Connect with us

Kolumna

Ruaji xhepat, po vijnë zgjedhjet!

Published

on

Shkruan, Veton SURROI

1. Në Meksikë ekziston prej kohësh një barsoletë që në formën më të thjeshtësuar e shpjegon përvojën e qytetarëve të atij vendi me zbatimin e demokracisë, së paku gjatë shekullit XX: “Po vijnë zgjedhjet, ruaji xhepat!” Për t’u shndërruar në parullë, e cila përmbledh tërë një përvojë historike, qytetari i Meksikës duhej të kalonte nëpër një dhe palën tjetër të zgjedhjeve dhe në fund të krijojë një përvojë kolektive, e ajo është se në çdo palë zgjedhje pretendohet pushteti prej njerëzve, të cilët në fund do ta godasin xhepin e qytetarit.

Natyrisht, kemi të bëjmë me xhepin real dhe atë metaforik, një që përmban jo vetëm shumën e parave, të cilat disponon individi, por tërë atë që përbën mirëqenien e tij: ambienti, sigurimi social e shëndetësor, arsimi…

Parulla meksikane ka vlerë të veçantë në Kosovë, vendi i cili me gjithë ndihmën ndërkombëtare (më të lartën krahasuar me cilindo vend tjetër në botë) arriti të kalonte me shpejtësi marramendëse rrugën prej një demokracie në lindje drejt një shteti të kapur. Vendin sot e kontrollon një elitë e kriminalizuar e shpërndarë gjithandej vendimmarrjes dhe sundon, pos me mjetet e detyrimit shtetëror, edhe me një kulturë injorance e cubërie. Një pushtet i këtillë i ka futur duart në të dy xhepat e qytetarit të Kosovës, për një kohë të gjatë dhe me supozimin se zgjedhjet e ardhshme e të jashtëzakonshme parlamentare do të jenë pa vjedhje të mëdha votash, atëherë qytetari i vendit gjendet para dy sfidave: Si t’i heqë duart e pushtetarëve nga xhepi i tij dhe si ta mbrojë atë xhep në të ardhmen? Apo, vënë në formë të thjeshtësuar: Si të çlirohet Kosova, sërish?

2. Pyetja se si të çlirohet Kosova sërish është më ambicioze se ç’mund të marrë përgjigje në këtë apo në më shumë kolumne. Por është indikatore për atë që në gjuhën teknike quhet detyrë projektuese. Pra, sfida e zgjedhjeve të ardhshme mund të prodhojë këtë apo atë qeverisje, por problemi thelbësor i vendit është se a do të krijojë një proces çlirimi të vendit apo jo?

Dhe, rrjedhimisht, pritshmëria qytetare mund të ndihmojë në këto ditë duke e orientuar debatin publik kah marrja e përgjigjes se çfarë ofrojnë partitë apo koalicionet për të përmbushur detyrën projektuese: çlirimin e vendit?

E kuptueshme, përgjigjja e parë është ajo që nuk do shumë mend: Largoni (arrestoni, dëboni, hiqni dhe shprehje të ngjashme për mënjanim) elitën e kriminalizuar dhe kështu do të çlirohet vendi. Kjo përgjigje nënkupton që të ekzistojë një Forcë e madhe e jashtme e bamirësisë dhe e drejtësisë, e cila me një veprim do të heqë “të këqijtë” dhe do të sjellë në pushtet “të mirët”. Një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve kanë pritur, në faza të ndryshme, njëzet vjet që kjo të ndodhë. Disi, OKB-ja do ta bënte, apo më vonë EULEX-i, apo tash Gjykata Speciale… Tashmë është e qartë se nuk ekziston një Forcë e këtillë, madje bindja dhe pritja për veprimin e një force të këtillë është e dëmshme për demokracinë dhe shtetin, sepse presupozon dorëzimin e sovranitetit (madje një të fituar formalisht rishtazi e me njëqind vjet mund) nga njëra anë dhe ikjen nga përgjegjësia vetjake për shtet nga ana tjetër e që të përbashkuara përbëjnë krijimin e një varshmërie ndaj ndihmës së huaj për çdo gjë, prej gjërave bazike ekonomike deri te mirëmbajtja e rendit dhe ligjit.

Pra, mbetet që heqja e kapësve të shtetit të bëhet me një proces të brendshëm e i vetmi që ka legjitimitet të plotë është procesi demokratik zgjedhor. Atëherë “detyra projektuese” bëhet, për ne qytetarët, se çfarë përmbajtjeje duhet të prodhojnë zgjedhjet demokratike, në mënyrë që të kuptojnë se po i japim përkrahje çlirimit të vendit e jo status-quo-së?

3.

Gjatë javëve në vijim do të shtrohet një temë, e cila ka të bëjë me formën më parë se me përmbajtjen. Për shkak të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për gjërat për të cilat kjo Gjykatë ka menduar se Kushtetuta nuk ka dhënë përgjigje eksplicite, çështja parësore që do të ngarkojë debatin publik është se a do të ketë koalicion parazgjedhor mes partive, në mënyrë që të sigurohet avantazhi për marrjen e mandatit për formimin e qeverisë. Në situatën kur LDK-ja, VV-ja, AAK-ja dhe PDK-ja kanë dallim të vogël mes vete në sondazhet e bëra së fundmi, lidhja e koalicionit parazgjedhor të cilitdo prej kësaj katërshe do t’i krijonte avantazh ndaj tre të tjerëve.

Një veprim i këtillë nuk mund as të parapërcaktohet e as të përjashtohet. Nëse këtë e bëjnë partitë që kanë qenë në pushtet, do të jetë një sinjal i fortë për të mbajtur status-quo-në. Atëbotë, vështirë se mund të na shpjegojë gjë përmbajtja e axhendës së ardhshme qeveritare.

Por, çka nëse, hipotetikisht, kemi të bëjmë me koalicionin më të mirë të mundshëm, ai që në SHBA quhet “the best and brightest”, me më të mirët dhe më të mençurit? A duhet që vetë ky fakt – se kemi të bëjmë me më të mirët dhe më të mençurit (dhe më të mirat dhe më të mençurat) – të na çlirojë si qytetarë për aq sa të mos na interesojë axhenda?

Në fakt, në cilindo rast, më të keqin dhe më të mirin, në opinionin tonë publik kemi nevojë ta kornizojmë debatin, madje jo vetëm se si ta çlirojmë vendin, por edhe si të administrohet, kur (dhe si) të jetë çliruar.

4. Po propozoj që në këtë, dhe shkrimet në vijim, të jap disa pika që mendoj se janë të rëndësishme për debatin publik që duhet të formësojë mendimin tonë politik. Dhe, po e filloj me shkronjën e parë, me A si në ambienti.

Ambienti është temë që rëndom trajtohet si dytësore. Mbërrin të shndërrohet në parësore ditëve të dimrit në Prishtinë e rrethinë, kur Prishtina me rrethinë mbërrijnë nivelin më të lartë të ndotjes atmosferike në botë së bashku me dhjetë qytetet e tjera që merren si shembull për të keq. Dhe, ndonëse tema është më e gjerë se kaq, pa dyshim se gjenerimi i energjisë elektrike me linjit përmbledh një tërësi të madhe të temës. Dhe, këtu rrëfimi duhet të shkurtohet në pika të kuptueshme për të gjithë, dhe është si vijon. Kosova ka pasur një shans që me qeverinë e parë të pasçlirimit të gjejë përkrahje për tranzicion drejt mbylljes së termocentraleve ekzistuese dhe ndërtimit të një termocentrali të ri me teknologji më të pastër. Deri më tani nuk e ka bërë dhe çdo përpjekje qeveritare në këtë drejtim ka qenë më e keqe se ajo e qeverisë së mëparshme.

Pyetja për qeverinë e re, të dalë pas zgjedhjeve të shtatorit a tetorit të vitit 2019, është se çfarë ka në mend të bëjë me mbrojtjen e ambientit dhe përgjigjja që nuk jep kurrfarë shpjegimi do të ishte diçka si: “Do të kujdesemi maksimalisht për ambient të pastër”. Pyetja nuk ka të bëjë vetëm me mushkëritë e qytetarit, por edhe me xhepin e tij, sepse ai është: Çfarë do të jetë politika juaj energjetike? Dhe, këtu nuk do të mjaftojë përgjigja, diçka si: “Do të ndërtojmë kapacitete të reja energjetike”, sepse pyetja imediate do të jetë: Kush do të ndërtojë, ku do të ndërtojë, kush do të paguajë…?

Continue Reading

Kolumna

“Shani” me votë ditën e zgjedhjeve, nëse nuk e bëni atë ditë, mos u “shani” asnjëherë!

Published

on

Shkruan: Hasim Memishi – Sopi, Aktor

“SHANI” ME VOTË!

Politikanët e marrin fuqinë nga populli me anë të votës, prandaj më mirë është të “shahemi” me votë!
Nesër, mos votoni ata që kanë kaluar nga “shiltet” në gucci!
Nesër ju jeni fuqia, prandaj duhet t’i ndëshkoni me votë!
Nesër, Ne ua japim pushtetin e tenderit, korrupsionit, manipulimit, ofendimit, nënçmimit, përçmimit e “shitpordhjes”
Mos votoni ata që kanë blerë diplomat;
Mos votoni arrogantët injorant!
Mos votoni keqpërdoruesit!
Mos votoni amatorët, abuzuesit!
Mos votoni ata që janë bërë milioner vetëm duke bërë selfi!
Shani ditën e zgjedhjeve, sepse atë ditë shajnë të mençurit!
Mos e shitni votën për një thes miell, për një punë në administratë, për një premtim bosh, për premtimet për BE me dekada të tëra!
“Shani” me votë nesër, nëse nuk e bëni nesër, mos u “shani” asnjëherë!

P.s: unë çekaç di t’ju thom, prap Ju e dini ma majr!

Continue Reading

Kolumna

Demiri: Inxhinierë e magjistra punojnë si kamerier, të paditurit bëjnë ligje…

Published

on

Shkruan: Osman DEMIRI

Që kur na lan si numra, partitë politike kanë bërë petulla për vete. Pse duhet të ketë numra, pse mos të jenë emri dhe mbiemri, dhe aq?! Pse nuk janë listat e hapura, me emër e mbiemër, por duhet që me numra të shtyejmë përpara të paditurit, analfabetët, matrapazët? Nëpër lista kam plot miq e shokë dhe njerëz të dëshmuar nga të gjitha partitë dhe të gjithë nacionalitet, që pa asnjë hezitim do t’i kisha rrethuar!

Njërin nga njëra parti, dy apo tre nga partia tjetër, duke e plotesuar mozaikun politik me njerëz të shquar, me njerëz të cilët nuk na turpërojnë dhe degradojnë në këtë mënyre! Janë mbushur listat me ushtarë partiak, me sllogane qesharake, koncepte patetike, përmbajtje mediokre.

Na e dëbuan rininë duke ua nënvlerësuar intelegjencën. Profesorë, inxhinierë e magjistra punojne si kamerier, kurse ata që memzi kanë kryer shkollën e mesme, me kostume e kollare bëjnë ligjin dhe sorollaten nëpër ministri e drejtori! Dhe prap numra, 20 apo 30 kandidat të dëshmuar, shtyejnë përpara 2 apo 3 të dështuar! Eshtë koha që t’na llogarisni si njerëz, JO SI NUMRA!

Continue Reading

Kolumna

Si ta përmirësojmë mirëqenien mendore

Published

on

Autore: Mr. sc. Sema Halili- Psikologe e Licencuar në Psikologjinë e Shëndetit Mental,Magjistre e Psikologjisë Klinike, Gestalt Psikoterapeute e Licencuar nga EAGT/Trajnere, EMI Practioner dhe Psikotraumatologe.

Shëndet i mirë mendor nuk është diçka që ju keni por është ajo që bëni. Që të jeni me shëndet të mirë mendor ju duhet ta vlerësoni dhe pranoni vetveten. Kjo do të thotë që:

• Ju respektoni dhe kujdeseni për veten tuaj. Ju e doni vetën, nuk e urreni. Ju kujdeseni për shëndetin tuaj fizik
• E parashihni vetën si person me vlerë sipas drejtës tuaj. Nuk keni nevojë ta meritoni të drejtën e ekzistencës. Ju ekzistoni, prandaj keni të drejtë për ekzistim.
• Gjykoni veten sipas standardeve të arsyeshme. Mos e detyroni veten me qëllim të pamundshme, si për shembull “Unë duhet të jem i përsosur në çdo veprim”, dhe mos e dënoni vetën nëse nuk ia arrini.

Nëse ju nuk e pranoni dhe vlerësoni vetën, gjithmonë do të frikësoheni se njerëzit tjerë nuk ju pranojnë. Që t’i ndaloni njerëzit të shohin se sa të papranueshëm jeni, ju shkëputeni nga ata, kështu që mbeteni gjithmonë të frikësuar dhe të vetmuar. Nëse ju e vlerësoni vetën nuk pritni për mospranimin e njerëzve tjerë. Nuk frikësoheni nga njerëzit e tjerë. Ju mund të jeni mendje hapur kështu që të kënaqeni me marrëdhënie të mira njerëzore. Nëse e pranoni dhe e vlerësoni vetveten, ju jeni në gjendje të ndjeheni të qetë dhe të kënaqeni pa ndjenjë faji. Kur ballafaqoheni me probleme ju e dini që pa marrë parasysh sa e vështirë është situata juaj, ju mund ta përballoni. Si e parashohim vetën është e rëndësishme për çdo vendim të marrë.

Njerëzit të cilët e pranojnë dhe vlerësojnë vetveten e përballojnë jetën.Ne vuajmë nga shqetësimet mentale, nëse nuk e pranojmë dhe vlerësojmë vetën. Këto mendime zakonisht vijnë qysh nga fëmijëria kur ne kemi vendosur se nuk jemi të mirë dhe të papranueshëm, përndryshe familja jonë nuk do të na kishte trajtuar në atë mënyrë. Kjo e bën shumë të vështirë për ne t’i përballojmë vështirësitë dhe fatkeqësitë që hasim.

Të gjithë ne rritemi me ide të caktuara se kush jemi, cila ishte dhe çka do të jetë jeta jonë dhe se çfarë është bota. Këto ide burojnë nga përvojat e kaluara dhe nga ajo se dy njerëz kur nuk mund t’i kenë përvojat e njëjta, dy njerëz kurrë nuk mund t’i shohin gjërat pikërisht në të njëjtën mënyrë. Idetë tona nuk janë aq të sakta se çka është duke ndodhur rreth nesh, por supozime apo teori të caktuara se çka ndodhë. Nëse ne rritemi duke besuar se bota është ajo se si e shohim. Ne pastaj tronditemi shumë kur mësojmë se gjërat nuk janë ashtu si kemi menduar dhe mendimet e mëparshme kanë qenë të gabueshme.

Kurdo që hasim në fatkeqësi të papritur, kur ndodhin mosmarrëveshje serioze ne zbulojmë se jeta jonë nuk është ajo çka kemi menduar por çka jeta është në të vërtet. Ne ndoshta kemi menduar se do ta kalojmë jetën me një person të veçantë, por ky person shkon nga ne, apo vdes. Ndoshta ne jemi rritur duke besuar se nëse sillemi mirë asgjë e keqe nuk do të ndodhë, prapëseprapë ndodh.

Kurdo që kuptojmë se kemi bërë gabim të madh, ne fillojmë të dyshojmë për çdo vendim që kemi marrë. Atëherë fillojmë të ndjehemi shumë të dobët. Ndjehemi sikurse jemi duke u shkatërruar, copëtuar, duke u zhdukur. Nëse ne e vlerësojmë dhe pranojmë vetveten, ne kemi siguri në vetën tonë edhe nëse jemi të frikësuar ne e sigurojmë vetën se kjo ndjenjë do të kalojë dhe se mund t’i përballojmë vështirësitë dhe çfarëdo që vjen. Nëse ne nuk e vlerësojmë vetën tonë dhe nuk ndjehemi pozitiv atëherë pason ndjenja e shkatërrimit personal.

Ne ndjehemi të fshirë dhe të zhdukur si pikë e ujit në oqean. Kjo na bënë shumë të tmerruar.
Çdoherë kur frikësohemi se do të shkatërrohemi, ne duhet të gjejmë mbrojtje për ta mbajtur vetën. Sa më keq që ndjehemi për vetën më vështirë e kemi të gjejmë mbrojtje.
Mënyrat e mbrojtjes përfshijnë:
• dëmtimin e trupit tonë duke shkaktuar plagë ose duke mos ngrënë,
• fajësimi i vetës dhe depresioni,
• duke gjetur shkakun e frikës tonë në rrethin tonë dhe të frikohemi të dalim jashtë,
• duke bërë punë më shumë e më shumë,
• duke u mbyllur në botën tonë të brendshme dhe duke heq dorë gjejmë kuptim për botën rreth nesh si njerëzit tjerë.

Si zëvendësim, së shpejti pa vetëdije gjejmë një mbrojtje se si e shohim vetveten dhe botën tonë. Për shembull nëse ne jemi të mësuar ta fajësojmë vetveten për çdo gjë që shkon keq, atëherë e fajësojmë vetveten për atë fatkeqësi që ndodhë.

Shqetësimet mendore nuk ndodhin çdoherë. Megjithatë, nëse ne nuk e vlerësojmë dhe pranojmë veten kjo do të siguron shqetësim mendor kur jeta është e vështirë. Nëse ne ndjehemi pozitiv për veten tonë dhe nëse e humbin dikë, do të ndjehemi të pikëlluar por jo në depresion. Kur dikush na trajton keq ne ndjehemi të zemëruar por jo fajtor që jemi të zemëruar. Kur diçka ose dikush na kërcënohet, ne frikësohemi por jo të shkatërrohemi, sepse ne kujdesemi dhe e mbrojmë vetveten. Shkaktarët e shqetësimeve mendore nuk janë humbja, skamja,sëmundja ose njerëzit që na trajtojnë keq. Është mënyra se si e interpretojmë humbjen, skamjen, sëmundjen ose faktin se si njerëzit tjerë na trajtojnë keq.

Duke i interpretuar gjërat në mënyrë që e bënë vuajtjen të pashmangshme shumë njerëz heqin dorë nga vetvetja. Nëse ne e shohim veten si të keq dhe të papranuar dhe besojmë që jetojmë në “një botë” ku të mirat shpërblehen dhe të këqijat dënohen atëherë, kur ndodhë ndonjë fatkeqësi ne e interpretojmë këtë si dënim për të këqijat tona. Nëse e shohim vetveten si të parëndësishëm dhe të pavlefshëm kur na ndodhë ndonjë gjë e lumtur ne i themi vetvetes “unë nuk duhet të jem e lumtur”. Nëse frikësohemi nga njerëzit tjerë dhe ata na trajtojnë keq, ndjehemi se ne nuk kemi të drejtë ta mbrojmë vetveten. Kur ne ndjehemi të shëmtuar dhe të padashur ne kemi nevojë të madhe për njerëz përreth nesh, ne e fshehim zemërimin. Kur i lejojmë njerëzit e tjerë të na shkelin sepse nuk mund ta tregojmë dëshpërimin nga frika që ata do të na pranojnë. Nëse ne besojmë se është e pamundshme t’i ndalojmë zhgënjimet dhe çdo gjë të keqësohet ne nuk veprojmë asgjë ta përmirësojmë jetën tonë por ne atëherë vetëm vuajmë dhe i dorëyohemi kësaj ndjenje.

Nëse ndjehem mentalisht i/e thyer, çka mund të më ndihmojë?

Pranoni se mund të ndryshoni. Askush nuk mbetet i njëjtë, kështu që ndryshoni për të mirë. Ndryshimi më i madh që mund ta bëni është ta pranoni dhe vlerësoni vetveten. Nëse e kaloni shumicën e jetës tuaj duke besuar se ju jeni të papranueshëm dhe me pak vlerë është vështirë të ndryshoheni sepse të gjitha idetë dhe mënyrat e sjelljeve bazohen në atë besim. Qëllimi është që t’ i thoni vetvetes: “Unë nuk e vlerësoj veten shumë por tash e mbas unë do të sillem si shoku/qja më e mirë për vetveten. Unë do sillem mirë ndaj vetvetes, kujdesem për vetveten dhe nuk do ta kritikojë ose ulë poshtë veten time”. Duke u sjell me vetën si shoku/qja më e ngushtë, kjo do të ju bëjë shokun/qen më të mirë të vetës. Ju duhet të jeni të kujdesshëm se si flitni me vetën. Dëgjoni zërin tuaj të brendshëm. I shkruani gjërat që ju lëndojnë, gjërat kritike që ju thotë zëri juaj dhe pastaj mendoni për t’i thënë vetës gjëra më të dashura dhe inkurajuese.

Continue Reading

Aktuale