Kulturë
Amerikanët zbardhin përplasjet e forta Shqipëri-Jugosllavi, ja si Enver Hoxha dhe Beqir Balluku shpërthyen në sulme ndaj Titos më 1956
Amerikanët kanë hedhur dritë mbi betejën e fortë që nisi mes regjimit të Enver Hoxhës dhe atij të Titos. Në disa shkrime, “New York Times” zbardh luftën e fortë që ka ndodhur mes tyre. Më 1956 mori fund gjithçka dhe Hoxha me njerëzit e tij të besuar sulmonin ashpër Titon.
Shqipëria akuzon për ndërhyrje
Në kritikat ndaj fjalimit të Titos kreu komunist shqiptar akuzon Jugosllavinë se po përpiqet të përmbysë qeverinë shqiptare me anë të komploteve dhe propagandës subversive. ‘Zëri i Popullit’ e quante fjalimin e Titos në Pula ‘ndërhyrje brutale’ në punët e brendshme të Shqipërisë. Me fjalë shumë më të ashpra se kritikat e Pravdas, artikulli shqiptar dukej se ishte provokuar nga denoncimi i Titos për udhëheqësit komunistë shqiptarë. Zëri i Popullit akuzonte se Tito po shpërndante “gënjeshtra anti-sovjetike” me akuzat se ndërhyrja në revolucionin e Hungarisë ishte një gabim fatal. Gazeta thoshte se akuzat kundër stalinistëve në botën komunistëve kishin si qëllim të mbillnin përçarje në kampin socialist.
Ideologjia në dyshim
Duke u rikthyer te sulmet ndaj udhëheqësve shqiptarë, gazeta thoshte: “Tito në mënyrë të turpshme godet partinë tonë dhe udhëheqësit , ndërsa shtypi jugosllav vazhdimisht gënjen dhe sulmon popullin dhe partinë pa arsye. Këto sulme bëhen ndaj partisë tonë pasi ajo është e vendosur të mbrojë marksizëm-leninizmin. “Tito dhe udhëheqës të tjerë jugosllavë kanë një mendësi anti-marksiste dhe shoviniste ndaj Shqipërisë. Edhe para çlirimit nga lufta ata kanë ndërhyrë brutalisht dhe sistematikisht ndaj punëve të vendit tonë”. Toni i zemëruar i artikullit dhe akuzat e tij të rënda, tregonin se marrëdhëniet mes dy vendeve janë rikthyer tashmë në pikën e ulët menjëherë pas përjashtimit të Beogradit nga Kominform në 1948. Gjatë periudhës së konfliktit të bllokut me Jugosllavinë, Shqipëria e sulmonte atë më ashpër nga të gjitha pasi kishte qenë njëfarë nën-satelit i saj dhe i trembej pushtimit.
9 dhjetor 1956
Shqipëria quan Titon ‘tradhtar’
Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë ka quajtur sot liderin jugosllav Tito ‘tradhtar në dorë të imperialistëve’. Në një transmetim të Radio Tiranës, ministri Beqir Balluku tha se Shqipëria nuk do e lejojë asnjëherë veten të dominohet nga Tito. Ai akuzoi më tej Jugosllavinë se vazhdimisht po ndërhyn në punët e brendshme të Shqipërisë që prej vitit 1944. Sulmi shqiptar ndaj Titos ishte nga më të ashprit dhe duket se ishte koordinuar më zëdhënës të tjerë të vendeve lindore. Ai konfirmon sinjalizimet se lufta e hapur tashmë është një mundësi mes komunistëve të Jugosllavisë dhe Shqipërisë sovjetike. Një qëndrim i hapur anti-Tito por jo aq i ashpër sa i Shqipërisë është mbajtur dhe nga Bullgaria e cila tha në një transmetim në radio: “Zëvendësuesit që disa vende po përpiqen të ofrojnë ndaj Marksizmit jo vetëm që refuzohen nga komunistët bullgarë por luftohen nga partia jonë në tërësi”. Deklarata është e ngjashme me ato të kreut komunist shqiptar Hoxha, artikujt e të cilit në Pravdan ruse kanë shkaktuar zemërim të gjerë në Jugosllavi dhe nga Tito në fjalimin e tij në Pula.
19 shkurt 1957
Hoxha akuzon Titon për komplot
Të tjera akuza të rënda ndaj Presidentit Tito u bënë dje nga kryeministri shqiptar Enver Hoxha gjatë një fjalimi në Komitetin Qendror të Partisë së Punës. Hoxha akuzoi Jugosllavinë se kishte inkurajuar zv. kryeministrin shqiptar Tuk Jakova dhe anëtarë të tjerë të qeverisë të komplotonin kundër tij. Fjalimi i Hoxhës u transmetuar nga Radio Tirana dhe u monitorua nga afër. Kreu i partisë shqiptare akuzoi më tej Titon se po dobësonte dhe ngatërronte kauzën e komunizmit duke sharë Bashkimin Sovjetik dhe duke ndërhyrë në punët e brendshme të Hungarisë dhe të Shqipërisë, me qëllim përmbysjen e qeverive atje. “Pretendimet e liderëve jugosllavë dhe interpretimi i tyre për ngjarjet në Hungari si një revolucion popullor, është një gabim i rëndë. Akuzat e tyre janë jo vetëm të pabaza, por tentojnë të ngatërrojnë më shumë situatën me qëllim të mbulojnë luftën e klasave dhe të mbjellin konfuzion mes radhëve të partive komuniste.
Goditet politika jugosllave
Hoxha tha se politikat jugosllave kërkojnë ta përfaqësojnë veten si të parët që kanë vendosur një marrëdhënie të re me Bashkimin Sovjetik dhe vendet e tjera duhet të ndjekin shembullin e tyre, nëse nuk duan të pësojnë atë që i ndodhi Hungarisë. “I gjithë populli shqiptar e refuzon këtë këshillë pasi ajo që na kërkojnë në të vërtetë është të shkëputemi nga Bashkimi Sovjetik, siç ka bërë Jugosllavia”, tha Hoxha. “Komiteti Qendror i Partisë Shqiptare ka qenë korrekt në sulmet e tij kundër revizionistëve fashistë dhe elementëve tradhtarë që janë përpjekur haptazi ose fshehurazi të përgatisin kushtet për rivendosjen e kapitalizmit dhe zgjedhës imperialiste në Shqipëri. Armiq të partisë sonë si Tuk Jakova dhe Bedri Spahiu (ministri i Arsimit) e të tjerë, kanë marrë pjesë në konferenca në Tiranë të organizuara nga Jugosllavia”, tha Hoxha më tej, pa zbuluar fatin se çka ndodhur me dy zyrtarët e rrëzuar. Pasi mbrojti Stalinin si një marksist i madh që gabimisht mendoi se po mbronte revolucionin me gabimet e tij, Hoxha shtoi se udhëheqësit jugosllavë sulmonin Stalinin për kultin e individit por e bënin këtë në vendin e tyre.
24 shkurt 1957
Beogradi i kundërpërgjigjet akuzave të Hoxhës
Jugosllavia ka refuzuar sot goditjet verbale të kreut komunist të Shqipërisë Enver Hoxha. Denoncimi i kryeministrit shqiptar është në “kundërshtim flagrant” me kontributet për paqen në Ballkan, tha në një deklaratë zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të qeverisë së Titos. Jugosllavia nuk mund të pranojë sulme të tilla sidomos pas deklaratave të fundit nga Bashkimi Sovjetik dhe Bullgaria mbi rëndësinë e solidaritetit socialist, shtoi ai. Ankesa kryesore e Hoxhës në Radio Tirana ishte se Beogradi është fajtor për ndërhyrje të rënda në punët e brendshme të Hungarisë e Shqipërisë dhe se kishte refuzuar ofertat paqësore të Bashkimit Sovjetik.
27 shkurt 1957
Jugosllavia pranon konfliktin me BRSS
Qeveria jugosllave ka akuzuar sot Bashkimin Sovjetik se po kryen një fushatë të organizuar për izolimin dhe diskreditimin e vendit. Beogradi pranoi hapur se ka një konflikt të ri me Moskën e cila sipas tyre kishte anuluar kreditë e ndihmës prej rreth 250 milionë dollarë. Zëdhënësi tha se Jugosllavia nuk mbante përgjegjësi për prishjen e marrëdhënieve qeveritare dhe ekonomike. Zëdhënësja e qeverisë tha se fushata sovjetike me vendet lindore kundër Jugosllavisë nuk vinte nga ndryshime ideologjike por ngaqë Beogradi nuk i bashkohet ‘kampit socialist’ të udhëhequr nga BRSS dhe për të pranuar komandën e tij. Një deklaratë e ngjashme u dha më vonë dhe nga ministri i jashtëm Koca Popoviç në Parlament. Me një ton të moderuar ai e përshkruante Jugosllavinë si një komb të futur në mes të dy konkurruesve që nuk e kuptonin atë. Deklarata ngrinte lart ‘ndihmën e çmuar’ të SHBA dhe shprehte shpresën për zgjerimin e marrëdhënieve me Perëndimin. Popoviç i kushtoi shumicën e fjalimit të tij konfliktit me Moskën dhe foli fjalë të rënda për Kremlinin dhe aleatin e tij të vogël Shqipërinë. Reagimet e para ndaj fjalimit të Popoviç thoshin se me këtë presidenti Tito kishte hequr dorë nga pretendimet se dallimet e tij me Bashkimin Sovjetik janë vetëm ideologjike. Raporti konsiderohej si një paralajmërim se era që fryn nga Lindja do të sjellë një ‘kafshim’ të veçantë në muajt në vijim. Popoviç tha se nuk mund të gjendet asgjë në ngjarjet e vitit të fundit që të justifikojë këtë dënim të Jugosllavisë nga Blloku Socialist Sovjetik e madje përmendi fjalët e javës së kaluar të Nikita Krushov, i cili tha se çdo vend është i lirë të ndjekë rrugën e tij në kërkim të zhvillimit.
24 mars 1957
Hoxha i Jugosllavisë refuzon akuzat e keqtrajtimit të shqiptarëve
Fadil Hoxha, kreu i Këshillit të Kosovës, rajonit autonom shqiptar të Jugosllavisë, ka refuzuar sot pretendimet e kreut komunist të Tiranës Enver Hoxha për keqtrajtim të minoritetit shqiptar. Në një miting në Prishtinë, Fadil Hoxha akuzoi dje Enver Hoxhën se po përpiqej të nxiste urrejtje shoviniste mes popujve të Shqipërisë e Jugosllavisë dhe se qëllimisht po ndërhyn në punët e brendshme të Jugosllavisë. Konflikti kryesor mes dy Hoxhave është pozita politike e minoritetit shqiptar në Jugosllavi prej rreth 750 000 njerëzish në një kohë kur popullsia e Shqipërisë është rreth 1 200 000.
Rritja e shpejtë e popullsisë
Por shqiptarët nuk janë vetëm minoriteti më i madh në Jugosllavi por dhe ai më primitiv dhe me rritjen më të shpejtë. Që prej censusit të parë jugosllav në 1921 kur shqiptarët numëronin 440 000, ata janë rritur me 71 përqind, në një kohë kur popullsia jugosllave është rritur vetëm me 36 përqind. Por Enver Hoxha tha në fjalimin e tij se “udhëheqësit jugosllavë kanë nisur një fushatë shoviniste e anti-marksiste ndaj popullit të Kosovës, një rajon në të cilin situata është e mjerë. Liderët jugosllavë po ndjekin politika të shkatërrimit të karakterit kombëtar teksa dhjetëra mijëra prej tyre janë detyruar të japin tokën dhe shtëpitë e tyre duke emigruar në Turqi. Udhëheqësit jugosllavë po përpiqen ta transformojnë vendin në një bazë veprimi kundër Shqipërisë”, tha Hoxha.
Refuzimi i akuzave
Shtypi jugosllav nuk e ka publikuar fjalimin e Hoxhës por më 28 shkurt ka dërguar një notë proteste qeverisë shqiptare duke u ankuar për “provokime kundër integritetit territorial të Jugosllavisë”. Fadil Hoxha citonte në përgjigjen e tij se shqiptarët në Kosovë kishin të drejta të njëjta me qytetarë të tjerë të Jugosllavisë dhe se ndërhyrjet nga jashtë nuk do të arrinin kurrë të përçanin ata me serbët, malazezët apo turqit që janë të gjithë fqinjë në Kosovë e Jugosllavi. Ai shton se shqiptarët atje kanë shkollat e tyre, shtypin dhe teatrin ku përdoret gjuha shqipe. Fadil Hoxha shton se minoriteti shqiptar përfiton nga zhvillimi ekonomik i rajonit, ndërsa Shqipëria nga ana tjetër nuk ka bërë asgjë për t’i dhënë të drejta minoriteteve të saj malazeze e maqedonase. Këto grupe sipas tij, nuk kanë shkolla në gjuhën e tyre apo mundësi të tjera mësimi. Ndërsa për akuzat e Hoxhës së Shqipërisë se shqiptarët po detyroheshin të emigronin në vende të tjera, Fadili tha se ishte një gënjeshtër e madhe. Ai argumentonte se prej fundit të Luftës vetëm 291 shqiptarë kanë ndryshuar qytetarinë nga rreth 500 000. Zyrtarët e qeverisë jugosllave janë të shqetësuar nga përpjekjet shqiptare për të nxitur minoritetin e saj të Kosovës, dhe e konsiderojnë këtë një nga lëvizjet më kërcënuese të Hoxhës.
/Agjensia e Lajmeve Sot News/
Kulturë
Përgatitet ligji i ri për Kulturë, Sindikata e Kulturës ka reaguar ndaj mënyrës se si zhvillohet procedura (Video)


Sindikata e Kulturës e Republikës së Maqedonisë (SKRM) ka reaguar ndaj mënyrës se si zhvillohet procedura për projekt-versionin e Ligjit të ri për Kulturë, duke alarmuar se nuk janë të kyçur në grupet e punës, me cka sipas tyre, cënohen raportet e mira që me vite janë ndërtuar me Ministrinë e Kulturës, përcjell in7
“Përmes procesit jotransparent, që në thelb nuk dallon shumë nga ligji skandaloz I vitit 2014, sinqerisht dhe publikisht pyesim nëse diksuh me qëllim në atë Ministri dëshiron të cënojë raportet e partneriteit dhe nëse dikush përmes këtij propozim ligji përpiqet ta sabotojë dialogun social” – tha Vera Atanasovska, kryetare e Sindikatës për Kulturë të Republikës së Maqedonisë.
Ministria e Kulturës ka njoftuar se Propozimligji për realizimin e interesit publik në kulturë, që është dorëzuar në Kuvend në Janar të vitit 2020, për shkak të vërejtjeve të shumta është tërhequr nga procedura e mëtejshme.
“Teksti është dërguar tek sindikatat me kërkesë që të japin mendime dhe vërejtje deri më 8 nëntor 2022. Në periudhën e ardhshme do të punohet në këtë projekt-version konform propozimeve, vërejtjeve dhe mendimeve të sindikatës. Periudha kohore nuk është e kufizuar dhe kur teksti të harmonizohet me sindikatat, do të nis procedura për debat të gjerë publik” – thonë nga ministria e Kulturës.
Ministria e Kulturës beson se sindikatat me pjesëmarrjen e tyre në përgatitjen e ligjit të ri për Kulturë, do të japin një kontribut cilësor për të rregulluar këtë sferë dhe do të kontribuojnë për një ligj të ri, bashkëkohor dhe evropian për kulturë./in7.tv/
Kulturë
Akuzohet nga prindërit për sjellje agresive, arrestohet nga policia


Akuzohet nga prindërit për sjellje agresive, arrestohet nga policia
Sektori për Punë të Brendshme-Tetovë njofton se mbrëmë ka arrestuar 43 vjeçarin nga Tetova, të cilin paraprakisht e denoncuan prindërit e tij për sjellje agresive ndaj tyre. Policia merret me zbardhjen e rastit.
“Dje në mbrëmje (11-gusht) rreth orës 22:35, zyrtarët policorë të SPB Tetovë kanë ndaluar 43-vjeçarin O.S. nga Tetova, i cili paraprakisht ishte denoncuar nga prindërit e tij se po sillej agresive ndaj tyre. Ai është ndaluar në Stacionin Policor Tetovë për zbardhjen dhe dokumentimin e rastit, pas së cilës do të përpilohet raport përkatës”, deklaroi Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB-Tetovë.
Kulturë
Sërish raketa drejt centralit bërthamor në Ukrainë


Sërish raketa drejt centralit bërthamor në Ukrainë
Sulme të tjera me raketa janë raportuar mbrëmjen e së enjtes dhe mëngjesin e së premtes në drejtim të centralit bërthamor të Zaporizhzhia, mes Rusinë dhe Ukrainën që akuzojnë njëra-tjetrën për përgjegjësinë.
Mediat raportojnë se të paktën 10 raketa ranë pranë zyrës dhe stacionit të zjarrfikësve në termocentralin bërthamor më të madh në Europë.
Në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i thirrur për të diskutuar situatën, kreu i Agjencisë Bërthamore, Rafael Grossi paralajmëruar kjo është diçka e rëndë. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres tha gjithashtu ngjarja mund të çojë në një katastrofë të rëndë.
Kina dhe SHBA kërkuan që ekspertët e OKB-së të lejohen urgjentisht të vizitojnë centralin, por kërkesa të ngjashme në të kaluarën deri më tani nuk janë pranuar.
Më herët, SHBA-ja bëri thirrje gjithashtu për krijimin e një zone të çmilitarizuar rreth tij, por përfaqësuesi i Rusisë në OKB tha se çmilitarizimi nuk është një opsion, pasi ai do ta bënte centralin më të prekshëm ndaj provokimeve dhe sulmeve terroriste.
-
Lajmet kryesore1 year ago
Mediat në Shqipëri: Kastriot Rexhepi është shantazhuar me video materiale nga grupi i Izet Mexhitit
-
Bota1 year ago
Nuk u intereson kush është përballë tyre, shihni pamjet se si ukrainasit i ndalin në rrugë rusët
-
Lajme2 years ago
Lidhjet e Trajko Veljanovskit me rastin M0nstга? – Avokati maqedonas flet për pazaret ndër tavolinë dhe fshehje provash
-
Kosovë1 year ago
Dalin detaje të reja për vrasjen e trefishtë në Gllogjan
-
Komente2 years ago
Mos e bëfsh pikën e hajrit o Albin Kurti
-
Lajme2 years ago
Gazetari shqiptar “e zuri mat” Vuçiqin – Cila ishte pyetja që e ngushtoi presidentin sërb?
-
Lajme2 years ago
Shek Hallaçi i Grupit të Kumanovës, nga Buгgu i Idгizovës publikon videon me një porosi
-
Lajme1 year ago
Anketa më re: Struga, Tetova dhe Çairi do të drejtohen nga Opozita Shqiptare