Connect with us

Qëndrime

‘Lider rajonal’, apo me mision për të përçarë Kosovën me Shqipërinë?!

Published

on

Shkruan  Poli Hoxha

Fiksimi i i Edi Ramës (nëse është vetëm kaq) se është një lider që tejkalon kufijtë e Shqipërisë, deri më tani ka qenë vetëm objekt talljesh dhe memesh. Por me përfshirjen e tij në të ashtuquajturin ‘mini-shengen ballanik’, ky fiksacion qesharak po kthehet realisht, edhe në një faktor përçarës të madh dhe sabotim kombëtarë.

Njeriu që është tallur më së shumti dhe sa herë që i është dhënë rasti, me ‘Edi Ramën, lider rajonal e global”, ka qenë presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç. Por duket se ky i fundit këtë bipolaritet të kryeministrit të Shqipërisë, po e kthen edhe në një përfitim maksimal për Serbinë dhe për veten si politikan.

Nëse Edi Rama me nënshkrimin në Novi Sad dhe në takimin e fundit në Ohër për këtë çështje, sërish ka arritur që të vetëkënaqet me protagonizëm, ai që ka përfituar më së shumti është Vuçiç.

Nga ana tjetër faktori shqiptarë në rajon e ka gjetur veten edhe më të përçarë, pas këtyre veprimeve jo transparente dhe të çartura të Edi Ramës, të cilat i ndërmerr në emër të Shqipërisë. Nuk duhet të harrojmë se plaga e përçarjes mes Shqipërisë dhe Kosovës është boll e mahisur, pas tentativës për realizimin e projektit për ndryshimin e kufijve të Kosovës, ku Edi Rama ka qenë protagonist i fortë, edhe pse në hije.

Por le ti kthjellojmë shkurt synimet ekonomike dhe politike të këtij projekti, për të kuptuar se sa Shqipëria dhe Kosova përfitojnë nga kjo marrëveshje, të cilën Edi Rama e ka firmosur dhe po e çon përpara pa pyetur askënd, as në Tiranë e as në Prishtinë.

Ai pretendon se të dy shtetet shqiptare, përveçse lëvizjes së lirë, do të kenë edhe përfitim të madh ekonomik. Por nga deklarimet e deritanishme, Dhomat e Tregtisë së Kosovës e ajo në Shqipëri (Madje edhe ajo në Maqedoninë e Veriut), janë shfaqur mjaft skeptikë, duke argumentuar se përveç Serbisë, vendet tona nuk do të kenë ndonjë përfitim të qenësishëm.

Aq më tepër kur dihet, se nuk është bërë asnjë vlerësim ekonomik-financiar konkret, me ekspertët e fushës. Dhe kjo është e qëllimshme dhe në funksion të tymnajës, që nxit debatin dhe përçarjen.

Madje Dhoma e Tregtisë, bizneset dhe ekspertët në Kosovë, përkundrazi po sjellin argumente të forta se prej këtij projekti, përfitues i madh do të jetë vetëm Serbia, si vend me prodhim dhe tregti shumë më të zhvilluar.

Gjithashtu të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimorë, tregtinë e lirë e kryejnë si nënshkrues dhe anëtarë të CEFTA, pavarësisht se Serbia këtë e pengon veçanërisht ndaj Kosovës, me vendime politike dhe të tjera burokratike të qëllimshme.

Nga ana tjetër do të ishte një absurditet, që Kosova të ulej në këto takime, e akoma më shumë të nënshkruante, kur taksa 100% është ende në fuqi. Një hap i tillë do të shënonte kapitullim direkt dhe një pranim de fakto të heqjes së saj, pa marrë mbrapsht nga Serbia asnjë gjë.

Rama e fton Kosovën që të nënshkruajë me Serbinë një zonë të lirë ekonomike dhe të lëvizjes së lirë, por nga ana tjetër bën sikur harron që shteti i Vuçiç nuk njeh as targat e automjete të Republikës së Kosovës. Një firmë e Kosovës mbi këtë projekt djallëzor të dalë nga prapa-dhoma e zyrës së Vuçiç, do të thoshte rikthim e pranim i një skeme të ngjashme me autonominë ekonomike Kosova faktikisht punonte për Serbinë) që u kishte dhënë Tito, e prej së cilës shpëtuan duke derdhur lumenj me gjak.

Edhe në marrëdhëniet ekonomike, Shqipëri-Kosovë, kjo që po bën Edi Rama është një hipokrizi e madhe. Shumica e marrëveshjeve të nënshkruara nga dy qeveritë dhe veçanërisht ato për lehtësimet e bizneseve kanë mbetur në letër, e të bllokuara eksluzivisht nga pala shqiptare. Ndërkohë që Rama flet për “liri ekonomike dhe qarkullimi’ në një zonë që të kujton ish-Jugosllavinë e Titos, ai e ka penguar pikërisht këtë gjë mes dy shteteve shqiptare. Mjafton të rikujtojmë taksën në rrugën e Kombit e cila kërcet fortë, veçanërisht në kurriz të biznesmenëve dhe qytetarëve të Kosovës.

Në Ohër, veçanërisht Edi Rama në fjalën e tij, tha se ky projekt është thjesht ekonomik dhe jo politik, duke synuar kështu që të sfumojë zërat, për rikthimin e një mini Ish-Jugosllavie të përshtatur për shekullin XXI, me lider absolut Serbinë.

Që kjo marrëveshje është thellësisht politike, Rama dhe Vuçiç e pranuan hapur në takimin e Novi Sadit, ku edhe hodhën firmat. Aty u tha nga kryeministri ynë, se kjo po bëhet si kundërpërgjigje ndaj vendimit të BE-së për mos hapjen e negociatave. Nuk do presim BE-në-tha qartë Edi Rama.

Por nëse Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë ‘të vetë justifikuara’ në këtë drejtim, po Serbia e Vuçiç që i ka hapur negociatat prej kohësh, çfarë halli ka?! Po Mali i Zi, përse refuzon prerë, që të bashkohet në këtë projekt?!

Dhe tallja e hipokrizia më e madhe është, se ndërkohë që Vuçiç firmos me Ramën dhe Zaev për këtë zonë të lirë ekonomike në rajonin tonë, pak kohë më parë ka hedhur një firmë tjetër në krah të Rusisë, si pjesëmarrës i grupimit që po synon ti bëjë karshillik BE-së, (BEEA) Bashkimi Ekonomik Euro-Aziatik. Paralelisht me nxitimin për të krijuar ‘mini-shengenin ballkanik’, këtë xhep në mes të Europës, Rusia ju dërgoi ftesa për anëtarësim në BEEA, edhe Ramës edhe Zaevit. Por ndërsa ky i fundit deklaroi se, ‘as në mendje nuk më bie një punë e tillë dhe nëse ka një ftesë, uroj që të mos arrijë kurrë”, kryeministri i Shqipërisë vazhdon që të hesht duke kujtuar ‘i shkreti’, se po provokon perëndimin.

Situata kthjellohet dhe më shumë kur mësojmë, se ndërkohë që “mini-shengenin ballkanik’ ka përçarë edhe më shumë Prishtinën zyrtare e politike me Tiranën e Ramës, Vuçiçit, me rikthimin e ëndrrës për një “mini ish-Jugosllavi’ të re me qendër rëndese në Beograd, i janë rritur pikët në maksimum në Serbi.

Ndërkohë që nga Ohri, Edi Rama, kritikon Kosovën në krah të Vuçiç i cili nënqesh pa e fshehur, se përse refuzuan kurthin e radhës, ministri i Jashtëm serb Daçiç hap shampanjën dhe shpall festën për fitoren e lobimit të tyre në funksion të tërheqjes së njohjes së shtetit të Kosovës, edhe nga Gana!

Pra është realitet që serbët po shfaqen në bllok dhe të bashkuar për këtë projekt, për të cilin mediat në Beograd zbuluan pak kohë më parë se është skicuar personalisht nga presidenti i tyre, kurse dy shtet shqiptare e gjejnë veten edhe më të përçarë.

Në Shqipëri është Edi Rama i cili pa pyetur askënd (Parlamentin, opozitën, biznesin etj) po hedh firma poshtë e përpjetë në emër të vendit, kurse në Kosovë të gjithë faktorët pa përjashtim janë deklaruar kundër.

Pas dështimit (momental) të ndarjes së Kosovës, ky projekt tjetër që u shfaq habitshëm direkt, e që sërish nuk po përkrahet zyrtarisht nga aleatët e mëdhenj euro-atlantikë të shqiptarëve (Përveç disa burokratëve dështuar të BE) dëshmon edhe njëherë, se Edi Rama si kryeministër, kryetar i PS-së dhe politikan protagonist është një përçarës i madh i botës shqiptare në rajon, por edhe më tej.

E bën këtë për të ushqyer fiksimin e tij të protagonistit si “lider Rajonal’ (që ja ysht aq shumë Vuçiç), apo e ka mision; detyrim-përcaktim?!

Nuk është e largët koha, kur kartat do të hapen mbi tavolinë; si për projektin e ndarjes së Kosovës, si për këtë tentativë të re malinje të Serbisë!

Continue Reading

Komente

Xhaferi: 22 vjeçarja Viktorija u vra nga drejtësia që e vrau edhe Almirin e vogël

Published

on

By

Arianit Xhaferi në facebook:

22-vjeçarja Viktorija Nikolova nuk është vrarë vetëm nga 24-vjeçari J.Lj. Ajo u vra nga sistemi i drejtësisë, i cili inkurajoi sjellje të tilla të shoferëve që nga koha kur vendosi që Boban Iliç të mos vrasë Almir Aliun, por ai ishte viktimë e një aksidenti automobilistik…

U prefsh ne paqe Viktoria.

Tek ne drejtësia ka kohë që ka vdekur. Ndërsa vetë gjyqtarët dhe prokurorët nuk do të bien viktima të “aksidenteve automobilistike”, do të ketë shumë më tepër Viktoria dhe Almira…

Continue Reading

Kolumna

Artikuluesi artistik i rrenës

Published

on

Është prej mëkateve të mëdha që mos të reagoshë pas rrenës publike! Në një intervistë të botuar në albumin e vet personal, “Hëna e Re”, Shaqir Fetai, veç tjerash, flet edhe për “punët me prioritet” të tij me t’u instaluar partiakisht në krye të BFI-së

Nga Mr. Eset Shaqiri

Po cilat paskan qenë ato “punë me prioritet”?! Nuk ka asnjë punë! Sepse, aksioni politik për komplot dhe puç ishte aq i furishëm sa, si një tërmet fatal i cili as sot e kësaj dite nuk ofron mundësi për sanim të pasojave dhe për adresim të prioriteteve që i ka BFI-ja e Shaqir Fetait!

Nuk ka qenie e gjallë në Maqedoninë e Veriut që nuk e di se si rodhi procesi i instalimt të Shaqir Fetait në krye të BFI-së! Dhe, çuditërtisht, “reisi” i instaluar dhunshëm na paska ardhur në kohën kur Kovid 19 e paska arritur kulmin e përhapjes së vet! Shaqir Fetai nuk paska pasur mundësi të mendojë në punë të tjera, sepse para vetes “paska pasur” masa që OBSH-ja i paska “nxjerrur” që ky ta luftojë pandeminë! A nuk është kjo një përpjekje qyqare e Shaqir Fetait për ta kamufluar paaftësinë e tij totale për t’i prirur një organizate aq të madhe siç është BFI-ja! A nuk është një përpjekje perfide e tij për ta fshehur revoltën e popullit dhe gatishmërinë unanime për ta bojkotuar një BFI të kontrolluar nga vegla të pushtetit anntiislam dhe nga militantët partiakë! OSHB-ja e paska ngarkuar Shaqir Fetain me masa kundër epidemisë?! OSHB-ja dhe Shaqir Fetai! I sëmurë për t’i dhënë vetes peshë! Madje aq mirë i paska respektuar këto masa sa paska arritur që në botë të dëshmojë se cila është “fuqia ndikuese” e BFI-së?

Së pari, OSHB-ja ka rekomanduar masa për çdo ministri shëndetësore në botë, apo për çdo komision shtetëror të formuuar enkas për ta luftuar përhapjen e kësaj pandemie! Tutje, Komisioni shtetëror me në krye ministrin e shëndetësisë, i ka ngarkuar të gjitha institucionet dhe organzatat e vendit që t’i zbatojnë ato rekomandime. Pra, BFI-ja, si të gjitha të tjerat, kanë qenë të obliguara që t’i zbatojnë rekomandimet e këtij Komisioni të cilat ishin të bazuara në rekomandimet e OBSH-së, dhe, së këndejmi, të pushojë Shaqir Fetai duke u lavdëruar lidhur me këtë pandemi, e cila desh e mbyti vetë atë kurse i mori jetë edhe bashkëmendimtarëve të vet! Asnjë nga komunitetet fetare në vend nuk ka raportuar se ka pasur nëpunës të infektuar apo të vdekur nga kjo pandemi. Në BFI-në e Shaqir Fetait ka vluar!

Së dyti, kur u instalua Shaqir Fetai, nuk ishte kulmi, por situata ishte zbutur, ndaj dhe u lejua falja e namazit në xhemat pasi, për herë të parë në historinë e myslimanëve të vendit, ishte ndaluar gati një vit më parë, kur epidemia po përhapej me përmasa shumë tragjike. Kur u instalua Shaqir Fetai në fuqi ishte falja e namazit në xhemat me distancë! Kontributi i Shaqir Fetait ishte zero, ndërkohë që kontributi paraprak ishte konkret! Ish-reisi i tij i kishte pranuar të gjitha masat e Komisionit shtetëror për menaxhim me këtë pandemi, ndërsa kishte nisur edhe aksionin e donimit të mijëra maskave për institucione të ndryshme të vendit. Ky po që është kontribut!

Së treti, nuk është e vërtetë se kjo pandemi e paskësh rrezikuar financiarish BFI-në! Sepse, prezenca e përditshme e xhematit në xhami nuk gjeneron kurrfarë të ardhurash për BFI-në, të paktën nuk do të duhej! Ai u instalua në kohën kur fitri ishte paguar në BFI, por në masë të madhe edhe zeqati! Veç kësaj, ish-reisi i Shaqir Fetait, kishte këmbëngulur që edhe BFI-ja të përfshihej në buxhetet shtetërore të krijuar për lehtësimin e krizave financiare si pasojë e pandemisë. Madje ishte kërcënuar me padëgjueshmëri qytetare, gjë që i kushtoi duke u eliminuar poitikisht dhe zëvendësuar partiakisht me Shaqir Fetain! Në fund, përflitet se kërkesa e ish-reisit që të paguhen me rroga edhe imamët e vendit, u realizu duke u derdhur në xhirollogarinë e BFI-së së Shaqir Fetait mijëra euro, të cilat “efendiu” në fjalë i përdori për ta blerë pakënaqësinë reale duke ua ngritur rrogat disa strukturave të BFI-së. Veç kësaj, u realizu denacionalizimi i disa pronave të Vakëfit, të cilat, u këmbyen në letra me vlerë! Kjo ndikoi që buxheti në BFI të rritet dhe jo se pati ndonjë “aksion gjithëpopullor” për të shprehur kënaqësinë që u instalua në krye të BFI-së Shaqir Fetai. Një interpretim autentik i vakëfit do të konkludonte se sjellja e Shaqir Fetait në raport me Vakëfin është pa dyshim, sjellje e mëkatshme! Vakëfi nuk është lënë që një ditë ta tjetërsojë Shaqir Fetai, duke “e shitur” dhe duke krijuar buxhet për rroga! Vakëfi mund të tjetërsohet e të shitet, por ekskluzivisht për të siguruar të njëjtin vakëf apo edhe për ta shtuar! Të parët tanë nuk e lanë pasurinë e tyre që një ditë Shaqir Fetai të sigurojë rrogë të pamerituar për veten e tij dhe për bashkëmendimtarët e vet!

Shaqir Fetai duhet të jetë i sinqertë me bashkëpunëtorët e vet dhe i devotshëm para Allahut të Gjithëdishëm! Feja nuk bëhet me para: nëse ka rroga ka fe, nëse nuk ka rroga, nuk ka fe! A ia arriti Shaqir Fetai t’i bindë të gjithë bashëmendimtarët e vet, hoxhallarët e vendit, akademikët që, të japin kontributin maksimal të tyre, pa pagesë, për kultivimin dhe praktikimin e fesë së Zotit edhe në kohën kur gjenden para një sprove të madhe të Zotit Fuqiplotë! Shaqir Fetai kur ishte “profesor” në Medresenë Isa Beu” e di fare mirë se si vinin ndihmat popullore nga tërë vendi. Magazja e saj kurrë nuk ka qenë bosh! Mirëmbajtja e Mdresesë ka qenë ekskluzivisht “barrë” e popullit dhe jo e vakëfit, sepse kur ka nisur kjo vatër mësiomore vakëfi ka qenë pothuajjse i tëri i nacionalizuar dhe i uzurpuar! Tani, në kohën e Shaqir Fetait, duhet të vijnë letrat në vlerë nga vakëfi i tjetërsuar që të zhvillohet jeta fetare, pa pasur paraprakisht kurrfarë raporti publik mbi vlerën e këtyre letrave me vlerë, me të vetmin qëllim që të zhduken gjurmët e korrupsionit, të vjedhjes dhe të tjetërsimit të vakëfit, nga një pasuri islame në rroga të bashkëmendimtarëve të Shaqir Fetait. Një ditë, gjithësesi që do të ketë përgjegjësi morale e penale për çdo centimetër të vakëfit të zhdukur e të shfarosur për të siguruar rroga! Dikush ka varfëruar familjen e vet duke e lënë pronën familjare në interes të islamit, ndërsa sot dikush e shet, e shndërron në rroga, e ha këtë pasuri islame për të kënaqur veten dhe familjen e tyre. Dhe këtë fakt mundohet ta fsheh si “ndërgjejësim të myslimanëve” që kontribuojnë financiarisht për të rritur rroga. Vetëm në BFI-në e Shaqir Ftait sigurohen rrogat duke dëmtuar pronën e përbashkët islame në vend! Turp!

Continue Reading

Kolumna

Pasqyra e hipokritit

Published

on

Shaqir Fetai paska dhënë një intervistë në revistën e tij album personal “Hëna e Re” dhe, këtë intervistë e paska zhvilluar me një “ekip gazetarësh”! Me demek, nuk ekziston gazetar që mund të zhvillojë intervistë me Shaqir Fetain, patjetër duhet të jetë “ekip gazetarësh”

Shkruan Jasir Jashari

Një “ekip gazetarësh” që intervistën e titullojnë me “URTËSIA DHE DURIMI NË VEPRIM JANË VIRTYTËSITË TONA”, dëshmojnë se kanë shkruar një intervistë sa për t’ia bërë qejfin Shaqir Fetait i cili edhe më tej po ngelë në anonimitet (ndryshe, nuk do t’ia gabonin emrin sa herë të përflitet në media)! Për cilën urtësi flet Shaqir Fetai? Për të tijën?! Tashmë e ka dëshmuar “urtësinë” e vet dhe, në tradhëti të ketë urtësi kjo as nuk është parë dhe as nuk është dëgjuar! Shaqir Fetai paska thënë “durim në veprim”?! Në veprim ka maturi, ka sinqeritet, ka ndershmëri e besnikëri, ndërsa durimi është fenomen i cili vie në shprehje para çdo veprimi! Durim do të thotë “sabër” o bilmeza!

Një intervistë e kurdisur, e porositur, një bashkëbisedim sa për mastrubim të trurit të tredhur, tepër shumë subjektive, që na del si një pasqyrë që pasqyron ekskluzivisht hipokritët e tipit të Shaqir Fetait! A guxon të fillojë intervista me Shaqir Fetain me pyetjen “Tashmë i bëtë afër një vit e gjysmë në krye të BFI të RMV. Cilat janë përshtypjet Tuaja si njeri i parë i një institucioni kaq të rëndësishëm?”, ndërkohë që hala nuk është përgjigjur në pyetjet e popullit: cili ishte çmimi i tradhëtisë që ia bëri ish-reisit të vet? Kush ia ofroi skenarin e tradhëtisë, pse e pranoi atë tradhëti? Çka fitoi nga ajo tradhëti! Sa kohë më parë e kishte bluar tradhëtinë? Kush i dha sinjal për tradhëti, sepse, një javë më parë e kishte vlerësuar ish-reisin e vet si “figurë markante…”?

Çka pati nevojë Shaqir Fetai që të jetë “njeri i parë”, ndërkohë që gjithnjë ka qenë në krah të të parit? Çfarë pati nevojë Shaqir Fetai për ta rrëzuar të parin ndërkohë që gjithnjë ishte nën sqetullën e të parit? Pse paska pasur nevojë të jetë “i pari”, ndërkohë që reisi i tij kurrë nuk ka marrur vendime pa pëqlimin e Shaqir Fetait, madje edhe atëherë kur ky propozonte me këmbëngulje që t’i largojë nga puna miqte më të ndershëm të “reisit” që i kishin shërbyer edhe si parzmorë pa zhveshjen e së cilës Shaqir Fetai nuk mund t’ia ngulte thikën të parit të vet!
Shaqir Fetai intervistën e fillon duke e nxjerrë në pah një “vlerë” të tij: ai kurrë nuk po u ankuaka për diçka që nuk e arrinë! Dhe, sipas kësaj fraze (“budallain mos e vet se të kallzon vetë”) tashmë Shaqir Fetai e ka arritur atë që ka dashur, ndërsa tani duhet edhe të ankohet se, kush qenë ata që e detyruan në këtë arritje të turpshme! Të paktën të ankohet se pse e lanë instalacion në krye të BFI-së dhe nuk e viktimizuan duke e torturuar si “Krishtin të pafetë”! Sepse, Shaqir Fetai pa pak viktimizim nuk ka se si ta shpreh pafajësinë e tij në tradhëti!
Tutje, Shaqir Fetai thotë se në fillim paska qenë i frikësuar dhe se paska pritur turbllira të mëdha, porse, falë Zotit gjithçka i paska shkuar sikur të jetë hedhur në mjalt. A thua ku do të bie kur do t’i mbarojë mjalti?!

Natyrisht, Shaqir Fetai ka qenë shumë i vetëdishëm për pasojat pas asaj tradhëtie, ka qenë shumë i vetëdishëm se mund të ketë kundërreaksion pas atij veprimi antiislamik që e ndërmori kundër reisit të tij dhe kundër traditës shekullore të BFI-së se kush mund të jetë në krye të saj! Nuk ishte zgjuarësi e Shaqir Fetait fakti që punët rrodhën qetësisht, porse, zgjuarësi ishte e atyreve që u tradhëtuan dhe që ndëshkimin për tradhëti e komplot ia lanë Vetë Zotit! Hakmarrja njerëzore do ta paraqiste Shaqir Fetain martir, ndërsa hakmarrja nga Zoti – çka do ta paraqesë Shaqir Fetain? Këtë më së miri e di Zoti i Madhërishëm! Mallkimi i Tiij mund të vonojë por, një gjë është e sigurtë – Ai kurrë nuk harron për ta ndëshkuar të pabesin!

Në këtë “rrugëtim suksesi” Shaqir Fetai e paska pasur përkrahjen e “bashkëpnëtorëve tanë”! Të kujt janë këta bashkëpunëtorë? Kush janë “bashkëpunëtorët tanë”? Shaqir Fetai nuk është Instiitucion i shërbimeve për të pasur bashkëpunëtorë! Shaqir Fetai këtë rrugëtim e pati me bashkëpunëtorët e vet që vijnë nga e njëjta guzhinë, nga të njëjtat kanale minjësh, sepse, ndryshe nuk do të mund ta realizonin tradhëtinë dhe komplotin që ia bënë “babait” të tyre, e që assesi nuk po ia dalin ta demantojnë faktin që ishin mercenarë e mision anti-BFI!

Shaqir Fetai mendon se kjo “strategji” e tij paska dhënë rezultate konkrete! Shaqir Fetai shantazhin policor, ndërsimin e shërbimeve sekrete, obligimet dhe detyrat ndaj këtyre shërbimeve – të gjitha këto marifetllëqe i paraqet si “strategji të veten”! Nuk ka strategji në botë, nuk ka fuqi në botë, nuk ka plan në botë, nuk ka ideator në botë që, brenda natës i mbedh bashkëpunëtorët për ta ndërmarrur veprimin e puçit dhe të shantazhit. Këtë mund ta bëjnë vetëm bashkëpunëtorët e shërbimeve të cilët, brenda një sekondi i nënshtrohen urdhërit, madje nëse duhet edhe për ta nërkëmbur edhe nderin familjar.

Shaqir Fetai e përfundon përgjigjen e parë duke thënë se puna e tij qenka transparente! Si mund të jetë konspiraconi punë transparente? Si mund të jetë transparente ikja nga pyetjet objektive? Si mund të jetë trasparente shmangia nga debati ngjashëm siç ik djalli prej temjanit? Shaqir Fetai transparente e ka vetëm rrenën, vetëlavdërimin, heshtjen para tradhëtisë dhe errësimin e misionit të tij.

Continue Reading

Aktuale