Një rrëfim për jetën, nga fëmijëria e, kujtimet e rinisë, dashuritë, poezinë dhe pasionet e shumta, dramat e një kalvari të gjatë përpjekjesh me diktaturën komuniste dhe vitet e pleqërisë së vonë…

Nga Admira Peçi

Kjo është intervista e fundit me Pano Taçin, realizuar në vitin 2011, një vit para se të ndahej nga jeta. Rrëfimi i tij është i riprodhuar pa i hequr asnjë nuancë të realitetit e përmes tij mund të zbulohet një pjesë e jetës dhe përjetimeve të këtij poeti të veçantë. Në 90 vjetorin e lindjes së tij, në shenjë kujtese,  po e ribotojmë këtë rrëfim të para 8 viteve.

Është 82 vjeç. Hokatar dhe nursëz. Vetullkërleshur e vështrimin pishë në sytë e futur thellë në zgavra. E vendos cigaren e radhës në çibuk dhe e thith fort si të ishte e fundit… Poeti i pazakontë, Pano Taçi, ka zgjedhur të më rrëfejë ca “sekrete” të jetës së tij sot. Është data 4 gusht, ora 11:00 e paradites.
E takoj rastësisht në bar “Lux”.

Kisha dëgjuar shumë legjenda për të. Poeti endacak. Bohemi. Shpotitësi. Një mal me halle njeri. Jetënxirosuri. Dashnori pasionant. Vagabondi i kohës së komunizmit. Poeti i rrallë, i veçantë, i pakrahasueshëm. Njeri me botë të pazakontë. Ata që nuk e njohin, kanë një mundësi sot përmes kësaj bisede që do të zhvillojmë bashkë me Panon. Kërkoj shoqërinë e tij, dhe pranon plot gëzim. Më thotë se ka gati një libër të ri me poezi. Është i paduruar të m’i tregojë. I nxehti ia çon djersën çurk. Një ambient me ajër të kondicionuar dhe një birrë…? Është idealja në një takim si ky me Panon. Sa ulemi e pyes si është me shëndet dhe më thotë se është top. “S’më gjen gjë… vdekja s’guxon të afrohet”, – më thotë dhe qesh….

Duket ka vendosur të më lërë gojëhapur.

Pasi, kur unë me keqardhje e pyes se kush kujdeset për të këto ditë të pleqërisë së vonë, merr një qëndrim pozant dhe më thotë: “…dashnorja ime. Unë bashkëjetoj prej disa kohësh me të. Quhet Drita. Është e bukur dhe ma do shpirti…”.
Më thotë se ka marrë një shtëpi me qira diku në zonën e “Ish-frigoriferit”. Ma përshkruan me imtësi hapësirën e kësaj shtëpie, dhomën e gjumit, korridorin, kthinën ku mund të gatuhet, banjën… “Është shtëpi e rregullt. Jetoj mirë”.

Me ç’para e paguan? – e pyes.

Më thotë se merr pensionin e shkrimtarit. “Ma ka dhënë Saliu. Ma dhanë që në kohën kur ishte ministër Bujar Leskaj… Por kam edhe pensionin e zakonshëm. Bëhen diku rreth 30 mijë lekë të reja”.

Kliko në linkun në vazhdim për ta lexuar intervistën e plotë:

http://fax.al/read/news/21242883/20962209/pano-taci-jeta-ime-burg-poezi-dhe-dashnore