Connect with us

Kulturë

“Dashuria” e Nexhmije Hoxhës me Qemal Stafën dhe martesa me Enverin

Published

on

Si filloi edukimi teorik marksist i Nexhmije Xhuglinit? Cila është e vërteta e historisë së Qemal Stafës me gruan e diktatorit… Isuf Kalo tregon në librin “Blloku” nga UET PRESS

Nexhmija, ndoshta më parë e më saktë sesa Ramizi, njohu dhe kuptoi “gjuhën e Bllokut” dhe “preferencat e pathëna të Enverit”. Dhe pastaj me kohë ndryshoi, duke u ambientuar e duke përshtatur sjelljen, objektivat dhe karakterin e saj me to. Njohja e saj me Ramizin ndodhi gjatë luftës, në Konferencën e Rinisë Komuniste Antifashiste që u zhvillua në Helmës të Skraparit. Ramizi ishte një ndër organizatorët lokalë të saj. Pas takimit të parë aty, do të fillonte një bashkëpunim i ngushtë e i gjatë i të dyve në sektorin e rinisë e të ideologjisë. Bashkëpunim miqësor, moralisht korrekt, thjesht si dy kolegë në një front pune të përbashkët.

Veprimtarinë me rininë komuniste Nexhmija e pati filluar që në bankat e shkollës së mesme. Në ato vite të adoleshencës, të viteve shkollore dhe të rinisë së hershme, Nexhmija kishte qenë “vajzë e mbarë”, e moralshme, thuajse “engjëllore”. Por, kur u përfshi në rezistencën antifashiste të komunistëve në ilegalitet dhe u njoh, fshihej e lëviznin të dy në muzg, mbi të njëjtën biçikletë me Enver Hoxhën dhe flinin në shtëpi simpatizantësh. Vështruar retrospektivisht, në sytë e opinionit tradicional konservator ajo i theu tabutë e sjelljeve të vajzave të “ndershme” të asaj kohe. Pas rënies së regjimit komunist është përfolur herë si aludim i hamendësuar e herë i shprehur me tendenciozitet (pa fakte apo dëshmi të verifikueshme) një “lidhje shpirtërore” apo diçka më tepër se aq e Nexhmijes në rininë e hershme të saj me Qemal Stafën. Ky aludim bëhej gjithsesi për kohën para lidhjes së saj definitive me Enverin.

Askush nuk është shprehur qartë e i sigurt se çfarë mund të ishte ajo marrëdhënie e supozuar: ndjenjë e vërtetë, flirt kalimtar, dashuri platonike, simpati vajzërore e adoleshencës, apo miqësi puritane romantike, pa qëllim të “keq”, siç predikonin asokohe militantët e parë komunistë? Cilado prej tyre të ketë qenë e vërtetë, e parë sot, qoftë edhe me syrin e moralistit më fanatik, asnjëra nuk përbën çudi, as blasfemi, kur flitet për një vajzë që atëherë ishte vetëm 17 vjeçe.

Interesi për atë marrëdhënie u zgjua në kushtet kur u përhap një mjegullnajë në periudhën postkomuniste, e cila, nisur nga mllefi, mbështolli tërë bëmat, fajet duke mbjellë mallkim për regjimin e mëparshëm, e veçanërisht për Enverin. Në këtë kontekst u përhap edhe akuza intriguese sikur vrasja dhe eliminimi i Qemalit nga skena partiake e politike nuk ishte spontane, por një akt i fshehtë pabesie, i organizuar prej Enverit, për arsye rivaliteti në karrierën politike, por dhe prej “xhelozisë mashkullore” ndaj tij. Vetë Nexhmija i ka hedhur poshtë publikisht me vendosmëri të tilla aludime. Ajo ka folur e shkruar hapur, pa komplekse për miqësinë e simpatinë, si dhe vlerësimet e larta, superlative, të saj për Qemalin. Dhe e ka shprehur versionin e vërtetë që ajo beson si shkak të vrasjes së tij, si dhe për dhembjen që ndjeu dhe ndau natyrshëm, bashkë me Enverin, pasi mësuan të dy lajmin e kobshëm të humbjes së këtij shoku e miku të mirë e të shtrenjtë të tyre.Duke e shpallur më vonë datën 5 maj 1942, ditën e vrasjes së Qemalit (dhe jo atë të Vojo Kushit, që ishte shumë më heroike me gjoksin mbi tank!) si ditën përkujtimore për të gjithë dëshmorët, ata të dy mbase deshën të dëshmonin vlerësimin e tyre të veçantë për të.

Qemali, siç e përshkruan Nexhmija dhe ata që e patën njohur, ishte djalosh i ri përparimtar, pa paragjykime, me kulturë të gjerë, organizator dinamik, orator e letrar i talentuar dhe me karakter të çiltër e të vendosur. Ai pat besuar thellësisht në ideologjinë komuniste. “Po. Jam komunist dhe jam krenar për këtë. Sepse vetëm komunizmi do ta shpëtojë botën nga mjerimi i sotëm”, ishte shprehur haptas e trimërisht ai në gjyqin e grupit komunist të Shkodrës, përpara se të themelohej Partia jonë Komuniste, teksa i kishte duart të mbërthyera në pranga.

Natyrisht, është e pamundur dhe pa ndonjë vlerë të madhe “zbulimi” pas kaq shumë kohësh i ndjenjave që patën apo fshehën në zemrat e tyre për njëri-tjetrin, pas njohjes së tyre të parë, dy të rinjtë Qemal dhe Nexhmije. Por nuk është krejt e pamundur dhe e pajustifikuar të përfytyrohet një romancë idealistike apo platonike “rozë”, e përjetuar heshturazi mes tyre. Aq më tepër që kjo thuhej se kish ndodhur përpara se Nexhmija të njihej e të lidhej me Enverin. Janë disa elemente të rrëfyera nga vetë Nexhmija që marrin domethënie në këtë kontekst.

Qemali ishte, siç është pohuar edhe nga Nexhmija, i pari që e zbuloi dhe e tërhoqi atë si militante në radhët e të rinjve që besonin në ideologjinë komuniste e revolucionare që në vitin 1937, kur ajo ishte nxënëse në moshën 16-vjeçare. Kjo ndodhi 4-5 vite para themelimit të Partisë Komuniste dhe njohjes së saj me Enverin. Në “Celulën e shoqeve” që Qemali, si anëtar i Grupit komunist të Shkodrës, pat krijuar në Institutin Pedagogjik Femëror të Tiranës, ku bënin pjesë Liri Gega, Fiqirete Sanxhaktari (Shehu), Drita Kosturi dhe Nexhmija, ishte pikërisht kjo e fundit që Qemali veçoi dhe zgjodhi për ta aktivizuar dhe informuar më hollësisht. Përse vallë? Sepse ishte më e vendosura e më inteligjentja? Apo më tërheqëse, më e pashme e më e ëmbël sesa të tjerat? Mundet edhe për brishtësinë e saj, për të cilën Qemali vetë do e quante më pas “Delikatja”!!

Takimi i parë mes tyre, siç është i përshkruar në kujtimet e Nexhmijes, u krye në fshehtësi në verën e vitit 1937, katër vite para themelimit të Partisë Komuniste, në një vilë private të Tiranës, në rrugën që tani mban emrin “Qemal Stafa”. Portën ia hapi vetë Qemali. Nuk kishte njerëz të tjerë aty. Të zotët e shtëpisë, rastësisht a qëllimisht, kishin ikur atë ditë. Qemali ishte atë vit 17 vjeç. Djalosh i gjallë, i sigurt. Ajo 16. Vajzë adoleshente ëndërrimtare, kurioze dhe e turpshme. Në dhomën ku qëndruan ajo u ul në një minder. Qemali në një karrige përballë saj. Si dy pëllumba që këqyrnin njëri-tjetrin. “Pëllumbi me syze” nisi gugatjen. Jo për paqen, por për luftën. Tjetra dëgjonte e ndrojtur. Kështu filloi edukimi teorik marksist i Nexhmije Xhuglinit. Mundet që seanca e asaj dite gushti të vitit 1937 të ketë qenë e para dhe më e veçanta për edukimin marksist që do të zhvillohej në Shqipëri. “Mësuesi” dhe nxënësja e vetme në atë “klasë” kishin vetëm një vit diferencë moshore!

Macja e shtëpisë, e mbetur pa të zotët, kurioze për çiftin, kërceu dhe u ul në prehrin e vajzës. Ajo instinktivisht e përkëdheli. Por “mësuesi marksist” përballë i tërhoqi rreptë vërejtje nxënëses, duke nënkuptuar që ta linte macen dhe të vazhdonte të dëgjonte teorinë, sloganet dhe instruksionet komuniste për transformimin revolucionar të botës. Në fund të bisedës Nexhmije Xhuglini do të quhej tashmë “shoqe e re e edukuar komuniste”. Më pas, ndonëse banore e Tiranës, ajo do të anëtarësohej, pa e ditur as ajo vetë pse, jo në Grupin komunist të Tiranës, por në atë të Shkodrës, ku një ndër militantët kryesorë ishte pikërisht Qemali.

Më 8 nëntor 1941, siç dihet, u formua ilegalisht në Tiranë Partia Komuniste Shqiptare. Dy javë pas saj, më 23 nëntor 1941, në një rrugicë tiranase, në shtëpinë e kosovares Bije Vokshi, u themelua edhe Organizata e Rinisë Antifashiste Shqiptare. Falë propozimit të Qemalit, Nexhmija ishte e para dhe e vetmja vajzë apo “shoqe militante”, mes 14 delegatëve burra, si bashkëthemeluese e kësaj organizate rinore. Ajo u zgjodh edhe në kryesinë e saj, si përfaqësuese e të gjitha të rejave dhe grave shqiptare. Aty Nexhmije Xhuglini pa dhe u takua për herë të parë edhe me Enver Hoxhën. Ai kishte ardhur si i deleguar i Partisë Komuniste Shqiptare. Që nga ajo ditë, fati i Nexhmijes do të ndryshonte e do të merrte përgjithmonë rrugë tjetër. Marrëdhënia e saj me Enverin, imponues nga imazhi, oratoria dhe pamja fizike, u zhvillua në mënyrë të vrullshme e të pandalshme. Ndërkohë, miqësia e saj me Qemalin vazhdoi, në dukje po aq korrekte shoqërore si më parë, por rrethanat ndryshuan. Qemali u fejua me Drita Kosturin, njërën nga ish-shoqet e saj të celulës së shkollës. A ishte dhe a mbeti gjithë kohën miqësia mes Qemalit dhe Nexhmijes vetëm miqësi? “Miqësia, shkruan Gregoire Delacourt në librin ‘Lista e dëshirave të mia’, mund të shndërrohet në dashuri. Por dashuria kurrsesi jo në miqësi.”

Ndoshta për këtë nuk arritën ta dinin të vërtetën as ata vetë. Por në librin e kujtimeve të Nexhmijes për atë periudhë, mes rreshtave ndihet me takt të hollë një farë zhgënjimi si pengmbetje, një dhembje, keqardhje shpirtërore miqësore (apo një lloj xhelozie femërore a shoqërore?) për zgjedhjen, sipas saj jo të qëlluar që bëri Qemali në fejesën e tij. Ajo fejesë ndodhi pasi ai vajti për studime në Itali, ku, siç shkruan ajo, “iu ngjit nga pas” edhe Drita Kosturi.

Nexhmija vetë, zakonisht mjaft e rezervuar në fjalorin e saj, e cilëson ish-shoqen e saj të shkollës dhe të celulës me tone jo admiruese, madje disi të ashpra, si “revolucionare anarkiste”. “E çiltër, por jo aq e ekuilibruar.” “E parregullt në mbajtjen e vetes.” E thënë më haptazi, “jo e denjë për Qemalin”. Për ta mbështetur edhe më tej pakënaqësinë e saj, ajo citon fjalët që i paska thënë Qemalit Bije Vokshi: “Mor bir, ç’a t’u desh me u përzi me atë çikë?”.

Lexo të plotë KËTU

Continue Reading

Kulturë

Ndërron jetë regjisori, Peter Brook

Published

on

Peter Brook, një nga regjisorët më kreativë dhe më të diskutueshëm të brezit të tij, ka vdekur në moshën 97-vjeçare, raporton agjencia e lajmeve AFP.

Gjatë dekadave që pasuan, Brook vuri vulën e tij në teatër, duke thyer shumë konventa të vendosura.

Prodhimet e tij, ku luajtën disa nga aktorët më të shquar të teatrit, magjepsën dhe tronditën audiencën.

Brook, i cili jetonte në Francë që nga viti 1974, vdiq në Paris të shtunën, sipas raporteve, shkruan BBC.

Peter Stephen Paul Brook lindi në Londrën perëndimore në mars 1925, bir i emigrantëve hebrenj.

Ai nuk kishte një formim teatrale, por pasi studioi në Universitetin e Oksfordit, talenti i tij u vu re shpejt. Në moshën 20-vjeçare ai u emërua drejtor i Teatrit Repertory Birmingham.

Ai shpejt kaloi në Royal Shakespeare Company (RSC) dhe më pas në Shtëpinë e Operës Mbretërore ku, si drejtor i produksioneve në fund të viteve 1940, puna e tij përfshinte La Boheme dhe Salome.

Brook më pas ishte drejtor në Metropolitan Opera House në Nju Jork.

Continue Reading

Kulturë

Ndërron jetë poeti Xhevdet Bajraj

Published

on

Ka ndërruar jetë poeti dhe profesori universitar, Xhevdet Bajraj.

Për kalimin në amshim të poetit nga Rahoveci, ka njoftuar vëllai i tij, Fadil Bajraj.

“Njoftim mortor: sot pas një sëmundje të shkurtër ndërroi jetë vëllai im Xhevdet Bajraj. Për datën e varrimit ju lajmërojmë në ditët në vijim”, ka shkruar ai.

Xhevdet Bajraj ishte poet dhe përkthyes. Ai ka marrë disa çmime letrare kombëtare dhe ndërkombëtare.

Poezia e tij krahas përfshirjes nëpër antologji të ndryshme në gjuhën shqipe, spanjolle, serbe dhe angleze, është përkthyer në disa gjuhë të huaja.

Në Meksiko Siti (Meksikë) jetonte nga viti 1999, ku shkoi me bursën e Parlamentit Ndërkombëtar të Shkrimtarëve.

Kishte nënshtetësi Meksikane dhe nga viti 2002 punonte si profesor në Akademinë e Krijimtarisë Letrare në Universidad Autónoma de la Ciudad de México (UACM), ku ligjëronte disa lëndë mbi poezinë. Që nga viti 2016 mirrte bursë nga Sistemi Kombëtar i Krijimtarisë Artistike (meksikane).

Continue Reading

Kulturë

Lajm i mirë për fasnat e “Joker”

Published

on

Zyrtarisht është konfirmuar lajmi për vazhdimin e filmit “Joker”.

Lajmin e ka bërë të ditur regjisori Todd Phillips i cili ka zbuluar se titulli për vazhdimin do të jetë Joker: Folie à Deux.

Phillips, i cili drejtoi dhe shkroi filmin e parë Joker me Joaquin Phoenix, po bashkohet sërish me bashkë-skenarin Scott Silver në vazhdim.

Ai ndau kopertinën e kuqe të skenarit në faqen e tij në Instagram.

Ndërsa asnjë detaj i komplotit të vazhdimit nuk u zbulua nga Phillips, nëntitulli në frëngjisht i filmit në përgjithësi përkthehet si “çmenduri për dy” dhe mund të nënkuptojë një mashtrim të përbashkët midis dy njerëzve.

Disa media kanë sugjeruar që kjo mund të sjellë një paraqitje nga partnerja e Joker-it, Harley Quinn, një personazh i luajtur më parë nga Margot Robbie – përballë versionit të Xhokerit të Jared Leto – në “Suicide Squad” të 2016-ës.

Continue Reading

Aktuale