Kolumna
Kjo ishte humbja më e ëmbël në jetën time
Shkruan Berat Buzhala
Sikur goditja e Besart Celinës në drejtim të portës së Anglisë të kishte qenë vetëm pak centimetra më e ngushtë, ne sot do të kishim qenë duke diskutuar për një triller të futbollit, për nga përmasat të ngjashëm më atë të boksit te zhvilluar në Manila të Filipineve, në mes të Muhamed Alisë dhe Joe Frejzerit, i pagëzuar si Thrilla in Manila.
Kur rezultati ishte 5 me 3 për anglezët, Celina po rrëshqiste poshtë, prej anës së tij të majtë, duke e kërkuar pozitën ideale për të djathtën e tij, në mënyrë që ta tejkalonte Pickfordin, i cili po e përcillte djaloshin e Kosovës se si po lëshohej me shpejtësi në drejtim të qendrës së 16 metërshit.
Prerja që Bersanti i bëri topit, duke ia dhënë një efe alla Coutinho (kur ky ishte në formë e tij më të mirë) ua ndali frymën 30 mijë tifozëve të pranishëm në Southampton, aty ku Kosova po e shkruante historinë e vet me shkronja të arta.
Prej momentit kur 9’shi i Kosovës e goditi topin e deri në momentin kur predha arriti te shtylla e majtë e portës angleze nuk ka zgjatur më shumë se 1 sekond, mirëpo ai rrugëtim i topit u duk i gjatë sa një jetë. Përmbysja e rezultatit prej nga 5 me 1 në 5 me 3 e kishte ndërruar dinamikën e lojës. Dardanët ishin në trans, albionët të hutuar. Vetëm edhe një gol dhe Perandorisë britanike do t’i dridheshin themelet. Për pak. Pastaj një ofshamë e mijëra vetave. Nuk ishte ofshamë e zhgënjimit, ishte e tronditjes, e befasisë, e shpresës dhe fitorës.
Po të kishte përfunduar në rrjet ai top, rezultati do të ngushtohej në vetëm një gol diferencë, lojtarët e Kosovës do të hallakateshin, tifozët e shumtë dhe të zhurmshëm dardanë do të çmendeshin dhe në minutat e mbetura loja do të hapej plotësisht.
Kush do ta kishte besuar që ne do të përjetonim këtë mundësi? Që ne do të bisedonim seriozisht, pra jo llafe fëmijësh, por llafe njerëzisht të rritur që nuk shohin ëndrra më sy hapur, për të marrë një rezultat pozitiv në Angli? Madje e gjithë kjo më katër pesë mungesa të lojtarëve të ekipit të parë të Kosovës?
Mbyllni sytë dhe paramendojeni për një moment Anglinë pa Sterling, Kane, Maguire, dhe nja dy a tre të tjerë, kurse ne me Rashicën, Kolollin, Zenelin, Kryeziun dhe Shalen. Paramendojeni një ndeshje të tillë, ku Anglia i ka të gjitha këto mungesa, Kosova është komplet dhe dhe ndeshja po zhvillohet në Fadil Vokrri?
Nuk jam aspak i sigurt se sa gjatë do të zgjasë kjo ëndërr.
Kjo çfarë po bën Kosova në futboll është në kundërkohë të plotë me çfarë po bëjmë ne si shoqëri. Kosova reale, Kosova politike, nuk ka asgjë të përbashkët me këtë kombëtare. Prandaj, unë frikësohem shumë që episode të këtilla mund të janë të shkurtra, nëse në ndërkohë gjërat nuk ekuilibrohen deri në njëfar mase.
Është e pamundur që një segment i shoqërisë të matët me vendet e ashtuquajtura të botës së tretë, kurse një segment tjetër t’i dal përpara supërfuqive botërore prej pozitave të barabarta.
Shpjegimi i vetëm logjik dhe racional i këtij paradoksi është që Kosova e futbollit nuk ka asgjë të përbashkët me Kosovën tonë, këtë ku ne jetojmë. Jo pse kjo realja nuk do të mund të arrinte gjithashtu gjëra kulmore, por sepse sistemi në Kosovën reale është i korruptuar dhe i rrënuar.
Është i rrënuar në ato përmasa sa nuk jemi në gjendje që ta filtrojmë se çka është e mirë prej çka është e keqe, çka është vlerë dhe çka nuk është.
Kurse këta që i pamë mbrëmë në fushë të gjelbër i janë nënshtruar këtij filtrimi diku tjetër. Deri më tash, falë edhe precedentit të mirë të Fadil Vokrrit, Federata e Futbollit të Kosovës ka arritur që ta mbrojë vetën prej ndikimeve nga jashtë.
Kjo çfarë ndodhi ditëve të fundit, kur një kryetar i një partie politike, Kadri Veseli, mu në mes të fushatës zgjedhore i rrasi duart brenda ekipit, ishte mesazh i rrezikshëm. Nuk guxon të përsëritet më. Me asnjë çmim, me asnjë kusht. Vetëm edhe dy-tri ngjarja të këtilla, kur një kryetar partie, dhe jo çfarëdo partie, rrasët në mesin e lojtarëve dhe të federatës, dhe ky institucion do të kontaminohet pariparueshëm. Tek e fundit, çfarë mund t’i jap një politikan ekipit tonë?
Por te kthehemi në Southampton, atje ku dje rreth 10 mijë dardanë po i jepnin përkrahje të merituar 11 heronjve të tyre.
Për fatin tim të keq, për shkak të trafikut të dendur, unë, bashkë me dy vajzat e mia, u futëm brenda në stadium dy minuta më vonesë. E përjetova një konfuzion të madh kur po i dëgjoja tifozët duke bërtitur ” edhe një, edhe një”. A është e mundur kjo? A është e mundur që në minutën e parë një çmendur i ekipit tonë e paska shtangur Anglinë? Bishën që po i masakronte një nga një ekipet e grupit? U kapa përmes rrethojave të shkallëve dhe u ngrita lart, sa për ta parë fushën. Dëlir në anën e dardanëve. Vërtet kishte rënë një gol. Përqafime të pafundme me njerëz që kurrë nuk i ke takuar. Numrat e biletave nuk po kryenin punë. Askush nuk po i respektonte më ata numra.
“Hajt v’lla jepja ku të mundësh”, ishte ajo çfarë dëgjoje.
Për 95 minuta askush në asnjë moment nuk është ulur. Thirrje të pafundme. Stadiumi në pjesën ku gjendeshin anglezët kishte rënë në heshtje. Ata po na shikonin me admirim derisa po hidhshim thik përpjetë prej gëzimit. Duhej patjetër që t’i shfrytëzonim ato minuta që ishim një golë përpara. Nuk ishim aq të marrë sa të besonim që ky do të mbetej rezultati final. Tashmë anglezët ishin turrur furishëm në drejtim të Aro Muricit. Nga të dy krahët. Ndjeja frikë fizike sa herë që e shihja Raheem Sterlingun kur zhytej në zonën e rreptësisë. Më shumë dukej si pjesëtarë i forcave speciale se sa si futbollist. I tmerrshëm. I pandalshëm. Kërkonte hakmarrje me çdo kusht.
Athua a bëmë mirë që i provokuam të parët? Dukej që do të na shkatërronin. Ne në tribuna po provonim me çdo kusht që t’i ndihmonim djemtë tanë, që dukej që po e kërkonin ndihmën tonë. Pa ne, pa mbështetjen tonë, dukeshin të braktisur. Po përballeshin me Goliatin, në terrenin e këtij të fundit dhe për fatin e tyre të keq ishin ata që provokuan të parët.
Çfarë drame.
Një rrugëtim i rrufeshëm, që nisi me disa ndeshje pothuajse stërvitore me Maltën, Ishujt Faroe, e pse jo edhe me Çekinë, Malin e Zi dhe Bullgarinë, e drejt e në kryeqytetin e futbollit botëror. Në Angli. Nuk ishim të përgatitur psiçikisht për një gjë të tillë. Na u plotësuan dëshirat shumë më shpejt se sa kishim pritur. Ishte një shok i papritur.
Bam.
Bam.
Bam.
Bam.
Bam.
“You are not singing anymore”, filluan të na tallnin pjesa tjetër e stadiumit, kur Aro po i nxirrte topat një nga një prej rrjetës.
Nuk ishte e vërtetë. Ne po vazhdonim të këndonim. Nuk po e braktisnim ekipin tonë. Thjesht nuk dinim çfarë të bënim më tepër për t’i shpëtuar ata nga kjo pusi. Donim disi që t’u thonim atyre që pa marrë parasysh rezultatin, qoftë ai edhe 10 me 1, ne do t’u qëndronim afër, nuk do t’ua kthenim shpinën.
Nuk ishim të sigurt nëse lojtarët tanë e dinin se sa lojal jemi ndaj tyre. Ne e shihnim dhe e ndjenim që ata po jepnin çdo gjë prej vetës së tyre. Ata nuk mund të bënin më shumë se sa kaq. Nga minuta e 35 deri në minutën e 45, plus 3 shtesë, ekipi i Kosovës ishte në knockout. Thjesht, lojtarët tanë, dhe ne si tifozë, kishim nevojë për gongun që të binte, por assesi që të mos hidhej në ring peshqiri i bardhë.
Dhe ai ra më në fund.
Huh.
Çdo gjë dukej sureale. Një pjesë që zgjati 48 minuta, por që u duk sikur një goditje e rrufesë mbi kokat tona. Krenari dhe frikë. Nuk ishte dëshpërim. Ne nuk po dëshpëroheshim me djemtë tanë. Ne po frikësoheshim për ta. Ishte hera e parë që ata u gjetën në një këso stuhie.
Brenda vetës e kisha një dëshirë që pjesa e dytë të mos fillonte fare. Të ndodhte diçka që do ta ndërpriste atë. Nuk isha i përgatitur për më shumë gola. Një gjë e tillë do të na dërmonte gati pariparueshëm.
Sa gola më shumë mund t’i jepnin anglezët e mallkuar? Edhe pesë të tjera? Çka nëse i japin 10? Nuk e dija se çfarë mund të bënte më tepër Challandes.
Lojtarët, përveç shpirtit, e kishin dhënë cdo gjë prej vetës së tyre. Kishin vrapuar, kishin luftuar, por nuk kishte mjaftuar. Edhe ne e kishim kryer detyrën tonë.
Spikeri i stadiumit tha se ekipet do të futeshin në fushë.
Tash Muriqi me shokë do të duhej të shënonin, nëse do të shënonin, në portën e cila ishte shumë afër prej tribunave ku ndodheshim ne dardanët.
A është e mundur a po na bënin sytë?
Bam.
Davidi i vogël i cili doli nga pjesa e parë i përgjakur, nuk po dorëzohej. I lodhur dhe rraskapitur, por i pa frikësuar. Duket sikur djemtë tanë thënë “le të dal ku të dal, ne nuk do të dorëzohemi, pushka top kundërshtarit”.
Ishin 11 gladiatorë që po provonin t’i hiqnin zinxhirët prej këmbëve e tyre. Në ballë të tyre Muriqi, tashmë një legjendë e jona.
Askush që fliste shqip në atë stadium nuk e pranonte humbjen aq të thellë. Ishim më të mirë se sa aq. Këtë e dinin edhe ata që ishin në fushë. Rezultati nuk ishte real. Thjesht i kishin pasur 10 minuta të liga. Edhe Brazili i ka pasur disa minuta të këqija në ndeshjen me Gjermaninë, në botërorin e e vitit 2014. Madje në fushë të tyre. Nëse ata i kanë pranuar 7 gola në një kampionat botëror, duke pasur në radhët e veta lojtarë kulmorë, një tragjedi e tillë mund t’i ndodhte edhe djemve tanë.
Mirëpo jo. Askush nuk ishte i gatshëm për ta ngritur flamurin e bardhë. Gara duhej të shkonte më tej. Duhej të luheshin 90 minuta, pa marrë parasysh çmimin. Kur rezultati u ngushtua në 5 me 2 thash që tash anglezët do të përgjigjeshin sikur në pjesën e parë. Do të na ndëshkonin edhe me pesë gola të tjera. Të gjithë do të qeshnin me ne. Kaq e kishte Kosova, do të thoshin. Paska qenë thjesht një balonë e fryrë dhe asgjë më tepër. Çfarë do të thoshin serbët. Çfarë do të thoshin të gjithë.
Në mendime e sipër, në panik e sipër, Muriqi rraset prapë në zonë të rreptësisë duke e shqyer mbrojtjen kundërshtare. Ishte tepër i fuqishëm që të ndalej ndryshe, përveçse në mënyrë të palejueshme. Rrëzimi i tij në zonën e rreptësisë është rrëzimi më i bukur që e kam parë ndonjëherë. Një rrëzim historik. Një dardan që nuk mund të ndalej.
A është e mundur?
Pjesa e dytë nuk kishte shumë që kishte nisur, kurse Kosova po e ngushtonte epërsinë. Djemtë nuk po e jepnin vetën. Ishin futur në fushë për t’u përballur në mënyrë të barabartë. Flakë për flakë. Anglezët në sulm, tanët në sulm. Këta 11 burra që po luftonin në fushë nuk kishin shkuar në atë ishull për t’u mbrojtur. Për të marrë sa më pak gola. Kishin shkuar atje për të dhënë gola. Për ta shikuar bishën e futbollit botëror në dritë të syrit.
Bam. Pesë me tre. Hohoho.
Loja u hap përsëri. Anglezët në sulm, shqiptarët në sulm. Ata punën e tyre, ne tonën. Kënga nuk pushoi në asnjë sekondë në pjesën e dytë, ne krahun ku ne ndodheshim. Ata shikues anglezë që i kishim afër filluan të na duartrokasin. Filluan të na buzëqeshin. Kush janë këta ballkanas kaq të dalldisur që kanë kaq shumë besim në ekipin e tyre, që nuk dorëzohen, që nuk e braktisin ekipin edhe kur ai po humbet 5 me 1? Kush janë këta?
Lojtarët e të dyja ekipeve tashmë i kishin harruar këshillat taktike të trajnerëve. Po luftonin me duar të lëshuara. Ata një goditje, këta një goditje.
Ata sulm, këta sulm.
Kjo ishte shfaqja më e bukur në jetë që e kam parë. Kjo ishte humbja më e ëmbël e përjetuar ndonjëherë. Ishte një humbje sa 100 fitore. Çdo ekip rritet prej humbjeve të tilla. Çdo ekip i teston limitet e veta në lojëra të tilla. Çdo tifoz e teston lojalitetin e vet ndaj ekipit të vet në momente të tilla. Nuk do të ndodhë shumë shpesh që ta shohim Kosovën duke humbur 5 me 1. Mirëpo ja që e pamë dhe nuk ishte fundi i botës. E deshëm, e dashuruam, edhe në ato çaste. Ashtu qysh e don secila nanë fëmijën e vet në momentet më të rënda. Deshëm t’i rrinim afër. T’i tregonim atyre djemve se asnjë rezultat nuk ishte aq i thellë sa për të na dëshpëruar. Sidomos jo, kur ne e ndiejmë se sa shumë po mundoheshin.
E kam pyetur vetën sa si ishte e mundur që Celina, një djalë i lindur dhe i rritur larg Kosovës, ta dojë kaq shumë vendin e tij. Kam arritur ta shoh trishtimin në sytë e tij kur gjërat po shkonin keq. Si është e mundur që Florent Hadergjonaj ta ndiej kaq shumë vendin e tij? E pashë Florentin duke i thënë shpirtit dil. E pashë edhe Valonin duke luftuar për Kosovën me një pasion të atillë që kurrë nuk ia kam parë në Lazio. Ishin i gjithë grupi që dha çdo gjë prej vetës. Besari i vogël me zemër të madhe që po bënte gjithçka për ta mbajtur mesfushën të organizuar, kur po mbretëronte një kaos total. I kam fshirë sytë prej lotëve kur e kam parë Vedat Muricin që po i ftonte shokët e ekipit të tij që të shkonin në sulm në një betejë epike për jetë a vdekje.
Po bëj gabim të jashtëzakonshëm që po përmend emra të përveçëm. Çdo kush që ishte në fushë dha cdo gjë prej vetës së tij. U bën gabime. Kishte panik. Frustrim. Dramë. Mirëpo këto janë gjëra që ndodhin, sepse po luhej më pasion më shumë se sa me teknikë. Në grackën tonë ra edhe Anglia. Edhe ata në një moment hoqën dorë prej këshillave të trajnerit. Po luhej burrërisht. Po luftohej në çdo cep të fushës.
Sigurisht që nëse goditja e Celinës do të kishte qenë vetëm pak më precize gjërat do të merrnin një kahje tjetër. Mirëpo një rezultat më ndryshe do të ishte i mirë për statistika. Ajo çfarë ne kemi parë mbrëmë ishte përtej statistikave. Ishte sakrificë dhe dashuri për vendin tënd. Nuk ka tabelë për emocionet. Sikur të kishte një të tillë Kosova do të ishte në vendin e parë.
Statistikat do t’i përmirësojmë në ndeshjet tjera.
Kolumna
Fenomeni i një “Dvizhenje”-je dhe mendjemadhësisë


Fenomeni i një “Dvizhenje”-je dhe mendjemadhësisë
Nga: Mr. Driton Nebiu
Në konkurencën për të fituar titullin e “Mashtruesit më të madhë”, padyshim se vendi i parë i takon “më të madhit” të “Dvizhenjes” Besa e që me kalimin e kohës u shëndrrua në MOZHEME.
Ishte një tentim i planifikuar mirë, nga qarqe të dyshimta për të bërë gjoja një ndryshim në hapsirën politike brenda shqiptarëve të Maqedonisë së veriut, e paketuar si në aspektin finansiar, poashtu edhe në ate “kombëtar”, duke pasur parasysh se fillimisht morën për emër simbolin e të qenurit shqiptar, i përkushtuar në mbrojtjen e fjalës së dhënë – BESËS, e që realisht ishte Kali i Trojës brenda organizimit opozitar shqiptar, organizim që duhej të pengonte Lëzivjen për Reforma në opozitën e kohës, e cila tanimë kishte filluar rrugëtimin e vet të pandalshëm drejt të qenurit zëri i popullit në skenën politike të vendit.
“Lëvizja” e atëhershme e që më vonë do të shëndrrohet në “Dvizhenje”, si premtim bazë të veprimit e kishte një far lloj “Ridefinimi” të shoqërisë, e që realisht, më vonë u dëshmua, se ishte vetëm një floskulë e radhës, që u shfrytëzua sa për të përfunduar në listen e përbashkët parazgjedhore nën moton “Mozheme” sa për të fituar disa ulëse deputetësh tejet pasiv, po jo edhe ridefinimin e premtuar.
Duke shfaqur haptazi qëllimin real, ruajtjen e pozitave dhe pushtetit për grupe të ngushta të interesit, “Dvizhenja” nuk e tejkaloi veten as pas zgjedhjeve lokale ku falë opozitës shqiptare mori në menaxhim komunën më të madhe ndër shqiptarët, por përkundrazi në rastin e pare të mundshëm si shenjë falemnderimi e vetëdijshme për forcën reale politike në vend të barazuar me të qenurit vetëm një parti lokale e asgjë më shumë, tentoi të dobësojë ata që dje i ndihmuan, por kot.
Pretendimi aktual se ata përfaqësojnë opozitën shqiptare është edhe një tentim mashtrimi i radhës nga “më i madhi” i “Dvizhenjes” edhe pse është i vetëdishëm se nuk i kalon, por ja që kështu i është caktuar detyra dhe urdhërat duhet të zbatohen, e aq më shumë sot kur rejtingun duhet t’ua menaxhojë forca që pengon vendin drejt inkuadrimit në Bashkimin Evropain dhe vlerave perëndimore.
Stabiliteti politik, ekonomik e institucional i shtetit, e me këtë edhe ai i sigurisë së vendit, dhe orijentimi pro evropian është një kategori që nuk ka alternativë, por kërkon qasje serioze dhe subjekte serioze për menaxhim e përfaqësim, largë partive sezonale. Është kjo kategori e rëndë që kërkon fuqi e madhështi, e në këtë nivel gjithkush edhe nuk e ka vendin, përpos si spektatorë. Të tillë janë edhe këta të “Dvizhenjes”.
Jo më kot është thënë: “Mendjemadhësia është dhurata që bëri Zoti për njerëzit e vegjël…”.
Kolumna
Haraçina sot…


Haraçina sot…
Shkruan, Driton Nebiu, Magjister i shkencave politike
“Komunë e zhvilluar me një administratë efektive, me rrugë të asfaltuara, me shtigje për këmbësorë, me ujësjellës e me ujë të pijshëm të sjellur nga Penda e Likovës, me kanalizim, me shtëpi të shëndetit dhe përkujdesje 24 orëshe shëndetësore për popullatën, me transport të garantuar për të gjithë nxënësit nga ana e komunës, me kushte dhe standarde evropjane në shkolla, me investim në sport, me fushë futbolli për Klubin Futbollistik “Shkëndija”, me premtime të realizuara, pa paradime të kota politike sa për sy e faqe dhe për marketing të ulët politik, po qoftë edhe nga strukturat e larta shtetërore të mos them partiake, pa as edhe një donacion të huaj, po gjithçka me punë, përkushtim, mirë menaxhim nga ana e të parit të komunës.
Është ky një realitet i ditëve të sotme që po e jetojmë të gjithë ne banorët e Haraçinës…”
Nuk po më besoni?!
Keni të drejtë, ishte kjo vetëm një ëndërr dhe një dëshirë, po edhe një premtim i parealizuar parazgjedhor i dhënë në moment entuziazmi dhe pa asnjë lloj përgjegjësie se një ditë do të vijë edhe koha e ballafaqimit me realitetin, e që fatkeqësisht është e gjitha e kundërta e ëndrrës fillestare të përshkruar në këtë tekst.
U zbehën edhe fletushkat propaganduese, por na mbeti realiteti.
Haraçina edhe sot me një rrugë të asfaltuar nga “Rrugët e Maqedonisë” të cilën punë e përvetëson i pari i komunës. Haraçina pa as edhe një pikë uji nga Penda e Likovës, e fatmirësisht me ujë të siguruar nga donacioni i dhënë nga komuna “Ejup Sulltan” e Turqisë përmes Shoqatës së Brezës, edhe kjo punë që e përvetëson i pari i Komunës. Haraçina pa shteg për këmbësorët në veçanti për nxënësit e shkollës së niveleve të ulëta, po me mezi 1 km ndërtim të tillë e që si duket është kilometri i vetëm i punuar në të gjitha lëmitë brenda mandatit një vjeçar.
Haraçina pa përkujdesje shëndetësore, e lënë në mëshirën e shtëpisë së shëndetit në Maxhari dhe vet banorëve të saj, në stilin secili si të mundet, vetëm të sigurojë përkujdesjen për shëndetin e tyre. Haraçina pa transport të organizuar e të siguruar për nxënësit, të lënë në mëshirën dhe barrën e vet prindërve për një shkollim obligativ. Haraçina me kushte të mjerueshme në shkollë e pa as edhe një investim më të vogël në sport e kulturë, duke lënë Klubin futbollistik të zemrës së Haraçinës “Shkëndinë” që të zhvillojë ndeshjet në Hasanbeg, falë mëshirës së Klubit simotër “Fortuna”.
E kjo është Haraçina e ditëve të sotme, Haraçina e realitetit e jo e ëndrrës së kotë.
Këtë më së miri e dinë haraçinasit. Ata kuptuan se kush po gënjen e kush po mashtron. Këtij populli i duhen projekte e premtime të realizuara, e jo paradime të kota të atyre që nuk i duan as në lagjet e tyre. Popullata don punë, se për punë u ka dhënë votë.
Mos harroni se vota është e shenjtë, vota është AMANET. Mos e shkelni!
Edhe pse nuk e keni vetëm këtë që e shkelët.
U qoftë për nder!
Kolumna
Politikanët tanë – Fatkeqësia e popullit


Shkruan Lulzim Nasufi
POLITIKANËT TANË – FATKEQËSIA E POPULLIT
Sa të koordinuar janë politikanët tanë në mossuksesin e misionit të tyre dhe prapshtitë e tyre në politikbërje, ju përcjell disa fakte:
Më datë 25.09.2022, zëvendës-kryeministri për çështje ekonomike Bytyqi, për të justifikuar dështimin politik të politikanëve tanë paraprak, si zyrtar me post të lartë, dha informacion të saktë dhe të frikshëm se “nga RMV, brenda 8 viteve të fundit janë shpërngulur mbi 700.000 qytetarë në shtetet perëndimore” dhe po të njëjtën ditë kryetari i BDI-së Ahmeti, në një takim partiak, nga inatet ndaj disa anëtarëve të tij të ashtuquajtur “grupi i zjarrit” – konstatoi “jam me mision, jo në detyrë, ashtu që këtu do të më keni edhe katër vite”.
Sipas trendit të migrimit të popullsisë, bie që për katër vite, nga RMV janë shpërgulur 350.000 qytetarë. Sipas kësaj, misioni i Ahmetit është që edhe për katër vite në krye të BDI –së, me funksionarët e tij të korruptuar, të rrisë numrin e të ,,integruarve“ në botën perëndimore në 1.000.000 banorë, që i bie gjysma e numrit të popullsisë do të shpërngulen nga RMV.
Dhe si “qershia mbi tortë”, nga i gjithë ky “optimizëm i madh pozitiv dhe shpresëdhënës”, më datë 28.09.2022, numri një i shtetit, presidenti Stevo Pendarovski do të konstatojë: “edhe unë po të isha në vendin tuaj me rrogë prej 400 euro, do të kisha ikur prej RMV”.
Çështja thelbësore është se populli të gjitha këto i di dhe i bën. Mos e nënvlerësoni intelegjencën e popullit, nuk ka nevoj ju t’ia kumtoni dhe t’ia tregoni! Por, çfarë keni bërë ju, ose më thjeshtë, pse e keni sjellur popullin në situatë të këtillë gjithë këto vite dhe, më e rëndësishmja, çfarë plani – vizioni keni bërë për të ardhmen e këtij shteti dhe këtyre qytetarëve? Sepse për atë paguheni me paratë e popullit!
#NDRYSHIME
#DREJTËSI
#STOPKRIMITDHEKORRUPSIONIT
-
Lajmet kryesore1 year ago
Mediat në Shqipëri: Kastriot Rexhepi është shantazhuar me video materiale nga grupi i Izet Mexhitit
-
Bota1 year ago
Nuk u intereson kush është përballë tyre, shihni pamjet se si ukrainasit i ndalin në rrugë rusët
-
Lajme2 years ago
Lidhjet e Trajko Veljanovskit me rastin M0nstга? – Avokati maqedonas flet për pazaret ndër tavolinë dhe fshehje provash
-
Kosovë1 year ago
Dalin detaje të reja për vrasjen e trefishtë në Gllogjan
-
Komente2 years ago
Mos e bëfsh pikën e hajrit o Albin Kurti
-
Lajme2 years ago
Gazetari shqiptar “e zuri mat” Vuçiqin – Cila ishte pyetja që e ngushtoi presidentin sërb?
-
Lajme2 years ago
Shek Hallaçi i Grupit të Kumanovës, nga Buгgu i Idгizovës publikon videon me një porosi
-
Lajme1 year ago
Anketa më re: Struga, Tetova dhe Çairi do të drejtohen nga Opozita Shqiptare