Kolumna
Unë çikës teme s’ia pres krahët!
Shkruan, Shqipe Palloshi ZUMBERI
Unë çikën teme nuk e msoj me nënshtrim! Ajo ka me lind si qenie e lirë, e plotëpushtetshme për mendimet, vendimet e veta, për trupin e për shpirtin e vet. Ka me e ditë që Zoti e ka kriju si qenie të lirë, edhe nuk guxon me pranu kurgjë ma pak se kjo, nuk guxon me ba kompromis me lirinë e saj.
Çika jeme ka me e ditë që lumturinë e saj mundet me e kriju veç ajo vet. Nuk ka me prit ndonji princ me kalë të bardhë me ardh me e shpëtu nga mjerimi finansiar, dëshpërimi emocional a shoqëror. Kur të jetë e gatshme me u martu, ka me e bë këtë me plot vetëdije e vetëdëshirë, veç atëherë kur beson se është e gatshme t’bahet bashkëshorte e nanë e mirë, e përkushtuar. Veç atëherë kur t’mendon se ka mbjellë mjaftueshëm fara në vete për me lulëzu pastaj për t’zgjedhurin e saj, e fëmijët e tyre.
Por unë çikën teme nuk e msoj me nënshtrim! Ajo ka me ditë me qëndru e fortë për besimet e idealet e veta. Nuk ka me u kompleksu pse është ndryshe prej turmës, edhe atëherë kur turma ka me e mbajtë në gojë për moskonformizmin e saj. Edhe atëherë kur mundet me pas frikë për t’ardhmen e saj, ajo ka me qëndru e fortë për atë çka beson.
Ajo ka me msu se Zoti është i bukur dhe e do të bukurën, dhe ka me e ditë që prej gjërave që e lartësojnë njeriun si qenie është shija për të bukurën. Për rrjedhojë, ajo ka me u kujdes për bukurinë e trupit, pa ra pre e standardeve e shthurrëse që i serviren gjithkund. Mbi të gjitha, ajo ka me e ditë se bukuria e vërtetë është bukuria e shpirtit e mendjes, dhe ka me u përpjek me e zbukuru mendjen me dije e shpirtin me mirësi, për me e prek esencën e t’qenit njeri.
Çikës teme nuk kam me ia pre flatrat qysh ua kanë pre nanat ndër gjenerata çikave t’veta. Se çika jeme nuk ka me qenë prona jeme, e nuk guxon me u bë as prona e dikujt tjetër. Përveç krijesë e Zotit dhe zonjë e vetes! Nuk guxon me e pa veten si diçka ma pak se kjo. Çika jeme ka me msu se duhet me u kujdes për zemrat e njerëzve, me i gëzu njerëzit, me falë prej zemrës, kohës e jetës së vet për me i lumturu ata. Ka me msu se s’ka punë ma t’fisme se me e gzu nji zemër, se me e lumturu nji shpirt. Ama, ajo kurrë nuk ka me iu nënshtru tekave boshe, tendencioze e injorante të dikujt për ta nënshtru qenien e saj veç pse është çikë, grue a nuse. Ajo ka me ditë ma mirë se kaq!
Çikës teme unë s’kam me i thanë mos me lujt me vetura se ato janë për djem. Ajo ka me lujt me anije kozmike, me stetoskop, me letra e lapsa, me aeroplana. Se ajo ka me msu me besu në fuqinë e mendjes së saj, dhe ka me u ushqy me dashuri e dëshirë për me e eksploru universin e me i zbulu t’fshehtat e tij. Ajo s’ka me ra pre e tendencës së shoqërisë për me e bë me besu se aftësitë e saj intelektuale janë inferiore ndaj atyre të një burri.
Ajo ka me qenë e etur për dije, ka me qenë ambicioze për me e ndërtu veten me mundin e shkathtësitë e veta, për me u bë e zonja e vetes e për me i shtu mirësi njerëzimit me arritjet e veta. Ajo ka me e kuptu që Zoti e ka kriju si mrekulli. E ka bë ndihmëse në procesin e krijimit të jetës së re. Edhe në momentin që vendos të bahet nanë, ajo ka me dhënë çdo gjë prej vetes për me u kujdes për mirëqenien fizike, shpirtërore, mendore të krijesave që ka sjellë në jetë. Kur t’bahet nanë, ajo ka me e ditë se fëmija rritet pa gjithçka, por jo edhe pa dashuri e vëmendje. Kur të bahet bashkëshorte, ka me e ditë se elementi thelbësor për me e lumturu t’zgjedhurin e saj, është vëmendja e pandame e saj ndaj çdo aspekti të qenies së tij. Ka me ditë me fliju prej vetes për lumturinë e të dashurit, por asnjëherë prej dinjitetit e vetrespektit të saj. Ajo ka me e ditë se familja është mënyra si ruhet shenjtëria e njerëzimit dhe me urtësi e dashuri ka me kriju nji fole t’ngrohtë ku kanë me gjetë prehje t’dashurit e zemrës së saj.
Ajo ka me e ditë se vlerë i ka dhënë Zoti, dhe se vlera e saj nuk ulet as rritet në raport me njerëzit. Ka me fol n’emër të së drejtës e nuk ka me hesht për padrejtësitë. Çika jeme ka me e ditë sa e fortë është, sepse është çikë. Ajo ka me besu se mundet me e ndryshu botën, edhe ka me ia mësy kësaj.
Çika jeme është prototip i çikave të s’ardhmes. Çikat tona janë mrekulli, e mrekullitë s’mundesh me i shtrëngu në grusht, as me ua shujt dritën.
Kolumna
Fenomeni i një “Dvizhenje”-je dhe mendjemadhësisë


Fenomeni i një “Dvizhenje”-je dhe mendjemadhësisë
Nga: Mr. Driton Nebiu
Në konkurencën për të fituar titullin e “Mashtruesit më të madhë”, padyshim se vendi i parë i takon “më të madhit” të “Dvizhenjes” Besa e që me kalimin e kohës u shëndrrua në MOZHEME.
Ishte një tentim i planifikuar mirë, nga qarqe të dyshimta për të bërë gjoja një ndryshim në hapsirën politike brenda shqiptarëve të Maqedonisë së veriut, e paketuar si në aspektin finansiar, poashtu edhe në ate “kombëtar”, duke pasur parasysh se fillimisht morën për emër simbolin e të qenurit shqiptar, i përkushtuar në mbrojtjen e fjalës së dhënë – BESËS, e që realisht ishte Kali i Trojës brenda organizimit opozitar shqiptar, organizim që duhej të pengonte Lëzivjen për Reforma në opozitën e kohës, e cila tanimë kishte filluar rrugëtimin e vet të pandalshëm drejt të qenurit zëri i popullit në skenën politike të vendit.
“Lëvizja” e atëhershme e që më vonë do të shëndrrohet në “Dvizhenje”, si premtim bazë të veprimit e kishte një far lloj “Ridefinimi” të shoqërisë, e që realisht, më vonë u dëshmua, se ishte vetëm një floskulë e radhës, që u shfrytëzua sa për të përfunduar në listen e përbashkët parazgjedhore nën moton “Mozheme” sa për të fituar disa ulëse deputetësh tejet pasiv, po jo edhe ridefinimin e premtuar.
Duke shfaqur haptazi qëllimin real, ruajtjen e pozitave dhe pushtetit për grupe të ngushta të interesit, “Dvizhenja” nuk e tejkaloi veten as pas zgjedhjeve lokale ku falë opozitës shqiptare mori në menaxhim komunën më të madhe ndër shqiptarët, por përkundrazi në rastin e pare të mundshëm si shenjë falemnderimi e vetëdijshme për forcën reale politike në vend të barazuar me të qenurit vetëm një parti lokale e asgjë më shumë, tentoi të dobësojë ata që dje i ndihmuan, por kot.
Pretendimi aktual se ata përfaqësojnë opozitën shqiptare është edhe një tentim mashtrimi i radhës nga “më i madhi” i “Dvizhenjes” edhe pse është i vetëdishëm se nuk i kalon, por ja që kështu i është caktuar detyra dhe urdhërat duhet të zbatohen, e aq më shumë sot kur rejtingun duhet t’ua menaxhojë forca që pengon vendin drejt inkuadrimit në Bashkimin Evropain dhe vlerave perëndimore.
Stabiliteti politik, ekonomik e institucional i shtetit, e me këtë edhe ai i sigurisë së vendit, dhe orijentimi pro evropian është një kategori që nuk ka alternativë, por kërkon qasje serioze dhe subjekte serioze për menaxhim e përfaqësim, largë partive sezonale. Është kjo kategori e rëndë që kërkon fuqi e madhështi, e në këtë nivel gjithkush edhe nuk e ka vendin, përpos si spektatorë. Të tillë janë edhe këta të “Dvizhenjes”.
Jo më kot është thënë: “Mendjemadhësia është dhurata që bëri Zoti për njerëzit e vegjël…”.
Kolumna
Haraçina sot…


Haraçina sot…
Shkruan, Driton Nebiu, Magjister i shkencave politike
“Komunë e zhvilluar me një administratë efektive, me rrugë të asfaltuara, me shtigje për këmbësorë, me ujësjellës e me ujë të pijshëm të sjellur nga Penda e Likovës, me kanalizim, me shtëpi të shëndetit dhe përkujdesje 24 orëshe shëndetësore për popullatën, me transport të garantuar për të gjithë nxënësit nga ana e komunës, me kushte dhe standarde evropjane në shkolla, me investim në sport, me fushë futbolli për Klubin Futbollistik “Shkëndija”, me premtime të realizuara, pa paradime të kota politike sa për sy e faqe dhe për marketing të ulët politik, po qoftë edhe nga strukturat e larta shtetërore të mos them partiake, pa as edhe një donacion të huaj, po gjithçka me punë, përkushtim, mirë menaxhim nga ana e të parit të komunës.
Është ky një realitet i ditëve të sotme që po e jetojmë të gjithë ne banorët e Haraçinës…”
Nuk po më besoni?!
Keni të drejtë, ishte kjo vetëm një ëndërr dhe një dëshirë, po edhe një premtim i parealizuar parazgjedhor i dhënë në moment entuziazmi dhe pa asnjë lloj përgjegjësie se një ditë do të vijë edhe koha e ballafaqimit me realitetin, e që fatkeqësisht është e gjitha e kundërta e ëndrrës fillestare të përshkruar në këtë tekst.
U zbehën edhe fletushkat propaganduese, por na mbeti realiteti.
Haraçina edhe sot me një rrugë të asfaltuar nga “Rrugët e Maqedonisë” të cilën punë e përvetëson i pari i komunës. Haraçina pa as edhe një pikë uji nga Penda e Likovës, e fatmirësisht me ujë të siguruar nga donacioni i dhënë nga komuna “Ejup Sulltan” e Turqisë përmes Shoqatës së Brezës, edhe kjo punë që e përvetëson i pari i Komunës. Haraçina pa shteg për këmbësorët në veçanti për nxënësit e shkollës së niveleve të ulëta, po me mezi 1 km ndërtim të tillë e që si duket është kilometri i vetëm i punuar në të gjitha lëmitë brenda mandatit një vjeçar.
Haraçina pa përkujdesje shëndetësore, e lënë në mëshirën e shtëpisë së shëndetit në Maxhari dhe vet banorëve të saj, në stilin secili si të mundet, vetëm të sigurojë përkujdesjen për shëndetin e tyre. Haraçina pa transport të organizuar e të siguruar për nxënësit, të lënë në mëshirën dhe barrën e vet prindërve për një shkollim obligativ. Haraçina me kushte të mjerueshme në shkollë e pa as edhe një investim më të vogël në sport e kulturë, duke lënë Klubin futbollistik të zemrës së Haraçinës “Shkëndinë” që të zhvillojë ndeshjet në Hasanbeg, falë mëshirës së Klubit simotër “Fortuna”.
E kjo është Haraçina e ditëve të sotme, Haraçina e realitetit e jo e ëndrrës së kotë.
Këtë më së miri e dinë haraçinasit. Ata kuptuan se kush po gënjen e kush po mashtron. Këtij populli i duhen projekte e premtime të realizuara, e jo paradime të kota të atyre që nuk i duan as në lagjet e tyre. Popullata don punë, se për punë u ka dhënë votë.
Mos harroni se vota është e shenjtë, vota është AMANET. Mos e shkelni!
Edhe pse nuk e keni vetëm këtë që e shkelët.
U qoftë për nder!
Kolumna
Politikanët tanë – Fatkeqësia e popullit


Shkruan Lulzim Nasufi
POLITIKANËT TANË – FATKEQËSIA E POPULLIT
Sa të koordinuar janë politikanët tanë në mossuksesin e misionit të tyre dhe prapshtitë e tyre në politikbërje, ju përcjell disa fakte:
Më datë 25.09.2022, zëvendës-kryeministri për çështje ekonomike Bytyqi, për të justifikuar dështimin politik të politikanëve tanë paraprak, si zyrtar me post të lartë, dha informacion të saktë dhe të frikshëm se “nga RMV, brenda 8 viteve të fundit janë shpërngulur mbi 700.000 qytetarë në shtetet perëndimore” dhe po të njëjtën ditë kryetari i BDI-së Ahmeti, në një takim partiak, nga inatet ndaj disa anëtarëve të tij të ashtuquajtur “grupi i zjarrit” – konstatoi “jam me mision, jo në detyrë, ashtu që këtu do të më keni edhe katër vite”.
Sipas trendit të migrimit të popullsisë, bie që për katër vite, nga RMV janë shpërgulur 350.000 qytetarë. Sipas kësaj, misioni i Ahmetit është që edhe për katër vite në krye të BDI –së, me funksionarët e tij të korruptuar, të rrisë numrin e të ,,integruarve“ në botën perëndimore në 1.000.000 banorë, që i bie gjysma e numrit të popullsisë do të shpërngulen nga RMV.
Dhe si “qershia mbi tortë”, nga i gjithë ky “optimizëm i madh pozitiv dhe shpresëdhënës”, më datë 28.09.2022, numri një i shtetit, presidenti Stevo Pendarovski do të konstatojë: “edhe unë po të isha në vendin tuaj me rrogë prej 400 euro, do të kisha ikur prej RMV”.
Çështja thelbësore është se populli të gjitha këto i di dhe i bën. Mos e nënvlerësoni intelegjencën e popullit, nuk ka nevoj ju t’ia kumtoni dhe t’ia tregoni! Por, çfarë keni bërë ju, ose më thjeshtë, pse e keni sjellur popullin në situatë të këtillë gjithë këto vite dhe, më e rëndësishmja, çfarë plani – vizioni keni bërë për të ardhmen e këtij shteti dhe këtyre qytetarëve? Sepse për atë paguheni me paratë e popullit!
#NDRYSHIME
#DREJTËSI
#STOPKRIMITDHEKORRUPSIONIT
-
Lajmet kryesore1 year ago
Mediat në Shqipëri: Kastriot Rexhepi është shantazhuar me video materiale nga grupi i Izet Mexhitit
-
Bota1 year ago
Nuk u intereson kush është përballë tyre, shihni pamjet se si ukrainasit i ndalin në rrugë rusët
-
Lajme2 years ago
Lidhjet e Trajko Veljanovskit me rastin M0nstга? – Avokati maqedonas flet për pazaret ndër tavolinë dhe fshehje provash
-
Kosovë1 year ago
Dalin detaje të reja për vrasjen e trefishtë në Gllogjan
-
Komente2 years ago
Mos e bëfsh pikën e hajrit o Albin Kurti
-
Lajme2 years ago
Gazetari shqiptar “e zuri mat” Vuçiqin – Cila ishte pyetja që e ngushtoi presidentin sërb?
-
Lajme2 years ago
Shek Hallaçi i Grupit të Kumanovës, nga Buгgu i Idгizovës publikon videon me një porosi
-
Lajme1 year ago
Anketa më re: Struga, Tetova dhe Çairi do të drejtohen nga Opozita Shqiptare