Connect with us

Kulturë

Letër e padërguar

Published

on

Nga Ilir Magjistari

 

Lërmë!

I kujton guriçkat që hidhnim mbi liqen? Më thoje: – Sa herë hedh një guriçke, shpreh një dëshirë. Unë qeshja. -Pse qesh? -Sepse po të jetë për dëshira … unë e mbush të gjithë liqenin me guriçka. Dhe prapë nuk mjaftojnë! A nuk e kupton se sa herë të flas e të shkruaj kam nevojë për ty? Kam nevojë të jem mirë, të thur ëndrrat më të bukura që i di vetëm unë? Lërmë vetëm pak çaste të marr kurajon e të mbyll sytë afër të tuve … Dhe të bindesh që qepallat do t’i bëj të tejdukshme e prapë do shoh si fle, si përpëlitesh mes ëndrrave, do dëgjoj fjalë të pakuptimta e do qesh aq mirësisht e lumturisht, sa vetëm unë e di. Lërmë të të puth ëmbël siç di unë, të nuhas lëkurën tënde që të vesh atë mish të bukur që më zileps. Plotësomi dëshirat e brishta!

Lërmë të mbështes kokën mbi gjoksin tënd të mrekullueshëm ku zgjerohet qielli im i endërt. Lërmë e lërmë të të jetoj, qoftë edhe pak çaste sado pamjaftushmërisht të jenë për mua te çdo ditë që ndjej se jetoj. Lërmë të marr frymë nga e jotja, e besomë se do të ta kthej, po po, do të ta kthej ditën kur shpirtërisht do jesh në rrëfimin e fundit. Depozitoje tek unë dhe kujtoma si një kredi të pashlyer nëse dyshon se do ta harroj. Lërmë të ta prek kokën, të t’i kreh flokët me gishta, lërmë të të puth siç dua unë, kudo. Lërmë të shijoj lagështinë e gojës tënde, puthjeve të pambarimta, të puth qafën mjellmore që zbardh ujërave të liqenit që bën sikur fle e nuk zgjohet as nga goditjet me gur … Nëm pak nga vetja … e do ta të ta kthej sërish. Do ndihem ti e do ndihesh unë.

Nëm pra nëm … e do të të bekoj çdo gjë tënden, do t’i vesh me shpirtin tim të dlirë e do ta shohësh sa e bukur do bëhesh. … Lërmë të të shoh kur nisesh për diku, e të të fsheh këpucët para se të dalësh. Lërmë të të gudulis sapo ke mbyllur sytë e të qeshësh ëndrrave të blerta. Lërmë të pi kafene nga filxhani yt, aty ku ka gjurmë të kuqe nga përkëdhelja e buzëve të kuqe. Pastaj ti ma vure dorën mbi dorë: -Po, i dashur. Do të të lë! Po jo pa kushte. Dua të më lejosh edhe ti të fle nga ana jote, mbi jastëkun tënd e të ndjej aromën erëmirë të lëngjeve jetësore të trupit tënd. Lërmë edhe ti të mësoj se si dashurohet e mësomë të bëj dashuri … Lërmë të hidhem, të vritem, të ngrihem vetë … E dua këtë vuajtje të ëmbël që më bën të jetoj. Bëj të jem e vetme qofte edhe për pak, vetëm për kohën që do më duhet të të tregoj gruan që jam.Ti do perfekten, ti do të paqenën përderisa shpreson tek ëndrra.

Unë nuk jam perfekte sigurisht. Une jam plot gabime vese, ajo që sa herë të ka bërë të ndjesh netëve dhimbjen e paqte të një dashurie. E di, sa here këpus sikletshëm thonjtë me duar sepse kam frikë natën që afrohet. E di që shpesh gaboj ne te shkruar. E di që nxitoj nga makthet kur ha e pi dhe mbytem në kollë të panevojshme. E di që fle nën grindje të pamata e përpëlitje shpirti. Qaj shpejt për hiçgjë, edhe flokët mbaj mbi kokë mërzitshëm dhe vetëm prania jote me jeton brendinë e shkarravitur pa lidhje. Po po, unë jam ajo, qesh e hidhërohem si fëmijë, urrej këpucët e ikjeve, bezdisem nga çorapet.

Urrej ato çingla pranguese si hajmali të pafata, unazën në gishtin e mesit, byzylykun e lëkurtë, varësen shumëxixëshe në qafe. Oh … asnjë fat s’më kanë sjellë! E vetmja ditë kur nuk i vura, ishte dita që të njoha ty. Jam unë që pi kafe pa sheqer, e po u fiksova në një këngë e dëgjoj qindra herë si manjake autorësh. Ta dish, dollapi im është vetëm me rroba të zeza, jo për modë, por tashmë, unë di të dalloj edhe nëngjyrat e saj … E sheh sa defekte kam?! Lërmë pra edhe ti, të të shoh, të të dua!

Bëmë të mendoj se ti je, e je vetëm për mua aq sa të ndërtoj një kujtim të bukur siç do ti …! Jam unë që grindem me veten, mbarsem, lind e abortoj sa e sa herë brenda natës e mëngjeset nuk i dua më të trishta duke parë mbetje ëndrrash të vdekura. Sepse … më duket të jemi në brigje që nuk do të mund të bashkohen kurrë … as me urën e ëndrrës. I dashur … vazhdojmë hedhim guriçka mbi liqen?

Continue Reading

Kulturë

Veprat e Bahut, Paganinit, Vivaldit e Moxartit sonte do të luhen në Tetovë nga Orkestra Rinore e Shqiptarëve të RMV-së

Published

on

Sonte në ora 20:00 do të mbahet “Koncerti për Kitarë dhe Orkestrën” nga Orkestra Rinore të Shqiptarëve të RMV-së, njofton Portalb.mk.

Ngjarja do të zhvillohet te qendra “Shift Center” – Tetovë.

Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë për t’i dëgjuar veprat e kompozitorëve botëror si J.S. Bah, N. Paganini, A. Vivaldi dhe V.A. Moxart të interpretuara nga talentët e qytetit të Tetovës me dirigjent Premtim Etemi! Solist: Jetmir Mehmedi.

Continue Reading

Kulturë

Filloi punëtoria muzikore “Trumcakët” në çerdhen Ajla në Tetovë

Published

on

Sot, në një atmosferë të këndshme filloi punëtoria muzikore “Trumcakët” në çerdhen “Alja” në Tetovë, puntoria do të zgjasë nga 09.05.2022-24.06.2022 njofton in7

“Qëllimi i këtij aktiviteti edukativ dhe kulturor është që nëpërmjet muzikës të ndikojmë në shoqërimin ndërmjet fëmijëve, të zhvillojmë muzikalitetin e fëmijëve, interesimin e fëmijëve për t’u marrë me muzikë, nxitjen kreative muzikore, interpretimin muzikor dhe krijimin e shijes së kultivuar artistike-muzikore të fëmijëve parashkollor.
Temat që do të trajtohen janë: Këndimi, Interpretimi me instrumente ritmike të Orfit nëpërmjet ritmogrameve, Dëgjimi i muzikës nëpërmjet muzikogrameve, Muzika dhe lëvizjet”, thekson Teuta Halimi Selmani, Muziciente-teoriciente.

Aktiviteti i sotshëm e trajtoi temën “Këndimi” (ShI,shi, lag’o shi) në bashkëpunim me edukatoret Faret Shabani, Selda Sulejmani.
Ky proekt mbështetet financiarisht nga Ministrisë së Kulturës e RMV-së./in7.tv/

Continue Reading

Kulturë

Ekspozita kolektive ”Salloni pranveror 2022” së shpejti në Tetovë

Published

on

Shoqata e Artistëve Figurativ – Tetovë së shpejti prezanton ekspozitën kolektive “Sallonin pranveror 2022”. Ku marin pjesë 35 artist të artit pamor brenda dhe jashtë vendit dhe do shfaqen 35 vepra arti nga drejtimi i pikturë, skulpturēs, grafikës dhe fotografisë.

Kjo ekspozitë do të jetë e hapur për të gjithë artdashësit nga 17 Maj në orën 19.00 në Galerinë e Arteve Pamore në Tetovë. /tetova1/

Continue Reading

Aktuale