Connect with us

Bota

Nga Trump deri tek Johnson, nacionalistët janë në rritje – mbështeten nga oligarkë miliarderë pa komb

Published

on

Shtatë vite më parë, impresionisti ( humoristi imitues), Rory Bremner u ankua se politikanët ishin bërë aq të mërzitshëm saqë pak prej tyre ia vlen të imitohen: “Ata janë mjaft homogjenë dhe të shurdhër këto ditë … I shoh karakteret si pengesë”. Profesioni i tij ka problemin e kundërt sot: sado ekstreme të bëhen personazhet e komedisë, vështirë të arrijnë personazhet e realitetit. Sfera politike, e cila ishte aq gri dhe e mërzitshme disa vite më parë, tani është mbushur me ekzibicionistë.

Kjo rrymë nuk shihet vetëm në Britaninë e Madhe. “Klounët vrasës” po pushtojnë skenat gjithandej. Boris Xhonson, Nigel Farazh, Donald Trump, Narendra Modi, Jair Bolsonaro, Skot Morrison, Rodrigo Duterte, Mateo Salvini, Rexhep Taip Erdogan, Viktori Orban e shumë udhëheqës të tjerë “të fortë” – ose më mirë “të dobët”, siç dalin shumicën e rasteve – po mbizotërojnë nëpër kombe ku dikur do t’i kishin tallur. Pyetja është se pse. Pse teknokratët që deri pak vite më parë mbanin pushtetin, tani po ua lënë vendin klounëve ekstravagantë?

Rrjetet shoqërore, një inkubator absurditeti, luajnë një rol të rëndësishëm në këtë rast. Por ndonëse është bërë punë e mirë për të hetuar mënyrat, çuditërisht, pak mendime janë dhënë në lidhje me përfundimet. Pse ultra të pasurit, të cilët deri dje i përdornin paratë dhe mediat për të reklamuar politikanë pa karizma, tani po financojnë një cirk të tillë? Pse kapitali i mesëm dëshiron që të përfaqësohet një herë nga menaxherë, e pastaj nga klounë?

Besoj se arsyeja lidhet me faktin që kemi një ndryshim të natyrës së kapitalizmit. Forca mbizotëruese në vitet 1990 dhe 2000 ishin korporatat e fuqishme, dhe ato kishin nevojë për qeveri teknokrate. Donin njerëz që mund të drejtonin një shtet të aftë e të sigurt, por në të njëjtën kohë, të mbronin fitimet e tyre nga ndryshimet demokratike. Në vitin 2012, kur Bremneri bëri ankesën e tij, kjo fuqi ishte zhvendosur, por politika nuk e kishte ndjekur dot.

Ato politika që duhej të reklamonin bizneset e mëdha duke ulur taksat për të pasurit, duke dobësuar mbrojtjen e publikut dhe duke shkatërruar sindikatat tregtare, në fakt nxitën një vorbull të fuqishme që çoi drejt akumulimit të pasurisë. Tani, pasuritë më të mëdha në botë nuk i përkasin gjenive të biznesit, por trashëgimtarëve që duan monopole që mund t’i japin me qira: duke siguruar kontrollin e tyre ekskluziv ndaj aseteve kryesore, si tokat dhe ndërtesat, si dhe duke krijuar monopole shërbimi, si kompanitë e këmbimeve tregtare, programet kompjuterike, platformat e rrjeteve shoqërore, etj. Dhe këtë e arrijnë duke vendosur tarifa ndaj përdoruesve, të cilat janë shumë herë më të larta se kostoja e prodhimit. Në Rusi, njerëzit që pasurohen në këtë mënyrë quhen oligarkë. Por në fakt është dukuri botërore. Fuqia e korporatave në ditët e sotme është duke u shndërruar në pushtet oligarkësh.

Oligarkët nuk duan të njëjtën gjë që donin korporatat. Siç thotë dhe teoristi i tyre i preferuar, Stiv Benon, ata duan që të çmontohet shteti administrativ. Kaosi është faktori që ua shumëfishon fitimet në kapitalizmin e rrëmujshëm ku po fuqizohen miliarderët e sotëm. Çdo ndërprerje e fuqive administrative përdoret për të përvetësuar më shumë asete nga të cilat varen jetët tona. Kaosi i Brexit-it që nuk po arrin të kryhet, bllokimet e përsëritura të buxheteve qeveritare nga Trump… këto janë çmontimet që kishte parashikuar Benoni. Teksa institucionet demokratike shpërthejnë brenda vetes, oligarkët e zgjerojnë pushtetin mbi kurrizin tonë.

Klounët vrastarë u ofrojnë oligarkëve edhe diçka tjetër: shpërqendrim dhe devijim. Ndërkohë që kleptokratët na zhvatin, ne nxitemi që ta mbajmë mendjen tjetërkund. Hutohemi nga klounët që zemërimin që duhej ta kishim ndaj miliarderëve, na shtyjnë ta kanalizojmë te emigrantët, gratë, hebrenjtë, myslimanët, njerëzit me ngjyrë, armiqtë imagjinarë dhe grupet e tjera, të cilëve është bërë e modës t’u hidhet faji. Njësoj s në vitet 1930, demagogjia e sotme është mashtrim, revoltë kundër ndikimeve të kapitalit, e financuar nga kapitalistët.

Interesat e oligarkëve janë larg brigjeve të vendeve të tyre, “offshore”, nëpër parajsa fiskale dhe regjime sekrete. Paradoksalisht, këto interesa janë ato që reklamohen më shumë nga nacionalistët dhe nativistët. Politikanët që brohorasin më fort për patriotizmin dhe mbrojtjen e sovranitetit, janë të parët që i shesin kombet e veta. Nuk është rastësi që shumica e gazetave që promovojnë programe nacionaliste, që fryjnë urrejtje kundër emigrantëve, janë pronë e miliarderëve të cilët i fshehin taksat jashtë vendit.

Ashtu si jeta ekonomike, edhe jeta politike është mbajtur jashtë vendit. Udhëheqjet politike që nuk i lejojnë paratë e huaja të financojnë politikat vendase, tashmë kanë rënë. Përfituesit kryesorë janë mbrojtësit e vetë-shpallur të sovranitetit, të cilët ngrihen në pushtet me ndihmën e reklamave të rrjeteve shoqërore, të blera nga persona të panjohur, nga grupe ekspertësh dhe lobistë që refuzojnë të tregojnë burimet e të ardhurave. Një ese e kohëve të fundit, nga akademikët Reijer Hendrikse dhe Rodrigo Fernandez, argumenton se financat “offshore” krijojnë komercializimin dhe shthurjen e sovranitetit shtetëror, si dhe përpiqen ta kalojë pushtetin në një hapësirë sekrete, jashtë territoreve dhe larg kontrollit të shteteve. Në botën “offshore”, shkruajnë ata, “shteti i vërtetë është fitimi i kapitaleve botërore, kapitale të financueshme shpejt e tepër të lëvizshme.”

Miliarderët e sotëm nuk janë nënshtetas të asnjë vendi. Ashtu si plutokratët në romanin e tmerrshëm të Ain Rand, “Atlas Shrugged”, ata fantazojnë të shmangen edhe më shumë. Shikoni sipërmarrjen e nisur nga themeluesi i “Paypal”, Piter Thiel, që donte të ndërtonte ishuj artificialë në mes të oqeanit, ku të jetonin banorë që do të vinin në jetë një botë fantazie që i shpëtonte ligjeve, shteteve, rregullave dhe taksave, si dhe punës së organizuar. S’ka muaj që nuk dëgjohet një miliarder të thotë se po mendon të largohet nga toka, të kolonizojë hapësirën e planete të tjera.

Ata që e kanë identitetin të larguar në vende “offshore”, duan të largohen edhe më tej. Për ata, një shtet-komb është edhe lehtësues, edhe pengesë: edhe burim pasurie, edhe barrë taksash; dhe krah i lirë pune, edhe masë plebenjsh mosmirënjohës, prej të cilëve duhet të largohen sa më larg, duke i lënë të vegjlit e tokës në fatin e tyre të mjerë, të cilin e meritojnë.

Të mbrosh veten nga oligarkia do të thotë t’i taksosh. Është e lehtë të ngatërrohesh në debate pa fund për se të gjetur se cili është niveli i duhur i taksës që maksimalizon të ardhurat. Ka argumente pa fund për kurbën “Laffer”, e cila përpiqet ta tregojë këtë nivel. Por këto diskutime harrojnë diçka thelbësore: rritja e të ardhurave është vetëm njëri qëllim i taksave. Një tjetër qëllim është këputja e spirales së akumulimit të pasurisë së trashëguar.

Këputja e kësaj spiraleje është një nevojë e demokracisë: përndryshe, oligarkët, siç kemi parë deri tani, arrijnë të mbizotërojnë të gjithë jetën kombëtare dhe ndërkombëtare. Spiralja nuk ndalon vetë. Vetëm masat e ndërmarra nga qeveritë mund ta arrijnë këtë. Kjo është një nga arsyet se pse gjatë viteve 1940, niveli më i lartë i taksës mbi të ardhurat shkoi deri në 94% në SHBA, dhe 98% në Britani. Një shoqëri e drejtë kërkon rregullime të herëpashershme të këtij niveli. Por në kohët e sotme, taksat më të larta duhet të shënjestrohen më mirë ndaj pasurive të akumuluara e që nuk janë fituar vetë.

Sigurisht, bota “offshore” e miliarderëve ka krijuar politika të guximshme dhe tepër të vështira. Fundja, kjo është një nga qëllimet e tyre. Por të paktën e dimë se cili duhet të jetë synimi, dhe të fillojmë ta njohim se në ç’nivel do të jetë sfida. Që ta luftojmë diçka, më parë duhet ta kuptojmë./Përktheu dhe përshtati in7.tv/

 

 

BURIMI: The Guardian

Continue Reading

Bota

Egjipt: Edhe një grua tjetër mbytet nga peshkaqeni

Published

on

Një grua tjetër është vrarë nga një peshkaqen në brigjet e Detit të Kuq të Egjiptit.

Trupi i një turisteje rumune rreth të dyzetave, u gjet pranë resortit të Hurghadas, vetëm disa orë pas një sulmi tjetër fatal ndaj një gruaje austriake 68-vjeçare.

Të dy sulmet ndodhën 600 metra larg njëri-tjetrit, në brigjet e Sahl Hasheesh.Guvernatori i zonës, Amr Hanafi, ka lëshuar një urdhër për të pezulluar të gjitha aktivitetet në brigjet përreth sulmeve.

Të gjitha aktivitetet detare janë ndaluar, duke përfshirë zhytjet, lundrimin dhe peshkimin me anije.

Sulmet e peshkaqenëve janë të rralla në zonë, me incidentet e fundit që besohet të jenë të parat që nga viti 2020.

Gruaja austriake kishte qenë duke notuar kur u sulmua, me peshkaqenin që ia këputi një këmbë dhe një krah, raporton SkyNews.

Ajo mezi ishte gjallë në kohën kur mbërriti në një spital aty pranë dhe vdiq pak më pas, sipas një zyrtari shëndetësor egjiptian.

Hurghada, një qytet turistik i cili shtrihet rreth 25 milje përgjatë bregut të Detit të Kuq të Egjiptit, është veçanërisht i njohur për zhytjet në skuba.

Sulmet vijnë pasi resorti u hap pas izolimit nga pandemia e koronavirusit.

Continue Reading

Bota

Turqit ndalojnë një anije me grurë, të cilën rusët ua kishin vjedhur ukrainasve

Published

on

Autoritete doganore turke kanë ndaluar një anije mallrash ruse e cila transportonte grurë, të cilin më herët Ukraina e kishte raportuar të vjedhur, thekson ambasadori i Ukrainës në Turqi.

“Kemi bashkëpunim të plotë. Anija tani është në hyrje të portit, duke u ndalur nga autoritetet doganore turke”, tha ambasadori Vasyl Bodnar për televizionin shtetëror ukrainas.

Nis shërbimi për pajisje më pasaportë dhe kartë identiteti për qytetarët shqiptarë rezident në Kandada

Ai tha se për fatin e anijes do të vendoset pas mbledhjes së organeve kompetente që do të mbahet nesër, të hënën.

/Ancnews.al/

Continue Reading

Bota

19 të vdekur në aksidentin e një autobusi në Pakistan

Published

on

Një autobus pasagjerësh rrëshqiti nga një rrugë malore dhe ra në një përroskë të thellë në një shi të dendur në Pakistanin jugperëndimor të dielën, duke vrarë 19 persona dhe duke lënduar 12 të tjerë, tha një zyrtar qeveritar.

Mahtab Shah, ndihmës administrator për rrethin e Shiranit në provincën Baluchistan, tha se rreth 35 pasagjerë po udhëtonin në autobus. Ai tha se punëtorët e shpëtimit po kërkonin për të mbijetuar në rrënojat e automjetit të shkatërruar dhe rrethinat.

Shah tha se me sa duket autobusi rrëshqiti në rrugën e lagësht mes shiut të dendur dhe shoferi humbi kontrollin e automjetit, i cili ra rreth 61 metra në përrua.

Aksidentet rrugore vdekjeprurëse janë të zakonshme në Pakistan për shkak të infrastrukturës së dobët rrugore dhe mosrespektimit të ligjeve të trafikut, si dhe automjeteve të mirëmbajtura keq.

Muajin e kaluar, 22 persona humbën jetën në një aksident të ngjashëm kur një autobus ra në një luginë në rrethin Qila Saifullah./REL

Continue Reading

Aktuale