Connect with us

Lajme

MD rregullon emrin e shtetit, por jo gjuhën, vulat e noterëve ende vetëm në maqedonisht

Published

on

Edhe 9 muaj pas miratimit të ligjit, vulat e noterëve ende nuk janë edhe në gjuhën shqipe.

Ligji për përdorimin e gjuhëve parasheh përdorimin e shqipes edhe në noteri si dhe në vulat e tyre.

Por, në ndryshimet e para tre javëve të rregullores për vulat e noterëve, Ministria e Drejtësisë ka bërë vetëm ndryshimin e emrit të shtetit, por jo edhe zbatimin e gjuhës shqipe.

Si rrjedhojë, vulat tani për tani do të jenë vetëm në maqedonisht.

Anëtari i Bordit të Odës së Noterëve Naser Zyberi thotë se Oda vepron në bazë të asaj që vendos ministria.

“Si rezultat i kësaj, Oda e Noterëve ka porositur ndryshim të vulës konform rregullores që ka përcaktuar Ministria e Drejtësisë, në kuadër të së cilës ne veprojmë dhe zbatojmë aktet ligjore dhe nënligjore të Ministrisë së Drejtësisë”, theksoi Naser Zyberi.

Nga Kabineti i ministres Renata Deskoska shkurt na thanë se “ligji për gjuhët implementohet direkt dhe nuk është patjetër me rregullore”.

“Po të mos ishte patjetër me rregullore, shtrohet pyetja pse bëhet ndryshimi i rregullores në pjesën e dispozitave për çështjen e emrit të shtetit”, u shpreh Naser Zyberi.

Tahir Hani nga grupi ndëresor për zbatimin e ligjit, i tha TV21 se ligji ka dispozitë ku thuhet se kur institucionet që nuk e kanë harmonizuar ligjin e tyre si dhe aktet nënligjore, ata zbatojnë ligjin për përdorimin e gjuhëve.

“Nuk amnistoj as Ministrinë e Drejtësisë e cila ka miratuar një rregullore në të cilën nuk ka paraparë përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, por po e përsëris, ka shumë institucione të cilat nuk e kanë harmonizuar ligjin e tyre bazë me ligjin për përdorimin e gjuhëve, por është ligji për përdorimin e gjuhëve si ligj special që rregullon një materie dhe të gjitha institucionet e zbatojnë këtë ligj”, deklaroi Tahir Hani, anëtar i grupit të punës për zbatimin e Ligjit.

Zyberi e thotë se e di këtë dispozitë, por thotë se ende s’është përmbushur afati kohor prej një viti që ligji për gjuhët të ketë fuqi më të lartë se aktet ligjore e nënligjore që mund të mos jenë ndryshuar.

“Ligji ka dalë në Gazetë zyrtare më 14 janar 2019, që do me thënë nuk është plotësuar afati i paraparë ligjor, por edhe atëherë kur të plotësohet ky kusht, Ministria e Drejtësisë, duhet të japë udhëzim Odës së Noterëve se si do të veprohet në rastin e përdorimit të vulave”, tha Naser Zyberi.

Pra sërish çështja mbetet të rregullohet nga Ministria e Drejtësisë si mbikëqyrëse e punës së noterëve. Zyberi madje ngre pyetjen se pse Ministria e Drejtësisë nuk e harmonizon ligjin për shërbime të noterisë me dispozitat për përdorimin e gjuhës, sepse në nenin 39 të ligjit aktual të noterëve shkruhet prerë se dokumentet dhe vërtetimet, noterët i përpilojnë në maqedonisht.

 

BURIMI: TV21

Continue Reading

Bota

Hovenier këndon himnin amerikan për nder të Ditës së Pavarësisë së SHBA-së (Video)

Published

on

Në oborrin e Ambasadës Amerikane në Kosovë po zhvillohet një manifestim në përkujtim të Ditës së Pavarësisë Amerikane.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryetarja Vjosa Osmani janë në mesin e disa personaliteteve publike.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier, ka performuar edhe himnin kombëtar para të ftuarve për të intensifikuar edhe më shumë natyrën emocionale të kësaj ceremonie.

“I lumtur të pres partnerët dhe miqtë kosovarë këtë mbrëmje, ndërsa shënojmë përvjetorin e 246-të të Ditës së Pavarësisë. Faleminderit që festuat me ne” shkroi Hovenier në Twitter.

Continue Reading

Lajme

Propozimi francez, grup i qytetarëve proteston para Qeverisë

Published

on

Pasditen e sotme para godinës së Qeverisë një grup i qytetarëve po proteston kundër propozimit të ri francez.

Protestuesit me flamuj qëndrojnë para Qeverisë, ndërkaq kërkojnë dorëheqjen e ekzekutivit, ndërsa thonë se i njëjti është i dëmshëm për interesat shtetërorë.

Përndryshe, edhe VMRO-DPMNE-ja opozitare ka paralajmëruar protesta kundër këtij propozimi me arsyetimin se qeveria pronon bullgarizimin e vendit. /Telegrafi/

Continue Reading

Kosovë

Policia jep detaje për aksionin në veri, gjeti laborator për kultivimin e kanabisit

Published

on

Policia e Kosovës pas hetimeve paraprake, sot ka parashtruar kërkesë për urdhër-kontroll në organet e drejtësisë për kontrollin e një objekti pronë e të dyshuarit G.J., në Leshak të Leposavicit, pasi në objekt dyshohej se kultivohej bima e kanabisit.

Sipas Policisë, pas marrjes së këtij urdhri, sot rreth orës 10:10, gjatë realizimit të kontrollit të objektit, në dy kate të tij, janë gjetur pajisje për kultivimin e kanabisit me vlerë qindra-mijëra euro.

“Laboratori ishte i pajisur mirë dhe ishte në gjendje të gatshme për të filluar mbjellja e bimëve të kanabisit, pra aty mungonin vetëm bimët, pasi gjithçka tjetër ishte e gatshme. Në konsultim me prokuroren ka filluar sekuestrimi i pajisjeve që janë gjetur në atë ndërtesë.

I dyshuari gjendet në arrati, kurse policia do të vazhdojë me hetimin dhe kompletimin e rastit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Continue Reading

Aktuale