Connect with us

Kosovë

I dërguari special i SHBA-së për Serbinë dhe Kosovën – komplikim për dialogun?

Published

on

Presidenti Donald Trump i SHBA-së caktoi ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell, si të dërguarin special të administratës së tij për dialogun  e normalizimit mes Serbisë dhe Kosovës, njoftoi të enjten (03.10) Shtëpia e Bardhë.

Ky emërim e ripërsësit edhe njëherë vëmendjen e veçantë të Uashingtonit për zgjidhjen e konfliktit të gjatë midis fqinjëve ballkanikë, i thanë DW qarqe diplomatike nga Berlini. Emërimi i Grenellit vjen pas emërimit të Mathew Palmerit nga ana e Departamentit të Shtetit si përfaqësues Special i SHBA-së në Ballkanin Perëndimor muajin e kaluar.

Megjithatë, analistët pohojnë se ambasadori i diskutueshëm mund t’i ngarkojë  më tej marrëdhëniet midis Berlinit dhe Uashingtonit dhe ta dobësojë aftësinë e fuqive perëndimore për të ndërmjetësuar njëzëri në Ballkan.

US-Botschafter Richard Grenell mit Merkel (picture-alliance/dpa/W. Kumm)

Qëndrimi i diskutueshëm

Periudha relativisht e shkurtër (prej majti 2018) e Grenellit si ambasador në Berlin është e mbushur me kontroversa që e kanë bërë atë një nga ambasadorët më të diskutuar të SHBA-së në Gjermani.

Qysh në orët e para të ardhjes së tij në postin e ri, Grenell u bë shkak debatesh me një mesazh në Twitter, ku dënonte interesat e biznesit gjerman në Iran. Më vonë ai sërish do ta  befasonte opinion publik në Gjermani me një deklaratë të dhënë në një intervistë, ku e deklaronte veten hapur si mbështetës të lëvizjeve konservatore në Evropë.

“Kjo që po bën ky njeri është e padëgjuar në diplomacinë ndërkombëtare,” do të thoshte asokohe i indinjuar Martin Schulz,  politikani socialdemokrat dhe ish-kandidat për kancelar në Gjermani. “Nëse një gjë të tillë do ta bënte ambasadori gjerman në SHBA, ai do kishte fluturuar menjëherë”.

Me përvojë në OKB

Sidoqoftë, para transferimit të tij në Berlin, Grenell ka qenë diplomat në përfaqësinë e SHBA-së në OKB, detyrë që e ka ushtruar më së gjati. Kjo përvojë e bën atë mjaft të kualifikuar për të ndërmjetësuar, i tha DW një diplomat i nivelit të lartë nga Ballkani në Berlin, i cili dëshiron të mbetet anonim.  Ai thotë se afria e drejtpërdrejtë mes presidentit Trump dhe qeverisë së kancelares Angela Merkel në Berlin hap një linjë direkte komunikimi ndërmjet Ballkanit, Uashingtonit dhe Evropës, shtoi diplomati.

Por as në marrëdhëniet Ballkan-Berlin, sjellja e Grenellit nuk ka qenë gjithmonë diplomatike, vëren Bodo Weber, ekspert  i Ballkanit Perëndimor. Weber kujton vizitën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në dhjetor të vitit të kaluar në Berlin, i cili u takua atëherë vetëm me ambasadorin amerikan dhe askënd tjetër, çka sipas Weberit është shenjë për atë që Grenell është më në favor të çështjes së ndryshimit të kufijve: „Emërimi i Grenellit është dëshmi se Uashingtoni ende nuk ka hequr dorë tërësisht nga ideja e rrezikshme e shkëmbimit të territoreve”, thotë Weber në një intervistë për DW dhe parashikon se „ky emërim do ta komplikojë rifillimin e negociatave”.

Bodo Weber Südosteuropa-Analyst (privat)Bodo Weber

Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Stefan Seibert, të premten (04.10) nuk pranoi ta komentonte emërimin e Grenellit në këtë post.  I pyetur nga DW në konferencën e rregullt të qeverisë ai tha: “Është çështje e administratës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ne do të vazhdojmë që në  politikën e Ballkanit Perëndimor, i cili për ne mbetet shumë i rëndësishëm, një pjesë e rëndësishme e politikës amerikane, që të koordinohemi me partnerët tanë amerikanë dhe këtë do ta bëjmë edhe tani me zotin Grenell, si ngarkuar i posaçëm për Ballkanin.”  Seibert nuk dha komente as për njoftimet që qarkullojnë kohët e fundit në Ballkan, se edhe Gjermania është duke planifikuar emërimin e një të dërguari special për Kosovën.

Grenell personi i duhur?

Por, ndërkohë që Gjermania shihet si aktori kryesor në tryezën e bisedimeve, emërimi i Grenell-it është një shenjë që SHBA. dëshiron të apelojnë direkt tek Berlini për të sheshuar diferencat në lidhje me zgjidhjen e mundshme të çështjes së Kosovës, thotë për DW, James Ker-Lindsay, profesor nga London School of Econonmics. Edhe ai mendon se amerikanët janë ende të hapur për çështjen e ndryshimit të kufijve.  Por ai dyshon se Grenell është vërtet personi  i përshtatshëm për të bindur Berlinin. “Emërimi i tij është shumë konfuz në shumë nivele”, tha Ker Lindsay.

Continue Reading

Kosovë

Kurti: S’do të lejoj “republikë serbe të dytë” në Kosovë

Published

on

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka deklaruar se nuk do të lejojë një ‘republikë të dytë serbe’ në Kosovë ngjashëm me atë në Bosnjë e Hercegovinën.

Kurti ka thënë se në Bosnjë e Hercegovinë kanë filluar duke i bashkuar komunat me shumicë serbe drejt krijimit të një entiteti autonom i cili saboton shtetin e BeH.

“Unë nuk jam kundër serbëve, por Serbia është kundër nesh dhe nuk mund të lejoj një republikë serbe të dytë në Kosovë ngjashëm siç e kanë në Bosnje sepse edhe atje kanë filluar duke i bashkuar komunat me shumicë serbe drejt krijimit të një entiteti autonom, i cili e saboton shtetin e Bosnje Hercegovinës”.

“Unë besoj se ngjashëm e kanë synimin edhe në Kosovë, pa harruar asnjëherë se krerët në Serbi janë ata që para pak viteve provuan ta bëjnë projektin e shkëmbimit territorial, i cili si ide nuk mund të them se ka vdekur, por si projekt gjithsesi dështoi. Pra, të njëjtët që provuan ndarjen e Kosovës në emër të shkëmbimit territorial, janë ata të cilët tashmë me shumë ngulm e kërkojnë asociacionin e komunave me shumicë serbe, që është i papranueshëm për ne. Prej marrëveshjeve që përmendët, besoj se kryesorja që kurrsesi nuk bën të zbatohet është kjo”, tha Kurti.

Kurti në Syri Tv ka deklaruar edhe njëherë se nuk e dëshiron nismën “Ballkani i Hapur” që mbështetet nga Edi Rama dhe Presidenti serb Vuçiç. Kurti theksoi se Serbia kërkon të destabilizojë Ballkanin.

“Nuk besoj që PS është Partia e Punës, mirëpo sa i përket disa iniciativave rajonale ne nuk pajtohemi. Unë besoj se Serbia do të destabilizojë Ballkanin, që nuk është neutrale, por ka marrë anën e Kremlinit. Nuk mund të jesh neutral mes zjarrfikësit dhe zjarrit. Ata i kanë 14 aviona MIG29. 8 i kanë marrë nga Bjellorusia dhe 6 nga Rusia dhe këtu nuk ka dilema”, tha Kurti.

Më tej kryeministri i Kosovës tha se “nisma e Ramës dhe Vuçiçit me ‘Ballkanin e Hapur’ do të dështojë sepse Ballkani nuk mund të hapet ndaj askujt tjetër, pasi është e hapur prej vitesh vetëm ndaj BE-së, SHBA-së dhe NATO-s”.

“Nuk e di plotësisht nëse plani është ta zëmë, ky Ballkani i Hapur si ide. Unë nuk mendoj se do të ketë sukses. Edhe mendoj se është i gabueshëm. Ballkani i Hapur nënkupton një synim që nuk na qenka i hapur, por duhet ta hapim, por ndaj kujt? Ne jemi të hapur ndaj BE-së dhe SHBA-së, dhe NATO-s. Por të hapet Ballkani ashtu siç është hapur Serbia për Federatën Ruse dhe Kinën, unë mendoj se është gabim”, deklaroi Kurti.

Ndër të tjera lidhur me këtë çështje, Kurti u shpreh se çdo gjë që nuk është e mirë për Kosovën, nuk është e mirë as për Shqipërinë.

“Çdo gjë që nuk është e mirë për Kosovën nuk është e mirë as për Shqipërinë , çka nuk është e mirë për Shqipërinë nuk është e mirë as për Kosovën. Ne jemi dy shtete por jemi një komb dhe duhet të rrisim bashkëpunimin dhe ndjeshmërinë për njëri-tjetrin. Në ‘Procesin e Berlinit’ udhëheq Gjermania, në ‘Ballkanin e Hapur’ udhëheq Serbia, unë besoj se procesi i Berlinit nën udhëheqjen e kancelarit Scholz është rruga e duhur drejt integrimit evropian. Nuk është shpejt por nuk ka rrugë më të mirë dhe mos harroni që Serbia dëshiron që faktorët perëndimorë të mos jenë në një vijë. Serbia dëshiron që as Gjermania të mos pajtohet me Francën dhe as Brukseli më Uashingtonin. Ndërkohë që interesi i shqiptarëve është raporti i mirë trans-atlantik, ne kemi interes sinkronizimin e dyfishtë, sinkronizimin Paris-Berlin dhe Bruksel-Uashington”, tha Kurti.

Continue Reading

Kosovë

Takimi Kurti-Lajçak: Qeveria e angazhuar për dialog parimor

Published

on

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajčák.

Në takim u bisedua për mbarëvajtjen e deritanishme të takimeve, qasjes konstruktive përgjatë tërë procesit të dialogut në Bruksel, parimet, vlerat dhe synimin e këtij procesi.

Kurti ritheksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar për dialog parimor, nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të zbatueshme, që në qendër ka njohjen reciproke.

Kryeministri Kurti dhe Përfaqësuesi Special i BE-së, Lajčák folën edhe për marrëveshjen mbi zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë sipas marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015.

Ai theksoi angazhimin e Qeverisë në zbatimin e tij, me qëllim të përfundimit të një problematike të trashëguar, tё furnizimit dhe pagesës sё energjisë në katër komunat në veri tё vendi

Në sajë të kësaj marrëveshje, pas më shumë se 20 vitesh, katër komunat në veriun e Kosovës, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore, do të kalojnë në një rend të rregullt të faturimit të energjisë.

Me këtë marrëveshje, buxhetit të Republikës së Kosovës do t’i kursehen me dhjetëra milionë euro në vit, të paguara më herët për mbulimin e kostove energjetike të veriut të vendit./21Media

Continue Reading

Kosovë

Kosova përcakton çmimet, sa do të shitet nafta, benzina dhe gazi

Published

on

By

Kosova përcakton çmimet, sa do të shitet nafta, benzina dhe gazi

Ministria e Industrisë Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në Kosovë ka caktuar çmimet e naftës për 24 orët e ardhshme.

Sipas vendimit që ka nxjerrë MINT, lejohet që çmimi maksimal i naftës të jetë 1.85 euro për litër, benzina 1.74 euro për litër dhe çmimi i gazit të jetë 0.78 për litër.

Çmimet e të gjitha produkteve të lëndëve djegëse janë të vlefshme nga ora 10:00 e ditës së sotme deri të nesërmen.

Continue Reading

Aktuale