Connect with us

Lajme

BE, kujdes me Ballkanin Perendimor dhe me procesin integrues në Union!

Published

on

Dy dekada pas fundit të Luftës së Kosovës, një zgjidhje politike mes Beogradit dhe Prishtinës mbetet ende e paarritshme, dhe kjo e ka shtuar frustrimin në rajon. Evropa nuk ka luksin që të presë, dhe të shpresojë që kjo çështje të zgjidhet vetë.

Një konflikt i pazgjidhur në zemër të Evropës, përbën një rrezik gjeopolitik të papranueshëm, veçanërisht në një periudhë të trazirave globale. Kancelarja gjermane Angela Merkel, dhe presidenti francez Emanuel Makron, e trajtuan këtë çështje më herët gjatë këtij viti, kur ftuan në një samit në Berlin në muajin prill liderët e Ballkanit Perëndimor.

Por bisedimet, nuk prodhuan atë për të cilën ka nevojë realisht rajoni: një plan realist për integrimin e tyre në strukturat e Bashkimit Evropian. Tani Franca dhe Gjermania, po tentojnë që të shfrytëzojnë një tjetër mundësi , që u proklamua në takimin e Procesit të Berlinit në Poznan të Polonisë.

Serbia dhe Kosova, nuk kanë qenë në gjendje të arrijnë një konsensus mbi problemet mes tyre, ashtu siç bënë Greqia me Maqedoninë e Veriut vitin e kaluar, duke zgjidhur mosmarrëveshjen mbi emrin e kësaj të fundit.

Përtej marrëveshjes së munguar Kosovë-Serbi, BE-ja ka një rol të rëndësishëm për të nxitur zhvillimin ekonomik në rajon. Kjo do të thotë që Evropa duhet të dalë me një plan, të cilin duhet t’ja paraqesë Beogradit dhe Prishtinës. Dhe ky plan duhet të mbështetet me vendosmëri.

Marrëveshja e Paqes e Dejtonit e vitit 1995 – megjithëse e papërsosur si një kornizë politike për një shtet funksional – është një shembull i mirë i llojit të diplomacisë që duhet të zbatohet edhe në dialogun Kosovë-Serbi.

Për të arritur atë marrëveshje, u krijua një “grup kontakti” midis aktorëve kryesorë, që synonin t’i jepnin fund luftimeve në Bosnje: BE-ja, Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar, plus Shtetet e Bashkuara dhe Rusia. Natyrisht, konteksti i sotëm është i ndryshëm. Ai s’ka të bëjë me dhënien fund të një lufte, por me integrimin e rajonit në BE.

Ndërkohë Brukseli do të duhet të bashkëpunojë me Turqinë – e cila luan një rol kyç në të gjitha vendet e rajonit që kanë një popullsi me shumicë muslimane – dhe me Kinën, të cilën nisma  “Belt and Road Initiative” (Nisma e Rrugës dhe Brezit), e bën atë një lojtare të rëndësishme në këtë rajon. Evropa duhet të këmbëngulë në vendosjen e disa kushteve. Kosova duhet të bjerë dakord për një pozicion negociator koherent brenda vendit, dhe të pezullojë tarifat e njëanshme që ka imponuar mbi produktet nga Serbia dhe Bosnja.

Nga ana e saj Serbia, duhet të ndalë fushatën globale kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës, dhe t’i japë fund përpjekjeve të saj për të bllokuar anëtarësimin e Prishtinës në organizatat ndërkombëtare. Përtej një marrëveshjeje të domosdoshme Kosovë-Serbi, BE-ja ka një rol të rëndësishëm për të nxitur zhvillimin ekonomik të rajonit. Ky projekt nuk ka të bëjë me ndonjë lloj bamirësie, por me promovimin e interesave evropiane, për shembull duke zbatuar projektet e infrastrukturës në Ballkanin Perëndimor, të cilat janë jetike për strategjitë e BE-së të ndërlidhshmërisë me rajonin.

Në vend se të lejojë që liderët e rajonit të pranojnë financime nga Kina, BE duhet t’u sigurojë qeverive atje fondet e nevojshme (por jo vetëm sa për sy e faqe), dhe të këmbëngulë që investimet të ndjekin rregullat e bllokut, si për mënyrën e zhvillimit të prokurimeve, ashtu edhe për transparencën e tyre.

Vendet në rajon, duhet ta kuptojnë se bashkëpunimi i suksesshëm ndërkufitar, është “bileta” më e mirë për një afrim më të madh me BE-në. Një treg rajonal i integruar ngushtë, nuk është një “dhomë pritjeje” nga e cila nuk mund të dilet kurrë. Ai do të rrisë prosperitetin e tyre, dhe do t’i ndihmojë të përmbushin më lehtë kriteret për hyrjen në BE. Ndërkohë Brukseli duhet gjithashtu të investojë në sundimin e ligjit në rajon. Qeveritë në Ballkanin Perëndimor, duhet të bëjnë përpjekje më të mëdha për të luftuar në mënyrë efektive korrupsionin dhe kleptokracinë, dhe BE duhet t’i ndihmojë në këtë luftë.

Ndoshta më e rëndësishmja: BE-ja dhe vendet e saj anëtare, duhet të forcojnë mbështetjen e tyre për shoqërinë civile në rajon, dhe të kërkojnë transparencë dhe llogaridhënie nga udhëheqësit lokalë. Dhe BE-ja ka një udhërrëfyes për këtë: Strategjinë e zgjerimit të vitit 2018 të Komisionit Evropian, që ofron një listë të gjatë rekomandimesh të dobishme dhe realiste, se si të mbështetet konsolidimi ekonomik dhe demokratik të rajonit.

Por fatkeqësisht, BE po shpërfill edhe këshillat e veta. Mjerisht, ajo vendosi të shtyjë sërish nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pavarësisht premtimeve të mëparshme nga qeveritë kombëtare dhe rekomandimet e Komisionit Evropian.

Për të treguar vullnetin e mirë, Brukseli duhet më së paku të angazhohet për liberalizimin e shpejtë të regjimit të vizave për Kosovën, pa vonesa të mëtejshme. Nëse BE-ja nuk mund t’u ofrojë vendeve të rajonit një rrugë të besueshme për anëtarësimin në union, ajo do të humbasë çdo lloj ndikimi në Ballkanin Perëndimor.

Sigurisht, kushtet për anëtarësim duhet të jenë strikte. Por ato gjithashtu duhet të jenë të ndershme:kur vendet përmbushin kriteret e vendosura nga BE, integrimi nuk duhet të mbetet peng i konsideratave në kryeqytetet kombëtare.

Continue Reading

Lajme

Tërmeti me magnitudë 6.1 shkund Greqinë/ Lëkundjet ndjehen deri në Egjipt e Izrael

Published

on

By

Tërmeti me magnitudë 6.1 shkund Greqinë/ Lëkundjet ndjehen deri në Egjipt e Izrael

Një tërmet i fortë ka shkundur mëngjesin e sotëm Greqinë ndërsa është ndjerë edhe në disa shtete të tjera.

Tërmeti ra 156 kilometra në juglindje të ishullit Karpathos në Greqi dhe ishte me magnitudë 6.1 i shkallës Rihter. Thellësia ishte 66.3 kilometra nën tokë.

Lëkundjet e forta u ndjenë edhe në ishullin e Kretës, që javët e fundit është tronditur nga disa tërmete. Ky tërmet është ndjerë edhe në Egjipt e Izrael, kanë raportuar mediat e këtyre vendeve.

Continue Reading

Kosovë

Vërtetohet pafajësia e ish-ministres së Kosovës

Published

on

By

Vërtetohet pafajësia e ish-ministres së Kosovës

Kolegji penal i Gjykatës së Apelit të Kosovës ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke liruar nga akuza ish-ministren Meliza Haradinaj Stublla pasi që nuk është vërtetuar se e njëjta e kryer veprën penale mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare.

Ndaj aktgjykimit të lartcekur, ka paraqitur ankesë Prokuroria Themelore në Prishtinë, duke i propozuar kolegjit penal të Gjykatës së Apelit të Kosovës, që ankesa të aprovohet, ndërsa çështja penale t’i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim.

Kolegji penal i Gjykatës së Apelit të Kosovës pas shqyrtimit të të gjitha shkresave të lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve ankimore, ka konstatuar se ankesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë është e pabazuar, pasi që aktgjykimi i lartcekur i Gjykatës së Themelore në Prishtinë, nuk është përfshirë në asnjë shkelje ligjore, për faktin se nga provat e administruara nuk është vërtetuar se e akuzuara Haradinaj -Stublla, ta ketë kryer veprën penale për të cilën ishte akuzuar, andaj edhe me të drejtë është liruar nga akuza./21Media

Continue Reading

Lajme

Paralajmërohet ngritje e përditshme e çmimit të derivateve deri në janar

Published

on

By

Paralajmërohet ngritje e përditshme e çmimit të derivateve deri në janar

Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës ka paralajmëruar se do të ketë vazhdimisht ngritje të çmimit të derivateve deri në muajin janar, raporton Express.

Kryetari i kësaj shoqate, Fadil Berjani, ka deklaruar se edhe pse çmimet po rriten, s’ka nevojë për panik.

“Ne e kuptojmë çfarë është ekonomia jonë dhe çfarë jete kanë qytetarët. E them me përgjegjësi që është i shtrenjtë çmimi, por këtë s’e bën shoqata e naftëtarëve, por berza dhe organizata prodhuese OPEC. Kur kemi reduktim më të madh, çmimi është më i lartë. Po fillojmë që nga SHBA-ja e deri në Kosovë është panik e madhe.

Organizata prodhuese ka dalë me komunikatë se deri në janar do të ketë probleme dhe ngritje të përditshme të çmimeve. Kjo rritje është duke vazhduar dhe do të ndodhë e s’ka të ndalur. Çmimi me shumicë po rritet e ai me pakicë është real. S’po rriten çmimet në mënyrë të theksuar, por në mënyrë të lehtë. Qytetarët po shërbehen me çmim real. Në tregjet botërore rritja reflekton edhe në Kosovë. Por ne jemi më të lirët në rajon e s’ka nevojë për panik”, ka deklaruar Berjani në KTV.

Sipas tij, në vend furnizimi po bëhet me derivate cilësore e më s’po ka ankesa nga qytetarët.

Berjani ka apeluar te qytetarët që të mos frikësohen sepse “do të ketë me bollëk derivate në Kosovë”.

Continue Reading

Aktuale