Connect with us

Kolumna

Kemi nevojë për gazetarinë, për ta çuar njerëzimin një nivel më lartë

Published

on

Shkruan, Marc BENIOFF*

Eshtë një paradoks i kësaj kohe që jetojmë. Ne kemi një univers të gjerë informacioni në majë të gishtave, megjithatë vazhdojmë të përpiqemi, për të kuptuar forcat që i japin formë botës tonë.

Vetë teknologjitë dhe platformat e mediave sociale që duhej të na bashkonin, janë përdorur për të mbjellë ndarje dhe për të dëmtuar demokracinë tonë. Pushteti vjen nga “ne njerëzit”, megjithatë besimi i publikut tek institucionet vazhdon të bjerë. Shtypi i lirë që siguron transparencë dhe përgjegjësi është nën sulm, kudo, në mbarë botën. Ne jemi të rrethuar nga një prosperitet i paprecedentë, por edhe pabarazi tronditëse, që kanë çuar drejt thirrjeve për një formë të re, më të barabartë dhe të qëndrueshme të kapitalizmit. Inteligjenca artificiale mund të na bëjë më të zgjuar, më të pasur dhe më të shëndetshëm, por algoritmet gjithnjë e më shumë vendosin se cilët artikuj lexojmë.

Në momente të tillë transformimi, si ta përcaktojmë që jemi duke e ngritur më lart njerëzimin, dhe jo duke e dëmtuar atë?

Më shumë se kurrë, e vërteta ka rëndësi. Faktet kanë rëndësi. Vlerat kanë rëndësi. Çarëdo organizate, biznesi apo institucioni ku bëjmë pjesë, duhet të kuptojmë se nuk jemi të ndarë nga çështjet më të mëdha sociale që na rrethojnë. Ne kemi një përgjegjësi jo thjesht për të nxjerrë një fitim, por për ta bërë botën një vend më të mirë. Ne kemi një detyrim t’u shërbejmë të gjithë aktorëve, përfshirë punonjësit, komunitetet dhe planetin tonë. Kur ta bëjmë këtë, secili nga ne mund të jetë një platformë për ndryshime dhe një forcë që punon për të mirën.

Kjo është arsyeja pse bashkëshortja ime Lynne dhe unë vendosëm të bëhemi pronarë të revistës TIME një vit më parë. Për gati një shekull, TIME është besuar nga miliona njerëz në mbarë botën, për të rrëfyer histori që kanë më shumë rëndësi dhe për të na ndihmuar të shohim njëri-tjetrin. Ne e shohim këtë angazhim për të treguar historitë që kanë rëndësi dhe që formojnë jetën tonë, në mbulimin e revistës TIME, të udhëhequr nga kryeredaktori dhe CEO Eduard Felsenthal dhe një ekip global. Çdo javë, ajo kopertinë e rrethuar me shirit të kuq, është një thirrje për të vepruar, për t’u shkundur nga vetëkënaqësia jonë dhe për t’u përballur me çështjet më të ngutshme, me të cilat përballet bota jonë.

Sot, TIME është një botim udhëheqës në platformat dixhitale dhe sociale, me një audiencë globale prej mbi 100 milion lexues, duke mbërritur çdo ditë tek më shumë njerëz, se sa mund ta kishin imagjinuar themeluesit e saj. Me pesë kandidime Emmy në tre vitet e fundit, TIME ka marrë për dore lexuesit, thellë në pyjet e Amazonës dhe lart në hapësirën e jashtme, përmes rrëfimit dixhital. Vitin e ardhshëm, TIME do të përdorë krijimin e sofistikuar filmik të realitetit virtual për të rikrijuar marshimin historik të Martin Luther King Jr në Uashington. Ne po investojmë në redaksinë e TIME dhe biznesin e saj, për të siguruar që të dyja të vazhdojnë të lulëzojnë për shekullin e ardhshëm.

Lynne dhe unë, gjithashtu kemi një vlerësim të thellë për fuqinë e një shtypi të lirë dhe të gjallë në një nivel më lokal, në komunitetin tonë në San Francisko. Tetë vjet më parë, lexuam një artikull në San Francisco Chronicle në lidhje me një djalë të quajtur Rudy, një i pastrehë në klasë të katërt. Me prindërit dhe vëllain e madh, ai kalonte netët në strehëzat e posaçme për njerëz si ai, duke u endur mes stacioneveve të autobusëve dhe parqeve të qytetit. Në mëngjes, ngrihej dhe ndërronte dy autobusë për të shkuar në shkollën fillore, i lodhur dhe i uritur. Historia e Rudyt na tronditi dhe na dha fuqi. Që atëherë, e kemi bërë mbështetjen për familjet e pastreha, një fokus të filantropisë sonë personale.

Vitin e kaluar, unë mbështeta një proces votimi për të vjelë një taksë mbi kompanitë më të mëdha të San Franciscos, duke përfshirë edhe kompaninë time, për të adresuar krizën e të pastrehëve në qytet. Një shtyp i lirë luajti një rol jetësor gjatë debatit publik. Kur filluan të shfaqen dezinformime dhe lajme të rreme, shtypi kërkoi të vërtetën. Të armatosur me faktet, votuesit ishin në gjendje të merrnin vendime më të informuara, dhe ne ishim mirënjohës që masa e kërkuar, në fund u miratua me më shumë se 60% të votave.

Bota jonë ka pësuar transformime të panumërta që kur revista e parë TIME doli në stendat e gazetave e revistave, në mars 1923, me një çmim 15 cent. Në qytetin tonë të lindjes, San Francisko ose kudo që lexoni TIME, askush prej nesh nuk mund të dijë se çfarë ndryshimesh do të vijnë në dekadat e ardhshme.

Ajo që ne dimë është se ndryshimet që kërkojmë nuk do të ndodhin vetë. Ato do të ndodhin vetëm atëherë kur vërtet të dëgjojmë njëri-tjetrin dhe të pranojmë që të gjithë, përfshirë një djalë të vogël, të pastrehë në rrugët e San Franciskos – kanë rëndësi dhe meritojnë një shans të barabartë, për të pasur sukses dhe për të jetuar me dinjitet dhe shanse.

Këto janë historitë që duhet të rrëfehen në mediat tona. Këto janë historitë që duhet të dëgjojmë – dhe që duhet të frymëzojnë çdonjërin prej nesh, që të bëjmë atë që mundemi, për njerëzit tanë dhe për të përmirësuar gjendjen e botës sonë.

Marc dhe Lynne Benioff janë pronarë të revistës TIME. Marc është gjithashtu CEO i Salesforce dhe autor i librit “Fuqia e biznesit si platforma më e madhe për ndryshimin” / TIME – Bota.al

Continue Reading

Kolumna

Pasqyra e hipokritit

Published

on

Shaqir Fetai paska dhënë një intervistë në revistën e tij album personal “Hëna e Re” dhe, këtë intervistë e paska zhvilluar me një “ekip gazetarësh”! Me demek, nuk ekziston gazetar që mund të zhvillojë intervistë me Shaqir Fetain, patjetër duhet të jetë “ekip gazetarësh”

Shkruan Jasir Jashari

Një “ekip gazetarësh” që intervistën e titullojnë me “URTËSIA DHE DURIMI NË VEPRIM JANË VIRTYTËSITË TONA”, dëshmojnë se kanë shkruar një intervistë sa për t’ia bërë qejfin Shaqir Fetait i cili edhe më tej po ngelë në anonimitet (ndryshe, nuk do t’ia gabonin emrin sa herë të përflitet në media)! Për cilën urtësi flet Shaqir Fetai? Për të tijën?! Tashmë e ka dëshmuar “urtësinë” e vet dhe, në tradhëti të ketë urtësi kjo as nuk është parë dhe as nuk është dëgjuar! Shaqir Fetai paska thënë “durim në veprim”?! Në veprim ka maturi, ka sinqeritet, ka ndershmëri e besnikëri, ndërsa durimi është fenomen i cili vie në shprehje para çdo veprimi! Durim do të thotë “sabër” o bilmeza!

Një intervistë e kurdisur, e porositur, një bashkëbisedim sa për mastrubim të trurit të tredhur, tepër shumë subjektive, që na del si një pasqyrë që pasqyron ekskluzivisht hipokritët e tipit të Shaqir Fetait! A guxon të fillojë intervista me Shaqir Fetain me pyetjen “Tashmë i bëtë afër një vit e gjysmë në krye të BFI të RMV. Cilat janë përshtypjet Tuaja si njeri i parë i një institucioni kaq të rëndësishëm?”, ndërkohë që hala nuk është përgjigjur në pyetjet e popullit: cili ishte çmimi i tradhëtisë që ia bëri ish-reisit të vet? Kush ia ofroi skenarin e tradhëtisë, pse e pranoi atë tradhëti? Çka fitoi nga ajo tradhëti! Sa kohë më parë e kishte bluar tradhëtinë? Kush i dha sinjal për tradhëti, sepse, një javë më parë e kishte vlerësuar ish-reisin e vet si “figurë markante…”?

Çka pati nevojë Shaqir Fetai që të jetë “njeri i parë”, ndërkohë që gjithnjë ka qenë në krah të të parit? Çfarë pati nevojë Shaqir Fetai për ta rrëzuar të parin ndërkohë që gjithnjë ishte nën sqetullën e të parit? Pse paska pasur nevojë të jetë “i pari”, ndërkohë që reisi i tij kurrë nuk ka marrur vendime pa pëqlimin e Shaqir Fetait, madje edhe atëherë kur ky propozonte me këmbëngulje që t’i largojë nga puna miqte më të ndershëm të “reisit” që i kishin shërbyer edhe si parzmorë pa zhveshjen e së cilës Shaqir Fetai nuk mund t’ia ngulte thikën të parit të vet!
Shaqir Fetai intervistën e fillon duke e nxjerrë në pah një “vlerë” të tij: ai kurrë nuk po u ankuaka për diçka që nuk e arrinë! Dhe, sipas kësaj fraze (“budallain mos e vet se të kallzon vetë”) tashmë Shaqir Fetai e ka arritur atë që ka dashur, ndërsa tani duhet edhe të ankohet se, kush qenë ata që e detyruan në këtë arritje të turpshme! Të paktën të ankohet se pse e lanë instalacion në krye të BFI-së dhe nuk e viktimizuan duke e torturuar si “Krishtin të pafetë”! Sepse, Shaqir Fetai pa pak viktimizim nuk ka se si ta shpreh pafajësinë e tij në tradhëti!
Tutje, Shaqir Fetai thotë se në fillim paska qenë i frikësuar dhe se paska pritur turbllira të mëdha, porse, falë Zotit gjithçka i paska shkuar sikur të jetë hedhur në mjalt. A thua ku do të bie kur do t’i mbarojë mjalti?!

Natyrisht, Shaqir Fetai ka qenë shumë i vetëdishëm për pasojat pas asaj tradhëtie, ka qenë shumë i vetëdishëm se mund të ketë kundërreaksion pas atij veprimi antiislamik që e ndërmori kundër reisit të tij dhe kundër traditës shekullore të BFI-së se kush mund të jetë në krye të saj! Nuk ishte zgjuarësi e Shaqir Fetait fakti që punët rrodhën qetësisht, porse, zgjuarësi ishte e atyreve që u tradhëtuan dhe që ndëshkimin për tradhëti e komplot ia lanë Vetë Zotit! Hakmarrja njerëzore do ta paraqiste Shaqir Fetain martir, ndërsa hakmarrja nga Zoti – çka do ta paraqesë Shaqir Fetain? Këtë më së miri e di Zoti i Madhërishëm! Mallkimi i Tiij mund të vonojë por, një gjë është e sigurtë – Ai kurrë nuk harron për ta ndëshkuar të pabesin!

Në këtë “rrugëtim suksesi” Shaqir Fetai e paska pasur përkrahjen e “bashkëpnëtorëve tanë”! Të kujt janë këta bashkëpunëtorë? Kush janë “bashkëpunëtorët tanë”? Shaqir Fetai nuk është Instiitucion i shërbimeve për të pasur bashkëpunëtorë! Shaqir Fetai këtë rrugëtim e pati me bashkëpunëtorët e vet që vijnë nga e njëjta guzhinë, nga të njëjtat kanale minjësh, sepse, ndryshe nuk do të mund ta realizonin tradhëtinë dhe komplotin që ia bënë “babait” të tyre, e që assesi nuk po ia dalin ta demantojnë faktin që ishin mercenarë e mision anti-BFI!

Shaqir Fetai mendon se kjo “strategji” e tij paska dhënë rezultate konkrete! Shaqir Fetai shantazhin policor, ndërsimin e shërbimeve sekrete, obligimet dhe detyrat ndaj këtyre shërbimeve – të gjitha këto marifetllëqe i paraqet si “strategji të veten”! Nuk ka strategji në botë, nuk ka fuqi në botë, nuk ka plan në botë, nuk ka ideator në botë që, brenda natës i mbedh bashkëpunëtorët për ta ndërmarrur veprimin e puçit dhe të shantazhit. Këtë mund ta bëjnë vetëm bashkëpunëtorët e shërbimeve të cilët, brenda një sekondi i nënshtrohen urdhërit, madje nëse duhet edhe për ta nërkëmbur edhe nderin familjar.

Shaqir Fetai e përfundon përgjigjen e parë duke thënë se puna e tij qenka transparente! Si mund të jetë konspiraconi punë transparente? Si mund të jetë transparente ikja nga pyetjet objektive? Si mund të jetë trasparente shmangia nga debati ngjashëm siç ik djalli prej temjanit? Shaqir Fetai transparente e ka vetëm rrenën, vetëlavdërimin, heshtjen para tradhëtisë dhe errësimin e misionit të tij.

Continue Reading

Kolumna

Nebiu: Vota është amanet e tradhëtia ndaj amanetit dënohet rëndë nga populli

Published

on

Shkruan: Mr. Driton NEBIU

Në këto ditët e para të këtij viti që sapo e filluam, ende me përshtypjet festive, po fillojnë të na dalin para sysh të gjitha ato që lamë pas, hallet e dertet, pritjet e realizimet e besa edhe mashtrimet. Sot jemi më të pasur me një përvojë nga një vit përplot dështime, me shumë premtime e shpresë për jetë më të mirë, e me një realitet tepër të zymtë. U fol shumë për drejtësinë dhe sundimin e të drejtës e u ballafaquam me vendimet më të turpshme të sistemit të drejtësisë, duke u dënuar të pafajshmit, që të lirohen fajtorët.

Qeveria e regjimit hibrit të Maqedonisë së Veriut BDI-LSDM, edhe në vitin që kaloi premtoi sundim të së drejtës e bëri gjithandej padrejtësi. Në burgjet e vendit ende po mbahen të dënuarit e proceseve të montuara, për dallim nga tentimi që të amnestohen vrasës i fëmijëve si Iliqi, e kriminel si Ninxha, po së fundmi edhe të lirohet i dënuari për disa vepra e i dyshuari për disa të tjera i “famshmi magjistari” Mijallkov, që humb e shfaqet kur t’ia don qejfi.

I gjithë viti na kaloi edhe në luftën kundër pandemisë, me shpresë se do të rikthejmë shëndetin e humbur, pa menduar fare se do të na digjen pacientët pikërisht në spital dhe askush nuk do të bartë përgjegjësi, po qoftë edhe morale, që më pas ende pa u shëruar kjo dhimbje të na ndodhë dhimbja tjetër të na digjen njerëz në rrugët e botës e sërish të heshtim e të kalojë e gjitha me dy suspendime sa për sy e faqe, duke i hapur rrugën edhe më shumë korrupcionit në sistem. Të gjitha këto po na vijnë që nga shpallja e agjendës “jeshile” të atyre që jeshil po u shkon jeta, pa asnjë punë e rezultat e me plotë mashtrime sërish në pushtet. Në këtë “gjelbërim” askush nuk priti se kishin edhe AlternAtivA, edhe ate pikërisht ata që ishin më të zëshmit kundër tyre herë me “bretkosa” e herë duke i fajësuar të tjerët se qenkan të shitur, e në fund “hyxhym” e në prehrin e tyre.

U qoftë kjo për nderë, po e patën. Mashtruan votuesin, e shkelën marrëveshjen po edhe fjalën e dhënë publike, morën mandatet e fituara në llogari të të tjerëve e ua dorëzuan peshqesh për Vit të Ri si në rolin e Baba Dimrit. Harruan se vota është amanet, e amaneti nuk tradhëtohet, kjo do t’i dënojë jo më larg se në zgjedhjet e para kur do të mbetetn parti “mahalle” ashtu siç edhe ishin, një këmbë këndej e një këmbë andej. Po kjo është brenga e tyre.

Zhgënjimi zakonisht është ndjenjë që sjell pakënaqësi, kur ke pritje e mbi të gjitha qëllim e e njejta nuk realizohet. Ajo krijon hidhërim e emocione por edhe paraqet një fillim. Emocionet fillestare mund vetëm të jenë një shtytje plotësuese për një hap të ri drejt qëllimit. Popullata e zhgënjyer nga ata që prioritet kanë përfitimet personale para të mirave kolektive, do të dijë të vlerësojë po edhe të dënojë. Ata janë të vetëdijshëm dhe e kanë të qartë se kush është me ta e kush punon për ta. Është vetëm një opozitë dhe një frymë opozitare me një lider të vetëm opozitar.

I sulmuar, i tradhëtuar, të mos themi edhe i likuiduar, fatmirësisht i gjallë, i fortë, i qartë e me ideal, i gatshëm për sfida të reja, i gatshëm që përkrahjen e popullatës ta materializojë me realizime e punë për të mirën e tyre, para të gjithëve qëndron lideri i opozitës Ziadin Sela, i hapur për të gjitha forcat që mund të sjellin qoftë edhe një gurë në ndërtimin e kalasë së fortë të mbrojtjes së interesave shqiptare në këtë vend, së bashku në një Alenacë për Shqiptarët e me shqiptarët, kërkon vetëm një votëbesim, jo për vete po për realizimin e aspiratave të kahmotshme shqiptare, të jemi të barabart në mesin e të barabartëve, në një shtet për të gjithë.

Rruga e qartë është trasuar, ekipi me njerëz të ndershëm e profesionist të lëmive të ndryshme është krijuar e i njejti është duke u plotësuar çdo ditë e më shumë, ashtu siç është përcaktuar qëllimi, duhet vetëm edhe angazhim, për jetë më të mirë e luftë kundër korrupcionit, mashtrimit, paaftësisë e servilizmit.

E ardhmja po troket në derë.
Mirë se na vini.

Continue Reading

Kolumna

Tangoja e fshehtë LSDM-VMRO edhe në rastin Mijallkov, prisni edhe ma zi në 2022?!

Published

on

Nga Naser Pajaziti

2022 do të ketë në fokus tangon e fshehtë të kokave të LSDM dhe VMRO, që u duk qartë edhe në rastin e lirimit të Mijallkovit.

Sot heshtje totale dhe asnjë reagim nga dyja partitë, pikërisht për padrinon që mbrëmë kishte festuar lirinë në një restorant të Shkupit.

A nuk duket që gjithçka është në sinkron, duke ia mbyllur gojën pushtetarëve të kapur shqiptarë?

BDI pse heshtë për drejtësinë e standardeve të dyfishta. Ku janë ekspertët e drejtësisë?

Alternativa sa u zotua për drejtësi dhe zbardhjen e rasteve të montuara, i doli befasia me Mijallkovin. Kësaj i thonë luaje mac krytë e buallit.

Kësaj duhet ti thuhet ndal. Opozita shqiptare duhet ta çoj deri në fund betejë për drejtësi, e kjo bashkë me shoqërinë civile dhe popullin e mbetur me protesta.

Si gjithmonë faktori politik shqiptar flet e përsërit refrenët për hetime ndërkombëtare e përsëritje të rasteve të montuara, por gjithçka mbytet dhe heshtet nga opinionet dhe strategjitë e orkestruara institucionale me alibitë dhe arsyetimet se po ndërhyhet në drejtësi dhe mos prekni aty!

Koketimet dhe tangoja e dyshes do të shkoj aq largë sa që po zihet plani për një “Przhinë 3” me një qeveri të zgjeruar, me falje ose amnisti për gjitha rastet e ‘bombave’ të Zaevit dhe protagonistët e 27 prillit. Dhe si gjithmonë një episod i ri i kamfuluar si diçka e re.

Por pritjet janë tek “lista e zezë” amerikane që sipas paralajmërimeve do të kap edhe emra ish-kryeministrash, ministrash e shumë zyrtarë të tjerë kriminogjen dhe të korruptuar. Zot na ruaj, Amerikë na ndihmo!

Continue Reading

Aktuale