtu edhe ne tjetrin rast, shenja plotësësuese psh: g’,k’, n’.
Në fillim të vitit 1879 një komision, I kryesuar nga Sami Frashëri dhe I përbërë nga Pashko Vasa, Hasan Tahsini, Jani Vretoja, Koto Hoxhi pas disa bisedimesh ku muarën pjesë edhe edhe Kristoforidhi e të tjerë, pranoi alfabetin e parashtruar nga Sami Frashëri, që u miratua edhe nga “Shoqëria e Shkronjëzave” e Stambollit. Pas disa muajsh ky u bë alfabeti kombëtar I shqipes. I ndërtuar në parimin “një tingull me një germë, dhe një germë për një tingull” ai bazohej në parime shkencore të drejta, po s’ishte homogjen për nga përbërja e shenjave.
Përpunimi dhe suksesi I këtij alfabeti qe një fitore e madhe e kulturës shqiptare, e lëvizjes sonë kombëtare. Ai u bë alfabeti kryesor I rilindjes sonë.
I thjeshtë në të shkruar dhe I saktë, ky alfabet, që u quajt I Stambollit, me gërmat e përziera që kishte, paraqiste vështirësi shtypi. Kërkontë shtypshkronja të posaçme. Kur nga fundi i shekullit, numri I botimeve shqip zuri të shtohej e nisën të dilnin në vënde të ndryshme të Evropës gazeta e revista shqipe, kushtet teknike, mjaft herë edhe arësye të tjera, bënë që të përdorej gjithnjë e më tepër edhe një alfabet thjeshtë latin me digrame për të plotësuar gërmat e thjeshta. Të tilla alfabete përdorën gazetat e Bukureshtit “Shqiptari” (1888) dhe “Shqipëria” (1897), revista “Albania“ e Brukselit (1896) etj. Një sistem të tillë zgjodhi edhe shoqëria letrare klerikale e Shkodrës ”Bashkimi” (1899) që krijoi një alfabet te ri. Një sistem të ndryshëm atë të plotësimit të gërmave latine me gërma dhe shënja diakritike, sistem I ndjekur në shkallë të gjërë nga albanologët e huaj, pranoi shoqëria tjetër klerikale e Shkodrës ”Agimi” (1901) me alfabetin e përpunuar nga Ndre Mjeda.
” Një abece për të gjithë shqiptarët dhe si të dojë le të jetë. Kjo është thirja e tërë shqiptarëve. Mjaft…abecera se është turp” (“Kombi” I,5; 29.VI.1906)
Kështu, në vitet e para të shekullit tonë , në shkrim të shqipes, përdoreshin sisteme e alfabete të ndryshme, me një numër të madh variantesh e nënvariantesh që sa vinte e shtoheshin. Ky kaos nxirte pengesa të mëdha përhapjes së botimeve shqipe e të arsimit në gjuhë shqipe, zhvillimit të letërsisë e të kulturës shqiptare. Që në vitet e fundit të shek XIX, në shtyp shtrohet gjithenjë çështja e alfabetit. Zhvillohen diskutime, organizohen anketa, jepen mendime e propozime për alfabetin më të përshtatshëm, ngrihet kërkesa për afrim e njësim. Mendimet ishin të ndara sidomos midis rrymës për alfabetin e Stambollit e asaj të përkrahësve të një alfabeti thjesht latin me digrame, alfabet që paraqiste variante të ndryshme, po që fitonte gjithnjë e më shumë terren, për arësye sidomos të variantit praktik.
U bënë propozime, u muarën edhe inisiativa për të arritur në njësimin e dëshiruar të alfabetit. Më 1906 bëhet fjalë për një kongres që do të mblidhej në Vjenë. Më 1907 në Bukuresht. Më1908 për një kongres në Zvicër. Fan Noli këtë vit thotë ”Një abece për të gjithë shqiptarët dhe si të dojë le të jetë. Kjo është thirja e tërë shqiptarëve. Mjaft…abecera se është turp” (“Kombi” I.5; 29.VI.1906). Në mars 1908 edhe shoqëria e shqiptarëve të Egjyptit merr inisiativën e një konsultimi midis organizatave kombëtare ”që të bashkohen shkronjat shqiptare me një abece kungare dhe përgjithëse”
Patriotët shqiptarë, para se të merrnin ndonjë qëndrim turqit e rinj, me një shpejtësi të madhe ngritën klube e shoqëri, hapën shkolla e kurse për të lexuar shkrimin e leximin e shqipes, nisën të nxjerin gazeta e të zhvillojnë një agjitacion të gjërë për përhapjen e ideve kombëtarë në popull. Që në ditët e para të gushtit çelen shkolla shqipe në Elbasan, Vlorë, Korcë, Berat, Tiranë etj. Menjëherë pas shpalljes së Kushtetutës themelohet klubi ”Bashkimi” I Manastirit, I ndjekur nga klubet e Selanikut, Stambollit, Elbasanit, Vlorës, Janinës etj. Gjer në fund të vitit ishin ngritur ne Shqipëri e në qendra të tjera te Perandorisë osmane, ku kishte shqiptarë, 24 klube e gjashtë shoqëri, numër që erdhi duke u shtuar.

“I,pari shkëmb që duhet kapërxyer është I shkronjave. Kemi shkrojtur dhe thirrur aqë sa nukë na mbetet më fuqi të përsëritim ato që kemi thënë përmbi nevojën e zgjedhjes të një alfabeti kombëtar” shkruan gazeta “Kombi” e Bostonit më 28.XIII.1908 në artilullin ”Shkronjat shqip”. Çështja lidhur me fjalën shqipe merrte një rëndësi të veçantë. Nevoja e një alfabeti të përbashkët ndjehej prej të gjithëve. Nga çdo anë kërkohej bashkimi. Po inisiativën konkrete e mori klubi ”Bashkimi” I Manastirit. Ky, që në mbledhjen e parë të tij, më 23 gusht, vendosi të thërret një kongres, që, si thotë ftesa e shpërndarë në shtator, ”t’I japim mbarim kësaj së madheje nevojë për bashkim të gjithë shqiptarëve me një abe”.
Kongresi u hap më 14 nëntor. Erdhën 50 delegatë, po sipas vendimit për të mos pasur një shoqëri apo klub më shumë se dy të dërguar, iu njoh e drejta e pjesëmarrjes efektive me votë vetëm 32 vetëve, përfaqësues të 23 klubeve, shoqërive e qyteteve. Ishte mbledhja e parë pas Lidhjes së Prizrenit I pari kongres shqiptar ne të cilin merrnin pjesë shqiptarë pa dallim feje.
Punimet e Kongresit zgjatën nëntë ditë. Mbledhjet plenare qenë të hapura për gjithë shqiptarët, -një pjesë edhe për degjues të tjerë-duke qenë të pranishëm rreth 400 vetë, ku u shpreh vendosmëria për të ecur me ritme të shpejta ne rrugën e perparimit, vendosmëria për të gëzuar të drejtat kombëtare.
Kongresi zgjodhi nga gjiri I tij një komision prej 11 vetësh, të cilit I dha fuqi të plotë per të caktuar alfabetin e perbashkët kombëtar. Këtu përfaqësoheshin përkrahësit e tri alfabeteve kryesore ekzistuese të Stambollit, të Agimit dhe të Bashkimit. Intensivisht u punua në seanca të mbyllura.
Antarët e tij dhanë besën se do të mbanin fshehtësinë për bisedimet që do të bënin dhe se s’do të nxirrnin jashtë komisionit asnjë fjalë para zgjidhjes së çështjes së alfabetit. Për mbledhjet e komisionit s’u botua asgjë, as në atë kohë as më vonë.
Që në krye u vendos që alfabeti I shqipes do të ishte alfabet latin. Puna qëndronte në caktimin e vlerave që do të kishin germat latine në alfabetin shqip e sidomos në caktimin e sistemit dhe të shenjave konkrete që do të përdoreshin për tingujt e shqipes që s’i ka latinishtja. Dilnin tri mundësi:
të merrej njëri nga tre alfabetet kryesore që përdoreshin, me ose pa ndonjë ndryshim;
të formohej një alfabet me elemente të tri sistemeve, duke I shkrirë tri alfabetet në një;
të krijohej një alfabet I ri,pa marrë parasysh tri alfabete kryesore ekzistuese;
Komisioni vendosi të krijojë një alfabet të ri duke I marrë një për një tingujt e shqipes për të caktuar, mbi kritere të drejta shkencore e në pershtatje sa më të saktë me gjuhën shqipe, germat dhe mënyrat se si do të shënohen ato. Prandaj u propozua dhe u pranua të adaptohej alfabeti I Stambollit me pak ndryshime, dhe një I dytë I cili do të ishte I tëri latinisht me njëzet e pesë shkronja dhe për pjesën tjetër të shkronjave të gjenden trajta duke bashkuar dy germa për tingujt që I nevojiten gjuhës shqipe.
Ky propozim u pranua prej gjithë anëtarëvet të komitetit. Gjergj Qiriazi shprehet: ”Telegramet e ardhura nga Gegëria na luteshin të merrnim alfabetin e “Bashkimit” dhe telegramet e ardhura nga Toskëria na luteshin të përdornim atë të Stambollit ose të ashtuquajtur të Frashërit. Komiteti duheshte të mirrte parasyshë të gjitha këto letra dhe telegrame, sepse po të mos përfillnim njërën ose tjetrën anë, do të shkaktohej pengesë e madhe në përparimin e kombit. Dhe mbasi këto qenë përdorur në shkolla, njëri në Gegëri, tjetri në Toskëri, ne vendosëm me vota të plota, të adaptojmë dy alfabete, atë të Bashkimit dhe atë të Frashërit, me disa ndryshime sipas nevojës së gjuhës”.
(Nga ndonjë dëshmi del se në mëndjen e anëtarëve të komisionit, zgjidhja e dhënë ishte për një periudhë kalimtare, gjatë së cilës praktika do të tregonte se cili nga dy alfabete do të merrte sipërinë për të caktuar më vonë një alfabet të vetëm. Kongresi vendosi që të mblidhej pas dy vjetësh në Janinë në një kongres tjetër për të biseduar mbi çështje të drejtshkrimit, ku do të kuptohet se cili nga këto dy alfabete do të përdoret në shumë, për tu adoptuar si alfabet kombëtar.)
Komisioni pati kujdes që t’i afrojë dy alfabetet e pranuara të cilat ndryshonin vetëm në 9 gërma ndërsa 27 gërma ishin të njëjta. Po vetë jeta e zgjidhi përfundimisht problemin, pa pasur nevojë për mbledhje, komisione e vendime, duke lënë në përdorim një alfabet të vetëm. Alfabeti latin I papërzjerë, I përpunuar nga Kongresi, ishte homogjen për nga karakteri I gërmave, I lehtë në të shkruar dhe mjaft I volitshëm në shtyp, se nuk kërkonte shtypshkronja me gërma të posaçme. Prandaj mund të bëheshin botime me të në çdo vënd. Kjo qe arësyeja kryesore që më pas, sidomos pas vitit 1912 alfabeti I Stambollit mbeti në një përdorim gjithnjë më të kufizuar.
Kërkimet e veçanta dhe studimet që janë bërë kanë treguar se alfabeti latin I Manastirit nga alfabeti I “Bashkimit” ndryshon pak a shumë po aq sa edhe alfabeti i Stambollit e i “Agimit”. Alfabeti I Manastirit ka 11 gërma të ndryshme nga ai I “Bashkimit”, 12 nga ai I Stambollit, dhe 13 nga I “Agimit”. Kështu alfabeti I sotëm është rezultat I një procesi të gjatë që u përfundua në nëntor 1908 me punen e komisionit të Kongresit të Manastirit.
Kongresi I Manastirit ka rëndësi jo vetëm për historinë e gjuhës letrare shqipe e për historinë e kulturës shqiptare në përgjithësi por edhe për çështjet që u biseduan në të e për vendimet që u muarën, por edhe për takimet të cilat u zhvilluan jashtë mbledhjeve zyrtare. Ky Kongres pati një sër përfundimesh pozitive. Ndihmoi në përforcimin e bashkimit midis shqiptarëve, në vendosjen e një bashkëpunimi në nivel kombëtar dhe bëri të qartë të gjithëve se të drejtat kombëtare, nuk mund të siguroheshin vetëm me armë në dorë. Mbrojtja e alfabetit dhe e arsimit në gjuhë amtare vijuan të qëndrojnë si probleme të ditës dhe të figurojnë ndër kërkesat e para të lëvizjes kombëtare. Në tri vitet e ardhëshme do të ketë ndeshje të përgjakshme të cilat do të përfundojnë me ditën historike të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912.

Continue Reading

Kolumna

Padrejtësia maqedone

Published

on

Shkruan: Bedri Ajdari

Pa drejtësia maqedone,

me spektrin, bishtin apo me seirgjitë politik shqiptar,

po u’a marrin shpirtin në mënyrën më mizore, mirë të organizuar dhe të koordinuarmes vete duke i tretur dhe duke i kalbur nëpër burgje dal ngadal shqiptarët dhe familjet e tyre!

Nji ndër metodat e Luftes Speciale per zhdukjen, shporrjen dhe ç’farosjen e identitetit tonë kombëtar nga trojet e veta, nuk ka se si të emërohet ndrysh, që shqipëtarët me ç’do kusht te jenë fajtorë për gjithcka. Burgosja e tyre politike, detyrimi i tyre për mbulimin e rasteve të montuara politike si dhe zbatimi i ligjit të fortit për mbulimin e shpenzimeve që do të krijoheshin në disa dekada zvarritje nëpër kasaphane për shqiptarët të ashtuquajtura gjykata ne te ardhmen, i’a morren lirinë e pastaj edhe shpirtin një njeriu, ku faji i vetëm i tij dhe i shumë të tjerëve është se janë shqipëtar!

#Rexhail_Opaja – Qerimi, Allahu të mëshiroftë dhe të shpërbleftë me Xhennet për vuajtjet dhe torturat që i përjetove, familjes, të afërmëve, shqiptarëve dhe mbarë shoqërisë ngushllimet më të sinqerta nga un dhe familja ime, hallexhinj sikurse ti dhe familja yte,
rahmet shpirti të pastë!

P.S. Drejtësinë e vërtetë do ta gjesh në jetën e Amshueshme, para Gjykatësit të vërtetë, Suprem dhe të Drejtë. Atje ku askujt nuk i bëhet padrejtësi!

Continue Reading

Kolumna

Frikacakët e Rijasetit

Published

on

Se, Institucionin tonë të vetëm fetar, BFI-në, e ka kapluar një mjegull e trishtueshme, që nuk të lejon të shohësh as brenda dhe e as përtej “Institucionit”, kjo tashmë nuk ka asnjë dyshim! BFI-ja jeton në mjegull dhe përhap mjegull! Shpëtimi nga kjo situatë e mjerë është vetëm debati publik, sqarimi para opinionit i gjithçkafit që ka ndodhur e që po ndodhë! E kemi shumë të lehtë të dalim para opinionit! Si do të dalim para Zotit?

Shkruan: Mulla Nazmi Jashari

Deri para dy viteve, opinioni “bombardohej” nga kritikat opozitare kundër mënyrës së organizimit dhe funksionimit të BFI-së! Ish-reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi nuk kishte ditë që nuk kritikohej.

Çuditërisht, ndonëse ishte i rrethuar me shumë “miq” asnjëherë nuk ngriti zërin asnjëri për ta mbrojtur nga kritikat sa të arsyeshme aq edhe tendencioze! Gjithashtu, ekzistonte edhe një frikë e madhe në mesin e anëtarëve të Rijasetit, të drejtuesve të organeve të BFI-së si dhe të shumë imamëve që të takohen me oponentët, sepse, për një kafe, apo për një shtrëngim islamikisht të duarve me oponentët, “të shkonte koka”, largohej njeriu nga puna!

Që të gjithë “anëtarët” e Rijasetit kishin frikë por edhe e urrenin opozitën e BFI-së, atë strukturë që po e mërziste shumë reisin e tyre! Këta “anëtarë” të Rijasetit ishin shndërruar në mburojë e Sulejman Rexhepit, “kësaj figure markante”, këtij “luani të kombit e të fesë”, kësaj “figure historike që kishte bërë shumë për fenë e për kombin”, këtij “lideri historik fetar” që i taksoheshin të gjitha sukseset historike të BFI-së! Mërzitë dhe shqetësimet e reisit “miqtë” e tij po i përjetonin si dhembje të trishta. Haxhi Sulejman ef. Rexhepi kishte shumë “miq”, sepse shumëkë e kishte lënë që të kullosë sa të dëshirojë në BFI, kishte lejuar që të shfrytëzohet BFI për pasurime personale e familjare, i kishte hapur dyert e BFI-së për t’u punësuar gratë, motrat, vëllezërit, nipat e “miqve” të tij, kishte sjellë në krye të Myftinive persona të cilët, ndonëse nuk e kishin merituar, i kishin premtuar me gjithë shpirt që do të jenë lojalë deri në frymën e fundit të jetës. Nuk e kishin frikë, sepse po ta kishin frikë nuk do të bënin të pabërat për një teolog të sinqertë! E respektonin? E respektuan aq shumë sa, kurrë nuk do të jetë i kuptueshëm as puçi dhe as komploti që ia bënë! Ishin vetë ata apo prapa tyre fshihej dikush që vepronte në emër të tyre?

Ata mendojnë se kjo do të mbetet përjetë një “mister” i pandriçuar, ndonëse të gjitha veprimet e tyre janë aq lehtësisht të lexueshme! Që të gjithë parapëlyqen që të shkëputen për një çast nga të qenurit i sinqertë dhe në shërbim të Sulejman Rexhepit dhe, që të gjithë të vihen në shërbim të strukturave antiislame dhe antikombëtare në vend dhe më gjërë!

Pra, në fund, këta miq, brenda natës, sikur t’i kishte kapluar epidemia e papërjetuar hala, brenda natës, mblidhen dhe merren vesh që t’ia ngulin thikën pas shpine njeriut që ia kishin borxh jetën, shëndetin (shumë persona i shëroi nëpër botë duke ua mbuluar shpenzimet), pasurinë, mirëqenien, dashurinë, karrierën – H. Sulejman ef. Rexhepi! Ata që nga respekti i madh që e kishin ndaj “reisit të tyre”, iknin prej çdo “armiku” të tij, më në fund, vetë ata e “vranë”, e tradhëtuan, e varën, e poshtëruan, e eliminuan, e harruan!
Po çfarë u bëri efendi Rexhepi këtyre mjeranëve? Pse e tradhëtuan! Ata kurrë keq nuk i kishin bërë! Si lejuan që të gabojnë vetëm një herë dhe ta qëllojnë mu në “lule të ballit”! Dakord, njeriu edhe mund të gabojë një herë! Gabimi edhe falet! Por, a falet mosmirënjohja?

Pse as sot e kësaj dite, këta që e tradhëtuan “liderin” e tyre (Sulejman ef. Rexhepin) as nuk e shajnë eventualisht “për të bëmat e tij”, por as nuk e lavdrojnë, qoftë për një punë të hajrit që e ka bërë ish-reisul ulema i BFI-së. Pa dyshim, janë qindra punë të hajrit që i ka bërë, janë qindra të mira që ua ka bërë bashkëpunëtorëve të vet që do ta tradhëtojnë, janë qindra suksese që ia ka radhitur BFI-së. Mazallah se e thonë një fjalë! Edhe tani nuk guxojnë as ta kritikojnë por as edhe ta lavdërojnë!

Në mesin e hoxhallarëve që janë të moshës së tij, asnjëri nuk ka përmendur se i ka telefonuar, se e ka pyetur për shëndet, se e kanë vizituar, se i kanë shkuar për një kafe! Thonë, nuk guxojmë se Shaqir Fetai na dëbon nga puna! Edukata, morali, virtytet njerëzore, porositë e shenjta kuranore, Sunneti i Pejgamberit tonë, janë miliona herë më të rëndësishme se sa puna e Shaqir Fetait që ta ofron, e aq më të rëndësishme se sa largimi nga puna që ta bën “reisi”!

Nëse në të kaluarën punëtorët e BFI-së nuk guxonin ta takojnë oponentin e Sulejman ef. Rexhepit, sot është edhe më trishtueshëm: sot këta të punësuar nuk guxojnë t’i takojnë as oponentët e efendi Rexhepit që i trashëgoi Shaqir Fetai, por nuk guxojnë ta takojnë as Sulejman ef. Rexhepin!

Kush është ky farë reisi, Shaqir Fetai, që ua ka zënë frymën hoxhallarëve! Të gjithë qenkan në rrezik nëse e hidhërojnë Shaqir Fetain?

Atëherë, që këtu shihet se nuk kemi të bëjmë me një “udhëheqës” por me një njeri me mision të caktuar! Mjer për ne! Zot, na shpëto nga ky turp ku jemi mbërthyer, të kemi frikë nga respekti, nga mirënjohja? Kurse këtë frikësim Shaqir Fetai nuk e bën për të mirën e hoxhallarëve por, për interes të vetin. Dhe kjo sjellje joislame është shumë açik sa për mos t’u parë nga hoxhallarët e mjerë! Kuku për ne!

Continue Reading

Kolumna

Një teatër profesional për aktorët shqiptarë

Published

on

By

Letër nga Kumanova

NJË TEATËR PROFESIONAL PËR AKTORËT SHQIPTARË

Zona e Kumanovës gjithnjë është vlerësuar si “djep” i aktorëve shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, prej nga kanë dalë artistë të përkryer. Dashuria për skenat teatrale është kultivuar ndër breza dhe sot kemi një numër aktorësh nga kjo zonë, të cilët lirisht mund të përbëjnë një trupë teatrale shumë solide. Aktualisht, aktorët shqiptarë nga rrethi i Kumanovës talentin dhe punën e tyre këmbëngulëse prej aktori e shprehin përmes “Njësisë organizative teatrale shqiptare në kuadër të Shtëpisë për Kulturë të Kumanovës”! Pra, jo sektor, aq më pak institucion më vete, por një shprehje “unikate në botë” sa për t’u tallur me artistët shqiptarë! Njësi organizative teatrale!

Ky emërtim i përçudshëm tashmë është “institucionalizuar”, i përkrahur nga partitë tona dhe i subvencionuar me dy-tri premierë në vit nga Ministria e Kulturës! Dhe kështu është absorbuar çdo pakënaqësi dhe kërkesë e artdashësve, është neutralizuar çdo përpjekje kombëtare për një institucion nacional të mirëfilltë, është paralizuar çdo “kërkesë nacionaliste” që do ta brengoste “pronarin”- komunitetin maqedonas të kulturës (një shqetësim më pak për ”pronarin e kulturës” nga “nacionalizmi shqiptar”)!

Duhet të nënvizohet se angazhimet e para për një teatër shqiptar në Kumanovë kanë qenë shumë serioze, me një elaborat që ka zbërthyer të gjitha nevojat profesionale dhe kulturore të shqiptarëve të kësaj ane! Partitë politike shqiptare, me qëllim që mos ta mbështesin për muri partnerin qeveritar maqedonas (sepse mund të hidhërohet elektorati i tyre), kanë parapëlqyer më tepër që të “hidhërohen” me artistët shqiptarë, t’i ofendojnë ata me një “institucion fiktiv”, ku mund ta shprehin gjithë talentin e tyre.

A mbrohet në këtë mënyrë identiteti kulturor kombëtar?! Pse aktorëve të mrekullueshëm kumanovarë t’u ofrohet një “njësi teatrale” dhe jo një institucion nacional: Teatri Shqiptar në Kumanovë! Në këtë qytet funksionojnë dy institucione nacionale maqedonase: Qendra për Kulturë “Trajko Prokopiev” dhe Institucioni Nacional “Muzeu”! Pse mos të themelohet dhe të funksionojë edhe një institucion nacional, Teatri Shqiptar i Kumanovës, me emër, për shembull, “Sefedin Nuredini”?

Potenciali kadrovik ekziston dhe është ndër më të fuqishmit në vend, potenciali financiar ekziston, sepse shqiptarët e këtij qyteti paguajnë taksa të majme, nevoja komunitare ekziston, sepse shqiptarët, publiku artdashës dëshiron që të ketë një institucion që do t’i nderojë dhe që do t’ua respektojë tërë atë angazhim që shqiptarët e këtushëm e kanë bërë për teatrin shqiptar në Maqedoninë e Veriut! Mundi, angazhimi dhe dëshira e shqiptarëve të Maqedonisë është përtej një “njësie teatrale” si seksion në kuadër të një shtëpie të kulturës! Mbase, partitë tona edhe ia kanë dalë që në këtë njësi organizative të ketë të punësuar profesionalë me rroga aktori! Por, aktorit shqiptar nuk i intereson as punësimi e as rroga, por ekzistimi i një Institucioni Nacional Shqiptar!

Janë miratuar e hedhur mbi 500 milionë dollarë, janë miratuar edhe me pëlqimi e partnerëve shqiptarë të koalicioneve qeveritare! Këto para janë shpenzuar për anije idiotike, për luana e dema, për shelgje në lumë e për ura me skulptura nga kultura dhe religjioni ortodoks maqedonas! Pse mos të arrihet edhe një konsensus qeveritar për një buxhet prej 5-6 mlionë dollarë (aq sa kanë kushtuar dy-tri përmendore të cubave maqedonas) për ta ndërtuar një objekt të denjë teatral për aktorët dhe teatër-dashësit shqiptarë të Kumanovës! Apo, këta “të shkretë” akoma nuk janë bërë për teatër, sepse edhe më tej nuk e kanë të rregulluar sistemin e kanalizimit, ujësjellësit, rrugët, ndriçimin publik… Jemi në rrugë e sipër, na duhet vetëm të na mandatoni edhe një herë, edhe një herë, edhe një herë… – do të thoshin “politikanët” tanë! Një shfaqje kjo tragjiko-komike si shumë e gjatë (gati e amshueshme!) ndër shqiptarët e Maqedonisë së Veriut!/HEJZA/

Continue Reading

Aktuale