Connect with us

Lajme

Një ‘Rusi e vogël’ në Ballkan

Published

on

Armatosja e Serbisë, kryesisht në dy vjetët e fundit, me kontingjente armatimesh të ndryshme nga Rusia, duhet të jetë shqetësuese, jo vetëm për Kosovën por edhe për rajonin, vendet e të cilit ose janë pjesë e aleancës së NATO-s ose kanë prezencë të kësaj aleance, vlerësojnë zyrtarët e Qeverisë në dorëheqje të Kosovës.

Zëvendësministri në dorëheqje i Mbrojtjes, Burim Ramadani, thotë për Radion Evropa e Lirë që zgjerimi i NATO-s në Ballkan ka ofruar dhe ndikuar në stabilitetin dhe sigurinë rajonale në formë të rëndësishme, duke krijuar besimin se Ballkani do të ketë paqe të përhershme kur të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor do të jenë pjesë e NATO-s.

Në anën tjetër, siç thotë ai, Serbia, ndonëse ka shpallur neutralitet ushtarak, ajo e ka thyer dukshëm këtë neutralitet duke u armatosur me pajisje, sipas standardit rus.

“Duket e qartë se Serbia, me orientim, por edhe me armatosje, po kthehet në një ‘Rusi të vogël’ në Ballkan dhe domosdo që kjo paraqet shqetësim për sigurinë në tërë rajonin e Ballkanit dhe jo vetëm për shtetet veç e veç. Si e tillë, ajo, është një sinjal jashtëzakonisht i keq i përcjelljes së logjikës kërcënuese ndaj shteteve fqinje, respektivisht, mungesë e investimit për fqinjësi të mirë”, tha Ramadani.

Politologu Ramush Tahiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson që Serbia po armatoset me armë që vijnë kryesisht nga Rusia, e të cilat, sipas tij, janë të frikshme për vendet e rajonit. Siç thotë ai, këto armë e bëjnë Serbinë të varur nga kontingjentet e armëve ruse dhe pjesët rezervë. Megjithatë, e gjithë kjo, siç vlerëson Tahiri, është vazhdim i një mitologjie serbe, të cilën po e shfrytëzon udhëheqja e këtij shteti, si një lloj popullzimi dhe tradite që serbët janë popull ushtarak, duke e nxitur në një mënyrë armiqësinë me popujt tjerë.

“Armatimi, numri i madh i ushtarëve dhe i rezervistëve në Serbi, e mbanë në një formë ushtarake organizimin e shoqërisë, që është tradicional dhe gjithashtu, e mban në pushtet këtë garniturë, e cila nuk i nënshtrohet procedurave të zgjedhjes dhe rizgjedhjeve demokratike. E mbanë në një psikozë të rrezikut të përhershëm Serbinë dhe popullin serb, si dhe në një lloj tensioni ose armiqësie, që herë pas here, politika, përmes deklaratave, e bëjnë edhe me shqiptarët, me Bosnjën, e bëjnë sidomos me kroatët dhe ndonjëherë u ndodhë edhe me bullgarët”, theksoi Tahiri.

Tahiri ka shtuar se Serbia po shpenzon para të majme për armatimet nga Rusia dhe kjo e vendosë atë në pozitë të palakmueshme, sepse e detyron atë që në përditshmëri të përdorë retorikën e rrezikut dhe armatosjen për mbrojtje. Ndërkaq, sipas tij, armatimi ajror, i këtij tipit që ka blerë Serbia, është sulmues.

Ndërkaq, zëvendësministri në dorëheqje, Ramadani, thotë se Serbia është e rrethuar me vende fqinje, që janë pjesë e NATO-s ose kanë prezencë të kësaj aleance. Nisur nga ky fakt, ai shtron pyetjen, se për çfarë i nevojitet Serbisë armatosja nga Rusia?

“Çka po i duhet kjo armatosje nga Rusia dhe kundër kujt e ka? Sepse, fqinjët e Serbisë, janë që të gjithë, qoftë anëtar të NATO-s, qoftë me prezencë të NATO-s – në këtë rast po flasim për Kosovën, e cila e ka prezencën e NATO-s. Ky është një argument i fuqishëm që e bën Serbinë të shihet qartë se ‘Rusi e vogël’, si aleate, si hapësirë gjeografike dhe politike, në të cilin Rusia e menaxhon aspektin e sigurisë. Të mos harrojmë që shumë prej këtyre pajisjeve janë të përdorura, janë pajisje të vjetra të Rusisë, por të cilat shërbejnë, kryesisht edhe për mbledhje të informacioneve, respektivisht, për inteligjencë”, u shpreh Ramadani.

Megjithatë, politologu Tahiri thekson që Rusia nuk e rrezikon interesin e vet kombëtar për shkak të Serbisë.

“Rusia është superfuqi dhe e luan lojën politike dhe gjeostrategjike globale. Nuk e rrezikon interesin e vet kombëtar për Serbinë ose për interesa të Serbisë. Rusia nuk po ia jep armatimin e fundit Serbisë edhe për shkak të pasigurisë se mund të shkojë në duar të tjera. Ky regjim, nuk do të thotë që do të jetë gjithmonë i qëndrueshëm për rusët. Por, Serbia po përfiton, sepse po konsideron që rregullimin e saj gjeopolitik karshi fqinjëve, sidomos karshi Kosovës dhe Bosnjës, nuk e ka përfunduar”, vlerësoi Tahiri.

Ai ka shtuar se Serbia po i bën shantazh Perëndimit, përmes bashkëpunimit me Rusinë, marrë parasysh që të gjitha vendet për rreth saj janë në NATO ose me prezencë të kësaj aleance ushtarake. E gjithë kjo, sipas tij, është një politikë e udhëheqjes së Serbisë, e presidentit Alaksandar Vuçiq, Ministrit të Jashtëm, Ivica Daçiq dhe Ministrit të Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, si dhe partive të tyre, për ta mbajtur popullin serb në gjendjen ekzistuese, deri në momentin që të rregullojnë çështjet me Kosovën dhe Bosnjë e Hercegovinën.

Kontingjenti i fundit i mjeteve ushtarake, 10 autoblinda të tipit BRDM -2, të cilat Rusia, sipas zyrtarëve të Serbisë, ia ka falë kësaj të fundit, është prezantuar 2 ditë më parë. Më herët, Serbia, ka pranuar gjashtë aeroplanë luftarakë të llojit, MiG-29 nga Rusia.

Gjatë muajit korrik, Rumania, shtet anëtar i NATO-s, ka parandaluar dërgesën e 60 tankeve ruse dhe mjeteve tjera të armatosura, përmes Lumit Danub për në Serbi, për shkak të sanksioneve ndërkombëtare kundër Moskës. Më 26 korrik, Ministria e Jashtme e Rumanisë ka deklaruar se nuk ka mundur të miratojë një leje për kalim në territorin e këtij shteti, bazuar në ndalesat e vëna më 2014.

 

BURIMI: REL

Continue Reading

Lajme

Kumanovë: Rrihet dhe grabitet taksisti nga pasagjerët

Published

on

Një dramë e vërtetë ka ndodhur në Kumanovë, ku një taksist është rrahur dhe grabitur nga personat pasagjerë që po i transportonte.

Rastin e kanë bërë të ditur nga Ministria e Punëve të Brendshme.

“Me datë 03.07.2022 në Stacionin Policor Kratovë, M.S. nga fshati Filipovci i Kratovës ka raportuar se një person ka dalë para shtëpisë së tij me lëndime nga një sulm fizik. Në vendin e ngjarjes kanë dalë zyrtarë policorë dhe është konstatuar se bëhet fjalë për personin me iniciale G.Z.(49 vjeçar) nga Kumanova me profesion taksist. Në një bisedë zyrtare me zyrtarët policorë ka raportuar se është thirrur me taksinë e tij për të transportuar disa persona nga fshati Vakv për në Kumanovë, të cilët e kanë sulmuar fizikisht dhe i’a kanë marrë makinën e tipit “Volkswagen Passat” dhe celularin”, njofton MPB.

Po merren masa për zbardhjen e rastit.

Continue Reading

Bota

Egjipt: Edhe një grua tjetër mbytet nga peshkaqeni

Published

on

Një grua tjetër është vrarë nga një peshkaqen në brigjet e Detit të Kuq të Egjiptit.

Trupi i një turisteje rumune rreth të dyzetave, u gjet pranë resortit të Hurghadas, vetëm disa orë pas një sulmi tjetër fatal ndaj një gruaje austriake 68-vjeçare.

Të dy sulmet ndodhën 600 metra larg njëri-tjetrit, në brigjet e Sahl Hasheesh.Guvernatori i zonës, Amr Hanafi, ka lëshuar një urdhër për të pezulluar të gjitha aktivitetet në brigjet përreth sulmeve.

Të gjitha aktivitetet detare janë ndaluar, duke përfshirë zhytjet, lundrimin dhe peshkimin me anije.

Sulmet e peshkaqenëve janë të rralla në zonë, me incidentet e fundit që besohet të jenë të parat që nga viti 2020.

Gruaja austriake kishte qenë duke notuar kur u sulmua, me peshkaqenin që ia këputi një këmbë dhe një krah, raporton SkyNews.

Ajo mezi ishte gjallë në kohën kur mbërriti në një spital aty pranë dhe vdiq pak më pas, sipas një zyrtari shëndetësor egjiptian.

Hurghada, një qytet turistik i cili shtrihet rreth 25 milje përgjatë bregut të Detit të Kuq të Egjiptit, është veçanërisht i njohur për zhytjet në skuba.

Sulmet vijnë pasi resorti u hap pas izolimit nga pandemia e koronavirusit.

Continue Reading

Kosovë

Ministrja e Finlandës për çështje evropiane: Momenti i duhur që të liberalizohen vizat për Kosovën

Published

on

Ministrja e Finlandës për çështje evropiane, Tytti Tuppurainen thotë se është koha që të liberalizohen vizat për qytetarët e Kosovës, si i vendi i vetëm në rajon që nuk gëzon lirinë e lëvizjes.

Tuppurainen thotë se Finlanda mbështet edhe kërkesën e Kosovës për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës dhe në organizatat ndërkombëtare të sigurisë.

Derisa flet për situatën aktuale të sigurisë në botë pas agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë, ajo thekson se është këtu në drejtim të thellimit të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Finlandës.

Tuppurainen në intervistën dhënë për KosovaPress flet edhe për Ballkanin e Hapur, dialogun Kosovë – Serbi, mosvendosjen e sanksioneve nga Serbia për Rusinë dhe rrezikun potencial që i kanoset Ballkanit Perëndimor.

Duke komentuar deklaratat e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq se përgjigja e tij karshi reciprocitetit të vendosur nga Qeveria e Kosovës për letërnjoftim dhe targa do të jetë “vdekjeprurëse”, ministrja finlandeze thotë se çdo retorikë përshkallëzuese është diçka për të cilën ndiej keqardhje.

KosovaPress: Ju keni ardhur për një vizitë zyrtare në Kosovë. Cili është qëllimi i kësaj vizite dhe ku do të jetë fokusi i takimeve tuaja me liderët shtetërorë të Kosovës?

Tuppurainen: Para së gjithash, kjo është vizita ime e parë në Kosovë dhe Prishtinë, dhe vërtet i jam gëzuar këtij udhëtimi. Unë jam një mike e fortë e Kosovës, dhe Finlanda ka një partneritet shumë të gjatë dhe të mirë me Kosovën, dhe për këtë arsye, mendoj se ne mund të forcojmë më tej lidhjet tona dypalëshe, dhe, natyrisht, situatën aktuale të sigurisë në Evropë. Pas sulmit të Rusisë në Ukrainë, kemi arsye që të gjithë ne të përmirësojmë më tej dialogun dhe bashkëpunimin tonë të ndërsjellë për demokraci, paqe dhe stabilitet.

KosovaPress: Kosova dhe Finlanda shquhen për marrëdhënie të mira. A ka hapësirë që ky bashkëpunim të thellohet edhe më tej dhe në cilat fusha?

Tuppurainen: Sigurisht që ka vend për thellim të mëtejshëm të bashkëpunimit tonë. Tashmë janë 10,000 kosovarë që jetojnë në Finlandë, kështu që është një diasporë mjaft e madhe dhe mendoj se shumë prej tyre e njohin Finlandën shumë mirë, dhe sigurisht që e njohin shumë mirë atdheun e tyre, kështu që ndoshta mund të përdorim njohuritë e tyre për vendet tona, në mënyrë që të përmirësojmë bashkëpunimin tonë ekonomik. Nëse mund të bëjmë diçka në ambasadën tonë këtu, ose nëse mund të bëj diçka për t’i dërguar një mesazh qeverisë sonë, në mënyrë që të promovojmë lidhjet tona të biznesit, do të isha e lumtur ta bëja këtë. Besoj se kemi kaq shumë për të bërë në fushën e ekonomisë apo asaj qarkore, riciklimit, e kështu me radhë. Pra, mezi pres të rrisim bashkëpunimin tonë.

KosovaPress: Së fundi Qeveria e Kosovës i ka vendosur masa reciprociteti Serbisë për letërnjoftime dhe targa, për çka presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka kërcënuar se përgjigja e tyre do të jetë “vdekjeprurëse”. A mendoni se mund të ketë destabilitet të Ballkanit Perëndimor kur kemi parasysh edhe lidhjen serbo-ruse dhe luftën hibride që po bëhet?

Tuppurainen: Para së gjithash, stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është çështja më e rëndësishme, jo vetëm për vetë rajonin, por edhe për Evropën. Po flasim për fqinjësinë evropiane; prandaj është kauza jonë e përbashkët për të rritur stabilitetin në rajon. Dhe më duhet të them se çdo retorikë përshkallëzuese është diçka për të cilën ndiej keqardhje. Shpresoj që të gjithë të punojnë drejt një mirëkuptimi dhe marrëveshjeje të përbashkët, sepse vetëm përmes bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë mund të arrijmë paqen dhe stabilitetin. Besoj se Kosova ka të drejtën ligjore për zgjedhje, por shpresoj që në fund të gjithë ta kuptojnë se duhet të gjejmë gjuhën e përbashkët dhe të shmangim çdo përshkallëzim.

KosovaPress: A po i bëhet padrejtësi Kosovës lidhur me liberalizimin e vizave? Dhe si i keni parë deklaratat se mund të ketë kritere shtesë për Kosovën?

Dua ta bëj shumë të qartë: Finlanda është në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën. Sigurisht që e meritoni. Të rinjtë tuaj e meritojnë. Kam takuar shumë të rinj kosovarë që janë të etur për të udhëtuar, për të pasur të drejta të barabarta për të udhëtuar. Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk ka liberalizim të vizave. Dhe tani është koha për ta dhënë atë. Finlanda është në favor të kësaj dhe ne kemi punuar drejt qëllimit që Këshilli të arrijë marrëveshjen për liberalizimin e vizave.

KosovaPress: Çka prisni nga dialogu Kosovë – Serbi dhe sa e shihni të nevojshme arritjen e një marrëveshjeje në një periudhë sa më të afërt marrë parasysh rrethanat aktuale në të cilat ndodhet bota sot?

Tuppurainen: Ne besojmë se dialogu është shumë i rëndësishëm. Sigurisht që kjo çështje i takon Kosovës. Merrni vendimet vet. Varet nga ju, si e shfrytëzoni ecurinë e dialogut. Mendoj se tani pas zgjedhjeve serbe, është një moment i ri për të zgjeruar më tej dialogun. BE-ja ka investuar shumë në këtë dialog, duke pasur përfaqësuesin special Lajçak që vepron në këtë fushë dhe ne e mbështesim fuqishëm punën e Lajçakut. Sigurisht, duhen dy për tango. Nuk i takon vetëm Kosovës që të zgjidhë çështjet që janë në tryezë. Por megjithatë, ju mund të jeni forca që po përpiqet për të mirën, që përpiqet për interesin e përbashkët dhe që përpiqet për një marrëveshje të mirë përfundimtare. Sepse në fund ju duhet një marrëveshje e ndërsjellë, për të ecur në rrugën tuaj evropiane. Besoj se Kosova i përket Evropës, bashkëpunimit tonë të ndërsjellë, por ky dialog është diçka që duhet shfrytëzuar maksimalisht. Kështu që ju inkurajoj, por e kuptoj plotësisht se i takon Kosovës të bëjë zgjedhjet e saj.

KosovaPress: Cili është qëndrimi i Finlandës për Ballkanin e Hapur, a mendoni se duhet të bashkëngjitet Kosova?

Tuppurainen: Varet nga ju që të vendosni për fatin tuaj. Unë nuk jam këtu si ministër për t’ju thënë se çfarë duhet të bëni. Nëse mendoni se Ballkani i Hapur, krijon një lloj vlere të shtuar për ju, atëherë sigurisht që duhet të shfrytëzoni mundësinë, por nëse mendoni se ka mjete të tjera që janë më të mira për ju, atëherë sigurisht që ju takon t’i përdorni ato. Ekziston nisma e përbashkët e tregut rajonal që lehtësohet nga Procesi i Berlinit. Unë besoj se ky është gjithashtu një shans i mirë për të promovuar më tej rrugën tuaj drejt tregut të përbashkët të Bashkimit Evropian, duke pasur vlera të përbashkëta, duke përdorur standarde të përbashkëta, çfarëdo që mund të bëni këtu për të përmirësuar situatën tuaj kur bëhet fjalë për standardet evropiane që do të t’ju ndihmojnë në rrugën për të hyrë në tregun e brendshëm të Bashkimit Evropian. Dhe, nuk ka asgjë që mund të zëvendësojë fuqinë ekonomike të tregut të brendshëm të BE-së, asnjë investim nga jashtë nuk mund të sjellë të njëjtin përfitim si tregu i vetëm evropian. Pra, kjo do të jetë diçka për të cilën duhet të përpiqeni patjetër, ka qenë një burim i madh për ekonominë e Finlandës dhe mund të jetë e njëjta gjë për Ballkanin Perëndimor.

KosovaPress: Serbia është i vetmi vend që nuk i ka vendosur sanksione Rusisë pas agresionit ushtarak në Ukrainë. Si e vlerësoni këtë veprim të Serbisë dhe cili besoni se duhet të jetë qëndrimi i BE-së karshi saj?

Tuppurainen: Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar, vetëm të bashkuar mund të përballemi me Rusinë. Le të jemi të qartë. Rusia është një autokraci, e cila po bën një luftë, një luftë të pamëshirshme ilegale në Ukrainë. Dhe ne duhet të vendosim se në cilën anë të historisë jemi. A po luftojmë për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, apo jemi ulur në “gardh”? Unë besoj se ne të gjithë duhet të zgjedhim anën dhe të përshtatemi plotësisht me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së. Është një domosdoshmëri nëse doni të vazhdoni në negociatat tuaja të zgjerimit dhe anëtarësimit, të cilat ky rajon është aktualisht duke i zhvilluar.

KosovaPress: Pas heqjes së bllokadës nga Turqia për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO, aleanca ka marrë vendimin për të ftuar dy vendet që t’i bashkohen asaj. Sa kohë besoni se do të merr kjo?

Tuppurainen: Epo, unë nuk kam një top kristali, por shpresoj që kjo të ndodhë sa më shpejt që është e mundur. Jemi të lumtur për Samitin e Madridit që ishte aq i suksesshëm, që arritëm të gjenim një marrëveshje me Turqinë. Është çështje diplomacie dhe është çështje negociatash, gjetja e interesit të përbashkët dhe në fund, dakordimi. Por sigurisht, në këtë situatë ku jemi, si Finlandë, e kuptojmë se jemi një vend që aplikon për anëtarësim në NATO. Pra, neve na mbetet të jemi modest dhe t’i lëmë vendet që tashmë janë anëtare të NATO-s të marrin vendimin e tyre për ratifikimin. Besoj se ne jemi 100% të përputhshëm kur bëhet fjalë për kriteret e NATO-s, dhe Finlanda do t’i jepte vlerë të shtuar të gjithë Aleancës, jo vetëm aleancës së NATO-s, por edhe rajonit më gjerë. Unë besoj se ne të gjithë duhet të punojmë për një Evropë më paqësore dhe më stabile.

KosovaPress: Kosova dëshiron të bëhet pjesë e Partneritetit për Paqe te NATO-s. A e ka mbështetjen e Finalandës, edhe si një anëtare e ardhshme e NATO-s?

Tuppurainen: Unë e shoh Kosovën si pjesë të një rendi shumëpalësh. E mirëpres vendimin tuaj për të aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Finlanda, mbështet kërkesën tuaj për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës. Dhe, siç thashë, ne jemi pro liberalizimit të vizave. Dhe besoj se një ditë do të filloni negociatat për t’u bërë anëtare e BE-së. Pra, varet nga ju, nëse aplikoni edhe anëtarësimin në NATO, ne nuk jemi ende atje, kështu që nuk më takon mua ta ftoj Kosovën të jetë pjesë e saj, por ju inkurajoj që të jeni të rrënjosur fort në të gjitha organizatat dhe institucionet e bazuara në ligj dhe rregull, si vendet e vogla, si Finlanda. Është shumë mirë që ne të jemi pjesë e rendit shumëpalësh. Në vend të kësaj, ne do të ishim në botën e superfuqive dhe luftën e tyre të vazhdueshme, dhe të gjithë e dimë se ku mund të çojë kjo. Pra, le të punojmë të gjithë për rendin shumëpalësh të bazuar në rregulla, në Evropë dhe në të gjithë botën.

Ministrja finlandeze për çështje evropiane, Tytti Tuppurainen po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, ku nesër pritet të takojë zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.

Continue Reading

Aktuale