Connect with us

Kosovë

Kosovë/Fushata zgjedhore nis zyrtarisht të mërkurën

Published

on

Fushata zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit zyrtarisht do të fillojë pasnesër, më 25 shtator, dhe do të zgjasë 10 ditë. Në këto zgjedhje do të garojnë 25 subjekte politike/koalicione parazgjedhore.

Numri i qytetarëve të cilët kanë të drejtë vote në zgjedhjet e 6 tetorit, është 1,937,868. Lidhur me këtë, KQZ ka vendosur që numri i fletëvotimeve të cilat do të shtypen të jetë 1,801,800. Kurse numri i emrave të personave që janë larguar si të vdekur pas Zgjedhjeve Lokale 2017 dhe numri i votuesve që kanë hequr dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës është: 46 mijë e 917, shkruan Telegrafi, përcjell in7.

Më 19 shtator ka filluar votimi përmes postës për shtetasit e Kosovës që jetojnë në vendet e ndryshme të Evropës. Votimi me postë përfundon më 5 tetor.

Kujtojmë se KQZ-ja pati vendosur që numrat e partive politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e 6 tetorit do të jenë nga 111 deri në numrin 135 e jo më të korrespondojnë numrat e partisë me kandidatët, sikurse në zgjedhjet e kaluara. Ndërsa në tërheqjen e shortit për renditje në fletëvotim pesë partitë politike dhe koalicionet parazgjedhore më të mëdha në vend kanë tërhequr numrat jo të afërt me njëra-tjetrën.

Partia Demokratike e Kosovës ka tërhequr numrin 112 për t’u renditur në fletëvotim. Kështu kjo parti do të renditet e dyta me radhë.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka tërhequr numrin 134 për t’u renditur në fletëvotim. Pra, LDK do të renditet e parafundit në fletëvotim.

Lëvizja Vetëvendosje ka tërhequr numrin 126 për t’u renditur në fletëvotim. LVV do të renditet e 16-ta.

Koalicioni AAK-PSD ka tërhequr numrin 119 për t’u renditur në fletëvotim. Ky koalicion do të renditet i nënti në fletëvotim.

Ndërsa koalicioni Nisma-AKR-PD ka tërhequr numrin 122 për renditje në fletëvotim. Ndryshe ky koalicion pra do të jetë i 12-ti në fletëvotim.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se institucioni që ajo udhëheq është e angazhuar për zgjedhje sipas standardeve evropiane.

“Në emër të KQZ-së dua të garantoj të gjithë pjesëmarrësit në këtë garë se KQZ mbetet e përkushtuar për organizimin e zgjedhjeve sipas Kushtetutës dhe standardeve më të larta evropiane. Vetëm zgjedhjet e lira, fer, demokratike, pa presione janë të pranuara për të gjithë. Ftoj përfaqësuesit e subjekteve politike që të respektojnë Kushtetutën, ligjet në fuqi dhe rregullat e KQZ-së, sepse vetëm duke u angazhuar të gjithë së bashku, arrimë zgjedhje të lira”, ka thënë ajo.

Lidhur me këto zgjedhje edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, ka drejtuar një mesazh kandidatëve për deputet që kanë garuar për zgjedhjet e parakohshme që mbahen me 6 tetor.

Përmes një shkrimi në Twitter, Kosnett ka thënë se zgjedhjet e lira dhe të ndershme fillojnë me kandidatët.

“Zgjedhjet e lira dhe të ndershme fillojnë me ju. Drejtësia rrjedh nga kandidatët që ndjekin rregullat e zgjedhjeve dhe ligjin”, ka shkruar Kosnett.

Ndërsa Zyra e BE-së në Kosovë është shprehur e gatshme përmes ekipit vëzhgues të monitorojë zgjedhjet nacionale të 6 tetorit në Kosovë dhe kanë kërkuar që gjithë procesi zgjedhor të shkojë në mënyrë të rregullt.

Kryevëzhguesja e EU EOM, Viola von Cramon-Taubadel, anëtare e Parlamentit Evropian nga Gjermania, tha se mbështesin zgjedhje transparente.

“Ky është misioni i pestë i vëzhgimit të zgjedhjeve nga BE në Kosovë që nga viti 2013. Misioni ynë vëzhgon procesin zgjedhor para, gjatë dhe pas votimit më 6 tetor dhe reflekton angazhimin e vazhdueshëm të BE-së drejt mbështetjes së zgjedhjeve transparente dhe gjithëpërfshirëse në Kosovë. Këto zgjedhje i shoh si mundësi shumë e mirë që të gjitha palët që marrin pjesë në zgjedhje ta demonstrojnë angazhimin e Kosovës për demokraci duke udhëhequr një proces zgjedhor të besueshëm dhe gjithëpërfshirës. Transparenca dhe përgjegjësia e plotë nga të gjitha palët e përfshira në zgjedhje mund ta përmirësojnë mirëbesimin publik në procesin zgjedhor. Gjithashtu do të doja t’i inkurajoj njerëzit ta ushtrojnë të drejtën e votës”, ka thënë ajo.

Ekipi bazë prej 9 analistësh arriti në Prishtinë më 7 shtator, dhe 18 vëzhgues afatgjatë u dërguan nëpër Kosovë më 15 shtator për t’i mbuluar të gjitha 38 komunat, thuhet në njoftimin për media. 36 vëzhgues afatshkurtër si dhe një delegacion i anëtarëve të Parlamentit Evropian dhe përfaqësuesve të shteteve anëtare të BE-së në Prishtinë do t’i bashkohen misionit pak para ditës së zgjedhjeve. Gjithsej rreth 100 vëzhgues nga shtetet anëtare të BE-së, si dhe nga Norvegjia dhe Zvicra, do t’i vëzhgojnë votimet dhe procesin e numërimit më 6 tetor.

Edhe Institucionet të cilat janë nënshkruese të memorandumit të bashkëpunimit për procesin zgjedhor (KQZ, PZAP, PSh, PK dhe KGjK). janë shprehur të gatshme për këto zgjedhje.

Koordinatorja Nacionale për zgjedhje në Prokurorinë e Shtetit, Laura Pula, ka deklaruar se institucioni i Prokurorit të Shtetit, tashmë ka caktuar për secilën prokurori koordinatorët rajonalë dhe do të angazhojë një numër të konsiderueshëm të prokurorëve, ku do të monitorojnë gjithë procesin zgjedhor.
Ndër të tjera, sipas njoftimit, nga të pranishmit është theksuar se vetëdijesimi i qytetarëve për parandalimin e manipulimeve të mundshme të zgjedhjeve është mëse i rëndësishëm, pasi që në rastet ku mund të ketë pretendime për keqpërdorime të votave, Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit do të veprojnë menjëherë.

Gjithashtu, të pranishmit u pajtuan që t’i bëhet ftesë të gjitha organizatave jo qeveritare, shoqërisë civile dhe mediave që të bashkëpunojnë ngushtë me institucionet e lartcekura, para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor.

Më anën tjetër organizata “Demokracia në Veprim” në këto zgjedhje do të ketë 2 mijë e 500 vëzhgues.

Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë Ekzekutive e organizatës FOL, e cila funksionon në kuadër të “Demokracia në Veprim”, ka thënë se në zgjedhjet e 6 tetorit do të jenë 2 mijë e 500 vëzhgues, të cilët do të njoftojnë për çdo parregullsi.

“DNV është duke u përgatitur në këtë aspekt financiarisht. Do të jenë mbi 2 mijë e 500 vëzhgues nëpër terren, kemi edhe vëzhgues afatgjatë që e monitorojnë fushatën zgjedhore. Numri i tyre është shumë i madh, jemi në përgatitjet finale, besoj që do të kemi mundësitë financiare që gjithçka të realizohet sipas planit të paraparë. DnV do të jetë në të gjitha qendrat e votimit, do të ketë edhe ekipe mobile të cilat do të jenë në të gjithë territorin e Kosovës. Aty ku mund të kemi ndonjë parregullsi ku na lajmërojnë vëzhguesit nga terreni, do të ketë edhe call center në Prishtinë, ku do të jenë mbi 100 vullnetarë ku do të pranojnë dhe do të kontaktojnë me gjithë vëzhguesit në terren. DnV përveç monitorimit të zgjedhjeve dhe të fushatës do të monitorojë edhe edukimin e votuesve që e bën KQZ, por të njëjtën kohë do të mundohet t’i nxit votuesit të dalin në zgjedhje, do të kemi një lloj edukimi të votuesve, qofshin votues të ri, por do të japim edhe më shumë informata qytetarëve që ta dinë saktë se ku kanë për të votuar ditën e zgjedhjeve me 6 tetor”, ka thënë ajo.

Ndryshe këto zgjedhje po mbahen për shkak të dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili ishte ftuar nga Gjykata Speciale.

Continue Reading

Kosovë

Ministrja e Finlandës për çështje evropiane: Momenti i duhur që të liberalizohen vizat për Kosovën

Published

on

Ministrja e Finlandës për çështje evropiane, Tytti Tuppurainen thotë se është koha që të liberalizohen vizat për qytetarët e Kosovës, si i vendi i vetëm në rajon që nuk gëzon lirinë e lëvizjes.

Tuppurainen thotë se Finlanda mbështet edhe kërkesën e Kosovës për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës dhe në organizatat ndërkombëtare të sigurisë.

Derisa flet për situatën aktuale të sigurisë në botë pas agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë, ajo thekson se është këtu në drejtim të thellimit të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Finlandës.

Tuppurainen në intervistën dhënë për KosovaPress flet edhe për Ballkanin e Hapur, dialogun Kosovë – Serbi, mosvendosjen e sanksioneve nga Serbia për Rusinë dhe rrezikun potencial që i kanoset Ballkanit Perëndimor.

Duke komentuar deklaratat e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq se përgjigja e tij karshi reciprocitetit të vendosur nga Qeveria e Kosovës për letërnjoftim dhe targa do të jetë “vdekjeprurëse”, ministrja finlandeze thotë se çdo retorikë përshkallëzuese është diçka për të cilën ndiej keqardhje.

KosovaPress: Ju keni ardhur për një vizitë zyrtare në Kosovë. Cili është qëllimi i kësaj vizite dhe ku do të jetë fokusi i takimeve tuaja me liderët shtetërorë të Kosovës?

Tuppurainen: Para së gjithash, kjo është vizita ime e parë në Kosovë dhe Prishtinë, dhe vërtet i jam gëzuar këtij udhëtimi. Unë jam një mike e fortë e Kosovës, dhe Finlanda ka një partneritet shumë të gjatë dhe të mirë me Kosovën, dhe për këtë arsye, mendoj se ne mund të forcojmë më tej lidhjet tona dypalëshe, dhe, natyrisht, situatën aktuale të sigurisë në Evropë. Pas sulmit të Rusisë në Ukrainë, kemi arsye që të gjithë ne të përmirësojmë më tej dialogun dhe bashkëpunimin tonë të ndërsjellë për demokraci, paqe dhe stabilitet.

KosovaPress: Kosova dhe Finlanda shquhen për marrëdhënie të mira. A ka hapësirë që ky bashkëpunim të thellohet edhe më tej dhe në cilat fusha?

Tuppurainen: Sigurisht që ka vend për thellim të mëtejshëm të bashkëpunimit tonë. Tashmë janë 10,000 kosovarë që jetojnë në Finlandë, kështu që është një diasporë mjaft e madhe dhe mendoj se shumë prej tyre e njohin Finlandën shumë mirë, dhe sigurisht që e njohin shumë mirë atdheun e tyre, kështu që ndoshta mund të përdorim njohuritë e tyre për vendet tona, në mënyrë që të përmirësojmë bashkëpunimin tonë ekonomik. Nëse mund të bëjmë diçka në ambasadën tonë këtu, ose nëse mund të bëj diçka për t’i dërguar një mesazh qeverisë sonë, në mënyrë që të promovojmë lidhjet tona të biznesit, do të isha e lumtur ta bëja këtë. Besoj se kemi kaq shumë për të bërë në fushën e ekonomisë apo asaj qarkore, riciklimit, e kështu me radhë. Pra, mezi pres të rrisim bashkëpunimin tonë.

KosovaPress: Së fundi Qeveria e Kosovës i ka vendosur masa reciprociteti Serbisë për letërnjoftime dhe targa, për çka presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka kërcënuar se përgjigja e tyre do të jetë “vdekjeprurëse”. A mendoni se mund të ketë destabilitet të Ballkanit Perëndimor kur kemi parasysh edhe lidhjen serbo-ruse dhe luftën hibride që po bëhet?

Tuppurainen: Para së gjithash, stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është çështja më e rëndësishme, jo vetëm për vetë rajonin, por edhe për Evropën. Po flasim për fqinjësinë evropiane; prandaj është kauza jonë e përbashkët për të rritur stabilitetin në rajon. Dhe më duhet të them se çdo retorikë përshkallëzuese është diçka për të cilën ndiej keqardhje. Shpresoj që të gjithë të punojnë drejt një mirëkuptimi dhe marrëveshjeje të përbashkët, sepse vetëm përmes bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë mund të arrijmë paqen dhe stabilitetin. Besoj se Kosova ka të drejtën ligjore për zgjedhje, por shpresoj që në fund të gjithë ta kuptojnë se duhet të gjejmë gjuhën e përbashkët dhe të shmangim çdo përshkallëzim.

KosovaPress: A po i bëhet padrejtësi Kosovës lidhur me liberalizimin e vizave? Dhe si i keni parë deklaratat se mund të ketë kritere shtesë për Kosovën?

Dua ta bëj shumë të qartë: Finlanda është në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën. Sigurisht që e meritoni. Të rinjtë tuaj e meritojnë. Kam takuar shumë të rinj kosovarë që janë të etur për të udhëtuar, për të pasur të drejta të barabarta për të udhëtuar. Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk ka liberalizim të vizave. Dhe tani është koha për ta dhënë atë. Finlanda është në favor të kësaj dhe ne kemi punuar drejt qëllimit që Këshilli të arrijë marrëveshjen për liberalizimin e vizave.

KosovaPress: Çka prisni nga dialogu Kosovë – Serbi dhe sa e shihni të nevojshme arritjen e një marrëveshjeje në një periudhë sa më të afërt marrë parasysh rrethanat aktuale në të cilat ndodhet bota sot?

Tuppurainen: Ne besojmë se dialogu është shumë i rëndësishëm. Sigurisht që kjo çështje i takon Kosovës. Merrni vendimet vet. Varet nga ju, si e shfrytëzoni ecurinë e dialogut. Mendoj se tani pas zgjedhjeve serbe, është një moment i ri për të zgjeruar më tej dialogun. BE-ja ka investuar shumë në këtë dialog, duke pasur përfaqësuesin special Lajçak që vepron në këtë fushë dhe ne e mbështesim fuqishëm punën e Lajçakut. Sigurisht, duhen dy për tango. Nuk i takon vetëm Kosovës që të zgjidhë çështjet që janë në tryezë. Por megjithatë, ju mund të jeni forca që po përpiqet për të mirën, që përpiqet për interesin e përbashkët dhe që përpiqet për një marrëveshje të mirë përfundimtare. Sepse në fund ju duhet një marrëveshje e ndërsjellë, për të ecur në rrugën tuaj evropiane. Besoj se Kosova i përket Evropës, bashkëpunimit tonë të ndërsjellë, por ky dialog është diçka që duhet shfrytëzuar maksimalisht. Kështu që ju inkurajoj, por e kuptoj plotësisht se i takon Kosovës të bëjë zgjedhjet e saj.

KosovaPress: Cili është qëndrimi i Finlandës për Ballkanin e Hapur, a mendoni se duhet të bashkëngjitet Kosova?

Tuppurainen: Varet nga ju që të vendosni për fatin tuaj. Unë nuk jam këtu si ministër për t’ju thënë se çfarë duhet të bëni. Nëse mendoni se Ballkani i Hapur, krijon një lloj vlere të shtuar për ju, atëherë sigurisht që duhet të shfrytëzoni mundësinë, por nëse mendoni se ka mjete të tjera që janë më të mira për ju, atëherë sigurisht që ju takon t’i përdorni ato. Ekziston nisma e përbashkët e tregut rajonal që lehtësohet nga Procesi i Berlinit. Unë besoj se ky është gjithashtu një shans i mirë për të promovuar më tej rrugën tuaj drejt tregut të përbashkët të Bashkimit Evropian, duke pasur vlera të përbashkëta, duke përdorur standarde të përbashkëta, çfarëdo që mund të bëni këtu për të përmirësuar situatën tuaj kur bëhet fjalë për standardet evropiane që do të t’ju ndihmojnë në rrugën për të hyrë në tregun e brendshëm të Bashkimit Evropian. Dhe, nuk ka asgjë që mund të zëvendësojë fuqinë ekonomike të tregut të brendshëm të BE-së, asnjë investim nga jashtë nuk mund të sjellë të njëjtin përfitim si tregu i vetëm evropian. Pra, kjo do të jetë diçka për të cilën duhet të përpiqeni patjetër, ka qenë një burim i madh për ekonominë e Finlandës dhe mund të jetë e njëjta gjë për Ballkanin Perëndimor.

KosovaPress: Serbia është i vetmi vend që nuk i ka vendosur sanksione Rusisë pas agresionit ushtarak në Ukrainë. Si e vlerësoni këtë veprim të Serbisë dhe cili besoni se duhet të jetë qëndrimi i BE-së karshi saj?

Tuppurainen: Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar, vetëm të bashkuar mund të përballemi me Rusinë. Le të jemi të qartë. Rusia është një autokraci, e cila po bën një luftë, një luftë të pamëshirshme ilegale në Ukrainë. Dhe ne duhet të vendosim se në cilën anë të historisë jemi. A po luftojmë për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, apo jemi ulur në “gardh”? Unë besoj se ne të gjithë duhet të zgjedhim anën dhe të përshtatemi plotësisht me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së. Është një domosdoshmëri nëse doni të vazhdoni në negociatat tuaja të zgjerimit dhe anëtarësimit, të cilat ky rajon është aktualisht duke i zhvilluar.

KosovaPress: Pas heqjes së bllokadës nga Turqia për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO, aleanca ka marrë vendimin për të ftuar dy vendet që t’i bashkohen asaj. Sa kohë besoni se do të merr kjo?

Tuppurainen: Epo, unë nuk kam një top kristali, por shpresoj që kjo të ndodhë sa më shpejt që është e mundur. Jemi të lumtur për Samitin e Madridit që ishte aq i suksesshëm, që arritëm të gjenim një marrëveshje me Turqinë. Është çështje diplomacie dhe është çështje negociatash, gjetja e interesit të përbashkët dhe në fund, dakordimi. Por sigurisht, në këtë situatë ku jemi, si Finlandë, e kuptojmë se jemi një vend që aplikon për anëtarësim në NATO. Pra, neve na mbetet të jemi modest dhe t’i lëmë vendet që tashmë janë anëtare të NATO-s të marrin vendimin e tyre për ratifikimin. Besoj se ne jemi 100% të përputhshëm kur bëhet fjalë për kriteret e NATO-s, dhe Finlanda do t’i jepte vlerë të shtuar të gjithë Aleancës, jo vetëm aleancës së NATO-s, por edhe rajonit më gjerë. Unë besoj se ne të gjithë duhet të punojmë për një Evropë më paqësore dhe më stabile.

KosovaPress: Kosova dëshiron të bëhet pjesë e Partneritetit për Paqe te NATO-s. A e ka mbështetjen e Finalandës, edhe si një anëtare e ardhshme e NATO-s?

Tuppurainen: Unë e shoh Kosovën si pjesë të një rendi shumëpalësh. E mirëpres vendimin tuaj për të aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Finlanda, mbështet kërkesën tuaj për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës. Dhe, siç thashë, ne jemi pro liberalizimit të vizave. Dhe besoj se një ditë do të filloni negociatat për t’u bërë anëtare e BE-së. Pra, varet nga ju, nëse aplikoni edhe anëtarësimin në NATO, ne nuk jemi ende atje, kështu që nuk më takon mua ta ftoj Kosovën të jetë pjesë e saj, por ju inkurajoj që të jeni të rrënjosur fort në të gjitha organizatat dhe institucionet e bazuara në ligj dhe rregull, si vendet e vogla, si Finlanda. Është shumë mirë që ne të jemi pjesë e rendit shumëpalësh. Në vend të kësaj, ne do të ishim në botën e superfuqive dhe luftën e tyre të vazhdueshme, dhe të gjithë e dimë se ku mund të çojë kjo. Pra, le të punojmë të gjithë për rendin shumëpalësh të bazuar në rregulla, në Evropë dhe në të gjithë botën.

Ministrja finlandeze për çështje evropiane, Tytti Tuppurainen po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, ku nesër pritet të takojë zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.

Continue Reading

Kosovë

Hysni Gucati vjen në Kosovë për të vizituar nënën

Published

on

Ish-kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati ka arritur sot në Kosovë.

Ai është shoqëruar nga forca të shumta të njësive speciale të EULEX-it.

Gucati ka vizitur nënën e tij e cila është e sëmurë dhe njëkohësisht po qëndron për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Para dy jave, Gucati u dënua nga Gjykata Speciale në Hagë me 4 vite e gjysmë burgim.

Continue Reading

Kosovë

Zjarr në një depo në Pejë, dëmtohen tri shtëpi banimi

Published

on

Një depo private me vaj motorik është përfshirë nga zjarri sot rreth orës 08:40 në rrugën “Perandori Justinian” në Pejë.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë njofton se si pasojë e zjarrit janë dëmtuar tri shtëpi banimi.

Në vendin e ngjarjes ka dalë brigada e zjarrfikësve dhe KFOR-i, të cilët kanë vendosur zjarrin nën kontroll.

Njësitet policore janë duke punuar në vendin e ngjarjes nën koordinim me Prokurorin e Shtetit për të zbardhur shkaqet që çuan deri te shpërthimi i zjarrit.

Ky rast me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, dhe është duke u proceduar nga Njësia rajonale për hetimin e krimit.

Continue Reading

Aktuale