Connect with us

Kolumna

Pranvera shqiptare në Maqedoninë e Veriut fillon nga Kosova

Published

on

Shkruan, Bekim QOKU

 

Nuk ka, por as ka patur ndonjëherë subjekt politik që i përbashkon shqiptarët në këtë përmasë e intensitet qysh nga Rilindja Kombëtare. Nga të gjitha trojet i janë bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje! 

Në ndërkohë, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kurrë nuk kanë qenë më të çorientuar e më të davaritur politikisht se tani. Synimi për BE dhe NATO duket se është më shumë tërheqje nga jashtë sesa shtysë nga brenda. Ky raport forcash na ka plogështuar e na ka lënë pa qëllime të qarta e të sakta brenda-shoqërore e kombëtare, sa që shtrëngohemi të ndjekim turlisoj agjendash të huaja. 

Dhe në kësi plogështie, edhe fqinji i keq, sado i dobët, na shfaqet me fuqinë anonime të ndërkombëtarit. Ne ulim dozën kombtariste të shtetimeve tanë, ndërsa ata ushtrojnë dhunshëm hegjemoninë e tyre politike dhe kulturore mbi ne. Rezultati: arratisje, nënshtrim, asimilim. Diktati politik e kulturor në Maqedoni po shkon deri aty sa po na shpik e po na i vë mbi krye ne shqiptarëve të gjithë autoritetet politike e kulturore. Shkurt, ministër, deputet, rektor, futbollist, këngëtar, profesor, drejtor shqiptar bëhesh vetëm në qoftë se pëlqehesh, miratohesh, flet, mendon, këndon si ata, pra si klasa me pushtet (jo në pushtet).  

Një mungesë e tillë legjitimiteti ontologjik, një mungesë e një përligjjeje të këtillë ekzistence të entiteve socio-politike i ka detyruar të sipërpërmendurit të qëmtojnë burime alternative legjitimimi! Këtu nis shpërfytyrimi i normave themeltare të demokracisë. Mungesën e legjitimitetit nga poshtë e kanë zëvendësuar me legjitimitet nga lart – faktori ndërkombëtar –, e sidomos dhe fillimisht nga anash – Tirana dhe Prishtina zyrtare. Sa herë që u është lëkundur pozita sunduese, veçanërisht politikanët shqiptarë janë mirëpritur nga krye -tari, -ministri dhe -parlamentari i Shqipërisë e Kosovës si të së njëjtës sërë. Fotot e takimeve me buzë në gaz e krah mbi supe qarkullojnë portaleve dhe lajmeve televizive pajanda. 

PD, PS, PDK, AAK, BDI, PDSH nuk kanë qenë vetëm parti që kanë dominuar jetën politike të dy dekadave të fundit duke mbjell mjerim, shthurje, dëshpërim dhe shpopullim, por ato, ç’është më e keqja, kanë legjitimuar njëra-tjetrën. Janë bërë si njëra dorë që lan tjetrën. Këto parti janë zinxhiri që po robëron tërësinë e popullit shqiptar. Ky zinxhir kërkon të përfitojë deri në asgjësimin total të kombit. Ata që duan të shpëtojnë, si mundësi e zgjidhje shohin vetëm arratinë, Gjermaninë. 

Rebelimi?

Mu në këtë mes hyn Albin Kurti me Lëvizjen Vetëvendosje! Albini, Lëvizja, është tronditja e këtij populli që e shkërmoq zinxhirin. Lëvizja hyn si pykë dhe çan e përndan rrethin vicioz që ka përthekuar e ka ndrydhur pafundësisht shqiptarët. Albini dhe Lëvizja bëhen shpresa dhe kthesa. Për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, Lëvizja dhe Albini nuk janë thjesht objekte analizash teknike, të tipit kaq deputetë, me këtë apo atë koalicion. Ata janë frymë, fryma e kohës. Për shqiptarët e MV ata nuk janë tema muhabeti kafesh apo çështje tifozllëku, siç bëhet rëndom me PS, PD, PDK, LDK, etj, por identifikim me një instancë morale dhe politike të një standardi epëror. Janë koncept i mirëfilltë politik. Bashkëpunimi i Albinit dhe Lëvizjes me shqiptarët e gjitha trojeve nuk ka qenë kurrë i reduktuar në biznes, kontrabandë, interes të ngushtë klanor e fisnor, siç kemi dëgjuar për lidhjet e H. Thaçit me Ali Ahmetin, apo R. Haradinajt me Menduh Thaçin dhe Ilir Metën. Liderët shqiptarë nga Tirana e Prishtina, në përgjithësi, ndërhyrjet në zhvillimet e jetës politike në MV kanë qenë vetëm nga distanca. Kanë qenë deklarata të “moderuara” në emër të stabilitetit rajonal, paçka se bashkëkombësit e tyre janë nëpërkëmbur, torturuar, burgosur e vrarë nga regjimet sllave përgjatë gjithë këtyre kohërave.  

Jo vetëm ndryshe, por përkundër tyre, Albin Kurti ka vepruar aktivisht në ngjarjet dhe jetën politike. Qysh herët është bërë përpjekje për të bashkuar faktorin politik dhe shoqërinë civile shqiptare. Lëvizja ka qenë tepër e ashpër ndaj dhunës dhe padrejtësive në kurriz të shqiptarëve në MV. Ajo vazhdimisht ka qortuar Tiranën dhe Prishtinën për indiferencën dhe sjelljen e “moderuar” të tyre. Albin Kurti bashkë me disa figura tjerat të Lëvizjes morën pjesë personalisht në protestën që organizoi opozita shqiptare në M. e Veriut kundër padrejtësive dhe diskriminimit që u bëhen shqiptarëve.

Albin Kurti ka meritën e njehsimit të qëndrimeve të politikës shqiptare në Maqedoni. Çfarë u kurorëzua në Tiranë me një platformë të përbashkët të palës shqiptare, nisi në Prishtinë, tek zyrat e Lëvizjes dhe u selit vazhdimisht nga insistimi i Albinit. Pra, nëse shqiptarët konsiderohen si faktorët dhe aktorët kyç të përmbysjes së regjimit shovinist gruevskian, një meritë e jashtëzakonshme i takon pikërisht rolit aktiv të Albin Kurtit.

Për ngjarjet e tmerrshme të 27 prillit në parlamentin e Shkupit, ishte vetëm Lëvizja që reagoi institucionalisht me një konferencë shtypi që e mbajtën Albin Kurti dhe Glauk Konjufca. Një delegacion i gjerë me deputetë kuvendi e funksionarë të Lëvizjes vizitoi më pas Ziadin Selën. Këtë s’e bënë as presidentët, as kryeministrat, asnjë parti tjetër politike, as të Tiranës e as të Prishtinës. Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve heshtnin kur rrihej një përfaqësues tjetër politik i shqiptarëve.

Ishte Albin Kurti që përkrahu kandidatin e vetëm shqiptar Blerim Reka në fushatën zgjedhore presidenciale; ai me një grup të madh deputetësh të Lëvizjes morën pjesë në disa tubime të fushatës zgjedhore. E po njësoj, tërë përfaqësuesit zyrtarë të shqiptarëve në rajon heshtën. Ama Ramush Haradinaj nuk harroi të përkrahë presidentin portokalli të Ukrainës. 

Nga i gjithë spektri politik zyrtar shqiptar në rajon, vetëm Lëvizja reagoi për rastin e Kumanovës. Shqiptarët vriteshin, dhe politikanët e tyre nuk e vinin ujin në zjarr.

Ishte vetëm Lëvizja ajo që reagoi për përgjimet në MV. Heshtja e partive të tjera për këtë skandal i bën shumë të besueshme disa përgjime ku dëgjohen politikanë të niveleve të larta nga Shqipëria e Kosova duke bërë aktivitete të paligjshme me funksionarë shtetëror shqiptarë e sllavomaqedonas. Deklarata e Albinit “Shqiptarët në Maqedoni janë brenga ime më e madhe” është epike. Është e tillë, sepse kur e thotë ai, tingëllon e besueshme. 

Le t’i kthehemi edhe njëherë jetës politike në MV. Është e pamundur t’i shmangemi konstatimit që vendin e ka pllakosur amullia. Maqedonia është kthyer në një moçal nga ku s’është pamundur të dilet. Ikja e frikshme e popullatës vitale jashtë vendit dhe ndrydhja e brendshme e atyre që mbeten, e ka thelluar shpërfilljen ndaj politikës, rrjedhimisht ndaj jetës në përgjithësi. Këtë gjendje e përforcon edhe mungesa e modeleve dhe vokacioneve joshëse politike. Figura publike që ka ndërtuar Albini me paraqitjet e tij ka frymëzuar dhe stimuluar shumë vajza e djem të rinj për t’u angazhuar politikisht. Asnjë subjekt tjetër politik shqiptar, kudoqoftë, përveç Lëvizjes, nuk ka në radhët e tij aktivistë politikë nga jashtë shtetit ku ndodhen apo juridiksionit me të drejtë vote për atë parti. Lëvizjes i janë bashkuar aktivistë nga Shqipëria, M. e Veriut, Luginës, Malit të Zi. LVV është çlirim vullnetesh gjithandej ku emetohet dhe receptohet veprimtaria e saj.  

Andaj slogani “Pranvera shqiptare fillon nga Kosova” mbart një fuqi madhështore besimi në MV. Në Kosovë filloftë pranvera, ardhtë në verë ndër shqiptarët e Shkupit, Strugës, Kumanovës, Gostivarit, Kërçovës, Tetovës, Manastirit, Ohrit. 

 

 

Continue Reading

Kolumna

Jemi të gënjyer!

Published

on

Nuk di sa herë e kemi parë triumfatorin e rrejshëm, ministrin Osmani, të dalë e të thotë me bindje e gojën plot se po marrim datë dhe përherë kemi dështuar nga paaftësia diplomatike e tyre. Bullgaria arriti të imponojë seriozitet dhe, siç thotë populli në anekdotë, t’ia lërë këmbët e arushës në dorë Maqedonisë së Veriut.

Shkruan Vjollcë BERISHA

Nuk duhet parë vetëm si diçka që aksidentalisht shkon keq, diçka që lidhet me orën e historisë. Është thjesht dështim i diplomacisë sonë. Nuk mjafton të jetosh në aeroplan e të bësh foto besimplote për ta integruar vendin në Bashkimin Evropian.

Cila është masa me të cilën mund të matet në këtë orë suksesi i një ministri për Punë të jashtme nëse jo me mundësinë e tij për ta integruar vendin në Unionin Evropian?! Me se tjetër mund të lëvdohet diplomacia “jonë” shterpe?

Po ato intervistat gojëplota me data të rrejshme?

Jemi gënjyer keq.

Votat merren në emër premtimesh që nuk realizohen. Nuk di sa herë e kemi parë triumfatorin e rrejshëm, ministrin Osmani, të dalë e të thotë me bindje e gojën plot se po marrim datë dhe përherë kemi dështuar nga paaftësia diplomatike e tyre. Bullgaria arriti të imponojë seriozitet dhe, siç thotë populli në anekdotë, t’ia lërë këmbët e arushës në dorë Maqedonisë së Veriut.

Populli ndjehet i gënjyer. Rrugë tjetër s’ka. Dielli për ne lind nga perëndon. Ky përcaktim është qenësor për shqiptarët.
BDI e ka minuar pafundësisht këtë rrugë me mbytjen e shtetit të së drejtës, me institucione të korruptuara deri në dhëmb, me moszgjidhje të proceseve të montuara, me drejtësi selektive që i shërben vetëm pushtetit e kultit të Partisë, me arsim asht e lëkurë, me kulturë që po shfytyrohet pa kujdesin e detyrueshëm institucional, me zgjedhje të manipuluara, e me të gjitha elementët që jo vetëm e shembin rrugën e integrimit, por edhe na bëjnë qesharakë e të pamjaftueshëm në sytë e botës.

Mosmarrja e datës nuk është pafatësi, është PAAFTËSI diplomatike, dështim dhe mbi të gjitha gënjeshtër.
Është një borxh që ia kanë popullit që e gënjyen në dritë të diellit se do ta integrojnë aty ku natyrshëm e ka vendin. Nuk duhej të nguteshin me premtime.

Pesha e fjalës është e rëndë. Medoemos e zë përfundi cilindo që turret ta thotë pa përgjegjësi dhe pa skuqje.

Jemi të gënjyer.

Continue Reading

Kolumna

Shaqir Fetai e humbi kontrollin! E humbi…

Published

on

Me Shaqir Fetain gjithçka rrjedh egër, çdo proces është ilegal dhe në interes të huaj, sepse, vetë Shaqir Fetai është interesi i huaj, ilegalisht i instaluar në krye të BFI-së me qëllim që gjithçka të rrjedhë egër, trishtueshëm, me synime shkatërrimtare! Këtë e dinë, fatkeqësisht, edhe myftinjtë e sotit, të cilët me lezet po ia mbajnë iso-n Shaqir Fetait në punët e tij të fëlliqta.

Nga Valbon Osmani

Për herë të parë në historikun e BFI-së kemi të organizuar haxh të egër, ilegal, fatkeqësisht në emër të Institucionit! Nuk është respektuar asnjë rregullativë e BFI-së, nuk është përfillur asnjë organ dhe nuk janë sjellë kurrfarë vendimesh nga organi më i lartë kolektiv, nga Rijaseti! Haxhin e “organizon” Shaqir Fetai me “myhybët” e vet të inspiruar nga rrëfimet legjendare të “Bagdatski llopovit”!

Shaqir Fetai dëshmoi se, jo që nuk di të funksionojë sipas rregullave të organeve kolektive, jo se nuk e di Kushtetutën e BFI-së, jo që nuk e njeh praktikën e organizimit institucional të këtij obligimi fetar, por, thjesht, e ka shumë të qartë se po i vie fundi, prandaj, të shfrytëzohet rasti dhe të përmbush orekset e veta aqcsavi jepet mundësia, natyrisht pa u përfshirë këtu organet kolektive apo trupat ndihmëse. Ky manipulim kurrë nuk do t’i falet Shaqr Fetait, një ditë ai do të përgjigjet edhe penalisht për këtë anashkalim që ia bën organit kolektiv në punën me të cilën e obligon madje vetë Kushtetuta e BFI-së! Thjesht, Shaqir Fetai vetë pret dhe vetë qep!
Për ta zbutur paksa këtë kritikë që e lakuriqëson tërësisht organizimin e egër të haxhit të sivjemë, Shaqir Fetai, i tmerruar nga ajo se u zbulua për hajninë e madhe, nisë me manipulimet e veta. Paska thirrur myftinjtë për konsultime para nisjes së haxhit! Pra, nuk thotë se e tuboi RIJASETIN, por, i tuboi myftinjtë si dhe drejtorët e institucioneve dhe sektoreve, me qëllim që të konsultohet! Të gjithë këta organe përbëjnë Rijasetin i cili tubohet për të sjellë vendime, për të propozuar më të mirën para miratimit të çfarëdo vendimi!

Çka ka këtu për t’u konsultuar? Ka formuar vetë komisionin, i ka caktuar vetë udhëheqësit e haxhit si dhe të haxhilerëve, ka caktuar vetë çmimin dhe, në fund, hajde mos të më ngelë kopili në dorë! I fton myftinitë për manipulim! Nuk mund të ketë konsultime në prag të nisjes së haxhilerëve, sepse, nuk ka çka i këshillon dhe as çka i konsulton myftinjtë Shaqir Fetai, i cili as që ia ka haberin e organizimit të këtij obligimi islam, as që ka organizuar ndonjëherë dhe as që di se si shkojnë punët rreth haxhit. Ai di vetëm të përfitoj nga haxhi.

Shaqir Fetai veten e llogaritë “pushtet” (edhe atë, maqedonas), nuk ia ka ngenë askujt, nuk e bën hesap as Kushtetutën e BFI-së, as Organet kolektive të BFI-së, sjell vendime autokrate dhe, në fund t’i njollosë që të gjithë. Prandaj, i fton myftinjtë, tallet me myftinjtë dhe, në fund, llogari do të kërkojë edhe prej tyre! Llogari për ç’gjë as që dinë se çfarë ka ndodhur, sepse kanë qenë tërësisht të përjashtar nga procesi!
Ndoshta edhe e meritojnë këtë përbuzje dhe këtë tallje të gjithë myftinjtë! Përjashtohen nga procesi ndërsa pak para nisjes për në haxh, tubohen dhe “konsultohen”! Sa vlenë konsultimi i tyre, këshillat apo këshillimet pasi gjithçka që ka dashur ka vendosur vetë Shaqir Fetai!

Për herë të parë përjashtohet Rijaseti nga ky organizim, për herë të parë përjashtohen myftinjtë dhe organet e tjera nga ky proces por që, në llogaridhënie përfshihen edhe ata! Kështu mendon Shaqir Fetai dhe kësaj ia arrinë! Myftinjtë nuk bëhen hesap në këtë organizim, ndërsa nëse plasin aferat e vjedhjes dhe të korrupsionit, atëherë, të gjithë mund ta hanë por jo dhe Shaqir Fetai!
Shaqir Fetai qenka takuar edhe me udhëheqës dhe me mjekë të haxhit? Edhe ky është aktivitet i egër, sepse, dikush ata emra, ata propozime, numrin e tyre, është dashur ta miratojë në ndonjë mbledhje të Rijasetit! As ky hap nuk është hedhur! Gjithçka në ilegalitet dhe, sipas dëshirës dhe propozimeve të Shaqir Fetait! Një ekip prej nja 80 personave të përzgjedhur nga instalacioni i pushtetit maqedonas në krye të BFI-së!

Të gjithë këtyreve haxhi u paguhet nga BFI-ja! Kush e solli këtë vendim?
Të gjithë këtyreve u paguhet dhe mëditje? Kush e solli dhe kush e miratoi vendimin për lartësinë e mëditjeve?
Të gjithë këta mund të kenë edhe shpërblime dhe benificione ekstra? Kush e solli këtë vendim dhe cila do të jetë ajo shumë e përfitimeve ekstra?

Kujt i duhen këto shërbime, nëse jo ekskluzivisht Shaqir Fetait! Sepse ai dëshiron që vjedhjen t’ia kryejnë sa më shumë persona dhe, që të gjithë ata të kontribuojnë për t’ia reaziluar dëshirat meskine dhe të poshtra Shaqir Fetait! Rreth 500 mij euro do të jenë shpenzimet të cilat do t’ua mbulojë BFI-ja, respektivisht, shumë kjo që do të nxirret nga çmimi i haxhit të sivjemë. Pra, të gjithë haxhilerët e sivjemë kanë paguar çmim kaq të larë, sepse, ekipi i Shaqir Fetait është i madh dhe i pangopshëm shpenzimet e të cilëve përfshihen në këtë çmim të sivjemë të haxhit! Pra, “ekipin ndihmës dhe mjekësor” nuk e paguan bashkësia “fetare” e Shaqir Fetait, por, e paguajnë të gjithë haxhilerët e sivjemë!

Me Shaqir Fetain gjithçka rrjedh egër, çdo proces është ilegal dhe në interes të huaj, sepse, vetë Shaqir Fetai është interesi i huaj, ilegalisht i instaluar në krye të BFI-së me qëllim që gjithçka të rrjedhë egër, trishtueshëm, me synime shkatërrimtare! Këtë e dinë, fatkeqësisht, edhe myftinjtë e sotit, të cilët me lezet po ia mbajnë iso-n Shaqir Fetait në punët e tij të fëlliqta.

Continue Reading

Kolumna

Hani pini e rrëmbeni

Published

on

By

HANI PINI E RRËMBENI

Shkruan Agron Shaqiri

Revoltën time të sotme po e filloj me disa fjalë të Michel Foucault:

Krimineli është një njeri që shkel paktin, që e shkel herë pas here, kurdo që i nevojitet ose dëshiron, kur ia lyp interesi, kur në një çast dhune a verbërie mbizotëron motivi i interesit vetjak, pavarësisht përllogaritjes racionale më elementare. Krimineli është një despot i përkohshëm, një despot i momentit përmes verbërisë, fantazisë, pasionit etj.

Njerëz, çmimi i përcaktuar nga KRRE-ja për naftën ka arritur deri më 107,5 denarë. Çmimi më i lartë i naftës në vendin më të varfër të rajonit e më tej. Çdo ditë vonesë nënkupton shtrenjtim më shumë të derivateve dhe më pas, çdo masë e marë nuk do të ketë asnjë efekt lehtësues për qytetarët. Ata presin që çmimi të shkojë në 150 denarë dhe pastaj ta ulin në 120 denarë për litër. Kjo nuk është ulje, por plaçkitje dhe mashtrim i qytetarëve. Dhe thonë se ne, pra populli, pas disa muajve do të themi se ky çmim është në rregull, ata harrojnë se Qeveria dhe KRRE-ja janë institucione publike në mbrojtje të qytetarëve, e jo institucione në shërbim të vetëm një karteli sekret mes oligarkëve dhe miqve të tyre.

Sipas INSTAT-it, edhe çmimet tjera kanë pësuar rritje të ndjeshme për ekonomitë tona familjare. Sot qytetarët e Maqedonisë së Veriut hanë më pak dhe shpenzojnë më shumë.

Inflacioni është më i larti në tre dekadat e fundit.

Ndëkohë kriza po na i falimenton biznese e vogla, po na I falimenton edhe fermerët e vegjël, kryeministri dhe qeveria po presin rebalancin e buxhetit që të intrevenojnë me masa antikrizë, po deri në seancën përfundimtare duhet të zhvatemi deri në denarin e fundit.

Kriza me gjasë do të thellohet edhe më tej.

Nëse ne nuk dalim bashkërisht në rrugë, jetesa do të bëhet më e papërballueshme, kurse oligarkët dhe qeveria do të na marrin edhe monedhat e voëlëva dhe të fundit kemi në xhep.

Ne nuk mund ta lemë jetën tonë në mëshirën e një qeverie që u shërben deri në perversitet interesave të një grushti oligarkësh në kurriz të qytetarëve.

Sabotimi i institucioneve publike nga ata që paguhen për t’i mbojtur është cenim i shumicës së qytetarëve dhe tregues se vala shkatërrimtare rrezikon seriozisht vendin.

Njësoj po veprohet edhe me spitalet, shkollat, aeroportet dhe rrugët e Maqedonisë së Veriut. Ata që vodhën të djeshmen e prindërve tanë dhe të tashmen tonë, duan të vjedhin edhe të nesërmen e fëmijëve tanë.
Edhe sa do të durojmë?!

Continue Reading

Aktuale