Connect with us

Kosovë

LDK -VV / Marrëveshja e koalicionit qeveritar, brenda 2-3 ditëve

Published

on

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës brenda dy-tri ditëve të ardhshme pritët të formalizojnë marrëveshjen politike për qeverisjen e ardhshme. Në takimin e fundit të grupeve punuese të këtyre dy partive, u tha se janë pajtuar po thuajse për gjitha çështjet programore, por pa diskutuar ende për ndarjen e posteve.

Në takimin e gjashtë me radhë i cili zgjati rreth tre orë, anëtari i kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti para mediave, tha se me anë të këtyre takimeve kanë vendosur një standard të ri për marrëveshje politike.
“Ky është takimi i fundit për çështjet programore të marrëveshjes. Unë e them me kënaqësi që kemi arritur të përmbyllim, po thuajse të gjitha çështjet programore. Prej zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, politikat sociale për kulturën, sport, çështjet e diasporës, energjetike. Për sa na përket neve si grupe punuese, në aspektin profesional kemi arritur të përmbyllim diskutimet tona”, tha ai.
Në takimin e të enjtes, Hoti theksoi se kjo marrëveshje do të dorëzohet tek kryetarët e partive për të konkretizuar atë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhje.
“Jemi të gatshëm që këtë marrëveshje shumë shpejt për 2-3 ditët e ardhshme në formën e shkruar të draftuar ta dorëzojmë tek kryetarët e partive, të cilët do të ulën besoj menjëherë pas certifikimit të rezultateve për të konkretizuar dhe formalizuar këtë marrëveshje”, tha ai.
Ish ministri i Financave, shtoi se për disa çështje ende ka këndvështrime të ndryshme, por në takimin mes liderëve partiak do t’i jepet forma përfundimtare atyre. Teksa theksoi se nuk kanë diskutuar për asnjë post ministror, dhe as për çështjen e emërimit të presidentit pas dy viteve.
“Nganjëherë në disa çështje ka këndvështrime të ndryshme. Disa çështje me qëllim i kemi lënë të hapura për të takimin e dy liderëve, në mënyrë që t’i jepet formë përfundimtare. Diskutohen më shumë alternativat e zbatimit të atyre masave që jemi dakorduar. Këto janë çështje që iu takojnë dy liderëve, ne nuk kemi diskutuar për asnjë post”, u shpreh Hoti.
Në përpjekje për të harmonizuar programin e mundshëm qeverisës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë takuar edhe pesë herë të tjera për të diskutuar për tematika të ndryshme.
Sot KQZ-ja shpalli rezultatet e përgjithshme të zgjedhjeve të 6 tetorit, ku VV radhitet e para me 32 deputetë, e pasuar nga LDK me 29 sosh, raporton KosovaPress.

Continue Reading

Kosovë

Vuçiq: Zbatimi i vendimit të Kosovës për targa mund të bëhet vetëm me dhunë

Published

on

By

Vuçiq: Zbatimi i vendimit të Kosovës për targa mund të bëhet vetëm me dhunë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të hënën se do të shkojë në Bruksel për takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me një qëllim, “të ruajë paqen dhe stabilitetin”.

Ndërkohë pak sekonda më pas tha se Qeveria e Kosovës mund të zbatojë vendimin e saj për targat e automjeteve, kryesisht në veri, “vetëm me dhunë”.

“Kjo mund të bëhet vetëm me dhunë, por mos prisni që Serbia t’ju ndihmojë në rregullimin ligjor të problemit”, tha ai përcjellin mediat serbe.

Vuçiqi gjatë prezantimit të armëve të reja të prodhuara nga Serbia në Akademinë Ushtarake në Beograd, tha se Serbisë nuk duhet t’i interesojë Kushtetuta e Kosovës.

“Ne jemi të interesuar të diskutojmë gjithçka. Ne nuk kemi problem me temat. Ne duam të flasim për Asociacionin e komunave serbe. Nëse thonë se nuk është në përputhje me Kushtetutën, atëherë nuk na duhet një e tillë në përputhje me kushtetutën, sepse një komunitet të tillë mund ta formojë çdo qytetar. Pse duhet të na interesojë Kushtetuta e tyre”, tha Vuçiq.

Takimi Kurti – Vuçiq do të mbahet më 18 gusht dhe BE-ja të dielën u bëri thirrje liderëve të të dy vendeve që të ndalin “retorikën nxitëse”.

Kosova, me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare ka shtyrë për një muaj vënien në fuqi të masës së reciprocitetit për letërnjoftime, ndërkohë që u ka dhënë dy muaj kohë të gjithë atyre që kanë targa të lëshuara nga Serbia në emër të qyteteve të Kosovës, që t’i ndërrojnë ato.

Continue Reading

Kosovë

Vrau shokun për 20 euro borxh, autori dënohet me 24 vjet e 10 muaj burg

Published

on

By

Vrau shokun për 20 euro borxh, autori dënohet me 24 vjet e 10 muaj burg

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda ka shpallur aktgjykim dënues me 24 vjet e 10 muaj burgim ndaj të akuzuarit S.A.

Gjykata ka konstatuar se autori ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve“.

Sipas Prokurorisë Themelore të Prizrenit, viktima dyshohet se është vrarë nga shoku i tij për një borxh prej 20 eurove, më 26 janar të 2020, në një lokal të fshatit Maqitevë të Suharekës.

“Në aktakuzë thuhet se i akuzuari shkon te kamioneta e tij e markës VW, e merr pushkën gjysmë automatike të tipit AK-47, kalibri 7.62mm dhe në prezencë të dëshmitarit Liman Aliu, i cili përpiqet ta pengojë të akuzuarin Agron Krasniqin dhe mysafirëve tjerë që kishin dalë jashtë lokalit, e në një distancë të shkurtë shkrep në drejtim të tani të ndjerit, i cili qëndronte i ndalur me një bisht të sëpatës në dorë dhe e godet fillimisht në fytyrë, duke e bërë të rrëzohet në tokë”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Komunikata e plotë

Prizren, 15 gusht 2022 – Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda (trupi gjykues, Teuta Krusha – Kryetare, dhe anëtarët Raima Elezi dhe Luan Berisha), ka shpallur aktgjykim Dënues ndaj të akuzuarit S.A., për shkak se:

ËSHTË FAJTOR

– I akuzuari S.A., ka privuar nga jeta personin tjetër, dhe me atë rast me dashje ka vë në rrezik jetën e një apo më shumë personave tjerë, ashtu që me datë 26 janar 2020, rreth orës 21:45, në një lokal – kafiteri, në fshatin Maqitevë – Komuna e Suharekës, pas mosmarrëveshjes lidhur me një borxh, që i’a kishte tani i ndjeri Sh.K., vëllait të të akuzuarit, fillimisht i akuzuari S.A., i thotë “a e di kë e keni sha ju, pa ta q* n**** nuk e la, në qoftë se je burrë qu dil jashtë”, dhe pasi pronari i lokalit e largon të ndjerin jashtë, dhe deri sa i ndjeri ishte jashtë duke kërkuar falje pronarit të lokalit për gjestin e bërë, i akuzuari me shpejtësi ngritët nga tavolina dhe nga dera tjetër e lokalit del jashtë, shkon në kamionetën e tij, e merr pushkën gjysmë automatike të tipit “Ak-47”, nga një distancë e afërt shkrep në drejtim të të ndjerit Sh.K., i cili qëndronte i ndalur me një bisht të sopatës në dorë, fillimisht i akuzuari e godet të njërin në fytyrë, pasi i ndjeri rrëzohet në tokë, i akuzuari vazhdon deri sa i ndjeri ishte i rrëzuar e godet edhe disa herë, me ç ‘rast i shkakton 8 (tetë) plagë në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit, të cilat aty për aty kanë qenë vdekjeprurëse

– Këso dore ka kryer veprën penale vrasja e rëndë nga neni 173 par. 1 nën par. 1.5 të Kodit Penal.

– I akuzuari S.A., në vend dhe kohë të njëjtë si më lart, nga data e pavërtetuar në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm ka poseduar armën gjysmë – automatike të tipit “Ak-47”.

– Këso dore ka kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par. 1 të të Kodit Penal.

Andaj Gjykata, në kuptim të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, të akuzuarin e GJYKON:

– DËNIM UNIK me BURGIM në kohëzgjatje prej 24 vitesh e 10 muaj

Në arsyetimin të shkurtër, pas shpallje së aktgjykimit, Kryetarja e Trupit Gjykues ka njoftuar se deri tek vendimi i shpallur, trupi gjykues ka ardhur pas analizimit të të gjitha provave materiale, deklaratave të dëshmitarëve nga vendi i ngjarjes dhe nga deklarata e të akuzuarit, nga të gjitha këto është vërtetuar në tërësi ngjarja e ndodhur në momentin kritik.

Pas shpalljes së aktgjykimit, kryetarja e trupit gjykues ka njoftuar palët që brenda afatit ligjor të gjithë palët në procedurë do të pranojnë aktgjykimin e plotë në formë të shkruar dhe të arsyetuar.

Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit. /Telegrafi/

Continue Reading

Kosovë

Osmani: BE-ja të reagoj ndaj tendecave destabilizuese serbe

Published

on

By

Osmani: BE-ja të reagoj ndaj tendecave destabilizuese serbe

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Kosova dhe Serbia nuk mund të trajtohen njëjtë kur bëhet fjalë për përdorimin e retorikës luftënxitëse, teksa kërkoi që Bashkimi Evropian të reagojë ndaj “tendencave destabilizuese të Serbisë”.

Ky reagim i Osmanit vjen një ditë pasi Bashkimi Evropian u bëri thirrje liderëve në Kosovë dhe Serbi t’i japin fund retorikës nxitëse pasi tha se “do t’i mbajë përgjegjës liderët politikë për çfarëdo përshkallëzimi të situatës në rajon”.

“Ne presim që Bashkimi Evropian të jetë më i zëshëm karshi tendencave destabilizuese të Serbisë ndaj gjithë rajonit, tendenca këto që janë të nxitura dhe i shërbejnë interesave të Rusisë. Nuk ka dhe nuk mund të ketë ekuivalencë të trajtimit të palëve kur qartazi Serbia është agresori dhe është ajo që po përdor retorikë luftënxitëse në raport me Kosovën. Por, edhe veprime të cilat cenojnë paqen dhe stabilitetin ndaj Kosovës”, tha Osmani gjatë një konference për media në Prishtinë me homologun e saj shqiptar, Bajram Begaj.

BE-ja shprehu shqetësimin e saj më 14 gusht, teksa zyrtarët në Serbi dhe Kosovë kanë shkëmbyer akuza për rritjen e tensioneve. Përderisa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ka pasur rrezik që tensionet e fundit në veri të përshkallëzoheshin në konflikt të armatosur, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se ka informacione se Prishtina po përgatitet të “likuidojë” serbët në veri.

Ndërkaq, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, tha se Kosova shprehu maturi në tensionet e fundit në veri të Kosovës më 31 korrik dhe 1 gusht, kur serbët lokalë bllokuan rrugët për të shprehur kundërshtimin e tyre për vendimet e Kosovës për targat dhe dokumentet serbe.

Presidenti shqiptar tha se dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, midis Kosovës dhe Serbisë, është mënyra e vetme për, siç tha ai, t’ia bërë të qartë Serbisë se “realiteti i Kosovës së pavarur është i pakthyeshëm dhe i pandryshueshëm”.

“Formula e zgjidhjes së dialogut Kosovë-Serbi e shprehur nga presidenti [i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, si marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve e fokusuar në njohje reciproke. Apo qëndrimi i përsëritur i kancelarit [gjerman, Olaf Scholz se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia është kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE, janë inkurajuese në përpjekjet tona që rezultati përfundimtar të jetë një: marrëveshje e detyrueshme ligjore që përcakton saktësisht njohjen e ndërsjellë, anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe BE, si dhe trajtimin e drejtë të minoriteteve sipas Kushtetutës së Kosovës”, tha Begaj.

Presidenti i Shqipërisë po ashtu shprehur mbështetjen e shtetit të tij për anëtarësimin e Kosovës në institucione ndërkombëtare, sikurse BE-ja dhe NATO-ja, por po ashtu tha se Tirana do të punojë që liberalizimi i Kosovës të ndodhë shpejt.

Begaj u zgjodh president i Shqipërisë më 4 qershor, ndërkaq bëri betimin më 24 korrik. Presidentët shqiptarë tradicionalisht vizitën e parë jashtë shtetit e realizojnë në Kosovë, një traditë që është ndjekur edhe nga pala kosovare./REL

Continue Reading

Aktuale