Connect with us

Kolumna

Ilir Meta, një armik që na duhet!

Published

on

Nga Andi Bushati

Sa më shumë që po luftohet nga Edi Rama, aq më tepër Ilir Meta po mbështetet tek i vetmi aleat që i ka mbetur: mbrojtja e interesit publik. Këtë ka bërë edhe sot nga zyra e Presidentit, prej nga ka kthyer mbrapsht ndryshimet e Kuvendit në ligjin për koncesionet dhe PPP.

Le të jemi të qartë, me kompetencat që ka, kreu i shtetit as nuk e frenon dot grykësinë, as nuk e ndal paskrupulltësinë e rilindësve. Ai vetëm mund të përdori të gjitha mjetet që ka në dorë, për ta bërë sa më ulëritëse atë.

Kështu ka ndodhur edhe me mosdekretimin e dy neneve (17 dhe 18) që mëtonin të shtynin ende në kohë efektet shkatërruese të ligjit të mësipërm dhe më konkretisht mundësinë për të marë para publike përmes ofertave të pakërkuara (më shumë detaje tek shkrimi këtu poshtë).

Të ndodhur nën presion të madh ndërkombëtar, se po shkatërrojnë buxhetin dhe po thellojnë borxhin, rilindasit u zotuan që vitin e shkuar se do i thonë stop shpërndarjes së milionave me oferta të pakërkuara. Rasti më flagrant i kësaj praktike ishte marrëveshja mes Edi Ramës  dhe kompanisë Fusha për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe ngritjes së gjashtë grataçielave me një fitim 200 milionë eurosh.

 

Ashtu sikurse treguan investigimet për këtë aferë (kryeministri me arkitektin Bjarke Ingels e kishin bërë shumë më parë planin- që në vitin 2016- sesa Shkëlqim Demir Fusha të dorëzonte ofertën e tij të pakërkuar- në 2017 / Pika 3, 5, 11 e shkrimit poshtë), ky lloj ofertimi, nismëtari i të cilit fitonte edhe pikë më shumë sesa konkurrentët e mundshëm në garë, rezultoi një hedhje hi syve për të shpërndarë para pa konkurrencë.

Pikërisht për këtë ndërkombëtarët e fshikulluan dhe pikërisht se i doli boja keq, qeveria Rama u zotua ta kufizojë atë.

Oferta e pakërkuar do përdorej këtej e tutje vetëm për ndërtimet në porte dhe aeroporte dhe bonusi për të do të hiqej.

Por, megjithëse e kishin gati që në janar, socialistëve nuk u bënte zemra ta kalonin këtë ndryshim. Ata e zvarritën dhe sorollatën për katër muaj, deri sa vendosën ta votonin në parlament në 17 korrik.

Por sërish edhe këtu e gjetën një kleçkë.

Një ditë përpara miratimit, shtuan amendamentet e neneve 17 dhe 18, për ta shtyrë edhe tre muaj këtë praktikë të dyshimtë. Qëllimi ishte i qartë: nga njëra anë u thonin ndërkombëtarëve se porosinë tuaj po e zbatojmë, nga ana tjetër shfrytëzonin çdo ditë që u jepej për të bërë para.

Kështu vepruan dhe pikërisht këtë kohëzgjatje absurde nuk ka pranuar të dekretojë Ilir Meta. Ai ka argumentuar se parlamenti ka votuar ndryshime që lënë vend për abuzime.

Ashtu sikurse thamë, ai nuk ka fuqi t’i ndalojë ato. Parlamenti që tashmë është me pushime do të marë kohë t’i rivotojë sërish ndryshimet dhe afati i hyrjes së tyre në fuqi do të jetë pak a shumë i njëjtë. Qeveria Rama do të ketë mundësi për rrumpallë me oferta të pakërkuara, përsëri, deri në tetor.

Por, pavarësisht se nuk e pengon dot babëzinë, hapi që hodhi Meta është i vlefshëm për tjetër gjë: sepse duke mos e dekretuar, ai po e vë më në dukje anën e errët të këtij ndryshimi.

Në këtë kuptim, ai po ndjek të njëjtën rrugë, sikurse bëri me kthimin pas të ligjit për teatrin, apo me atë për përgjysmimin e dividentit.

Ilir Meta është shndërruar në të vetmin politikan, që nuk po e godet lidhjen Rama- oligarkë vetëm me fjalë, por edhe me akte.

E këtu, në paradoks me mendimin që shumëkush ka për të, ai po i shërben publikut. Pak rëndësi ka nëse këtë po e bën me bindje, apo për shkak të konfliktit politik armiqësor ku është ngërthyer. Edhe kjo e dyta në qoftë, Ilir Meta është një armik që na duhet. Një gur më shumë në barrikadën ndaj makutërisë së Ramës dhe dhjetë klientëve të tij.

Continue Reading

Kolumna

Abazoviçi i Ulqinit dhe Abazi i Zajazit: partitë jeshile dhe mbyllja e çështjes shqiptare

Published

on

Shkruan: Arben Fetai

Shumë shqiptarë iu gëzuan, me të drejtë, krijimit të qeverisë së re të Malit të Zi, jo aq shumë për faktin se u dërgua në opozitë koalicioni i nacionalistëve serbë të ish kryeministrit Zdravko Krivokapiç, por sepse Dritan Abazoviç, një shqiptar nga Ulqini u zgjodh kryeministër.

Abazoviç drejton lëvizjen qytetare dhe të gjelbër URA (“Ujedinjena reformska akcija”) e cila në zgjedhjet e gushtit 2020 fitoi tre mandate deputetësh në parlamentin 81 anëtarësh malazez, të cilat e bënë këtë parti një kingmaker që vendos për fatin e qeverive. Abazoviç e shfrytëzoi këtë pozitë në mënyre maestrale, duke rrëzuar përkohësisht regjimin tridhjetëvjeçar të Milo Gjukanoviçit, për të instaluar nacionalistët serbë në krye të ekzekutivit dhe vetën në karrigen e zëvendës kryeministrit.

Siç pritej qysh nga votimi i saj me vetëm 41 vota deputetësh, qeveria heteroklite Krivokapiç ku bashkëjetonin populistët e djathtë me populistët e majtë, nacionalistët serbë me liberalët e gjelbër malazez, u përball shumë shpejtë me tensione të brendshme. Këto kishin të bënin me pozicionimin karshi gjenocidit të Srebrenicës dhe agresionin rus ndaj Ukrainës, reformat në drejtësi dhe vënien para përgjegjësisë të zyrtarëve të korruptuar të regjimit Gjukanoviç. Çështja polarizuese e hegjemonisë fetare dhe pronësore të kishës ortodokse serbe në Mal të Zi ia dha goditjen e fundit këtij koalicioni të brishtë dhe dërgoi në rrëzimin e qeverisë Krivokapiç në muajin shkurt, 17 muaj nga instalimi i saj.

Falë ujdive me Gjukanoviçin, të cilin e kishte luftuar për vite me radhë, Abazoviç u imponua si kryeministër i ardhshëm i Malit të Zi dhe, më 28 prill, mori timonin e një qeverie minoritare me vetëm 16 deputetë, por të përkrahur nga partia e Gjukanoviçit, i cili kësisoj fitoi amnisti për keqqeverisjen tridhjetë vjeçare dhe rikthimin në pushtet, pa qenë formalisht pjesë e koalicionit.

Zgjedhja e Abazoviçit në krye të ekzekutivit malazez, nga shumica e politikanëve dhe komentuesve shqiptarë në Ballkan, u prit në terma superlativ. Ky ekzaltim kolektiv ishte pakëz sa i çuditshëm marrë parasysh profilin e Abazoviçit, shqipen e tij gjysmake që tregon për një përdorim të çrregullt të gjuhës amtare por edhe intervistën e tij të bujshme pas ngritjes së përmendores së Skënderbeut në Ulqin, ku ai pati deklaruar se Gjergj Kastrioti kishte prejardhje serbe si nga nëna ashtu edhe nga babai.

Megjithatë, pak nga kureshtja e pak ndoshta edhe për të sfiduar paragjykimet, vendosa të ndjek intervistën e Abazoviçit në Klan Kosova, që ishte paraqitja e tij e parë si kryeministër në një medium të madh shqiptar.

Qasjen e tij ndaj Ballkanit të Hapur dhe të demarkacionit të kufirit midis Kosovës dhe Malit të Zi lënë anash, ishin shokuese qëndrimet e Abazoviçit sa i përket pozitës së shqiptarëve në shtetin e Malit të Zi dhe shfajësimi që i bëri pushteteve paraprake për diskriminimin e rrënjosur thellë ndaj shqiptarëve.

Kur gazetari e pyeti Abazoviçin se si do të ndryshohet gjendja e shqiptarëve në Mal të Zi, duke kujtuar se ata janë thellësisht të diskriminuar si në aspektin e përdorimit të gjuhës shqipe dhe të flamurit, ashtu edhe në rrafshin e investimeve publike dhe të përfaqësimit proporcional në sektorin publik, Abazoviç u përgjigj pak a shumë kështu.

Ai tha se, në Mal të Zi, të gjitha kombësitë ndjehen të diskriminuara por se kjo retorikë vjen nga ata njerëz të cilët kanë dështuar të arrijnë planet e tyre të karrierës në politikë. Abazoviç shtoi se diskriminimi ka mbaruar në momentin kur një shqiptar ëshë bërë Kryeministër. Ky është një mesazh i rrezikshëm nga Abazoviç: meqë ai si kryeministër shqiptar nuk përballet me diskriminim, diskriminimi është vetëm një alibi i atyre që nuk kanë arritur në majat e pushtetit.

Sa i përket përfaqësimit proporcional të kombësive në sektorin publik, Abazoviç tha se kjo çështje nuk duhet të trajtohet si përqindje. Sipas tij, ajo që kërkohet nga administratorët shtetëror nuk duhet të jetë përkatësia kombëtare por profesionalizmi. Përsëri, ky është një mesazh i dëmshëm që arsyeton faktin se shqiptarët, me 5% të popullatës, përfaqësohen në shtet me vetëm 1%, dhe madje edhe legjitimon diskriminimin, duke nënkuptuar se në mesin e shqiptarëve nuk gjinden njerëz profesionistë dhe të denjë për punë të shtetit.

Në lidhje me gjendjen e mjerueshme të Ulqinit si komuna më e varfër bregdetare në Mal të Zi, Abazoviç shkoi aq larg saqë i fajësoi vetë shqiptarët të cilët sipas tij nuk qenkan “kollitur” sa duhet për Ulqinin në Podgoricë. Ai arsyetoi mungesën e zhvillimit të Ulqinit me mos punën e qeverisjes lokale, duke injoruar kështu faktin se buxheti i Ulqinit është diku vetëm 15 milionë euro në vit (përafërsisht sa ai i Strugës) dhe se Mali i Zi është ndër vendet më të centralizuara në Evropë, ku gjithçka vendoset nga qeveria.

Këto janë relativizime të rrezikshme, aq më tepër kur ato dalin nga goja e një politikani shqiptar. Abazoviç, me apo pa vetëdije, duke u paraqitur më liberal sesa një politikan nga Skandinavia ku problemet e tilla janë rregulluar që moti, në fakt bie në grackën e qarqeve përgjegjëse për diskriminimin e jashtëzakonshëm me të cilin janë përballur në vazhdimësi shqiptarët e Malit të Zi. Duke shpallur të mbyllur çështjen shqiptare me ardhjen e tij në pushtet, Abazoviç bie në grackën e uljes së debatit në rrafshin e individit dhe të logjikës jugosllave të shqiptarit të ndershëm, gjë që mundëson ikjen nga obligimi kushtetues i shtetit malazez për të garantuar të drejtat dhe liritë kolektivë të pakicave kombëtare.

Neve në Maqedoninë e Veriut, kjo qasje e gabuar nuk ka se si të na mos kujtojë retorikën e viteve të fundit të një Abazi tjetër, atë të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, i cili para një viti gjithashtu shpalli të përmbyllur agjendën kombëtare në vendin tonë, kur njofutoi publikun për ribrendimin e partisë së tij si parti e gjelbër, njëjtë si URA e Abazoviçit.

Ahmeti asokohe tha se, meqë partia e tij ka zbatuar plotësisht Marrëveshjen e Ohrit, sjellur barazinë e plotë, zyrtarizuar gjuhën shqipe dhe arritur përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, ka ardhur koha që BDI të lëviz përtej të drejtave kolektive të shqiptarëve dhe të përqafojë agjendën e gjelbër.

Natyrisht se të gjitha këto janë propagandë klasike neokomuniste me të cilat na ka mësuar BDI që nga themelimi i saj. Marrëveshja e Ohrit, dy dekada pas nënshkrimit të saj, nuk është përmbyllur as për së afërmi dhe Maqedonia e Veriut vazhdon të mbetet e karakterizuar me një diskriminim strukturor ndaj shqiptarëve në të gjitha fushat e jetës publike. Gjuha shqipe ngelet në gjuhë e përkthyer dhe pjesërisht zyrtare ndërsa përfaqësimi i drejtë dhe adekuat është bërë farsë, me shumë institucione buxhetore ku përfaqësimi i shqiptarëve vazhdon të ngelet nën 10%. Sa i përket vetëqeverisjes lokale, Maqedonia e Veriut është vendi më i centralizuar në Evropë, ku vazhdon logjika e eksploatimit, me komuna me shumicë shqiptare të nën financuara në krahasim me ato me shumicë maqedone.

Kjo propagandë e BDI-së megjithatë bie ndesh me kërkesën e tyre të pa përmbushur deri më tani për kryeministrin e parë shqiptar. Nga kjo lindin dy pyetje legjitime. Meqë barazia e plotë na qenka arritur, çfarë rëndësie na paska tani përkatësia kombëtare e kryeministrit? Dhe pse kryeministri i BDI-së nuk qenka i denjë për të ushtruar një detyrë të tillë përtej periudhës teknike të 100-ditëshit të fundit të qeverisë?

Përgjigjet në këto pyetje janë të thjeshta: kryeministri teknik i BDI-së është manipulim i radhës me kërkesën e përhershme të shqiptarëve për barazi të plotë. Ajo që ngelet për t’u parë është nëse Abazi i Zajazit do të shkojë hapave të Abazit të Ulqinit, duke shpallur të mbyllur përfundimisht çështjen shqiptare në Maqedoninë e Veriut, dhe hequr dorë kështu nga të drejtat kolektive dhe kombëtare të shqiptarëve.

Continue Reading

Kolumna

Dy vite devalvim e shkatërrim të BFI-së

Published

on

Po bëhen dy vite (më 27 maj) që kur Shaqir Fetai zhvilloi një komplot dhe një tradhëti që goditi rëndë mbi njerëzillëkun si vlerë, mbi kolegialitetin si normë njerëzore, mbi profesionalizmin si vlerë e ndërtuar me shumë mund e djersë. Shaqir Fetai e ndërmori këtë “veprimtari” jo njerëzore për t’u ngjitur në front prej nga do të mund t’i shpalosë “vlerat” e veta! Po pse përmes tradhëtisë?

Shkruan Shaban Aziri

Shpesh herë, në paraqitjet e veta publike, Shaqir Fetai ndjenë thellësisht nevojë që të nënvizojë se po përfaqëson BFI-në! Po pse këtë nevojë kur dihet që, në çdo prezantim “i pari” gjithnjë e prezanton institucionin që e drejton, si prfaqësues reprezentativ i popullit!
Ky kompleks tashmë Shaqir Fetait i është bërë ves! Sepse, dorën në zemër, thellë në ndërgjegjen e vet, thellë në shpirtin e vet, ai intimisht e ndjenë se nuk përfaqëson asgjë, sepse nuk është i denjë të përfaqësojë asgjë, sepse, me “sallto mortale”, me rrotullime e praptime, me ndërkëmbëza e, me mohime, me shkelje të normave morale e juridike, nuk mund të jeshë përfaqësues i askujt! Njeri normal nuk mund të lejojë që vlerat e veta të përfaqësohen nga “djalli”. Nuk ka njeri normal që nuk e ndjenë problem të madh, që nuk e ndjenë veten “djall”, nëse pretendon që me dallavera dhe mbi hakun e tjetrit ta kapë “primatin”!

Shaqir Fetain e brenë ndërgjegja, natë e ditë, sepse, ai e di që karrierën e nisi mbi një “platformë” që nuk është as kombëtare, as fetare dhe as shtetërore. Karrierën e tij e nisi mbi formulën e komplotit dhe puçit klasik dhe, derisa nuk ka ndryshime, natyrisht që ai do të pranohet si ”i mirëqenmë”, si “përfaqësues”! Prandaj, edhe në këtë moment moral, Shaqir Fetai nuk ka nevojë që ta nënvizojë përfaqësimin e vet në emër të BFI-së, sepse, ashtu e kanë ftuar dhe e kanë pranuar! Orgtanizatorëve të eventeve të ndryshëm Shaqir Fetai u duhet si “përfaqësues i diçkafit” dhe jo si pacient që ka nevojë t’’i shërojë komplekset e veta, sepse, organizatorët i nxjerr në situata të pavolitshme!

Po pse këtë kompleks Shaqir Fetai? A mund ta harrojë “momentin e tradhëtisë”, a mund ta fshijë nga mendja pikën e gjakut në maje të thikës së tradhëtisë?

Pse Shaqir Fetai me honxho-bonxhët e vet asnjëherë nuk ngriti shqetësim për kahet shqetësuese drejtë të cilave paska udhëtuar BFI-ja? Pse asnjëherë nuk i doli publikisht ish-reisul ulemasë, pse asnjëherë nuk i kërkoi debat, pse asnjëherë nuk ngriti zërin për “vakitë” që i paska shënjuar Shaqir Fetai? Apo, Shaqir Fetai do të na thotë tani se paska pas punuar “nën hije”, për kohë të gjatë dhe se, gjesti i tij paska qenë si rezutat i një analize më të thellë! Po kur e bëri këtë analizë Shaqir Fetai i cili, një javë para tradhëtisë, e ngriti në kupë të qiellit Sulejman ef. Rexhepin në një prononcim televiziv!

Ne, njohësit e rrethanave në BFI, e kemi ditur që të gjithë se cila është fuqia drejtuese e Sulejman Rexhepit, e kemi ditur që një sekond nuk mund të punojmë prapa shpinës së tij, sepse ka pasur “informatorë” që natë e ditë e kanë bërë syçelë dhe të vëmendshëm. Asnjë nga bashkëpunëtorët e tij, në asnjë sekond, nuk kanë shprehur lodhje, irritim, mërzitje prej punëve të Sulejman ef. Rexhepit. Të gjithë kanë qenë të kënaqur e të stërlumur! Sakaq, një ditë të bukur, e shohim Shaqir Fetain me honxho-bonxhot e tij në televizion tek ia kumton ish-reisit të tij, rrëzimin, tek ia demonstron fuqishëm komplotin, tradhëtinë dhe puçin!
Shaqir Fetai nuk e ka pasur atë karizëm që t’i ketë pasur të radhitur pas vete dy njerëz? Shaqir Fetai nuk e ka pasur atë fuqi “prej lideri” që të kapë dikë për hunde dhe ta orientojë atje ku do vetë! Shaqir Fetai për herë të parë në historinë e BFI-së pranoi të dalë publikisht dhe të dëshmojë se Institucioni i BFI-së është përplot me “të dëgjueshëm”, “servilë” dhe “të lakueshëm” të cilët janë militantë të shërbimeve intelegjente dhe të gatshmë të veprojnë në çdo sekond, pas çdo vendimi dhe thirrje të shërbimeve të caktuara!
Vërtet, si u mblodhën të gjithë, si ia doli Shaqir Fetai që t’i mbledhë të gjithë bashkëpunëtorët e Sulejman ef. Rexhepit, të cilët deri një orë më parë, madje edhe flinin shtrirë te prapanica e tij!
Pa dyshim, është një “fuqi e një bashkësie absolute” ku aderon Shaqir Fetai dhe “bashkëpunëtorët” e tij, të cilët, me një sinjal mund të tubohen në një vend dhe në të njëjtën kohë! Nuk e ka pasur fuqinë e “tubimit” destruktiviteti i Sulejman ef. Rexhepit. Fuqinë e tubimit e ka pasur dhe e ka vetëm shërbimi intelegjent, cilido qoftë ai! Me frena në goj mund të komandohesh vetëm prej atij “pronari” që t’i ka vënë frerët turive!

Rezultati i tërë kësaj loje ishte qëllimi i strukturave të caktuara për ta njollosur, devalvuar dhe kompromituar të kaluarën e BFI-së! Sepse, një Institucion me të parin e vet të shkarkuar nuk mund të mburret në historikun e vet! Rezultati i tërë kësaj loje ishte qëllimi i strukturave të caktuara për ta kapur për shumë qëllime meskine BFI-në! Për ta dobësuar e për ta bërë të varshme sa më shumë nga “institucione” të caktuara larg selisë sëBFI-së! Fare në fund, qëllimi jetik i shërbimeve të caktuara që nuk ia duan të mirën as Instituionit dhe as kombit është që të instalohet një praktikë e “komplotit dhe puçit”, që kurrë BFI të mos bëhet rehat! Deri më sot, shyqyr Zotit, asnjë njeri me tru normal nuk është joshur nga kjo ofertë e djallit! Kështu që, në historinë e BFI-së i vetmi i cili u josh pas ofertës së djallit do të ngelë, mjersiht, Shaqir Fetai!

Me qëllim që sado pak ta “thyejë” mitin e çelikosur se Shaqir Fetai si instalacion mund të përfaqësojë vetëm struktuat që e instaluan turpshëm në krye të BFI-së, ai gjithnjë, në postimet e veta thotë: “në këtë event reisul ulema e përfaqësoi BFI-në”!!! Po në ndonjë event tjetër? A mund të jetë përfaqësues i “klubit të djallit”? Vaftë në djall para se BFI-ja të vejë në fund të pusit!
Shaqir Fetai, duhet të veprojë, sa më parë të tërhiqet në vetminë e plotë të tij, jo sa për t’u rehabilituar ish-reisi i dëmtuar, jo sepse ia arriti qëllimeve të veta, sepse, ai kurrë nuk ka pasur qëllime të veta, jo se e dha më të mirën e tij dhe tani nuk ka se çfarë të japë, porse, thjesh, duhet ta çlirojë BFI-në nga një turp i tmerrshëm që ia shkaktoi, turp ky që po peshon shumë rëndë mbi themelet e të vetmit Institucion fetar islam në vend! Shaqir Fetai, duhet të shpërthejë dhe të lirohet nga ato pranga ku dhunshëm po e mbajnë të ngujuar “shërbime” të ndryshëm që nuk u intereson “karriera” e Shaqir Fetait sa shkatërrimi i BFI-së! Shaqir Fetai duhet të ndërgjegjesohet dhe një herë në jetën e vet të ulurasë kundër dirigjuesve të tij: “Mjaft më përdorët për shkatërrim të nstitucionit”! Këtë nuk ia ka borxh as BFI-së, as myslimanëve të vendit, por, borxh ia ka vetëm profesionit “hoxhë” në emër të të cilit është thirrur kaq shumë, ndërkohë që fundi po i del t’i jetë katastrofal!

Continue Reading

Kolumna

Kush do të vajtojë më shumë për “vdekjen” e BDI-së?!

Published

on

By

Kush do të vajtojë më shumë për “vdekjen” e BDI-së?!

AGRON SHAQIRI

Shumëkush nga ju, që do ta lexoni këtë opinion do të pajtohet me qasjen time, por do të ketë edhe nga ata që, të themi kushtimisht nuk do të pajtohen, ama do të ju kisha lutur që ta lexoni deri në fund pasi ajo që gjendet në këtë shkaravinë është më se e saktë pavarësisht titullin që ka. Ju kisha lutur për durim deri në fund. Tani ja fillojmë!!!!

Në zgjedhjet e fundit lokale në Maqedoninë e Veriut, në komunat shqiptare u vërejt zbehje e mbështetjes së elektoratit për Bashkimin Demokratik për Integrim. Kjo ishte edhe sinjali se kësaj partie po i vjen fundi pasi rezultatet e zgjedhjeve të tetorit i nxorri ata si të dytë në qytetet që shtrihen në Pollog dhe ky rezultat do të prodhojë efekte të fuqishme që do të ndikojnë në të ardhmen politike të BDI-së.

Por, kjo nuk do të thotë se nga krateri i hapur i rrënojave të saj nuk do të mbijnë forca të tjera politike, të udhëhequra nga kushedi kush tjetër, por se partia që mblidhte rreth vetes qindra mijëra mbështetës nuk do të ekzistojë më.

Të parët, më të rëndësishmit dhe më të ndershmit mes atyre që nesër do të vajtojnë “vdekjen” e BDI-së janë shumica dërrmuese e bashkëqytetarëve tanë që historikisht janë identifikuar dhe e kanë mbështetur atë. BDI ishte produkt i një vale zemërate e shprese që përfshiu shumëkënd në kapërcyellin midis regjimit të vjetër dhe sistemit të ri. Në fillim ajo arriti të lidhte fijet e të gjithë atyre që ëndërronin një jetë më dinjitoze për shqiptarët, pa dhunë shtetërore dhe atrofizim burokratik. Në dekadat pasuese, pavarësisht rrudhjes, BDI ia doli të ishte përfaqësuesja e një blloku shoqëror të ngjizur nga urrejtja, pakënaqësia dhe refuzimi i pakompromis i të shkuarës. Po, ç’është më e rëndësishmja, BDI vijoi të mëtonte të ishte përfaqësuesja e asaj shtrese të gjerë shoqërore e cila u la pas, edhe qëllimisht, nga procesi i modernizimit të dhunshëm e të pjesshëm të Maqedonisë së Veriut nga burokracia e sistemit të kaluar. Të gjendur kryesisht në provinca, por edhe si klasë punëtore shqiptare e nëpërkëmbur e qyteteve të mëdha, kjo shtresë e gjerë shoqërore ishte shtylla kurrizore njëzetëvjeçare e BDI.

Me këtë parti ata nuk i lidhte vetëm mllefi ndaj të shkuarës, por edhe fakti se mobilitetin social të tridhjetë viteve të fundit– ata ia atribuonin jo vetëm krahëve të tyre, por edhe shanseve që u krijuan nga përmbysja e sistemit të vjetër dhe liria e epokës sonë. Ky bllok heterogjen nuk mund të kishte unitet nëse nuk identifikohej me një figurë karizmatike, jeta e të cilit ishte mishërimi i kontradiktave të brendshme të tyre: Ali Ahmeti si ish-komunist dhe i përndjekur nga komunistët jugosllavë, bir i një familjeje modeste, “pajtues historic” (“bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë”) dhe revanshist (“bijtë e etërve”), oportunist në të njëjtën kohë.

Ky bllok shoqëror ishte produkt i historisë dhe nuk mund të mbijetonte përtej kushteve që e prodhuan. Fakti që ajo po perëndon së bashku me Ali Ahmetin është nga ato aksidente historike që fshehin një logjikë domosdoshmërie. Mirëpo këta qindra mijëra bashkëqytetarë – vuajtjet dhe arritjet e të cilëve meritojnë respektin maksimal – janë të vetmit vajtimi i të cilëve duhet pritur me mirëkuptim; ndonëse nuk duhet të mënojmë t’ua themi të vërtetën në sy: Është koha që të ndaheni dhe të bashkoheni me forca tjera politike, legjitimiteti i të cilave nuk do të bazohet më tek e shkuara, por në interesat shoqërorë të së tashmes dhe aspiratat e të ardhmes. Politika e bazuar në nostalgji e melankoli, në rastin më të mirë, është shterpe.

Vijmë në rrathët e të pandershmëve. Në fillim qëndrojnë klikat rreth Artan Grubit dhe Ali Ahmetit. Bëhet fjalë për dhjetëra vetë – në rastin më të mirë pak qindra – nga ata që i shoqërojnë të dy nëpër mbledhje, konferenca shtypi dhe nxjerrin fytyrën në televizione. Janë hipotekuesit (tashmë imagjinarë) të privilegjeve që do të gëzonin nëse BDI e kontrolluar nga i pari ose i dyti do të ngelet në pushtet. Ata që pikasin nga larg postet ministrore, pozicionet fituese në listat e deputetëve, vendet drejtuese në agjencitë e mëdha publike, si dhe çdo post të mundshëm ku mund të bëhet para e madhe përmes allishverisheve me ndërmjetësinë e shtetit dhe në kurriz të popullit. Sot ndihen jo vetëm se vallja e çmendur ku hynë do t’ju dalë duarsh, por edhe sepse në këto kushte, pa perspektivë për ngelje në pushtet, do të humbin edhe mbështetjen financiare të oligarkëve dhe ustallarëve të nëntokës kriminale. Kujtojmë se financuesit e mëdhenj të partive janë subjekte racionale, të cilët e shohin darovitjen si investim që do të prodhojë fitime të mëdha në të ardhmen e parashikueshme. Në këto kushte, kush vë më bast për një kalë të ngordhur?!

Si në çdo organizëm burokratik të gangrenizuar, poshtë klikës shtrihet një grup më i gjerë burokratësh të nivelit të mesëm e të ulët, ëndrrat e të cilëve nuk e kapërcejnë pragun e “një copë magazine” – kupto: drejtor, shef, doganier, nëpunës etj. Deri më sot këta kanë qenë skeleti i partisë. Njerëz që dikur kanë pasur një post, ku mund ta milnin ndopak shtetin ose të paktën të vinin festen mbi sy e të shkonin në bankomat një herë në muaj. Nëse u ka kaluar mosha apo janë rehatuar gjëkundi, ata aspirojnë të përdorin instrumentet klientelisto-patrimonialiste për t’u siguruar fëmijëve një vend pune në shtet apo në ndonjë biznes/ojq të afërt me partinë. Ata janë me të gjitha dhe me asnjërën palë njëkohësisht.

Vajtuesit më të zëshëm, ndonëse më pak të sinqertët në këtë mes, janë copëza të shtresës së mesme urbane – diku intelektualë, analistë, gazetarë, ojëqëistë, një turli primouomosh e primadonash që i janë bashkëngjitur BDI, duke mëtuar një distancë hipokrite paanësie. Zëri i tyre ushton shumë më fort se përmasat shoqërore dhe fuqia politike për shkak se janë në qendër të kuzhinës ku gatuhen lajmet, opinioni dhe idetë që më pas i shërbehen shoqërisë. Në rastin më të mirë kemi të bëjmë me njerëz të ndershëm që duan t’i nxjerrin gështenjat nga zjarri (kupto: duan ndryshimin) duke përdorur duart e të tjerëve (kupto: militantët e BDI). Shumë syresh janë në pozita aq të rehatshme ekonomike e gëzojnë status të lakmueshëm social, saqë të mos e shohin angazhimin politik përtej vigjilencës reaktive në rrjetet sociale apo ndonjë poze në mitingjet e BDI. Ata nuk kanë as kohë, as durim dhe aq më pak guxim për t’u marrë me organizim të mirëfilltë politik. Ky i fundit kërkon vetëmohim, që është i kundërti i vetëkënaqësisë. Në lartësitë imagjinare ku e projektojnë veten, populli, në rastin më të mirë, iu duket një fëmijë arrakat që duhet edukuar dhe jo shumësia e bashkëqytetarëve të barabartë e barasvlefshëm. Nëse më të famshmit prej tyre do t’i përkufizonim si intelektualë tradicionalë, iluzioni se në kohët e sotme mund të jenë ndërgjegjja e kombit (si qëmoti) i bën të duken jo vetëm anakronikë, por edhe moskuptues të realitetit si fushë forcash e mbarsur me potenciale ndryshimi. Ndonjë syresh e imagjinon veten Monsieur de Voltaire të ditëve tona, që me fuqinë e mendimit do ta përdorte Aliun apo Grubin si dash për të shembur muret e kështjellës së LSDM së Zaevit.

Meqë jemi te LSDM dhe Zaevizmi, mund të thuhet se urrejtja e tyre për të është e sinqertë, paçka se dobësia e mendimit politik ua pamundëson ta kuptojnë strukturalisht funksionin e tij: jo si tiran i gjithëpushtetshëm, por si nyje lidhëse e interesave të oligarkëve ekonomikë dhe burokracisë politike. Thellë-thellë ata duan të njëjtin sistem, me ndonjë rregullim estetik. Është e njëjta logjikë – e nganjëherë edhe të njëjtët njerëz – që përpara disa viteve thoshin se Aliu duhej rrëzuar me çdo kusht e çdo mjet si e keqja absolute. Pa qenë të vetëdijshëm se e keqja mirëfilli absolute është kapitullimi ndaj të keqes, duke mbështetur ata që sot duken e keqja më e vogël dhe nesër e përdorin këtë kapital politik për t’u shndërruar në një të keqe më të madhe. Zaevizmi apo edhe Gruevizmi, për t’i rënë shkurt, nuk mund të rrëzohet pa rrëzuar strukturën ekonomiko-partiako-mediatike që e mban në këmbë.

Në këto kohëra do të shpaloset shpejt. Mirëpo s’bën të harrojmë mësimin kryesor të saj: çdo krizë hap një derëz nga ku mund të kalojë edhe Mesia, edhe Antikrishti. Është në dorën tonë që nesër të mos qahemi se ramë nga shiu në breshër.

Continue Reading

Aktuale